FLUTURIM I VËSHTIRË

Iu afrova me kërshëri, madje me simpati të madhe, albumit “Dallëndyshe” të Elina Dunit, pasi e kisha admiruar punën e saj te “Matanë malit” dhe më kish mallëngjyer një koncert i saj live në Tiranë, këtu e 4-5 vjet më parë.

Mirëpo albumi i ri më la disi të mpirë. Këngët janë të bukura, Elina Duni këndon me mjeshtëri të padiskutueshme, muzikantët shoqërues janë nga më kompetentët.

E megjithatë, përshtypja pas disa dëgjimesh nuk më ndryshon: disa nga pjesët më dëgjohen të sheshta, dy-dimensionale, horizontale – muzika duket sikur nuk është ngjizur, nuk ka zënë; dhe sidomos shumë nga këngët nuk ngrihen dot nga dheu, nuk marrin flatra, fail to take off.

Për ta sqaruar më mirë se ç’kam parasysh, e ftoj lexuesin të ndjekë një nga këngët më delikate dhe njëkohësisht virtuoze të kësaj artisteje dhe të grupit shoqërues, “Ka një mot”, nga një interpretim live:

Në kuptimin që ky është standardi, me të cilin iu afrova albumit të ri të Elina Duni Quartet.

Duke lexuar poshtë e lart për suksesin ndërkombëtar të këtij albumi dhe për interesin e madh për koncertet e Elinës në Tiranë dhe gjetiu në Europë, m’u desh ta merrja gjatë veten në pyetje për çfarë nuk më ngjiti te “Dallëndyshe” pikërisht.

Dhe në fakt këtë proces dua ta ndaj së bashku me ju, pa pretenduar t’ju flas nga lart poshtë; por veç si i apasionuar pas muzikës.

Duke filluar nga natyra e albumit – sepse kjo besoj do të ndihmojë: një përzgjedhje këngësh popullore shqiptare të gjithfarshme, shumica thjesht folk, të cilat Elina i ri-interpreton në mënyrë pothuajse minimale, me pak shoqërim në piano nga Colin Vallon dhe pastaj, në radhë zbritëse, me kontrabas dhe bateri.

Këngët janë të mirënjohura mes shqiptarësh, por në versionet e tyre straight; ndryshe nga pjesë muzikore të ngjashme, që u nënshtrohen ri-interpretimeve të pafund nga këngëtarët jazz, këto nuk janë pjesë e repertorit të ndonjë jazz-i shqiptar hipotetik; dhe as është përpunuar gjëkundi ndonjë gjuhë a teknikë specifike, që të lehtësojë kalimin nga një zhanër në tjetrin.

Dhe këtu mund të pyesim, madje besoj se duhet të pyesim, se çfarë u sjell ri-interpretimi këtyre këngëve, të cilat në formatin e tyre burimor pothuajse kanë arritur një farë përsosmërie.

Pyetjes nuk mund t’i përgjigjemi, megjithatë, pa marrë parasysh publikun: sepse ndryshe do të reagojë ndaj një kënge të Elinës dikush që e di, madje e ka kënduar kaq herë origjinalin; dhe ndryshe do të reagojë dikush tjetër, që – si në rastin e publikut europian – nuk ka dëgjuar ndonjëherë më parë muzikë shqiptare.

I pari, ose dëgjuesi që e përjeton këngën mbi sfondin e origjinalit, do të kërkojë gjithnjë arsyen e këtij ri-interpretimi; i dyti jo.

Nga ana tjetër, nuk është Elina e para që e ka shfrytëzuar këtë thesar të këngëve popullore dhe të muzikës së dhomës mbi baza popullore, për një muzikë të ngjyrosur në jazz.

Kjo është bërë për muzikën shqiptare; dhe sidomos është bërë dhe vijon të bëhet, në mënyrë masive, me muzikën popullore anembanë botës.

Prandaj, madje edhe kur flasim për pritjen e kësaj muzike nga një publik të familjarizuar me versionet burimore të këngëve, gjithnjë duhet të kemi parasysh se teknika e përpunimit të tyre nga kuarteti, madje edhe zgjedhja e instrumenteve shoqëruese (faktor kritik), nuk është as e vetmja, as më e mira – por vetëm një mes shumë të tjerave.

Për Elinën kanë thënë ndonjëherë se i artikulon këngët, më shumë se ç’i këndon; por unë – nëse do të duhej doemos të vija gishtin te problemi – do të anoja ndaj diskutimit jo të së kënduarit në vetvete, por të konceptimit artistik të pjesëve të riderdhura në jazz.

new_5_quartetDhe këtu besoj ka luajtur rol të dorës së parë pianisti Colin Vallon, muzikant jazz-i i afirmuar, që ka regjistruar albume edhe me kuartetin e vet, mes të cilëve “Le Vent” dhe “Rruga”, gjithnjë të prodhuara nga Manfred Eicher, i ECM-së.

Vallon nuk i përket as shkollës së pianistëve të jazz-it amerikan, që nga Bill Evans te Keith Jarrett; as asaj së pianistëve të Latin Jazz; por një shkolle a rryme më të vonë, e cila ka përpunuar një idiomë tjetër për instrumentin, më të qetë, kontemplative dhe minimaliste.

Megjithatë, këtu nuk po dua të vlerësoj një muzikant dhe instrumentist kalibri, si Vallon; por veç të kuptoj se pse – me gjithë praninë dhe artin e tij – albumi “Dallëndyshe” i Dunit nuk më funksionon mirë.

Përshtypja ime është se Vallon, ndoshta edhe i nxitur ose në bashkëpunim me producentin Eicher, ka kërkuar t’u japë në mos t’u imponojë pjesëve një “ngjyrë” të caktuar, ose një stil të caktuar, duke guxuar deri në kufi të eksperimentit. Në këto nivele, një artist gjithnjë duhet respektuar për guximin, por kjo nuk përjashton që eksperimenti ndonjëherë edhe të dështojë.

Dhe pikërisht – disa dëgjime që ia bëra albumit më bindën se fluturimet e mirëfillta jazz të pianizmit të Vallon shtjellohen në hapësira kushedi intriguese dhe produktive në vetvete ose brenda një idiome specifike të eurojazz-it, por nuk bashkëntingëllojnë dot me frymën e këngëve të Elinës.

Për shumë nga këngët, të krijohet ideja sikur Elina këndon në një dhomë dhe Colin Vallon-i i bie pianos në një dhomë tjetër, madje luan me pianon në një dhomë tjetër, dhe midis këtyre dy ngjarjeve muzikore nuk ka ndonjë lidhje në vetvete, përveçse kur ato i bashkohen njëra-tjetrës në procesin e produksionit.

Këtyre të dyve, që mbajnë peshën kryesore në muzikën e albumit, këtë herë jo rrallë u mungon ajo që amerikanët e quajnë chemistry, dhe që do të ishte njëlloj mirëkuptimi komunikativ i natyrshëm dhe intuitiv, përtej shenjave dhe marrëveshjeve.

Me këtë shqitje të zërit nga instrumenti lidhet, besoj unë, edhe roli pothuajse i sfumuar i kontrabasit të Patrice Moret dhe i baterisë së Norbert Pfammatter në këngët.

Ka dy aspekte, për mua themelore, të këngëve shqiptare, kryesisht folk tradicionale, të zgjedhura nga Elina, të cilat u mungojnë interpretimeve në album: së pari, natyra sentimentale e muzikës, e cila u përgjigjet edhe teksteve; së dyti, fakti që shumë nga këto këngë jo vetëm ndjekin ritme të thyera, por edhe janë kënduar – sërish tradicionalisht – sipas një estetike të valles, ose kërcyese.

Sentimentalizmi dhe vallja – këngët i kërkojnë, zëri i Elinës i sjell, por pianoja dhe kontrabasi i mbajnë larg. Harmonitë dhe gjeometritë dhe ekskursionet e Colin Vallon-it janë rigorozisht elegante, të rralluara, cool; por në kontekste që nuk e mirëpresin as elegancën, as rrallimin, as cool-in.

Ma do mendja që edhe këtu të ketë qenë zgjidhja e tij artistike që të largohet krejtësisht nga estetika e muzikës folk shqiptare – dhe sidomos nga interpretimi që i është bërë tradicionalisht kësaj estetike nga muzika e përpunuar shqiptare, e cila ka disa arritje të shënuara në këtë fushë, sa i përket pianos, nga kompozitorë në Shqipëri dhe në Kosovë.

prezantimin që ia bën albumit ECM-ja, Elina vetë citohet të ketë pranuar një farë afiniteti të muzikës së saj me blues-in, sidomos me idenë se “dhimbja duhet kënduar” – çfarë më tingëllon ironike, sa kohë që e kam të vështirë të gjej gjë blues te pianoja e Colin Vallon-it, tingullin dhe konceptin instrumental të së cilit e kanë krahasuar, gjetiu, me Tord Gustavsson Trio dhe Vijay Iyer; ndonjëherë edhe me Brad Mehldau.[1]

Një rol tjetër, më të plotë dhe autoritar, e prisja të luante kontrabasi – i cili, ndryshe nga pianoja, mund ta ndjellë a ta evokojë për bukuri ritmin e një valleje; jo në lëvizje të trupit, por në lëvizje të imazhit muzikor. Kjo nuk ndodh, sepse kontrabasi dëgjohet krejt në plan të dytë, shpesh pa mundur të kontribuojë variacione dhe fantazi. Madje në fillim unë as që arrita ta dëgjoj mirë instrumentin e Patrice Moret (por le t’ia lëmë fajin impiantit tim Hi-Fi).

Nëse është apo jo pianoja instrument i përshtatshëm për filozofinë dhe ekspresivitetin e muzikës folk shqiptare sidomos në një kontekst ku ajo shndërrohet në muzikë dhome, kësaj ia kanë dhënë përgjigjen një numër muzikantësh dhe kompozitorësh profesionistë në Shqipëri dhe në Kosovë, të traditës dhe bashkëkohorë; pa çka se Colin Vallon-i nuk do të dëgjojë nga ai vesh (pun intended), dhe as është i detyruar.

Por pianoja e tij, ashtu siç vjen në album, veç tërheq vëmendjen për mungesën ulëritëse të një instrumenti tjetër me tingull të vijueshëm – të themi violinë ose klarinetë ose violoncel ose fizarmonikë – i cili të këndojë së bashku me Elinën, duke qenë në gjendje ta mbajë notën të zgjatur; sepse edhe pianoja, edhe kontrabasi edhe bateria i kanë ndërhyrjet e tyre staccato, diskrete, me hapësira në mes; çfarë e bën zërin e Elinës të tingëllojë i braktisur, si i humbur në një shtëpi së cilës ia kanë hequr çatinë. Ndoshta edhe një oud – me tingullin aq meditativ – do të ishte harmonizuar bukur me natyrën prej balade të këngëve.

Sërish do të pyesim se ç’peshë ka pasur, në këto zgjedhje artistike, estetika minimaliste dhe tepër e përveçme e shtëpisë botuese muzikore ECM dhe producentit Manfred Eicher, të cilët vërtet kanë bërë emër të padiskutueshëm në panoramën e jazz-it europian, por kurrsesi nuk mund të quhen dhe as kanë pretenduar të quhen mainstream.

Pa vënë në diskutim kompetencën teknike dhe profesionale të gjithë ekipit që e ka prodhuar albumin, po mjaftohem veç të shpreh një mendim si dëgjues i apasionuar pas muzikës, përfshi këtu edhe jazz-in; dhe të sugjeroj se albumi “Dallëndyshe” nuk duket të jetë konceptuar për publikun shqiptar.

Kjo e thënë nga pozitat e një intruder-i si unë, ose dëgjuesi tashmë të mësuar që t’i shijojë ato këngë dhe ato muzike në një mënyrë të caktuar; i cili pikërisht prandaj nuk mund të përfytyrojë si do t’u tingëllojnë këngët zviceranëve, francezëve, britanikëve, të cilët nuk kanë familjaritet me këtë lloj muzike dhe sidomos, me këtë lloj filozofie të së bërit muzikë që e përçojnë këngët.

Dhe, meqë u kthyem sërish te këngët, ndoshta meriton vëmendje edhe teknika e përzgjedhjes së titujve – meqë në to përfaqësohet muzikalisht krejt shqiptaria, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim; që nga arbërorët e Greqisë dhe arbëreshët e Italisë, te muzika polifonike e Jugut dhe ajo toske; dhe pastaj këngët e Shqipërisë së Mesme dhe të Dibrës; për të mbërritur pastaj në Kosovë dhe në Shkodër; pa përmendur pastaj pak 2-3 këngë që i përkasin muzikës folk të përpunuar dhe janë kompozime origjinale.

Një përzgjedhje e tillë përcjell jo vetëm larmi gjeografike, por edhe – dhe sidomos, meqë jemi në muzikë – një larmi të jashtëzakonshme frazash muzikore, shkallësh, stilesh të kënduari, ritmesh dhe strukturash; çfarë përfton jo vetëm vlerë, por edhe sfidë.

Dhe nëse është kështu, atëherë le të pyesim se çfarë i bën këto këngë të rrinë bashkë në një album, përtej zërit të Elinës vetë: Tekstet që janë të gjitha në shqip? Përkatësia e tyre etnike? Natyra prej balade sentimentale, e përmalluar e shumë këngëve? Marinimi në “cool”? Asnjë nga këto arsye nuk do të ishte e mjaftueshme; sa kohë që bëhet fjalë për një album dhe jo një antologji të këngës shqip as një compilation të interpretimeve të Dunit; dhe këtu mund të fillonim të diskutonim, seriozisht, nëse ekziston vërtet një muzikë folk “shqiptare” si e tillë, me karakteristika muzikore (këtë duhet ta theksoj) që të përfshijnë edhe Çelo Mezanin, edhe Vajzën e Valëve; dhe që të bashkekzistojnë përtej përfshirjes së tyre, për arsye kombëtare ose kombëtariste, në palimpsestet e mediave.

Megjithatë, ECM është një shtëpi diskografike që ka luajtur rol parësor në lulëzimin e jazz-it europian gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit, duke zbuluar talente të hatashme anembanë Europës dhe duke ua hapur dyerve idiomave instrumentale dhe vokale, me rrënjë të forta folklorike, nga gjithë bota. Nuk është rastësi që Elina ka regjistruar me ta dy albume: jo vetëm fat dhe shpërblim i jashtëzakonshëm për një artist, por edhe dëshmi se koncepti muzikor i saj dhe i kuartetit është përputhur, njëfarësoj, me atë të Manfred Eicher-it.

Një produkt i ECM është, si rregull, absolutisht cilësor; çfarë nuk përjashton, megjithatë, që në kontekste të caktuara të ekzotifikohet, sidomos kur është fjala për muzikë nga kultura minore ose të emargjinuara ose pak të përfaqësuara në skenën europiane dhe botërore. Këtë e sheh, për fat të keq, në shumë nga recensionet që i janë bërë albumit të fundit të Elinës në shtypin ndërkombëtar – nga autorë natyrisht kompetentë në profesionin e tyre, por që nuk e njohin dhe as ka pse ta njohin trajektoren muzikore të materialeve në këtë album.

Këta vlerësojnë zërin e kthjellët dhe sigurinë e interpretimit vokal, ose eksperimentimin cool të Colin Vallon-it në piano; sikurse kanë kuriozitet të dëgjojnë muzikën shqiptare të nxjerrë më në fund nga paketimet histerike-nacionaliste të kasetave buzë rrugës me shqiponja dhe qeleshe; dhe të prezantuar me një gjuhë dhe teknikë standard, atë të kuartetit jazz, të cilën publiku mund ta ndjekë dhe ta kuptojë anembanë planetit. Të gjitha këto mund të vlerësohen, dhe në fakt janë vlerësuar më vete, jashtë konsiderimit të mënyrës si janë përpunuar pjesët, si janë transformuar dhe veçanërisht, çfarë është shtuar aty, në raport me origjinalin.[2]

Gjithsesi, nuk do të doja që folk jazz-i vokal shqip, në të ardhmen, të zhvillohet sipas kësaj estetike reduktive dhe stilistikisht minimale, thjesht ngaqë skena nuk arrin të ofrojë versione të tjera, alternative; dhe gjuhë të tjera të përpunimit të folk-ut tonë për skenat cool urbane, në mjediset shqiptare dhe ato europiane. Idealisht, do të uroja edhe që The Elina Duni Quartet t’i kushtohej, në të ardhmen, këngës folk shqipe jo raw por tashmë të përpunuar, për ta përcjellë në nivelin dhe gjuhën specifike të chamber jazz; ose ku pianoja të vijë me një partiturë ekzistuese, qoftë edhe për të shërbyer pastaj si bazë për improvizime; pa folur pastaj që hapja ndaj instrumenteve të tjera, që nga violina tek violonçeli dhe fizarmonika dhe klarineta dhe flauti dhe kitara (oud), gjithnjë brenda kushtëzimeve artistike të ECM-së, vetëm mirë do t’i bënte muzikës së këtij grupi dhe jazz folk-ut europian në përgjithësi.


 

[1] Teksa po bëja gati këto shënime për t’i publikuar në “Peizazhet”, më qëlloi të shkoja në një koncert të trombetistit libanez Ibrahim Maalouf, në NYC; ku ky interpretoi të plotë suitën jazz “Kalthoum” të albumit të tij të fundit, i cili i kushtohet i tëri këngëtares egjiptiane Oum Kalthoum – një farë Vaçeje e asaj kulture.

Tani, “Kalthoum” – që mund të dëgjohet ende pjesërisht te ky link – është album jazz i mirëfilltë, çka “Dallëndyshe” nuk është, as mëton të jetë. Megjithatë, unë ndoqa me kujdes pianon e Frank Woeste, i cili m’u duk se e kish rrokur frymën e melodive të albumit brenda hapësirës abstrakte të pianos blues, me ngjyrim të fortë të Lindjes së Mesme, pikërisht ashtu siç do të doja ta dëgjoj edhe nga Colin Wallon-i.

Një tjetër artist i ngjashëm jazz-i që kam dëgjuar me dëshirë këto kohë, ka qenë basisti Avishai Cohen, në punët e tij me Avishai Cohen Trio; ku spikat pianoja e Nitai Hershkowits – si në këtë pjesë (Remembering) ose në këtë tjetrën (Soof); dhe në shumë të tjera të ngjashme. Sërish blues, por i ngjyrosur me nota latine – referenca e detyrueshme këtu është Chick Corea.

[2] Sa më lart, janë përshtypjet e mia për albumin, jo për artin e Elina Dunit këngëtare, as për koncertet e saj – të cilat duhen konsideruar veçan nga albumi.

Koncertet e Elinës kanë zakonisht sukses: Elina këndon pastër, ka zë të kthjellët dhe prani skenike të përkorë, është në thelb e kundërta antipodale e yllkës gjysmë-lakuriqe trash, e cila mbështillet pastaj me flamur për të fituar konsensusin e atdhetarisë sarhoshe. Është një premtim se jo gjithçka ka humbur, me muzikën shqipe të lehtë bashkëkohore.

E megjithatë, publiku i koncerteve të saj është heterogjen – më një anë, kemi publikun urban në Shqipëri dhe në Kosovë, që njeh edhe folk-un shqip, edhe idiomën e jazz-it; dhe e shijon koncertin si një eksperiencë “cool”, ose një urë bashkimi të tradicionales shqiptare me modernen ndërkombëtare; më një anë tjetër, kemi publikun shqiptar të diasporës, që mallëngjehet nga gjithçka shqip, dhe që ndonjëherë e duartroket Elinën si të ishte interpretuese e folk-ut tradicional, pa e marrë vesh ndërmjetësimin e jazz-it dhe të shijeve europiane kontinentale; kemi pastaj publikun europian, që nuk e njeh folkun shqiptar, por që kërkon të zgjerojë horizontin e eksperiencës muzikore, me garancinë edhe se po dëgjon një këngëtare të ECM-së – ky i fundit është publik liberal, indulgjent, por ndonjëherë edhe padronizues, në kuptimin “pa shih, edhe këta shqiptarët mund të këndojnë.”

Është e pamundur që t’u gjesh një emërues të përbashkët këtyre publikëve, përtej Elinës vetë, si këngëtare, si zë i kthjellët dhe si prani e bukur në skenë; çfarë më tregon edhe vështirësitë që përjetojnë përpjekje të tilla, të cilat synojnë ta nxjerrin folk-un shqip nga tharku tradicional i konsumit lokal, për ta sjellë në Europë dhe gjetiu në botë, por jashtë klisheve të ekzotifikimit dhe të world music.

8 Komente

  1. Falemnderit per kete shkrim Xhaxha, vertet qe me kenaqi.

    Kam qene edhe une ne salle ne ate koncert te disa viteve me pare, dhe gjithashtu e kam shijuar shume. Vetem se prisja qe aty te ishte nje piknisje per Elinen dhe bandin, po kurrsesi pike mberritje. Natyrisht kur them pikemberritje nuk po dua te ngjaj fatalist, dhe gjithmone i referohem asaj cfare ka mundur Elina te prodhoje deri me sot, por duke shpresuar qe ne te ardhmen te arrije shume me teper sesa kaq.

    Mendoj se forma me te cilen Elina ka menduar ta prezantoje muziken folk shqiptare, duke e riperpunuar me nota jazz, eshte nder me te gjeturat. E kam fjalen ketu kryesisht per nje publik te huaj. Kam vene re qe te njejtin model eshte perpjekur ta jetesoje (edhe pse ne menyren e saj) edhe Eda Zari. Cfare problemi shoh une, sidomos ne kete album te dyte, eshte se Elina ende nuk po arrin qe muzikes se saj ti vendose nje “vule”. Folku shqiptar ketu rimerret dhe perpunohet, por pa luajtur ne thelb ate rol qe do ta bente unik ne treg. Vete kenget (burimore) nuk ndihmojne, aq me teper kur perzgjidhen kaq te ndryshme me njera-tjetren per te mos formuar dot nje fryme. Nje menyre tjeter do te ishte nderfutja e nje instrumenti muzikor specifik dhe “autentik” (dikur ketu ne blog eshte folur per kora-n), edhe pse duhet te biem dakort qe lahuta nuk do ishte shume e pershtatshme 🙂 Nuk di te them se si pikerisht mund te vendoset kjo “vule”, nuk jam ekspert muzike por thjesht nje amator. Di te them gjithsesi qe cfare do te deshiroja une, eshte qe Elina te arrinte (ne nivele relative kuptohet) ate qe psh arriti Mulatu Astatke dekada me pare me ethio-jazzin.

  2. Po komentoj si ilustrim i asaj cka shkruan xhxhai.
    Nje album i Elina Dunit eshte pjese e menuse muzikore qe ofron Lufthansa per pasagjeret e saj ne linjat nderkontinentale (ndoshta dhe gjetiu, por kjo ishte eksperienca ime).
    E “zbulova” dhe u ndjeva entuziast per ate prani shqipe, aq me teper e perjetuar si ogur i mire dhe shoqeruese familjare per nje rruge te gjate. Per Elina Dunin kisha degjuar, por nuk e kisha degjuar.
    Kenga e pare…, e dyte…, e katert…
    Epo s’qenkerka muzike per veshet me mi – mendova, me bindjen (qe vijoj ta kem) se problemi ishte i imi.
    Aty krah meje, bashkeshorte e atyre 13 oreve qe nuk mbaronin, ishte edhe nje grua franceze, femije e dy prinderve emigrante portugeze.
    Pas intros fillestare standard, me thote se kishte degjuar per bukurine e natyres shqiptare, por nuk dinte asgje me shume se kaq.
    I propozova te degjonte Elina Dunin, shoqeruar kjo edhe me nje ndjenje te fshehte kenaqesie per prezencen e pazakonte te nje artisti te famshem aty prane meje, qe ma bente me te lehte prezantimin e botes shqiptare, permes nje nderhyrjeje sui generis.
    Ne paranteze shpjegoj se franko-portugezja ishte me edukim ne bio-kimi dhe punonte per nje institut franko-meksikan qe kryente studime mbi hiv-aids.
    Pasi degjoi dy kenget e para, i hoqi kufjet. Kenge vaji? – me pyeti. Jo, dashurie – i thashe. Epo nuk eshte momenti i duhur per t’u ndjere sentimental – ma preu dhe e la me aq, pa shpjegime te metejshme.
    Ne origjinal jane me te hareshme – e mbylla une …

    1. Sa here me qellon te leviz me Alitalia, ne sfond kam Ludovico Einaudin. Interesante eshte qe, megjithese eshte nder muzikantet qe hyn tek te preferuarit e mi, ne avion me bezdis shume (po, edhe kur luhet Le nuvole bianche). Dua te them, ndoshta franko-portugezja i ka rene pikes me ate verejtjen e vete 🙂

  3. Pershendetje Ardjan,
    Kekapur nje teme qe e kam pike te dobet. Nuk jam etnomuzikologe,por etnologe qe e dashuron muziken popullore, sidomos atete sllaveve te jugut, vecanerisht sevdalinkat boshnjake dhe kenget maqedonase. Sevdalinkat e Bosnjes u preken nga trendi i etno-jazzit ne menyre teper intensive, nisen me Mostar Sevdah Reunion, vazhduan me Damir Imamovic dhe kulminuan me Bozho Vreqon (pervec bendeve te tjera me pak te njohura). Kjo qe ndodh me Elinen,qe eshte fiks keshtu si e ke pershkruar,ka ndodhur edhe me te siperpermendurit. Nuk kam mundesi te futem ne detaje keto dite, por kam frike se e gjithe historia e etnojazzit ballkanik po perfundon si e ke thene ne fund: per shkakte veshtiresive per te nxjerre dicka nga lokalja ne globale por jashte klisheve, e vetmja menyre per te mbijetuar mbeten klishete. Keshtu ka kohe qe nuk degjoj me Damirin, Bozhon e Aminen, sigurisht se as Elinen. Good old classics si Fitnetja e Hafsaja, Zaimi, Danica, Vasilija, Mara e Ksenija nuk zhgenjejne kurre. deshtimi i etno-jazzit i beri ata edhe me te medhenj ne syte e mi.
    Me te mira
    Armanda

  4. Ajo që jazz-i bën më mirë se shumë zhanre të tjera, ngase e ka në gen, janë referencat mes kulturave mainstream dhe atyre të ashtëquajtura ekzotike. Ndaj druaj nëse intrpretimi është termi më i përshtatshëm në këtë rast.

    Gjithmonë më është dukur se muzika popullore shqiptare është paksa ‘over the top’ dhe e mbingarkuar. Dhe për këtë nuk ia vë dot krejtësisht fajin paketimit nacionalist buzë rrugës. 😉

    Nuk e kam dëgjuar albumin, por falë Xha Xhait e bleva dhe pres ta dëgjojë me ëndje.

    Personalisht, e them pa droje se muzika popullore shqiptare më lodh. Ndaj e mirëpres një referencë kontemplative dhe minimaliste tw saj. Mezi pres ta dëgjoj.

  5. Pyet Xha Xhai :.. çfarë u sjell ri-interpretimi këtyre këngëve, të cilat në formatin e tyre burimor pothuajse kanë arritur një farë përsosmërie.? ” dhe ne vijim sjell nje varg argumentash te cilat sillen rreth idese se “filozofise minimaliste” te rikonceptimit te kengeve te folkut shqiptar nga kuarteti jazz. Argumentat e sjellura- mungesa e sentimentalizmit dhe e larmise se veglave muzikore qe shoqerojne kenget burimore, kalimi nga estetika ekspresive e valles te origjinalit, ne muziken e qete te dhomes dhe shkeputja e te kenduarit/kengetares nga kuarteti/vija muzikore (loja si ne dy dhoma te ndara)-pra te gjitha argumentat duket se i meshojne idese per humbje ne riinterpretim, e ngjashme me konceptin e “humbjes ne perkthim ” te nje romani.
    Provova te degjoj kengen e sjelle si ilustrim-Ka nje mot e gjysem viti-nga dy -tre kengetare folku dhe kontrasti me versionin e Dunit eshte i dukshem, cfare tregon se ri-interpretimi i saj ka sjelle dicka te re dhe qe lidhet me filozofine e tekstit te kenges: nje dashuri e konsumuar ne menyre diskrete, larg syve te botes.Ndjenja me e bukur njerzore, ngazellyese e shpirtit dhe qenies, perjetohet si dhimbje dhe pikellim .Perse? Pergjigjia eshte e terthorte: tradicionalisht dashuria ne mjediset konservatore shqiptare ka qene nje ndjenje e penguar dhe si e tille eshte konsumuar ne fshehtesi, duke u kthyer ne brenge dhe pikellim. Kjo filozofi tekstuale percillet mjeshterisht ne rikonceptimin e vijes muzikore dhe riinterpretimin e Dunit. Po te vihet re, struktura e kenges ka tre pjese:nga fillimi deri ne min. 2.22 dominon zeri kengetares , ndersa pianua dhe disa vibrime te shkeputura te kotrabasit mbeten ne sfond duke nenvizuar ngarkesen pikelluese te kenges. Nga min.2.22 deri ne min 3.34 dominon orkestralia, vija melodike kurse nga min 3.34 deri ne fund-pjesa e trete, pervijohet si sinteze e zerit/ te kenduarit me veshjen muzikore.Te kenduarit merr trajta pasthirrmore, si ahte te pastra te shpirtit, pra nje pentagram pasthirrmor, i aplikuar gjeresisht ne tekniken muziken folklorike shqiptare. Intonacionet pasthirrmore percjellin kthjellet brengen dhe pikellimin dhe harmonizohen organikisht me vijen melodike .
    Kjo qasje konceptuale e ka dekontekstualizuar kengen nga mjedisi oriental, i ka hequr sherbetosjen sentimentale dhe yndyrat e ahengut qe perftohen prej kengeses burimore, duke depertuar keshtu ne esencen e paster te tekstit per dashurine si dhimbje dhe pikellim. Muzikimi minimalist ne kete rast nuk eshte mangesi, as minus por fale kesaj filozofie muzikore, perla eshte rishfaqur me gjithe shkelqimin e saj gati funeber.

    1. Bukur. Vetëm se këngën “Ka një mot”, e kam sjellë si shembull se çfarë mund të bëjë Elina, sa cilësore mund të jetë, sa lart mund të arrijë me artin e vet. Jo të dobësive të Elinës dhe të grupit të saj, por të dhuntive. Se janë këto dhunti, që i bëjnë më flagrante për mua mungesat e albumit “Dallëndyshe”. Madje kënga në fjalë, “Ka një mot”, nuk i përket këtij albumi të fundit, por tjetrit, albumit “Matanë mali.” Dhe nuk më rezulton të jetë folk, por këngë e kompozuar, nga një autor…

  6. Xha xha, aq sa i kam degjuart te dy albumet, pa kompetencen e profesionistit, por thjesht si admirues i stilit te Dunit, mendoj se , kenget e “Dallendyshja”, si qasje dhe konceptim , nuk ndryshojne shume nga “Matane malit” .Ne shkrim thoni se disa nga kenget jane larg standartit te vendosur nga kengetaria ne kengen “Ka nje mot” .Mund te kete kenge te dobta tek “Dallendyshe”, gje qe eshte e natyrshme. Ne nje album dy-tre kenge shkelqejne, si rregull.
    Por ju nuk ndaleni ne ndonje kenge te vecante per te ilustruar argumentat tuaja. Sipas meje, shprehja “disa nga kenget” mbetet mbulese diplomatike sepse, ne fakt, ju po kontestoni obshe filozofine e konceptimit te rimarrjeve te Dunit ne kuartet. Thoni (ne princip) se nje piano dhe kontrabas nuk mund te percjelli ritmin e valles, ekspresivitetin dhe diapazonin e vibracioneve muzikore te kengeve burimore. Po degjoja kengen “Baresha”, nga Duni dhe Pagarusha. Versioni Dunit vjen me alergo, duke depertuar ne thelbin e tekstit, ndryshe nga versioni dramatik i Pagarueshes. Nuk ka dyshim se origjinali kendohet mbi nje shtrat muzikor mahnites por versioni i Dunit percjell bukur, mbase me shume se origjinali, tonin e gzueshem dhe ritmin e valles i cili tek origjinali duket se eshte sfumuar prej notave dramatike dhe psikamave ne te kenduarit e Pagarushes. Nqs do te flisnim per stil te Dunit, tipari karakteristik do te ishte se, nqs ne te kenduar Duni ruan vijen melodike te origjinalit dhe nderfut variacione te saj aty-ketu, shtrati muzikor i trios instrumentale eshte nje braktisje totale e origjinalit. Kjo mbase eshte arsyeja e pershtypjes se muzikantet dhe kengetaria luajne ne dy dhoma te izoluara. Kjo eshte risia e kuartetit dhe fale ketij konceptimi, nje pjese e mire e kengeve burimore, duke u zhveshur nga levozhga e tyre muzikore , shpesh me nota orientale, i shpetojne ato nga qasjes e degjuesit te huaj thjesht per motive ekzotike . Dhe meqe jemi tek dy pale degjuesit-ai vendas dhe te huajt, them me bindje se pikerisht degjuesit shqiptare qe njohin edhe kenget burimore, i perjetojne si nje zbulim interesat riinterpretimet me te arrira te Dunit.
    Gjithsesi, pajtohem me ju, kur sugjeroni alternativa te reja interpretimi, pa u kycur domosdoshmerisht ne kuartet dhe perfshirja e instrumentave muzikore te cilat kane potencialin per te percjelle ritmet, frymen dhe spektrin mahnites te folkut ne versione te perpunuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin