PENGU, KAUZA E KAPUR, NE TË TJERËT

Këto ditë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) nënshkroi një marrëveshje me “opozitën e bashkuar”, të përfaqësuar nga kryetari i PD-së, Lulëzim Basha.

Tekstin e marrëveshjes – më të plotin që kam gjetur – mund ta lexoni këtu.

Në këtë dokument, të cilën e kanë quajtur herë-herë edhe “kontratë” edhe “deklaratë”, me synimin “për ndërmarrjen e një zotimi të përbashkët publik”, dhe ku palët identifikohen si (1) “ne, qytetarët dhe artistët e angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar” dhe (2) “Partia Demokratike e Shqipërisë”, AMT-ja shpreh vendosmërinë “për të vijuar pa ndërprerje betejën për mbrojtjen e kompleksit shumëfish historik e kulturor në të cilin funksionojnë dy teatrot, ai Kombëtar dhe ai Eksperimental”, ndërsa PD-ja merr një varg zotimesh në lidhje me çfarë do të bëjë, “pasi të jetë shumicë politike qeverisëse”.

Nga pikëpamja formale, teksti i marrëveshjes më duket problematik: ndryshe nga zotimet e PD-së, që janë specifike edhe pse të kushtëzuara fuqishëm, ato të AMT-së janë të përgjithshme dhe, në çdo rast, nuk kanë lidhje me PD-në si palë.

Veç kësaj, AMT-ja e ka nënshkruar marrëveshjen si “ne qytetarët dhe artistët e angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar”, çfarë më duket e pasaktë; jam i bindur se ka shumë qytetarë dhe artistë, të angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, të cilët kanë rezerva të mëdha, për këtë akt politik të AMT-së, në mos janë kundër saj.

Partia Demokratike mund ta kish bërë publik këtë dokument dhe ta kish shprehur hapur solidaritetin e saj me përpjekjet e AMT-së për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar nga prishja, pa i dhënë dokumentit formën e një marrëveshjeje.

Ndodhi kështu, besoj unë, ngaqë për këtë marrëveshje është PD-ja që ka nevojë të madhe, madje duke përfituar drejtpërdrejt prej saj. AMT-ja përfiton diçka nga pikëpamja organizative – p.sh. në qoftë se PD-ja sjell në protestë militantët e saj (muscle), të cilët do të angazhohen me kërkesë të partisë së tyre, por jo sepse u dhemb detyrimisht për Teatrin; por jo nga politikat dhe programet kulturore të PD-së, përgjithësisht të paspikatura, jo rrallë mediokre ose të fundosura në baltrat e nevojave politike të momentit.

Përndryshe AMT-ja del e humbur nga kjo marrëveshje. Ndërtesën e Teatrit Kombëtar mund ta prishin në çdo moment; ndërsa PD-ja nuk mund ta pengojë këtë efektivisht, sa kohë që jo vetëm nuk ka pushtet as qendror as lokal, por edhe është larguar nga strukturat përfaqësuese, me vendimin e vet. Kur të vijë PD-ja në pushtet, kur të vijë PD-ja në pushtet (if), gjasat janë që çështja e Teatrit të ketë marrë ndërkohë zgjidhje.

Përpjekjet shpesh heroike të qytetarëve të tubuar rreth AMT-së kanë ngjallur simpati të madhe në Tiranë dhe në Shqipëri – si një protestë jo-partiake, në mos jashtë-partiake, kundër arrogancës, bullizmit dhe arbitraritetit të qeverisë Rama dhe të kryebashkiakut Veliaj. Veprimtarët e AMT-së kanë arritur të artikulojnë, për publikun, jo vetëm që ndërtesa e Teatrit Kombëtar ka vlera historike, kulturore, identitare dhe qytetare prandaj duhet ruajtur dhe restauruar; por edhe që vendimi për prishjen e saj lidhet me një projekt të biznesit të ndërtimit, që synon të përfitojë nga trualli i klasit të parë në qendër të Tiranës. Shumë qytetarë që e kanë vështruar me skepticizëm në mos me neveri luftën për pushtet mes PS-së, PD-së dhe LSI-së, kanë parë tek Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit një model të revoltës dhe të protestës të frymëzuar nga qëllime fisnike, moralisht të larta dhe madje vetë-mohuese.

Sa do të mund të vazhdojë kjo, tani që PD-ja e bëri të vetën protestën, nëpërmjet një marrëveshjeje formale, të nënshkruar nga protagonistët e betejave të deritashme për mbrojtjen e Teatrit?

Bindja ime është se, duke e përvetësuar këtë protestë (highjacking), PD-ja thjesht bleu me çmim shumë të lirë një kauzë të madhe, për ta shtuar në arsenalin e saj të betejës kundër PS-së. Nuk e ushqeu këtë protestë që në origjinë, nuk tregoi ndonjë shqetësim të vijueshëm për fatet e Teatrit, nuk u mobilizua gjë më parë kundër politikave kulturore të qeverisë Rama; por i gjeti të gjitha këto të gatshme. Nuk e kultivoi virtytin e protestës, por veç sa e voli të pjekur nga pema.

Dhe jo vetëm kaq. Si pjesë e arsenalit politik dhe propagandistik të PD-së, gjakimi i deritashëm i AMT-së rrezikon të instrumentalizohet, të armëzohet (weaponized) politikisht për t’u përdorur kundër pushtetit të Ramës (dhe të Veliajt), duke e humbur shkallë-shkallë përmbajtjen dhe peshën morale, kulturore dhe qytetare dhe duke u thjeshtëzuar në një formë tjetër të sloganit RAMA IK.

Nuk i kam të qarta arsyet që i shtynë eksponentët e AMT-së për ta “fejuar” kauzën e tyre me PD-në; disa prej aktivistëve tek Teatri kanë qenë të integruar në strukturat e PD-së edhe më parë, të tjerë do ta kenë bërë nga dëshpërimi, ose si mënyrën e vetme për t’i dhënë pak “gjak” një çështjeje përndryshe të rrezikuar – duke sakrifikuar integritetin etik të lëvizjes së tyre në emër të ruajtjes së Teatrit. Nuk i kam të qarta arsyet dhe nuk dua t’i paragjykoj ata që nënshkruan, të rrethuar nga policia përjashta.

Por më duhet ta vë në dukje se përfshirja tani edhe formale e PD-së në protestë rrezikon të ketë efekte toksike për kauzën vetë; sepse PD-ja është pjesë e po atij sistemi politik, që ka pjellë arbitraritetin, bullizmin dhe arrogancën e tanishme të qeverisë Rama, përkundrejt vlerave kulturore, historike dhe qytetare; por edhe përkundrejt shoqërisë civile. Kjo duket deri edhe nga zotimet që ka formalizuar PD-ja në marrëveshje, kur thotë se do të anulojë këtë ose atë, do të shfuqizojë këtë ose atë; por nuk thotë, ose të paktën nuk thekson se për çështje të tilla si Teatri Kombëtar dhe ndërhyrjet masive në identitetin historik dhe kulturor të Tiranës fjala e fundit u duhet lënë qytetarëve dhe shoqërisë civile – jo instancave ekzekutive.

Kjo do të ketë, kam frikë, edhe një efekt tjetër të padëshiruar: shumë nga ata, që janë solidarizuar me përpjekjet, përkushtimin dhe profilin e lartë moral të Aleancës, tani do të stepen dhe do t’i qëndrojnë larg një lëvizjeje politike, sociale a kulturore që mban markën e PD-së: jo sepse PD-ja është forcë e së keqes, por sepse shumë nga këta njerëz janë bindur që partitë politike, si makina për marrjen dhe mbajtjen e pushteteve oligarkike, nuk mund t’i sjellin dot asgjë të mirë këtij vendi. Në kuptimin që, këta njerëz, do të fillojnë të mendojnë se lufta për të mbrojtur Teatrin nga prishja dhe qendrën e Tiranës nga abuzimi me ndërtimet do t’i shërbejë tash e tutje ardhjes së Lulëzim Bashës në pushtet; për të pyetur pastaj veten: a ia vlen?

“Peizazhe të fjalës” është rreshtuar që herët në mbrojtje të Teatrit, të identitetit të qendrës së Tiranës dhe të qytetarëve, kundër abuzimit dhe arrogancës së pushtetit politik, të qeverisë Rama dhe të administratës bashkiake Veliaj. Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar – Teatri Kombëtar nuk duhet të prishet dhe as të preket, dhe aq më pak të zëvendësohet nga ajo gjëja e përbindshme e Bjarke Ingels-it; por të restaurohet me themel, për t’iu përshtatur kërkesave bashkëkohore dhe nevojave të artit të Teatrit dhe publikut të Teatrit. Është indiferente për ne, që këtë kauzë do ta mbrojë tani edhe PD-ja. Për çfarë na vjen keq, dhe që e gjykojmë si humbje të madhe, është që një protestë e rëndësishme e shoqërisë civile në Shqipëri, të cilën e patëm përshëndetur si shpresë dhe si model, nuk arriti të mbijetojë, pa i shtrirë dorën partitokracisë.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat. Kopjuesit do të ndiqen penalisht.

18 Komente

  1. Shume i ashper je treguar. Pd mund ta armatose ceshtjen, po keshtu mund shume te tjera, me apo pa oligarke ne mes. Bese nuk ka, sic u pa ne protestat ne Kukes. Por pjesemarrja e saj rrit koston e prishjes, probabilitetin qe te mos prishet. Marreveshja eshte kot, se Pd mund edhe ta mbronte pa marreveshje. E megjithate duhet ta dish se nje pjesemarrja e qendrimstareve jane nga struktura e Pd. PD ka qene aty, me apo marreveshje.

