FUSNOTË MBI VELINË

Spektatorët shqiptarë, që i ndjekin rregullisht televizionet italiane, e kanë pikasur që në fillim se formati i emisionit “Fiks Fare”, ngjasonte shumë me versionin italian “Striscia la notizia”.

I pari, i transmetuar nga televizioni shqiptar Top-Channel dhe i dyti, nga italiani Canale5, ngjajnë edhe sot si dy pika uji nga pikëpamja e formatit: drejtuesit e emisionit, balerinat, skenografia, ndriçimi, reportazhet, investigimet, lajmet, satira, humori, orari i transmetimit, etj.

velinat2Pak a shumë e njëjta gjë mund të thuhet për emisionin me titull “Ça thu?”, i realizuar më vonë në kohë dhe i transmetuar deri para mbylljes nga televizioni Agon Channel. Aktualisht ky emision ka ndërruar emër në “Stop” dhe është bartur i tëri në televizionin Klan, nga ku transmetohet nga fillimi i 2016-s. Në bazë të tyre, gjithnjë dy drejtues e dy vajza kërcimtare.

Satira dhe humori përbëjnë fillin e kuq që lidh dhe karakterizon emisionet e mësipërme. Pavarësisht nga cilësia dhe aftësia e protagonistëve përkatës, lajmi në këto emisione shihet kryesisht me sy satirik. Në fakt, emisioni italian “Striscia la notizia” përkufizohet që në fillesë si “telegiornale satirico“.

Jo shumë kohë më parë, fenomeni i emigracionit të formateve televizive nga Italia në drejtim të Shqipërisë, i tërhoqi vëmendjen edhe gazetës Corriere della Sera, e cila botoi një shkrim me titull “Televizioni italian i klonuar në Shqipëri”. Në këtë shkrim, me nëntitull «Nga “Striscia la notizia” tek “Iene“, deri te “Porta a Porta“: imitimet përtej Adriatikut», përmenden një sërë formatesh të ngjashme, duke e quajtur fenomenin si kopjo/ngjitje televizive[i].

Por këto radhë nuk duan të flasin për të drejtat e autorit; aq më tepër që duhet të jetë çështje e zgjidhur prej kohësh, përderisa drejtues të emisionit italian “Striscia la notizia” shkojnë dhe bashkëdrejtojnë “Fiks fare” në Tiranë, siç bëri, jo shumë kohë më parë, aktori i mirënjohur Ezio Greggio[ii].

Problemi është të kuptojmë se ç’ndodh gjatë procesit të kalimit të formatit nga një vend në tjetrin. Kemi të bëjmë me një kalim mekanik e aseptik, pra pa pasoja kuptimore, apo formati i velinat-fiksfare-2dekontekstualizuar dhe i transportuar në një univers tjetër kulturor humbet e/o prodhon interpretime të reja? Në qoftë se kemi të bëjmë me përkthim të gjuhës televizive, atëherë duhet të analizojmë procesin përkthimor, i cili ndërvepron edhe me nivelin kulturor, sikundër me atë leksikor e gramatikor. Në fakt, përkthyesi është edhe ndërmjetësues kulturor, sepse vërtet përkthen emra e folje, por i kalon ato nga një sistem gjuhësor në tjetrin, sisteme që kanë të bëjnë edhe me vizionin ndaj botës që bashkësia e folësve bashkëndan.

Siç dihet nga studimet klasike, përkthimi është edhe një lloj tradhtie (tradurre/tradire) e tekstit origjinal, çka mund të vihet re më qartë në fushën e poezisë, por jo vetëm. Zhvendosja nga një realitet në tjetrin, sjell ndryshime, sikundër i ndodh globit kur shtrihet me zor në hartën prej letre.

stop-klanPër t’u kthyer në mjedisin e ekranit, teleshikuesit shqiptarë e “Striscia la notizia” nuk habiten po t’u kujtojmë se kërcimtaret e emisionit quhen “veline”. E dëgjojnë çdo ditë, sepse drejtuesit kështu i thërrasin vajzat që hijeshojnë spektaklin me baletet e shkurtra. Edhe spektatorët që nuk e ndjekin emisionin italian tashmë janë mësuar me fjalën velina, sepse është huazuar në shqip direkt nga italishtja[iii]. Por jo të gjithë e dinë përse u është vënë ky emër.

Në italisht velina vjen nga carta velina, përkthyer në shqip si “letër e hollë speciale”, një lloj letre e lehtë që përmban kopjen e bërë me letër karboni të një letre të shkruar me makinë. Në gjuhën e gazetarisë, fjala përdoret edhe më gjerë, duke iu referuar lajmit ose komunikimit zyrtar, që i dërgohet shtypit në trajtë qarkoreje, me qëllim që të botohet, ose të jetë si orientim për komentet. Në tipografi quhet kështu një letër e posaçme që shërben për kalimin në matrica. Kurse në gjuhën e sotme televizive italiane, velina quhet vajza që del në “Striscia la notizia”, ose çdo vajzë që shërben si valetë ose balerinë e thjeshtë[iv].

velinat1Mirëpo velina ka histori kurioze. Kuptimi i fundit, ai që njihet nga teleshikuesit, lindi nga fundi i viteve tetëdhjetë. “Striscia la notizia” e Canale 5, si emision satirik lajmesh, lindi më 7 nëntor 1988, dhe ideatori i saj Antonio Ricci e pasuroi skenën me dy vajza të lezetshme me veshje seksi, që sillnin lajmet direkt nga “autoritetet”. Këto lajme quheshin veline. Nëpërmjet artificit metonimik, të njëjtin emër morën vajzat, që ua çonin drejtuesve të emisionit. Në fakt, në fillesat e emisionit, vajzat (le veline) rrëshqisnin nga një tub peksiglasi me letrat e lajmit në dorë. Për një kohë të caktuar ka qarkulluar edhe versioni mashkullor (velino), një djalosh muskuloz që sillte lajmet në studio. Sot vajzat e spektaklit nuk përdoren më për të sjellë lajme, por kërcejnë koreografi të thjeshta të shoqëruara me muzikë bashkëkohore[v].

Sipas disa hulumtimeve, fjala velina është përdorur gjatë periudhës fashiste. Në fillim të viteve 1930, zyra e shtypit e Musolinit filloi t’u dërgonte qarkore dhe direktiva të gjitha gazetave italiane duke interferuar në përgatitjen e lajmeve. Më pas, për të siguruar përhapje maksimale, direktivat kopjoheshin nëpërmjet daktilografimit duke përdorur letrën speciale (velina), që e përdornin verbalisht edhe gazetarët, por me sa duket pa ndonjë konotacion negativ.

Pra nuk ka pikë dyshimi, që emisioni satirik e ka huazuar qëllimisht fjalën velina, duke iu referuar regjimit diktatorial dhe raportit që kishte me mediat[vi]. Por nga mënyra se si luan me lajmin dhe pushtetet e radhës, emisioni satirik nënkupton me veline edhe raportet e komplikuara midis pushtetit e gazetarisë në ditët e sotme.

Në kulturën moderne italiane fjala velina, ka qenë baza për fjalëformime të reja, siç janë velina elektronike, ose videovelina. Por ndoshta më i përdorur ka qenë neologjizmi velinizëm (velinismo), me të cilin shenjohet mercifikimi televiziv i vajzave të reja; e që u përhap kryesisht gjatë pikut të berluskonizmit në Itali[vii]. Në atë periudhë u fol edhe për velinizëm politik, çka nënkuptonte përdorimin e trupit të femrave edhe në politikë[viii].

Jo vetëm origjina e fjalës velina, por edhe zhvillimet konceptuale të mëvonshme në kulturën italiane, nuk ekzistojnë në Shqipëri, ndoshta ngaqë transpozimi është bërë në mënyrë mekanike, ndoshta ngaqë formati është imituar ndërkohë që e kishte humbur lidhjen semantikisht të dukshme me historinë. Në Shqipëri, shoqërueset që kërcejnë në emisionet e lartpërmendura quhen, sipas rastit, velina, vajza, balerina… Megjithatë, ato përbëjnë fenomen mediatik, pavarësisht se nuk janë shoqëruar asnjëherë me ndonjë debat kulturor për përdorimin e mercifikimin e trupit femëror nga mediat e nga politika. Ndërkohë, kjo temë, sikurse ajo e raporteve midis pushtetit e mediave, ose ajo e cilësisë dhe rolit të gazetarisë në demokraci, mbeten tejet aktuale e duhet të gjenin medoemos vend e zgjidhje në hapësirën publike shqiptare.

Përkthyesit i urrejnë të ashtuquajturat “shënime të përkthyesit”, madje rreken t’i shmangin deri në fund, ndonjëherë edhe pa të drejtë. Fakti është se ato përbëjnë provën e pafuqisë së përkthyesit, cenet e përkthimit nga një gjuhë në tjetrën, e sipas ndonjë studiuesi edhe “konkretizimin e ndjenjës së fajit” të përkthyesit ndaj autorit, për faktin se nuk ka arritur ta përçojë kuptimin e tekstit siç duhet. Mirëpo, jo gjithnjë shënimi i përkthyesit është “shenja e tradhtisë” së tekstit, as “mposhtja e tij” si profesionist, por thjesht shenja e ndryshmërisë së teksteve dhe kulturave ku ato marrin kuptim[ix].

Përgjegjësia e përkthyesit, do të shtonim, nuk është aq ndaj autorit, se sa ndaj lexuesit të tekstit, letrar, artistik, ose televiziv. E nëse shënimi i përkthyesit vlen, midis të tjerash, për reflektimin mbi tema të rëndësishme për shoqërinë, atëherë mund të konsiderohet fare mirë si fitore.

 


 

[i] La tv italiana clonata in Albania, Corriere della Sera, 8 dhjetor 2013 (http://www.corriere.it/spettacoli/13_dicembre_08/tv-italiana-clonata-albania-23dac8c2-5fdc-11e3-a69c-5b474ab780a8.shtml).

[ii] Ezio Greggio i Striscia la Notizia, “drejton” Fiks Fare: http://www.citynews.al/2014/09/ezio-greggio-i-striscia-la-notizia-drejton-fiks-fare/

[iii] Velinat e Fiks Fare, Top Channel, 2 tetor 2014 (http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=285321)

[iv] Të paktën kështu e shpjegon fjalori Treccani. Por edhe të tjerë regjistrojnë pak a shumë këto kuptime.

[v] Për hollësi të tjera, duke filluar nga gabimi etimologjik që e ndihmoi përhapjen e termit, mund të lexohet shkrimi shterues i “Accademia della Crusca”: “Origine e significato di velina“. http://www.accademiadellacrusca.it/it/lingua-italiana/consulenza-linguistica/domande-risposte/origine-significato-velina

[vi] Shih intervistën e autorit të emisionit Antonio Ricci: http://www.striscialanotizia.mediaset.it/news/-la-stampa-quando-e-nata-la-striscia-di-ricci-_6765.shtml

[vii] La metonimia della velina, shih http://guide.supereva.it/italiano_dialetti/interventi/2009/10/la-metonimia-della-velina

[viii] Për këtë pikë shiko shkrimin e profesoreshës Sofia Ventura “Donne in politica : il “velinismo” non serve” (http://www.altritaliani.net/spip.php?article102), që shkaktoi në atë kohë një sërë debatesh.

[ix] Gaetano Chiurazzi, La nota del traduttore, spia della diversità. Sull’etica discreta della traduzione, “Tradurre”, Numri 7/2014. http://rivistatradurre.it/2014/11/la-nota-del-traduttore-spia-della-diversita/

2 Komente

  1. Pishak, më pëlqeu shumë ky shkrim, e kam lexuar në mëngjes dhe e kam pasur me vete gjithë ditën. Më ka kujtuar një pyetje të vjetër që edhe ti e shtron: ç’të bësh me origjinalin, kur vetë origjinali është bigëzuar dhe kuptimi i fundit njihet e qarkullon shumë më shumë se ai i origjinës, si në rastin e velinës. Më ka lindur kjo pyetje me një fjalë në gjermanisht “mutterseelenallein”, të cilën këtu e para 15 e ca vjetësh, më duhej ta përktheja e për saktësi i kërkoja etimologjinë, me idenë se ndoshta ndonjë hije të saj mund ta kaloja në përkthim. Kur e gjeta, nuk më hyri në punë. Ky rasti im dhe i velinës, kur fjala ka përhapje masive në jetën e dytë, më bën t’i jap të drejtë P. de Man – jo pa teklif, përkundrazi – që thotë se përkthyesi duhet ta abandonojë origjinalin, çka është konsekuenca e skajshme e asaj që shkruan W. Benjamini që detyra e përkthyesit është pamundësi në vetvete. Dhe titulli që zgjedh Benjamin në gjermanisht “Die Aufgabe des Uebersetzers” mban brenda detyrën edhe dorëheqjen (aufgeben).

    1. Ke të drejtë. Madje ekziston edhe një binom tjetër që e përdorin linguistët italisht (tradizione/traduzione – traditë/përkthim), që kur përkthehet në shqip e humbet asonancën, pra bëhet padashur dëshmitar i asaj që po flasim. Edhe tradita ka rëndësi në përkthim. Kjo vlen, siç e shpjegoja më sipër, edhe brenda universit kulturor e mediatik. E këtu, më duhet të evokoj qasjen akritike, transpozimin mekanik dhe kultin e kargove. Në Shqipëri janë ligje sistemike, që veprojnë gjithnjë, sikurse ai gravitacional në sistemin diellor.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin