DASHURIA APO ATDHEU

nga Ilir Yzeiri

Shënime për romanin e Ernest Koliqit Shija e bukës së mbrume

 

Siç e përmenda në shkrimin për Camajn, debati i hapur për të dhe Koliqin më shtyu të rilexoja edhe njëherë këtë roman dhe të rifreskoja shënimet që pata mbajtur atëherë, me këto të sotmet.

Ky roman mua më ngjan si një platformë emocionalo-politike e Koliqit dhe e asaj pjese të mërgatës politike shqiptare që identifikoheshin me të, pse aty mund të hetosh kuptimin e tyre për të ardhmen e atdheut, për fatin e tij duke i prerë të gjitha këto në rrafshin e ndjenjës më sublime të njeriut: dashurisë.

Romani është botuar për herë të parë në revistën « Shêjzat » prej vitit të dytë të botimit të saj, pra më 1958, qysh në numrin e parë e deri në vitin 1959, në përafërsisht 12 numra (revista dilte 6 herë në vit duke përfshirë në çdo botim dy numra) dhe në gati dy vjet.[1]

I njohur si një prej prozatorëve më të talentuar të periudhës së Pavarësisë, i quajtur me të drejtë si mjeshtër i novelës dhe tregimit modern shqiptar, Koliqi, edhe në këtë roman, shfaqet po aq mjeshtër në rrëfim sa edhe më parë. Tek-tuk romani është i mbështjellë edhe me brymën e një lloj fryme sentimentale që të kujton, deri diku, edhe Foqion Postolin me «Lulja e kujtimit»[2] apo romanin «Lula»[3] të Fabian Barcatës, apo edhe «Bardha e Temalit»[4] të Pashko Vasës. Kam parasysh, në këtë rast, dashurinë në këta romane të rrëfyer si një pasion trallisës që ndizet dhe trondit shpirtin e atyre heronjve që janë në dilemë dhe u duhet të zgjedhin midis ndjenjës instiktive të pasionit për femrën dhe zërit të egër të arsyes që i grish nga dashuria për atdheun apo nga bindja për të dëgjuar urdhrin e ligjin e fisit.

Romani, gjithashtu, është edhe një narrativë e ngritur mbi detyrën e shenjtë për të shpëtuar atdheun, për ta mbrothësuar atë. Koliqi, këtu, nuk e ka parë detyrën për t’u marrë me atdheun vetëm si çlirim nga komunistët, siç edhe ishte platforma e mërgimtarëve politikë në atë periudhë. Ai e rimerr këtë devizë me herët dhe e nis rrëfimin pikërisht aty ku u ngjiz përpjekja e patriotëve shqiptarë për të ndërtuar shtetin e tyre pas shpalljes së Pavarësisë.

Në qendër të romanit është Jorgji Koja, nipi i patriotit durrsak Vasil Koja, i cili, në periudhën e pas-pavarësisë, kishte dhënë gjithçka që Shqipëria të shpëtonte nga anarkia dhe regresi i përplasjeve të viteve të para pas Pavarësisë. Mirëpo, sapo ishte ndërtuar burokracia shqiptare, ky patriot ishte lënë në harresë. Koliqi është i pamëshirshëm në vizatimin e defekteve të shqiptarëve sa i takon shtet-ndërtimit. Ashtu i harruar, Vasil Koja bën çmos që të rrisë sa më mirë nipin e tij, djalin e vëllait, Jorgjin. Bashkë me hallë Vidon ata bëjnë gjithçka që t’ia plotësojnë ëndrrat djaloshit. Vitet ikin shpejt dhe vjen lufta. Vasil Koja e kundërshton pushtimin, por është në kaos, ashtu siç kishin bërë edhe shumë patriotë të tjerë. Në vitin 1942 e nis me studime nipin e tij për mjekësi në Bolonjë. Vetë qëndron aty. Jorgji nis studimet dhe me vështirësi ekonomike arrin rezultate shumë të mira. Ndërkaq merr vesh se ungji i tij është vrarë në një atentat. Nuk arrin ta kuptojë se çfarë ndodh. Mbaron lufta dhe ai vendos që të mos kthehet në atdhe sepse, siç lë të kuptohet autori, Jorgji nuk ka lidhje me triumfin nacionalçlirimtar. Më kujtohet këtu libri me kujtime i Jusuf Vrionit «Kujtimet e një europiani»[5], në të cilin ai rrëfen se u kthye me dëshirë në Shqipëri nga Italia dhe, megjithëse nuk kishte bërë asgjë, pra gjatë luftës kishte qenë më shumë jashtë Shqipërisë, në vitin 1946 arrestohet dhe vuan një dënim të egër në burgjet e komunizmit. Shqipnia i vinte në mendje vetëm me «do varre t’ftohta», thotë autori për Jorgjin.

Veprimi përqendrohet te jeta e Jorgjit dhe ai rrjedh shpejt. Nga Shkolla Teknike e Tiranës protagonisti ka përfituar anglishten dhe golfin. Kjo e ka bërë më të lehtë kredhjen e tij në jetën vanitoze italiane. Njihet me gra e vajza. Ka një aventurë me Herminën, vajzën vjeneze që largohet sapo e sheh që ai nuk ka më mjete financiare. I gjendur ngushtë, pa të ardhura, Jorgji futet në kampin e refugjatëve politikë. Aty Koliqi rrëfen pa asnjë lloj patetizmi gjendjen reale të mërgatës politike që, në shumë anë, të kujton romanin «Mërgata e qyqeve» të Nasho Jorgaqit.

«Si gjashtë muej skëterri iu ishin thadrue në kujtim ata qi kaloi në atë kamp. Iu lnuer zemra tue vu roe si Shqiptarët e mërguem orvateshin me ia ba njani-tjetrit jetën sa ma të vishtirë. N’at zezonë të pakurrkundshoqe qi po mbytte n’gjak vendlindjen, po mbushte me murana shpatet e maleve dhe me vorre vrrinin, në vend qi me ngushllue shoqishojnë, nemose tue qa s’bashku krye në krye, u kish hy nji dreq qi s’i lente të qetë, por i ngacmonte me u gri ndërshej vetit tue përmbysë e shkelë çdo ndiesi vllaznore. Ishin krijue grupe e rrymba, mëkambë partina e organizata politike të gjithënduerta. Haheshin shamatoheshin, dermoheshin për parime politike të gjithnduerta»[6]

Autori, herë pas here, përdor emra personazhesh konkretë. Kështu, në kamp përmendet tragjedia mbi Vinçens Prenushin, ashtu sikundër do të përmendet më vonë edhe Noli e Bajram Curri.

Jorgji e braktis kampin dhe nis të punojë fort që të përfundojë shkollën e të realizohet në jetë. Pikërisht këtu futet në veprim Jani, miku i ngushtë i familjes, që jeton në Amerikë. Ai i shkruan një letër dhe i dërgon edhe dollarë për ta ndihmuar. Nuk kalon shumë kohë dhe e fton me ngulm që të shkojë në Amerikë. Ndërkaq, Jorgji ka kryer studimet shkëlqyeshëm dhe profesoi i tij, mjeku i njohur Savarelli, e ka marrë në klinikë. Jani ka detyrime ndaj Jorgjit, sepse gjyshi i tij, kur ai ishte kthyer nga Amerika, e kishte shpëtuar nga rebelët e Haxhi Qamilit.

Jemi në vitin 1949 dhe Jorgji ka mbrojtur diplomën. Pastaj vitet ikin shpejt dhe në vitin 1951 Jorgji niset për në Amerikë. Në skenë futet një tjetër personazh, avokat Theodhor Stasa. Është ai që bën garancinë për të. Mjeku në Itali i ka dhënë rekomandim për një nga kolegët e tij që punon në një klinikë të famshme në Nju Jork, Dr. Bedington-in. Dhe trillimi këtu është bindës sepse gjithçka vihet dalëngadalë në funksion të toposit kryesor të romanit që është dilema dashuria më parë apo atdheu.

Sapo mbërrin aty, miku i tij ia zbulon planin që ka për të. Ai e ka thirrur që ta fejojë me një nga vajzat më të pasura të komunitetit shqiptar në Amerikë, me Djanën, bijën e Erakli Dadës që ka ndërruar jetë vite më parë. Dhe autori ndërthur bukur krenarinë shqiptare me sedrën e mashkullit. Jorgji e refuzon këtë dëshirë të Janit. Pastaj merr vesh se avokati i familjes së Djanës, Theodhor Stasa ka ndërhyrë që ai të vijë në Amerikë dhe ka paguar edhe për përfundimin e studimeve të tij.

Dashuria shpallet kult nga djaloshi dhe me atë ndjenjë ai nuk pranon të bëjë pazar. Kështu duket se plani për ta fejuar më Djanën dështon. Mirëpo, këtu hyn në lojë mjeshtëria e Koliqit dhe rrëfimi tani futet në shpirtin e Jorgjit. Kurioziteti për ta njohur nga jashtë Djanën e shtyn që të interesohet për të. Merr vesh që ajo ishte regjistruar në një klub golfi. Shkon dhe Jorgji aty, e sheh dhe i bën shumë përshtypje. E bukur, e sigurt, por edhe shumë e hapur, Djana e bën për vete. I afrohet dhe ajo e njeh menjëherë. Nis miqësia. Djana punon si asistente e një shkencëtari nuklear dhe, shpesh, krahasimet e saj merren nga bota e yjeve.

Tani nis pjesa më e bukur e romanit dhe ashtu si në rrëfimet romantiko-sentimentale, lexuesi merret peng dhe pret nga rreshti në rresht se si do të përfundojë kjo intrigë. A do të dashurohen Jorgji me Djanën? Me këtë ankth ti shfleton faqet e romanit dhe mrekullohesh me aftësinë e Koliqit për të lexuar zonat e errëta dhe të paqarta të shpirtit të të dy të dashuruarve. Jorgji ka rënë në dashuri menjëherë dhe këtë e shfaq jo vetëm nga mënyra si e sheh atë, por edhe me sjelljen e padurimin për ta parë e takuar. Djana, në roman, jepet më e përmbajtur dhe i lë të kuptojë atij se ajo e respekton si mik; asnjë shenjë tjetër që ta çojë nga dashuria. E sjellshme, e afërt, e gëzuar, ajo e fton edhe në shtëpi që ta njohë e ëma, zonja Gladys Jacobson. Portretin e saj Koliqi e vizaton me penelatat e një piktori impresionist. Ajo është shenja e një epoke të ndritur, të asaj që quhet «Belle époque». Me atë duket se mbahet gjallë shenja e fundit e një shkëlqimi që e sheh bukurinë e jetës te arti, të ndjenja. Nëse e ëma është Europa e «Belle époque», Djana është Amerika e re e pasluftës që po rilind me gjallërinë, lirinë, vrullin dhe entuziazmin. Jorgji ka mbetur si i mpirë nga portreti i këtyre dy femrave që kanë si idhull një shqiptar, Erakli Dadën, ish-burrin e zonjës Gladys dhe babain e Djanës. Vetëm tani ai e kupton se dashuria me Djanën nuk mund të realizohet sepse ajo duket se i përket një bote tjetër. Përveçse e bukur, e fisme, ajo është edhe shumë e pasur. Mirëpo aty, në atë vizitë, ai merr vesh një detaj: Djana, kur ishte 8 vjeçe, ka qenë në Përmet, në vendlindjen e të atit. Këtu ai na tregon edhe historinë e familjes së Djanës dhe njohjen e të atit të saj me zonjën e pasur Gladys.

Koliqi, në trillimin për këto personazhe, ka përdorur gjithë artin e tij në shërbim të glorifikimit të tipit të shqiptarit. Erakliu është patriot, i ditur, por edhe shumë i pashëm, ndaj edhe vajza milionere, Gladys, ra në dashuri me shikim të parë me të. Aty, në atë takim flitet për bukuritë e jetës së ndaluar. Venediku, fjala vjen. Atë, mamaja Djanës e kujton me mall dhe thotë se ai përfaqëson shpirtin e një epoke. Koliqi shton: «Për me kuptue Venedikun, lypset mos me qenë i kapërthye në ndjenja tjera»[7]. Shpirtin e asaj epoke, mamaja e Djanës e ruan sidomos te valsi. Ai kërcim e dërgon në botën e ëmbël ku pasioni për gjithçka të bukur mbështillte jetën. Ashtu, me atë kërcim, ajo kish njohur dhe të shoqin. Pas vizitës në shtëpi, Djana e pyet Jorgjin:

-Si t’u duk nana?

-Ju nuk i përngjitni aspak.

-Un s’dij me kcy valcer – ia kthej ajo. Edhe më pëlqen piktura abstraktiste…

Ironia, humori dhe një lloj cinizmi i lehtë e bëjnë Jorgjin të mendojë se ajo nuk mund të bëhet e tij. Me këtë dilemë i hap zemrën shefit të tij, dr. Bedingtonit. Në një darkë i tregon për Djanën. I thotë se ai e do, por e ndien se ajo nuk i shfaq asgjë. Shefi i tij e dëgjon dhe i tregon dramën e jetës së tij. Djali i droguar, ai vetë i rritur pa dashurinë e prindërve, sepse ata ia kishin besuar atë dadove dhe kurrë nuk i dhanë ngrohtësi. Të njëjtin gabim bëri edhe ai me djalin e vet dhe, kështu, e humbi atë. Vihet re në penën e Koliqit një kritikë e ndier për konsumizmin dhe kapitalizmin. Amerika e fuqisë, e lirisë, por edhe e plagëve sociale.

Mirëpo Djana është larguar dhe kanë kaluar dy muaj që ai nuk e ka parë. Për më tepër, ajo jo vetëm që nuk e lajmëroi kur iku, por as edhe një shenjë nuk i dha se ku ndodhej. Një ditë gjen një letër në klinikë nga Djana. Ashtu, edhe i zemëruar, edhe i dashuruar, shkon në fushën e golfit. Koliqi është mjeshtër për të ndërtuar situata komplekse ndjenjash. Djana vjen e qeshur, pa asnjë lloj shqetësimi, Jorgji i tensionuar. Gjithnjë e më shumë i krijohet bindja se ajo po luan me të. Dhe, në një moment, sedra e vrarë nga ndjenja e plagosur e bën që të thotë fjalën e fundit në fillim, rrëmbehet më shumë nga inati dhe mospërfillja e Djanës dhe dialogu i zhvilluar këtu është nga faqet më të bukura të romanit dhe e ngre tensionin e rrëfimit e e fut intrigën në një labirint të tillë, sa lexuesi e humb shpresën dhe gati bindet se ata të dy nuk do të dashurohen më. Jorgji i thotë se nuk i intereson shumë mendimi i së ëmës, por do të dijë mendimin e saj. Djana ia përsërit që unë jam amerikane, e lirë të shpreh mendimin tim dhe po ta them që deri tani unë të çmoj si mik dhe Jorgji shpërthen:

«Unë nuk mund të pranoj prej jush dromca ndjesish të hjedhuna si lëmosha lypsit» (Po aty, f. 59). Një çast i nderë dhe autori thotë: «Ai gaboi e tha (ah sa u pendua mbrapa): – Të mirupafshim n’asht se shifemi ndonjiherë! Djana nuk bëzani por i lëshoi nji shikim të thellë e të ngulun ku përzihej, çudija ma e madhe me dhimbën ma të gjallë» (po aty, f. 59-60).

Jorgji duket se është i lirë në shpirt dhe për një çast ashtu ndihet. Hidhet në krahët e Pupës, një balerinë boshnjake që është shtruar në spitalin ku ai punon. Dashuria me të dhe netët me pasion zgjasin një muaj. Tani nuk ka ditë që nuk e kujton atë moment fatal dhe atë krenari boshe, atë zemërim të pashpjegueshëm dhe provincial që e bëri të humbasë Djanën.

Ndërkaq, autori hap një linjë tjetër subjekti. Organizohet një takim i gjerë me patriotët shqiptarë në Amerikë për të ndërtuar një program ose një organizim për të ndihmuar çështjen shqiptare. Në atë takim janë të gjithë tipat dhe karakteret. Sadik Sopoti, dinjitoz, ka hapur shtëpinë e tij për këtë takim, Bilo Shtërpari, simpatik, por dinak, e bën gjithçka mbrapsht. Më i natyrshmi është Emin Dashi, poet që thotë se më parë duhet të pjekim një ide, një program, pastaj të ndërtojmë një lëvizje. Është edhe malësori Gjin Bardhok Frisku, në të cilin është mishëruar tipi i malësorit të Veriut që nuk e pranoi komunizmin dhe e kundërshtoi edhe me armë.

Kjo linjë subjekti i ka vlejtur autorit për të shpërfaqur edhe idetë e tij për të ardhmen e Shqipërisë dhe për modelin e zhvillimit të saj jo nën komunizëm. Ajo që bie në sy këtu, është dëshira për të ruajtur traditat shqiptare nga zbrazja që po i bënin komunistët shpirtit të shqiptarëve dhe mbushja me ide ruse. Mirëpo është mjaft interesant se, nëse do të pranojmë që Jorgji, heroi kryesor, është, si të thuash, përçuesi i ndjesinave dhe ideve të autorit, alteregoja e tij, atëherë do të vërejmë me habi, se ai, jo vetëm në këtë mbledhje, por, në përgjithësi, paraqitet apatik për punët e Shqipërisë:

«I flitshe për punë t’Shqipnis e ky shtinte veshët në lesh» (po aty, f. 48).

Ka një detaj në këtë pjesë të librit që e kujtoj gjithmonë me një ndjenjë të veçantë. Pas atij takimi, të gjithë bashkë shkojnë për darkë dhe autori, pasi i përshkruan të gjithë se si sillen në tavolinë me hajet e shijshme, na flet për malësorin, Gjinin, për mënyrën mbretërore se si ushqehej ai. E pata lexuar edhe njëherë më parë këtë cilësi fisnike të malësorëve shqiptarë, më duket të Fishta, dhe më kishte mbetur në mendje që malësorët tanë silleshin me ushqimin në tavolinë ashtu si mbretërit apo fisnikët e trimat e zgjedhur. Me delikatesë, duket sikur i numëronin kafshatat para se t’i gëlltisnin, të përmbajtur deri në skaj, ti kurrë nuk e shihje dot një malësor të shprehte ndonjë kënaqësi të tepruar ndaj hajes, por me elegancë, ngadalë dhe vetëm disa kafshata bukë. Pjesa tjetër e ndejës në tryezë a në sofër ishte vështrim, bisedë dhe respekt për të tjerët duke mos folur pa të pyetur kush. Këtë cilësi e rrëfen dhe Koliqi këtu: «Burri malcuer ngrante me kadali, gati si të shkonte tue i njehë kafshatat që shtinte në gojë. Ishte në za shpejtija e tij në përdorim të çdo arme, përkundrazi pirunin e përdorte pa ngutë, me at përujtni zotnijsh qi i dallon Malsorët rranxe bujare në sofër e qi dishmon madhnin jetike të fisit» (po aty, f. 419).

Jorgji zbulon se ky organizim është nxitur nga avokati i familjes, Dada, sepse për të ndërtuar një lëvizje të tillë duhen ide dhe para. Dhe kjo e bën të mendojë atë se çështja shqiptare ka lidhje me Djanën. Ai është zgjedhur në kryesinë e Lëvizjes, por nuk shfaq ndonjë entuziazëm të madh për këtë. Ndërkaq, Jani duket se i vë vulën: «Sa koka shqiptarësh, aq Shqipnira» (po aty, f. 420).

Mirëpo në mendjen e tij është ulur galiç Djana dhe autori duket se na fut në atë dilemën e njohur të heroit romantik: detyra ndaj atdheut apo dashuria?

Veprimi rrjedh shpejt dhe ajo shprehja «unë nuk mund të pranoj prej jush dromca ndiesish të hjedhuna si lëmoshë lypsit», nga shprehje e krenarisë apo e sedrës së përkëdhelur, kthehet në një peshë që e shtypte dhe e bënte të ndihej naiv, budalla, madje e nxiti për një moment që të jepej pas jetës boshe e meskine duke treguar, kështu, edhe anën cinike të karakterit. Në këto e sipër, vendos të thërrasë përsëri për darkë shefin dhe t’i hapet atij, t’i tregojë për brengën që po e gërryen dhe për dashurinë ndaj Djanës, që tani po i bëhet obsesion. Mirëpo edhe aty nuk gjen prehje, sepse shefi i tij, pjellë e mirëqenies së pashpirt, i rrëfen përsëri për traumat e tij dhe i tregon krizën e konsumizmit: familja e shkatërruar, djali narkoman. Jorgjit i fanitet në tru mërgimi. Mërgimi nga atdheu dhe mërgimi nga vetvetja. Në kontrast me gjithë këtë i vjen në mendje shtëpia në Tiranë, ungji, halla e dashur Vido, vlerat e familjes dhe, në fund, letra e ndarjes e Pupës, e dhimbshme, e ndier. Të duket sikur intriga ka humbur fillin. Në këtë gjendje të rëndë ku e fut lexuesin, ti pret me ankth se çfarë do të ndodhë me Djanën. Dhe gjendet zgjidhja. Jorgji merr vesh që familja Dada do të japë një mbrëmje bamirësie dhe shefi gjen dy ftesa. Jorgji shkon aty.

Takimi i Jorgjit me Djanën, pas gjithë kësaj që kishte ndodhur, është një nga faqet më të bukura të prozës sonë. Unë besoj se gjithkush që e ka lexuar, është emocionuar nga përshkrimi i takimit mes Jorgjit e Djanës në këtë festë. Ai mezi pret ta takojë që t’i kërkojë falje, ndërsa Djana, ashtu si në romanet kalorësiake moderne, shkrihet në gaz dhe i thotë me sytë që i ndrisin: Jooo. Ti atë ditë më doje marrëzisht. Atë ditë më ke pëlqyer. Jorgji u plandos në një kolltuk aty afër. Dhe pas kësaj, rrëfimi modernist i Koliqit merr tone të reja. Tani Djana nuk është më vetëm ideali i dëlirësisë, ajo është edhe dëshira sensuale. Në të, Jorgji sheh herë Pupën-mishin e herë Djanën-shpirtin.

Dhe shpërthen dashuria. Është zgjidhur intriga, por jo konflikti. Përshkrimi i kësaj dashurie janë faqe të bukura në roman. Djana tregon lidhjen e saj me Shqipërinë dhe tani parakalojnë libra të Fan Nolit, «Baba Tomori» i Çajupit dhe vjen pika kulmore në roman. Ajo e ka ftuar Jorgjin në vilën e saj madhështore në Charleston – Karolina e Jugut dhe i tregon se përse e ka patur të vështirë që t’i thoshte «po» dashurisë së tij. Ti e don Shqipërinë? e pyet Djana. Tallesh ? – i thotë Jorgji. Dhe ajo i tregon amanetin e të atit. Kur kishin qenë në Përmet, i ati e kishte çuar në kishën e atij qyteti dhe aty i ishte lutur që, me qenë se ai nuk kishte djalë – oh sa e vuante këtë – dhe Djana për të atin ishte Dan, të gjente një shok jete që të vazhdonte kauzën e atdheut, Mirëpo unë, thotë Djana, sapo të pashë ty, rashë në dashuri dhe kështu nuk e dija a do të ishe ti ai që do ta vazhdoje këtë kauzë. Pra, e tradhtova amanetin e babait. Ndaj u organizuan gjithë ato takime për të marrë vesh nëse ti e do atdheun apo jo dhe nëse ti je i gatshëm ta vazhdosh kauzën për të. Dhe këtë betim, ajo e kishte marrë duke zënë një bukë në Përmet në atë vizitën që kishte bërë me të atin. Atje ajo kishte mësuar të zinte brumin. Ndaj edhe romani ka titullin «Shija e Bukës së mbrume».

Disa përfundime.

Kam qenë gjithnjë i bindur se letërsia shqiptare është aq e larmishme dhe ka aq personalitete, sa do të duhet kohë e gjatë që vepra e tyre të tregohet e të analizohet ashtu siç ajo e meriton.

Në historinë e letërsisë shqiptare, por edhe në traditën e studimeve albanologjike, siç e vinte re me të drejtë studiuesi Albert Doja[8], ende nuk po krijohet tradita e studimit duke e parë veprën si produkt vetjak individual të shkrimtarit. Më shumë atë e shohim si rrjedhim i kategorisë së kohës ideologjike që përfaqëson shkrimtari. Duke qenë kështu, e kemi më të lehtë që fushën e studimeve ta lëshojmë e ta lëmë në duart e atyre që e kanë parë traditën e kulturës shqiptare si të ndarë fatalisht në bardhë e zi, në mirë e keq.

Po të shpjegohet kështu, pra duke rrëfyer autorin përmes veprës së tij, gjithë pa anashkaluar veprimtarinë e tij shoqërore e politike, do ta kemi më të lehtë të kuptojmë se përse shkrimtarët e realizmit socialist duhen mirëkuptuar, siç thoshte Camaj, sepse me «ato pafta në tru» vështirë të shkruash siç duhet, por duhen mirëkuptuar edhe ata që u detyruan, për arsye politike, të marrin rrugët e mërgimit. Në një pikë, shkrimtarët takohen, pra si ata që u detyruan të shkruajnë me «pafte në tru», si ata që ishin të detyruar të takonin e të bashkëpunonin me të gjithë ata që ishin të interesuar që të dinin dhe të mësonin për qëllimet e tyre për regjimin komunist në Shqipëri. Në fund fare, vepra mbetet. Dhe është një gjë fatlume për letërsinë shqiptare se në të, në veprat më të mira të saj, nuk ka në përgjithësi frymë urrejtjeje. Shembull i mirë në këtë rast është sidomos romani i Koliqit, që unë analizova. Në këtë roman, Koliqi duket se bëhet pararendës i postmodernizmit në letërsinë shqiptare. Pse ? Sepse heroi i tij, Jorgji Koja, nuk frymëzohet në mënyrë fanatike nga idetë totalitare si kulti i atdheut, i racës, i luftës për të ndërtuar e mbrojtur një komb apo një etni të caktuar. Ai është, më së shumti, mishërim i individit të lirë, që respekton, natyrisht, edhe atdheun, por nuk është peng i paragjykimeve që e lidhin me të. Ai dashuron me pasion si Pupën, ashtu edhe Djanën. Angazhimi i tij në çështjen kombëtare është më shumë i karakterit iluminist dhe jo doemos luftarak.

Ndërsa analizat e Camajt tregojnë se këta shkrimtarë që ishin në anën tjetër të kufirit, pra ata që e kishin braktisur atdheun, kishin një ndjenjë më të çlirët për të dhe sivëllezërit e tyre në Shqipëri. Edhe kur ata ishin mpirë nga entuziazmi socrealist, ata jashtë kufijve i mirëkuptonin.

 

© 2020, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Shêjzat, arkivi digjital Shkodër, viti II i botitmit, nr 1-2, 1958 e deri në nr 11-12, të vitit 1959.http://adsh.unishk.edu.al/items/show/366.

[2] Foqion Postoli, Lulja e kujtimit, shtëpia botuese REKLAMA, Adrion ltd, Tiranë 2010

[3] Fabian Barcata, LULE, Nji histori i vërtetë prej kohës së kaluem të Shqipnis, përkthye prej gjermanishtes prej Karl Gurakuqit, GEER, Tiranë 2001.

[4] Pashko Vasa, Bardha e Temalit, publisher REKLAMA, Adrion ltd, Tiranë 2010

[5] Jusuf Vrioni me Erik Faj, Kujtimet e një europiani, Albimazh, Tiranë 2008.

[6] Shejzat, vep e cituar, nr 1, 2, viti 1958, f. 69.

[7] Shêjzat, 7-8, viti 1958, f. 275

[8] Albert Doja, Dritëhijet e historisë dhe sfidat e shoqërsië, Peizazhe të fjalës, 18 korrik 2020.

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

1 Koment

  1. Nga analiza duket se dilemen e ka pasur Djana dhe jo Jorgji. Ky duket si protagonist anonim, ne kuptimin qe nga pershkrimi i analizes nuk ka asgje, as patriotike dhe as antikomuniste, thjesht nje i ri i zakonshem qe ben jeten e vet, nen kujdesin e vazhdueshem te autorit per t’ia nxjerre geshtenjat nga zjarri. Nga zhvillimi dhe mbyllja duket se ne boten e patriotizmit antikomunist do e fuse Djana. Ne rast se analiza eshte besnike e romanit duket sikur zhvillimet e lidhura me politiken jane thjesht garnitura. Me kujtoi filmin Doktor Zhivago, qe revolucionin e kishte thjesht garniture dhe heroi ishte mjek, qe sheh jeten e vet.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin