NJË MJEK NË BARRELË

Sapo lexova Shekulli që ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili paska bërë një aksident me makinë, ku është plagosur, por jo rëndë.

Më erdhi keq, sepse e njoh madje e kam pasur shok vite më parë, kur ishim të dy shokë gjimnazi; dhe më pas, kur kemi qenë bashkë gjatë zborit tremujor te Rrapi i Trishit.

Aksidentet rrugore në Shqipëri zakonisht nuk përbëjnë lajm, edhe pse aksidentet e ministrave gjithnjë tërheqin vëmendjen, madje jo vetëm të tabloidëve që orientohen në informacion sipas erës së gjakut.

Nga ana tjetër, kush aksidentohet, është njeriu jo posti që mban.

Për Vasilin dëgjon shumë kritika poshtë e lart, edhe pse nuk di sa mund të mbajë ai drejtpërdrejt përgjegjësi për gjendjen e mjeruar të mjekësisë publike në Shqipëri.

Po të lexosh komentet ndaj lajmit, në Shekulli, e vë re se njerëzve nuk u ka shpëtuar ironia e faktit që një ministër shëndetësie, i aksidentuar, detyrohet të marrë ndihmën e parë në një nga spitalet e administruara prej tij.

Nga komentet merr vesh, edhe një herë, se njerëzve u ka ardhur në majë të hundës nga mënyra si administrohet shëndetësia atje; madje disa e shohin edhe si një farë ndëshkimi hyjnor për qeveritarin – jo aksidentin vetë, por shtrimin e detyruar në një spital publik.

Nuk di sa mund ta përfaqësojë publikun në Shqipëri dhe vetëdijen qytetare faqja e komenteve të Shekullit, por me sa lexoj nuk mund veç të konstatoj se shëmtia e qeverisjes, në atë vend, po e shëmton edhe publikun vetë.

Natyrisht, këtu ka gisht edhe redaksia e gazetës, e cila hap për komente një lajm aksidenti – por te Shekulli komentohet gjithçka, duke përfshirë edhe komentet vetë.

Gjithsesi, metonimia e një ministri shëndetësie që shkon të mjekohet në spitalin publik vështirë se mund të lihet pa u shfrytëzuar.

A ka faj Vasili për katrahurën e shëndetësisë publike në Shqipëri?

Patjetër, por gjithnjë së bashku me kastën që drejton administratën e atjeshme dhe filozofinë që e frymëzon atë kastë – e cila mund të përmblidhet në dy-tre fjalë: grykësia për pará.

Nga ana tjetër, nuk mund të pritet që një sektor i shërbimeve publike si shëndetësia, ndoshta më i vështiri për t’u administruar dhe më i kushtueshmi për t’u mbajtur në këmbë, të shkojë mirë në një shtet i cili kryesisht është në shërbim të pushtetarëve.

Faji kryesor i Vasilit, si mjek dhe si njeri, është që ka pranuar të jetë pjesë e këtij maskarallëku.

Ai e njeh gjendjen e shërbimit shëndetësor, sikurse e ka të qartë se ç’mund të bëjë, një njeri i vetëm qoftë edhe ministër, për ta përmirësuar këtë gjendje.

Ai e ka të qartë se shëndetësia në Shqipëri nuk është më shërbim për publikun, por një organizim paramafioz, për t’u rrjepur të sëmurëve pará.

Një mjek, që i është futur asaj rruge me dëshirë dhe pasion, dhe që ka bërë betimin e Hipokratit, nuk mund të bashkëjetojë natyrshëm me atë sistem shëndetësor dhe aq më pak të pranojë të vihet në krye të tij.

Mjeku është një farë prifti i trupit; dhe roli i tij në jetën sociale vjen duke u rritur, krahas me zhvendosjen e vëmendjes së masave nga shpirti te funksionet dhe manifestimet trupore. Paradoksalisht, kjo i ngarkon mjekut një përgjegjësi morale të paimagjinueshme, në krahasim me të shkuarën.

Dhuna ndaj mjekëve, siç e kemi parë të ndodhë në shumë raste në Shqipëri, është edhe pasojë e këtij zhgënjimi primordial, të fëmijës brenda nesh me autoritetin e fundit moral.

Po a mund t’i kërkosh një ministri Shëndetësie të luajë pjesën e kardinalit të një kishe tashmë të shkërmoqur siç është mjekësia shqiptare?

Jo, nuk ia kërkon dot. Veç mund t’i kërkosh, në heshtje, një miku të dikurshëm që të mos jetë pjesë e kësaj rrokullime – të refuzojë, në emër të etikës së mjekut.

Pavarësisht nga rrethanat, mjeku i mirë në Shqipëri ende mund të jetojë në paqe me vetëdijen e vet dhe t’u shërbejë të sëmurëve, duke i qëndruar larg korrupsionit, grykësisë, mashtrimit, allish-verisheve, kutërbimit të parasë.

Kjo mund të kërkojë sakrificë, por kur nuk i është kërkuar ndonjëherë mjekut të sakrifikojë diçka nga vetja, nga koha e lirë, nga humori, nga familja, nga shkëlqimi social?

Për fat të keq, rrëgjimi i shëndetësisë publike në Shqipëri po ndodh gjatë kohës kur politika shqiptare dominohet nga një ish-mjek – Berisha. Qeveria e kryesuar prej tij po administron jo vetëm shndërrimin e spitaleve në magazina të vuajtjes dhe depozita mbetjesh njerëzore, por edhe shkatërrimin kapilar të krejt sistemit të kujdesit shëndetësor publik, i cili shkon përtej trekëndëshit mjek-pacient-sëmundje.

Shëndeti publik është çështje e kujdesit për gruan shtatzënë dhe fëmijën, çështje e ushqimit të mirë dhe e ujit të pishëm të pastër, çështje e ajrit të pastër dhe mjedisit të ruajtur nga ndotjet, çështje e sportit dhe zhvillimit fizik, e lojërave dhe shëtitjeve, e një jete me sa më pak stres e sa më shumë përmasa.

T’ia kërkosh të gjitha këto një ministri Shëndetësie është marrëzi; por një mjek si Vasili, që i ka sytë në ballë, duhej të kish refuzuar të bëhej pjesë e këtij vandalizimi sistematik.

Po të isha edhe unë komentues i Shekullit, do të kisha vërejtur se një Shqipëri e sëmurë, si kjo e tanishmja, nuk mund të ketë shëndetësi të shëndetshme, pavarësisht nga dëshirat dhe vizionet e këtij apo atij ministri dhe pushtetari.

Çfarë nuk e kuptoj, në rastin e ministrit të tanishëm, është si arrin të flerë i qetë natën, pasi informohet për “rezultatet” e punës së tij, si regjisor i rrokullimës dhe i shpërbërjes.

Ndoshta edhe nuk fle dot mirë; ndoshta edhe pagjumësia ka qenë shkak i aksidentit.

Kam kujtime të mira nga miqësia e dikurshme, shpresoj dhe uroj ta marrë veten shpejt, pa shumë dhimbje dhe pa pasoja mbetëse. Edhe pse nuk kam dëgjuar asgjë të mirë për punën e tij si ministër, Vasili është mjek dhe gjithnjë mund ta shlyejë të shkuarën, duke u shërbyer, kokulur, nevojtarëve; qoftë edhe në një azil të varfër të periferisë…

Ndonjëherë aksidenti të detyron të rrish në shtrat dhe të mendohesh – çfarë pushtetarët tanë nuk kanë zakonisht kohë ta bëjnë.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, teper idealist ky shkrim. Do te doja te dija se çfare doktori ke ne mendje kur thua qe doktori mund ti rrije larg allish-verisheve.
    Per mua nje doktor qe nuk perpiqet te fitoje para ne Shqiperi eshte nje person jo shume ambicioz dhe pa familje.
    Po te jesh ambicioz patjeter qe do duhet te luftosh te punosh neper spitale. E aty punen se ben dot vetem, duhet te kesh ndihmen e teknikeve, infermiereve e doktoreve te tjere. Edhe nese ti nuk do te marresh para, infermieri ti kerkon direkt. Me se do e paguash infermierin, nga xhepi jot?
    Ngelet qe te punosh mjek i thjeshte ne nje qender mjekesore ku te jesh i vetem. Do marresh rrogen e shtetit. Per cfare te del ajo rroge? Sigurisht jo qe te blesh nje shtepi. Lere pastaj shkollim femije, pushime te mira etj. Nderkohe qe farmacisti ne anen tjeter te rruges qe s’eshte vecse nje tregtar ilacesh ka 3 shtepia dhe po nderton nje vile ne plazh.
    Dhe nje dite te vjen farmacisti e te thote: “Pse su thua pacienteve te tu te vijne e ti marrin ilacet te une? Ne kembim ke 5% te shitjeve qe me vijne nga ti.” Dhe ti mendon: “Pacienti do i bleje qe do i bleje ilacet, pse mos ta coj te ky farmacist qe ne te vertete eshte me i miri dhe me i liri qe njoh” Ja ku u bere dhe ti dallaveraxhi.

    1. Unë besoj se mjeku nuk mund të lejojë që profilin moral t’ia kushtëzojë konteksti. Sidoqë të vijë puna, mjeku gjithnjë ka mundësi të zgjedhë, midis kësaj dhe asaj; po-së dhe jo-së; pranimit dhe refuzimit.

      Këtu kam parasysh edhe atë lloj konteksti që ka të bëjë me çfarë pritet prej mjekut (expectations). Për shembull, gruaja mund të presë prej të shoqit, mjek, që ky t’i sigurojë një nivel jetese të krahasueshëm me të mjekëve të tjerë… Dhe ky nuk mund ta sigurojë këtë, pa marrë pjesë në rrumpallhanën e përgjithshme.

      Mirëpo këtu ka diçka të kalbur, që në rrënjë. Tek e fundit, të jesh mjek nuk është vetëm privilegj, por edhe mision – nuk është njëlloj mjeku me sahatçiun ose rrobaqepësin ose gazetarin ose rojen private. Pikërisht ky status i posaçëm – nuk po them i privilegjiuar – vjen me një barrë të rëndë morale me vete.

      Ndonjëherë pyes veten – po ti si do të kishe vepruar? Ndoshta unë do të kisha nisur një praktikë private – por kjo i përshtatet natyrës dhe psikologjisë sime, sa kohë që unë kam alergji nga burokracitë, hierarkitë dhe aparatet.

      Natyrisht, kur je në praktikë private nuk mund të synosh, bie fjala, që të bësh transplantime veshkash – sepse këto kërkojnë struktura të mëdha, të financuara mirë, me teknologji të sofistikuar; por mund të synosh të bëhesh mjek i mirë urolog, dhe kjo nuk është pak.

      Një tjetër, në vendin tim, do të kish zgjedhur vullnetarizmin – një herë në javë, falas; po të jetë patriot, ndoshta edhe frymëzohet nga shembulli i Nënë Terezës, që e kemi edhe nga anët tona. Sahatçiu nuk e ka këtë privilegj moral – por mjeku e ka.

      Kam bindjen, pra, se mundësitë “për të shpëtuar shpirtin” nuk mungojnë, pavarësisht nga konteksti; madje pikërisht ngaqë konteksti social është i rënduar.

  2. Kjo historia e shendetesise shqiptare me sjell ndermend perseri disa skena me te madhin Alberto Sordi.

    Me shpresen se do ta shohe edhe ai ministri fatkeq i shendetesise shqiptare, ashtu sic eshte malconcion, i shtrire e ne hall te vet, po sjell nja dy video te Albertones (uroj te mos mbikaloj ndonje statut te moderatoreve. Nese po, i ve shpresat ne mirekuptimin e tyre)

    1. Ju lutem, mos përdorni video në komentet, sidomos për të ilustruar. Videot ulin ritmin e diskutimit, zhvendosin vëmendjen, zëvendësojnë logos-in me imazh.

