LETËR NJË SHKRIMTARI

(ose jeta e Sharlotë Salomonit, në vargje)

Në nëntor të 2014-ës, pasi lexova romanin Sharlota të shkrimtarit francez David Foenkinos, tronditja ime ishte e tillë sa, nuk munda të mos i shkruaja autorit. Kisha pasur fatin ta njihja atë disa muaj më parë në Tiranë, kur kishte ardhur për promovimin e romanit të tij Delikatesa. Vetë Delikatesa nuk më kishte ngjitur aq shumë, por autori i saj dukej se kishte pak kohë që kishte dalë nga një krijim turbullues, që ndjeva se duhej ta lexoja.
Tashmë, Sharlota është botuar dhe në shqip nga botimet Pegi, përkthyer nga Edmond Tupja. Është pikërisht bindja ime se ky roman duhet lexuar nga të gjithë, që më bën sot të dua të publikoj komunikimin që pata me autorin.

 

25 Nëntor 2014

I dashur David,

U bënë disa ditë që po mundohem të gjej pak kohë për të të shkruar, por nuk gjeja aq kohë sa më nevojitej për të të rrëfyer tronditjen time, pasi lexova dhe zbulova Sharlotën!
Jam e sigurt që ke marrë shumë letra apo mesazhe që të flasin për të dhe këngën që i ke qëndisur, por e ndjej si detyrë të të falënderoj për këtë zbulim.

Është në fillim Sharlota.

Që më bën, ashtu si dhe ty, të kaloj në rreshtin tjetër.

(Por këtë ndoshta ma bën ti. Dua të them, stili yt – ja e sheh, dy fjali në rradhë…)
Unë nuk e zbulova Sharlotën rastësisht.
Dhe kjo është më pak romaneske.
Por është një takim jetik.
Për mua, emigranten dhe të çrrënjosurën disa herë.
Ç’jetë! Ç’rrugëtim! Ç’fat!

Po të mos ishte Hana (kam lindur tashmë), nuk do isha ngritur pa e mbaruar librin.
Por Hana është, ndaj m’u deshën dy ditë.
Pastaj shkrova katër poezi.
Që do të doja t’i botoj tek Pegi, me Loretën.
Së shpejti.
Ato që shkrova, nuk kanë fare të bëjnë me Sharlotën.
Janë histori të miat, që ajo m’i zgjoi.
Sharlota vazhdon të krijojë art. Po! Mendoj se romani yt është art.
Pra, mbërrita te vepra jote.
Tek endja jote.
Tek ky fiksim që dha një të vërtetë, aq të vërtetë sa një poezi, sa një epos.
(E di David, në frëngjisht fjala epos nuk ekziston, por fjala “epike” është mbiemër, ndaj parapëlqej të përdor termin grek, me gjithë gabimin gjuhësor që përcjell)
Aq të vërtetë e aq njerëzor.
Fjalë që kullojnë, nuk e dimë, nga.
Prej saj? Prej teje? Prej saj brenda teje?
Por fjalë monumentale.
Duke mbetur të thjeshta, modeste, të zeza (mbi të bardhë) si premtime…
Përfitoja nga momentet kur më duhej t’i lexoja Hanës për ta vënë në gjumë.
I lexoja Sharlotën.
Më dëgjonte me kërshëri.
Fjalët nuk i kuptonte, me siguri.
Por kuptonte peshën e tyre tek unë.
Dhe pastaj zëri im.
Dhe ritmi im.
Zbulova, tek lexoja Sharlotën, me zë të lartë, që (romani yt) është shumë kinematografik(e).
Zëri im merrte ngjyrat dhe kadencat e rrëfimit në filmat e Tryfosë.
Nuk e di nga erdhi ky lexim, i vjedhur nga nouvelle vague.
Por kështu është.
Dhe pastaj gjëja më e rëndësishme.
Një zbulim që para se të filloj leximin.
Këtu flas për veten, ndaj s’ndjej nevojën të ndërroj rresht. Prej vitesh, kam teknikën time personale për të zbuluar paraprakisht nëse një libër do të më pëlqejë apo jo. Është personale dhe ndoshta rrjedh nga rastësia më e madhe, por jo dhe aq, sidoqoftë.
Kur marr një libër në duar, lexoj në fillim fjalinë e parë dhe të fundit. Libri më i dashur për mua, i të gjitha kohërave, Bukë me Sallam i Bukowskit fillon me: Gjëja e parë që më kujtohet është të qenit nën diçka. Dhe mbaron me: Pastaj mbylla derën dhe ika.
E shikon? Një histori krijohet menjëherë. Saktësisht, ajo histori, të cilën lexova në qindra faqet që përbëjnë romanin.
Dhe Sharlota: sikur i zgjodhe këto dy fjali, të parën dhe të fundit, sipas teknikës time. E ke vënë re?
Sharlota mësoi të lexojë emrin e saj mbi një kokë varri.
Atë të një artisteje me emër… Sharlotë Salomon


Faleminderit për këtë roman, David. Falemnderit për mundësinë të të transmetoj arsyet e mia. Hape brenda meje një kuti Pandore. Por me vargje.
Të uroj shumë Sharlota të tjera (në gjeninë e saj, jo historinë në vetvete). Dhe këtë gjë ia uroj mbi të gjitha vetes time, lexueses së heshtur, që lufton tani me Lidie Salvaire-in[1] dhe Mos qaj-in e saj, që më gjen plot me Sharlotën, fatkeqësisht…
Uroj të shihemi së shpejti.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

 

2 dhjetor 2014

Çfarë mesazhi i jashtëzakonshëm, e dashur. Gjej në të gjithë bukurinë tënde, atë që pashë që herën e parë, kur ishe plot jetë, kur ishe plot me jetë. Dhe rastësinë e ritmeve të fjalëve tona. Falemnderit që e lexove, dhe jam i lumtur që Sharlota ndodhet kështu brenda teje. Mua nuk më braktis me kurrë.

Të puth, David.

 

 

 

[1] Në vitin 2014, Sharlota e David Foenkinos dhe Mos qaj (Pas pleurer) e Lydie Salvaire ishin dy kandidatët e fundit për çmimin e madh të letërsisë franceze “Goncourt”, një çmim që e fitoi Lydie Salvaire.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin