EKSPOZITA

(Z. SHYTI RRËFEN ÇFARË I NDODHI NË KUKËS)

I kthyer rishtas nga një funeral privat në Kukës, z. Shyti u paraqit në kafenë tonë i freskët dhe i gatshëm për muhabete. Para se të nisesha, tha ai, më telefonoi miku im Çesk Harapi, për të më thënë: “sa mirë që po shkon atje, ashtu nuk do ta humbësh ekspozitën.” Nuk e pyeta, edhe pse nuk e kisha idenë se për ç’ekspozitë e kish fjalën – por nga mënyra si u shpreh, m’u duk sikur priste prej meje që ta kisha ditur. Ca supozime e ka të vështirë njeriu t’i përgënjeshtrojë. Por me të arritur në qytet, tek bëja check-in në hotel Gjallica, recepsionisja më pyeti: zotni, keni ardhur edhe ju për ekspozitën? Aty nuk durova dot dhe pyeta se për çfarë ekspozitë e kish fjalën. Nuk e dinte tamam as ajo, por shpjegoi se të gjithë mysafirët në hotel ishin atje “për ekspozitën.” Mos keni ndonjë fletë-palosje, ndonjë broshurë, ndonjë poster? – këmbëngula. Ngriti supet dhe m’u ofrua që të pyeste bosin e vet, por mua më erdhi rëndë dhe i thashë që të mos trazohej, sepse unë isha gjithsesi i fushës dhe, atje për ku isha nisur, në funeral, do ta merrja vesh menjëherë. Vetëm se pasditja më iku me miqtë e mi të vjetër, u harruam në kujtime – ma bëni kabull oksimoronin – dhe veç kur u ktheva natën në hotel, më vajti mendja sërish tek ekspozita. Gjeta të njëjtën vajzë në recepsion, Marsela e paskësh emrin, siç ia lexova në targën varur te xhepi i këmishës; Marsela, i thashë, çfarë është kjo ekspozitë? Arrite të marrësh gjë vesh? Jo, tha ajo dhe u skuq pak; por duket sikur vetëm ju dhe unë nuk po dimë gjë. Se ç’kanë një gjë fisnike këto kukësianet… Kur hyra në dhomë, i telefonova mikut Simon Marashi (po, atij Simon Marashit që fotografon pëllumba të sëmurë), për ta pyetur. Kam dëgjuar edhe unë për ekspozitën në Kukës, më tha; ma pat përmendur edhe Çesk Harapi – të informohem rreth e rrotull? Lëre, i thashë, se nuk ia vlen. Ndërkohë më erdhën zëra gazmorë nga korridori; u ngrita, nxora kokën nga dera ime dhe këmbeva vështrime me burra dhe gra, por edhe djem dhe vajza të veshur bukur, që ktheheshin në dhomat e tyre; e mora në sy t’i pyes: ore, mos jeni nga ata të ekspozitës? Po, më thanë, me sytë që u shndrisnin nga pija; dhe pastaj shtuan: sa na gëzoni, që keni ardhur edhe ju, z. Shyti. Kushedi si dhe pse, më kishin njohur menjëherë. Do të shihemi nesër, vazhduan ata, mezi ç’presim që të rrimë bashkë, të pimë ndonjë gotë dhe të fjalosemi. Dhe u futën me bujë në dhomat e tyre, teksa unë sërish nuk e gjeta dot kurajën, për t’i pyetur se për ç’ekspozitë po flisnim. Natën e pata të shkurtër: kërkova më kot në Instagram dhe gjetiu në rrjet, rrëmova në Google, shfletova edhe faqet kulturore të gazetave në Tiranë, në Prishtinë dhe në diasporë, për ndonjë informacion – derisa më vuri poshtë gjumi. Një gjumë i thatë, pa të dhëna, pa spunto intelektuale, pa sfida. Të nesërmen sallën e recepsionit e gjeta bosh, kur u paraqita për check-out. Pak si vonë, zotni, apo jo? – më pyeti Marsela. Të tjerët kanë dalë tashmë. Kanë shkuar atje? – guxova të spekuloj unë. Po patjetër, më konfirmoi ajo. Atje, ku tjetër? Për fat të keq, unë jam në orar pune dhe nuk lëviz dot. Por evente të tilla ndodhin shumë rrallë në Kukës, vazhdoi. Por edhe në Shqipëri xhanëm. Natyrisht, i thashë. T’ju thërras një taksi? – më pyeti – që të mos vonoheni edhe më? Pohova me kokë, me shpresë se taksisti do të dinte diçka më tepër për këtë punë. Bëfshi qejf, më tha Marsela, teksa hipja në makinë. Shijojeni edhe për mua. E përshëndeta me dorë. Ku, bos? – më pyeti taksisti, një mesoburrë azgan dhe aromatik. Tek ekspozita! – i thashë. Ku tjetër? Më pohoi me kokë. Nga zbukurimet në kabinë, dukej njeri patriot. Rruga e Xhamisë ish bllokuar nga trafiku. Premë mes rrugës historike Mbreti Faruk, pastaj i ramë nga rruga Dituria, dhe më në fund dolëm te rruga Universiteti. Ashtu arritëm te një shesh i vogël i pluhurt dhe m’u la të kuptoja se duhej të dilja; pagova dhe e ndoqa me sy makinën, derisa u humb sërish në trafik. Kontrollova përreth, pashë vetëm kafe dhe dyqane gjithfarësh, përfshi edhe argjendarinë e dëgjuar Syla; ngjitur me argjendarinë, valëvitej në gjysmë shtizë tabela fosforike e stacionit të autobusit për Tiranë. Dhe këtu z. Shyti bëri një pauzë, për efekt. Nuk kish qenë e thënë, tha ai; ekspozita vërtet më tërhiqte, por tashmë jo aq si eksperiencë, sa si inat me veten dhe me Çesk Harapin. Më erdhi keq për të gjithë ata që kushedi ende më prisnin t’u shfaqesha, mysafir surprizë nga qarqet kulturore të kryeqytetit, mbase për t’u folur për artin dhe performativitetin urban. Por më shumë keq më erdhi për veten. Ekspozitën tashmë duhej ta kisha parë – dhe me këtë pishman, u ngjita në autobus. Z. Shyti vuri duart mbi tryezë, si për ta pranuar fajin me qetësi: nuk më falet, tha. Ti e bëre tënden, z. Shyti – e ngushëlluam. Nuk është se u shmange. Edhe pa qenë ekzibicionist, ti nuk je nga ata që u druhen ekspozitave dhe ekspozimeve, se nuk ke gjë për të fshehur. Z. Shyti ngriti vetullat dhe tundi shpejt kokën, në shenjë mosbesimi. Prisni, tha ai. Nuk kisha hipur mirë në autobus, kur shoferi – paksa i habitur me mua – më pyeti: edhe ti nga të ekspozitës, apo jo? Më thoni, miqtë e mi, vazhdoi filozofikisht z. Shyti: a më mbetej rrugë tjetër, përveçse të pohoja me kokë?

© 2022 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin