nga Mario Loçka
I
Jo më larg se 3 muaj më parë (07/07/2020), në revistën e përmuajshme letrare “Harper’s” në New York, u publikua një letër e hapur në mbrojtje të fjalës së lirë dhe përhapjes me shpejtësi të Kulturës së Të Anuluarit (Cancel Culture), e cila, sipas këtij artikulli, është një rrezik serioz për progresin e mëtejshëm të veprimtarive shoqërore. I titulluar si “Letër mbi Drejtësinë dhe Debatin e Hapur” ky diskurs përbëhet nga 153 firmëtarë, pjesë e të cilit janë emra dijetarësh si: Salman Rushdie, J. K. Rowling, Noam Chomsky, Margaret Atwood etj.
Krijimi i kësaj letre lindi si pasojë e bojkotit masiv që po përjeton aktualisht bota e artit dhe politikës ndaj kritikës së pafalshme dhe denoncimit të hapur nën mëshirën publike. Kjo lloj kulture është pranuar si formë serioze ndryshimi letrar, por edhe si kritikë e dëmshme nga këta studiues. Origjina e këtyre lëvizjeve është perëndimore, por tashmë po pushton të gjithë globin si një formë efektive e adaptimit me erërat e reja.
Për pasojë, e gjithë kritika e mirëfilltë po kaplohet me shpejtësi nga kjo reformë, ndaj vlejnë për t’u ngritur shqetësimet hipotetike se: ku qëndron letërsia shqipe në të gjithë këtë lëmsh? Si do të riformohej ajo dhe sa e gjymtuar do të rezultonte në rast se do të ndjekim të njëjtën metodë ndëshkimi?
Së pari, le të shpjegojmë më në hollësi së çfarë është në rrënjët e saj Cancel Culture dhe sa thellë e ka ndikuar letërsinë botërore. Mosnjohja e këtij koncepti në Shqipëri ka bërë që ende të mos kemi një përkthim të pranuar unanimisht, ndaj mund të tentojmë të përdorim versione të afërta si: “Kultura e të Bojkotuarit”; “Procesi i Anulimit” ose “Eliminimi i Praktikave të Dëmshme Krijuese”. Në këtë tekst, në mënyrë që të jetë sa më i qartë përshkrimi i këtij koncepti, do të përdor akronimin origjinal “C.C”.
Fillesat nisën nga dritarja elektronike e komunitetit afro-amerikan në SHBA, të cilët e përdorën C.C si një mënyrë për të alarmuar masat mbi opresionin, diskriminimin dhe racizmin të cilin po hasnin. Kjo lloj qasjeje ishte një thirrje alarmante për ndihmë ndaj keqtrajtimeve masive ndaj këtij komuniteti, sidomos nga forcat policore. Zhvillimi i jashtëzakonshëm i teknologjisë së komunikimit e ndihmoi këtë lëvizje që të gjallonte dhe të mbeste, arsyeja kryesore ishte të pasurit e dëshmive videografike që e bëri të pamundur hedhjen poshtë të kauzave të tyre. Suksesi i arritur ndaj mureve të racizmit, bëri që C.C të përhapej dhe në fusha të tjera dhe të përdorej si një armë modeste drejtësie në duart e njerëzve.
Të parët të cilët u ndikuan nga zhvillimi i kësaj reforme ishin politika dhe kinematografia. Masat, me anë të kanaleve virtuale, në pamundësi për t’i shembur këta kolosë të medias apo të privilegjuarit në rrugë ligjore, ku mbrojtjet e tyre janë titane, vendosën të ndjekin ndëshkimin e të bojkotuarit të çdo lloj publikimi apo veprimtarie të tyre. Për pasojë, njerëzit humbën interes duke mos u ndjekur asnjë aktivitet, duke mos konsumuar asnjë prodhim të financuar nga ata dhe duke u rrënuar çdo skutë të reputacionit me anë të një forme bullizmi ndaj të pushtetshmëve të cilët abuzonin me pozicionet të tyre.
E veçanta kryesore e kësaj kulture është natyra e pafalshme dhe marrja e drejtësisë morale me mizorí. Kjo lëvizje ka për qëllim arritjen e një shoqërie moralisht të kuratuar, ku askush nuk mund të mangësohet ndaj: dimorfive fizike, diferencave etnike, ku të gjithë janë të barabartë dhe të ndërthurur, ku asnjë seks nuk është superior dhe se koncepti “ka vetëm 2 gjini” është arkaik dhe kualifikues për C.C.
Por qëllimi i këtij teksti mbetet pasojat e letërsisë përballë C.C.
Në kundërshti me simotrat e saj artistike, pavarësisht rrëshqitjeve të herëpashershme, letërsia mbetet ende si mjeti më autentik i esencave psiko-shpirtërore. Në pika të ndryshme të saj, koha ka përcjellë erëra të rënda e të nevojshme duke shkaktuar evolucione dhe revolucione në çdo skutë letrare. Duke mos lënë të përjashtuara as lëvizjet e këtij moti, çdo ndryshim po përjetohet si stuhi.
Autorë të ndryshëm filluan të anulohen për trajtimin e çështjeve me ndjeshmëri publike në narracionet e tyre, keqpërdorimin e një kauze apo mospasjen mjaftueshëm informacion për të shtjelluar një ngjarje me problematika të huazuara.
Të tillë raste kemi autorët:
–Keira Drake me librin e saj “Kontinenti”. Autorja u akuzua për nota raciste dhe ksenofobi. Në ngjarjet e librit ajo lë në duar të privilegjuarve fatin e minoriteteve, duke krijuar stereotipe paragjykuese për njerëzit me të drejta të mohuara.
–Amélie Wen Zhao me librin “Trashëgimia e Gjakut”, e cila u kritikua rëndë për përdorimin e temës së skllavërimit dhe keqinformim të situatës së trafikimit njerëzor në Azinë Juglindore.
–J.K.Rowling, e cila është ende nën dënimin publik për komente të dyshimta ndaj transgjinorëve dhe mungesës së diversitetit etnik në serinë e librave “Harry Potter”.
Por shembulli më i afërt për ne është ai i autorit amerikan Kosoko Jackson me librin e tij “Një vend për ujqër”, i cili pasqyron ngjarje nga lufta e Kosovës së vitit 1999. Protagonistë të ngjarjes janë dy adoleshentë amerikanë me prirje homoseksuale të ndodhur në Kosovë dhe ballafaqimi i historisë së tyre të dashurisë me ndodhitë makabre të asaj kohe.
Libri nuk u mirëprit aspak nga publiku dhe u tërhoq nga botimi për shkak të insensitivitetit ndaj viktimave të luftës dhe autori u akuzua si i painformuar ndaj detajeve të kësaj ngjarjeje, duke e përdorur luftën si një sfond për të dramatizuar historinë e dashurisë së të dy karaktereve, të cilët nuk ishin në asnjë këndvështrim të ndikuar nga ajo situatë.
Tjetër hanxhar që iu dha këtij libri është dhe forcimi i stereotipeve fetare. Antagonisti i veprës është një shqiptar mysliman, i cili kundërshton prirjet e dy të rinjve. Sipas lexuesve, autori forcon paragjykimet ndaj njerëzve me zgjedhje fetare islamike.
Të gjithë veprat e lartpërmendura janë hequr nga botimi ose janë ribotuar me ndryshime të mëdha dhe mund të gjenden vetëm në versione të rralla virtuale. Gjithashtu autorëve u është dëmtuar reputacioni si krijues dhe disa prej tyre kanë humbur mundësi për të vazhduar karrierat botuese, pavarësisht shfajësimeve që u janë dashur të kryejnë publikisht. Ata tashmë konsiderohen si të “anuluar” dhe lexuesit e kanë të humbur interesin për të ndjekur më tej krijimet e tyre.
Por sa kohë do të duhet derisa ky trend të mbërrijë në hapësirat e letërsisë sonë?
Brezi i letrarëve të rinj duket se e ka përqafuar menjëherë këtë formë kritike. Efektiviteti i saj ka bërë të mundur që të arrihet në tentativat e një pastrimi letrar në transformim cilësor, por duke sjellë këtu edhe rrezikun e marrjes në konsideratë të mendimeve të pakalitura nga studiues në tentativë, të cilët mund të dëmtojnë pjesë të rëndësishme krijimtarie si moskonformizëm të idealeve personale të papërgjithësuara.
Lë të marrim përsëri në situatë hipotetike, raste që do të mund të çonin në C.C në letërsinë shqipe. Si do të trajtohej krijimtaria jonë nëse kjo kulturë do penetronte praktikat e saj në të. Më poshtë do të trajtoj elemente të caktuara nën parimet e C.C, bazuar në pasojat e deritanishme që kam mundur të dëshmoj në studimin e saj. Do të bëj përpjekje për një objektivizëm në shtrirjen e normave të C.C, si synim përfundimtar në parandalimin dhe gjetjen e një zgjidhjeje për të mbrojtur letërsinë tonë.
Dy shembujt e marra në studim i përkasin letërsisë folklorike shqipe, duke mos dashur të përzgjedh pjesë nga letërsia e shkruar, ku keqkuptime të pavenda apo tentativa për bujë zhurmuese, mund të rezultojnë në vënie pikëpyetjesh të karrierave të ngritura me mund.
II
Kompleksi i parë i cili dua të nxjerr nën gjykim është përralla “E bija e Hënës dhe e Diellit”. Sipas meje, problematika kryesore e këtij realizmi imagjinar të folklorit tonë letrar është “antagonizmi i keqkuptuar”.
Në rikujtesë sipërfaqësore: “E Bija e Hënës dhe e Diellit” rrëfen historinë e trimit, i cili merr rrugët për një udhëtim gjuetie. Ai këshillohet nga e ëma që të shmangë vetëm një kodër të caktuar ku strukej një kuçedër e pamposhtur, por nxitet nga vasha e zemrës që të kryejë gjuetinë e tij vetëm në atë kodër. Ai ndjek zërin e dashurisë dhe ndeshet me këtë kuçedër duke humbur betejën. Trimi i kërkon këtij përbindëshi që ta lejojë të marrë uratën tek nëna e tij duke i dhënë besën se do të rikthehej për t’u bërë gosti. Kuçedra e lejon dhe ai i jep lamtumirën nënës, por vasha e zemrës vendos t’i bashkohet në kthimin e tij tek kuçedra, ku si përfundim rezulton se vasha kishte fuqi ta mundte këtë përbindësh sepse ishte e bija e Hënës dhe e Diellit, pika e qiejve që bie kudo. Kuçedra futet nën dhé dhe të gjithë jetojnë të lumtur.
Janë disa pika boshe të cilat mund të nxirren pah në këtë përrallë. Problemi i mundshëm që dua të analizoj është zhvendosja e antagonizmit nga kuçedra tek vasha.
Kuçedra (Kulçedra, Kulshedra ose Bolla), është figurë mitologjike në folklorin tonë, e cila zakonisht gjendej në ujëra ose livadhe. Sipas besimeve të zonave veriore të Shqipërisë, kjo krijesë kalonte në një metamorfozë, nga një gjarpër, në bullar, më pas në ershajë dhe si formë përfundimtare kishte transformimin në kuçedër. E gjitha kjo ndodhte sipas një procesi shekullor ku ky serpent qëndronte i fshehur nga njerëzit deri në arritjen e plotë të fuqisë.
Sipas kësaj përralle është e qartë se dëmtuesi i ngjarjeve është kuçedra. Përshkrimi fizik sipas versionit zyrtar është:“ …e madhe me shtatë krerë dhe shtatë brirë, me sytë si pishtarë të ndezur, me gojën sa një shpellë, me flatra në kurriz si krahët e lakuriqit të natës, po shumë të mëdha. Nxirrte tym e flakë të verdhë nga goja.”
Por çfarë e bën kuçedrën e portretizuar si një përbindësh një personazh jo negativ?
Veprimet e saj janë toleruese dhe në kundërshti nga sa pritet prej këtyre përbindëshave të tmerrshëm. Një kuçedër që portretizohet si terrorizuese e njerëzve, gjen vend për mëshirë ndaj trimit që synonte ta vriste. Edhe pse lejimi i marrjes së uratës i vendoset rrëfimit për të treguar rëndësinë e dhënies së besës tek shqiptarët, përsëri portretizimi negativ që i mbetet krijesës është i dyshimtë. Madje edhe vetë kuçedra tregon dhënie bese në fund të përrallës, ku premton se do të futet nën dhé përgjithmonë.
Faktor tjetër ndihmues i zbutjes së mendimit ligësues ndaj kuçedrës janë veprimet e trimit. Ishte ai që e “shqetëson” rehatinë e saj, kuçedra nuk ndërhyn në jetën e njerëzve, asaj i duhet vetëm që të mbrojë territorin nga gjuetarë të cilët i prishin qetësinë. Bëhet e ditur që në fillim të përrallës, me anë të fjalëve të nënës, se ekzistonte një formë dakortësie ku njerëzit nuk duhet t’i afroheshin kodrës së banuar nga ky përbindësh.
Kuçedra në formën mitike të saj portretizohet si krijesë me 7 kokë. Simbolet numërore janë gjithmonë të rëndësishëm në përralla e krijimtari popullore. Numri 7 është konsideruar si numër pozitiv i lumturisë, rigjenerimit dhe perfeksionit, ky numër përfaqëson lidhjen me universin, mbetet simbol i rëndësishëm edhe në shumë besime fetare, duke u lidhur me 7 nivelet e ndërgjegjes njerëzore.
Nëse për një moment shmangim së lexuari përshkrimet fizike të personazheve dhe bazohemi vetëm tek veprimet e tyre, atëherë ky rrëfim do të merrte një tjetër drejtim. Janë disa të dhëna kryesore që na tregojnë se vasha është në fakt antagonistja e veprës.
Së pari kemi hapjen e ngjarjes kur trimi niset në gjueti dhe nëna e këshillon që të shmangë kodrën e kuçedrës. Vasha kundërshton zërin e arsyes dhe e sfidon trimin ta ndërmarrë atë kodër. Nuk jepen shpjegime se përse vasha e kërkon këtë gjë, përveç hamendësimeve se kjo është sakrificë e panevojshme dashurie. Rrëfimi na qartëson se askush nuk ka dalë i gjallë nga kurthi i kuçedrës dhe nxitja e vashës për në këtë hon është e dhënë e mjaftueshme për të demaskuar qëllimet e saj, të cilat bien ndesh me portretizimin e një personazhi pozitiv.
Tjetër e dhënë ndihmëse e kësaj hipoteze mbetet dhe varësia joreciproke e dashurisë së trimit me vashën. Ndërkohë pasqyrohen shumë momente ku trimi tregon afeksionin e tij: “Trimi e donte shumë vashën e bukur e nuk ia shkelte kurrë fjalën”; “Ti më ke falur kaq ngazëllime me bukurinë tënde e me buzëqeshjen tënde sa shkoj në vdekje pa asnjë pengesë”.
Diçka e tillë nuk reflektohet nga ana e vashës, në zhvillimin karakterial të së cilës nuk vihen re shprehi afeksioni përveçse teknikalitete afërsie: “Të kisha pasur moj e bukur, tri jetë, do t’ia falja të tria kuçedrës që ti të shpëtoje e të ktheheshe përsëri në shtëpi e të rroje e lumtur. Ajo e vështroi tërë gaz. – Edhe pa ty? – Qoftë edhe pa mua… – Kaq shumë më do? – Shumë”.
Arsyet kryesore ndaj të cilave ne vendosim në pozicion pozitiv vashën dhe në pozicion negativ kuçedrën, mbeten pamja fizike e tyre. Nuk duhet lënë pa përmendur më tej edhe shumëllojshmëria e metamorfozës së një kuçedre në formën përfundimtare të saj. Sipas besimeve të Dukagjinit në Kosovë kuçedra gjithashtu merrte dhe formë njerëzore duke u fshehur pas një fytyre të bukur femërore. Po në besimet e veriut, këto lloje përbindëshash arrinin të zotëronin të dy elementet e Diellit dhe të Hënës.
Në kulmin e zhvillimit të ngjarjeve dëshmojmë elemente të mbinatyrshme të vashës, duke hedhur nën dhé kuçedrën dhe duke e deklaruar veten si bijë të Hënës dhe të Diellit. Këto veprime na tregojnë se në fakt, vasha është gjithashtu një kuçedër në formë edhe më të zhvilluar se sa krijesa e portretizuar si përbindësh. Në folklor elementi i Hënës, përtej fertilitetit dhe zgjimit të pasioneve, lidhet gjithashtu dhe me manipulimin mendor dhe ndikimin e psikikës njerëzore. Elemente që më së miri shpjegojnë edhe varësinë e pakundërshtueshme të trimit ndaj vashës.
Pra kjo përrallë, mund të bjerë pre e C.C për paralelizmin e portretizimit të shëmtisë fizike me ligësinë e brendshme, e duke lidhur kështu paragjykimin se bukuria lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me një shpirt pozitiv. Këto çështje mund të tentojnë të anulojnë përrallën për diskriminim fizik dhe dhënie idealesh të gabuara që në vegjëli. Mund të shkaktojë pasiguri gjatë rritjes së fëmijëve duke u fokusuar vetëm tek pamja fizike, sepse sipas përrallës ajo meriton të adhurohet, vlerësohet dhe besohet pa u vënë në dyshim.
III
Një tjetër përrallë të cilën kam vendosur ta nxjerr përpara gjyqit të C.C është dhe “Gërzheta.” Ky krijim popullor tregon historinë problematike të dashurisë ndërmjet një njeriu dhe një floçke ujërash. Ekzistojnë një sërë shqetësimesh morale të cilat shkaktojnë mrrudhje vetullash në këtë përrallë.
Për rikujtesë: “Gërzheta, një nimfë e bukur uji, rrëmbehet nga një barí delesh me ndihmën e vëllezërve të tij dhe mbahet nën zinxhirë për të mos e lënë t’u shpëtojë. Fillon të jetë pjesë e një jete të cilën ajo u detyrua ta ndiqte, në një martesë pa konsensus me admiruesin e saj, duke pasur kështu dhe një fëmijë bashkë. Gërzheta vendosi të mos fliste kurrë deri në momentin që bashkëshorti e kërcënoi se do t’i therte djalin e porsalindur. Pasi theu premtimin e heshtjes Gërzheta fitoi besimin e tyre dhe lirinë e munguar. Ajo e shfrytëzon këtë moment të shumëpritur duke marrë arratinë përgjithmonë për në botën nga e cila vinte”.
Problemi kryesor që ndeshim është mungesa të drejtës së Gërzhetës për të zgjedhur fatin e jetës së saj. Elementi i rrëmbimit për përfitimin e vëllait të vogël është i paarsyeshëm dhe i pafalshëm në çdo standard të sotëm. Martesa pa konsensus dhe mospasja e lirisë që Gërzhetës iu desh të përballonte është edhe pasqyrim i mungesës së të drejtave të femrave në kohët arkaike të Shqipërisë.
Rebelimi i vetëm që Gërzheta arriti të mbante ishte praktika e heshtjes, e cila justifikohet me elemente surreale të përrallave: “Edhe katër ditë të kisha qëndruar pa folur do të më kishin dalë nga liqeni të gjitha pasuritë që kisha atje dhe tani që më detyruat të flas para kohe, humbën një herë e përgjithmonë dhe s’kanë për t’u bërë kurrë tuajat.”
Ky betim i Gërzhetës prishet nga bashkëshorti i saj, me kërcënimin e tmerrshëm të sakrifikimit të fëmijës së tyre.
Përkeqësimi i figurës së bashkëshortit vazhdon e rritet gjatë gjithë përrallës. Rrëmbimi, martesa e detyruar, kërcënimi për therje të një foshnje, e zhveshin Gërzhetën nga çdo trajtim i denjë ose i barabartë në historinë e tyre. Ai mbetet shembulli i përsosur i normalizimit të veprimeve të papranueshme nga shoqëri të udhëhequra prej idealeve të burrërive mbytëse.
Në këndvështrimin e C.C kjo përrallë dhunon çdo të drejtë femërore dhe i vë meshkujt në stad superioriteti. Të tilla elemente janë të pafalshme në prizmin e kësaj kulture, ku problematikat e femrave janë pjesa më e nxehtë e luftës së përgjithshme. Përdorimi i këtij rrëfimi që në vegjëli krijon stereotipe traumatike në mendësinë e të vegjëlve, duke mbjellë parime të gabuara në perceptimet e pazhvilluara të fëmijëve. Pasojat e këtyre mendësive vihen re ndjeshëm në rritjen e tyre, duke qenë faktor ndihmues në përkeqësimin e progresit të harmonisë gjinore në vend.
IV
Pas analizës së përgjithshme që u ekzekutua më lart a mund të themi se C.C po shkon shumë larg? Shembujt e marra nga folklori si do të zbatoheshin nëse ua faturojmë titujve me përkatësi autoriale?
Vjetërsia e ngjarjeve nuk i shpëton këto vepra nga të rënit pre e C.C. Situatë e ngjashme është Rrëfenja e Genxhit (The Tale of Genji), historia më e moçme letrare në Japoni, shkruar në vitin 1008, autorja besohet të jetë Murasaki Shikibu. Pavarësisht rëndësisë që kjo vepër ka në historinë dhe letërsinë japoneze, lexuesit e sotëm e kritikojnë rëndë për ngjarjet që trajton, sidomos në pasqyrimin idilik që i bëhet martesës së personazhit kryesor me një vajzë 8 vjeçare.
Arsyet për të anuluar një vepër mund të nisen dhe nga problematika të jetës personale të autorit, të një të shkuare të dyshimtë, apo të një ligjërate të pamenduar mire. Elemente këto të cilat mund të mos jenë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me artin dhe talentin e personit, por me përgjegjësinë njerëzore të tij për të mos ngacmuar ideale që dëmtojnë individë të tjerë. Nëse anulojmë autorin, a duhet të anulohet dhe vepra? Nëse një vepër duhet harruar, a meriton autori t’i jepen mundësi të tjera krijuese?
Mendoj se C.C është një dukuri e nevojshme që duhet të gjallojë edhe në letërsi, por me një filtër të patolerueshëm. Ajo duhet t’i shtrijë tentakulat atëherë kur autorët që janë ende krijues aktivë përzgjidhen si kandidatë për t’u anuluar, si pasojë e prodhimeve të qëllimshme me natyrë polemike e keqinformuese për synim zhurmën dhe vëmendjen. Veprat autoriale mbeten në duar të vetë autorëve që të mbrohen nga C.C, ndërsa letërsia gojore është përgjegjësi e të gjithëve ne që të ruhet dhe shpjegohet.
Letërsia folklorike dhe ajo autoriale e së shkuarës nuk duhen anuluar kurrsesi. Pavarësisht se sa të rënda janë tematikat sociale që trajtohen, apo këndvështrimet që nuk i përputhen moraleve të sotme. Eliminimi i cilësdo trajte të stereotipeve të kohërave të caktuara është i barasvlershëm me mohimin e ekzistencës së këtyre fenomeneve. Ato duhet të qëndrojnë në kontekstin e caktuar për të na treguar pjesë të së shkuarës sonë që nuk mund dhe nuk duhen zhdukur në interpretimin historik apo rikthyer në praktikat e së tashmes, si të vetmen mënyrë për të pasur progres.
Mendoj se në çdo botim që i përket një tradite të ezauruar duhet të ekzistojë një prolog shpjegues ku të bëhet e ditur se ngjarjet dhe personazhet e konflikteve të zhvilluara janë të krijuara sipas mentaliteteve dhe kohërave të caktuara dhe se çdo problematikë shqetësuese nuk është reflektim i mendësisë popullore të tanishme tek ne. Në këtë mënyrë, me pranimin e kësaj forme kritike, do të mund të shmangim tentativat për anulim dhe eliminim aksidental të veprave të rëndësishme në letërsinë dhe historinë tonë.
Ende mbetet për t’u parë nëse ky analizim i imtë i detajeve të perfeksionizmit moral do ta dëmtojë kritikën e vërtetë apo jo. Jo shumë larg prej tani do të hasemi në mes udhëkryqeve të vënies së limitit imagjinar dhe rrezikut të eliminimit të provokimit letrar. Ky spastrim masiv do e rigjallërojë letërsinë apo do e zbrazë esencën e saj?
© 2020, Mario Loçka. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: titulli është i redaksisë. Titulli origjinal: “Letërsia në këndvështrimin e ideologjive të sotme: Antagonizmi i keqkuptuar dhe normalizimi i traditave traumatike në folklorin shqiptar”.
Shtatë kokët përfaqësojnë shtatë mëkatet kardinale.
Kjo ese për mua është propagandë subversive dhe perverse, e frymëzuar nga dëshira e mllefosur për të shkatërruar kulturën dhe diversitetin e saj në planet. Pra, çdo dije që njerëzimi ka grumbulluar falë eksperiencës kolektive ndër shekuj – si, për shembull, ideja që kuçedra është bisha që duhet mposhtur për të siguruar një jetë të paqtë dhe të sigurtë (bildungsroman/ coming of age)- na u dashka tashmë korruptuar për hir të rehabilitimit dhe normalizimit të së keqes (kuçedrës/ bishës). Problemet dhe ligësia e shoqërisë (jo vetëm) shqiptare sot, nga pikëpamja popullore mund të identifikohen lehtësisht me kuçedrën dhe kurrësesi me trimin. Dhe nëse nuk zgjidhen problemet kjo vjen ngaqë nuk ka trima me tagrin moral të nevojshëm për t’ia këputur kokat dhe jo sepse kuçedrës i qenkësh berë padrejtësi. Nëse cancel culture, blm, apo antifa arrijnë ndonjëherë të kenë këllqet e trimit për ta kapur kuçedrën prej brirësh në vend që të shkatërrojnë qytetërimin perëndimor atëherë bujrum dhe t’ia dëgjojmë alternativën ndaj të bukurës apo kulturës, nëse kanë. Ndërkohë le të mbajnë përgjegjësinë e shëmtisë së qëllimshme, erozionit të vlerave, dhe promovimit të antivlerave.
Gjithmonë nëse i kanë dalë mustaqet për të pasur sens përgjegjësie.
Cancel culture nuk lindi nga BLM. Para BLM ishte transgender, para saj ishte LGBT, para saj ishte homoseksualizmi, para saj ishte free seks,, para saj ishte feminizmi toksik, para saj ishte ateizmi etj etj etj. BLM eshte vetem maja me e re e shpates se postmodernizmit qe filloi si levizje postclirimtare ne vitet 60 dhe po perfundon si levizje postotalitare ne vitin 20 ashtu sic fillon e mbaron cdo levizje tumoriale revolucionare qe ne fund vdes krijesen qe e ushqen. Problemi eshte sa do te kete ngrene kucedra para se te vdese dhe si do perdoret floriri qe dragoi ruan pasi ta kene vrare. Wait and see.
Autor, te lutem verifikoje me kujdes, kesaj qe thoni juve i thone Cancer Culture, jo Cancel Culture.
Kur vjen puna tek letersia, ndoshta do te ishte mire qe kete fllusken e cancel culture, ta shikojme krahas perpjekjeve simotra te decolonization dhe riformulimin e cannon literature per te qene me perfshirese. Mendoj se duke patur keto dy qasje ne mendje, do te mund te ndertohej nje debat edhe me praktik dhe shterues per rrethanat tona.
Pershembull, ka perpjekje te vazhdueshme nga zera te ndryshem qe te rishqyrtohen tekstet letrare ne shkolle ku dominon tradita e realizmit socialist – ashtu si dhe ne film, ku debati ka qene edhe me i ashper, me protagoniste si A. Tufa ne krye. Ne te njejten vije, kemi nderhyrjet e I. Kadare ne vepra per te pastruar orientalizmat. Lexova nje shkrimtare te justifikoje riperkthimin e Tom Sawyer duke argumentuar se versoni i meparshem i A. Klosit kishte shume turqizma. Perpjekje per dekolonializim te shqipes apo anullim apo nje perpjekje qe i sheh turqizmat si te demshme ne identitetin tone europian?
Tani se fundmi, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, ne nje debat ne Real Story mbi Kadarene, shkoi aq larg sa te paraqiste cdo lloj kritike ndaj Kadarese si kulture e anullimit. Ajo cka sot ka dal ne shesh si vale anullimesh deri dje ishte levizje qe kryesisht dominonte ne qarqet kritike e akademike. Mua nje nderhyrje per te reduktuar nje debat 30 vjecar rreth Kadarese si vetem nje dukuri e kultures se anullimit tani vone me duket me problematike se vete perpjekjet reale qe mund te shfaqen neser pasneser per te anulluar Kadarene. Nese do te ndiqnim arsyetimin e znj. Bardhyli, dhe debati per N. Jorgaqin mund te shikohej si nje tentative anullimi te ketij shkrimtari nga Tufa & Co. A dallon kjo nga nderhyrja e A. Tare pak me pare ndaj Camaj dhe Koliqit?
Gjithsesi, kultures shqipe i mungon cdo lloj reagimi virtual ne mase qe mund te coj drejt deplatforming qe eshte edhe qellimi i levizjes per te anulluar. Thene kete do duhet nje perpjekje reale per te mbrojtur te drejten e kritikes, debatit, analizes dhe veprimit nga turmat qe kete taktike e kane si bisturi per te (jo vetem) te asgjesuar me zhurme.
Ne fillim pohohet se keto perralla percojne ide te demshme qe rrezikojne te lene femijet cyryke nga mendja:
“Në këndvështrimin e C.C kjo përrallë dhunon çdo të drejtë femërore dhe i vë meshkujt në stad superioriteti. Të tilla elemente janë të pafalshme në prizmin e kësaj kulture, ku problematikat e femrave janë pjesa më e nxehtë e luftës së përgjithshme. Përdorimi i këtij rrëfimi që në vegjëli krijon stereotipe traumatike në mendësinë e të vegjëlve, duke mbjellë parime të gabuara në perceptimet e pazhvilluara të fëmijëve. Pasojat e këtyre mendësive vihen re ndjeshëm në rritjen e tyre, duke qenë faktor ndihmues në përkeqësimin e progresit të harmonisë gjinore në vend…”
Por pastaj pavaresisht ideve te demshme qe percojne nuk duhet anulluar:
“..Letërsia folklorike dhe ajo autoriale e së shkuarës nuk duhen anuluar kurrsesi. Pavarësisht se sa të rënda janë tematikat sociale që trajtohen, apo këndvështrimet që nuk i përputhen moraleve të sotme..”?!!
Pra a duhet te vazhdojme tu tregojme kalamajve gjera te tilla?!
Po per letersine e realizmit socialist qe mbushi trute e miletit me helm ? Duhet lene pa anulluar psh komedia ;prefekti” e cila zgerdhihet me personazhe reale fati i te cileve ishte tragjik vetem se autori i saj ka vdekur?
Mua personalisht, pa hyre ne shume te thella, me habit fakti qe po ata njerez qe glorifikojne Jorgaqin duke e paraqitur venien e tij ne sherbim te Sigurimit si nje detyre qytetare dhe per t’u lavderuar, denigrojne Camajn dhe Koliqin si spiune te Sigurimit. Dhe nga ana tjeter eshte nje grup qe nuk le ndyresi pa i hedhur Jorgaqit si spiun i Sigurimit, gjithe duke e neglizhuar kete aspekt per Camajn dhe Koliqin me pretendimin se arti i tyre eshte ai qe ka rendesi dhe e gjithe ndodhia me Sigurimin eshte nje incident kalimtar qe as nuk vlen te permendet per keta kolose te letrave shqipe.
Ne keto kushte sado te mundohesh te jesh objektiv, eshte e veshtire t’i japesh te drejte ndnje prej ketyre grupeve, ne mos je i predispozuar me njeren prej paleve, Nuk jam shume i sigurt por mendoj se ne te dy rastet kemi manifestimin e CC ne menyren me gerthitese te mundshme, madje kjo me duket si esenca e CC, pavaresisht nga krahet politiko-ideologjike te protagonisteve, si te atyre qe shahen, si te atyre qe shajne, qe konsiston ne perdorimin e cdo lloj arsenali sharjesh, denimesh, persekutimesh, denigrimesh, aq sa po te distilosh te gjithe diskursin ne fund te fundit do te mbetesh me nje grusht hiçi.
Pergjithesisht, cfare do qe mund te ndodhe me letersine dhe artin shqiptar, argumenti me i mire kunder CC eshte se ajo vete duket si nje shprehje e sofistikuar e thenies se vjeter popullore “mendja e sotme e qesh gjithnje mendjen e djeshme”.
Janë njerëz të mësuar me double-think (Orwell): aftësia për të pranuar dhe përvetësuar dy mendime ose qëndrime kontradiktore në të njëjtën kohë. Kur nuk janë njerëz që mbajnë qëndrim që pa e marrë vesh akoma se për se është fjala.
Te te akuzojne per spiun te Sigurimit dhe UDB-se duke qene I arratisur nuk eshte njesoj me te te akuzuaret si spiun i Sigurimit nderkohe qe je ne Shqiperi dhe je edhe anetar me teser i PPSH-se.
Nuk ka kontradikte ketu. Kete mund te na e shpjegoje cdo kosovar i lindur rreth viteve 40-50. Ndoshta dhe me vone…
Cancel Culture ( CC) eshte nje nga elementet e kakofonise se kohes.. Kjo e fundit pastaj,eshte nje nga elementet e relativizmit moral, qe ka depertuar ne shoqeri, kulture dhe mendim, ku zor se dihet se ne cfare forme do te evoloje dhe shfaqet, me kohen. Ne kete kendveshtrim, mund te thuhet se ka nje kontradikte brezash qe , per mendimin tim, do vije duke u thelluar. Nese sot anullohet, surpreset, anashkalohet, injorohet, cmonetizohet cdo lexim, interpretim apo krijim qe shkon ndesh me perceptet morale te kohes, atehere cfare mund te ndodhe kur mendimi i sotem, do te tejkalohet ne nje te ardhme te hershme apo te vonet
Deri tani (deri para 15-20 vjetesh)kushdo qofshin rrethant historike, apo kohore, kuptimi, spjegimi apo mesimi i gjithe kanonit kultural ishte i bazuar ne pritshmerine qe te gjithe , si krijuesit, ashtu edhe konsumuesit/ perdoruesit e dinin se per cfare behet(sh) fjale. Pikat e referimit ishin te palevizshme. Sekush merrte, jepte apo linte ate cka i dukesh me vlere, dhe me pas vazhdonte rrugen e vet. Por jo me. Psh, lexoja per reagimin qe kish ngjallur ne social media fakti se aktoria qe ishte zgjedhur te luante rolin e Kleopatres se Egjyptit, ne projektin e nje filmi te fundit mbi jeten e mbretereshes se Egjypti, ishte e bardhe. Simbas kritikeve, duke qene se Egjypti ishte ne Afrike, edhe Kleopatra duhet te kete qene afrikane. Qe ketu, edhe kritika dhe rikonfirmimi edhe njeheret tjeter per kete cultural appropriation te te bardheve ndaj afrikaneve. Dhe mungesa e dijes se Kleopatra ishte e bardhe, dhe krijese e kultures klasike greke.
Pasojat e nje gjendje te tille, jane te natyres personale, shpirterore, dhe intelektuale. Jane, deri ne nje fare mase, te padukshme. Ti e mbyll gojen, mbyll syte, pershtatesh, jeton, mbijeton dhe aq. Deri tani.
Por boshlleku dhe injorance qe do perftohet nga krijimi dhe mbajtja e nje “klime” te tille, do te shnderrojne dhe do i japin permasa materiale ketij atrofizimi te mendjes.
U desh vetem nje brez per te arritur e vene ne pikepyetje kulturen perendimore dhe qyteterimin e ngritur mbi te.