  3. “teper idealist ky shkrim”
    Kur trazohen nocionet del ne pah dhe nje mendim si ky mesipermi. Te jesh parimor nuk do te thote jesh idealist.

  4. large realitetit shkrimi. Si mund t’i lihet drejtimi i administrates horrave, se “te miret” nuk duan te perlyen? besoj se guximi tregohet mu ne kete cast, kur mendon se mund te besh ndryshim edhe pse gjasat flasin kunder. mjafton nganjehere edhe nje ndryshim i vogel: komunikimi i pershtatshem i nepunesit si sherbyes me taksapaguesit, per te justifikuar “perlyrjen”. Ose qofte edhe nje cast drejtesie kur dicka vihet ne vend. nuk mjafton qe “te mireve” u vendosen rrota nga “horrat”, por tani edhe dekurajimi nga vete ata qe kerkojne ndryshim?

    1. Kapedan, kërkova por nuk gjeta dot se cilës pjesë së shkrimit tim apo të komenteve i referohej komenti yt “jashtë realitetit”.

      Në shkrim unë flisja për dilemat etike të personit si njeri, si mjek dhe si ministër.

      Po e nis nga e fundit, meqë atë ke edhe ti parasysh kur pyet se

      “Si mund t’i lihet drejtimi i administrates horrave, se “te miret” nuk duan te perlyen? Besoj se guximi tregohet mu ne kete cast, kur mendon se mund te besh ndryshim edhe pse gjasat flasin kunder.”

      Këtu po flasim për ministrin P.V., i cili gjendet në atë detyrë i thirrur nga kryeministri Berisha dhe i miratuar nga parlamenti.

      Nuk është detyrë qytetare të jesh pjesë e një qeverie të formuar nga Berisha: secili që thirret atje, vendos në pajtim me interesat e veta dhe duke u përpjekur të marrë me mend se si do ta drejtojë qeverinë eprori i vet.

      Këtu po flasim për mjekun P.V., i cili, përpos që ka marrë përsipër një detyrë administrative, është edhe mjek – përgjigjet para një autoriteti më të lartë dhe ka bërë një betim solemn të cilin ti (besoj) dhe unë nuk e kemi bërë. Ky betim ka të bëjë drejtpërdrejt me raportin e mjekut me të sëmurin.

      Tani, një koleg solli këtu një skenar në të cilin mjeku që punon në një spital të madh publik e ka të pamundur të ruajë profilin etik, sepse nuk e lejon konteksti. Brenda këtij konteksti – imagjinar apo real qoftë – unë arsyetova se nuk është zgjidhje përshtatja, por largimi.

      Kujdes: po flisnim, gjithnjë hipotetikisht, për një kontekst ku rebelimi përjashtohej me përkufizim. Jo për detyrë administrative, as për një mjek që ngre krye kundër sistemit – po për një mjek që i shtron vetes pyetjen nëse duhet të vazhdojë të jetë pjesë e sistemit ekzistues dhe ta ushqejë atë, apo të largohet që andej?

      Përballë skenarit tënd, të “të mirit” që tregon guxim; dhe skenarit të kolegut tim, të “të mirit” që pyet veten nëse duhet të përshtatet apo jo, më thuaj cili prej të dyve është real dhe cili jashtë realitetit?

      Po flisnim për P.V. njeri; dhe këtu unë qëllimisht solla disa elemente personale në muhabet, për të treguar se, në këtë nivel, unë identifikohem me të dhe pyes: si do të kisha vepruar unë? Dhe të përgjigjem: unë, si njeri, me këto cilësi, mangësi, virtyte dhe dobësi që kam, të them se shëndetësia publike në Shqipëri nuk mund të rregullohet nga një ministër shëndetësie as nga një mjek i thjeshtë; dhe se, po të isha mjek, do të kisha parapëlqyer të punoja në praktikën time private, duke u shërbyer drejtpërdrejt të sëmurëve.

      E kotë të shtoj, në këtë kontekst, se shëndetësinë publike në Shqipëri e ka shkatërruar grykësia e njerëzve për t’u pasuruar – ose një problem që nuk është as administrativ, as mjekësor; por antropologjik. Megjithatë, rol katalitik, në këtë shkatërrim, ka luajtur edhe administrata – mjaft të shohësh përqindjen e buxhetit të shtetit që shkon për shpenzime në fushën e shëndetësisë.

      Sa është kjo përqindje, Kapedan?

      Sipas të dhënave që gjeta online, Shqipëria zë vendin e fundit në rajon për shpenzimet në sektorin e shëndetësisë – dy herë më pak se Maqedonia, për shembull.

      Kur buxheti është kaq i ulët, një ministër shëndetësie nuk ka çfarë të bëjë; gjesti më kurajoz, që pritet prej tij, është të mos pranojë të jetë pjesë e një administrate që i jep prioritet kaq të ulët shëndetësisë.

      Për krahasim: për vitin 2011, parashikohen 81 miliard lekë në investime publike, nga të cilat vetëm për infrastrukturën rrugore 43 miliard; ndërsa për arsimin 4.9 dhe shëndetësinë 4.7 miliard lekë.

      Shqipëria në vizionin e qeverisë Berisha rezulton vend i mbushur me njerëz të trashë dhe të sëmurë, të cilët ngasin makinat rreth e rrotull.

      Ashtu mbase do lexuar edhe aksidenti i Vasilit: shëndetësia që bie viktimë e infrastrukturës rrugore…

  5. Mua nuk me duket se ka nje correlacion te drejperdrejte midis buxhetit shendetsor dhe jetegjatesise mesatare te nje popullsie.
    Tek e shumta ky korrelacion ekziston deri ne nje fare pike, mbas se ciles sasia e pareve te harxhuara ne sistemin shendetsor nuk eshte me nje faktor influencues ne gjendjet shendetesore te nje popullsie.
    Nese maqedonet harxhojne dy here me shume se shqiptaret per mjekesine, kush eshte resultati i kesaj perpjekje sociale?
    Jete me e gjate?
    Semundje me te pakta?
    Sherim me i shpejte?

    Simbas nje hesapi te shpejte, i bie qe Shqiperia te harxhoje rreth 1350 lek ( te reja?) ose $135.00USD ne vit per cdo banore.
    Ne saje te klasifikimit ne kete link, ajo eshte ne mes te turmes, e 85-ta ne bote.

    http://www.nationmaster.com/graph/hea_tot_exp_on_hea_as_of_gdp-health-total-expenditure-gdp

    A eshte cilesia e jetese se nje shqiptari, nga pikepamja shendetore, e kualifikuar ne te njejtin nivel? Me duket se jo.
    Psh simbas ketij linku, shqiptari eshte i 45 ne bote per jetegjatesi. Maqedonia eshte e 65. Madje nen nivelin e Shqiperise jane te gjitha vendet e tjera te Ballkanit, hiq ketu Greqine dhe Sllovenine.

    http://en.wikipedia.org/wiki/List_of_countries_by_life_expectancy

    Spjegimet per kete diference ne resultat jane dy:
    -ose shqiptaret i perdorin me me nikoqirllek ato pak pare qe kane dhe arrijne resultate me te larta
    -ose shqiptaret, per shume faktore te ndryshem, kane pasur nje seleksionim natyral te geneve ne nje shkalle te atille sa genet me te forta kane mbijetuar dhe jane trasheguar.

    1. Nuk më duket se e shtron mirë problemin, ipare.

      Së pari, ne këtu po flasim për sistemin e shëndetësisë publike, jo për shëndetin e njerëzve – janë dy gjëra të ndryshme.

      Së dyti, jetëgjatësia nuk është treguesi i vetëm, as ndoshta më i rëndësishmi, për shëndetin e njerëzve.

      Një njeri mund të jetojë gjatë, megjithatë të jetë rritur keq, të jetë i vogël në trup, i dobët; ose me IQ të ulët, ngaqë sëmundjet në fëmini ose të ushqyerit e keq ia kanë frenuar zhvillimin e trurit.

      Një njeri mund të jetojë gjatë dhe megjithatë të hiqet zvarrë, nga pikëpamja e shëndetit; të vuajë nga astma, hipertensioni, diabeti; të rrijë në shtrat i paralizuar; të mos lëvizë dot për shkak të reumatizmës, etj.

      Një njeri i shëndetshëm, përkundrazi, ka më shumë gjasa të arrijë të realizojë potencialin e vet; sepse nuk do të shpenzojë shumë energji për të luftuar sëmundjet kronike ose konstitucionale, si ai tjetri.

      Një shoqëri me njerëz të tillë, ka më shumë gjasa të jetë shoqëri e mbrothët, t’i shkojnë punët mirë.

      Përgjithësisht, mendohet se shëndetësia publike ndihmon në këtë drejtim. Duke qenë treguesit e tjerë të barabartë, unë pa dyshim do të preferoja të jetoja në vendin me spitale publike më të mira.

      Përndryshe, jam dakord për bazën gjenetike shumë të fortë të shqiptarëve; kanë jetuar rregullisht aq të larguar – gjeografikisht dhe në zakone – prej qytetërimit, sa t’i kenë dhënë mundësi të mëdha seleksionit natyror për të vepruar.

  6. 2Xh-ja ngre problemin e komenteve dhe mënyrës së komentimit rreth këti episodi, por, edhe mua, më duket absurde që ministri i shëndetësisë (publike) të mos jetë në gjendje që të gjejë qoftë edhe një strukturë publike të denjë për t’u kuruar, por shkon e kurohet në një strukturë private.

    Mosbesimi që vetë ministri i shëndetësisë tregon ndaj strukturave të administruara prej tij, lë të tromaksur cilindo qytetar të thjeshtë që nesër mund të ketë nevojë për strukturat publike…
    ç’figurë do të bënte një mekanik apo gomist që, për të ndrequr makinën e tij, në vend që ta rregullojë në ofiçinën e tij, ta dërgojë atë tek ofiçina e një tjetri?!

    1. Ne fakt, Edrus, kur po perpiqej te kalonte health care bill, pasi beri nje prezantim te billit ne nje konference shtypi, Obama u pyet, per te mos thene u provokua nga nje gazetar. “Po vete,” i tha gazetari, “me kete plan do kurohesh po te vije rasti? Pse nuk e ben, ne forme solidariteti?” Dhe Obama iu pergjigj e i tha, “e di si eshte puna? Le te mos behemi as qesharake e as hipokrite. Une jam presidenti i shteteve te bashkuara. Kam doktoret me te mire ne bote gatitu 24/7 sikur edhe nje teshtime te me zere, e le me te semurem. Ky plan i shendetit publik nuk eshte per mua, por per popullin.” Tashti Vasili nuk eshte Obama, sigurisht, minister shendetesie eshte, mjek vet, por doktore 24/7 qe t’i rrine gatitu, nuk ka. Ama “le te mos behemi as qesharake e as hipokrite.” Te ishim ne vend te tij, jo ne privat, por edhe jashte shtetit do shkonim te gjithe. Kur vjen puna tek shendeti jone jemi egoiste te gjithe. Shendeti publik le te permiresohet per publikun, se Vasili, tha, eshte tjeter kategori.

      1. Luljan, natyrisht që, po t’i kishte rënë kanceri, do isha dakort me ty, por kur bëhet fjalë vetëm për një radiografi kontrolli apo për mjekimet e ndonjë traume të lehtë, nuk më duket edhe aq justifikuese.

  7. Ka nje element qe e ben sistemin shendetesor publik shqiptar te pranueshem per shoqerine e ketushme. Kjo ka vlere relative te kuptohemi. Nga aq sa di, kudo ne bote, kurimi dhe nderhyrjet e shkalles se fundit duhet paraprakisht te listohen, pra planifikohen per pacientet, te cilet paraprakisht duhet te kene kaluar permes trajtimit te hallkave te sistemit, si mjeku i familjes, spitalet rajonale dhe ne fund spitalet e specializuara. Qendra Universitare “Nene Tereza”- aman ore te mos Hiqet- cilesohet si hallke terciare, por qe ne fakt funskionon si e tille vetem per nga kualifikimi i ekipit mjekesor dhe lloji i nderhyrjeve qe mundeson. Por jo nga zbatimi rigoroz i logjikes ligjore te sistemit; pra dikush qe ka apandesit ta zeme, mund te vije aty te shtrohet dhe te mbaroje pune per dy dite. Kuptohet dicka do japesh, por me kete sulm qe aplikohet mediatikisht ndaj mjekesise, edhe kjo eshte bere problem. Mendoj dhe kam nje pervoje familjare- se kjo nuk ben vaki gjekund. Te pakten ne Itali jo. Nuk mund te nisesh nga fshati me nje makine qe can udhet me borien takuar dhe te bujtesh ne spitalin kryesor te vendit, te kapesh shefin e pavionit, leket ne dore, operacion dhe shendet e te mira.
    Ka normalisht nje procedure e cila kushtezohet me sa di edhe nga fakti se ne pergjithesi popullata per shendetin paguan sigurime, perfiton shumecka nga kjo gje, ka nje kulture shendetesore per veten, pa harruar se sistemi funksionon mire. Vasili nuk ka thyer ndonje rregull; ka bere mire qe ka shkuar ne spital privat, plus qe nuk ishte rast urgjence. Puna e besimit nuk besoj se qendron, pasi ne spitalet private punojne po ata mjeke qe jane edhe ne sistemin publik. Sherbimi po, qe eshte me i mire, por jo kualiteti i specialisteve. Per krahasim vlen te thuhet se spitalet private ne Shqiperi nuk ofrojne nderhyrje te shkalles me te larte- me aq sa di-plus jane po aq te shtrenjte sa ende shumekush per Jashte.

    Ketu padyshim bejne perjashtim dhe duhen kujtuar mire trajtimi qe u behet te semureve me dialize, apo edhe atyre qe ndjekin kimioterapine. Keta te fundit, mbajne radhe ne QSUT per te marre ilace ne farmacite qe gjenden aty, te cilat kerkojne nje numer pafund firmash, ecejakesh saqe me te vertete ka kuptim ajo fjala: Mjere ate qe ze halli.
    Problem natyrisht mbeten spitalet ne rrethe, hiq ndoshta Durresin. Nje spital si ai i Sarandes ka mbetur si godine ku mund te qepesh gishtin po u cave, ose te te heqin gjembat e iriqeve te detit, per ata qe nuk dine ku hedhin kembet. Te tjerat prej kohesh konsumohen ne Janine, ose ne Korfuz.

  8. I dashur kusheri,

    Si gjithmone teme e goditur bukur, me “idealizmin” qe po mundohemi ta mbajme gjalle ne qe jetojme e punojme ne kete vend. Dje lexova tek Antena e Tema online : “Sandri i nderron spitalin Petrit Vasilit” dhe m’u kujtua shkrimi yt. Ua sugjeroj miqve te blogut ta lexojne. Qesh kur me kane mbaruar lotet i thone kesaj…

  9. Ne krijimin e qeverise se tij, Enveri pyeti nje te aferm te familjes sime nese donte te behej minister ne qeverine e tij. Ky person qe zoteronte para 1944 prona te patundshme ne te gjithe Shqiperine, mbas ’44 mbeti vetem me profesionin e tij. Pergjigja e tij ishte: Enver ti e di qe une nuk jam politikan i zoti, por mund ti sherbej me mire popullit si nje intelektual i thjeshte, ne profesionin tim. Dhe ashtu beri.

  10. “Faji kryesor i Vasilit, si mjek dhe si njeri, është që ka pranuar të jetë pjesë e këtij maskarallëku”

    Këtu më duket pak i tepruar gjykimi i autorit ndaj këtij personi.
    Pamvarsisht bindjeve të mia politike, apo opinionit që mund të kem për Berishën (apo Ramën), nëse nesër Berisha do të thërriste në Qeveri jo vetëm 2Xh, por cilindo prej komentuesve të rregullt të këtij blogu, edhe pse s’do të mund ta mbështesja apo reklamoja, nuk do të mund ta akuzoja apriori si vegël të pushtetit.

    1. Secili flet për veten. Unë do të refuzoja pa ngurim, po të më ftonin (por edhe s’më kanë ftuar, në fakt).

  11. Korrupsioni s’eshte gje hiç perpara kesaj qe te shohin syte ketu apo te degjojne veshet gjithandej. Kemi arritur ne piken qe as me fjale s’i themi gjerat ashtu si duhet e jo me pastaj t’i bejme ashtu si duhet. Rrime e relativizojme çdo gje. U duket njerezve si zgjuarsi qe s’jane qesharak e hipokrite e qe s’kerkojne te pakten me fjale qe ministri te kurohet ne spitalin publik. Le pastaj ata qe edhe pa i pyetur te thone se po te kishin rastin do beheshin ministra te nje qeverie te pamoralshme. Normal, s’ke ç’te presesh tjeter kur ata qe ndoshta jane vertete mjeke vine ketu e megjithse anonim (dhe me fjale se s’po u kerkon njeri ta bejne vertete) po ne vend qe keta te thone diçka kunder poshtersive qe ndodhin ne spitalet tona, rrine e marin ne mbrojtje te pambrojtshmen, korrupsionin. Jane kaq te degraduar e kaq poshte kemi rene sa edhe mafiozeve Italiane ua kemi kaluar. Ata vertete vrasin e shkrijne njerezit ne acid por te pakten e dine qe eshte gabim dhe nuk shkojne e predikojne poshte e larte krimin. Jo, ata rrine e flene me biblen ne dore. Atyre vlerave u besojne.

    Edhe te ne kaq kerkohet tani per tani se keto kohe jane. Do vidhet e madje do vritet per para. Po s’mund te shperfytyrohet kaq shume njeriu sa te mari ne mbrojtje krimin siç behet te ne. Duhet te jete e patolerushme nje situate e tille. Ketu kane arritur qe edhe vrasjen ta relativizojne e ti kalojne siper e jo me korrupsionin. Ku veni? Kujtoni vertete se do ja hidhni kaq thjeshte, me dy pare korrupsion, ketyre mostrave qe po krijoni me menyren sesi flisni, sesi mbroni te pambrojtshmen. Pse te gjithe si Nano apo Berisha jeni ju qe pas mbreterimit do jetoni te qete ne ekzilin e Vienes. Haha. Ketu me ne keni per te jetuar edhe ju apo familjaret tuaj nese vete ju jeni emigrante. Nga e njejta poshtersi do hiqni dhe ju, po he. Mos kini frike.

    1. Nëse ne, apo opinioni i përgjithshëm, kemi bindjen se qeverisemi nga një qeveri e pamoralshme, kjo s’na jep të drejtën që të gjykojmë edhe për moralin e gjithkujt që merr apo mund të marrë pjesë në qeveri.
      Nëse do nisemi me premesën/parathënien që kushdo që hyn në qeveri është maskara, atëhere është e kotë edhe që diskutojmë… në ktë pikë do ishte më e ndershme që të fillonim të thërrisnim: “rroftë mbreti!” dhe do ndiheshim më rehat.
      Po të humbasim besimin edhe tek njerëzit, nga kush do të na vijë zgjidhja? Apo dum babën ngelet zgjedhja e preferuar e popullit?

      1. Ke bërë kapërcim të madh nga premisa e parë në të dytën. Nuk shoh të ketë folur kush, këtu, për maskarenj.
        Sa për zgjidhjen, ajo do të vijë nga njerëzit doemos – por jo nga njerëzit në qeveri.

        1. Nëse zgjidhja nuk vjen nga njerëzit e qeverisë, atëhere nga kush do vijë?!
          Qeveria, si instiutcion i asaj praktike demokratike që ëndërrojmë, është frut i një parlamenti të dalë nga votimet e popullit.
          Nëse zgjidhjet duhet të vijnë nga jashtë qeverisë, i takon që të priten nga kaçakë që s’do të pranonin të hynin kurrë në qeveri (sepse, sipas sillogjizmit të ‘Popullit’, në momentin që hyn në qeveri, je bërë automatikisht maskarenj/të pamoralshëm.

          Vërtet mendoni se mendimi apo kritika e intelektualëve (të papërzjerë me politikën) do ishte një mënyrë presioni apo vademekum ku qeveritarët të gjenin zgjidhjet më të mira të mundshme?
          Apo me njerëz jashtëqeverie kishit ndërmend Mjaftin/Saktivistën?!

          P.s:komenti im i mësipërm, të cilit i përgjigjeshit, ishte një replikë ndaj komentit të ‘Popullit’, ku cilësorin “të pamoralshëm” të përdorur prej TIJ, unë e zëvëndësova me sinonimin “maskarenj”.

      2. Shih shih. S’e paskemi te drejten te gjykojme moralin e nje ministri edhe ne rastet kur opinioni i pergjithshem eshte i bindur se qeveriset nga nje qeveri e pamoralshme! Po te pakten na lejoni te dyshojme ne ndershmerine e sekretareve te nje ministrie se dreqi e mori, nga diku ka ardhur ajo bindja jone per qeverine.

        Tani ne lidhje me ate qe thua. Edukaten shoqerore e dime te gjithe dhe s’na shkon ne mendje te parathemi apo paragjykojme kedo qe behet minister. Jemi te gatshem ta leme te punoje diten e pare e ditet e tjera ne vijim. Por kur une, dhe ketu le te jemi pak konkret qe me ç’kam vene re nuk eshte shume ne mode ketu, po thosha qe kur une ne rastin e ministrit Vasili dal mbi dyshimin tim legjitim mbi kete zyrtar tashme te provuar si i paafte per te vene ne vije punet e mjeksise, duke qene se ne qeverite e meparshme te Nanos ky ka qene zev. minister, pra me pak fjale mbyll nje sy mbi te shkuaren e tij administruese dhe tashme i mbrujtur me frymen e re evropiane qe kerkon ti jepet nje shanc i dyte çdo njeriu, pres me shprese. Po ç’vete e te ben ky njeri qe vete perendia e fali per te shkuaren e tij dhe i dha nje shanc te dyte… emeron drejtor te QSUT-se dike qe njihet ne Tirane si “Rob me leke se ka eskluzivitetin e çumçakizit Orbit” Epo tani, une s’jam berisha qe do fakte e grupfakte qe vertetojne se zgjedhjet jane vjedhur qe pastaj te hapi kutite per te pare nese zgjedhjet jane vjedhur. JO. Une ta heq vizen ne vend dhe te them horr, dashke prape te vjedhesh. Ti mund te presesh nje vendim gjykate te shprehur ne te tre shkallet e saj, qe i jep titullin e horrit, po une jo. Sepse une fatin i tij personal e shperfill te terin dhe prandaj nuk me intereson eshte horr apo s’eshte horr ai, denohet a s’denohet ne te ardhmen ai. Per mua ka rendesi vetem qe tani per tani, ato spitale qe ai ka per detyre t’i mirembaje, jane ne nje gjendje skandaloze dhe qe sherbimi shendetsor qe une marr eshte sherbim qensh.

        Tani a ka mundesi nje lutje. Perse valle e shihni te nevojshme te na thoni se s’duhen bere premesa te gabura apo se qeveria eshte fruti qe del nga parlamenti qe buron nga populli. Po flet mu si nje ambasador amerike. Kaq poshte dukemi ne ne syte tuaj saqe e ndjeni te nevojshme per te shperndare edhe ketu, keto perla diturie. Gjithsesi falmnderit. Jo se nuk i dinim ore por perseritja eshte nena e dijes thone.

        1. Or milet, unë nuk e njoh dhe as nuk e di se kush është ministër i shëndetësisë.
          Se si e gjykoj unë rastin konkret (dmth të marrë ashtu siç erdhi nga lajmet), mund ta shikosh tek komenti im i parë rreth këtij argumenti.

          Më pas po diskutonim, në parim, nëse duhet të ruanim apo të paragjykonim besimin tek institucionet demokratike në përgjithësi dhe tek njerëzit/personat që marrin pjesë në këto institucione në veçanti.

          Nëse për Mehdiun mund të kem 100 arësye që të gjykoj si të gabuar vendimin e atyre që e kanë marrë në qeveri (dhe pjesmarrjen e tij ta konsideroj si mënyrë për t’i shpëtuar ndjekjes penale në petkun e imunitetit), ky rast nuk më jep të drejtën që të pranoj si të mirqënë që gjithkush merr pjesë në institucionin e qeverisë të jetë atje për të njëjtat arësye.
          Il beneficio del dubio (benefit of the
          doubt)
          , nuk është një luks që mund ta pranojmë që në fillim, sepse në këtë rast, siç thoja dhe tek komentet e mëparshëm, do të humbisnim besimin tek institucionet demokratike vetë (ku dhe shtoja, jo dhe aq pa ironi, që na ngelej vetë të thërrasim ‘Rroftë mbreti!’).

          Nëse duhet të qahemi për problemin, këtu problemi lind që në prinçip/fillim; tek ligji elektoral.
          Nëse Mehdiu, Vasili, Bollano apo Micotaqis zgjidhen DIREKT nga vota e popullit, atëhere ne (me legjislacionin në fuqi) nuk mund të kundërshtojmë të drejtën e tyre për tu zgjedhur në parlament dhe do të na duhet të respektojmë pozicionin e fituar prej tyre.
          Por nëse Mehdiu, Vasili, Bollanoja apo Micotaqis zgjidhen nëpërmjet LISTAVE të partive, atëhere e vetmja mundësi për të kundërshtuar zgjidhjen e tyre do të ishte mosvotimi i atyre partive që i kanë në lista këta persona të njohur si me probleme, ku, edhe në këtë rast, nëse këto lista kanë shumicën e votuesve, JEMI TË DETYRUAR që të respektojmë mandatin e tyre.

          Lufta dhe përballjet DUHET të bëhen NË PARLAMENT!
          E kotë që qurravitet opozita se nuk i ka numrat në parlament për të bërë opozitë: ajo NUK DO që të bëjë opozitë (http://edrus.shqipo.com/2010/12/19/petulla-me-uje/), sepse maxhoranca, me atë diferencë numrash në parlament, nuk do mundëte dot KURRË që të garantonte pjesmarrjen 100% në parlament në të gjitha rastet që është votuar (qoftë edhe për faktin sepse K/Ministri dhe ministrat janë të impenjuar në qeveri, duke lënë mënjanë vizitat e deputetëve të maxhorancës jashtë shtetit).

          1. Une them ta mbyllim se u zgjatem shume. Ti keqkuptove ate qe une kisha shkruar dhe prandaj u ndjeve i detyruar te futeshe ne bisede. Komenti jot i pare ishte edhe komenti qe do kisha bere une rreth kesaj ngjarje. Ndersa keqkuptimi qendron ne faktin se fjalia kunder njerezve qe duan te behen ministra s’kishte te bente asfare me ty. Kisha ndermend vetem menyren banale me ane te se ciles disa njerez i japin fund nje muhabeti kafeneje duke thene se po tu jepej mundesia te ishin ministra do benin te njejtat poshtersi e korrupsione siç bejne keta te sotmit. Pra isha thjesht kunder ketij autodenoncimi qe bejne disa njerez ndonjehere. Natyrisht qe jam i bindur se ky nuk eshte rasti juaj.

            Ndersa per ato qe thua. Ligji elektoral eshte e vertete qe ndryshoi dhe u be proporcional por deri ne 2009 ka qene e mundur te votoheshin direkt deputetet dhe s’eshte se deri ne ate vit ne kemi pasur nje qeverisje te mire. Ligji u tha se u ndryshua per faktin se vetem keshtu do mund te futeshin ne parlament njerez me vlere qe do e kishin te pamundur ne tjeter menyre te perballnin ne gare te fortin apo te pasurin e zones ku do duhej te kandidonin. Parlamentit rrjedhimisht do i vinte nje permisim cilesor p.sh. duke bere te mundur edhe futjen e shume grave qe ndryshe ta shifnin me dylbi ate pune. Mos kujto se ne shqiperi me mazhoritar shkon ne parlament mesuesi apo intelektuali i bulqizes. Aty do shkoje i forti i bulqizes qofte edhe si kandidat i pavarur. Pra ky ligj per mendimin tim te ndihmon nese vertete do ti besh punet mire. Duan apo s’duan kjo eshte tjeter pune.

            Lufta e perballja duhen bere ne parlament, ministrat e kryeministri shpesh mungojne… Si gjithmone ju i mvishni ketij realitetit tone trajtat e format e atyre realiteteve qe jetoni aty ku jeni dhe ia jepni zgjidhjen si te behej fjale per Italine Francen apo Zvicren. Nderkohe qe te ne kjo s’eshte fare problem. Edhe une qe s’jam i zanatit them se nese do mungonte ndonjeri mund te shtyhej seanca p.sh. apo te mblidhej byroja e kryetareve dhe te perjashtoheshin disa nga te opozites per shpifje. S’jane fare problem keto gjera. Te ne policia nuk zbaton urdhrat e prokurorise ti na flet per mungesa te arsyeshme te kryeministrit. Keto jane buke me djathe.

            Dhe po, meqe e ke kaq merak, institucionet i respektojme qe te gjitha. Tani na ka dale dhe nje institucion i ri qe nuk e njihnim me pare. Quhet Rregullorja e Bulevardit. ç’te bejme, na zuri, do e respektojme edhe ate. Se fundmi p.sh. per te ta ilustruar, organizuam edhe nje konkurs nderkombetar per perzgjedhjen e projektit me te mire per parlamentin e ri qe do ndertohet. Ne te morem pjese edhe ne duke votuar nepermjet internetit. Si perfundim u zgjodh projekti qe pernjehere u pagezua nga rinia jone hokatare, nisur kjo edhe nga forma krejt e veçante e tij qe eshte ajo e nje gypi qe deperton nje hapersire te rrethuar me mure, si projekti penisi ne vagine. Sa keq vetem qe nje gazete austriake e paskesh dhene lajmin e bukur qe 12 dite perpara. E megjithate ne tonen e beme. Respektuam institucionet dhe nuk e shkelem kushtetuten. Kete kurre.

  12. Dy pergjigjet e mesiperme ne menyre spontane nxjerrin ne pah dilemat apo konfilkte qe ne kushte te caktuara mund te ekzistojne midis individid dhe politikes.
    Populli, me lart shkruan se ai e sheh te papranueshme moralisht te behesh pjesmarres ne nje qeverisje te pamoralshme. Po ashtu Xhaxhai thote se ai pa ngurim do te refuzonte te merrte pjese ne qeverine e sotme qe ekziston ne Shqiperi, edhe sikur te krijoheshin kushtet.
    Pak a shume te dyja pozicionet mund te kuptohen edhe mund te permblidhen nen nje postulat apo aksiome politike simbas se ciles ” cfare eshte moralisht fallco, nuk mund te jete politikisht e vertete”.
    Nje lloj pozicionimi i tille mund te jete i pranueshem, i justifikueshem. Madje edhe i lavderueshem.

    Por a eshte i drejte?
    A ka te drejte nje qytetar qe t`i shmanget detyrimit te vet, duke refuzuar te jape kontributin e tij ne politiken, sepse per arsye te pa kontrollueshme nga ai, gjendja e saj i duket e pamoralshme, pavaresisht se rrethanat mund ta kerkojne qe ai te jete pjesmarres ose protagonist ne te?
    Megjithese ketu po flasim per nje vendim apo qendrim te nje natyre personale, kjo s`do thote se duhet harruar qe ne fund te fundit politika “eshte ai proces me ane te te cilit njerezit marrin vendime kolektive”. Psh hipotekisht, ta zeme se Xhaxhait i ofrohet te marre pjese ne menyre aktive ne politiken e dites, ai patjeter do te kishte mbas vetes qe nga ai moment vemendjen e shume njerezve te cilet e respektojne ate ne planin intelektual, profesional apo etik. Zgjedhjet e tij jane dy: pranon oferten, ose e refuzon. Duke e pranuar, ai e di se do ti duhet te lundroje ne uje te piset, do t`i duhet te luftoje, pranoje, beje kompromise, hedhi poshte, te gjeje nje te mesme te arte, por gjithnje duke u udhehequr dhe drejtuar nga boshti i vet etik dhe moral, kjo ne sy te te gjithe atyre qe e njohin apriori, as qe do e njohin ne proces e siper. Perpjekjet e tij ne jeten publike ndofta mund te deshtojne, sepse ai nuk eshte ne gjendje te influencoje mjedisin publik, ashtu sic ben me mjedisin e tij privat. Ndofta edhe mund te triumfojne.
    Ne rastin kur refuzon, nje qendrim i tille do te ishte i kuptueshem, dhe madje i justifikueshem. Nuk do te perzihet me njerez, rrethana apo kushtezime, te cilat shkojne diametralisht kunder asaj cka ai beson dhe ka me te shtrenjte ne vehtevete. Mendon se koha e tij eshte me produktive, e perdorur per interesa dhe qellime te tjera, mendon se nuk ka asnje perputhje midis shkalles se vlerave te tij morale, me ato te sishokeve te tije, te cilet jeta politike mund ta rrethoje.

    Kush do te duhej te ishte vendimi i protagonistit tone?
    A do te ishte i drejte?

    Une per vehte e kam nje mendim.
    Plato i ve ne goje Sokratit fjale te nje natyre pak a shume te tille, …” nje nga denimet per mosmarrjen pjese ne politike eshte ajo se ju do te qeveriseni nga njerez me inferiore se sa ju…”

    1. idashur, nuk merr pjesë njeriu në qeverisje vetëm duke qeverisur. Ç’janë këto ekstreme tani? Midis ministrit dhe indiferentit (apolitik) ka me mijëra pozicione – dhe aty do ta gjesh përgjigjen.

  13. Po sikur ky Vasili te jete bere minister nga idealizmi? Ben vaki eshte naiv, jo thjesht shpirt-shitur. Mund te kete menduar se mbase do arrije te beje dicka per te permiresuar situaten e shendetesise. Se me ate lemeri qe ka pare kur minister shendetesie ishte Nard Ndoka, ka thene me vete “me mire ta pranoj une kete post, se sa te vije ndonje Ndoke tjeter ne krye te shendetesise.” Sa nga ne ketu nuk kane thene me vete ndonjehere “te isha une ne krye te kesaj/asaj pune, kurre s’do lejoja…..” Se edhe Obama ashtu mendoi me vete, plot idealizem (ai dhe ne qe e votuam) do qeveris me mirekuptimin e te gjitha paleve dhe do ti realizoj keto dhe ato objektiva…..

  14. Po ta shtrojme moralisht kete problem, ministri P. Vasili edhe mund te kete njefare te drejte kur e ka marre persiper postin, duke menduar si vijon:
    Perderisa A. Imami merr persiper postin e Min. te Mbrojtjes, ne nje kohe qe eshte artist, pra s’ja ka haberin fushes (se me ato zbore qe ka bere nuk justifikojne postin), atehere pse te mos provoje ai kete te shendetesise, ai te pakten eshte i profilit?
    Nga kjo pikpamje ka te drejte.

  15. xha xha, Vasili vertet ka studjuar dhe mbaruar per mjekesi, por mund te kete te pakten nja 15 vjet (ne mos me shume) qe nuk e ka veshur bluzen e bardhe. Ka qene vazhdimisht i punesuar ne administraten shteterore, pra ne rolin e nje zyrtari apo administratori. Keshtu qe edhe ate pak njerzillek qe me te drejte ju thoni duhet ta kishte si mjek, e ka braktisur me kohe. Koha ecen dhe njerzit ndryshojne. Per fat te keq , per keq ketu ne shqiperi.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: