nga Gëzim Qëndro
1.1 Hapësira reale
Gjetja më originale e veprës mendoj se është “nxjerrja” e Mosbesuesit nga tabloja dhe ulja e tij përpara saj me kurriz nga ngjarja ku ai dhe Enveri janë personazhet kryesore.
Enkelejdi me një ndërhyrje origjinale ka krijuar me efektshmëri hapësirën heterotopike duke ndërthurur hapësirën reale përpara tablosë me ngjarjen në tablo, e cila nga ana e saj lidhet me një ngjarje që ndodh në hapësirën utopike të një tabloje tjetër, ndërkohë që njëri nga personazhet (Piktori) krijon një hapësirë tjetër me shikimin e hedhur jashtë tablosë.
Nëse pranojmë si të mirëqenë simetrinë me tablonë e Caravaggios dhe ngjarjen biblike atëherë gjesti i Mosbesuesit duhet të jetë paraprirë nga kërkesa e Enverit e njëjtë me atë që gjejmë në rrëfenjën e shenjtë: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!”
Së pari, kjo nuk është e mundur sepse “shën Thomai” i sotëm, si shumë shqiptarë në prill të 1985-ës, i ka ndjekur nga televizioni shtetëror pamjet me trupin e monarkut të vdekur para të cilit nuk munguan edhe shfaqje histerie kolektive dhe betimesh për besnikëri të përjetshme. Dimë vetëm që Piktori ka qenë fare i vogël për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Enverit, ndërkohë që nuk dimë asgjë për të Përhënurin. Por të tre me siguri e dinë se eshtrat e tij u zhvendosën pa shumë ceremoni nga Varrezat e Dëshmorëve në varrezën komunale të Sharrës ku prehen edhe sot, aty ku një grusht nostalgjikësh nuk harrojnë t’i shpien lule çdo përvjetor të lindjes apo vdekjes, ndërkohë që të përndjekurit prej tij nuk “harrojnë” t’i përdhosin herë pas here varrin. Pra, “këtu-ja” dhe “tani-ja” e trupit të tij organik mund të quhet vetëm sema, varri, shenja e vendndodhjes së tij fizike dhe tre personazhet tanë nuk kanë asnjë dyshim për këtë.
Së dyti, prania e trupit të tij organik në tablo përjashtohet sepse, ndryshe nga Krishti, për të cilin shën Thomai mëtoi se “preku një trup të gjallë”21 dhe aspak një qenie jo lëndore apo shajni, kjo përjashtohet në rastin e Enverit pasi askush nuk beson se trupi i tij, aq më tepër i një ateisti, njëlloj si i një hyjnie të rikthehej në jetë duke sfiduar kufijtë e vdekjes.
Së treti, sepse edhe mënyra e paraqitjes së Enverit në tablonë e Zonjës përjashton praninë e trupit organik. Takimi me të po ndodh në hapësirën utopike të tablosë, në pakohësinë e një askundvendi, në një hapësirë metafizike. Dhe, siç thotë Foucault-ja trupi organik paraqitet si “e kundërta e utopisë, ajo që nuk është kurrë nën një qiell tjetër”22, (këtu madje nuk ka as qiell) atëherë është e qartë që personazhet e tablosë nuk po takojnë Enverin e gjallë brenda trupit të tij organik por trupin e tij politik, të njëjtë me atë të një monarku mesjetar: të përjetshëm, të paprekshëm nga asgjë që lidhet me botën tokësore.
Për arsyet e mësipërme përjashtohet mundësia që Mosbesuesi të thotë njëlloj si shën Thomai se “preku një trup të gjallë.”23 Po nëse nëse Hoxha nuk ka trup organik atëhere kë po takojnë këta tre shqiptarë? Mos vallë Enveri, njëlloj si Krishti të cilit i ka zënë vendin në tablo ka dy trupa (ose dy natyra)? Në mos trup hyjnor, me siguri që bëhet fjalë për trupin politik i cili, për hir të së vërtetës, ka shumë ngjashmëri me trupin hyjnor dhe ishte i vetmi që e paraqit në artin zyrtar të realizmit socialist.
Pandehmën se tre personazhet po takojnë trupin politik të Enverit e përforcon edhe hapësira metafizike e tablosë ku nuk ndodh asgjë përjashton praninë e trupit organik pasi siç thekson Foucault-ja, trupi është përherë “pashmangësisht këtu, kurrë gjetiu.”24
Topos-i i trupit hyjnor duket se në kulturën tonë lidhet gjithmonë me njëfarë askundvendi ku enden shpirti, po në këtë tablo lidhet me atë që Foucault e quan “të bësh hapësirë” sepse sipas tij asgjë në botë nuk mund të mos kalojë përmes atij procesi që e quajmë “të bësh hapësirë.” Pra, në këtë tablo më tepër se hapësirën shohim procesin e “të bërit hapësirë,” njëra hapësirë na hedh te tjetra duke na ndërgjegjësuar se nuk jetojmë në një hapësirë homogjene, por në shumë hapësira njëkohësisht, pra, në atë që Foucault e quan heterotopi, një koncept i cili, ndonëse është i pranishëm në shumë vepra të artit tonë pamor (Motra Tone është njëra prej tyre) në këtë vepër, si një asnjë tjetër më parë, procesi i krijimit të hapësirave dhe ndërveprimi midis tyre (këtu dhe gjetkë) bëhet më i rëndësishëm se vetë prania e hapësirës si skenë e zhvillimit të ngjarjes. Pra, në krahasimin e subjekteve të dy tablove nuk mund të mos vërejmë se trupat vërtet ndodhen të mbështjellë nga hapësira që i rrethon, por karakteri i saj lidhet në këtë rast me trupin e Krishtit të ringjallur. Është ai që “prodhon” karakterin e hapësirës utopike të tablosë. Në këtë hulli duhet parë sfondi tërësisht i errët pa objekte dhe pa përmasën e tretë të thellësisë. Është hapësira që krijon trupi i Enverit ndërkohë që apostujt, bashkëkohës tanët ende gjallë janë “mysafirë” në të.
Në tablonë e Enkelejdit shihet qartë që “shën Thomai° i sotëm është po aq i rëndësishëm sa Enveri, i cili nga ana e tij po i kërkon “të mos jetë mosbesues, por besues”. Besues për çfarë? Që Enveri është ringjallur? Duket se Mosbesuesi ndodhet përpara dy detyrave : së pari, të vërtetojë përmes syve dhe prekjes që shenja e plagës është e njëmendtë, çka do të thotë që Trupi politik i Enverit është ringjallur. Por meqë përmbajtja e një besimi solist ka nevojë të mbështetet nga ekzistenca e disa besimeve të tjera po aq aksiomatike sa ai, atëherë atij i duhet të besojë krahas ringjalljes edhe në drejtësinë e doktrinës marksiste – leniniste, në unitetin e pashkatërrueshëm Parti-Popull, në besimin se shoqëria komuniste është e vetmja alternativë për Shqipërinë, në pagabueshmërinë dhe përjetësinë e trupit politik të Enverit, në epërsinë e marksizëm –leninizmit ndaj paragjykimeve, miteve, legjendave, pra, metarrëfimeve. Këtu puna ndërlikohet paksa sepse njëlloj si bolshevikët e dikurshëm, edhe Mosbesuesi e di që koncepte të tilla lidhen me besimet fetare që asokohe ishin shpallur të papajtueshme me ideologjinë zyrtare. Jo rastësisht Enveri përmendte me krenari se Shqipëria ishte vendi i vetëm në planet me kushtetutë ateiste. Pra, mos vallë, ashtu si në rastin e Leninit dhe Stalinit, kompromisi për të hyrë në zonën e metarrëfimeve dhe të teologjisë politike që prodhon auran e trupit të tij politik motivohej nga arsyeja tërësisht praktike e potencialit të madh propagandistik që kishte ngritja e Enverit në statusin e Udhëheqësit historik dhe të pazëvendësueshëm?
Dyvendësia, ose paraqitja e njëkohshme e Mosbesuesit në dy vende lidhet edhe me mëdyshjen që i shkakton kërkesa e prerë e Enverit që “të mos jetë mosbesues, por besues” pa kushte rreth një fakti të cilin ai mund ta perceptojë në rrafshin fenomenologjik, por nuk mund të nxjerrë një përfundim a posteriori sepse ai informacion nuk kthehet dot në dije pasi kundërshtohet nga logjika. Dihet se besimi dhe e vërteta kanë pasur marrëdhënie të vështirë në shekuj. Qysh në lashtësi Parmenidi e quante besimin, ose doksa-n “zemër pa dridhjen e së Vërtetës”25. Pra, imperativi i besimit pa kushte nuk nënkupton vetvetiu se përmbajtja e tij është e vërteta. Kierkegaard-i e thotë shkoqur se ajo që mund të dimë me siguri është fakti që besojmë në diçka. Sa për përmbajtjen e besimit ajo mbetet gjithmonë e hapur për analiza racionale. Me daljen jashtë tablosë Mosbesuesi ngre pyetje rreth objektit semantik të besimit (në këtë rast ringjallja e Enverit) që lidhen si me përmbajtjen e besimit, ashtu edhe me marrëdhënien e subjektit me përmbajtjen. Pra, një operacion ku ai përfshin racionalitetin e tij, një qasje diametralisht e kundërt me bindjen pa kushte ndaj të vërtetës platoniane që kërkon urdhëri i Enverit “për të qenë besues”. Qëndrimi i Mosbesuesit pohon haptas të drejtën për të dyshuar në metafizikën e pranisë, parakusht i çdo ideologjie totalitare dhe të drejtën për të hyrë në zonën e hermeneutikës dhe interpretimit. Mos vallë me daljen nga tabloja Mosbesuesi merr një qasje që e afron me qëndrimin e Hume-it i cili mendonte se besimi mund të lidhej me përpjekjet për ta ndërthurur me informacionin, duke e interpretuar këtë të fundit si pjesërisht të vërtetë? Duket se Mosbesuesi i kapur në kurth në zonën pragnore midis objektivitetit dhe subjektivitetit mbase po përpiqet të shndërrojë besimin e dikurshëm te Udhëheqësi në opinion i cili, siç dihet, është ndërgjegjësimi për pamjaftueshmërinë epistemologjike objektive dhe subjektive të një besimi. Në pamundësi të besimit të mbështetur nga dija objektive dhe logjika e fakteve që e quajmë shkencë dhe të vetëmjaftueshmërisë subjektive që e quajmë bindje, dyzimi i tij në dy hapësira dëshmon se në paraqitjen në hapësirën utopike të tablosë ai ndodhet ende nën pushtetin e formimit dhe besimit të dikurshëm duke iu bindur kërkesës së ish-diktatorit për të parë me sytë e tij provën. Ndërsa në një regjim tjetër kohe, asaj lineare (çka krijon heterokroninë e kësaj vepre), i nxjerrë në kohën e sotme, me shpinën e kthyer nga vetja e tij, ai jep dëshminë e qartë të dyshimit të gjithçkaje ka besuar më parë. Duket sikur Mbiuni ka qëndruar në tablo i nënshtruar ndaj autoritetit të dikurshëm, ndërsa Uni ka dalë për të rishqyrtuar ngjarjen i pandikuar nga askush përpara se të thotë si shën Thomai i Biblës fjalët “Zoti im dhe Perëndia ime”. Me sa duket tërheqja e tij diktohet nga pamundësia për të bashkuar dy situata: Enveri ka dhënë provën e ringjalljes (në nivelin e informacionit të perceptuar) ndërkohë që nuk kalon testin e logjikës së Mosbesuesit. Duket se përpjekja e Enverit për ta bindur për ringjalljen e tij po dështon pikërisht për shkak të suksesit dhe efektshmërisë së sistemit të tij të dikurshëm të edukimit revolucionar dhe ateist të cilit i është nënshtruar edhe Mosbesuesi i sotëm të cilin qysh në moshë të hershme e mësuan t’i shohë kultin e individit, trupin politik dhe mëtimet rreth përjetësisë, metafizikës, ringjalljes, pagabueshmërisë si të pathemelta, të largëta, madje të rrezikshme për mendësinë e njeriut të ri socialist. Mëdyshja e tij e dytë (pas asaj të zbulimit të trupit organik të ish-diktatorit), e përfaqësuar nga personi i ulur përpara tablosë, lidhet me çudinë që pikërisht Ai që e kish edukuar me pavlefshmërinë e metarrëfimeve, të kultit të individit tani i shfaqet duke mëtuar për trupin e tij politik një aura teologjike të cilën sa ishte gjallë, të paktën publikisht, e mohoi sa herë që iu dha rasti. Ndërkohë që propaganda zyrtare kish kohë që i kish dhënë trupit të tij politik aurën e pagabueshmërisë dhe të përjetësisë, të misionit historik dhe të pazëvendueshmërisë. Pra, Mosbesuesi ndodhet në mëdyshje i kapur midis hipotezës së ringjalljes (çka nënkupton përjetësinë e trupit politik) dhe organizimin e strukturës argumentuese, ballafaqimin e fakteve që mbështetin ringjalljen apo dyshimin në të. Mundet që përmes hipotezës të ndriçohet, të organizohet ballafaqimi midis sigurisë së ringjalljes dhe mundësisë që ky të jetë një mashtrim. Nga qëndrimi i menduar duket sikur Mosbesuesi është asnjanës ndaj informacionit dhe nuk po arrin dot të dalë në ndonjë përfundim. Mëtimi i Enverit se trupi i tij politik me auran e qartë teologjike “gjallon“ i pavarur nga dështimi i bujshëm i ideologjisë zyrtare dhe zbulimi i krimeve të kryera në emër të një ideali që rezultoi kallp dhe pa vlerë duket i paarsyeshëm dhe kjo mbase është pyetja që po e mundon më shumë Mosbesuesin: si mundet të kërkosh përjetësinë e trupit tënd politik, madje ringjalljen e tij, produkt i drejtpërdrejtë i mendësisë totalitare që sot ngjan sa anakronike, aq edhe absurde?
Si një absurditet që i përket metafizikës së teologjisë politike mesjetare trupi politik i Enverit mund të brendashkruhet në grupimin e ideologjive në kufinjtë pragnorë të besimeve të cilat Boudon-i thotë se ndonëse janë të gabuara, mbështeten mbi argumentime komplekse, metodike dhe në njëfarë mënyre racionale. Megjithëse Mosbesuesi i dalë nga zona e besimit ndodhet në atë të dyshimit ku po shqyrton strukturën argumentuese të fakteve nuk duket se ka dalë në një përfundim, nuk mund të mohohet megjithatë se ai ka fituar lirinë për të pyetur dhe për të dyshuar, diçka e papërfytyrueshme më parë. Çka provon se ai nuk është më pjesë e ndonjë corpus majestis, bashkësie të drejtuar nga një ide aksiomatike absolute dhe një udhëheqës karizmatik dhe as pjesë e ndonjë subjekti tjetër kolektiv. Ndryshe nga ç’ndodhte me personazhet e tablove të realizmit socialist të cilave nuk u lejohej luksi i dyshimit dhe që detyrimisht e kthenin Enverin në qendrën e padiskutueshme të kompozimit jo vetëm me shikimet e tyre. Sjellja e tyre përmbante karakteristikat e një bashkësie që i lidh një besim i patundur, ndërkohë që objekti semantik i besimit të tyre, Enveri, bëhej lehtësisht i perceptueshëm përmes teknikave kompozicionale dhe linjave të energjisë që e kthenin në qendër vëmendjeje. Pra, në sjelljen e Mosbesuesit shohim fundin e një epoke, të mendësisë tipike totalitare të magjepsjes së individit nga aura teologjike e trupit politik të Udhëheqësit. Ja përse edhe metoda e studimit që po ndjekim nuk mbështetet në holizmin metodologjik, por më tepër në individualizmin metodologjik. Vënia në dyshim e racionalitetit të individëve nuk u duket më e dyshimtë sociologëve bashkëkohës të cilët e pranojnë se holizmi metodologjik nuk e ka më privilegjin e dikurshëm të oligopolit të dijes. Racionaliteti i veprimit të Mosbesuesit (si kërkimi për të parë plagën, ashtu edhe dalja nga vetja në një regjim tjetër hapësire) përcaktohet në varësi të kontekstit në të cilin kryhet dhe kushtëzohet nga marrëdhënia midis logjikës së vepruesit dhe përfytyrimit që ai ka për situatën ku vepron. Kthimi i shpinës auras së mëtuar teologjike të trupit politik të ish-diktatorit dëshmon bindshëm për opacitetin e besimit të tij.
a. Opaciteti i besimit
Dihet se kushti i parë i opacitetit të besimit është largësia kulturore e vëzhguesit me të vëzhguarin. Ky kusht në rastin e kësaj tabloje nuk qëndron, së paku në vështrim të parë, sepse Mosbesuesi siç e vumë në dukje më lart, nuk ka ndonjë largësi kulturore nga mjedisi historik dhe kulturor i shoqërisë socialiste të ngritur nga Enveri; ai u rrit dhe edukua në sistemin arsimor të ngritur prej tij, u indoktrinua me vlerat morale dhe etike që regjimi përpiqej të mbillte në mendjet e shqiptarëve të asaj kohe. Pra, opaciteti ndaj besimit se Enveri është ringjallur lidhet me largësinë kulturore që ka tani Mosbesuesi nga vetë Enveri i tablosë, i cili po shfaq qëndrime për të cilat të tjerë që besonin në metafizikën e shpirtit u ndëshkuan rëndë nga regjimi i tij. Dikur kundërshtar i vendosur i besimeve fetare, kultit të personalitetit, tani ai po shfaq publikisht trupin e tij politik i cili ishte pjesë e teologjisë politike të monarkëve europianë qysh prej Mesjetës së vonë. Mëdyshja e Mosbesuesit lidhet me faktin që tani po zbulon dikotominë midis edukimit të tij materialist dhe dozës së theksuar teologjike të auras që e rrethonte qysh në gjallje Arkitektin e shkatërrimit të strukturës institucionale të fesë në Shqipëri. Mbase Mosbesuesi i ulur po pyet veten se si nuk e kish vënë re atëhere atë dozë të theksuar irracionaliteti që përmbante ai sistem të menduari që e ngriti një ish-profesor mediokër liceu në statusin e një gjysmë-hyjnie të pagabueshme dhe me trup politik të pavdekshëm? Kjo ide në mos tani, mbase më vonë do të shoqërohet nga një ndjenjë zhgënjimi dhe faji. Mbase Mosbesuesi po përjeton atë që thotë Durkheim-i se besimi i dikurshëm, sado irracional të jetë, nuk mund të braktiset pa shkaktuar trauma, pasiguri dhe dyshim.
Kushti i dytë lidhet me faktin që opaciteti i besimit mund të ndodhë edhe nëse besimi i dikurshëm ka qenë pa kushte. Mund të themi me siguri, pasi Mosbesuesi është një person real, se ai nuk ka pasur ndonjë marrëdhënie të pakushtëzuar me besimin e tij. Si shumë të tjerë ka besuar në njëfarë roli historik të Enverit dhe në kontributin e tij të pazëvendësueshëm në nxjerrjen e Shqipërisë nga varfëria dhe mjerimi ekonomik duke e futur në rrugën e mbarë të historisë drejt një shoqërie ku herët a vonë do të hynin doemos të gjitha vendet e planetit. Por, meqë siç thamë racionaliteti i një besimi holist nuk reduktohet vetëm në ekzistencën e një objekti semantik (në këtë rast ringjallja e Enverit) por përcaktohet nga ekzistenca e disa besimeve të tjera të lidhura me të, Mosbesuesit po i kërkohet të besojë po ashtu edhe në pagabueshmërinë e marksizëm leninizmit. Diçka e vështirë për ta gëlltitur pas dështimit të politikave ekonomike dhe sociale të regjimit të frymëzuara prej tij dhe pasojave të rënda që pagoi Shqipëria për eksperimentin social të realizimit të shoqërisë komuniste.
Kushti i tretë i opacitetit lidhet me faktin se besimi individual ka një histori që shtrihet në kohë dhe kushtëzohet nga rrethana dhe mjedise të caktuara shoqërore. Duke qenë një konstruksion mendor i ngadaltë që ngrihet në disa etapa, kushtet dhe rrethana të caktuara mundësojnë lindjen e një besimi që mbase në situata të tjera do të kish qenë i vështirë ose i pamundur të ndodhte. Ky proces, për shkak se është e vështirë të tregohet apo shihet, nuk mund të bëhet objekt vëzhgimi shkencor. Meqë Mosbesuesi është person real dimë që ka jetuar në një mjedis ku numëroheshin disa pjesëtarë të rrethit të afërt familjar të lidhur me luftën partizane, ndërkohë që profesioni i mësuesit e kishte vënë asokohe në kontakt të ngushtë me procesin intensiv të indoktrinimit të cilit i nënshtroheshin të gjithë ata që punonin në fushën e edukimit të brezit të ri.
1.1 Hapësira e tretë jashtë rrafshit topologjik
Kjo hapësirë, siç e theksuam më parë, lidhet me vështrimin e Piktorit jashtë hapësirës utopike të tablosë në një utopos tjetër ku, me sa duket, po ndodh diçka që i tërheq vëmendjen. Qëndrimi i tij mospërfillës përpara Enver Hoxhës, stili i flokëve që do ta kish kthyer në qendër të vëmendjes së aktivistëve të Frontit26 sidomos kanoçja me Coca-Cola, pijen simbol të Amerikës, e cila në shqipëri mund të shijohej vetëm pas mbarimit të Luftës së Ftohtë tregon se në një tjetër epokë ka mbërritur, ajo e kapitalizmit, globalizimit dhe individualizmit.
Por sado absurde të duket aura teologjike e ish drejtuesve të regjimeve totalitare po jep shenja shqetësuese ringjalljeje: Stalini u shpall personi më i rëndësishëm i historisë ruse, ka ikona të pikturuara me atë si subjekt ndërkohë që ka kërkesa ndaj Kishës ortodokse për ta shpallur shenjtor. Ndonëse nga partitë e djathta dhe shoqatat e të përndjekurve politikë rishfaqja e portreteve të Enverit në tubime përkujtimore të luftës nacional-çlirimtare shihet në ringjallje e trupit të tij politik mendoj se janë fare të paktë ata që besojnë në ringjalljen e tij ndonëse duket qartë që edhe pse pa auran teologjike të dikurshme trupi politik i mbijetoi trupit të tij organik dhe regjimit totalitar që krijoi. Imperativi ynë historik është të dekonstruktojmë, duke e parë mëtimin e auras teologjike të trupit të tij politik, siç do të thoshte me të drejtë Maitland-i, “një absurditet metafiziologjik”.
Kjo tablo e vendos Enkelejdin në hullinë e duhur të dekonstruktimit të trupit të tij politik, duke u bërë pjesë e këtij procesi që, ndonëse nuk ka reshtur asnjëherë, madje edhe në kulmin e terrorit, duhet kryer sa më parë. Për trajtimin befasues të subjektit, për qasjen tipike poststrukturaliste me të gjithë elementet që përmendëm si dhe për risinë e pranisë së heterotopisë dhe kronotopisë mendoj se kjo tablo meriton një vend të veçantë në artin tonë postmodern.
[fund]Seri e shkëputur nga teksti integral i librit në proces Aura teologjike e trupit politik. Te drejtat e autorit (c) Gëzim Qëndro.
Literatura:
Eco, U (2003) L’œuvre ouverte, Paris: Éditions du Seuil.
Foucault, M. (1994 [1984]) «Des espaces autres », dans Dits et écrits : 1954-1988, t. IV (1980-1988), Paris: Éditions Gallimard.
PostEva, (2001), Katalog retrospektiv i nudos shqiptare, Galeria Kombëtare e Arteve. Gentile, E. (2007) Le religioni della politica, fra democrazie e totalitarismi : Edizioni Laterza.
Kantorowitz, E. (1957) The King’s Two Bodies. A study in Mediaeval Political Theology, New Jersey: Princeton University Press.
Parmenides, Hyrja nga David Gallup, (1991), Phoenix Presocractic Series, University of Toronto Press, Plamper J. (2012), The Stalin Cult, A Study in the Alchemy of Power, Yale University Press.
Tumarkin N. (1997), Lenin lives! The Lenin cult in Soviet Russia, Harvard Press. Maitland F. (1901), The Crown as Corporation, Law Quarterly Review.
21 Gjoni 20:27-28:
22 Michel Foucault, 1994 [1984], « Des espaces autres », Dits et écrits : 1954-1988, v. IV (1980-1988), Éditions Gallimard, Paris, f. 746.
23 Gjoni 20:27-28:
24 Michel Foucault, 1994 [1984], « Des espaces autres », Dits et écrits : 1954-1988, v. IV (1980-1988), Éditions Gallimard, Paris, f. 752.
25 Parmenides, Hyrja nga David Gallup, Phoenix Presocractic Series, University of Toronto Press, 1991, f. 34.
26 Fronti demokratik ishte një organizatë satelite e Partisë së Punës e cila në nivel blloku banimi dhe lagjeje përmes veprimtarëve të saj mbikqyrte respektimin e rregullave të bashkëjetesës socialiste, përfshirë këtu edhe pamjen e jashtme, sidomos të të rinjve.
Qofsha i gabuar por kam pershtypjen se qasja e Prof. Qendro-s ka krijuar nje lloj peshtjellimi. Piktura e Zonjes ndertohet mbi analogjine me pikturen e Caravaggios por midis dy subjekteve ka dallime thelbesore. Piktura e Caravaggios “pasqyron” nje ngjarje “reale” , te njemendte, brenda narratives biblike sikurse eshte Ringjallja e Krishtit dhe zbritja e tij ne toke para Shen Thomait. Ringjallja eshte e padyshimte, reale fale dy natyrave te Krishtit-natyra hyjnore dhe natyra njerzore. Ringjallja e Krishtit buron nga trashedenca e kthyer ne imanence te tij-natyra hyjnore dhe kjo e fundit behet dhe mbartese e trupit organik te ringjallur.
Kurse ne tablon e Zonjes subjekti ndertohet ne rrafshin e simboleve dhe iluzionit. Metafora e ringjalljes se Enverit si trup organik nuk buron nga ndonje fuqi imanente e tij-ai si person nuk e beson narrativen e ringjalljes fizike.As dishepujt e tij ateiste ose joateiste nuk mund ta besojne kete narrative. Kesisoj “ringjallja” e Enverit ne tablo , ne rrafshin simbolik artikulon nje deshire infatile , nje “ah sikur te ringjallej Enveri” te cilen e shikojme te artikuluar ne hapsiren virtuale si shfryrje dhe zhgenjim per rrokopujen e krijuar ps permbysjes se komunizmit.
Qe ringjallja e Enverit eshte nje enderr me sy hapur dhe deshire infatile, na e tregon prania e “Mosbesuesit” jashte tablos, tashme jo shenje, por personi real dhe tabloja nuk eshte gje tjeter vecse nje fanepsje , nje enderr me sy hapur , nje realitet imagjinar. Kesisoj, piktura e Zonjes , e pare dhe si instalacion (tabloja plus personi-personazh jashte tablos) percjell dramen e nje iluzioni te dyfishte: fundin e iluzionit per sistemin , tashme te permbysur dhe fundin e iluzionit per ringjalljen e Enverit, ne mos si trup, si fryme per te vene rregull ne kaosin shqiptar postkomunist.
Nje aspekt tjeter eshte qasja ndaj konceptit te “trupit politik” dhe perdorimi tij si celes per shpjegimin e piktures. Metafora e “trupit politik” kam pershtypjen se perdoret jo aq per “dy natyrat” e trupit te individit me pushtet politik , liderit ne kete rast. Edhe pse trupi organik i Liderit, Diktatorit, merr atribute politike ne kontekstin e nje sistemi politik (pozicioni ne hierarki, autoriteti, kompetencat, atributet etj.) “trupi politik” ne fakt ngrihet si metafore e nje bashkesie, populli, kombi i cili shperfaqet si nje entitet popitik. Metafora e “trupit politik” gjendet ne narrativen biblike kur shen Pali thote dhe besimtaret se bashku perfshihen ne Trupen e Kishes ku Krishti eshte koka e ketij trupi (1 Korinthasve.11:3) Madje zanafilla lidhet me Aristotelin dhe me tej ,ne mesjete, metafora e “trupit politik” u perpunua ne kontekstin e teorive mbi hierarkine e sistemit monarkist (populli-trupi politik dhe Mbreti si Koka e ketij trupi) . Edhe natyra e dyfishte e trupit te Mbretit brenda teologjise politike te Mesjetes merr sens pasi Mbreti konsiderohej si mbartes i nje vullneti hyjnor dhe funksiononte brenda kesaj metafizike.
E aplikuar ne rastin e regjimit komunist, metafora do te ishte: Enveri si koka e “trupit politik” te Partise (Udheheqsi) dhe ne nje koncept me te gjere, si “koka” e “trupit politik” te popullit ne unitet me partine. Autori shkrimit thote se tre presonazhet jane te bindur se nuk po takojne “trupin organik” te Enverit dhe se jane te vetedijshem se trupi i tij eshte bere ushqim per krimbat ne Sharre por..takojne, prekin! “trupin politik”.Por trupi politik “as preket e as takohet” -kjo nenkuptohet nga qasja e Fuko per “trupin politik”.
Per rrjedhoje, piktura e Zonjes , e ndertuar mbi analogjine me pikturen e Caravaggios, ngrihet si metafore per parodizimin e fundit te iluzioneve te komunisteve te mbetur pa sistemin komunist dhe “koken” e atij sistemi-Enver Hoxhen.
Jam katerciperisht dakort me autorin (punim i shkeqyer !! faleminderit) qe gjetja më originale e vepres
eshte “nxjerrja” e Mosbesuesit nga tabloja. Ne thelb, instalacioni eshte nje “mise en abyme” e shkelqyer!
Edhe nje here FALEMINDERIT !
*mise en abime : https://fr.wikipedia.org/wiki/Mise_en_abyme
Shkrim interesant dhe vështrim i veçantë, krejt i ndryshëm i një vepre arti. Kam përshtypjen se G. Qendro është nga të paktët studiues që përpiqet ta nxjerrë kritikën e artit nga një vështrim fort i drejtpërdrejtë, ultra racional, që i kishte treguar me kohë limitet e veta. Ruaj një përshtypje shumë të mirë për një analizë të tijën për funksionin propagandistik të Kinostudios.
Megjithatë mund të diskutohet shumë për idetë që shtjellon në këtë shkrim në PTF (mbetesh i paqartë nëse ai sjell argumente e u ben thirrje të gjithë filozofëve të botës për të analizuar idetë e vepës në fjalë, apo vepra është veçse një preteks që ai të shtjellojë idetë e veta, ide që i ka akumuluar prej kohësh dhe ka qenë në pritje të një mundësie për t’i shtjelluar në publik).
Ç’është e vërteta, është pikërisht kjo tabllo, që te une ka ndikuar të fiksoj në kujtesën emrin e E. Zonjës. Para kesaj vepre me gamen e ngjyrave ku dominon okra, me statizmin e reflekuar të personazheve, tendencën për iluzionizëm, Zonja me ngjante pak si nje riciklues i E. Hopper-it në hapësirën shqiptare.
Dua të jem i sinqertë e të them se kur e pashë për herë të parë në Tiranë këtë tabllo, ajo m’u duk si një lloj parodie, e punuar mirë e me kujdes, por një parodi ne gjine e mjetet e piktures. Natyrisht, jo me qëllim që të parodizojë Karavaxhion, por në origjinë të saj nuk shoh gjë tjetër veçse atë që i ndodh një vajze të vogël që e mahnitur para fustanit madhështor të një stilisti të madh, merr edhe ajo e viziton fustanin që e ka mrekulluar dhe në pjesën e sipërme shton linja të përngjashme me tiparet e dikujt që njeh më mirë.
Këtë mendim e kam edhe sot. Jo me të keq por nuk më vjen në kokë imazh tjetër veç atij të themi te Zef Dedës së estradës së Shkodrës që vihej të këndonte e parodizonte një artist të madh si G. Çako. Por, po të mbyllje sytë e të mos shihje nga skena, vështirë të kuptoje se cili imitonte tjetrin. Asnjë stonaturë në regjistër, gamë e koloraturë.
Gjithsesi, që kur e kam parë për herë të parë këtë tablo ( i jap shumë rëndësi përshtypjes së takimit të parë me një vepër) kam menduar se arti shqiptar i ka kaluar anash realizimit të një vepre qe mund te bente poke e te shperthente kufijte e vendit, një kryevepre me një mesazh universal me kusht që imazhi i Krishtit të mos qe zëvendësuar me atë të E. Hoxhës, por të Karl Marksit. Ka një analogji më të besueshme, se sido që të bëhet, secili në idetë e veta, këtë dy personazhe janë ata që e kanë tronditur më shumë njerëzimin.
Historia nuk njeh të tjerë personazhe që kanë kuptuar më mirë thelbin e së keqes në botë dhe që të dy janë po aq të ngjashëm me tragjizmin e tyre. I pari kurrë nuk mund të mendonte se ndërsa në të gjallë predikonte dhe shpresonte të gjente mbështetës e dishepuj te më të poshtruarit , te prostitutat e të përvuajturi, te barktharët e çiliminjtë, pra ndërsa u drejtohej atyre ai do të ketë dashur të ngjallet edhe një herë aty ku është e të ulërijë nga marazi kur feja e tij u bë fe zyrtare e perandorisë romake. Por edhe Marksit as që do t’i ketë shkuar ndonjëherë ndërmend, se ndërsa kërkonte te shkulte të keqen nga bota (ëndërronte që revolucioni të shpërthente së pari në Francë se Gjermania i dukej vend fshatarësh të pazhvilluar), në të vërtetë vendi ku teoritë e tij morën trajtën e ideologjisë zyrtare ishte Rusia, ku skllavëria ishte ende në fuqi dhe që me të drejtë dikush e quajti Perandori të së Keqes.
Pra ky fund tragjik edhe i të dytit, me të drejtë përligjte një Shën Thoma të kohës sonë, që pasi shpëtoi lëkurën nga shembja e gjysmës së botës të kishte një dëshirë të parezistueshme për të kuptuar të vërtetën e plagës, këtë herë në trupin e Marksit : Vërtet, (zoti e perëndia ime) ishe i sinqertë kur predikoje një botë të re e nje njeri te ri? Dhe sot e dimë, se pavarësisht nga të gjitha, ai ishte i sinqertë dhe besonte në atë që thoshte.
Një vepër e tillë ma thotë mendje se do t’i fliste të gjithve, ndërkohë që duke parë një despot fshati si E. Hoxha në qendër të kësaj tablloje (dhe analogjie me personazhin e Karavaxhios), që bën thirrje ta besojnë në të vërtetën e plagës së tij, unë mbetem pak si shumë skeptik, edhe pse nuk bëj pjesë te të persekutuarit e tij.
Kjo thjesht sepse përpiqem t’i mbaj larg vetes të gjitha citimet e referencat filozofike e të mendoj se ndërsa te i pari qëllimi i ekzistencës dhe kryefjala e veprës mbeti Falja, te i dyti, te E. Hoxha është krejt e kundërta.
Në arkivin e shtetit ka letra njerëzish krejt të pafajshëm që i janë drejtuar atij t’u falë jetën dhe në të njëjtën letër gjendet shënime të Hoxhës të formës : Të torturohet, pastaj të pushkatohet.
Që nga ky çast më duket sikur e shoh vetën në rolin e atij mosbesuesit, që prek veprën e E. Zonjës dhe shpreh dyshimin në origjinalitetin e simbolikës së saj.
Ndërkohë, instalacioni në vetvete nuk më duket i zhveshur nga idete edhe pse ngjan te jete vetem nje quasi mise en abyme. Por nuk duhet harruar se mise en abyme nuk eshte nje vlere ne vetvete, eshte thjesh nje teknike, nje procedimi shenjash artistike, por ne kete rast ka te ngjare qe duke nxjerre nje personazh te gjalle nga nje tablo materjeje pa jetë, instalacioni merr vlera krejt te tjera nga ato te tablos.
Te pakten keshtu mendoj une.