ATJONI SI PEIZAZH…

-në 26 vjetorin e lindjes –

Atjoni shkëlqente prej poezisë.
Dhe vetë është një poezi e magjishme.
Adonis

…Herë pas janë botuar shkrime të “studentit të përhershëm”, Atjon Zhiti, apo ç’kanë shkruar për atë, poezi, përkthime, vizatime, etj.

Në këtë 30 gusht do mbushte 26 vjeç. Vitin që shkoi doli në Prishtinë libri “Jam Atjoni”. E shfletojmë për të kujtuar… Ndërkaq na del që në krye ajo që tha dhe shkroi për Atjonin një nga poetët më të mëdhenj sot, Adonis, që jeton në kryeqytetin francez, në Paris, kur u njoh me studentin shqiptar në Milano, në shtëpinë e poetit dhe mikut Sebastiano Grasso, president i PEN-Clubit Italian, ku Atjoni ishte anëtari më i ri, teksa studionte për Filozofi në Universitetin “Sacro Cuore”.

…dhe do të gjejmë peizazhin shpirtëror të Atjonit si një CV e tij:

– Në 30 gusht 1995 lindi në qytetin e Vlorës dhe u rrit mes poezisë, ngjyrave dhe muzikës në Romë, ku prindërit e tij, Eda dhe Visar Zhiti, punonin si diplomatë në Ambasadën e Shqipërisë në Itali.

– Kur ishte 3 vjeç e gjysmë, një vizatim i tij për “Nënë Terezën” u fut në një botim me shkrime të ilustruara, që i kushtohej Shenjtores tonë dhe kritikës pikërisht ai vizatim i tërhoqi vëmendjen, shkruan në gazetën “Osservatore Romano” të Vatikanit gazetari Gianpaolo Mattei dhe artikulli u botua dhe në Shqipëri e u ribotua dhe herë të tjera.

– Hapi një ekspozitë fëminore në Vlorë, në kopshtin e shtëpisë së gjyshit, ku vizatimet e tij u varën pemëve dhe u ftuan kalamajtë e lagjes, ku pati dhe një koktejl me ëmbëlsira dhe coca-cola.

– Mësimet e para i nisi në Tiranë, në shkollën katolike “Ylber”, merrte pjesë dhe në teatër.

– Arsimin 9 vjeçar e kreu në Romë në shkollën e muzikës “Giuseppe Sinopoli”, mësoi flautin dhe dha disa koncerte me orkestrën e shkollës deri dhe në Auditoriumin e madh të Romës.

– Nisi studimet në Liceun e njohur klasik të Romës “Giulio Cesare”, nga kanë dalë personalitete të mëdha të kulturës dhe politikës, ku krahas italishtes dhe anglishtes, që i mësoi mjaft mirë, studioi dhe greqishten e vjetër dhe latinishten.

– Merrej me sporte, me not, kanotazh, për të cilat ka dhe diploma, me tenis, shah dhe futboll si gjithë moshatarët e tij.

– Pas kthimit në atdhe, kryen gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë dhe bën disa kurse kualifikimi për gjuhët spanjisht, frëngjisht e gjermanisht.

– Zgjidhet që të jetë anëtar i jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për fëmijë e të rinj, “Giffoni”, merr pjesë në disa veprimtari në Salerno në Itali dhe në Tiranë, në Shqipëri

– Në 2013 fiton një bursë për të vazhduar studimet për Filozofi, pasioni i tij, në Milano, në Itali.

– Ndërkohë është zgjedhur anëtar i Parlamentit Rinor Europian, EYP, duke përfaqësuar Shqipërinë në disa konferenca si në Spanjë, Letoni, etj.

– Vazhdonte interesi i tij për antikitetin, historinë dhe artet, i vizitoi të gjitha kështjellat shqiptare, muzeumet në Tiranë e Korçë, Vlorë, Krujë, Shkodër, etj, po kështu dhe muzeumet më të rëndësishme në Romë e Vatikan, por dhe në qytete të tjera të Italisë, në Firence, Venecia, Milano, edhe në Europë, në Athinë, Paris, Vjenë, Bukuresht, Pragë, Lajpzig, etj, e deri në Chicago, SHBA.

– Ishte njohur me shkrimtarë në Tiranë e Prishtinë, miq të babait të tij, me Kadarenë e Podrimjen e akademik Rexhep Ferrin, me poetin e burgjeve, “Panin Plak”, Pano Taçi, etj, por dhe me të huaj, takoi poetin nobelist Tomas Tranströmer, avanguardistin austriak Hermann Nitsch, në Itali kishte takuar poetët Mario Luzi dhe nobelistin Derek Walcott si dhe piktorin shqiptar Ibrahim Kodra, edhe pianistin me fame botërore, kinezin Lang Lang, etj.

Me poetin rus Yevtushenko.

– Pranohet anëtar i PEN Clubit Italian, nis miqësinë dhe bashkëpunon me Presidentin e tij, poetin dhe gazetarin Sebastiano Grasso, prej tij njihet dhe me personalitete, poetë nga bota, Adonis, Jevtushenko, Paulo Coelho, piktorë, fotografë, etj,

– Jep ndihmesën e tij në botime, përkthen për antologjinë “Lajmëtarët e Europës”, me autorë të vrarë nga regjimi diktatorial, për përmbledhjen me poezi të Adonis, i cili botohej për herë të parë në shqip.

– Piktura të tij merren dhe për ballina librash, të botuara në Shqipëri, Kosovë e Itali.

– Në vitin e dytë universitar boton artikujt e parë filozofikë, që ai i quante traktate, nën kujdesin e gazetarit Alfred Lela, më pas do të vazhdonin të dilnin dhe në media të tjera në Shqipëri e Kosovë, të diasporës në Itali, Zvicër, Angli, SHBA.

– Në 20 dhjetor 2014, kur kishte ardhur në Tiranë për pushimet dimërore të Krishtlindjes dhe Vitin e Ri, ndërkaq po bënte përgatitjet për një Konferencë të Parlamentit Rinor Europian, e udhëhiqte ai me qëllim që “Europa të shikonte Europë dhe në Shqipëri”, befas ndërpritet gjithçka tragjikisht, një aksident rrugor, teksa nxitonin për te parë lindjen e diellit buzë detit.

Jeta e tij mbetet një udhëtim drejt dritës.

………………………………………………………………………………………..

– Në vitin 2015 del libri i parë me shkrime të Atjon V. Zhitit, “Për atë që dua(m)”, me jehonë në lexues dhe në median e shkruar dhe elektronike kudo ku flitet shqip.

– Hapet ekspozita me piktura të tij “Një kuti me xixëllonja”, në Universitetin “Polis” në Tiranë, nën kujdesin e kritikut të njohur të artit, profesor Gëzim Qendro, veprimtari që e pasqyruan mediat dhe kanalet televizive në vend.

– Në vitin 2016 revista letrare dhe kulturore “Poeteka”, nr. 39, del i gjithë i ilustruar me vizatime bardhë e zi të Atjonit.

– Në 2017 botohet Albumi “Opera Atjon”, në shqip dhe italisht me vizatimet dhe pikturat e tij, të fëminisë dhe adoleshencës, përgatitur nga kritiku i artit dhe botuesi Gëzim Tafa, me pasthënie të tij dhe parathënie nga Prof. Gëzim Qendro, kritik i njohur arti. Mbas përurimit, Albumi ka patur shpërndarje të gjerë dhe është mirëpritur brenda dhe jashtë vendit.

– Me pikturat e Atjonit dhe me citate nga traktatet e tij kanë dalë disa kalendarë vjetorë, botime të “Onufri”-t, përgatitur nga Enxhi Hudhri.

– Koncert për Atjonin në Romë, “Jehonë dhe butësi, dialog mes tingujve dhe një ëngjëlli”, në violinë Anyla Kraja dhe në pianoforte Fausto Di Cesare, me recitime nga krijimtaria e Atjonit.

– Në 2018, krahas përmbledhjes me tregime e vizatime “Valixhja e shqyer”, botohet në Itali përmbledhja me poezi e vizatime me ngjyra, “Dove é la vita”, me dy autorë, Visar Zhiti-shkrimtar dhe Atjon Zhiti-piktor.

Ndërsa libri tjetër me poezi “Të rritesh nga dashuria” bëhet me tre autorë, krahas Visarit dhe Atjonit është dhe Eda Zhiti, që paraprin botimin me një ese.

Në librin Si na erdhi ai, i ndaluari, po i Visar Zhitit, Atjoni është personazh kryesor së bashku me poetin rus Evgeni Jevtushenko.

– Në librin e letërsisë të shkollave 9-vjeçare, 2019-2020, si tekst mësimor është dhe një poezi e Atjonit me fotografinë e tij.

– Edhe në librarinë “Friend’s Book House” në Tiranë, mes fotografive të eskspozuara me disa shkrimtarë të njohur të vendit, është dhe portreti i Atjonit.

– Libri dhe Albumi i Atjonit janë tashmë në bibliotekat e shkollave ku ai studioi, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në bibliotekën e njohur të Universitetit “Sacro Cuore” në Milano, etj, deri dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, në SHBA.

– Shkrimet e Atjonit ribotohen herë pas here në median shqip në Shqipëri dhe në botë, janë bërë të njohura dhe në përkthim në italisht, kurse së fundmi janë botuar në rumanisht në revistën “Albanica”, që del në Rumani, me drejtor Dr. Luan Topçiu, etj.

– Piktorë të njohur kanë vizatuar Atjonin e vogël si Ibrahim Kodra, Maks Velo, Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi, Sali Shijaku, etj, kanë realizuar ikona në dru e qeramikë me Atjonin-engjëll murgesha nga Kosova Maria Grazia Ukaj e ikonografi italian Roberto Roncaccia, performanca nga Motër Elena Lulashi, ndërsa shoku i Atjonit, Denis Kapo ka realizuar një murale të madhe në “Osteria di Via Pre” në Milano, buzë lumit “Naviglio”, ku Atjoni shkonte shpesh.

– Piktori Gjergj Kola në Itali ka shumë vepra si skica, akuarele, kompozime në vaj, murale me personazh Atjonin, një portret i të cilit ndodhet i ekspozuar pranë “Louvre Museum”, në Paris.

– Në 2020 del në Prishtinë libri “Jam Atjoni”, botimet “Bogdani” me rastin e 25 vjetorit të lindjes, nën kujdesin e poetit, Prof. Dr. Jeton Kelmendi.

– Janë të shumtë ata qe i kanë kushtuar poezi Atjonit, edhe poetë të huaj, ndërkaq të njohur, studentë, kritikë arti, por dhe politikanë, presdidentë në Shqipëri e Kosovë, me të cilët është takuar Atjoni, kanë shkruar konsiderata për të impresionante,

– Sivjet dalin dy libra me kopertina nga vizatimet e Atjonit…

* * *

– Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çdo vit Çmimin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë.

– Shoqata Ndërkombëtare e Shkrim­tarëve “IWA BOGDANI” jep çmimin ndërkombëtar vjetor për poezi “Atjon V. Zhiti”, cili ka shkuar dhe në Argjentinë e në Japoni së fundmi.

– Në Tiranë, Bashkia e Kryeqytetit, ka emëruar dhe një rrugë me emrin “RRUGA E ATJONIT”

DO TA RREGULLOJMË BOTËN ME BUZËQESHJE

Kështu thoshte Atjoni.

E dëshmon gjenerata e tij, shokët dhe dhe shoqet e shumta që e adhuronin kudo.

Na e tregoi dhe studenti nga Kosova, në përurimin e librit “Për atë që dua(m)” të Atjonit në Universitetin Europian të Tiranës, në Aula Magna, të mbushur si kurrë ndonjëherë, me të rinj, intelektualë, shkrimtarë, deputetë, ish të burgosur, të panjohur, vinin të tjerë, s’kishte më vende, rrinin dhe në këmbë, etj.

Pasi folën emra të njohur për vlerat e librit, mesazhet që përcjell e befasitë, u ngrit në fund dhe një djalë nga salla, “Vij nga Prishtina, – tha, – posaçërisht për këtë takim, jam student në Zyrih, Ylli Haziri quhem.

Jam më shumë sesa shok i Atjonit, – vazhdoi ai – jam vëlla i tij. E kam njohur në mbledhjet e Parlamentit Rinor Europian, ai si shqiptar nga Shqipëria dhe unë si shqiptar nga Kosova. Kemi qenë bashkë në Riga e Barcelonë, në Paris e Pragë, në Beograd, Preshevë dhe Prishtinë, në shtëpitë e mia…kam mbresa të pashlyeshme. Atjoni ishte aq sa i mirë, po aq dhe dinjitoz, të përqafonte fuqishëm dhe kishte mendime të fuqishme; i gjithi i çiltër dhe gjithë dashuri.

Atjoni kishte dy dashuri të mëdha, – tregoi ndër të tjera ai, teksa dridhej mes emocionesh të dukshme për shokun e tij, – dashuri për dashurinë, për vajzat si të thuash, dhe dashurinë për atdhe, ku brenda kishte dhe Kosovë. Dhe prekej shpejt…”.

Atjoni dinte të bashkonte. Në një nga takimet e Parlamentit Europian të të Rinjve, ai është mes shokëve shqiptarë dhe serbë, ku me njërën dorë po mban të shpalosur flamurin e Republikës së Kosovë dhe me tjetrën atë të Serbisë. Me çiltërsinë e tyre, ata 19-vjeçarë, bënë atë që politika e dy vendeve, por dhe ajo ndërkombëtare, nuk po e realizon dot. Pranuan tjetrin. Fotoja e këtij çasti është vërtet emblematike…

Do ta rregullojmë botën me anë të buzëqeshjeve”, na thoshte Atjoni – e përfundoi fjalën e tij studenti nga Kosova

Buzëqeshja e Atjonit mbetet vepër arti, ajo të bënte për vete, që jo vetëm ta doje, por dhe ta besoje Atjonin menjëherë. Ishte ai që këmbëngulte ndër shokë se duhej të studionin, në universitet jashtë sa më shumë, në Europë e Amerikë e të ktheheshin patjetër, se “Atdheun do ta bëjmë ne”, besonte, “më të bukur dhe më të fortë.

“Ne do ta sundojmë botën me buzëqeshje e punë të pareshtur” – u bë credo-ja e tij, që ia gjeneratës së tij si emblemë.

KOHA ME ATJONIN…

Ashtu siç ka “Rruga e Atjonit” në Tiranë, ka dhe një “Kalendar të Atjonit”, i shpërndarë në shumë shtëpi në shumë vende, me nga një pikturë të tij dhe me nga një thënie, të nxjerrë nga libri i Atjonit, në shqip, në italisht dhe anglisht.

Ato kanë bukurinë dhe mençurinë e moshës:

1 Të bësh të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut.

2 Drejtësia është ai princip, ku çdokush bën vetëm ato gjëra që prej natyre e ligji është thirrur të bëjë.

3 Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë po ashtu si dhe njerëzimi Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit zëvendësohet nga dukja.

4 Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës.

5 Kërkimi është zhveshje

6 Të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë…

7 Dashuria ime është tek ju, sepse ju dua shumë, jam i menduar, se dua te jem te ju: zemër.

8 Dashuria për dije është e pa kohë dhe e tillë do të jetë. Nuk do pranoj çka nuk më pëlqen, por do të mundohem të njoh gjithçka, kohë nuk kam për paragjykime, tabu, etj.

9 Tirania luftohet me dije, gatishmëri ndaj vuajtjes, intelektualizëm dhe objektivizëm ndaj realitetit pa pasur frikë.

10 Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.

11 Që konflikti të mos jetë torturë, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndjehet si e tillë.

12 Jeta s’duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetshme, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar duke thënë se është e kotë dhe e shkurtër, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë duke bërë mirë.

POEZIA DHE SI EPILOG

Poetja nga Argjentina, Susana Roberts është fituesja e parë e Çmimit Ndërkombëtar në letërsi “Atjon Zhiti”, që e jep Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel.

Po sjellim dy poezi të saj:

SUSANA ROBERTS

ÇAST SUBLIM

I dashur Atjon, ku je këtë të diel pasdite,
ndërsa dielli sapo del me fytyrën tënde?
Vallë je në rrugën e gjerë,
të projektuar nga ëndrrat e tua?
Me padurim po rrëmon në çantë
për të gjetur shkrimet e tua.
Janë ato, njohuritë gjerdan
që shoqërojnë hapat e tua?
Po ashtu penelatat e tua abstrakte,
Diçka që s’munda ta shoh, pa e lexuar,
veç di se të kanë bërë të derdhësh lot.
Fytyra jote është kthyer në vetë diellin
Dhe ti së largu e njohe vështrimin tim
mbi rrugën e pambarimtë.
Më buzëqeshe dhe unë nuk munda
të mos shoh
dhe të mos e lexoj
ato që t’i zgjedh midis letrave të tua.
Që veç një çast tek qëndroja në këmbë
në trotuarin
që thërriste dritën e rrugës tënde.
Me një lule të bardhë e të vogël në duar,
qëndrove e më the ta çoja
në një vend të rëndësishëm
në fund të rrugës.
Në realitetin tim të largët vrava mendjen
se për çfarë e kishe fjalën:
Për lirinë?… Për dritën?… Për paqen?…

(Përktheu nga origjinali Bajram Karabolli)

KALENDARI

Përtej farit të largët dhe dimrit të ftohtë,
Këtu në tokën time jugore
Me ngjyrat e gushtit mbërrijnë në zemrën time
fjalët e tua, një prekje vallëzimi murgëror
dritë e kulluar e fushave të Tiranës.
Drejt këtij bregu afrohen,
shndritin dëlirësi ndjenjat e vërteta
që ke shkruar.
Prapa, fshihet terri i këtyre kohëve covid-i,
jeta turbullohet,
flatrat e tua të ëmbla dhe mbrojtëse,
besim në kalendar janë, Atjon.
Fjalë të përjetshme do të jenë
dhe vitet do t’i përshkojnë,
pa paranteza e pa synime.
Fjalët e gushtit një zgjim po vallëzojnë
atë çka jemi dhe atë çka dëshirojmë të jemi
për të rrokur misionin tonë
si shpirtra dhembshurie hyjnorë
besimi dhe dashurie.

(Përktheu nga origjinali Erion Karabolli)

KANË THËNË PËR ATJONIN:

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…

Helena dhe Ismail Kadare
Tiranë-Paris.

Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.

Gëzim Qendro
Studiues, kritik arti, Tiranë

Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…

Gëzim Tafa
botues, kritik arti, Tiranë

Bota është më e varfër pa Atjonin… Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqës…

Luan Topçiu
kritik arti, studiues,
Bukuresht, Rumani

…libri të Atjonit – testamenti i Tij për Shqipërinë, një testament që do t’u drejtohet bashkëmoshatarëve të Tij më fatlume. Ai do të jetë si Ungjilli për ta…

Eugjen Merlika
Studiues, Itali

TË HUAJ PËR ATJONIN

Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…

Robert Elsie
albanalog kanadez,
Berlin, Gjermani

Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…

Sebastiano Grasso
Poet, President i PEN Clubit, Itali

Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.

Giampaolo Mattei
Gazetar, Romë, Italian

– Në shkrimet e Atjonit ka filozofi, jo si diçka abstrakte, por të lidhur me politikën, jo në kuptimin e politikës sot, por si te grekërit e lashtë, pjesë e jetës, ndërkaq të lidhura aktualitetin…

Mauro Geraci  Antropolog, studiues i letërsisë shqipe,
Romë Itali

Është tronditese, një mrekulli në ngjyra… Një fëmijë që mbledh kështu një civilizim 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë… Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.

Padre Marko I. Rupnik
Profesor Teolog, artist,
Universiteti Gregorian. Romë.

…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.

Kardinal Gianfranco Ravasi
Biblist, kritik arti.
Ministër i Kulturës Vatikan

…Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.

Adonis Poet, Paris, Francë

 

(Falënderojmë familjen Zhiti, për këtë portret të Atjon Zhitit)