SHARMI I ETIMOLOGJISË

Etimologjia si degë e gjuhësisë historike studion prejardhjen e fjalëve; por termi shënjon, me metonimi, edhe vetë “prejardhjen” e fjalës – që këtej edhe shprehje si “cila është etimologjia e kësaj fjale?” që, në thelb, pyesin se nga vjen një fjalë e caktuar. Pyetja parakupton që fjala vjen nga një burim, zakonisht një fjalë tjetër e së njëjtës gjuhë, ose një rrënjë, ose një fjalë e një gjuhe tjetër; në rastin e fundit, thuhet se kjo apo ajo fjalë shqipe vjen nga italishtja ose nga latinishtja, etj., duke parakuptuar kjo folje, vjen, së paku metaforikisht, një ardhje, një zhvendosje, një udhëtim, që përfshin edhe një kalim kufiri mes gjuhëve. Një tjetër folje, e përdorur rëndom në fjalorët etimologjikë, është “rrjedh” – me të njëjtin kuptim si vjen; thuhet: shqipja gjel rrjedh nga latinishtja vulgare gallum; duke qenë kjo rrjedh barasvlera shqip edhe për “derivare” edhe për “discendere” dhe duke parakuptuar një zhvendosje nga lart poshtë, ku përmasa vertikale metaforizon “rrjedhën” e kohës. Në fjalorët ndesh edhe buron nga, si në “gjel buron nga latinishtja vulgare gallum”, ku buron, ngjashëm me rrjedh, i referohet edhe ajo lëvizjes së një rryme uji, si metaforë e “rrjedhës” së kohës, vetëm se buron e shpreh më qartë idenë e prejardhjes ose të origjinës, që do të ishte edhe pikënisja e një fjale. Brenda etimologjisë së një huazimi, ndesh rëndom në foljet marr dhe jap: latinishtja vulgare ia ka dhënë shqipes fjalën gjel, ose anasjelltas, shqipja e ka marrë këtë fjalë nga latinishtja vulgare. Të gjitha këto folje, vjen, rrjedh, buron, jap, marr e paraqitin historinë e një fjale si lëvizje, shtegtim, zhvendosje, udhëtim; dhe gjatë këtij udhëtimi, fjala hyn në lidhje, jep e merr me fjalë të tjera, ndryshon formën dhe kuptimin, shërben edhe ajo si pikënisje për fjalë të reja, duke u përfshirë kështu në një aventurë, e së cilës është heroina dhe protagonistja. Etimologu është biograf i fjalëve, çfarë e bën edhe rrëfimtarin e historive të tyre; edhe pse qëllimi i etimologjisë nuk është aq të rrëfejë, sa ç’është të shpjegojë. Mirëpo të thuash se shqipja gjel rrjedh nga latinishtja gallum i vendos këto dy fjalë në lidhje vektoriale mes tyre, por nuk “shpjegon” asgjë, përveçse po të duam ta pranojmë këtë lidhje si shpjegim. Në përgjithësi, parimi i arbitraritetit të shenjës gjuhësore e përjashton “shpjegimin”, i cili do të vlejë vetëm atëherë kur një fjalë është e motivueshme, p.sh. rrobaqepës e shqipes shpjegohet nga dy gjymtyrët e saj, rroba dhe qepës, dhe rezulton si emërzim i fjalisë ai qep rroba; por kjo nuk është edhe aq interesante.

Në lashtësi dhe në Mesjetë besohej se te burimi i fjalës “fshihej” edhe fuqia e saj; po të shpjegoje se nga vinte një fjalë, të përshkruaje udhëtimin e saj, do ta vije fjalën nën zgjedhë, do ta zbusje e do ta nënshtroje. Grekët e vjetër kishin kureshti të veçantë për emrat e perëndive dhe të heronjve mitologjikë, dhe pastaj edhe për emrat e përveçëm në përgjithësi, të njerëzve e të vendeve. Madje ka arsye të supozohet se etimologjia, si gjakim i dijes, e ka pikënisjen te ky interes për emrat e përveçëm – të cilët përndryshe nuk kanë kuptim; ose, të paktën, nuk e lajmërojnë haptazi kuptimin e tyre.

Edhe emri i përveçëm pritet të tregojë një histori: perëndeshës greke e bukurisë, Afërdita, ia patën shpjeguar emrin nga greqishtja aphrós, me kuptimin “shkumë”, sipas edhe mitit të lindjes së saj nga shkuma e valëve të detit; edhe pse e kundërta ka më shumë gjasë – që miti i lindjes së Afërditës nga shkuma të ketë lindur nga leximi paretimologjik i pjesës së parë të emrit të saj si aphrós, “shkumë”. Kjo etimologji – sado popullore – ofron një “shpjegim” ose një “arsye” të emrit të përveçëm, në kuptimin që hyjnia Afërditë e bart, në emrin e vet, edhe historinë e lindjes së saj, me kusht që të dish t’ia lexosh.

Për arsye të ngjashme, Afërditës i është shpjeguar emri, përmes shqipes, si “afër + ditë”, nëpërmjet një konflacioni me emrin latin të një perëndeshe që më pas u njëjtësua me Afërditën: Venus; që është edhe emri i “yllit të mëngjesit”, ose yllit që shfaqet në qiell “afër ditës”. Por grekët e lashtë e kujtonin planetin Venus si dy gjëra të ndryshme: Hesperus, që ishte “ylli i mbrëmjes” dhe Phosphorus që ishte “ylli i mëngjesit” – vetëm më vonë e kuptuan që bëhej fjalë për të njëjtin objekt qiellor. Latinët i ruajtën këto metafora, duke përdorur për të njëjtët astra emrat Vesper dhe Lucifer, të cilët janë, në fakt, përkthime të emrave grekë.

Me gjasë, të dyja etimologjitë – edhe ajo e grekëve të vjetër, edhe kjo e shqipes – janë popullore, ose paretimologji (vetë emri Afërdita, në shqip, i detyrohet këtij procesi të etimologjisë popullore); në një kohë që dijetarët sot mendojnë se Aphrodita, si emër i perëndeshës në greqishten e vjetër, vjen (sërish kjo fjalë) nga Lindja (një hipotezë tani vonë e lidh me fenikasit e Qipros, të cilët ua dhanë mikenasve – Martin L. West, “The Name of Aphrodite”, Glotta, 76) së bashku me perëndeshën vetë. Ndërsa emri latin Venus rrjedh nga një fjalë e indo-europianishtes me kuptimin “dëshirë”, dhe që shfaqet edhe në mesapishten Venas.

Të vërehet këtu se etimologjia popullore/paretimologjia, niset nga emri për të shkuar te hyjnia bartëse e emrit dhe gjeneza e saj, ndërsa etimologjia moderne vetëm mjaftohet ta lidhë emrin me emra të tjerë sipas rastit edhe kulturash të tjera. Nga një vështrim, Aphrodita greke vjen nga shkuma e valëve të detit; nga vështrimi tjetër, Aphrodita greke vjen nga një hyjni e ngjashme e fenikasve të Qipros, të cilën këta ua dhanë mikenasve. Në rastin e dytë, shtegtimi i emrit merr përparësi ndaj shtegtimit të perëndeshës vetë, si figurë e imagjinatës kolektive. Por si rrëfim, ai i një perëndeshe që e merr emrin e vet ngaqë ka lindur nga shkuma e valëve të detit, tingëllon më poetik, më tërheqës, më i përshtatshëm se ai që rrëfen si një kulturë ia dha një kulture tjetër emrin e një hyjnie ose edhe hyjninë vetë.

Emri i përveçëm, qoftë ky i një njeriu, i një hyjnie a i një vendi, është rezultat i një akti gjuhësor performativ – emërtimit (“pagëzimit”) dhe, si i tillë, shënjon një dëshirë ose një përkujtesë ose një memoranda tjetër, ndryshe nga një fjalë e zakonshme e gjuhës, qoftë kjo emër ose pjesë tjetër e ligjëratës, që i manifestohet folësit e gatshme. Nuk ka ndonjë akt gjuhësor emërtues, që t’u paraprijë fjalëve të tilla si shkumë ose ditë dhe, për vetëdijen gjuhësore naive, këta shenjues janë të vetvetishëm, ose pjesë integrale e asaj që shënjojnë. Kur vendos ta emërtoj vajzën time Besa, Lumturi ose Anxhela, unë gjithnjë jam në gjendje ta shpjegoj psenë – sepse emri thjesht më pëlqen, ose për arsye identiteti kulturor, ose sepse dua që t’i jap fëmijës fatin që i bashkëlidhet zakonisht emrit (nomen omen) ose sepse e identifikoj emrin me një person a diçka tjetër që admiroj. Ky motivim do të ishte edhe etimologjia personale e emrit, zakonisht e ndryshme nga etimologjia e fjalës ku mbështetet emri (p.sh. besa si fjalë shqipe); dhe me jetën e fëmijës fillon të shndërrohet në mitin e saj individual. Nga ana tjetër, edhe përdorimi i një apelativi si emër i përveçëm – p.sh. Lumturi si emër vajzash në shqip – ka historinë e vet, të ndryshme nga historia individuale e çdo Lumturie, si dhe të ndryshme nga etimologjia e apelativit lumturi (që vjen nga mbiemri i lumtur, nëpërmjet prapashtesimit).

Idenë që emrat që u bashkëngjiten objekteve janë edhe përshkrime të kondensuara të tyre – përshkrime të cilat mund t’i shtjellojë pastaj etimologjia – e gjen që te Kratylus-i i Platonit. Natyrisht, këtu nuk duhet të ngatërrohemi nga homonimia në shqipe mes emrit si name dhe emrit si noun; në kuptimin që edhe një folje, ose mbiemër, janë emra (names) të veprimit a të cilësisë përkatëse; dhe Kratylus-i bën fjalë për emrat si names (mbase mund të themi: “emërtime”). Gjithsesi, në ndërhyrjet e veta në dialog, Sokrati e bën të qartë se emrat (names) janë gjithnjë produkt i një akti emërtues, nga stërgjyshët, por kaq të largët në kohë, sa arsyet e atij akti dhe motivet e tij shpesh kanë humbur, për shkak të ndryshimeve që ka pësuar gjuha. Megjithatë, thotë Sokrati, meqë një emër (name) shënjon nëpërmjet përshkrimit, ai imiton qenien e objektit të cilit i është bashkëlidhur, duke bërë me lëndë zanore atë që bën një portret i pikturuar, me materiale vizuale. Por kjo nuk do të thotë se etimologjia është rruga drejt thelbit të vërtetë të një emri (name), qoftë edhe për arsyen e thjeshtë se të vjetrit mund të kenë gabuar në emërtim.

Ideja se biografia e një fjale (ose arkeologjia leksikore) na jep çelësat e kuptimit ka vazhduar në Mesjetë dhe mbetet e gjallë edhe sot: nga spekulimet marramendëse të Isidorit të Seville-s, te hipotezat për prejardhjen e emrave gjeografikë. Besimi te fuqia magjike e aktit emërtues (“pagëzues”) është trashëguar sot, sado pjesërisht dhe fshehurazi, tek adhurimi ndonjëherë irracional për etimologjinë, si metodë e zbulimit dhe e shkrimit të kësaj biografie. Paçka se kjo, etimologjia si ndjekje e një origjine ose e një flurudhe të fjalës në kohë, nuk është veçse një teknikë e lavdishme për ta rrethuar fjalën me historitë që ia kërkon paradigma epokale.

 

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin