ZAHA GODET SËRISH

Këto ditë u përurua me zhurmë të madhe, në Antwerp të Belgjikës, një dhuratë që ia bëri botës mbarë ZHA – Zaha Hadid Architects; në trajtën e ndërtesës së re të Drejtorisë së Portit.

zha

Dhe meqë kjo ndërtesë e re është ndërtuar mbi një simotër të vjetër, por të mbrojtur si trashëgimi kulturore, ZHA dhe autoritetet e portit a të qytetit vendosën të ndërtojnë mbi ndërtesën ekzistuese, me rezultate të diskutueshme.

Disa kritikë të kësaj zgjidhjeje thonë se ndërtesa ekzistuese, kinse e shpëtuar nga shkatërrimi dhe e rinovuar, tashmë nuk do të shpëtojë dot më nga përdhunimi prej strukturës së re të imagjinuar nga Zaha.

Nga fotografitë e shumta duket sikur godina e vjetër tashmë është mbërthyer seksualisht përdhe nga një pulëbardhë.

Të tjerë thonë se forma e strukturës së re kërkon të evokojë një diamant, meqë qyteti në fjalë është qendër botërore e tregtisë së këtyre gurëve të çmuar.

Nuk di si u duket kjo hata banorëve të qytetit; dhe nëse e solla lajmin këtu, e bëra vetëm për të paralajmëruar se një fat i tillë së shpejti mund t’u kanoset shumë ndërtesave që ende ruhen dhe mbrohen me ligj në Shqipëri.

Në vend që t’i shkatërrojnë, për t’u hapur vend kullave, pushtetet mund të vendosin që thjesht t’i mbulojnë, duke thirrur në ndihmë megalomanët e arkitekturës nga gjithë bota.

Ndërhyrja e Zahës në Antwerp tipizon një lloj arrogance të kapitalit global, që maskohet si shqetësim për ekzistuesen, por që në fakt manifestohet pastaj në trajtat e një shkatërrimi brutal, duke filluar nga konteksti vetë.

Nuk ka nevojë të jesh arkitekt, për të kuptuar se vlera e një ndërtese, aq më tepër e një ndërtese të mbrojtur si trashëgimi kulturore, maten në bashkëlidhje dhe përqasje me mjedisin përreth.

Ndërtesa e vjetër e zjarrfikësve, në portin e Antwerp-it, vërtet shpëtoi pa u shkatërruar, por vetëm e vetëm për t’iu nënshtruar një fati edhe më të keq: poshtërimit.

Lexuesit do t’i kujtohet se një zgjidhje e ngjashme u pat propozuar, në krye, edhe për Stadiumin Kombëtar në Tiranë – i cili do të “gëlltitej” nga i riu, por pa u dëmtuar.

Këta starkitektë dhe bilionerë që i mbështetin dhe snobë që i duartrokasin, duan jo vetëm të lenë shenjat e tyre të urinës në murin e trashëgimisë kulturore botërore, por edhe të përgëzohen për ndjeshmërinë ndaj “traditës.”

Përndryshe, fotografitë dhe renderimet tregojnë bujarisht luksin dhe elegancën e mjediseve të brendshme të kësaj ndërtese-shtesë – si vendin ku do të riprodhohen, tash e tutje, raportet e forcës dhe të pushtetit në ekonominë globale.

Në Shqipëri vërtet pretendimet globale nuk ekzistojnë, por ambiciet mbeten po aq energjike; pa përmendur pastaj gatishmërinë për t’iu nënshtruar përdhunimit të thatë nga çdo pulëbardhë a rosë që e sjell era këtyre brigjeve.

 

1 Koment

  1. Kjo gje ka ndodhur tashme edhe ne Shqiperi. Se pari me godinen e re te Kuvendit qe ia kercente asaj se vjetres. Ka ndodhur edhe me disa projekte te rivitalizimit te Piramides para nje viti. Shyqyr Zotit projekti i Kuvendit nuk u realizua. Kjo edhe per faktin se te djathtet ishin disa here me pak agresive sesa ky lloj i te majteve qe duan me cdo kusht te lene “shenjat e tyre te urines” ne Tirane si me stadiumin si me sheshin qendror.

    https://www.google.al/url?sa=i&rct=j&q=&esrc=s&source=images&cd=&cad=rja&uact=8&ved=0ahUKEwiQ59DdhK7PAhWFXhQKHVIBBoEQjRwIBw&url=http%3A%2F%2Fwww.skyscrapercity.com%2Fshowthread.php%3Ft%3D1189261&psig=AFQjCNFsh3mctmBTCHAix-gWJ1xvXSVCng&ust=1475013652501437

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin