MBULESA MODERNE E TYRBES

Ndërtesa e re e Drejtorisë së Portit, në Antwerp të Belgjikës, të projektuar nga Zaha Hadid Architects, që u soll nga shkrimi i A. Vehbiut “Zaha godet sërish“, më kujtoi rastin e Tyrbes (varrit monumental) të Kapllan pashë Toptanit në Tiranë.

Për shumë vite kjo tyrbe, që mbrohet nga shteti në cilësinë e monumentit të kulturës, ka qenë e rrethuar nga ndërtesa të ulëta, që gjithsesi ia kanë respektuar hapësirën e frymëmarrjes, në qoftë se mund të shprehemi kështu në kuadrin e urbanistikës.

Po të shikojmë një kartolinë të vjetër, që fotografon monumentin, duket qartë se ka qenë rrethuar nga ndërtesa përdhese tipike tiranase dhe e hijeshuar nga dy selvi në krah[1].

varri-i-kapllan-pashes-dje

Varri i Kapllan Pashës para ndërtimeve të reja

Megjithëse kryeqyteti i Shqipërisë është sakatuar ndër vite nga ndërhyrjet e shumta në qendër e rreth saj, varri i Kapllan Pashës mbeti relativisht në qetësi.

Në shkrimin e lartcituar, A. Vehbiu jep fillimisht disa interpretime për mbindërtesën e Drejtorisë së portit belg. Dikush thotë se evokon diamantin, dikush tjetër e sheh si pulëbardhë në qëndrim ambig. Por në shkrim, çka duket edhe më e rëndësishme, jepet alarmi për rrezikun që i kanoset Shqipërisë për ndërhyrje të tilla nga megalomanët e arkitekturës. Në këtë mënyrë vërtet ndërtesat i shpëtojnë shkatërrimit, por jo poshtërimit.

Le të vazhdojmë sërish me shembullin e varrit të Kapllan pashë Toptanit. Aktualisht atij i qëndron përsipër një ndërtesë moderne, me një anë të harkuar, që duket sikur nga çasti në çast do të rrëzohet e do ta mbulojë tërësisht. Nuk e përjashtoj që ndërtesa të pëlqehet nga ndokush.

Ndërtesa është realizuar në vitet dymijë dhe është përmendur pak kohë më parë në një shkrim nga Artan Lame, sipas të cilit “pjesa që u ndërtua sipër tyrbes, nuk do shërbejë thjesht si mbulese moderne për monumentin (siç u justifikuan me të madhe vite të shkuara kur morën lejen e ndërtimit), por do të jetë në fakt një kat i tërë i shfrytëzueshëm që, nga forma ngjan të jetë klub, a bar, a restorant, a ndonjë tjetër gjë e këtillë”. Më tej autori i shkrimit, e konsideron të papranueshëm faktin që një varr të ketë afër një vend dëfrimi me pije e muzikë[2].

Tani, le t’i lemë mënjanë aspektet fetare; nga pikëpamja urbanistike, edhe pse dikur është trumbetuar me të madhe se varri i Kapllan pashë Toptanit do të mbulohet në mënyrë moderne, për shumëkënd zgjedhja arkitektonike nuk ka ndonjë vlerë estetike ose arkitektonike të veçantë. Duket sikur çështja ka të bëjë më shumë me shfrytëzimin e hapësirës për ndërtime të reja se sa me tyrben vetë si monument kulture.

Me fjalë të tjera, vëzhguesit, ose kalimtarit të çastit, i duket sikur tyrbja i ka zënë rrugën ndërtimeve të reja, sikur të ishte një bezdi a pengesë. Në fakt, në qendër të mbulesës nuk qëndron varri monumental, ai është anash tij. Edhe nga pikëpamja funksionale vështirë të gjenden shpjegime, përderisa nuk kuptohet mirë se për çfarë shërben mbulesa e sipërme.varri-i-kapllan-pashes-bashkia

Bën përshtypje edhe paraqitja e këtij monumenti në faqen zyrtare të Tiranës, ku edhe shpjegohet historia e tij[3]. Fotografia e bërë aty nuk guxon ta
tregojë mbulesën moderne të tyrbes. Jep vetëm pjesën tjetër të saj, duke i dhënë spektatorit perspektivën me hapësirë.

Në kohën e ndërtimit gazeta shqiptare “Dita”, duke komentuar të njëjtën fotografi që po riprodhojmë këtu, në një artikull me titull të fortë shkruante: “Ky në foto është një nga ndërtimet më të larta të Tiranës në zonën e qendrës pranë ish-selisë së PD-së. Aktualisht kjo godinë multifunksionale është në përfundim e sipër. Megjithëse pak metra larg varrit monumental të njohur si Tyrbja e Kapllan Pashës, ndërtimi i saj u lejua”.

ndertimi-tek-tyrbjaFrika e Vehbiut se mos starkitektët dhe miliarderët “lenë shenjat e tyre të urinës në murin e trashëgimisë kulturore botërore” është vërtet reale në Shqipëri, për sa kohë terreni është mjaft pjellor prej kohësh. Ndërtimet e dhjetëvjeçarëve të fundit e kanë poshtëruar kryeqytetin shqiptar dhe monumentet e tij tradicionale edhe kur nuk u janë afruar shumë. Sepse dhuna mund të ushtrohet gjithashtu duke ia asfiksuar horizontin dhe perspektivën identitetit urban. Mjafton t’i bëjmë një fotografi qendrës së Tiranës, Kullës së Sahatit, ose xhamisë së Et’hem Beut.

Së fundi, në qoftë se deri dje, ndërhyrjet mbi pasuritë arkitektonike janë justifikuar me kinse modernitetin e tyre, pa hasur në ndonjë rezistencë serioze qytetare, nesër mund të shfaqen me emra të bujshëm starkitektësh dhe artistësh të huaj, që mund të tingëllojnë bukur në veshin e opinionit publik. Por rezultati do të jetë i njëjtë.

 


[1] Fotografia e varrit të Kapllan Pashës është marrë nga faqja përkatëse në Wikipedia https://sq.wikipedia.org/wiki/Tyrbja_e_Kapllan_Pash%C3%ABs .

[2] Shkrimi i Artan Lames, i postuar fillimisht në profilin e tij në FB, u botua në një sërë mediash. Madje, ndonjëra pre tyre e paraqiti si përplasje personale me Edi Ramën. Shiko p.sh. titullin e Syri.net: “Artan Lame i del kundër Edi Ramës: ‘Ça mësime fetarishte’, shikoni kullën që u ndërtua mbi tyrben e Kapllan Pashës” (http://www.syri.net/2016/04/18/artan-lame-i-del-kunder-edi-rames-ca-mesime-fetarishte-shikoni-kullen-qe-u-ndertua-mbi-tyrben-e-kapllan-pashes/)

[3] Në faqen e internetit të Bashkisë varri i Kapllan Pashës shpjegohet kështu: “Feudalët e mëdhenj e bënë zakon të ndërtonin tyrbe, nga të cilat sot qëndron në këmbë  edhe varri monumental i Kapllan Pashë Toptanit vdekur në 1819. Dikur ajo qëndronte përballë tyrbes së Sulejman Pashë Bargjinit dhe Xhamisë së Vjetër, sot përballë monumentit të Ushtarit të Panjohur. Ajo është në formë tetëkëndëshi, mjaft interesante për kolonat monolitike, për kapitelet e silizuara korintike dhe për tetë harqet e dekoruara me nga një gjethe akanthi të stilizuar në reliev, njëri prej të cilëve përmban mbishkrimin që flet për Kapllan Toptanin, por që sot është i palexueshëm. Është një tyrbe e hapur, pa çati dhe pa kube”.

1 Koment

  1. Eshte leje e Edi Rames kryebashkiak, kur po ndertonte klientelat e tij, mes te cilave, edhe ne kete ngrehine, figuron nje fare Delijorgji, qe nuk e kishte problem te paguante ca femije per cmontimin e municioneve e jo me te dhunonte nje monument kulture apo varr te tradites shqiptaro-osmane. Kur ke nje Ismail Kadare qe pezmatohet nga kjo trashegimi historike dhe nje KMSH qe i shet pronen vakef klientelave mafioze te politikes, natyrisht nen kercenimin per jeten, dhe Sali Tivari ka gjasa te jete vrare per motive te tilla (ne mos edhe per kete kulle), ai qe do t’i beje shurren monumentit eshte me se i justifikuar.

    Ironia sintetizohet te modifikimi i vete monumentit: rrethimi eshte tipik i arkitektures osmane, i ndjeri quhej Kapllan Pasha, kurse guri i varrit te jep pershtypjen e nje mormoni te rehatuar ne varrezat-park te Amerikes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin