Gjatë viteve të regjimit totalitar në Shqipëri – në vija të trasha, 1945-1990 – u shkrua letërsi shqipe si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e shqiptarëve: me qindra e qindra vëllime poetike, romane, tregime dhe novela, drama dhe kritikë letrare, të cilat vepra i përkisnin, ose të paktën ishin të detyruara t’i përkisnin realizmit socialist, si metodë letrare.
Letërsia shqipe e realizmit socialist vërtet zuri fill “zyrtarisht” që me marrjen e pushtetit nga komunistët, fill pas mbarimit të Luftës II Botërore, por pjekurinë e arriti dikur nga fundi i viteve 1960, së bashku me shkrimtarët e saj më të shquar dhe më të zotët, si Ismail Kadareja dhe Dritëro Agolli, të cilët i dhanë pushtetit, dhe lexuesit, vepra që sot e kësaj dite vlerësohen si artistikisht të arrira.
Paradoksalisht, shumë nga këto vepra, që nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur” e deri te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, e futën në krizë metodën e realizmit socialist. Ka akoma ndonjë që, sot e kësaj dite, mendon se një paradoks i tillë provon që një vepër nuk mund të ishte njëkohësisht edhe e realizuar mirë, edhe t’i përkiste një metode të ngurtë dhe artificiale, si realizmi socialist.
Por më shumë gjasa ka që veprat më të mira të asaj kohe të jenë krijuar pikërisht në përpjekje për t’ia testuar metodës limitet dhe shtrëngimet, siç ndodh zakonisht me sistemet dogmatike dhe reagimet e artit ndaj tyre.
Në çdo rast, sistemi i përftimit dhe i konsumit të veprave letrare të asaj kohe i nënshtrohej i tëri dhe me detyrim synimeve të regjimit; dhe pikërisht, që letërsia e botuar duhej t’i shërbente edukimit komunist të masave punonjëse dhe krijimit të “njeriut të ri.” Çdo vepër që botohej në atë kohë rishtas dhe që shitej në libraritë anembanë Shqipërisë duhej ta plotësonte këtë kriter; përndryshe nuk duhej të ishte botuar.
Për të njëjtën arsye, regjimi subvenciononte një shtresë krijuesish, mes tyre një numër shkrimtarësh të zgjedhur, duke i mbajtur me rrogë në profesion të lirë dhe duke i nxitur të krijonin sa më shumë vepra të realizmit socialist; jo sepse kjo i shërbente lexuesit ose kulturës, por sepse ashtu ndihmohej ndërtimi i socializmit në Shqipëri.
Vetë letërsia kontrollohej tërësisht nga ideologjia; dhe ishte e detyruar të pasqyronte dhe të riprodhonte, në përmbajtje, të gjitha dogmat ideologjike të momentit; përndryshe do të mbetej e pabotuar. Kontrolli ideologjik ndaj letërsisë dhe i organizatave të PPSh-së ndaj shkrimtarëve dhe artistëve ishte vetvetiu i ashpër, sepse vetëm ashtu mund të garantohej që shkrimtarët dhe artistët të mbeteshin “ndihmës të Partisë për edukimin komunist të masave punonjëse.”
Shumë qytetarë të Shqipërisë së sotme, që nuk e kanë jetuar as përjetuar atë periudhë, nuk e kanë shumë idenë se si funksiononte sistemi letrar dhe çfarë roli luante letërsia në indoktrinimin e lexuesve. Fajin dhe përgjegjësinë për këtë e ka shkolla, por edhe mass mediat dhe në përgjithësi shoqëria, e cila nuk duket ta çajë shumë kokën, për të mirëmbajtur përmasën kohore, ose diakronike në letërsi.
Kjo shkëputje e së sotmes nga e shkuara dhe pamundësia e së tashmes për ta përfytyruar veten si produkt të një historie të caktuar ka dhënë efekte të ndryshme, ndonjëherë të kundërta. Një nga këto efekte, është që letërsia e realizmit socialist pothuajse ka dalë nga vëmendja e lexuesit, me pak përjashtime të njohura, si vepra në prozë e Ismail Kadaresë.
Ky eklipsim ka ndodhur krahas me eklipsimin e përgjithshëm të librit në jetën kulturore të publikut; sepse shumë nga lexuesit e djeshëm sot parapëlqejnë ta kalojnë kohën në Internet ose para televizorit; çfarë do të thotë se letërsia e realizmit socialist nuk ka dalë nga skena ngaqë ka qenë e realizmit socialist, por ngaqë lexuesit shqip nuk para lexojnë më. Provë e tërthortë për këtë hipotezë do të ishte gjallëria e ruajtur e filmave të Kinostudios “Shqipëria e re”, të cilët kanë qenë edhe më skematikë dhe të indoktrinuar se letërsia e kohës; çfarë nuk i ka penguar që ta ruajnë dhe ta riprodhojnë publikun e tyre.
Efekti tjetër, edhe më tinëzar se i pari, ka të bëjë me çfarë pret sot prej letërsisë bashkëkohore kultura dhe institucionet e saj drejtuese. Nëse dje regjimi totalitar nuk e fshihte interesimin e vet të drejtpërdrejtë ndaj dukurisë letrare, meqë prej veprave kërkonte që t’i shërbenin ideologjisë sunduese, sot shkrimtarët e mendojnë veten të lirë të shkruajnë çfarë të duan, gjithë duke shpresuar se lexuesi do t’ua njohë dhe do t’ua vlerësojë këtë lloj lirie, siç u shprehet dhe mishërohet në krijimet e tyre dhe siç promovohet prej këtyre krijimeve.
Ndërkohë, edhe pse realizmi (jo socialist) si metodë letrare mbizotëron për shumë arsye, ideologjia e djeshme e imponuar forcërisht nga regjimi totalitar sot nuk vepron më – për t’u zëvendësuar nga humanizmi, nihilizmi ose ndonjë formë tjetër ideologjie soft ose kitsch, të cilën autorët bashkëkohorë nuk e lënë t’u ndërhyjë në procesin krijues, përveçse në mënyrë të kufizuar dhe të kontrolluar.
Mirëpo një gjë është të shpallësh çlirimin nga një lloj ideologjie, moniste dhe dogmatike; dhe një gjë tjetër ta çlirosh vërtet letërsinë nga të gjitha ato forca sociale, politike dhe kulturore që duan ta kontrollojnë. Në fakt, edhe atëherë kur shkrimtarët vetë besojnë se janë të lirë të krijojnë çfarë të duan dhe si të duan, shoqëria ende nuk është çliruar nga vizioni i djeshëm instrumental për veprën letrare; në kuptimin që ajo vazhdon ta vlerësojë këtë vepër sipas shërbimit që ajo i ofron një kauze tjetër, e cila gjykohet si supreme, ose si të paktën më e lartë se ajo letrare.
Ky nënshtrim i vlerave letrare ndaj një sistemi tjetër vlerash, këtë herë fund e krye ideologjik, nuk është i ri; dhe as është trashëguar thjesht nga periudha e monizmit letrar. Përkundrazi, i ka rrënjët që në fillimet e letërsisë kombëtare, kur veprat gjykoheshin më parë sipas rolit të tyre në “zgjimin kombëtar” të shqiptarëve dhe në lëvrimin e gjuhës shqipe dhe në edukimin e “djalërisë” shqiptare; dhe vetëm më pas e po t’u vinte radha, për nga vlera letrare mirëfilli.
Letërsia e Rilindjes, për të sjellë shembullin më tipik, ishte në masë të madhe e vënë në shërbim të çështjes kombëtare dhe vetë autorët e saj kryesorë e shihnin veten si apostuj të kombit; çfarë edhe shpjegon pse një pjesë e mirë e letërsisë shqipe deri vonë ka vuajtur nga didaktizmi dhe skematizmi dhe folklorizmi; në kuptimin që sot nuk mund të lexohet thjesht për kënaqësi, në daç estetike në daç intelektuale.
Edhe pas 1990-ës, me venitjen e plotë të ëndrrës dhe të projektit komunist, ishte ideologjia kombëtare në format e saj nga më të ndryshme, herë vulgare dhe herë të sofistikuara, që ia zuri vendin enverizmit të djeshëm; në kuptimin që si kriter për vlerësimin e letërsisë së krijuar rishtas u përdor suksesi i një vepre letrare jashtë Shqipërisë, ose prezantimi i mirë që ia bënte Shqipërisë – dhe shqiptarisë – letërsia.
Kështu letërsia shqipe do të përfytyrohej si një industri që ose punon ekskluzivisht për eksport, ose prodhon produkte irrelevante.
Arsyet e këtij involucioni shkojnë më tej se thjesht mbijetesa e një sistemi të tillë kulturor, ku çdo vepër dhe çdo produkt gjykohen para së gjithash nga masa me të cilën i shërbejnë një kauze tjetër, “madhore.”
Rol të madh ka luajtur në këtë mes edhe mungesa e një kritike letrare të mirëfilltë, ose të tillë që të ndërmjetësojë midis autorëve, shtëpive botuese dhe lexuesve; por edhe të mirëmbajë lidhjet midis së sotmes dhe traditës, përtej nivelit foshnjor të recensioneve që shoqërojnë botimin e një vepre.
Rol sërish të madh ka luajtur edhe preteksti ose alibia e ekonomisë së tregut; ose ideja e çuditshme se një vepër letrare, për më tepër në një gjuhë me aq pak lexues si shqipja, mund madje duhet të jetë ekonomikisht fitimprurëse; çfarë i ka stresuar marrëdhëniet e autorëve me botuesit, por edhe marrëdhëniet e autorëve me lexuesit, që shpesh nuk i përballojnë dot çmimet e larta të librave.
Botuesit, që janë në treg për të fituar para, kanë nevojë të hedhin në qarkullim sa më shumë produkte të reja, të cilat promovohen me përparësi ndaj atyre më të vjetrave, si të ishte fjala për modele çizmesh ose produktesh kozmetike. Kjo frenezi bën që të zhduken nga qarkullimi të gjithë ata tituj letrarë, që nuk kanë pasur mundësi as të vjetrohen normalisht – meqë këta duhet t’ua lirojnë vendin titujve të rinj. Për pasojë, letërsisë – si dukuri sociale të prodhimit, qarkullimit, leximit dhe rileximit të veprave – i priten rrënjët, sepse vjen dhe i mungon përmasa kohore.
Sot për sot lexuesi shqip ka përballë ose titujt e ditës, ose një plejadë autorësh të traditës, si Fishta dhe De Rada dhe Noli që i kanë përkitur një periudhe ante-diluviane, ose një mjegullnajë veprash të realizmit socialist, të shumta në numër dhe të palexueshme, që shiten trotuareve. Çfarë i mungon, është ideja për marrëdhënien e këtyre veprave me njëra-tjetrën, ose koncepti për letërsinë si një dukuri me karakter historik.
Filozofi amerikan Francis Fukuyama do të mbahet mend, para së gjithash, për tezën e vet provokuese, sipas së cilës shfaqja e demokracisë liberale perëndimore si sistem politik dhe qeverisës kish lajmëruar fundin e historisë; tezë që duk sikur u konfirmua bujshëm nga kolapsi i Bashkimit Sovjetik dhe fundi i Luftës së Ftohtë, në fund të viteve 1980.
Kjo tezë e Fukuyama-s është kritikuar nga shumë anë; por duket sikur e ka ruajtur vlerën, të paktën sa i përket kulturës dhe institucioneve në vende të tilla të vogla dhe periferike, si Shqipëria; ku shembja e regjimit totalitar, në vitin 1990, është shoqëruar vërtet me simptomat karakteristike të “fundit të historisë”, mes të cilave edhe pamundësia e institucioneve për ta perceptuar rrjedhën e kohës në mënyrë të artikuluar dhe organike; ose për të ruajtur vetëdijen e së shkuarës, ose kujtesën në daç institucionale, në daç kolektive; pavarësisht nga pseudo-historizmi i ideologjisë kombëtariste dhe i formave folklorike të kësaj ideologjie.
Sa i përket letërsisë shqipe, ky farë përçudnimi ka bërë që letërsia e realizmit socialist të mos përjetohet më si pararendëse e kësaj të sotmes, pa çka se një pjesë e shkrimtarëve të atëhershëm janë aktivë edhe sot; por më tepër si një pjesë a shfaqje teatrale, që nuk mund të ketë histori tjetër përveç asaj të vënies në skenë dhe që nuk ka ndonjë lidhje, gjithsesi, me aktorët përkatës.
Nëse një zgjidhje e tillë, karakteristike për një psikodramë, ka qenë kusht për shkrimtarët që të fitojnë në mos lirinë, të paktën iluzionin e lirisë, kjo gjithnjë mund të diskutohet; por njëkohësisht duhet diskutuar edhe se çfarë ka mbijetuar pikërisht, pas përmbysjes së sistemit kulturor të djeshëm; sikurse duhet diskutuar se sa dhe si po e pengon dhe dëmton e djeshmja të sotmen, sa kohë që vazhdon të maskohet me mos-ekzistencë.
Shënim: Kjo ese, e shkruar në shkurt të këtij viti, ka dalë në numrin e fundit të revistës “Saras.”
Serish Ardiani del ne skene si toreadori spanjol para demit (librit shqiptar), por jo per ta zene prej briresh, as per ta shtrire per toke, por per te bere pak cirk, para spektatorit gjysem te pergjumur, qe pertyp cimcakiz dhe kokoshka. E pikerisht, me shfaqje cirku ai tregon te gjitha dobesite e ketij demi, si nje artist i vertete (i fjales), por ai e le demin edhe per shfaqjen e radhes, qe do pasoje perjetsisht, cdo gjashte muaj. Ajo qe artisti yne i cirkut (mos t’ma marre per keq kete krahasim) nuk kupton, eshte se arti i tij simbiozohet me qendrimin e publikut dhe e kunderta, dhe gjithshka vijon ne nje monotoni drejtvizore, pa patur kurre nje kthese, (oh, Zot, per pak sa nuk me shpetoi fjala “revolucion”; jo ishte thjesht shaka!).
(Shpresoj t’mos me replikoj, sepse nuk di c’pergjigje do ti jap, kur t’me drejtohet: dhe c’propozon ti revolucionar?!)
r.th: replikojë, jo -rerplikoj-
Shume e drejte, gramatikisht! Por i le vete demostrativisht disa gabime drejtshkrimore, si jo dhe aq te rendesishme, apo dhe nga shpejtesia, si ne rastin e mesiperm!
r.th, mendoj se ti jo vetem shkruan shpejt, por edhe lexon shpejt. Une kam bere nje gabim (me qellim ) e ti as qe e ke vene re. Lexo ngadale, lexo me kujdes: do nxjerresh perfundime jo te gabuara here tjeter.Me shume dashamiresi.
Jo aq për temën e trajtuar, por thjesht mbi debatin teknik gjuhësor:
“filkri”, ku mund ta gjejmë gabimin tuaj të qëllimshëm?
Nëse “r.th”, tek fraza “shpresoj t’mos me replikoj”, është duke përdorur vetën e tretë në njëjës për foljen “replikoj”, më duket se keni plotësisht të drejtë kur shkruani: “replikojë”.
Nëse qëllimshmëria synon tek fjala “reRplikoj”, prej jush e përdorur – por që tek komenti i bashkëbiseduesit nuk ka lënë gjurmë – kjo thjesht do të më dukej si një lojë që nuk i përket as temës, as diskutimit mbi ortografinë e as interesit të lexuesve të kësaj faqeje.
Do t’ju lutesha të gjithëve që ta linit me kaq këtë debat: nuk ka lidhje me temën e trajtuar.
Ardian, komenti im ka lidhje me temën në mënyrë të tërthortë. Doja t’i thoja r.th, se është treguar i nxituar dhe tendencios. Kaq.
Nuk e kisha me komentin tuaj, por me rrjedhën që mori pastaj debati.
Ah, e vura re tani shkronjen e gabuar “r” ne mes te fjales. Mendoj se eshte gje e mire kur terhiqet vemendja edhe per gabimet gramatikore! S.d.q., ne kete drejtim jam i qete, per faktin (e keq) te gabimeve gramatikore skandaloze qe bejne sot shqiptaret neper faqe te ndryshme interneti. Persa i perket tendeciozitetit, mendoj se me mire pak tendecioz ne stilin tim te shkrimit, te cilin Ardiani e njeh prej muajsh dhe eshte mesuar tashme, e biles edhe e kupton qe eshte per te miren e librit ne kete rast, se sa ato kritikat e buta as mish e as peshk, te cilat e zgjatin nganjehere letargjine dimerore si tek nje autor i caktuar shkrimi ashtu dhe tek ata te cilet ky autor i trajton me kritiken e tij te bute. Ne ndodhemi sot perpara nje regresi galopant ne lidhje me librin, ku nuk ka me vend dhe kohe per kritikeza dhe fjale te embla, ndaj i meshoj serish mendimit qe Ardiani te jete ca me i rrepte kur shkruan per librin sot ne Shq.
Edhe pse unë si moderator i komenteve nuk mund të rri me shkop në dorë, në përgjithësi nuk është mirë të diskutohet për gabimet gramatikore, kur shkrimi NUK merret me gabimet gramatikore; dhe aq më pak kur këto gabime i bëjnë komentuesit. Nuk është ky vendi i duhur për cic-mice të tilla. Ju siguroj se, po të filloja unë të merresha me gabimet gramatikore të komentuesve këtu, nuk do të mbaroja dot kurrë.