  2. Mbrojtja e Teatrit Kombëtar është një nga betejat e fundit kundër vendosjes përfundimtare të sundimit të Ramës (dhe Veliajt) në këtë vend. Çdo betejë tjetër kundër tij, e drejtë apo e padrejtë është humbur përherë, që kur ishte ministër kulture. Vetëm një herë e kanë mposhtur dhe me shumë hile e vështirësi në 2011. Prej asaj date ai veç është fuqizuar, duke i shtuar arsenalit të vet edhe para e pushtete të errëta që dikur mund të mos i ketë pasur. Ndoshta kjo i ka ndërgjegjësuar kundërshtarët e tij, që në betejën kundër Ramës kanë nevojë për këdo që mund t’i ndihmojë, në këtë rast edhe për opozitën. Në rrafsh parimor, beteja për teatrin është po aq e rëndësishme sa beteja për zgjedhjet, për të thyer mentalitetin se kasta aktuale në pushtet është e pamposhtur.

  3. Nuk eshte asnjehere e lehte ti thuash derrit daje, po rrethanat ne Shqiperi e kerkojne. Halli eshte qe e kerkojne shpesh.
    Ketu çështja eshte ruajtja e teatrit, kjo eshte e vetmja menyre qe ka mbetur, o derrit daje dhe perpara ne aktin e fundit ose rruspat dhe rruspijet do bejne punen e tyre.

    Kur filloi rruga e duhur kerkonte angazhimin e popullit nepermjet nje referendumi abrogativ te ligjit per prishjen e teatrit. Aleanca per mbrojtjen e teatrit ta organizonte dhe te kerkonte edhe fondet per te mundesuar mbledhjen e firmave, qe nuk do te ishin kushedi sesa leke.

    U zgjodh nje rruge te qaj te kem nge dhe a e di ti kush jam une, te cilen ketu e kam quajtur udhe e gabuar e pa krye. Tani derrit daje dhe para.

  4. Këto kritikat pa alternativë kundër opozitës ndaj regjimit fashisto-komunist të Ramës, më duken se shërbejnë vetëm për t’i zgjatur jetën këtij regjimi. Ta akuzosh AMT se po përdoret si armë ndaj pushtetit të Ramës dhe Veliajt, shkon përtej naivitetit. Fatkeqsisht ky regjim nuk ka ndërmend të dorëzoj gjë pushtetin paqësisht dhe nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Vetëm në ëndrra. Ky ka për tu rrëzuar vetëm me dhunë.

    PD me siguri ka mëkatet e veta në historinë tridhjetë vjeçare që ka kontribuar në instalimin e këtij regjimi. Unë e kam thëne edhe më parë që partitë politike në Shqipëri, në formën aktuale duhet të nxirren jashtë ligjit. Por deri atëherë përmbysja e regjimit të Ramës mbetet prioritet, me ndihmën qoftë edhe të PD-së, qoftë edhe të Presidentit Meta, i cili nuk është se e ka braktisur gjë institutionin e vet. Pro apo Kundër regjimit të Ramës – për këte sot duhet prononcimi i çdo intelektuali dhe qytetari si imperativë morale në luftën asimetrike dhe të paprinciptë nga ana e regjimit për shfarrosjen e republikës.

    Përndryshe une e lexoj keq mbrojtejen që po i bëhet këtu tek PF zgjedhjeve të 30-të Qershorit sikur të kishin ndonjëfarë leghitimiteti, apo dhe vetë Ramës dhe bandës së tij nga përgjimet e ligjshme në emër të privatësisë, privatësi që këta e kanë përdorur për të rrafshuar të drejtat më themelore të qytetarëve të vet.

    Megjithatë, sot Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, është në pozicionin më të favorshëm për tu shndërruar në Aleancën për Mrojtjen e Shqipërise, me qëllimin për të mbledhur një Assemble Kushtetuese, për të dilluar proçesin e rindërtimit të Kushtetutës dhe institucioneve, propozim ky që është hedhur kohë më parë këtu tek PF nga zoti Vehbiu.

    1. Shkruan:

      “përmbysja e regjimit të Ramës mbetet prioritet”

      Mund të jetë prioritet për ty, mund të jetë edhe për shumë të tjerë, mund të jetë për shumicën. Nuk është prioritet për mua. Për mua, përkundrazi, prioritet është krijimi i një alternative të mirëfilltë, të besueshme, ndaj regjimit Rama, ndaj opozitës që ia bën atij regjimi Basha (me rezultate të vajtueshme) dhe ndaj partitokracisë. Përndryshe, mbetemi në nivelin “çohu prift të ulet hoxha”.

      Dhe sa kohë që kjo nuk po ndodh, atëherë duhen gjetur të gjitha mënyrat dhe rrugët e mundshme, sipas meje, për ta kufizuar dhe neutralizuar dhe çarmatosur regjimin Rama, dhe për të mos e lejuar të bëjë dëme. Përmbysja pa një alternativë është – për mua – edhe ajo një lloj dorëzimi ndaj realitetit.

      Shkruan:

      Përndryshe une e lexoj keq mbrojtjen që po i bëhet këtu tek PF zgjedhjeve të 30-të Qershorit sikur të kishin ndonjëfarë legjitimiteti […]

      Për zgjedhjet e 30 qershorit unë jam shprehur qartë – madje sa më akuzuan edhe se “po bëja thirrje për dhunë”. Mbase mund ta sqarosh pak më mirë këtë akuzë a kritikë që bën?

      Shkruan:

      mbrojtjen që po i bëhet këtu tek PF […] vetë Ramës dhe bandës së tij nga përgjimet e ligjshme në emër të privatësisë

      Do t’i mbroj të drejtat e njeriut, madje edhe të politikanit më antipatik, sa herë të shoh se po shkelen; nuk më intereson edhe sikur viktima të jetë vrasës serial. Më intereson shkelësi dhe motivet e tij, qofshin këto të shenjta, qofshin të ndyra. Në histori e keqja më e madhe ka ardhur rregullisht nga ata që i kanë dhënë vetes superioritet moral, ose misionin për të vënë rregull kundër zvetënimit dhe korrupsionit.

      Dhe përtej skrupujve të mi, po të kujtoj, Lorjan, se zbardhja e përgjimeve në gazetën Bild – së cilës në fakt i jam referuar sa herë që flas për shkelje të privatësisë në atë kontekst – nuk dha asnjë rezultat praktik. Turbulloi pak ujërat dhe kaq. Një vërë në ujë. Nuk mund të presësh gjë tjetër, nga ata që operojnë me metodat e skandalistikës.

      1. Ardian,

        Të paktën të biem dakort se nuk mund të ketë alternativë në një regjim monist, as teorikisht dhe as praktikisht. Sikurse nuk pati për 50-të vjet në regjimin e Hoxhës. Veçse nëse ju mendoni se me 30-të Qershorin, dhe me atë çfarë po ndodh më pas – ku njërzit po vidhen në mes të ditës pa vendime gjykatash nga banda me uniformë, dhe çdo institucion tjetër i Republikës po sulmohet – nuk janë gjë prova të monizmit tashmë të instaluar!
        Përndryshe ndaj të njëjtin dëshirë me ju përsa i përket krijimit të një klase politike dhe një sistemi të besueshëm dhe të qëndrueshëm, dhe jo thjeshtë një alternative. Sepse edhe ju duhet ta dini se “alternative” ka kuptim vetëm brenda një sistemi që i pranon ato.

        Nëse duam të ndryshojmë gjë sistemin, atëherë të gjithë kanë zërin e tyre. Qoftë kjo edhe një opozitë që nuk është e besueshme si alternativë, për një sistem që ende nuk e kemi ndërtuar. Fair enough.

        Dhe unë ndaj mendimin që Aleanca ka potencial për të bërë shumë më tepër politikisht. Fatkeqsisht, ky është hap që nuk e ka ndërmarrë dot, dhe jo për faj të opozitës. Por nëse duam ta ndërrmarin një hap politik, nuk e dënojmë dot “by association”. Kur je nën një regjim si ai i Ramës, ta dënosh tjetrin me kësi argumenti, edhe ju besoj e kuptoni se nuk mund të jetë i drejtë. Aq më tepër kur ekzagjerohet barazimi midis Bashës dhe Ramës. Mund ta bësh përgjegjëse këtë opozitë për shumë mëkate. Por jo për regjimin që po instalon Rama. Kjo opozitë ia lejoi vetes të largohej nga pushteti me votën e popullit, gjë që nuk kemi për ta thënë ndonjëherë për Ramën. Por pasojat e regjimit të Ramës them se po I ndjejnë njësojë. Edhe ne edhe Basha, nuk do jemi dot pjesë e sistemit, vetëm nëse ndryshojmë sistemin.

        Kurse për përgjimet, vazhdoni të përsërisni refrenin se: ose janë në shkelje të të drejtave të njeriut: ose janë antikushtetuese, pavarësisht faktit që janë kryer sipas ligjeve dhe Kushtetutës me aprovim të gjykatës. E vetmja shkelje e kushtetutës në lidhje me këto përgjime, janë Afatet Kushtetuese nga Prokuroria. Dhe këto afate nuk janë shkelur gjë nga Bild, por me gjasa nga vetë të përgjuarit që kanë instaluar një Prokurore të Përgjithshme të Përkohëshme. Duhet guxim i madh t’i kthesh këto fakte me kokë posht sikur këtyre iu janë shkelur gjë të drejtat e njeriut.

        Bild i ka botuar përgjimet pasi afatet për tu hetuar nga prokuroria kishin skaduar. Sipas kësaj llogjike shtypi nuk duhet të bëjë asgjë, sepse qyetarët qënkan të vetëdijshëm për ato që bëjnë politikanët mbrapa skenave? Të këtyre politikanëve që bërtasin përditë “s’ka prova, s’ka prova”, “shpifje, shpifje”?

        Ndërsa evidentimi i rezultateve të munguara praktike të përgjimeve, me keqardhje e them se nuk kërkon gjë tjetër por cinizëm.

        1. Lorjan, sa për sqarim – dhe po më detyron ta them për të satën herë: kur flas për shkelje të së drejtës të privatësisë në rastin e tanishëm, gjithnjë e kam fjalën për dekonspirimin e këtyre përgjimeve, leak-un nga prokuroria, shkeljen e sekretit hetimor dhe bërjen e tyre publike nga një media, aq më tepër e huaj. Në raste të tjera, si në ato të përgjimeve që kanë bërë televizionet ose privatë dhe palë të treta, shkelja është bërë edhe gjatë përgjimit vetë. Shpresoj se pas këtij sqarimi të fundit, nuk do të më shpjegosh më se përgjimet kanë qenë të autorizuara: le të diskutojmë për gjëra më substanciale.

          Dhe këto lloj guerriljesh mediatike nuk japin rezultate sepse bëhen keq; dhe bëhen keq, sepse bëhen me mendje të keqe – jo me dëshirën për të nxjerrë ndonjë të vërtetë, por me gjasë pasi nuk ka funksionuar shantazhi. Kjo që them nuk është cinizëm. Është vetëm respekt që kam për inteligjencën, duke filluar nga imja. Operacione të tilla, që për mua janë psy-ops, në Shqipëri bëhen keq, trashë; në kuptimin që kur i montojnë, u mbeten shumë dado e bulona përjashta. Prandaj edhe akuzat i rrëzon pastaj çdo avokat, mjaft që të ketë një profesionalizëm minimal.

          Dhe meqë flasim për skadim afatesh të dosjes hetimore ku gjendeshin përgjimet: po sikur ta nisnim këtë muhabet, kështu në parim, për skadimin e afateve të dosjes së Bashës, në lidhje me abuzimet për Rrugën e Kombit? Prezumimi i pafajësisë, pa dyshim, nuk na lejon të shkojmë më tutje: I njëjti prezumim që duhet bërë edhe për të implikuarit në përgjimet e Bild-it. Përndryshe, skadimi i afateve nuk është se e shfuqizon sekretin hetimor dhe as ua heq mbrojtjen materialeve përkatëse.

        2. Ardian,

          Nuk po komentoja investigimet e televizioneve private. Për mua ato janë shkelje e pastër, me të dyja këmbët, e të drejtave të njeriut, si nga televizionet ashtu edhe nga Prokuroria që i lejon. Kjo dëshmon se ne nuk kemi ligj dhe prokurori që heton, por me sa duket një institucion të ngritur mbi kulturën e shantazhit.

          Por në rastin e Build, ndryshe nga sa thoni, nuk ka nxjerrje të sekretit hetimor, sepse nuk ka më ndonjë hetim.

          Afatet kushtetuese për hetimet kanë kohë qe janë tejkaluar, para se t’i publikonte përgjimet Build. Këto përgjime janë të pavlefshme nga ana proceduriale, të publikuara apo të papublikuara. Por, nga ana tjetër, ne nuk do kishim nga ta dinim se Prokuroria i kishte shkelur këto afate kushtetuese nëse këto përgjime nuk do ishin publikuar. Për mendimin tim, kjo nuk është shkelje e privacisë nga ana e Build, por një shërbim publik, dhe kapje në flagrancë e Prokurorisë në shkelje të afateve kushtetuese dhe të vetë Kushtetutës. Ky është skandali i vërtet.
          Mosveprimi i Institucionit të Prokurorisë në fakt është c’ka i bashkon të dy rastet, investigimet e televizioneve dhe Buid.

          Por fakti që Prokuroria mund të jetë konsistente në mosveprimet e veta ndaj të gjitha llojeve të përgjimeve, nuk do të thotë automatikisht që po zbaton të njëjtat standarte si me qytetarët, ashtu edhe me pushtetarët. I vetmi standard në konsistencën e qëndrimit të Prokororisë është Shkelja e Kustetutës.

          Dhe më duket e tepërt ta sqaroj se kush deprivohet nga konsistenca e prokurorisë në shkelje të Kushtetutës, qytetarët, apo pushtetatrët?

          Ndaj edhe justifikimi se jemi duke ngritur zërin për shkelje të të drejtave të njeriut pa diferncuar se për kë, politikan, kriminel, apo qytetar i thjeshtë, nuk më duket se qëndron në këtë rast.

  5. Kjo eshte hera e katert qe kemi te bejme me nje mandat te dyte ku riciklohen te njejtat akuza, te njejtat shfajesime e te njejtat argumente. Bej habi si nuk jane lodhur njerezit se perserituri te njejtat role.
    Ky eshte film i sterpare, keta do bien ne nje marreveshje, me ose pa gjak te derdhur, Rama do vazhdoje derisa te plotesoje mandatin e pastaj do mblidhen gjithe opozitaret per ta rrezuar e sipas gjasave do ia dalin.
    E vetmja gje qe prish ekuacionin mund te jete reforma ne drejtesi, nqs ka impenjim nderkombetar qe te dale nga faza e farses ku gjendet tani.

    E rendesishme eshte te mos derdhet gjak se do shkoje dem si i 21 Janarit, ku drejtesine e premtuar, e varrosen ne ndonje shpelle.
    Po ashtu ne praktike turma njerezish tek teatri i bejne te pamundura punimet dhe turmat i mbledh opozita. Nuk ka shume per tu menduar e as per te sqaruar, mjaftojne pak rreshta per qendrimet personale, por ne thelb nuk ka rruge tjeter.

  6. I njëjti person politik, Lulzim Basha, që nënshkroi dje paktin e bashkëpunimit me Aleancën e Teatrit, duke premtuar se çfarë do të bëjë kur të vijë në pushtet, sot – po ky pra – ka dhënë një premtim tjetër, ndryshe: se do të çojë në burg Denar Bibën dhe anëtarët e tjerë të KQZ-së që “injoruan dekretin e Presidentit Meta” për anulimin e zgjedhjeve.

    http://www.gazetatema.net/2019/07/27/basha-kercenon-hapur-nenkryetarin-e-kqz-burgu-te-pret-dhe-nuk-ka-bandit-e-bablok-te-te-shpetoje/

    Pikërisht Lulzim Basha, ministri i Brendshëm i 21 janarit 2011 – ditës kur u vranë katër protestues nga policia; dhe njeriu i akuzuar nga KLSH për vjedhjen e 230 milion eurove nga fondet e Rrugës së Kombit (dosja e Bashës u mbyll nga Gjykata e Lartë me arsyetimin se kishin skaduar afatet e hetimit). Të besojmë se është i pafajshëm, sa kohë që nuk e ka dënuar asnjë gjykatë, por e solla si shembull për të ilustruar sa vlejnë premtimet e politikanëve që luajnë sot në Teatrin e politikës në Shqipëri.

  7. Dua te besoj se firmosja e deklarates erdhi ngaqe aktivisteve te AMT u shkoi thika ne kocke, pas perforcimit te masave policore ne raportin dy police per çdo aktivist/qytetar, edhe pse ajo deklarate lexohet si dicka e perpunuar prej kohesh nga palet perkatese (PD dhe ndonje perfaqesues i AMT).

    Perplasja e diteve te fundit me policine thjesht e beri te domosdoshme te luhej edhe kjo karte rezerve. Kjo ne rastin me te mire. Ne rastin me te keq, deklarata eshte perpiluar shpejt e shpejt dhe lexohet si nje “all you can eat” ne gjelltoren e politikes. Spekulime keto, per aq kohe sa asnjera pale nuk e ka bere te qarte procesin e hartimit te ketij materiali, qe mesa duket eshte edhe nje draft e platformes se PD per kulturen, dhe jo vetem. Ajo deklarate “premton” aq shume sa te tingelloje boshe: mbi 80% e zotimeve jane per nje te ardhme kur PD te jete shumice politike qeverisese! Po per zotimet e pergjegjesite e PD si opozite SOT kush do te flase? Kjo deklarate praktikisht i kerkon PD-se te rrije me duar nen sqetulla tek dera e Teatrit e te beje roje, nderkohe qe aktivistet bejne rezistencen. Nese deklarata do te kishte qene realisht e dyanshme, kerkesat ndaj PD do duhet te kishin qene shume me AKTUALE dhe KONKRETE. Nje e tille, do te ishte qe (ish)deputetet e PD te merrnin nje nga turnet ne ruajtjen 24 ore te teatrit. Ne parlament nuk shkojne se nuk shkojne, te pakten te bejne nje te mire publike in-kind.

    Gjithsesi nje vije per te mos u shkelur (nga kush?) eshte vene nepermjet kesaj deklarate. Nuk kam asnje vizion apo deshire per ardhjen ne pushtet te PD, ashtu sic nuk kam ndonje shprese tek qendrimi ne krye te PS-se. Politikat dhe arroganca e dyshes Rama-Veliaj paradoksalisht e ka pozicionuar PD-ne ne nje krah qe nuk jemi mesuar ta shohim: si e keqja me e vogel!

    Atehere, kam vetem nje shprese te zbehte nga çfare ndodhi: qe te kontakti (i perditshem?) i krereve dhe militanteve te PD me qytetaret e thjeshte ne mbrojtje te teatrit, t’i beje te paret te mesojne nga rezistenca dhe misioni i te dyteve: Ka shume qe PD mund te perfitoje nga kontakti i vazhdueshem me nje grup qytetar qe nuk eshte dorezuar qe prej 18 muajsh! Ky kontakt ndoshta na jep nje PD me te arsyeshme; me pak te zhurmshme; me te prirur te besoje te qendrueshmeria e parimeve; nje PD qe e sheh fuqine e saj po aq te rendesishme ne opozite sa ne pushtet. Aleanca per Teatrin le ta beje PD me pak teatrale!

    1. Ka edhe një opsion tjetër, që AMT të kthehet në një parti politike duke ruajtur strukturën dhe frymën e tanishme. Domëthën, pa kryetar, parti e hapur me platformë të qartë të miratuar nga gjithë antarët.

      Përndryshe futja në aleanca politike është një e keqe që asnjëherë nuk ka për ta shmangur dot.

      1. Partia per Mbrojtjen e Teatrit eshte tallje me konceptin e politikes. Nje parti mund te jete pa kryetar, por jo edhe njekohesisht pa kryesi dje ndonje dallim te madh mes kryetarit pa kryesi dhe kryesise pa kryetar nuk ka.

        Thuaj kete qe AMT-ja ne bashkepunim me disa shoqata te tjera e me individe publikisht te njohur, te mblidhen e te bejne nje parti etike, me program e fryme te njejte formale me keto qe jane, se jane njesoj, por te dallohen persa i takon natyres etike te kryesise.

        Keshtu te heqin fiksimin edhe shqiptaret me riciklimin e motivit etik ne politikeberje.

        Por kjo ska per tu bere se jane shume gjela ne nje qymez etik, pastaj do germohet e do dalin nje pjese e mire qe nuk jane edhe aq gjela etike sa shiten.
        Po ishalla niset nje gje e tille qe ta flene edhe mendjen shqiptaret me konceptin e njeriut te ri.

  8. @L.A. Shume dakord me ato qe thua tek komenti i pare. Doja te shtoja dicka rreth Aleances per Mbrojtjen e Teatrit. Ajo ne vetvete eshte nje alenace heterogjene qe e ka pranuar veten si te tille. Ndaj edhe hapja e saj (ndaj PD-se apo kujtdo tjeter) nuk bie ndesh me asnje parim te tyren, perkundrazi. AMT funksionon si nje sistem i hapur. Nuk mund te funskionoje ndryshe. Levizja studentore paradoksalisht funksionoi si nje sistem i mbyllur qe ua mbylli portat PD por jo vetem. E pame te gjithe cfare fundi pati. Mua me duket se me analizen me siper duket sikur i thuhet AMT-se “beni edhe ju te njejten gje!”.
    AMT nuk kthehet dot ne parti politike. Ka shume heterogjenitet dhe brishtesi ne te. Forca e tyre te eshte kauza e drejte dhe qendresa e paepur. Dhe pikerisht kesaj dhe pranimit te natyres se tyre kane per t’ia dale.

    @Ardian Vehbiu. Pergjimet e Bild-it paten nje ndikim te madh. Pjesmarrja ne zgjedhje ne masen 15% qe tregues i ketij ndikimi. Nuk ishte ndikimi i vetem sigurisht. Por ishte ai qe i vuri kapakun.

    @Parrulla. Ka eksponente te PD-se qe kane qene te teatri keto dite. Me turne edhe pa turne. Jo shume po ka.

    1. Trekëndëshi,

      Pikerisht se AMT janë grup divers me interesa diverse janë më të përshtatëshëm për një organizatë politke. Organizmat shoqërorë (sindikatat, shoqatat e grave, të të rinjve, grupet fisnore, etj.) janë grupe homogjene, por jo partitë politike. Organizmet politike duhet të mbështetet mbi diversitetin, sidomos të ideve. Po të kishim nevojë për grupe homogjene politike, shumë mirë i kemi partitë që kemi. Nuk kemi nevojë për të tjera. Klasa politike nëse nuk arrin ta pranoj diversitetin brënda grupimeve, nuk ka për ta pranuar atë as jashtë tyre.

  9. Unë po prisja që zaptimi të ishte i përhershëm dhe të themelohej një ojf me anëtarë të gjithë pjesëmarrësit në protestë për ruajtjen dhe menaxhimin e mëtejshëm Teatrit Kombëtar, meqë ka mjaftueshëm fakte që qeveria e ka braktisur. Kontrata me Bashën/PD-në, nëse duhej të kishte një të tillë patjetër, duhet të ishte për mbështetjen e kësaj inisiative. Kjo natyrisht shastis sorosistët-neoliberalë si Basha apo si Rama, që nuk do të dinin se nga lidhet gomari më kësi rastesh. Do ishte edhe një casus apo precedent për të mos nxjerr në shitje Shqipërinë, kështu që populli do të dinte kur dhe si të nxirrte dhëmbët. Mos harroni që Teatri Kombëtar ka shkelje aq flagrante sa janë ekspozuar edhe institucione të huaja në mbrojtje të tij.

  10. Keto piskamat per instalim te diktatures nuk bejne gje tjeter,vecse na shkaktojne nje gaz te brendshem. Eshte e vertete se zgjedhjet e fundit nuk ishin zgjedhje, po mos te harrojme se u pane si zgjidhje jo thjeshte nga “diktatori”,por nga gjithe komuniteti nderkombtare,per te mbrojtur sistemin. Argumentet e Bashes per cenim te votes se lire qendrojne, por meqe z Basha eshte pare, vete personalisht, te perdore te njejta metoda per te marr pushtetin, nuk ushqejne ate ndjenjen e emapatise per te. Beri kauze te madhe votimin ne nje province te vendit per kreun e qeverisies lokale, per te argumentuar vjedhjen e votave apo shitblerjen e tyre. Zgjedhjet ne ate province ishin tranzit pas nderprerjes se mandatit te Kryetarit te Bashkise per shkak te nje skandali. Si rregull, me cfare na kane treguar zgjedhjet te kesaj natyre, gjithmon te tilla zgjedhje jane fituar nga kandidati i partise qe zotron pushtetin qendrore. Pamvarsisht kesaj, pergjime treguan se abuzimi ishte evident. Nuk duhet te harrojme se vete Zoti Basha, personalisht, fitoj nje mandat per kryetar bashkije, jo te nje province por te kryeqytetit te Shqiperise, jo kunder ndonje kandidati anonim, por bash kunder vete shefit te opozite se vendit duke ndryshuar rezultatin me dhune e duke peshtyre mbi fytyren e popullit qe votoi per kundershtarin e tij pa me te voglin brerje ndergjegje. Po keshtu jane perdorur bandat nga partia e tij, madje i njihet ekskluziviteti i faktorizimit te ketij lloj kontigjenti ne proceset elektorale, pikerisht partise qe ai sot drejton. Banda e Shijakut te famshem perzuni me dhune aleatin e sotshem te tij Agron Duken ne favor te te ndjerit Sokol Olldashi. Si drejtues politik i qarkut te Elbasanit, personalisht z Basha ka angazhuar elmentet kriminal te atij qyteti per te ndikuar ne favor te partise se tij. Edhe perse pati kontrstime te qensishme per votimet ne qarkun e Beratit qe mund te ndryshonin gjithe rezultatin ne zgjedhjet e vitit 2009, edhe perse u kerkua verifikimi i votave, gje qe nuk ishte nje teke e opozites, por nje drejte qe parashikohej ne Kodin Zgjedhor, kerkush nuk i mori parasysh protestat e opozites ne ate kohe dhe vijoi ushtrimi i pushtetit ne baze te rezultatit qe ishte bere publik.
    Thene te gjitha keto, Edi Rama nuk perplasi kembet duke then S’DU, hiqni Sali Berishen perndryshe nuk hyj ne zgjedhje. I mundi kundershtaret brenda sistemit. U fut ne zgjedhje dhe fitoi. Lulzim Basha braktis sistemin, duke mos patur sic thashe me siper edhe shume kredibilitet moral. LSI e ka aleate, te hyje ne zgjedhje edhe t’i fitoje, te mos na caje koken neve, edhe te mos i shkatoje kokecarje vendit.

    1. Dallimi eshte qe Rama e dinte qe nuk fitonte dot pa LSI-ne (prandaj edhe hengri ngjalat ne Lalez) kurse ketu gjasat jane qe opozita te fitonte ne zgjedhjet lokale. Nuk hyri ne zgjedhjet lokale sepse kish braktisur me pare parlamentin dhe eshte absurde qe te braktisesh parlamentin, por te hysh ne zgjedhje lokale, se do thuhej po atehere pse e braktiset parlamentin ?
      Jo se keta nuk flasin ndonjehere si e ema e Zeqos maje thanes dhe do humbisnin integritetin po te hynin ne zgjedhje, po nuk ka ndonje logjike ti kritikosh pse kesaj radhe nuk folen si e ema e Zeqos per hir te qetesise se vendit dhe te kryeministrit. Zakonisht robi kritikohet kur mban pozionin e te emes se Zeqos, jo per te kunderten.

      Basha mezi rindertoi njefare besueshmerie tek pedeistet pas qepallimit, nqs del humbes prape, me mire te marre milionat qe ka vjedhur e te jetoje rehat ne Hollande.
      Pastaj kur ke vetem flamurin e rreckosur te takses se sheshte se te tjerat i ke njesoj si kundershtari, nuk ta beson askush Republiken e re.
      Bashes i duhet tension politik deri ne zgjedhjet e tjera, kurdo qe te behen, qe do te thote se koha punon per Bashen e jo per Ramen. Pa kete tension Basha ska me cfare te beje politike, prandaj ska per te hequr dot dore.

      Cdo marreveshje e keqe qe do pranoje Basha do te jete vdekja e tij politike.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: