LOST IN NEOLOGISMS

Nga fillimi i javës që shkoi në Gazetën Zyrtare u bë i njohur vendimi i Komisionit të Përgjithshëm të Terminologjisë dhe Neologjisë për të emëruar me fjalët « rrasë » ose « pllakë » (përkatësisht tablette dhe ardoise) kompjuterin e sheshtë të firmës « Apple », të njohur me emrin « Ipad ».

Po aq sa ky lloj organizimi që vepron për të mos ia lënë rastësisë trysninë që ushtrohet mbi gjuhën interes paraqet edhe mekanizmi mediatik në prag të daljes në treg (shtator-tetor) të ribotimit të përvitshëm të një prej fjalorëve të njohur të gjuhës frënge, kur gazetat dhe Tv-të vihen në garë të fortë gjuetie për të zbuluar dhe paraqitur kush e kush më parë lexuesit të tyre hyrjet e reja të Fjalorit. Përgjithësisht është fjala për tre-katër deri në gjashtë fjalë të reja për të cilat flitet gjerësisht ku janë mbledhur si janë përdorur çfarë kuptimi kanë.

Natyrisht të korrat janë shumë më të mëdha. Deri në veshin tim ka ardhur emri i H. H. Florent përgjegjëse te fjalori “Larousse” e sektorit të “Veille néologique”, një lloj Observatori i fjalëve të reja, e cila brenda një viti, vetëm te një gazetë, “Le Monde” ka diktuar dhe skeduar 2194 fjalë të reja. Shqipëria dhe Franca, me sa di janë nga të paktat vende evropiane dhe nga të rrallat në botë që njohin vetëm një gjuhë zyrtare në territorin e tyre. Por çdo analogji fillon dhe mbaron këtu. Nuk besoj se jam i vetmi që kur ndodhem para njoftimesh si këto më sipër, t’i vijë ndërmend vetiu shkretëtira organizative përreth gjuhës shqipe, i vetmi “sistem kompleks” qe ka mbire ne atë tokë.

Pushtet politikë dhe ata akademikë e shkencor edhe pse nuk kanë munguar të shprehin shqetësimin për probleme të kësaj natyre, nuk kanë reaguar deri në marrjen e masave të shëndetshme për të institucionalizuar ndonjë farë praktike, të cilës do t’i nënshtroheshin problemet e ngutshme gjuhësore e midis tyre hyrjet e reja në gjuhen shqipe, edhe pse në fonetikë e në sintaksë dëmet janë mjaft më të mëdha por disi më të padukshme për vëzhguesin e thjeshtë. Në të kundërt interesi i individëve nuk ka munguar përgjatë gjithë historisë së shkruar të gjuhës shqipe. Në kohët moderne, në këtë fushë shkëlqen emri i Kristoforidhit, i një suksesi të jashtëzakonshëm paraqitet Naim Frashëri, i cili nganjëherë edhe në kurriz të cilësisë së vargjeve të tij, krijoi e futi në përdorim mjaft fjalë tê reja.

Në nivele të tjera nuk mund të lihet në hije puna e komisionit të Terminologjisë së Institutit të Studimeve Shqiptare, që diku nga fillimi i viteve ’40 hartoi programin më të gjerë të njohur deri atëherë në neologji dhe propozoi një numër prej 100 fjalësh të reja, nga të cilat na kanë mbetur fjalë të tillë si bujtinë etj., por edhe më të shumta janë ato që u harruan. Pastaj duke folur shumë keq për punën e këtij Instituti një institut tjetër shqiptar, ai i Gjuhësisë, diku nga vitet ’60, ndonëse në mënyrë më namuzqare, përpiloi listën e tij të neologjizmave, që më fort kishte për qëllim sterilizimin e gjuhës shqipe. Kujtesa qytetare ka ruajtur si monumentet e Ishullit të Pashkëve neologjizma të tilla si Katërrotak vetëlëvizës, sajesë gjenetikisht e dalë doret, të cilës iu besua roli i kamikazit të asgjësojë fjalën automobil, e cila gjithnjë e më tepër ishte bërë simbol i revanshit kapitalist. Nuk e di nëse është krejt rastësi që kjo fjalë u propozua pikërisht atëherë kur u ndalua me ligji zotërimi i automobilave privatë në vend.

Nuk kanë munguar edhe mjaft shkrimtarë të ndjeshëm e përkthyes të revoltuar që i janë kthyer shpesh herë këtij problemi. Nuk mund të hidhet poshtë edhe puna e gjuhëtarëve seriozë, të cilët janë shprehur në forma të ndryshme për problemin e rëndësishëm të neologjisë por unë nuk e di për çfarë arsye, në vitet ’80 punonjësit e shtypit i mblidhnin në një auditor, ku për “pastërtinë e gjuhës shqipe” ftohej të fliste një anëtar i Byrosë Politike, Spiro Koleka. Gjithsesi, nga ajo kohë ruaj një shije të mirë për një revistë e quajtur Kultura e gjuhës, të cilën edhe e koleksionoja.

Më tej, zhvillimet tronditëse historike të fillimit të viteve ’90 nuk mund të mos shkaktonin edhe një lloj “lëshimi freri” në këtë lëmë, por përsëri ka shenja që tregojnë se problemet e gjuhës po tërheqin vëmendjen që meritojnë. Prej specialistëve të gjuhësisë kohët e fundit bien në sy artikujt e A. Vehbiut, i cili i është kthyer disa herë problemit të neologjizmave në gjuhën shqipe.

Nëse e kam kuptuar mirë, duhen veçuar tre ide themelore në ndërhyrjet e tij; që shqipja për të përkthyer terminologjinë që i nevojitet, për hyrjet apo konceptet e reja duhet të operojë duke i formuluar ato me më shumë se një fjalë, që fjalët e vjetra apo “plakat” siç i cilëson ai, nuk janë domosdoshmërisht të mirëseardhura (se ndryshe nuk kishin pse të dilnin nga përdorimi ) dhe së fundi se nuk duhet patur frikë nga përdorimi i fjalëve të huaja. Këto ide më duken mjaft me interes, por besoj se ka vend për të rishikuar rolin e ndonjë “plake” në të ardhmen. Kujtoj se pas viteve ’90 në gjuhën shqipe u rikthye me një përdorimi tepër intensiv (në fushën juridike) termi “tagër” (ngjan më fort të jetë një barbarizëm i birësuar me sukses nga shqipja) . Në të vërtetë në legjislacionin e Monarkisë, midis dy Luftërave Botërore, ai term kishte vendin e vet në dokumentet juridike, por të gjithë kujtojnë se si u zhduk për gati gjysmë shekulli, për të na ardhur me një shkëlqim dhe formë të pazëvendësueshme. Jo pa interes është edhe rishfaqja e foljes mataroj (që pas vdekjes së gjyshes sime në fillim të viteve ’60 nuk e kisha dëgjuar më), për të zëvendësuar të tmerrshmet e padurueshmet manazhoj, gjestionoj etj. Ka mundësi që ato vetë të jenë huazime të vjetra, por këtu dua të kujtoj një mendim të Çabejt që thoshte që në raste të tilla më fort duhet parapëlqyer huazimi më i vjetër.

Është e tepërt të thuhet se në epokën e globalizimit me të tilla probleme ndeshen pothuaj të gjitha vendet, por gjithsesi nuk duhet të ngushëllohemi nga një gjë e tillë dhe të ushqejmë shpresën naive se të gjithë rrezikohemi njëlloj. Nuk është e vërtetë. Gjuhë të tilla si shqipja pa traditë të gjatë shkrimore mbi të gjitha pa një jetë të vërtetë kulturore, që flitet nga një shoqëri që nuk është dalluar për rrahje mendimesh, pa qendra të vërteta universitare që të përpunojnë koncepte të reja, historikisht pa mendim filozofik e sociologjik, e folur nga një popull që ndjen dhimbje kohe nga konceptet abstrakte, ajo pra, gjuha shqipe rrezikon më shumë se të tjerat që në një të afërme jo fort të largët të mbetet si ato dialektet e anasve të Amerikës, me të cilat ata komunikojnë midis tyre, por që me të dalë te dera e shtëpisë e kanë gati të pamundur ekzistencën pa përdorimin e spanjishtes e portugalishtes (në jugë) apo anglishtes (në veri).

E vërteta është se mënyra se si lindin fjalët e reja, si bëhet përzgjedhja e atyre që u zgjatet jeta nëpërmjet riciklimit, mënyra si bëhet zgjerimi i bazës semantike (rasti që sollëm në hyrje të këtij shkrimi), mbetet një proces enigmatik dhe pa një shpjegim të vërtetë. Jeta e përditshme është plot raste me të vërtetë të habitshme e pa asnjë rregullsi në lindjen e fjalëve të reja. Diku nga fillimi i viteve ’80 pyeta një profesorin tim të spanjishtes (spanjoll ai vetë) se çfarë mendimi kishte për gjuhën e emisioneve të spanjishtes që transmetonte Radio Tirana. Flitet albanjol, më tha ai. Për së jashtmi duket si një krijim spontan, por nuk kam bindjen se qe i tillë. As neologjizma e Berishës bllokqen, që ai e lëshoi një ditë ndërsa po debatonte me disa deputetë socialistë, nuk duhet të jetë aq i thjeshtë e spontan sa lë përshytypjen.

Nuk është e largët koha kur diskutimet ishin mjaft pasionante nëse në origjinë të krijimit të fjalëve ishte Zoti apo Njeriu. Që te kreu i parë i Zanafillës thuhet se Zoti bëri dritën dhe e quajti Ditë, bëri errësirën dhe e quajti Natë. Vërtet pak i arbitrarisht, por jo mundim i humbur. Megjithatë Ai as nuk ka folur ndonjëherë për metodën e tij dhe për më tepër nuk na ka lënë mënyrën e përdorimit. Chomsky më 1959 foli për hipotezën gjenetike të rrënjëve të gjuhës njerëzore, Saussure, fort i bezdisur nga kjo zallahi shkoi e mori pjesë në hapjen e trupave të të vdekurve për të kuptuar nëse aparati folës te njeriu ishte i lindur apo rezultat i evolucionit, disa kërkime të viteve të fundit dhe veçanërisht veçimi i gjenit FOXP2 që luan rol në procesin e të folurit dhanë disa përgjigje, por megjithatë procesi dhe aftësia jonë për të krijuar fjalë, mbetet pa një përgjigje bindëse.

Në këto kushte, me sa duket specialistët hoqën dorë nga përpjekjet për tu ngjitur te rrënjët e këtij problemi dhe nisën të shohin më nga afër praktikën e përditshme, por edhe të përcaktonin një sërë trasesh që duheshin ndjekur. Duke u kthyer te delet tona vërehet se mendimet e Vehbiut që cituam më sipër formulojnë pistat e dobishme të një praktike që i jep përgjigje problemeve të përditshme të gjuhës shqipe, veçanërisht në kushtet e një horizonti të turbullt institucional. Duke u hapur më tej më pëlqen të veçoj André Martinet që përpunoi konceptin e “fjalëve gramatikore” që u përkasin “serive të mbyllura” dhe “fjalëve leksikore” që mbeten fusha e veprimit të neologjisë e që ndryshe cilësohen edhe si “seri të hapura”. Në rastin e parë ai fut përemrat, lakimet apo pozicionet e ndryshme zgjedhore të cilët vështirë se mund të ndryshohen në hapësirën kohore të jetëgjatësisë së një njeriu. Ndryshe nga këto, fondi tjetër leksikor, ai që i përket “serive të hapura”, ka lëvizshmëri të madhe. Fjalët që përmblidhen në të shndërrohen e krijohen në bazë të nevojave që dalin madje kanë edhe aftësinë të zhduken kur këto nevoja nuk ekzistojnë më. Në këto kushte kuptohet se tekstet më të mirënjohura të kësaj fushe që flasin për neologjinë, kanë parasysh “seritë e hapura” që krijohen me burimet morfologjike të gjuhës, gjë që shpesh herë quhet edhe neologjia klasike apo formale. Pastaj kemi rastin tjetër kur fjalëve ekzistuese u japim kuptime të tjera plotësuese, gjë që njihet me emrin neologjia semantike dhe së fundi kemi pasurimin e gjuhës duke huazuar nga një dialekt apo gjuhë e huaj. Gjithsesi, për pikën e dytë, dhënia kuptim të ri i një fjale të vjetër, duhet thënë se kufiri i neologjisë me atë të polisemisë, nuk është fort i qartë. Të paktën për mua.

E bëra këtë paraqitje për të vënë në dukje se një nga idetë e Vehbiut për të plotësuar nevojat e përkthimit dhe shpjegimit të termave të caktuara apo për të sjellë në shqip koncepte të ndryshme mund të përdoren formulime më shumë se një fjalë, del të jetë një ide e re dhe a priori me rezultate interesante në përkthimin e disa teksteve veçanërisht të vështira. Me këtë rast kujtoj problemin e madh që i doli Avicenës kur iu desh të përkthente fjalën verë në arabisht. Ishte fjala për një pije që kultura islame nuk e njihte. I vetmi dyshim që kam në gratshmërinë afatgjatë të kësaj metode vjen nga ai që quhet parimi i ekonomisë gjuhësore, një ligjësi e brendshme e gjuhës që synon përdorimin e mekanizmave zvogëluese për unitetet leksikore tepër të gjata. Si pasojë mundet që me kohë nocioni apo fjala të merret e gjitha në gjuhë të huaj dhe pas një stazhi të shkurtër në fjalorët shpjegues, të integrohet në shqip si një nocion terminologjik.

Megjithatë unë nuk besoj se ky ligj vepron në mënyrë arbitrare. Ka nga ata që i bien shkurt dhe janë të mendimit se nuk ka asgjë tronditëse po qe se djalin e tezes do ta quajmë tezak, por nuk besoj se do të arrihet deri atje sa çunin e dajës ta quajmë dajak!

Këtyre rrugëve do t’u shtoja edhe një tjetër nga xhepi im. Kuptimi i ri që marrin një numër fjalësh, ndërkohë që ai i vjetri u harrohet krejtësisht. Këtu dua të sjell fjalën “i çoroditur”, fjalë e cila, sipas gjuhëtarëve të vjetër kishte kuptimin “i bastarduar, i zvetënuar” dhe madje ata protestonin pse përdorej në një kuptim tjetër. Në të vërtetë Fjalori i 1980-ës jep kuptimin e parë i prishur, i zvetënuar, por shton edhe kuptimin e dytë, i trullosur, i hutuar, i çorientuar. Është e tepërt të them se unë nuk di që ndokush ta përdorë atë fjalë në kuptimin e parë, por në mungesë të një Fjalori Historik të gjuhës Shqipe, kësaj fjale i bashkëngjitet edhe një shpjegim tashmë i papërdorshëm (ai i Fjalorit të vitit 1954) si të qe pjesë e fondit veprues, gjë që nuk më rezulton e vërtetë.

Problemi i huazimeve ka qenë ai që ka ndezur më shumë polemika por shpesh motivet kanë qenë jashtë gjuhësore. Rilindësit përgjithësisht ishin fort alergjikë ndaj turqizmave, frankofonët dhe gjermanofonët kishin prirjet e tyre të kuptueshme gjuhësore, ndërkohë që koncepte të tilla si ai i hozrashotit në ekonominë socialiste qe e vështirë t’u kaloje anash ndërkohë që edhe ekonomia e vendit udhëhiqej nga parimet e një libri të famshëm të Stalinit mbi ekonominë e BRSS-së, ku hozrashotit i besoheshin çudira ekonomike. Por në këtë mes ka fort pak gjëra për të qortuar. Neologjia në parim është krejt e paanshme në çështjet e politikës gjuhësore. Ajo i përgjigjet një nevoje, thotë J. Pruvost, është utilitare.

Me tej, duke i hedhur një sy shtypit të përditshëm kupton se të paktën udhët e krijimit të neologjizmave u ngjajnë pak udhëve të Zotit: ato krejt të panumërta! Kur flasim për Selinë rozë dhe me një gjë të tillë nënkuptojnë PS, unë nuk e di mbi çfarë kriteri duhet të arsyetojmë për të thënë se nuk kemi një neologjizëm. Dhe rastet e tilla janë me dhjetëra e dhjetëra, por del përsëri problemi se kush do të ulet e të merret me to. Ajo që mund të themi është se ky aktivitet është më i dendur në kushtet e një jete aktive politike e sociale. Kjo është arsyeja që problemi i neologjizmave në gjuhë, gjatë periudhës së regjimit të vjetër (kush mund të më thotë se edhe ky nuk është një neologjizëm? Por mbase edhe eufemizëm, për të mos përmendur fjalën komunizëm) kishte më fort për zemër zëvendësimin e fjalëve të huaja. Dhe kur ndodhte që ndonjë shkrimtar si Kadareja prapashtesën e njohur të shqipes “najë” ia bashkëngjiste” thashethemes” dhe krijonte fjalën thashethemnajë, kjo me të vërtetë shënjonte fort shpirtrat e lexuesve të tij të shumtë.

E megjithatë kur sapo filloi lëvizja për demokraci dhe asaj nisi t’i kundërvihej në mënyrën e vet G. Ruçi me “Vullnetarët e Enverit” që u shfaqen qyteteve të vendit si procesione mesjetare me buste në krahë, këta u cilësuan si “shpellorë”, gjë që ishte një lloj neologjizmi semantik. Më tej, kur si vend i vetëm proteste për opozitën e majtë në fillim të viteve ’90 qeveria demokratike linte vetëm Bregun e Lumit atëherë sistemi i ri politik nisi të cilësohet prej saj si “demokraturë” . Por mund të ndodhë edhe që neologjizmi i djeshëm të shndërrohet në arkaizëm. Moshatarëve të mi u kujtohem mirë jo vetëm fjala tollon por edhe emocionet që shkaktonte ajo. E pra, sot ajo është shndërruar në arkaizëm. Dhe shpresojmë të mbetet gjithnjë e tillë!

Aftësitë dhe mjetet e çdo gjuhe për të përkthyer a integruar fjalë të reja nuk janë të njëjta. Që më 1750 Volteri fliste për aftësinë dhe “përkulshmërinë e italishtes për të përkthyer gjithçka”. Madje ka nga ata flasin për “kompleksin e San Franceskos” me të cilin nënkuptojnë rëndësinë e madhe që marrin passhtesat zvogëluese a zmadhuese, sipas rastit. Gjermanishtja njihet për aftësitë e saj glutinuese që e merr një fjalë të huaj, e mbllaçit me mjetet e veta dhe e hedh në përdorim pa krijuar asnjë notë fallco për veshin e atij që e dëgjon. Shqiptarët kur ecin rrugëve të Nju Jorkut flasin për « billdingjet », para kompjuterit « sejvojnë», ndërkohë që gazetat flasin për « eurosongun » për  “vepra eternale », “duble standartin” si dhe e sjellin në faqet e tyre qindra italianizma që shmangen me lehtësi. Këtu më shumë se  për aftësi të pakta integruese të shqipes duhet folur për ngathtësi intelektuale të atyre që e (keq) përdorin në këtë farë feje.

Gjithsesi neologjia mbetet si një proces i brendshëm i çdo gjuhe me një ligjishmëri pa shumë lidhje me gjuhët e tjera. Kjo me sa duket është arsyeja pse nuk dëgjojmë ndonjëherë për ndonjë kongres ndërkombëtar të neologjisë. Megjithatë sa për të gjetur një “rregull botëror” po përmendim idenë se një gjuhë që nuk zhvillohet shpejt kthehet në një gjuhë të vdekur. Në këtë rast neologjia jo vetëm që reflekton progresin e një gjuhe dhe të shoqërisë së e flet, por në vetvete ajo shfaqet edhe si një mekanizëm mbijetese i vetë gjuhës.

Së fundi do të desha të vë në dukje se nuk duhet harruar se në fondin gjuhësor vepron i njëjti ligj sikundër në botën e financës: Monedha e keqe e zbon monedhën e mirë. Një sërë nocionesh dhe termash të huaja, në kuptimin afatshkurtër, është më e lehtë të merren të gatshme nga një gjuhë tjetër, por me kohë kjo nxjerr jashtë loje potencialet dhe burimet e gjuhës së vendit.

Kjo është arsyeja që pasurimi dhe evolucioni i gjuhës, një proces i natyrshëm ky, nuk i duhet lënë më rastësisë. Problemet me të cilat ndeshet sot një gjuhë nuk janë më ato të shekullit të kaluar. Ajo duhet shoqëruar e mbështetur. Dhe këtu nuk kam parasysh dhe as ndikohem nga rasti francez, ku çështjet gjuhësore janë pothuaj çështje shtetërore, por do të desha të sjell rastin e frëngjishtes së Kanadasë , të cilën e shoh më afër shqipes. Në kushtet e një ndikimi dhe kontaminimi intensiv që po rrezikonte së tepërmi ekzistencën e saj shkencëtarët dhe klasa politike iu përgjigj nëpërmjet atij që u quajt Revolucioni i qetë, që erdhi si pasojë e ligjit 101 të vitit 1977, ku neologjia mori një rol të dorës së parë për t’u mbrojtur nga anglishtja.. Gjuha shqipe nuk është larg këtij rasti.

Larg është ndjenja e përgjegjësisë së atyre që kanë tagër ta mbrojnë atë.

Nuk ka komente

  1. Rilindasit kishin program shume ambicioz e te gjithanshem.
    Pavaresisht se asnjeri prej tyre nuk i dha date permbushjes se programit, sot eshte e kuptueshme per ne se duhen disa shekuj qe programi te permbushet, per faktin e thjeshte se ne keto 100 vjet, programi eshte ende shume larg gjysmes.

    Ne keto 20 vjet e vetmja pike e programit qe ka bere hapa para eshte Europa si model politiko-ekonomik, por pasi kishte ngrire qe me deshtimin e Nolit, pra per plot 65 vjet kjo pike programore ishte harruar.

    Nderkaq keto hapa para te ketyre 20 vjeteve ne fushen politike po perkojne me ngrirjen e programit gjuhesor te Rilindjes.
    Ne kohen e Zogut u ngrine disa pika programore per permbushjen e pikes fetare dhe stabilitetit shteteror.
    Ne kohen e Hoxhes u ngrine disa pika per tu permbushur apo forcuar disa te tjera.

    Sot kemi perparim ne çeshtjen e shtetit te bashkuar, meqe Kosova ka shtetin e vet e megjithate çuditerisht kjo perkon me nje
    ”zbythje te frikshme”
    ne te gjitha pikat e programit gjuhesor. Praktikisht programi gjuhesor ndodhet ne goditje te perqendruar dhe ka nje terheqje te gjithanshme perballe kesaj mesymje sa te gjithanshme aq edhe te çuditshme.

    Nje nga pikat kyçe te programit gjuhesor ishte pasurimi i shqipes nepemjet brumit te vet. Permbushja e kesaj pike, nen shembullin gjerman si i vetmi i suksesshem, do te kerkonte nje zhvillim te madh te letersise, shkencave shoqerore dhe mendimit filozofik, mirepo as letersia as shkencat shoqerore e as mendimi filozofik nuk kane njohur ndonje zhvillim te konsiderueshem ne keto 100 vjet shtet.
    Vete letersia e te lindurve pas 1945 perfaqeson regres ne krahasim me te lindurit para 1945, qe do te thote se prozatoret e poetet nen 65 vjeç kane dhene nje kontribut inferior ndaj prozatoreve e poeteve mbi 65 vjeç apo te vdekur.

    Pyetja e natyrshme qe mund ti drejtohet shqiptarise ne kete pike eshte:
    – Quo vadis, Domine ?

    Nderkaq shkencat shoqerore dhe mendimi filozofik kane qene plotesisht te nenshtruara gjate diktatures dhe po aq afer zeros gjate anarkise se ketij 20 vjeçari.

    Keshtu edhe perpjekjet gjate diktatures, ne mungese se zhvillimit te ketyre 3 pikave dolen pergjithesisht te deshtuara.

    Sot ne gjendemi ne kaos te pashembullt, per me teper programit te Rilindjes nuk i ka dale ndonje program alternativ, i thurur nga qarqe kulturore, ka ndonje asteroid qe flet per program alternativ, por qe si çdo asteroid qe sapo hyn ne atmosfere shperbehet edhe keto asteroide ne atmosferen shqiptare bejne ca drite e fiken.

    Kaosi yne i shkaktuar nga ‘zbythja e frikshme’ te vetmit program, po demton vazhdimisht shqipen dhe sa me shume kohe qe kalon pa nje program si shtylla kurrizore qe na nxjerr nga kaosi, aq me shume demtohet shqipja.
    Besimi yne i thelle, tashme mitologjik, se shqipen s’e gjen gje, aq i dobishem gjate zhvillimit te çfaredo programi ne mungese te programit kthehet ne kunderprodhues, pasi i hap dyert pa kokeçarje çdo lloj shtaze e bime parazitare.

    Per vete, me ka bere shume pershtypje shqipja e bizantinit, nje shqiptar here renegat e here patriot.
    Ka nje ndikim qetesues qe me ka habitur pa mase. Iu futa punes te merrja vesh çe bente shqipen e Foti Cicit te kete kete ndikim qetesues e duke ndjekur personazhin(shume kontrovers, mund te behet edhe nje roman me jeten e tij) edhe ne forume te tjera, arrita ne perfundimin se shqipja e tij kaq e ndryshme dhe qetesuese vinte prej nje konceptimi te gjuhes qe nuk ka lidhje me shqipen ‘shkencore’ por me shqipen ‘metafizike’, me ate shkollen e vjeter fetare/metafizike, ku u brumosen nder te tjere Naimi, Fishta dhe Noli.

    Keshtu arrita ne perfundimin se programi i Rilindjes eshte ngrire sepse supozon fillimisht zhvillimin e nje shqipe ‘metafizike’, arritjet e se ciles kanalizohen nga shqipja ‘shkencore’.
    Gjate komunizmit dhe kaosit njezetvjeçar, u thane krejt rrenjet qe ushqenin shqipen metafizike dhe per momentin duket si pakthim, keshtu qe pikepyetja e madhe per mua ne keto çaste eshte:
    -A eshte ne gjendje shqipja ‘shkencore’, te pengoje atrofizimin e shqipes, drunjtezimin, humbjen e vazhdueshme te natyres se shqipes ?

    Nese po si ? Nese jo çfare na pret ne te ardhmen, ndonje shqipe hibride e llojit shqanglisht ?

    Nje paragraf si ky i Foti Cicit e lodh shqiptarin e sotem, qe do gjendej me mire e do lexonte me rrjedhshem sikur te kish ca fjale te huaja me shume.

    ”’Vetëvrasjet e fëmijve kanë shkënditur të blertën për një debat publik. Ndoshta duhej të vetëflijoheshin të miturit, që ne të rriturit të rezistonim një përsiatje mbi format e skajshme reaguese, një dukuri mjaft e ngjarë këto vite kalimtarie për shqiptarët prej Shqipërie; vetëmohimi si mohimi ynë. ”’

  2. Shkrim shume i mire, Lyss – Te uroj sinqerisht per kete!

    Ndermjet shume gjerave interesante qe permend, me pelqeu sidomos ajo historia e neologjizmave ne gjermanisht dhe menyra se si trajtohen fjalet e huaja ne kete gjuhe. Megjithate, une nuk ndaj te njejtin mendim me ty kur le te nenkuptosh se mbrojtja e nje gjuhe nga gjuhet e tjera, apo ca me keq evolucioni i saj eshte pergjegjesi e strukturave shteterore. Per mendimin tim, gjuha para se gjithash eshte konstrukt shoqeror. Fakti qe ka nje gen qe ka lidhje me procesin e te folurit nuk do te thote se gjuha eshte rezultat i evolucionit biologjik. Ne qofte se do te beja nje analogji, do te thoja se evolucioni krijoi mundesine per bazen fiziologjike te gjuhes, per krijimin e “hardware-it”, nderkohe qe gjuha vete eshte analogja e software-it ne kete sistem. Shume gjuhetare sot nuk mendojne se gjuha eshte “innate” sic parashtroi Chomsky ne 1959, por nuk eshte as produkt i evolucionit. Argumentat e “stimulus poverty” apo “universal grammatics” te Chomskyt jane thjesht hipoteza, qe studimet e mevonshme linguistike i kane vene ne dyshim serioz. E para, keto hipoteza deshtojne te plotesojne kriterin e pare per te qene shkencore – jane te paverifikueshme, dhe e dyta, i bien shkurt, pa shpjeguar asnje lloj mekanizmi se si gjuha eshte “innate.” Per mendimin tim, ky lloj shpjegimi s’ka asgje ndryshe nga supozimi i teologeve per ekzistencen e Zotit per t’ia atribuar gjithcka qe s’kuptojme apo s’shpjegojme dot Atij.
    Nga ana tjeter, gjuha nuk mund te jete rezultat i evolucionit ngaqe koha qysh prej krijimit te tyre e deri ne ditet tona nuk eshte e mjaftueshme per te bere te mundur pershtatjen gjenetike te gjuhes. Ne nje artikull shkencor te koheve te fundit behej e qarte se baza gjenetike e gjuhes njerezore e ka paradatuar lindjen e gjuheve. Megjithate, une bie dakord me ty qe ende nuk eshte i qarte mekanizmi shoqeror apo kulturor qe do te shpjegonte emergjencen dhe perftimin e gjuheve.

    Nje arsye tjeter qe me ben te anoj nga roli i faktoreve shoqerore e kulturore ne gjuhe eshte pasurimi i gjuhes prej shkrimtareve. Historikisht, efekti qe kane shkrimtaret e famshem ne nje gjuhe eshte shume here me i madh se masat shtrenguese (dhe ndonjehere donkishoteske) qe strukturat shteterore ndermarrin. Shekspiri, per shembull, eshte njohur qe ka krijuar/shpikur rreth 1,700 fjale te gjuhes angleze! Ai mbase mund te kete tentuar te perdore me teper fjale se kaq, por fakti qe keto 1,700 fjale mbeten ne gjuhen angleze do te thote se ato shkriheshin mire me pritjet shoqerore e kulturore te anglishtfolesve. Kjo eshte themeltare kur kihet parasysh pasurimi i nje gjuhe me fjale te tjera, apo zgjerimi i bazes semantike te fjaleve ekzistuese. P.sh., fjalet e propozuara per te zevendesuar “IPad-in” nuk mendoj se e plotesojne kete kondite (megjithate, ky eshte thjesht mendimi im).

    Gjithsesi, aritikulli yt eshte padyshim nje lexim i mire dhe do te doja te shihja te tjere artikuj dhe debate rreth kesaj teme. Faleminderit!

  3. “i çoroditur” perdoret ende ne Malesine e Mbishkodres edhe ne kuptimin e pare, shembull ne shprehjen “Tu u rrite, tu u ç’rodite”. Berthama e fjales eshte fjala “rod” (soj, fis, familje), e ne kete kontekst “croditja” ka kuptimin e prishjes morale, gjegjesisht humbjes se tipareve fisnike te familjes, e kesisoji edhe zvetnimit nga shoqeria.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin