KONKURSI PËR TEATRIN KOMBËTAR DHE KOHËNGRËNËSIT

nga Elsa Demo

Më 18 nëntor 2022, Ministria e Kulturës organizoi audiencë me konkurrentët për kreun e Teatrit Kombëtar. Pas gati nëntë vjetësh nën drejtimin e Hervin Çulit, Ministria shpalli në fund të shtatorit konkurrimin me platformë. Faza e dytë ishte intervistimi i kandidatëve nga një juri. Kamerat nuk u lejuan brenda, por çfarë thanë para jurisë, kandidatët e deklaruan më pas për gazetarët e televizioneve që prisnin në korridor. Kandidatët, kush kishte ardhur i sinqertë, ashtu u tregua, kush i bindur në epërsinë e vet, epërsi tregoi dhe kush me përvojën 14 vjet drejtor, foli se ka ardhur koha për të shkuar drejt fantastikes në teatër. Kandidati i katërt u mërzit duke pritur dhe iku.

Në këtë kronikë, pas raportimit ipse dixit, në ligjëratë të drejtë apo të zhdrejtë, për platformat e secilit kandidat, vjen vendosja e të thënave të tyre në kontekst dhe më pas pyetja: pse nuk i besohet këtij procesi? Nuk po e quaj konkurs, sepse zgjedhja e një drejtuesi për Teatrin Kombëtar bart histori recidivësh dhe nuk mund të shihet e veçuar në një muaj afat të Ministrisë.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Audienca nis me Altin Bashën. Ai bën një biografi të shkurtër të formimit të tij teatror: studime për Regji Teatri në vitin 1993 në Universitetin e Arteve të Tiranës; 1 vit studime për aktrim teatri dhe filmi në Akademinë Amerikano-Britanike të Londrës; kurs menaxhimi në Salzburg në vitin 2000; pedagog në degën e artit skenik në Universitetin e Arteve prej vitit 1998; mban titullin “profesor” dhe titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës; ka vënë në skenë 45 vepra në teatro kombëtare e ndërkombëtare; ka çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, nga këto tri herë fitues i çmimit “Kult” për “Regjinë më të mirë”; drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental prej dy vjetësh; i martuar, me tre fëmijë.

Ai deklaron, së pari, se Teatri Kombëtar duhet të jetë teatër i gjithë shqiptarëve që ka për detyrë ta udhëheqë sistemin teatror[1]. “Mbyllja e aktivitetit në kryeqytet nuk e lejon ta kryejë këtë funksion. I ngjan një teatri metropolitan. Dalja në turne është një detyrë funksionale. Kjo do t’i sillte të mira jo vetëm teatrit por do t’u krijonte benefite edhe teatrove të rretheve. Nuk ka shkëmbim të eksperiencave edhe të trendeve bashkëkohore… Nëse hapet kjo, sistemi do të prodhojë interes të shtuar për shfaqjet teatrore, ofertë më të diversifikuar në sallat e teatrove dhe interes më të lartë për konsumin teatror.”

Së dyti, formulat e ndjekura për dramën shqipe nuk kanë arritur të kenë impaktin e duhur për të nxitur një proces të natyrshëm të prodhimit dhe shfaqjes së dramës shqipe. Basha rendit te shkaqet trashëgiminë e dramës së ideologjizuar dhe krizën e teatrit pas viteve ’90. Të dyja përmbysën raportet dhe sollën dominimin e dramës së huaj. “Drama shqipe është e lidhur ngushtësisht me identitetin e teatrit shqiptar”, thotë kandidati dhe propozon mjetet që ai do të përdorë: komisionim i dramës shqipe, përcaktim i një teme nga TK për dramaturgët; dhe laboratori, sepse aty krijohet drama më e mirë. “Duke qenë një vepër e ndërtuar në skenën e teatrit, ajo përçon jo vetëm idetë e autorit, por fiton kualitete stilistikore, natyrshmërinë e dialogut e të tjera e të tjera… Ne nuk kemi ballafaqim me temat e së kaluarës, një reflektim mbi problematikat e shoqërisë shqiptare në vitet e komunizmit. Kjo i shërben dramaturgjisë kombëtare edhe në një nivel evropian, për të ballafaquar tema të rëndësishme sociale të komuniteteve lokale apo të shoqërive në përgjithësi.”

Së treti, ndërkombëtarizimi i teatrit shqiptar. Shkak i “bunkerizimit” janë kostot e larta për një aktivitet ndërkombëtar. Pastaj pasoja është një prapambetje e thellë e cilësisë dhe estetikës teatrore. “Shohim në skenë gjëra që të çojnë në teatrin e viteve ‘60-’70. Regjisorët tanë e kanë të nevojshme të futen në një marrëdhënie për cilësinë, sepse publiku paguan dhe ne duhet t’i garantojmë cilësinë artistike. Kemi detyrim esencial, parimor, funksional për ta futur Teatrin Kombëtar në estetikën bashkëkohore në botë.” Ndaj Basha propozon një festival ndërkombëtar teatri në Tiranë, që do kishte “impakt të madh”, po edhe kosto jo aq të larta sa një turne jashtë.

Propozimi për marrëdhënie me teatrot shqiptarë në Shkup e Prishtinë, Bashës nuk i vjen nga shkretëtira. Që në vitet ‘70, kujton ai, ka pasur një marrëdhënie të natyrshme shkëmbimesh, që nuk u kthyen në një proces të natyrshëm kooproduksionesh, ku shfaqjet shkojnë e vijnë. Prishtina dhe Shkupi kanë një estetikë të përparuar, ndërsa Teatri Kombëtar i Shqipërisë trashëgon një eksperiencë në çështje të aktrimit. “Shoh një mundësi që këto dy aspekte të përputhen, sepse estetika tetarore nuk mund të prezantohet pa aftësinë e aktorit, që në fund të fundit, është mediumi që përcjell tekstet dhe spektaklin teatror. Aktorët e TK-së kanë treguar se dinë të adoptohen në stilistika dhe metodika të reja teatrore. Por për fat të keq, këto nuk kanë qenë pjesë e një procesi të natyrshëm”, proces në të cilin Basha, po të jetë drejtor, do të përfshijë edhe teatrot e Gjakovës, Pejës, Prizrenit, Tetovës, Kumanovës apo Gostivarit. Pa këtë zgjerim të gjeografisë, ai nuk sheh mënyrë tjetër që Teatri Kombëtar mos të jetë ishull më vete.

Së katërti, buxhetet dhe promovimi i cilësive artistike. Të ardhurat nga shitja e biletave duhet të mbeten në arkën e Teatrit Kombëtar. Ka njëzet vjet që pretendohet kjo. Edhe partneriteti i bizneseve, donacionet e tyre duhen parë brenda një politike afatgjatë buxhetimi.

Basha e quan trupën stabël, një sistem i ngurtë për prurjet e reja, ku edhe trajtimi financiar është en block. Formula e tij është: rikthimi i bonusit të performancës teatrore, që do të motivojë ata që performojnë mirë, sepse “performanca nuk është një medalje që e var në qafë, është shfaqje e aftësive, të cilat duhet të demonstrohen në mënyrë të vazhdueshme”. Kandidati shprehet pro kontratave afatshkurtra që aktorët të kenë mundësi të lëvizin brenda sistemit, të luajnë edhe për teatro të tjerë.

Raimonda Bulku në juri pyet se sa fort do punojë Altin Basha për menaxhimin e teatrit. Ai i kujton se lidhjet me teatrin nuk i ka thjesht profesionale. “Ti e di”, thotë ai, “se babai im ka punuar aty. Unë jam rritur në oborrin e Teatrit Kombëtar. Oborri i lojërave të mia ka qenë oborri i Teatrit Kombëtar.” Nisur edhe nga “kjo”, ai kërkon trajtim më të denjë ekonomik, përndryshe artistët do vazhdojnë “të bëjnë disa punë njëherësh dhe nuk do kenë në fokus punën në ansambël në TK”.

Luiza Xhuvani në juri e pyet se çfarë do të bëjë ai për repertorin e teatrit, sepse pas shfaqjes së njëzetë, veprat vdesin. Kandidati përgjigjet shpejt e shpejt se, teatri i repertorit është një çështje krejtësisht teknike. “Ne nuk kemi hapësira ku të magazinojmë dekoret e shfaqjeve teatrore. Duhet konsumuar një shfaqje për t’i lënë radhën tjetrës. Kjo duhet zgjidhur me Ministrinë e Kulturës, për të krijuar një hapësirë për dekoret. Salla që kemi nuk na e jep këtë mundësi, ndërkohë mundësinë për teatër repertori e kemi, aktorët i kemi në trupën stabël.”

Këto tha kandidati dhe ai i plotëson më mirë se tre të tjerët kriteret që kërkon Ministria e Kulturës për drejtorin e TK-së. Këto kritere janë:

-arsim universitar të nivelit “Master Shkencor” në fushën e artit, menaxhimit të artit kulturor;

-5 vite përvojë pune në profesion dhe/apo përvojë të konsiderueshme në drejtim, menaxhim dhe krijimtari në fushën e artit si dhe në drejtimin e projekteve kulturore;

-të njohë problemet aktuale dhe sfidat e teatrit shqiptar me qëllim reformimin e tij;

të ketë përvojë në konceptimin dhe ekzekutimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës;

-të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme – si të sektorit publik ashtu dhe privat dhe t’i dëshmojë ato;

-të ketë përvojë me teatrin e të rinjve dhe në programe të Edukimit Përmes Kulturës;

-të ketë përvojë në artin multimedial;

-të zotërojë shumë mirë gjuhën angleze.

I rrinë ngushtë Bashës këto kritere. Nga ana tjetër, atij nuk i kërkohen gjëra që nuk i dëshmon dot. Ai është krijuesi i njërës prej kompanive të para private të teatrit alternativ “Oaz”, me pak vite jetë aktivitet të shënuar. Bashkë me Hervin Çulin e ndonjë tjetër, ai ka shprehur publikisht besimin në politikat e Edi Ramës ministër i Kulturës për reformën në artin skenik në vitet 1998-2000, politikë që kishte në thelb dobësimin e publikes, mbështjen e privates dhe jo bashkëjetesën e tyre në konkurrencë. Ka qenë regjisor i spektaklit televiziv “Portokalli”, për aq kohë sa nuk e dinte në do t’i kthehej më teatrit. Ka qenë anëtar i bordit artistik të Teatrit Kombëtar. Kur pa konkurs mori detyrën e drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në dhjetor 2020, u hodh në një tjetër televizion si regjisor i spektaklit televiziv të humorit “Kosherja”. Në dy vjet, teatri i tij nuk ka ndjekur kurrfarë politike që t’i afrohet sado pak kësaj që po premton për Teatrin Kombëtar, po qoftë edhe shijeve të tij si njohës dhe lëvrues i teatrit alternativ. Teatri Eksperimental nën drejtimin e Bashës e zbriti prodhimin në një premierë në vit, pjesën tjetër u vu në shërbim të produksioneve private.

Toni i tij është i qetë e i sjellshëm para jurisë, e cila pyetjen me “si” e përdor vetëm në formën: “Si do t’ia arrish ti kësaj pune?”. Edhe toni i jurisë, si për të shmangur të çara a ndonjë plagë, është i kujdesshëm, gati i dhembshur, sikur thotë: “Je i sigurt, bir, për këtë sakrificë? Ai përsëdyt retorikën. Evidenton problemin dhe në kuadrin e një gjoja analize, krahasimet i bën me epokën e para nëntëdhjetës. Shkaqet e çështjeve të sotme të teatrit i shtyn thellë e më thellë, në komunizëm a në nëntëdhjeteshtatën, aq sa të mjegullohen përgjegjësitë. Në asnjë rast ai nuk identifikon ndonjë përgjegjësi të afërt dhe aktuale të drejtuesit të Teatrit Kombëtar, të Ministrisë dhe Qeverisë.

Gjigantizmi i premtimeve të tij e bllokon pamjen kur flet për Teatër Kombëtar pa kufij. Harta gjeografike që përshkruan, është një fantazi në kufijtë e sajesës dhe jo një objektiv që mund të përmbushet në katër vjet. Teatri Kombëtar reflekton atë që periferia është dhe teatrot në rrethe janë një kopje në miniaturë sipas frymës së TK-së. Basha na jep të besojmë idenë se emancipimi mes teatrove mund të vijë vetiu rrugës nëpër turne. Çfarë emancipimi do të vijë, fjala vjen, nga teatri i Gjirokastrës? Këtu organizohet, së fundi, takimi i tretë teatror mbarëkombëtar “Mjeshtrat e mëdhenj të skenës”. Drejtori i festivalit flet për “rritje të cilësisë së artit skenik dhe jo shfaqje mediokre”. I kanë vënë emrin “Ndrek Luca” këtij edicioni. Jurinë e drejton një kineast.

Në teatrot e rretheve ka talente (vetja i shpëtoftë!), ka drejtues që janë në karrige ca më gjatë se Çuli, ka skena ku nuk ndodh asgjë. Ka bashki që teatrin, më këtej Lungo Mares, e llogarisin sa apendicitin. Në parlament ka deputetë që përfaqësojnë zona elektorale qytetesh e krahinash ku asnjëherë nuk shfaqet një pjesë teatri, nuk projektohet një film, nuk performon një artist. Këta deputetë të zonave kulturalisht të vdekura shtuan kartonat për miratimin e një projektligji që i jepte të drejtën qeverisë të lidhte kontratë me një firmë biznesi për të ndërtuar dhe “zhvilluar” në zonën historike të Tiranës, gjë që i hapi rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar. Atë ditë-natë korriku 2018, një deputet që kishte bërë emër në sportin e mundjes, tha: “ata që po protestojnë jashtë nuk janë artistë, janë thjesht qytetarë”! Ca më herët, në shkurt, kur nisën protestat në mbrojtje të Teatrit, kryeministri dhe pas tij kryebashkiaku i Tiranës, thanë se “ata që protestojnë janë thjesht ca aktorë pa rol”! Kështu, politika mbi teatrin na tregon se e madhja hyn tek e vogla dhe rrethi kyçet si ai gjarpri që kafshon bishtin e vet.

Kështu, lentet e platformës së Altin Bashës fokusojnë hundën e gjërave, kurse kontekstin kulturor e politik e reduktojnë në hije.

Në rini Basha shkëlqeu për prirjen drejt teatrit alternativ, kur kompanitë private dhe të pavarura teatrore por kontribuonin në pasurimin e prodhimit teatror, metodologjive dhe risive në aktrim, regjisurë, dramaturgji. Por sot nuk po i  bie ndërmend gjë për valën e produksioneve të pavarura e që nesër ai do t’u japë skenën me qira. Temën “të rinjtë” e kalon me një paragraf. Nuk përmend hapësirat publike që një teatër i ri gjurmon: natyrë, fabrika të zbrazëta, vende të braktisura. Nuk e kam fjalën për rastet kur turbina bëhet sallë, po për kapërcimin e ndërtesave teatrore konvencionale.

Premtimi i tij për dramën shqipe nuk ndryshon nga ai i Hervin Çulit në vitin 2014.

Deklaratat për marrëdhëniet juridike me aktorët, i ka kontradiktore. Një herë thotë që kontratat duhet të jenë afatshkurtra, që aktorët të kenë mundësi të lëvizin nga një teatër në tjetrin, herë tjetër thotë: po, ne kemi mundësi për teatër repertori, sepse trupën stabël e kemi që e kemi, madje aktorët duhet të trajtohen mirë financiarisht, sa të mos kenë nevojë për pesë punë paralele. Ai nuk e prek rolin e Qeverisë, që vendos për pagat, as rolin e Ministrisë që propozon shpërblimin për cilësinë artistike, siç e pati në dorë Mirela Kumbaro heqjen e “bonusit”.

Basha është i qetë e i sjellshëm. Nuk ngjall kurrfarë skepticizmi para jurisë. Edhe juria ka një besim tek ai që i lexohet në pyetje dhe në ballë. Anëtarja e jurisë Xhuvani nuk e vë në dyshim përgjigjen e kandidatit kur thotë se, teatri i repertorit varet nga dekoret dhe magazinat, që ArTurbina, ku u investuan mbi 45 milionë lekë, nuk i ka. Në fakt, teatri i repertorit është një sistem prodhimi i kushtueshëm. Vërtet mbahet nga një kompani fikse aktorësh dhe me një repertor veprash të gatshme për t’u vënë në skenë nga regjisorë të ndryshëm, por krahas përgatitjes dhe përsëritjes së veprave të reja, teatri i repertorit mbështet dramën eksperimentale dhe atë me sukses komercial. Por Xhuvani është aty për t’i konfirmuar gjërat siç thuhen. Ajo është në konflikt interesi si anëtare e bordit artistik të Teatrit Kombëtar Eksperimental. Nga ana tjetër, ajo nuk i ka shprehur ndonjëherë shqetësimet për teatrin edhe kur e ka pasur tribunën e deputetes.

Përse e do Basha këtë detyrë, për ku këta thasë me rërë që është i gatshëm t’i mbajë në kurriz? Sepse është inkoherent në gjërat që thotë dhe bën. Nuk e ka problem të marrë përgjegjësi e t’i lërë punët rrugës, të angazhohet në një kauzë e pastaj të hidhet në krahun tjetër të kauzës. Po, dreqin! Kot fare të merresh me çfarë ka thënë tjetri dikur e çfarë thotë sot. Por ja që disa gjëra duhen mbajtur mend për këtë ditë, kur vjen kandidati për të disajtën herë t’i besojnë punë me përgjegjësi publike.

Sa për lodrat e fëmijërisë në oborrin e teatrit, ndjeshmëria mund të jetë aty dhe prapë ta përçmosh oborrin me gjithë teatrin si gjë pa vlerë në saje të fare pak oportunizmi; mund të jesh freskuar nën hijen e një katedraleje apo manastiri, po kjo s’të bën besimtar apo murg. Thotë Thomas Bernhardi: “Fatkeqësia sot është që njerëzit ndjekin shtegun e tyre, por duan gjithnjë një shteg tjetër.”

***

Elma Dorezi e njeh teatrin më së shumti në mënyrë artizanale, duke e bërë zejen dhe jo duke e teorizuar atë. Sapo mbaroi studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë, ajo ra në sy në Festivalin e Teatrit të të Rinjve dhe për disa vjet, pa ndërprerje, ka punuar me aktorë karriere dhe me të rinj që sot janë aktorë aktivë. Ka punuar me tekste premierë të autorëve shqiptarë, ka folur nëpërmjet tyre gjuhën e saj. Teatri Kombëtar besoi dy herë tek ajo, derisa marrëdhënia mes tyre u pre me thikë.

“Dua t’ju them se unë mund të krijoj një platformë shumë të mirë dhe në fund të dështoj si drejtoreshë e Teatrit Kombëtar, sikurse mund të bëj një platformë modeste e ta mbyll me sukses një mandat. E vetmja provë e imja para jush janë produksionet që kam vendosur në teatrin shqiptar. Them dhe këtë gjë: ndoshta do jem e para drejtoreshë, që nuk do të vendos kurrë shfaqje në skenën e teatrit që do të më besohet, siç ka ndodhur përherë nga drejtorë të tjerë.”

Sinqeriteti i Elmës thotë se gjërat mund të përmirësohen disi, mjafton të mos bësh atë që paraardhësit e tu kanë bërë.

“Një nga pikat kyçe të platformës sime është drama shqipe, të cilës i jam kushtuar fort. “Netët e leximit të dramës shqipe” duhet të vazhdojnë, por nën mbikëqyrjen e një bordi që duhet të përfshijë edhe përfaqësues nga teatrot e rretheve. Në fund të “Netëve…”, do të kemi 1 vepër për Teatrin Kombëtar, dhe 6 deri në 7 vepra që do të prodhohen në skenat e rretheve dhe festivali vjen në fund të vitit. Kështu do të kthehemi te tradita e një festivali që Teatri Kombëtar e ka pasur.”

Nga pyetjet e jurisë nuk arrin të kuptosh çfarë kanë lexuar ata në platforma, për çfarë duhet ngacmuar kandidati dhe si duhet ballafaquar ai me realitetin e gjërave.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, thotë se e ka lexuar platformën e Elmës dhe i duket “shumë interesante”. Ajo ka veçuar argumentin e kandidatit Basha dhe e formulon në formë pyetje për kandidaten pasardhëse: Çfarë do të bëjë Elma Dorezi për ndërkombëtarizimin e teatrit? “Do bazohem në eksperiencat e mia personale. Unë jam përballur me kultura të ndryshme në vendet ku pjesët e mia janë shfaqur. Në Kinë kur ishim në vitin 2017, në Austri, Rumani, derën e kemi lënë të hapur për teatrin shqiptar.”

Po për plagjiaturën, pyet Raimonda Bulku, çfarë do bëjë Elma? “Plagjiatura është ndër gjërat që hasim në produksionet e teatrit dhe këtë problem e kam ngritur gjithmonë. Ka një ligj “Për të drejtën e autorit”, po sa funksional është ai për një imazh teatral të vjedhur, për një regji apo kostum qoftë, i vjedhur? Kjo mund të verifikohet me një kërkim të thjeshtë në internet. Është një ndër çështjet që, kushdo që të jetë në drejtimin e Teatrit Kombëtar, duhet ta marrë seriozisht. E ndoshta plagjiatura është arsyeja e vërtetë që ne stepemi për të marrë pjesë në festivalet jashtë. Dhe mbetemi brenda për brenda.”

Kandidatja thotë se është në gjendje të rrisë jo vetëm numrin e produksioneve me aq buxhet sa jep Ministria, diku rreth 10 milionë lekë, po edhe shikueshmërinë. Ajo kujton se në mandatin e parë të drejtorit në ikje, shikueshmëria ka qenë e lartë. Hervin Çuli e gjeti Teatrin Kombëtar me 13 mijë bileta dhe e çoi në 50 mijë bileta. “Nga këto, 17 mijë bileta, kanë qenë për dy shfaqjet që kam vënë në skenë. Nga ana tjetër, me strukturën që ka TK, 28 aktorë dhe 2 regjisorë me rrogë, është mëse e përballueshme që me një buxhet minimal të mbulohen shpenzimet për kostumografi dhe skenografi.”

Ajo thotë se do të përdorë thirrjet e hapura për projekte, që do të gjykohen nga një bord artistik i specializuar. Drejtori aktual, pas mandatit të parë, nuk e zbatoi më thirrjen e hapur. Elma vetë ka katër vjet që pret të hyjë në konkurs.

Edhe ajo, njëlloj si kandidati paraardhës, mendon se një mënyrë për të rritur konkurrencën mes aktorëve është rikthimi i shpërblimit të cilësisë artistike.

“Si do ta bëni ju këtë? Si t’i rrisni të ardhurat përtej buxhetit të shtetit?” pyet pjesa tjetër e jurisë, Arian Avrazi, drejtor i Drejtorisë së Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Kulturës (!) dhe Elira Dani, drejtore e Drejtorisë së Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Ligjor (!).

Buxhetet dhe aksionet juridike-financiare kërkojnë vullnet politik dhe para tij një drejtor teatri nuk llogaritet, së paku, jo pa ngritur zërin me guxim për një të drejtë.  Pas pyetjeve të tilla që zbulojnë një juri inkompetente dhe tartufe, ka një nëntekst parabolik: je i lirë të hysh, por jo të dalësh; je e lirë të konkurrosh për të drejtuar një teatër, po si do t’ia bësh pa e thyer kokën ose më mirë të thuash, pa e përkulur shpinën? Ligjet nuk janë në favorin tënd dhe vëmendjen e kryeministrit për teatrin e ke vetëm që ai të tallet.

Juria bën sikur nuk e vëren se po qelbet në Danimarkë, do thoshte Dario Foja.

***

“Quhem Kiço Londo. Kam lindur më 20 mars të vitit 1961, por akoma nuk e kam kuptuar përse.” Nga matanë skype-it, Luiza Xhuvani thërret se nuk e dëgjon kandidatin. Kandidati, regjisor i Xhuvanit në sa e sa projekte, përsërit më të njëjtin ton: “Quhem Kiço Londo. Kam lindur më 20 mars të vitit 1961, por akoma nuk e kam kuptuar përse. Ç’t’ju them?!”

Ai nis të tregojë sipas një formule përrallash. Platforma e tij bën fjalë për një Teatër Fantastik Kombëtar.

“Termi fantastik”, thotë ai, “është futur për të krijuar një gjendje të re, për atë çka do ta priste Teatrin Kombëtar, nëse do kisha mundësinë ta drejtoja në katër vitet e ardhshme. Është një teatër gjithëpërfshirës në të cilin realiteti që vjen në skenë, zbulon realitetin në jetë. Duke hequr dorë nga tradita e deritanishme e teatrit shqiptar në përgjithësi, sipas së cilës teatri pasqyron realitetin, në teatrin fantastik, realiteti i përditshëm nuk pranohet. Mendohet që është naive dhe banale që njerëzit që vijnë në teatër, pasi kanë paguar taksën dhe pasi kanë paguar biletën, rehatohen dhe presin diçka të madhe, pasqyrimin e realitetit. Kjo është fyese për spektatorin. Ndërkohë detyra e teatrit është që të krijojë një realitet të ri, një realitet që zbulon, jo atë që spektatori e di më mirë sesa ne, por që zbulon një realitet të vërtetë që fshihet brenda nesh dhe konflikteve tona. Kjo e bën spektatorin më të ndriçuar e më të predispozuar që, duke dalë nga teatri, të pësojë ndryshim dhe një lloj katharsisi. Në teatrin fantastik nuk ka teatër të mirë apo të keq, ka teatër që të shëron ose që nuk të shëron. Procesi i shërimit është shumë i gjatë dhe fatkeqësisht nuk i ndodh vetëm publikut, po edhe artistëve me përvojë. Teatri Kombëtar është sfida më e madhe kulturore e artit dhe kulturës shqiptare.”

“Kiço, shumë shkurt”, ndërhyn Raimonda Bulku. “Ti e di ç’është teatri. Çfarë nuk ke bërë dhe çfarë do doje të bëje?”

“Asnjëherë nuk mjafton asgjë”, përgjigjet kandidati. “Unë jam sonte këtu në respekt të punës, të kolegëve, në respekt të vendit tim. Po të kthej kokën pas në vitin 2005 dhe ta krahasoj me teatrin sot, fatkeqësisht shoh pak premiera, pak role. Është një trajektore e gabuar e teatrit. Aktorët shpërblehen më pak estetikisht, shpërblehen më pak moralisht, shpërblehen më pak ekonomikisht. Sot asnjë aktor i Teatrit Kombëtar nuk e arrin pagën e drejtorit. 18 vjet më parë merrnin më shumë sesa drejtori, më shumë sesa një deputet. Do luftoja që kjo gjë të bëhej ligjore. Do bëja atë që bëra me Teatrin Kombëtar Eksperimental, që 2-3 regjisorë nga më të famshmit, të ishin në bordin e teatrit; që karriera e aktorëve të pësonte ngjitje çdo ditë; që publiku të vinte me dëshirë në teatër dhe të largohej me çarje të mëdha drite. Do doja një Teatër Fantastik Kombëtar.

Shpesh bordet, pas të cilëve drejtorët fshihen duke marrë vendime aspak të drejta, gjykojnë mbi veprën. Askush nga bordi nuk kundërshton vënien në skenë të “Medeas”, “Antigonës”, “Shtëpisë së kukullës”. Ajo që duhet të bëjë bordi është të dëgjojë konceptin. Kryeshërbëtori, domethënë drejtori, duhet të ketë kontakt me regjisorin që të mos niset nga biografia e tij. Kjo është diçka që Teatri Fantastik Kombëtar, duhet të bëjë. Vetëm kjo e largon plagjiaturën.

Edhe për dramën shqipe kemi koncept të gabuar. Ne mendojmë se pa dramën shqipe nuk do ketë Teatër Kombëtar. Jo, pa një Teatër Kombëtar të rëndësishëm, nuk do të ketë dramë shqipe. Të gjitha veprat e fondit të artë kanë lindur në periudhën 1946-‘73. Janë vendosur në skenë 11 vepra të Shekspirit. Dhe kemi në fondin e artë “Toka jonë, “Familja e peshkatarit”, “Karnavalet…” e të tjera. Nga viti 1973 deri në ’90-ën, janë vendosur me shumicë pjesë shqiptare dhe vetëm 9 vepra të huaja. Nuk kemi asnjë vepër që mund të rivihet në skenë. Këtë gjë Teatri Fantastik Kombëtar, nëse do të ketë fatin të rilindë, do ta rregullojë. Një vepër shqiptare duhet të vihet në Evropë nga një regjisor i huaj. Kjo është sfida e kryeshërbëtorit të Teatrit Fantastik Kombëtar.”

Relapson juria: “Si mund ta rrisni buxhetin e Teatrit dhe si do ta ndryshoni shpërblimin për cilësinë artistike, përtej asaj që përcakton qeveria?”

“Do ta konsideroj fondin e Ministrisë 70% të buxhetit”, thotë kandidati. “30% do t’i siguroj vetë nga përqindja e biletave dhe donacionet. Kam një përvojë. Forma e kleringut, është një mënyrë. Të ardhurat në arkë do shtohen duke përdorur çdo lloj mënyre, pa shkelur ligjet.”

“Cili është çelësi i teatrit fantastik?”, pyet Xhuvani.

“Dashuria” përgjigjet kandidati.

“Përtej kësaj” thotë aktorja.

“Po të kujtoj vargjet e Lasgushit”, thotë kandidati, pa e ngritur vështrimin: “As rroj as vdes, po jam pa mend. Unë jam pa mend për teatrin.”

Kiço Londo ka drejtuar Teatrin Kombëtar në vitet 2003-2005; Qendrën Kulturore “Tirana” – Teatri i Metropolit në vitet 2005-2011 dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental në vitet 2014-2020. Në të trija herët i emëruar pa konkurs nga partia në pushtet, e majta. Ndryshe nga çfarë deklaron në audiencë, për drejtorët që fshihen pas bordeve, është pikërisht rasti i tij. “Nuk jap llogari si do ta drejtoj Teatrin”, janë deklaratat e tij publike të vitit 2005, kur shpallte se po sillte modelin anglez të administrimit të teatrit pa bord artistik. Premtonte dikur si kandidatët sot: shtim i premierave, politikë repertori, turne nëpër Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Premierat i shtoi, komeditë po ashtu, politikë repertori nuk bëri, turne jo, bashkim me sivëllezërit shqiptarë jashtë, jo.

Ai fliste dje për rolin e kryeshërbëtorit të cilin e ka shpërdoruar pa teklif. Ka vënë vepra në skenat që administronte, çdo sezon nga një premierë. Deri në tri arriti me Teatrin Eksperimental vitet e fundit.

Ia quajnë meritë që ambientet e disa teatrove i leu së jashtmi dhe së brendshmi i bëri kotece me emrat “Shekspir”, “Çehov”, “Bodrum”, “Gëte”, pa një strukturë skenë-plate/sallë, pa një sistem profesional ndriçimi e fonie. Disa prej tyre janë dhoma me një podium dhe karrige ose stola rrotull.

Nuk ka pasur transparencë ky proces i ndërtimit të teatrove të Londos.

Të njëjtën gjë nisi të bëjë me sallën e vogël të ArTurbinës. Ai investim milionësh në një magazinë betoni, me të drejtë që Londos nuk i hynte në sy. E bëri sallën nga 150 me 250 vende. Krijoi ca tip ballkonesh, ndryshoi ngjyrat në holle, në skenë dhe në sallë: “Çdo gjë është kuq edhe zi, si kodi ynë gjenetik”, u thoshte gazetarëve dhe numëronte se ka ndërtuar gjithsej 12 salla në Tiranë.

Teatrit Eksperimental në ansamblin e vjetër të TK-së, i shfytyroi identitetin brenda. Copëtoi fuajenë në salla dhe banja. Së jashtmi ndryshoi aksesin në teatër duke evituar hyrjen nga portat klasike.

Në skenën e quajtur “Molier” ku kërciste çdo dërrasë, kam parë dy performanca të paharrueshme: “Presidentet” nga Werner Schwab, me regji të Sabine Mitterecker, dhe “Jashtë derës” nga Wolfgang Borchert, me regji të Mantas Jančiauskas.

Në të njëjtën skenë kam parë deformime të Oscar Wilde-it e Shekspirit nga regjisorë të huaj, Brecht e Schmitt nga dora e Londos. Kështu që deklaratat e tij për teatër fantastik, për jopasqyrime të realitetit janë one-man show pas perdes.

Londoja është lajkatar i aktorit. Është admiruar nga të rinj të sapo diplomuar, që kërkonin një vend pune në zanat dhe nga aktorë që, për shkak të konflikteve me drejtuesin e Teatrit Kombëtar apo me “Portokallinë” e Bashës, kalonin në krahun e Londos.

Po pse ky theks tek aktori dhe politika për shpërblimin e tij në platformat e të tre kandidatëve?

Nuk ka të bëjë me faktet që teatri ynë është kryesisht i mjeshtërisë së aktorit, që aktori është një profesionist në nevojë (te “Lisistrata” e Aristofanit, regjisori Spiro Duni përdor motivin e aktorit të papunë që reciton folklor dhe fut batutën: Shekspir do të recitoj, jo popull). Varësia e interesave tek aktori, figurë që shpesh reduktohet në tekstthënës (të merr malli të shohësh performancë të mirë) është shenjë e prapambetjes së teatrit tonë. Në teatrin bashkëkohor çdo shenjë teatrale duhet të jetë e të njëjtit nivel, sepse aktori i vetëm nuk mund të krijojë dot imazh pa shenjat e tjera si objektet, kostumet, ngjyrat, drita, muzika.

Aktori është elektorat. Ai krijon aleanca brenda oborreve dhe dalja e tij në ekrane krijon përshtypjen e njeriut që ka aftësi për t’u indinjuar. Aktori bën sindikatë, bërtet, shan, ndahet, krijon sindikatë tjetër. Aktori është votë që është shitur dhe blerë nga drejtorë dhe pushtetarë. Sërish Bernhardi ndihmon kur thotë se, një artist si skulptori duhet t’i puthë bythën kryetarit të bashkisë, përndryshe ky nuk ia zgjedh punën, e cila e ka destinacionin në publik, ndërsa shkrimtari nuk ka nevojë ta bëjë këtë. Teatri gjithashtu ka një destinacion publik që e përcakton pushteti, dhe vitet e fundit kanë treguar se aktori dhe njerëzit e teatrit kanë qenë në pozitën e skulptorit që flet Bernhardi.

Verën që shkoi, Bashkia e Tiranës krijoi, pas selisë së Partisë Socialiste, një skenë verore teatri vetëm për një Imam dhe për pesë shfaqjet e tij.

Zgjedhja e drejtorit të Teatrit Kombëtar ka për të qenë më e lehtë pas bojkotit dhe padurimit të kandidatit të katërt, Arben Derhemi. Juria vlerëson me 60 pikë platformën dhe me 40 pikë intervistën e kandidatit. Por, nuk mund të mbyllet një epokë njëzet vjeçare me Çuli-London në krye të teatrove, pa pasur edhe Bashën në këtë luadh kohëngrënësish.


 

[1] Disa nga premtimet e platformës së Hervin Çulit, që e bënë drejtor të Teatrit Kombëtar në vitin 2014.

-Nën drejtimin tim TK do depolitizohet përfundimisht dhe artisti do rifitojë dinjitetin e humbur nga politika abuzive e këtyre 23 viteve.
-Një grupim me djem dhe vajza të reja që po përballojnë aktualisht programin e TK-së vazhdojnë të punojnë pa kontratë punë. Teatri Kombëtar do të jetë një institucion me kontrata 1-vjeçare.
-Regjisorët, me miratimin e drejtuesit të TK-së dhe të bordit artistik, do të rekrutojnë aktorët bazuar në: karrierën e spikatur artistike dhe në audicion.
-TK-ja duhet të distancohet nga modeli i vjetër i Këshillit Artistik që shpërndan si kompromiset dhe përgjegjësitë. Bordi duhet të jetë një mekanizëm revizionues për punën e drejtuesit të institucionit. Pesë ose shtatë individë të propozuar nga komuniteti artistik dhe të miratuar nga Ministria e Kulturës, duhet të jenë monitoruesit më të fortë për politikën artistiko-financiare të drejtuesve të TK-së.
-Çdo vit në Teatrin Kombëtar do të ftohet një regjisor i huaj i kategorisë A.
-Përzgjedhja e veprave do jetë produkt i një strategjie të paracaktuar për çdo sezon artistik.
-Vendin kryesor në repertor do ta zënë veprat më të mëdha të dramaturgjisë botërore dhe kombëtare.
-Drama shqipe do të jetë themeli i repertorit të TK-së.
-Promovimi i dramës shqipe do kalojë nëpër filtrin e “Laboratorit të Dramës Shqipe”.
-TK-ja do nxjerrë nga fondi i artë i dramës shqipe veprat më të bukura dhe do t’i inskenojë nën një këndvështrim bashkëkohor.
-Faqja zyrtare e TK-së: Nuk më kanë zënë sytë një faqe më të varfër, me lajmërime që vendosen aty për aty, një ose dy ditë para ndonjë aktiviteti. Aty nuk gjen asnjë shenjë të repertorit, asnjë të dhënë nga arkiva e shfaqjeve, asnjë të dhënë për administratën, prapavijën, aktorët. Kjo faqe ka ardhur koha të rikrijohet dhe të vendoset në lartësinë që i takon një institucioni bashkëkohor.
-Teatri Kombëtar u takon të gjithë shqiptarëve. Por sot koncepti i turneut duket një fantazi për drejtuesit e teatrit. Po ti pyesësh, e kanë përgjigjen në majë të gjuhës: “Nuk kemi para”. A thua se ngritja e fondeve nuk është punë e tyre!
-Nën drejtimin tim në TK do kemi kalendar të plotë sezonal.
-Asnjë aktor i TK-së nuk ka të drejtë të impenjohet në një institucion tjetër privat ose publik të artit skenik, për aq kohë sa zgjat kontrata me institucionin qendror.
-Do të eleminohet shpërblimi artistik si bonus shtesë për çdo premierë. Bonuset aktori do t’i fitojë një herë në vit, me shumë punë, me shumë talent.
-TK-ja binjakëzohet me Teatrin Kombëtar të Prishtinës nën moton “Një komb, një teatër”.
-TK-ja do të krijojë një urë të fuqishme bashkëpunimi me teatrin shqiptar në Maqedoni.
-TK-ja do krijojë trekëndëshin kombëtar të teatrit: Tiranë-Prishtinë-Shkup.
-Muaji qershor dhe shtator, kur përballemi me ulje statistikore të frekuentimit, për të ndihmuar iniciativën e lirë do të shpallen: “Ditët e kompanive private në TK”.
-Nën drejtimin tim Teatri Kombëtar do të rikthejë traditën e shkëlqyer të dublimit.
-Sot në Shqipëri kemi shumë festivale teatri që nuk kanë asnjë vlerë artistike për komunitetin dhe spektatorët, por ama kanë një vlerë të majme financiare për organizatorët. TK-ja do të organizojë takimin “Dhjetori i Teatrit Shqiptar”.
-TK-ja duhet të përfitojë kthimin e biletës në institucion, si një mundësi më shumë për të fuqizuar buxhetin e TK-së. Kthimi i biletës është një vendimmarrje që i takon qeverisë shqiptare.
-TK-ja do të sigurojë 10% të buxhetit nga sponsorizimet. Forma juridike që imponon legjislacioni në fuqi nuk i ndihmon institucionet artistike publike për një fleksibilitet në marrëdhëniet me partnerë të tjerë financiarë përveç Ministrisë së Kulturës. Ndofta ka ardhur koha që TK të shndërrohet në Fondacion, një formë që po gjen gjithmonë e më tepër aplikim në institucionet publike të artit dhe kulturës kudo në botë.
-TK-ja do të krijojë një lidhje interaktive me publikun, studentët dhe elitën e kryeqytetit. Në bashkpunim me universitetet kryesore shqiptare, me intelektualët dhe gazetarët më të shquar, me njerëz të thjeshtë të përzgjedhur nga frekuentimi i vazhdueshëm i premierave në teatër, do të krijohet grupimi “Miqtë e teatrit”, me qëllim ndërtimin e një forumi për debat. Një herë në 2-3 muaj, Teatri Kombëtar organizon “E hëna e teatrit në television”, debate të hapura për veprat e inskenuara.
-TK-ja do rikrijojë lidhjen organike me Fakultetin e Artit Skenik pranë Universitetit të Arteve.
-Duke shfrytëzuar kombësinë shqiptare (dhe miqësinë personale) të një personaliteti botëror si Ion Caramitru, drejtor i Teatrit Nacional të Bukureshtit, rruga e Teatrit Kombëtar drejt teatrit evropian do të kalojë nga teatri i madh rumun.
-TK-ja do të anëtarësohet në organizmat më të rëndësishme teatrale evropiane.
-Regjisorët dhe aktorët shqiptarë do jenë pjesë aktive e festivaleve teatrore në Evropë.
-TK-ja pas 2 vjetësh do jetë pjesëmarrëse në festivalet e kategorisë A në Evropë.
-Teatri Kombëtar do jetë një laborator për bashkëpunime ndërkombëtare.
-Përgjithësisht, drejtuesit e TK-së i janë shmangur një ballafaqimi dhe transparence më të gjerë artistiko-financiare. Duke u miqësuar me grupet e auditit, drejtuesit e TK-së kanë arritur gjithmonë të anashkalojnë problemet e mëdha administrative që institucioni ka pasur. Filtri artistik për TK-në ka qenë nul, rrjedhimisht dhe përgjegjësia ka qenë zero. Si një shfaqje e mirë, si një shfaqje e dobët janë konsideruar suksese në TK.

 

Ky shkrim është pjesë e një cikli mbi aktualitetin kulturor dhe artistik në kryeqytetin shqiptar dhe jo vetëm. Mbështetur nga Fondi Kulturor Zviceran, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL). Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autores dhe në asnjë rast, nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të asnjë prej palëve mbështetëse.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin