BASTIONI I FUNDIT

Pse ma keni hequr komentin?

Një nga pyetjet më alarmante, më të ngjethshme, që ndesh në forumet e diskutimeve online.

Një ofshamë, një vikamë, një kukamë.

(Shumë herë komentin s’e ka prekur kush, por le të mos hyjmë në çështje të alfabetizimit funksional.)

Pse ma keni hequr komentin?

Ti mund të kesh lëshuar atje gazra squfurore që as një kapanon zbori dikur nuk do të t’i përballonte; mund të kesh sharë në disa dialekte dhe gjuhë; të kesh përgojuar tjetrin dhe sidomos tjetrën në tre breza, e megjithatë.

Dikush të paska shkelur të drejtën për të komentuar.

Ty të kanë marrë punën, të kanë çjerrë gunën, të kanë thyer dhëmbët, të kanë zbathur këmbët; ty të kanë rrahur fëmijët, të kanë poshtëruar gruan, të kanë mashtruar me paratë që kishe hequr mënjanë, të kanë vjedhur votën, të kanë zënë vendin në varreza, të kanë hequr veshkën e shëndoshë, të kanë keqpërdorur taksat, të kanë derdhur plehrat mu tek dera e shtëpisë, të kanë marrë hisen e Diellit dhe të Hënës; por për të gjitha këto ti hesht.

Por jo për komentin që ta fshinë. Jo, për komentin jo!

Pse ma keni hequr komentin?

Vërtet, si ta paskan mohuar kështu të drejtën e të shprehurit anonimisht? Të drejtën për të qëlluar me fece si majmuni? Të drejtën për të vjellë vrer? Të drejtën për të derdhur kakërdhi në sofër? Të drejtën për të shkruar, me gishtin tregues, në murin e shtrembër të nevojtores fushore?

Këtu ka diçka që nuk shkon, diçka të madhe dhe metafizike. Sepse këtë të drejtë ty ta kanë njohur Papa dhe Merkel-i, Europa dhe NATO-ja. Që ti të shkruash i patrazuar në nevojtore, njerëzit kanë dhënë jetën dhe janë kalbur burgjeve, janë varur dhe pushkatuar.

Pse ma keni hequr, pra, komentin? Pse ma shkelni me të dy këmbët të drejtën qytetare për të shfryrë?

Ti je shpirt i lirë, ti nuk pranon mbi vete uniformë as disiplinë; gjuhustra jote fluturon si pëllumbi i lëshuar mbi Colosseum-in; ti nuk njeh kafaz dhe gërshërë; ti kafshon thellë dhe sakaq ikën për t’u kthyer sërish.

Ti e njeh veten si mishërim të revoltës ndaj autoritetit.

Pse ma keni hequr komentin?

Vallë nuk e tha një i mençëm, dikur, që “cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha të shkruajë [me gisht] atë që mendon…”

Vallë nuk… Ah, po ky paskësh qenë Enver Hoxha vetë, që nuk la fjalë të tjetrit pa i dalë zot.

Ja që disa të mira i paskësh pasur edhe ajo kohë, apo jo?

Kish qejf njeriu të ulej dhe të qëndiste letrën anonime, denoncimin, deponimin, dëshminë. Kish qejf njeriu të priste hekur me gjuhë.

Kish qejf të kultivonte, me nxitje dhe autorizim nga lart, gjithë mllefet e veta të vogla dhe dështake.

Le ta shtojmë sa më shpejt në Kushtetutë pra: Cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha

Dhe ti bash për këtë e kishe komentin, apo jo?