Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

BUDALLENJTË E INTERNETIT

Apeli i Umberto Eco-s, shkrimtar e semiolog i famshëm, për shtypin e përgjegjshëm dhe rolin e tij në kontrollin e informacionit në internet, shkaktoi debate të shumta. Kryesisht në internet e komente, por edhe në shtyp pati reagime.

Në shkrimin e vet në L’Espresso (26 qershor 2015) Eco riparaqiste një arsyetim të vjetër, të bazuar thjesht në bonsens. Ja çfarë thoshte në një pasazh [përkthimi im]:

Po të pranojmë se në shtatë miliardë njerëz që banojnë planetin, ka një dozë të pashmangshme budallenjsh, shumë prej tyre një herë e një kohë ua komunikonin përçartjet të afërmve ose shokëve në lokal – e kështu opinionet e tyre mbesnin të kufizuara tek një rreth i ngushtë njerëzish. Tani një sasi e konsiderueshme e këtyre personave ka mundësinë t’i shprehë mendimet e veta në rrjetet sociale. Si rrjedhim, këto opinione arrijnë dëgjues të shumtë, e ngatërrohen me shumë të tjera të shprehura nga persona të arsyeshëm.

Le të jemi të sinqertë. Nuk është se prisnim të na e thoshte Umberto Eco që ta besonim këtë gjë. E kemi konstatuar këtë fakt edhe këtu në blog, kur kemi folur shpesh, seriozisht e me humor, për komentet e anonimësinë në internet. Fakt është se në hapësirën virtuale qarkullojnë plot budallallëqe, që shpeshherë me zukamën e tyre mbysin pikërisht zërat e besueshëm.

Po si mund të dilet nga kjo situatë? Si mund të filtrohen faqet që komunikojnë idiotësi në internet? Shkrimtari italian nuk ia beson dot shkollës këtë gjë, për faktin se një mësues i një lënde do të ishte krejt i papërgatitur të jepte mendime në një fushë që nuk e ka të veten. Kështu ai fut në lojë rolin e mediave tradicionale, siç janë gazetat. Eco vëren se gazetat janë shpesh të nënshtruara ndaj rrjetit, sepse mbledhin në internet lajme e ndonjëherë legjenda, duke gabuar dyfish, sepse nga njëra anë i japin hapësirë konkurruesit më të madh të tyre, nga tjetra e japin informacionin gjithmonë me vonesë në krahasim me Internetin.

Gazetat duhet t’i kushtonin të paktën dy faqe në ditë analizës së faqeve ueb (ashtu siç bëhen recensionet e librave ose të filmave) duke treguar ato virtuoze e duke sinjalizuar ato që përcjellin gjepura ose pasaktësira. Do të ishte një shërbim publik i pafund e ndoshta edhe motiv për të cilin shumë lundërtarë në rrjet, që kanë filluar t’i snobojnë gazetat, të kthehen për t’i lexuar çdo ditë […] Një nismë sigurisht e kushtueshme, por kulturorisht e çmueshme, e do të shënonte fillimin e një funksioni të ri të shtypit.

Ky propozim i Eco-s u kundërshtua shumë në rrjet, shpeshherë me argumente inekzistente. Michele Serra, shkrimtar e humorist, e vlerësoi idenë por e konsideroi si të parealizueshme, për faktin se recensionet e gazetës do t’i bënin shërbim të mirë lexuesve të vet, qoftë edhe atyre metisë, që lexojnë gazeta e ueb njëkohësisht, po masa e madhe e lundërtarëve do të ishte krejt indiferente ndaj tyre.

Në numrin e fundit të L’Espresso (16 korrik 2015), gjithnjë në rubrikën e njohur “Bustina di Minerva”, Umberto Eco e rihedh me forcë idenë duke e çuar më tej. Sipas tij, gazetat mund t’i korrigjojnë gabimet e përhapura në Internet, ndërsa rrjeti mund ta kontrollojë shtypin. Një ushtrim që mund të mësohet në shkollë, madje të rinjtë mund ta mësojnë kontrollin e uebit nëpërmjet uebit, mendon shkrimtari italian. Së fundi, uron që diçka të bëhet në këtë drejtim, pastaj me të parë e me të bërë.

Po të nisemi nga opinionet e fundit të Umberto Eco-s mund ta themi pa frikë se ai i bën apel të vjetrit e tashmë të konsoliduarit sens kritik. Ky normalisht duhet të jetë aftësia e analizës dhe e vlerësimit, që mund të mësohet në shkollë, por që mund e duhet të zbatohet në gazeta, në internet, në libra e në politikë.

Ky debat kulturor në Itali, që prek midis të tjerash edhe raportet midis mediave tradicionale e të reja, rrjetet sociale dhe sistemin arsimor, është mëse aktual për realitetin shqiptar, por me disa specifika. Përse? Sepse Umberto Eco i shikon gazetat e internetin si të ndara mes tyre, edhe pse ndërveprojnë, e më pas hedh idenë e kontrollit të ndërsjellë. Në Shqipëri, përshtypja është se gazetat dhe interneti e kanë arritur pikën e shkrirjes mes tyre. Kjo është aq e vërtetë saqë shpeshherë gazetat shqiptare furnizohen aq shumë nga uebi, saqë është e vështirë t’i dallosh si entitete më vete. Duken si kopje më të sistemuara të internetit, që dalin edhe në letër, por jo më shumë. Madje ka raste, siç ndodhi pak kohë më parë, që informacioni merret keq, përcillet me gabime e duke polemizuar me internetin.

Këtu hyn pa diskutim edhe çështja e të drejtave të autorit, por nuk po ndalemi në çështje juridike. Fakt është se gazetat shqiptare, marrin e japin me internetin, japin e marrin me gazeta të tjera online, herë shqiptare e herë të huaja. Lajmin për aksh aktore që ka fryrë buzët mund ta gjesh nga të gjitha cepat e globit, por tani edhe në faqet e para të gazetave shqiptare. Të gjithave, si fotokopje.

Megjithëse interneti dhe mediat në shqip kanë bërë hapa përpara, përsëri bashkëfajtore mbetet cilësia e ulët e të dy palëve, çka edhe shërben si zamkë për një produkt të ri hibrid, ku pjesa virtuale nga ajo tradicionale nuk dallohet mirë. Kjo zonë gri nuk mund ta luajë rolin e kontrollit, sepse nuk do ta dallonte veten nga pjesa e kontrolluar. Problemi është se mediat në përgjithësi nuk duan të distancohen nga profkat e përdoruesve të internetit, madje ka raste që duan t’i përdorin ata si energji për të ecur më tej. Por ndodh gjithashtu e kundërta.

Pra fillimisht duhet të rritet autoriteti i mediave shqiptare, që më pas të kontrollojnë nëse faqet e ndryshme në internet ia fusin kot ose jo. Por nga ana tjetër, duhet që edhe interneti të vlojë me kritika e kontrolle të besueshme ndaj mediave shqiptare, pa i parë me tifozllëk e me amatorizëm. Por të dyja këto nuk mund të realizohen pa i përcaktuar saktë rolet e mediumeve e pa një proces vetëkorrigjimi, si në mediat tradicionale ashtu edhe në internet. E mbi të gjitha, nuk mund të arrihet pa seriozitet, përgjegjësi dhe sens kritik të përdoruesve.

Pa Komente

  1. po shihja dje emisionin e rradhes se lubonjes tek Agon channel. po flisnin per arsimin e larte dhe moderatorja, qe hiqte e vinte sa kapelen e replikueses aq edhe te audiences, citonte nga statusi i facebook te prof. Artan Fuges, thua se ky ish i burgosur gjekundi e kish cuar vec llaf. Dmth. vete media tradicionale po iken per shqop nga pamundesia per te gjetur lajm apo mobilizuar persona qe e krijojn ate, sikur edhe ne shba, ku ka programe televizive qe komentojne videot e youtube apo statuse ne facebook. Me futjen e smart tv dhe tabletave, mediat tradicionale do te marrin rrokopujen, pak rendesi ka sesi ndahen rolet me keto modernet.

    1. Shumë e saktë vërejtja. Tani ekrani televiziv ndjek marrëzisht mesazhe, statuse rrjetesh sociale e cicërima duke u shkrirë me të. Por dallimin mund ta bëjë serioziteti dhe sensi kritik, sepse në internet nuk ka vetëm budallenj, sikurse mediat tradicionale nuk kanë vetëm të paaftë. Por është edhe sistemi i krijuar që po e rrokullis situatën.

  2. Jam kurioz te di sa nga lexuesit e rregullt te Eco jane ndjere pjese e budallenjve per te cilet ai flet, duke lexuar keto shkrimet e tij.

    Nuk kam djeni per c’ka Eco ka thene pertej kesaj qe ka sjelle Pishaku, s’di italisht aq sa ta lexoj vete, por premisa e tij bazuar ketu me duket e destinuar te mos funksionoje, por dhe e nxitur nga nje budallallek elitist mesjetar kur e drejta e shprehjes duhej fituar, nuk lindte vetiu me njeriun/qenien, si parim flas, jo vec si realitet. Ne pamje te pare kjo qe them duket sikur bie ndesh me premisen se boten e cojne perpara elitat (pakica)–te ciles i besoj dhe une–por jo ne fakt. Elitat e cojne boten para se ashtu ndodh, jo se i vuri kush ne timonin e botes me me shume privilegje nga bota se te tjeret.

    Nje nga problemet e qasjs se Eco eshte praktik; si do ta percaktojme vijen e kuqe pertej te ciles budallenjte kane me pak/aspak te drejte te shprehen dhe te ndikojne? Qofte kjo ne pergjithesi apo tek roli i jurise qe do bejne mediat a dikush tjeter, ne vleresimin e faqeve te internetit sipas nje ideksi budallalleku a mencurie apo ne tjeter menyre. Por dhe etik: kush ka te drejte mbi bazen e cfare gjeje per ta percaktuar ate vijen e kuqe, apo per ta zgjedhur jurine?

    Budallalleku i qasjes se tij eshte kembengulja per ta mbajtur boten ashtu sic ishte, me ngjan me nje shpatullgjere qe mundohet ta shpartalloje ortekun e madh te bores me…nje lopate dore. Interneti s’do te zhbehet, e problemi nuk eshte tek fakti qe ne te shkruajne dhe budallenjte, perpos faktit qe edhe te mencurit thone budallalleqe, e cka eshte budallallek per ty mund te jete mencuri per mua. Natyrisht qe ka hapesira per permiresime e rregullime, por para se te flasem per zgjidhjet e mundshme duhet te biem dakort se cili eshte problemi, c’eshte gjeja e prishur e cila duhet ndrequr, e kjo me gjase s’eshte kudo njesoj edhe sikur ne parim te biem dakort per natyren e problemit.

    Xhanem pare ne total eshte veshtire te thuash nese interneti e ka bere boten me budallaqe a me te mencur (une do thoja me shume utilitare, pa dyshim), megjithese bota eshte akoma duke u pershtatur me realitetin e ri, e po ashtu dhe me problemet e reja te tij. Pyetja themeltare ne vleresimin e internetit ne fakt eshte–ose duhet te jete–nese interneti e ka bere boten me te mire a me te keqe, ne kuptimin e ndikimit te internetit tek cilesia dhe lehtesia e jetes se njerezve, te gjithe njerezve, jo vetem Eco-ve te Evropes apo botes. Mencuria ka vlere pikerisht sepse e ben boten me te mire(nese), e me “me te mire” nenkuptoj trashe e ben jeten me te lumtur. Mencuria nuk duhet te jete legjitimim per te pasur me shume te drejta e priviligje per tu shrehur, aq me pak per t’i mbyllur gojen te tjereve; budallai apo heretiku yt mund te jete heroi i dikujt tjeter fundja. Kjo eshte ceshtje kendveshtrimi gjithashtu, por c’ka dua te them, nese mund ta banalizoj me nje shembull teknik…nje mekanik ka vlere per ne te tjeret se na i ben jeten me te mire duke na i rregulluar makinat; eshte pune per te nese ai e ben ate profesion thjesht per para apo se e ka hobi.

    Pare keshtu nga e tera, mediat nuk jane qellim me vete, as juri supreme per gjithshka, kane nje rol te caktuar e jane ne funksion te jetes tone, te te gjitheve ne, edhe budallenjve. Interneti padyshim ka ndikuar edhe tek mediat, ne fillim me shume vetem si sfide e tani edhe si oportunitet.

    P.S. Tema e diskutimit eshte mjaft interesante, faleminderit Pishak. Nese mundesh, fole dicka dhe per ata qe s’jane dakort me Eco, ne mediat/internetin italian, dmth cfare thone ata, cilat jane argumentat e tyre.

    1. Umberto Eco e sqaron në shkrim se sipas nocionit që ai ka ndër mend për budallain “nuk ka konotacione raciste”. Pastaj shton: “Askush nuk është budalla me profesion (përveç përjashtimeve) por një person që është bakall i shkëlqyer, kirurg i shkëlqyer, nëpunës banke i shkëlqyer, për disa argumente ku nuk është kompetent, ose për të cilat nuk ka arsyetuar sa duhet, mund të thotë budallallëqe. Edhe për faktin se reagimet në ueb bëhen aty për aty”.

      Sa për reagimet kundër Eco-s mund të ndiqen komentet ndaj shkrimit të tij të parë në L’Espresso. Është një tip që thotë: “Boll më, Eco-s nuk i duhet lejuar më të shkruajë … Është ekomonstër bojërash…].

      Këtë ide shkrimtari italian e kishte hedhur gjatë ceremonisë për honoris causa në Universitetin e Torinos. Atje ai tha fillimisht se “Televizioni kishte promovuar budallain e fshatit ndaj të cilit spektatori e ndjente veten superior. Drama e Internetit është se ka promovuar budallain e fshatit si mbajtës të së vërtetës”. Që këtej edhe ideja e kontrollit të një mediumi ndaj tjetrit. Me ndërlikimet për të cilat folëm më lart.

      Për ata që nuk e dinë, Umberto Eco ka qenë dhe është përdorues e studiues i hershëm i teknologjive të reja të komunikimit, përfshirë Internetin, e gjithnjë në pararojë të zhvillimeve të reja. Në qoftë se dikujt i duket konservator, atëherë duhet të fillojë të mendojë seriozisht për temën në diskutim e pak për mendimet e veta. Me fjalë të thjeshta, në qoftë se dikush nuk ka profil në facebook, ose nuk futet asnjëherë (për arsye të menduara mirë), nuk do të thotë se nuk e njeh internetin e rrjetet sociale, as që është kundër tyre a priori.

      Gjithsesi, unë mendoj se nuk duhet ta ngatërrojmë çështjen me të drejtën e fjalës, ose më saktë me lirinë e shprehjes së mendimit.

  3. Mediat e Interneti “u çmendën” pas deklaratave të Umberto Eco-s kundër rrjeteve sociale. Por një revistë, pikërisht për të vërtetuar se “budallenjtë” gjenden kudo, jepte edhe disa deklarata të tjera të semiologut të madh në të njëjtin leksion në UNiversitetin e Torinos.
    Midis të tjerash Eco paska thënë: “Dukuria e rrjeteve sociale është edhe pozitive, jo vetëm sepse u lejon njerëzve të mbesin në kontakt mes tyre. Le të mendojmë për çka ndodhi në Kinë ose në Turqi ku lëvizja e madhe e protestës kundër Erdoganit lindi pikërisht në rrjet, falë tam-tam-it. E dikush ka thënë gjithashtu se, sikur të kishte pasur Internet në kohën e Hitlerit, kampet e shfarosjes nuk do të kishin ekzistuar, sepse informacionet do të ishin përhapur në mënyrë virale”.

  4. Pishak, kam përshtypjen se Eko është ca i paqartë, në mos i dyshimtë me ato që thotë. Mbi të gjitha duhet të na thotë se çfarë kupton me fjalën « budallenj të internetit ». Pjesa më e madhe e atyre që kanë çuar përpara shoqërinë njerëzore, në kohën e tyre janë cilësuar si “budallenj”. Dhe nuk ka si të thotë: “jo, jo e kam fjalën për ata të tjerët, budallenjtë e vërtetë”, sepse në kohën e tyre ata janë parë si budallenj të vërtetë e të rrezikshëm, se këtu nuk është çështje diagnozash përfundimtare, por qëndrimesh njerëzore.
    Për budallenjtë e tjerë, të themi “sociopatët” njëzimi nuk ka pritur as internetin e as Ekon që të na mësojë të jemi të kujdesshëm. Shoqëria njerëzore gjithnjë ka qenë në kontakt me ta, i ka parë edhe në tribuna e gjetiu.
    Pra, nëse me budallenj, apo siç quhen sot psikotikë ai nën kupton njerëz që ngrihen kundër normave apo që kanë kurajon të kundërshtojnë sistemet ekzistuese, mendimet komode ekzistuese, në këtë rast është U. Eko që duhet censuruar. Nga Krishti te Galilei, Napoloni (bipolar) Ajnshtajni, S. Dali, dhe plot të tjerë, në fillimet e tyre janë marrë për « budallenj ».
    Por edhe sikur të ishin të prekur dhe diagnostikuar vërtet nga sëmundje e marrëzisë, përsëri nuk duheshin vënë në turrën e druve siç kërkon Ekoja, se personalitete si Einshtajni ishte i prekur vërtet nga sindroma Asperger, ndërsa John Nash ishte vërtet skizofren, Heminguej, bipolar dhe vetevrasës etj., etj…
    Më kujtohet një histori që e kam lexuar në fëmijninë time dhe që nuk i kujtoj emrat e personazheve. Aty nga viti 1860, kur një inxhinier francez krijoi motorin me dy kohë, u bë një festë e vogël midis miqsh dhe dikush ngriti dolli për shkencëtarin e ri “që e bëri njëzimin të ecë me shpejtësinë e paimagjinueshme prej 20 km. në orë”,u tha aty. Dollia u ngrit njëzëri midis brohoritjeve të të gjithë sallës, por në fund dikush u ngrit e tha që propozonte një dolli tjetër duke uruar që njëzimi të arrinte shpejtësinë prej 40 km në orë.
    Ra një heshtje varri dhe midis qejfprishjes së përgjithshme dikush tha : Pse do të dalë gjithnjë ndonjë budalla që do të na prishë këto çaste të paharrueshme.
    Ky i fundit me sa mbaj mend ishte një inxhinier i ri gjerman, Daimler, me duket që më pas do të prodhonte një motor “revolucionar” me djegie të brendshme që me kohë do të kapë shpejtësitë që njohim sot.

    Jam i prirur të them se po të kishte jetuar në Mesjetë me siguri Eko-ja do të ishte një kryetar inkuizicioni me këto mendime që shpreh, dhe do të kishte prerë shumë kokë, por më fort mendoj se kur i afrohesh të nëntëdhjetë vjetëve, çdo dalje në publik duhet peshuar mirë.

    1. Jo, jo, nuk e ka për kategoritë që përmend ti. Ata që thua ti janë gjeni të pakuptuar nga brezi të cilit i përkasin, janë jashtë kohe se janë përpara. Me sa e kuptoj unë, Eco e ka fjalën për ata që ia fusin kot fare, në italisht i quan imbecilli, por më shumë në lidhje me çka thonë. Janë ata që në lagje i njihnim mirë, kur flisnin para një gote. Nuk e ka as me sociopatët, gjithnjë me sa kuptoj unë. Flet për ata që nuk kanë asnjë lloj ekspertize ose njohje dhe flasin thjesht nga injoranca. Personalisht m’u kujtuan disa komente në gazetat online e në rrjetet sociale. Këta, të cilët me siguri i ke parë edhe vetë, nuk mund t’i rreshtojmë as krahas Heminguejit, as pranë Galileut.
      Përndryshe, duhet të biem dakord me pohimin e kundërt të Eco-s, d.m.th. që nuk ka budallenj në internet, ose më saktë nuk ka nga ata që shprehin budallallëqe në internet. Unë e kam vështirë ta them, se më përgënjeshtrojnë fill.
      Umberto Eco nuk kërkon inkuizicion, siç e marr vesh unë, por kërkon balancim, duke i dhënë një rol kontrollues shtypit tradicional. Pikërisht kjo recetë mua nuk ma mbush mendjen, sidomos në kushtet e Shqipërisë.

  5. Hedh nje budalla nje gur ne lume dhe te tjeret e ndjeken – mund te kishte thene dikush per keto “recetat” e Eco-s, si kunder-Eco provokim.

    Tema sic thashe eshte e rendesishme por Eco duket se vetem se e ka turbulluar ujin, dmth te kunderten e asaj qe synon…poisoned the debate, sic thone ne anglisht. Do sugjeroja ta linim menjane Eco-n dhe te japem mendimet tona, pa tundur tabela tip “sa budallenj jane budallenjte e internetit”, p.sh. duke identifikuar problemet qe duhen ndrequr e duke dhene mendime se cfare duhet bere. Te thuash se ne internet thuhen budallalleqe eshte si te thuash ne det ka uje, dmth s’ke thene asgje. Por dhe s’ka kuptim te fshihemi pas “ne internet ka budallenj”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë