BETON PËR TURISTË

projektiDuket sikur këto punë ndjekin një skenar të gatshëm: prezantohen disa vizatime arkitektonike me ngjyra të ndonjë italiani, i shtohet këtij projekti epiteti “madhor” dhe pastaj shpenzimet shpesh marramendëse përligjen me argumentin se “do të nxitet turizmi.”

Puntata më e fundit u shfaq këto ditë në Durrës, me projektin “Veliera” (kështu freskojnë njerëzit edhe italishten që mund ta kenë harruar): krybashkiaku i qytetit, Vangjush Dako, u shpreh se “projekti Veliera do të tërheqë mijëra turistë, pasi do të jetë një objekt origjinal e i vizitueshëm, që do t’i japë Durrësit një imazh të vërtetë të një projekti turistik.”

Nuk jam në gjendje të gjykoj projektin vetë, edhe pse betoni buzë detit nuk premton asgjë të mirë. Por vetvetiu e refuzoj argumentin në mbështetje të projektit, se ky “do të tërheqë mijëra turistë” dhe aq më pak ngacmohem nga ky “imazhi i vërtetë i një projekti turistik” që më ndjell në mendje Cancún-in.

Flasim këtu për Durrësin: një qytet të madh, port të rëndësishëm të Shqipërisë dhe të Adriatikut, nyje transporti mallrash dhe udhëtarësh; përveçse vendi ku banojnë qindra mijëra qytetarë.

Projekte të tilla, që prekin përditshmërinë e tyre, duhet të synojnë para së gjithash përmirësimin e cilësisë së të jetuarit.

Turistët afrohen, në qoftë se në qytet jetohet mirë.

Përndryshe, vizitorët do të tundohen dhe të vijnë për të parë nga afër edhe një balenë të ngordhur që ka nxjerrë deti.

Dua të them se kjo alibi e turizmit po përdoret pak si me dorë të rëndë, për të përligjur gjithfarë investimesh që mund të jenë edhe të dyshimta, ose t’u shërbejnë interesave private më shumë se atyre publike.

Nuk ka asnjë garanci se një ndërtim prej betoni do të tërheqë doemos turistët, ose fundja edhe vetë qytetarët.

Se çfarë i bën njerëzit të vijnë për të kaluar kohë diku, kjo lidhet me shumë faktorë, socialë dhe kulturorë; mes të cilëve arkitektura e bukur është vetëm njëri dhe ndoshta jo më i rëndësishmi.

Sjell për krahasim një projekt të ngjashëm në NYC, të ashtuquajturin High Line Park, i cili u ndërtua mbi një linjë hekurudhore të braktisur, në anën perëndimore të Manhattan-it.

Me sa kam parë dhe kuptuar, aty nuk u derdh beton, por vetëm u ndërhy me kujdes, delikatesë dhe shije të hollë, për të rehabilituar një gërdallë ekzistuese që veç e shëmtonte qytetin.

Turistët tani janë derdhur ta vizitojnë, në dimër e në verë, dhe të shëtisin mes gjelbërimit, veprave të artit dhe ndërtesave që ngrihen nga të dy anët, edhe ngaqë High Line Park e ka gjallëruar, madje e ka rishkruar krejt kontekstin e vet urban.

Por të parët që e shijuan këtë shtesë të mirëpritur, në menynë urbane të Manhattan-it, ishin vetë banorët e metropolit dhe të rrethinave.

Edhe në Shqipëri janë të panumërta karkasat e zbrazëta, ngrehinat, karabinatë dhe mbetjet e periudhës industriale, të cilat sot vazhdojnë të akumulojnë entropi. Në vend që të ngulmohet për katedrale betoni, kremtuese të egos së arkitektëve dhe të ndërtuesve dhe krejt pa lidhje me kontekstin social dhe urban, ndoshta do të ishte më mirë të ndiqej me përparësi një estetikë rehabilitimi, madje edhe nga arkitektët dhe studiot mysafire.

Përkundrazi, preteksti i turizmit, që sillet, madje ndonjëherë me arrogancë, për të përligjur gjithfarë vanitetesh, në mos abuzimesh me fondet dhe marifete të tjera, nuk duhet besuar më.

3 Komente

  1. Përveçse abuzive, është edhe mjaft paternaliste si qasje. Me demek “mendoj unë për ju, e di unë ç’është e bukura dhe jo e bukura, ju flini të qetë se qytetin po e rregulloj unë”. Është relativisht e parëndësishme se kush është uni. Mund të jetë kryeministri dora vetë (i cili në fakt e ka dëshmuar vullnetin e tij për të imponuar zgjedhje artistike), por mund të jetë edhe një un kolektiv i pushtetit, arketipi i të cilit buron nga e kaluara e afërt e jona.

    Mua më shqetësojnë të dyja dimensionet; dimensioni paternalist më shqetëson po aq sa edhe ai abuziv / korruptiv. Komplekset e Messia-s apo të babait totemik nuk parathonë asgjë të mirë; ia besuam një herë fatet tona Mesisë komuniste dhe dihet se si përfunduam. U rrekëm edhe të flirtojmë me babain totemik në këto 25 vitet e fundit dhe organizimi ynë shoqëror ishte vaj medet.

    Duhet të jemi tmerrësisht të pazotë ose dembelë që t’u besojmë e dorëzojmë fatet tona, ad infinitum, autoriteteve me pretendime mesianike.

  2. O tempora o mores. Kryebashkiaku i Durresit, me konflikt te paster interesi (nga nje ane kryebashkiak i ketij qyteti me nje trashegimi te madhe arkeologjike e nga ana tjeter pronar i nje firme betoni) pasi betonizoi perla te arkeologjise se ketij qyteti te cilat po, qe do t’i sillnin Durresit turizem, na ofron nje tjeter pjedestal betoni me nje “veliere” ne krye dhe me argumentimin se kjo do t’i sherbeje turizmit.

    Keta jane te babezitur, injorante e te pafytyre.

    Po shkoni ore vrisni veten. Copa mishi.

  3. nuk ka asgje te keqe te besh vepra moderne ne nje qytet, por pa cenuar pjesen historike te qytetit. per aq kohe sa jeni kryetari i bashkise duhet ta doni dhe rrespektoni qytetin dhe qytetaret qe ju zgjodhen, ja futa kote votat i keni mare nga ata qe kane ardhur sot dhe nuk kane aspak lidhje me qytetin ( me gjithe rrespektin te gjitjhe kane te drejte te jetojne me mire) e nuk e kane idene e historise se atij qyteti. cdo dite e me jabanxhi na duket qyteti yne, te huaj aty ku kemi lindur.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin