TEKSTE TË PËRNGJITURA

Duke gjerbur si zakonisht çorbën e përditshme të shërbyer prej mediave elektronike shqip, më tërhoqi vëmendjen ky paragraf, të cilin po e riprodhoj këtu:

Këtu, personit në fjalë i atribuohet një post i çuditshëm: ai i “ish-drejtorit” të QSA-së; edhe pse të jesh “ish” nuk mund të konsiderohet si post, sa kohë që prej andej nuk mund të largohesh më.

Gabimi në vetvete është banal, por po e vë në pah vetëm e vetëm për të arsyetuar rreth shkaqeve që mund ta rrëgjojnë shqipen e shkruar në këtë mënyrë.

Vetë paragrafi mund të rishkruhet si më poshtë:

Ish-drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike Ardian Marashi do të vihet në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në vend të Lindita Nikollës.

Të dhënat e tjera në paragraf, që nga “e cila e ka mbajtur këtë post deri më tani” për L. Nikollën e deri te “tashmë do të marrë detyrë të re, atë të Ministrit të Arsimit” janë të kota, të tepërta ose përsëritëse. Nëse ministrja ekzistuese Nikolla largohet për t’ia lënë vendin Marashit, kuptohet se “ajo e ka mbajtur këtë post deri tani” – përndryshe nuk do të zëvendësohej dot. Edhe Marashi, nëse emërohet ministër, doemos “do të marrë detyrë të re”, meqë vetëm kështu do të mund të emërohej.

Duket sikur lajmin e ka shkruar një subjekt i gjymtë.

Po çfarë mund ta bëjë dikë, që pas gjase e zotëron shqipen si gjuhë amtare dhe ka IQ normale, të shprehet kështu përçart?

Në radhë të parë, trysnia që vjen prej mediumit vetë, ose kontekstit të shtypit a informacionit, i cili kërkon shprehjen me parafabrikate, ose me blloqe gjuhësore të gatshme:

vihet në krye, ky i fundit, e ka mbajtur këtë post, tashmë do të marrë detyrë të re

Pa çka se AM nuk “do të vihet në krye” por vetëm do të emërohet ministër i Arsimit dhe Sportit; në një kohë që LN nuk “e ka mbajtur këtë post” (shprehje e drunjtë), por thjesht ka qenë (ka shërbyer si, etj.) ministre deri më tash.

Edhe shprehja e pakuptimtë, “ka mbajtur postin e ish-drejtorit” (në vend të “ka mbajtur postin e drejtorit” ose “ish-drejtor”) është përftuar në këtë mënyrë – ose duke qepur së bashku, në një fjali, dy parafabrikate: “ka mbajtur postin” dhe “ish-drejtori”, të cilat në thelb thonë të njëjtën gjë – që personi në fjalë ka qenë dikur drejtor (por nuk është më).

Dy të vërteta bëhen bashkë dhe përftojnë një absurditet.

Kjo shpjegon edhe paradoksin e fjalisë – i cili rrjedh nga pranëvënia pa arsye e dy togjeve me të njëjtin kuptim, të cilat në këtë rast nuk përftojnë ndonjë pleonazmë, por vetëm sa e konsakrojnë si post në nomenklaturë “ish-drejtorin”.

Të vihet re, gjithashtu, se “ky i fundit” në paragrafin më lart duhej t’i referohej AM, por nga struktura e fjalisë del se i referohet LN, meqë Marashi, në renditje, nuk është i fundit – me gjasë, shkruesi i atyre radhëve nuk ia di kuptimin shprehjes dhe kujton se është vetëm një version më lart-tingëllues i ky.

Nga ana tjetër, dhe meqë e hapëm këtë muhabet, një “ish-drejtor” nuk ka status të njëjtë me dikë që nuk ka qenë asnjëherë drejtor; çfarë madje merr vlerë formale në rrethana të caktuara – për shembull për C.V.-në ose kur llogaritet pensioni ose në motivacionin e një dekorate, etj. Mirëpo të jesh ish-drejtor është atribut, jo post; dhe AM ka mbajtur postin e drejtorit, jo të “ish-drejtorit”; në një kohë që atributin e ish-drejtorit të QSA-së do ta mbajë edhe sikur të bëhet ministër.

Përndryshe, do të duhej të shtonim se LN, tash e tutje, “do të mbajë postin e ish-ministres”; ndërsa për AM ky post do të shndërrohet në “detyrë të re” (nuk kuptohet mirë se çfarë detyrë do të lërë AM, për të marrë këtë të renë të ministrit; po të ishte akoma drejtor i QSA-së, nuk do të quhej ish-drejtor).

Tekste të tilla duket sikur japin informacion me bollëk, por në fakt vetëm sa ia topitin vëmendjen lexuesit, duke mos e lejuar t’i ndjekë në mënyrë logjike – duke kaluar hap pas hapi, nga e njohura tek e panjohura.

I njëjti lajm ofron edhe shembuj të tjerë po kaq të çuditshëm:

Del emri i parë i qeverisë teknike i propozuar nga opozita. Pas marrëveshjes së arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, kanë nisur të dalin dhe emrat e parë që mund të vihen në krye të ministrive.

Nuk arrij dot të gjej se sipas ç’logjike këto dy fjali ndjekin njëra-tjetrën, për të krijuar iluzionin pamor të një paragrafi: në fakt fjalia e dytë jo vetëm e përsërit informacionin e fjalisë së parë, por edhe e kundërshton – meqë në krye lexuesi informohet për “emrin e parë”, por pastaj i thuhet se “kanë nisur të dalin dhe emrat e parë”; por nëse është kështu, atëherë cilët janë këta emra, veç AM?

Dhe më tej:

Emrat e ministrive të tjera po ashtu do të jenë teknike, por deri më tani nuk është dhënë ndonjë emër konkret nga ana e opozitës dhe e aleatëve.

Edhe pse “teknike” nuk do të jenë emrat e ministrive të tjera, por ministrat e propozuar; pa folur pastaj se pohimi që “deri më tani nuk është dhënë ndonjë emër konkret” bie ndesh ballazi me pohimin pak më lart se “kanë nisur të dalin dhe emrat e parë.”

Sërish më duhet të saktësoj: personi që i ka shkruar këto nuk është me prapambetje mendore; i vetmi mëkat i tij është që e lëshon veten në duart e ligjërimit publicistik shqip, i cili është një lloj ligjërimi i drunjtë, që nuk synon të komunikojë me lexuesin, por vetëm të konstituojë burimin e vet – mediat – si palë që ka pushtet ndaj qytetarit. E para që sakrifikohet në këtë altar të fëlliqtë është logjika.

Çfarë shpjegon edhe pse teksti na lajmëron se “kanë nisur të dalin emrat e parë”, dhe pastaj saktëson “deri më tani nuk është dhënë ndonjë emër konkret”; meqë subjektit të këtij lloj ligjërimi nuk i intereson të mbajë një marrëdhënie koherente me realitetin, por vetëm të ruajë intertekstualitetin, ose marrëdhëniet e tekstit të vet me tekste të tjera paraprijëse, të cilave edhe u lejohet të hyjnë në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Në fakt, intertekstualiteti është ai atribut që ia konfirmon tekstit, çdo teksti, përkatësinë në kategori; duke shërbyer, në rastin tonë, si një lloj uniforme ose badge-i për t’u mbajtur në gjoks.

Është dëshmi e mjerimit të medias shqip sot, që nevoja për intertekstualitet po i detyron tekstet të formulojnë absurditete në seri. Lexuesi, që normalisht do të ish vënë në krizë nga kontradiktat, kundërthëniet dhe paradokset, me siguri zgjedh të mbrohet ndaj tyre duke e modifikuar leximin në mënyrë të tillë, që ta nxjerrë informacionin nga teksti, në vend që ta marrë që andej.

2 Komente

  1. Kam idene se gazetaret duhet te plotesojne nje numer te caktuar fjalesh, ngase paguhen me njesi falesh apo artikuj me minimum fjalesh. Prandaj dhe tjerrja pafund.
    Une p.sh. e kam problem per te shkruar nje review, ose komentuar mbi nje sherbim, pasi zakonisht duhet nje minimum karakteresh. Kjo per te dalluar kompjuterat (bots) nga njerezit dhe per te eliminuar komentet false.

  2. E sa e sa te tjera ka neper gazetat shqiptare! Po c’ti besh!? Ne te ardhmen besoj do jete shqipja me e bastarduar nga kjo e sotmja!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin