KONFEKSIONIM MENDJESH (V)

Çështjet e analizuara në katër seksionet e mëparshme nuk janë të shkëputura, madje kuptohen më mirë kur i shërbejnë njëra-tjetrës si kontekst; dhe ja pse.

Së pari, padija e publikut, e cila shfaqet veçanërisht qartë në SHBA, por kam frikë se edhe në Shqipëri ka probleme të ngjashme, për shkaqe të njohura: paga e ulët e mësuesve, humbja e vizionit në programet shkollore, ideja se shkolla nuk të ndihmon për të “fituar para”, etj. Kjo padije shprehet edhe në mungesën e kuriozitetit, virtyt intelektual që ndihmon për ta mbajtur kulturën një të tërë; si një prej emëruesve të përbashkët. As IQ-ja e lartë, as specializimi, as studimet, as përvoja nuk mund të kompensojnë për këtë mungesë kurioziteti.

Së dyti, humbja e prestigjit të dijeve humane dhe e interesit të publikut për këto dije; e cila ka shkaqe pjesërisht të ndryshme nga vetë padija. Stanley Fish përshkruan këtë ndërrim sa rrënjësor, aq edhe traumatik, të natyrës së arsimit të lartë në SHBA; me të drejtë mund ta përthyejmë shqetësimin edhe për Shqipërinë, ku gjithnjë e më tepër flitet që arsimi i lartë duhet të orientohet sipas një modeli të “biznesit”. Natyrisht, nëse një shoqëri zgjedh të modelohet sipas ekonomisë së tregut, atëherë edhe do të ketë nevojë për tregtarë që t’ia mbushin radhët e elitave, sikurse do të ketë nevojë për inxhinierë që t’ia konceptojnë dhe prodhojnë mallrat, administratorë, ideologë dhe “artistë” që t’ua mbushin mendjen mëditësve se kjo botë është më e mira e mundshme, shitës dhe blerës gjithfarësh, kumarxhinj e spekulatorë ndërkombëtarë, dhe rojtarë të parasë; por jo për njerëz që mendojnë dhe që krijojnë në mënyrë të pavarur nga koniunkturat komerciale.

Së treti, epidemia e padijes dhe teknokratizimi i arsimit të lartë shoqërohen me një degradim të përgjithshëm të rolit social dhe të misionit publik të mass mediave; të cilat tashmë kontribuojnë në segmentimin social dhe atomizimin kulturor, nëpërmjet atyre mekanizmave që përshkruan Manjoo. Megjithë avantazhet e padiskutueshme të Internetit, edhe ky ndërvaret nga mediat tradicionale dhe krijon problemet e veta, sidomos nëpërmjet mundësive të menjëhershme që ofron për të evituar ballafaqimet.

Tani, po të shohim si ndërvepron shoqëria me kulturën, duhet të marrim parasysh patjetër dy akse themelore – kohën dhe hapësirën. Riprodhimi i kulturës në kohë kryhet nëpërmjet transmetimit të dijeve nga njëri brez në tjetrin (diakronik), ndërsa riprodhimi në hapësirë nëpërmjet komunikimit pak a shumë të njëkohshëm (sinkronik). Në vija të trasha, shoqëritë e sotme transmetimin e dijeve ose të trashëgimisë kulturore e kryejnë nëpërmjet sistemit arsimor dhe, në një rrafsh tjetër, duke e përgatitur publikun që të ndërveprojë me kujtesën sociale (librat, filmat, teatrin, historinë, monumentet, artin figurativ, muzikën, kuzhinën, zakonet); dhe në një rrafsh të tretë, fenë ose fetë. Nëse ky sistem arsimor përqendrohet gjithnjë e më tepër në transmetim dijesh konkrete dhe praktike, duke lënë pas dore dijet humane, atëherë vetë sistemi i transmetimit përçudnohet dhe nuk funksionon mirë.

Natyrisht, mangësitë në sistemet transmetuese do të mund të kompensoheshin, sikur komunikimi të funksiononte mirë; mirëpo shoqëritë moderne, për të komunikuar, varen gjithnjë e më tepër nga mass mediat – shtypi, televizioni dhe tani Interneti. Kur mass mediat dështojnë në misionin e tyre ndaj publikut, atëherë ky komunikim shtrembërohet dhe sinjali nuk ndahet dot më prej zhurmës. Dëmi thellohet, po të kihet parasysh se publiku nuk është entitet i pavarur nga aktet e komunikimit, por edhe produkt i këtyre akteve; prandaj një komunikim që vuan nga të gjitha ato sëmundje që përmend Manjoo, prodhon edhe një publik të sëmurë ose të gjymtë.

Ka edhe më. Prej këtij publiku i gjymtë presim që të mbështetë, me të gjitha mënyrat, ndërtimin e një shoqërie pluraliste, liberale dhe demokratike në Shqipëri. Në qoftë se shkollës i bie cilësia dhe prestigji; në qoftë se elitat teknokratizohen dhe ideologjitë kërkojnë t’i rrijnë larg filozofisë, reflektimit dhe gjithçkaje që përbuzet me termin “teorira”; në qoftë se mass mediat i përshtaten këtij varfërimi dhe ndihmojnë drejtpërdrejt për ta riprodhuar, atëherë në rrezik nuk është vetëm transmetimi dhe komunikimi i dijeve, as vetëm mbijetesa e pluralizmit, liberalizmit dhe demokracisë në Shqipëri, por edhe e vetë kulturës shqiptare. Që këtej, edhe nevoja për ta përfshirë këtë debat në debatin tjetër, më të përgjithshëm, për globalizimin si një formë post-moderne të epidemive vdekjeprurëse të lashtësisë dhe të mesjetës, roli i të cilave në histori vetëm tani po fillon të kuptohet mirë.

Në këtë kuptim, ideologjia që frymëzon sot veprimtarinë e elitave në Shqipëri është antikombëtare, madje edhe kur këto mbështillen me flamur dhe betohen natë e ditë se nuk do të lejojnë njeri të prekë Skënderbeun; dhe është antikombëtare, sepse e ka lënë shoqërinë shqiptare pa kurrfarë sistemi mbrojtës, formal ose kulturor, ndaj globalizimit; edhe pse ky i fundit kërkon ta shndërrojë shqiptarin në shitblerës (blerës mallrash, shitës të krahut të punës).

15 Komente

  1. Me ne fund,edhe pse disi turbullt e pergjithesisht,kapet prej briresh problemi.
    Te gjithe nen konceptet rezohen perpara raportit te treguesit te kultivimit te aftesise krijuese njerezore te pamvarur nga moneta me aftesiste krijuesezbatuese ne varesi te saj.Ky raport eshte gjithshtu dhe raporti midis se tashmes dhe fillimit te se ardhmes.
    E meta madhe e krijimit e kultivimit te aftesive punese-shit-blerese(mall-para-lende e pare) te ciklit te vazhdueshem te konsumit eshte padobieshmeria e saj per te ardhmen.Ajo eshte e dobishme e vogel per vete ciklin,por nuk paraqet as me te voglen dobi per avancimin e mendimimt njerezor ekzistencial te ardhmen.Ajo prodhon e konsumon vazhdimit,por nuk krijon te ardhmen,bile ne nje fare mase te kosnsiderueshme sjell shkaterrimin e saj,eshte premise per nje c’ekulibrim te ardhmen.
    E ardhmja kerkon kerkimin filozofik pyetsor.
    E ardhmja kerkon edukimin shumedimesionalsh te brezave.

  2. Shteti shqiptar për të ndjekur një politikë kombëtare, do të duhej të zgjidhte çështjen e tokave, të mbante të shtetëzuara dy tre degë kryesore të ekonomisë për të siguruar një garanci dhe pavarësi ekonomike në të ardhmen. Të nxiste prodhimin vendas, kryesisht bujqësor dhe degëve të ngjashme. Larg “shërbimeve”.

    Fundja… edhe korrupsioni është antikombëtar, sepse dobëson lidhjen e ndërsjelltë dhe të supozuar të ndershme mes shtetit dhe shtetasve.

    Mangësia e transmetimit, nga ana tjetër, vihet re dhe në Evropë. Evropianët e sotëm nuk kanë ndërgjegjie të historisë së vet. Nuk janë njohur me luftën ideore dhe politike që u ka bërë të mundur të arrijnë këtu ku janë. Këto vlera të ndërgjegjies historike, mund t’i përcjellin vetëm “teoricienët”

    Për të arritur këtu pastaj:

    “”””edhe pse ky i fundit kërkon ta shndërrojë shqiptarin në shitblerës (blerës mallrash, shitës të krahut të punës).””””

    E kam thënë dhe te peshku, po e përsëris se më pëlqen kjo shprehje:
    E drejta për të konsumuar e ka tejkaluar të drejtën për të zgjedhur quaje: për të menduar, për të krijuar, për të qënë i pavarur etj.

    I njëjti problem haset dhe në Greqi, tashmë pjesë e BE. Një deputete kishte thënë: Na dhanë subvencione për të prishur disa degë të ekonomisë, i pranuam. Na dhanë subvencione për të rrënuar bujqësinë, i pranuam. Ndonjë ditë do të na japin subvencione për të mos menduar më, dhe ka rrezik t’i pranojmë edhe ato.

    Më vjen mirë që përmend Mesjetën Xha xha, si periudhë në të cilën u krijuan perandoritë e mëdha që sot do quheshin imperialiste. Edhe vetë perandoria otomane, këto të dhëna kishte. Unë jam i bindur se historia kalon në ciklet e veta ku popujt, apo më saktë sistemi i administrimit të tokave dhe kulturave tkurren dhe zgjerohen. Zgjerim nuk do të thotë medeomos përparim. Megjithë iluzionin e mundshëm që mbart përkatësia “perandorake”. Koha ka treguar se gjithnjë mbijetojnë popujt që u rezistojnë tundimeve të tilla…

    Shumë shpesh ngatërrohet koncepti i izolimit, me atë të pavarësisë. Duke qënë se erdhëm prej izolimit të skajshëm 50 vjeçar, çdo barrikadë rezistence ndaj kulturave dhe ndikimeve të jashtme, nënkuptohet si izolim.
    Fjala e saktë është – pavarësi. Pavarësi mendore në rradhë të parë.

    Edhe mënyra më e mirë sesi duhet organizuar shteti, neglizhohet. Shumë pak e dinë psh se Zvicra aplikon demokracinë direkte, shumë më pak shqiptarëve u vete mendja të tentojnë këtë sistem për përdorim. Sikur jemi dënuar të lidhemi përjetësisht pas imazheve kopjuese të një bote të largët – mjaf të shikohet sesi u trajtua Obama në mediat shqiptare dhe sa politikanë morën përsipër të vetëpagëzoheshin si obamëra.

  3. C’te keqe ka shitja e krahut tim te punes per blerjen e mallrave?
    Ka alternative tjeter?
    Si mendohet ky shqiptari joshitbleres?

    1. CD, edhe shitblerja një lloj komunikimi është, por që të funksionojë mirë, duhet të integrohet në rrjetin e komunikimeve të tjera. Që të mos ketë asnjë të keqe, kur ti e shet krahun tënd të punës për blerjen e mallrave, ti duhet të jesh i lirë kur e merr këtë vendim, dhe i barabartë në status me ata që të shesin mallin. Këtë liri nuk mund ta sigurosh duke u paraqitur si aktor në treg (ose me mallin tënd për të shitur), por duke kultivuar personin tënd dhe, ç’është më e rëndësishmja, komunitetin të cilit i përket.
      Nuk po të shes dëngla, as dua të të marr ty si shembull, meqë si ti si unë i përkasim një shtrese të ndërmjetme, rrënjëdalit, i cili nga natyra merr pjesë njëkohësisht në disa botë. E kam fjalën më tepër për raportin e shoqërisë shqiptare me globalizimin; sidomos ashtu siç shprehet ky raport në zhvillimet e fundit në Shqipëri, bie fjala kur Italisë i jepet një llokmë e madhe në Karaburun, për të ndërtuar një impiant turbinash me erë, të cilat do të furnizojnë me energji Italinë. Kush po shet e kush po blen në këtë rast? Nuk do të ishte më mirë që të përpunohej një platformë e tillë e zhvillimit kombëtar, ku investimet energjitike të bëheshin nga shteti dhe energjia e përftuar prej tyre të përdorej për të ushqyer ekonominë dhe shoqërinë shqiptare?
      Duket sikur në Shqipëri ka një tension midis globalistëve nga njëra anë, që praktikisht po ua japin tokën badihava gjithfarë firmave të huaja, që këto të bëjnë ç’të duan me të (ekuivalenti i atyre burrave të sertë, që i detyrojnë gratë dhe motrat e tyre të prostituohen rrugëve), dhe ambientalistëve nga ana tjetër, që protestojnë ndaj çdo lloj zhvillimi që kërkon shndërrime rrënjësore të mjedisit (ekuivalent i atyre burrave të sertë, që i duan gratë me çitjane dhe sytë përdhe). Kjo dilemë mua më duket artificiale, sepse nuk merr parasysh një opsion të tretë: investime të përqendruara që të sigurojnë zhvillimin strategjik të Shqipërisë, sidomos në infrastrukturë, për ta nxjerrë nga prapambetja e madhe.
      Prandaj jam dakord me çfarë thotë J. më sipër. Në qoftë se Shqipëria integrohet në strukturat globale pa u mëkëmbur më parë nga ana infrastrukturore dhe sociale, shqiptarët dhe Shqipëria vetë nuk kanë asnjë shans për të mbijetuar. Do të ishte njëlloj sikur ta marrësh dikë nga salla e operacionit dhe ta vësh të vrapojë maratonën.
      Këto njëzet vjet në Shqipëri janë bërë shkatërrime të mëdha, në të gjitha drejtimet; dhe kjo ka ndodhur pjesërisht ngaqë shteti ka ndjekur këshillat (e dështuara) të neoliberistëve për privatizim të shpejtë dhe nxitje të faktorit ekonomik spontan; dhe pjesërisht ngaqë shteti është kapur nga organizatat kriminale dhe parakriminale, prandaj nuk mund t’ua pengojë dot grykësinë që tregojnë, kur betonizojnë bregdetin, ose i shndërrojnë qytetet kryesore në piramida. Në këto kushte, globalizimi i Shqipërisë po bëhet kryesisht për t’u shpëtuar lëkurën klikave që janë në pushtet, jo për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë dinjitet që ende u mungon.
      Në këtë kuadër do kuptuar i gjithë diskursi im më sipër për nevojën që ka shoqëria shqiptare për një kulturë kombëtare që edhe të transmetojë dhe të komunikojë vlerat e veta normalisht, ose të pashtrembëruara e të painfektuara nga sëmundjet e mass mediave moderne, ose modat e përçudnimit të sistemit arsimor kombëtar. Që paritë politike të bëjnë ç’të duan me vendin e t’ua shesin të tjerëve për 1 euro, duhet që më parë qytetarët të shndërrohen në bagëti të urta; dhe nuk ka rrugë më të mirë për ta arritur këtë, sesa demagogjia populiste e kombinuar me doza të forta të “qejfit” – televizionit, la dolce vita dhe propagandës bombastike për Europën, Amerikën, NATO-n, integrimin, asocimin, bashkërendimin…

  4. Shqiptari i ardhshem duhet te mesoje pun-shitje-blerjen por mos te bjere e perseris gabimin e madh te sitemeve arsimore e te zbatuara ekzistuse euro-amerikane “puno-shitble,por mos mendo”.
    Shitja e krahut te punes ne vetvete nuk ka asnje gje te keqe ,por kur kthehet ne qellim te vetevete te sistemit ai shendrohet ne “korrupsionimin” e te drejtes ne tepri te “bleresit” te krahut te punes.Ky deformim i sistemit duket qarte ne te drejtat formale te “shitesve te krahut” ne tregun e punes,ku punet ne kontrate te perkohshme jane ritur ne peqindje te konsiderueshme.Kjo eshte teme e gjere,por ne thelb ku sistemi punon ne nje specializimi te “shitesve te krahut” i ben ata me te varur ne lidhje me nje lloj pune,gje qe con ne pamundesine e levizjes sipas deshires se pronareve te krahut,por sipas tekave te “blersve” te cilet i ligjerojn keto te drejta me ligje Kongresesh e Parlamentesh ose tekave te sistemit arsimor qe kerkon leke e tjera per te riarsimuar.Ndodh keshtu sepse ky eshte regulli i sistemit “Ai qe ka parane,ai eshte me i forte dhe ne ligjvendosje dhe ne kornizim te arsimit”.Ky efekt con ne pasigurine e nje ekulibri te vazhdueshme e cila lidhe dhe me faktore te tjere brenda sistemit qe cojne gradualisht drejt asaj qe ka shkruajtur Marksi,i cili po i heqim budadalleqet ideologjike,ne sensin e te drejtes universale nuk gabon.
    Ne Shqiperi??
    Mendoj qe sistemi arsimor duhe te imitoje ne nje fare mase ate gjerman ose japonez.Para 100 vjetesh ekonomia Japoneze,ashtu si dhe sot niset nga parimi i mbrojtjes se “kombetares” nga invazioni parazitar i produkteve te huaja para atyre te vendit.e dy keo vende kane nderuar nje strategji te tere ne kete drejtim.

  5. “Në këto kushte, globalizimi i Shqipërisë po bëhet kryesisht për t’u shpëtuar lëkurën klikave që janë në pushtet, jo për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë dinjitet që ende u mungon.”

    Xha, konstatimi i mesiperm eshte spekulim ideologjik. Jo ide.
    Pse ndodh shpesh me politiken globale te lundrojne edhe ne perrenj-lumenj-dete-oqeane pa u dorzuar. Se te gjithe, pa perjashtim, mendojne se duke bashkuar urinimin personal ditor do te konkurojne ujrat e politikes globale. Politika globale i ka rrenjet tek prodhuesi dhe bleresi qe nuk i bejne biografi njeri tjetrit. Vet marre-dhenja e tyre nenshkruan statusin qe ata kane. Politikani-klika-pushteti jane vet te ekspozuar ne realitetin politik-global, pa imunitet prej saj, mendoj. Po ashtu as Shqiperise dhe shqiptareve nuk i ka munguar dhe as i mungo dinjiteti, ne se e sheh jo i ideologjizuar ceshtjen. dhe aq me pak te injektohet dinjitet ne tregun e dinjitetit ne pikpyetje me qendrim dyshues ndaj politikes globale.

    Duhet te vij nje kohe te mendohet si per vete, kur flet edhe per Kryeministrin/Qeveritarin apo Papen. Edhe ata luajne ne te njejten fushe beteje, pamvaresisht nga ndonji privilegj qe rrembehet me titullimin/rrolin qe marin ne shoqeri.

    P.S. Xha je per tu pergezuar per patriotizem, ndjenje te holle pergjegjesie, shpirtin luftarak, larmin kembengulese.

  6. Ambrose Evans-Pritchard i sugjeron Spanjes daljen nga Bashkimi Europian,rivendosjen e monedhes se saj te dikurshme dhe zhvleftesim e saj si menyra e vetme per te kompesuar c’ekulibrin e brendshmen ekonomik.
    Ne Irlande,David McWilliams,ish anetar i bankes qendrore, deklaron “Na shpetoni ose do te largohemi nga B.E”.
    Ekonomistet sugjerojne qe te dyja keto vende duhet te bejne nje c’vleftesim te monedhes per te shpetuar dhe sjelle rifillimin e eksportimit.

    Pervec kesaj,fortesia e Euros ka demtuar sektorin e turizmit te ketyre vendeve.Spanja ka humbur ne vitin 2008 nji million turiste angkeze.
    Turizmi perfaqeson per Spanjen 10% te produktit te brendshmen bruto,Per Italine 11.4%,per Greqine 15%.
    Vendet e Europes lindore jane duke shpethyer.Ne Letoni dhe Bullgari dhuna ka zbritur ne rruget,ku shtresa e mesme dhe te rinjte jane bashkuar duke akuzuar qeverine per braktisje ne kulmin e krizes ekonomike dhe lenien e vendit ne nje situate pa prepspektive per te ardhmen.

    Ukrahina eshte nje e vdekur qe merr akoma fryme.Monedha ka humbur 38% kundrejt dollarit.Tubi i vetem i oksigjenit qe e mban gjalle eshte Huaja e FMN prej 16.35 miliarde dollare.
    Kjo eshte pasoja e madhe e leksioneve me teme “Si te ndertohet vendi yt me pedagoge te Universiteteve praktike Euro-Amerikane”.Ata te cojne te pish uje ne cezmen e tyre,kur ti burimin e ke afer,ne Uje te Ftohte,per shembull.Uji i globalizmit eshte i astruar nga mikroorganizmat e pamvaresise ekonomike.

  7. I nderuar Xha xhai.

    Duket sikur e zura nga bishti, por në atë maratonë, pëlqeva të prisja vrapuesin në mbritje. Sigurish, nuk prisja të dëgjoja kumte të mira, ndërsa nuk i quaj faulle dhe lidhjet e shumta; këto bëjnë që seria e shkrimeve të klasifikohet si publicistikë apo gazetari e lidhjeve, karakteristike e globalizimit të sotëm, ndryshe nga tradita. Kështu ju shkruani me mjetet e globalistit; asgjë të keqe.
    Mendoj ndryshe për mjaft nga sa keni shkruar, por le të përqëndrohemi në paragrafin e fundit.
    Arbër Zaimi tek “Ideologjia” nuk e ka përdorur asnjëherë fjalën antikombëtare. Po të kishte më tepër guxim, mos kishte frikë etiketimin “marksist”, ai duhet të shprehej se politika a ideologjia e politikanëve shqiptare është antipopullore (edhe pse ka popullaritet). Atë që nuk e bëri ai, e bëni ju por duke e ngritur një shkallë më lart, në ideologji antikombëtare. Antipopullorja të shpie tek antikombëtarja, por … çfarë kuptojmë me antikombëtare?
    Kuptojmë antinacionalen – antagonizmin me vendin, kombin, qeverinë kombëtare- apo antinacionalizmin – idenë se nacionalizmi është i padëshirueshëm shpesh i rrezikshëm.
    Me sa lexohet termi “antikombëtare” është përdorur: për antipopullore (konteksti i lidhjes së A.Z.), për antinacionalizmiste – mbështillen me flamur etj, për antinacionale – tek shqiptari shitblerës, më saktë tek komenti vazhdues. Shumë, nëse duam të vemë pikat mbi i dhe ti japim kujt i takon çfarë i takon.
    Keni përdorur globalizim – shndërrimi i fenomeneve lokale në botërore dhe jo globalizëm – integrimi i tregjeve lokalë e nacionalë në një mbarëbotëror, dhe quani antikombëtare elitat sot sepse e kanë lënë shoqërinë shqiptare pa kurrfare sistemi mbrojtës ndaj globalizimit. Së pari, gaboni kur kërkoni sistem mbrojtës ndaj globalizimit; ai s’ka vetëm të liga. Friedmani thënka “për mirë e për keq”. Shqiptari mund ta padisë shtetin e vet në Hagë – fjala vjen. Së dyti, gaboni kur u a lini në derë elitave të sotme mosveprimin; globalizimi ynë ka rrënjë të thella, perandoritë, Egnatia, KNER-i, HEC-et e Drinit, feja, sa psh. Nga ana tjetër, po këtu, elitat e sotme shqiptare janë kombëtare edhe pse pa dashjen e tyre, por me paaftësinë e tyre shëmbullore ato nuk kanë mundur të heqin dot barrierën e vizave që hasin qytetarët. Por, jo gjithë elitat, elita ushtarake psh, ka kryer detyrën (sot jo në 1997).
    Mbas këtyre sqarimeve, në pamundësi për të rilexuar paragrafin ashtu siç do të dëshironit, vazhdoj.
    Për elitat shqiptare, ndonëse s’ma ka kënda këtë përgjithësim, mund të them pak gjëra. Ato janë në formim e sipër. Ishte përmbysja e sistemit që nxorri rastësisht, dhe shndërroi studentin e dhjetorit ’90 – politikan/kryeministër, shoferin e agroexportit – tregëtar/milioner, e me radhë. Të dy kanë pasuri, lidhje, janë shtresë e lartë, por dija e tyre e pakët nuk mund ta mbushë kurrë kanalin që ndan brigjet e një shndërrimi të tillë. Situata duket e pashpresë kur sheh se, tashmë të konsoliduar, këta nuk kanë për t’ia lënë sa kanë arritur veçse pinjollëve të tyre, por ka një shteg ku duhet ecur: lidershipi. Dijet e mangëta e bëjnë elitën të kërkojë lidership edhe jashtë vetes kur nuk e gjen dot brenda saj.
    Shembuj të skajshëm:
    Komunistët shqiptarë mbas LIIB, mbajtën lidershipin sa ju duk se e mbanin ndërsa elita thante këneta; çlirimi i elitës nga skllavëria ka ardhur dhe si pasojë e nevojës së komunistëve për lidershipin e tyre.
    Elita kosovare, e futur në qerthull prej vitesh, doli andej falë lidershipit të UÇK-së.
    Lidershipi mund të vijë si nga elita si jashtë saj. Lidershipi mund të jetë si i Nolit, diaspora e gjen dhe ai prin natyrshëm, por dhe si i Zogut, i shfaqur sikur prin, kur në prapaskenë lidershipi është krejt tjetër.
    Rrugët janë të ndryshme, qëllimi i njëjtë. Në pamundësi për të ndryshuar (rrënjësisht, – përmbysur) rendin e gjërave ne duhet dhe mund të bëjmë përmirësime në të dhe pa qënë pjesë e sistemit dhe duke qënë larg. Idetë shpërfillin distancën dhe pozitën. Idetë kapen dhe mund të tjetërsohen, por, besoj më lejohet pak moral: bli shtrenjt dhe fal!
    Për sa kam ditur dhe më është lejuar, (ç’thotë ky? – pyet lexuesi. Lexues. Asnjë gazetë në Shqipëri nuk më boton, edhe tek rubrika: Letra nga populli.) këtë kam bërë. Meqë ju merrni shembullin e turbinave me erë. Po t’ju kërkoni miqve tek “Shekulli” mund të gjeni sa kam shkruar me të tjerë për energjinë e erës vite më parë. Atëhere, ironikisht, duhej të ndeshesha midis të tjerëve me Ridvan Boden, sot ministër financash në qeverinë që sapo firmosi një fermë turbinash me erë. Ky tek RD-ja apo në kuvend i vinte në lojë si “mullinjtë e erës” dhe mbrojtësit e idesë si “Don Kishotë”. E megjithatë rrotullohen, mbaj mend të kem shkruar atëhere. Por, pse nuk i bëjmë vetë, pse tolerojmë ndonjë ministër tjetër si Genc Ruli, të shprehet ndonjë muaj a dy para firmosjes se ne nuk kemi kapacitete për energji nga era, pse nuk kërkojmë dhe kemi transparencë, pse i quajmë antinacionalët ambientalistë dhe antipopullorët e antikombëtarët globalistë?

    Ndryshe nga ju në pikën 2, unë besoj se një shoqëri që modelohet sipas ekonomisë së tregut, po të citoj: “ka nevojë për njerëz që mendojnë dhe që krijojnë në mënyrë të pavarur nga koniukturat komerciale.” Sepse kanë qënë dhe do të jenë njerëz të tillë ata që sjellin përparimin.
    Çdo kohë ka nevojë për zërin e saj. Zërat e të shkuarës janë jehona.

  8. CD,me bere te kujtoj nje anecdote.Dikur ne Angline e sapofillimit te kapitalizmit,nje punetor minierash shkonte zakonisht te lahej ne dushet e rinj publike me pagese.Kabinat ndarese ishin te ndertuar prej derrase deri ne lartesine e shpatullave.Nje dite minatorit i ndodhi nje ngjarje jo e zakonte.Sapo kishte filluar te shkumonte koken,kur ne salle u shfaq silueta e nje prifti.Prifti u fut ne kabine dhe filloi t’lahej pa u zhveshur.Punetori,i cili shqeu syte nga habia,nuk ju durua e I tha; “Prift,me fal qe po ta them,por jerezit zhvishen para se te lahen”.Prifti nuk u pergjigj.Minatori vazhdoi me nenqeshje tallese;”Prift,budallenjte nuk zhvishen kur lahen”.Keshtu thua ti-ia ktheu prifti-Por kjo nuk do te thote qe ashtu duhet”.Pas disa minutash vijne disa prifterinj te tjere e filluan te lahen edhe ata me gjithe rroba.Kur pane minatorin qe po lahej lakuriq,i thane njeri tjetrit;”Shikoni ate idotin atje,po lajet lakuriq” dhe vazhduan te talleshin me te duke i shpjeguar qe larja me rroba eshte normale,ndersa lakuriq lahen ata qe nuk jane ne regull nga trute.

  9. CD, ke shkruar një demagogji të shpëlarë, pa argumenta fare, pa pikë mbështetje, pa bazë, thjesht përrallë letrareske.

    Unë nuk do rri të të kundërshtoj për çka ke shkruar, vetëm të bëj me dije mendimin tim.

    Megjithatë, të shohim si funsionon sektori privat, dmth një strukturë e ndërtuar sipas iniciativës së lirë, e lejuar kjo që të ndërhyjë në hapësirën kulturore shqiptare. Ironikisht, po them se një organizëm i tillë, nuk ekziston sot. Dmth e rendit të “Mjaft” apo OJQ të tjera të financuara me synim kryesor mbrojtjen e vlerave kombëtare.
    Po nëse do të ekzistonte, do i duhej të përballej me mungesën e autoritetit për tu konsideruar si institucion.

    Asnjë iniciativë private nuk ka vlerën morale të një institucioni. Asnjë ushtri private nuk ka, as mbart vlerën morale të një ushtrie shtetërore. Po kështu për policinë dhe të gjithë organet e tjera që përbëjnë shtetin. Nga njëra anë psh institucioni i policisë shtetërore, ka të drejtën të ushtrojë dhunë dhe kjo quhet ndryshe dhunë institucionale, apo dhunë e ligjshme, e lejuar të ushtrohet. Këtë lejim ia ofron stema dhe institucioni që është shtetëror.

    Për rrjedhojë, përqëndrimi kryesor mbi fitimin e të drejtës morale, pra shtetërore, të përçimit të kulturës kombëtare duhet të qëndrojë synimi numër një.

    Iniciativa private do duhet përdorur thjesht si mjet për të arritur zhvillimin e kulturës kombëtare.

  10. CD, antikombëtare unë quaj gjithçka që, për mendimin tim, nuk u shërben interesave kombëtarë. Them për mendimin tim, sepse ashtu siç e vështroj unë, përparësi në këta interesa duhet të marrë kthimi, ose restaurimi i dinjitetit kombëtar të shqiptarit në Europë dhe në botë, nëpërmjet normalizimit të raporteve të individit shqiptar me shtetin e vet dhe të drejtat që ia njeh dhe garanton kushtetuta (qytetaria). Në këtë kuadër, ekzekutivi duhet të kujdeset, gjithnjë sipas meje, të ruajë një ekuilibër strategjik midis sektorit publik dhe sektorit privat; meqë të dy skajet sjellin pasoja shkatërrimtare për ekonominë dhe kulturën kombëtare, por edhe për dinjitetin e qytetarëve shqiptarë dhe fatet e tyre individuale nëpër botë. Si model për Shqipërinë, mua nuk më pëlqen as Koreja e Veriut as Aruba; sadoqë atë model të thjeshtë ekonomik që zbatoj për vete dhe familjen time (kaurdisjen me dhjamin tim), do të doja që ta aplikonte edhe shteti dhe shoqëria shqiptare, meqë vetëm sakrificat të nxjerrin nga bataku. Për ta thënë ndryshe, sikur etikën që kanë sot institucionet shqiptare ta kishte, bie fjala, një familje çfarëdo, unë nuk do të doja t’i kisha këta as në lagje, jo më në mëhallë e në pallat. Më në fund, unë shqetësohem për fatet e shqiptarëve jo sepse i mendoj si racë superiore, as sepse kujtoj që këtyre u takojnë të drejta dhe privilegje për shkak të historisë që kanë ose të racës; por sepse dua që këta të kenë po ato të drejta si edhe të tjerët, dhe të mos përfundojnë në skllevër ose shërbëtorë vetëm e vetëm ngaqë nuk kanë ditur t’i zgjidhin, deri më sot, dilemat e tyre si popull i vogël i një vendi të varfër. Natyrisht, këtu ndikohem edhe nga qenia ime shqiptar; edhe pse ndonjëherë më duket vetja fatlum e ndonjëherë tjetër fatkeq, në raport me bashkatdhetarët e mi që kanë mbetur në Shqipëri.

  11. Rasti ynë thuajse unik, një komb në disa shtete, e bën të vështirë përcaktimin e antikombëtarëve duke u nisur nga e kundërta, pa llogaritur se si do t’ja dalim të biem dakort cilat veprime ju shërbejnë interesave kombëtare e cilat jo.
    Sapo u fol keq për vizitat e Kryetares së Kuvendit nëpër Lindjen e Mesme, ajo/ata u mbyllën gojën oponentëve duke thëne se ajo po lobonte për Kosovën. Ne mund ta quajmë me plot gojën antikombëtar shpërdorimin (përdorimin pa kriter – për ta zbutur tonin) e parave të taksapaguesve, por ata që i përdorin paratë, Nano, Topalli, Basha, Biberaj, apo kushdo tjetër do të thonë po me plot gojën se pjesmarrja e tyre ishte akti më lartë i patriotizmit se ata janë kombëtarët, ndërsa ne kritikuesit e tyre jemi antikombëtarët, sepse ne nuk dashkemi Shqipërinë në NATO, Kosovën të njihet, rrugën të ndërtohet, vendin të përfaqsohet me një burokrat të lartë. Ne ju japim me dorën tone alibinë më të mirë; dhe ata e përdorin. E tillë alibi përdoret me privatizimit strategjike, koncensionet e gjithçka tjetër që s’qëndron dot vetë më këmbët e saj. Nëse interesi më i madh kombëtar është futja në BE, bashkimi i kombit, a të tjera kësilloji, a nuk janë çikërima pagesat për avokatët tanë perëndimorë?
    Nëse do të përdorim antipopullore ne ju heqim nga duart alibinë, dhe jemi të saktë. Në fund të fundit, secili është i lutur ta shohë nga vetja: s’mund ti heqësh tjetrin kombëtarizmin për çfardo veprimi, qoftë dhe gabim. Mbetesh në retorikë dhe po ti thuash se ai frymëzohet nga ideologji antikombëtarise sepse, sikur ai të jetë vërtet kombëtar, atij i duket se ajo çka e frymëzon atë është më e mira, e kundërta antikombëtare.
    Le të jemi më të saktë me termat, që të mos ndodhë si në këtë artikull, ku “globalizmi” është përdorur 12 herë, “globalizimi” 8 herë, e … ç’të them tjetër.
    shkeputur:
    Debatet mbi globalizimin intensifikohen më shumë në kohë krizash, gjë e cila po ndodh dhe në Shqipëri, dhe ndërkohë që bota po kalon krizën financiare globale, gazetarët i sheh teksa bëjnë kronika apo shkrime, në qoftë se kriza globale do të mbërrijë apo jo në Shqipëri? A thua se globalizmi është një erë e lehtë apo uragan që vjen dhe ikën. Ka shumë përkufizime dhe klasifikime për globalizmin.

  12. Analiza juaj e mesiperme me kujton nje filozof.Emri i tij ndodhet sot ne nje situate paradoksale ,sepse sa me shume qe ai behet aktual ne analizat et tij te shekullit te XIX, aq me shume shoqeria e zhyt ne harrese.

    Ai thote se prodhimi i mallrave eshte bere nje e keqe e domosdosme per te bere para, me shume para . Mardhenia e njeriut me naturen dhe shoqerine, ne shoqerine e prodhimit te mallrave nuk mund te kryhet veçse ne kuadrin e levizjes si qellim me vehte te vleres(kapital) Dhe meqe vlera qendron indiferente ndaj keti raporti, (sepse ajo nuk njeh veçse vehten e vet dhe vet-rritjen e saj ), njerzit atehere nuk jane me vetse ekzekutues te thjeshte te levizjes se kapitalit. Njerzit behen mbajtes te funksioneve e te maskave te nje automatizmi qe i dominon. Ky automatizem dominon dhe formen e mardhenjeve te njeriut me shoqerine , e çmendura dhe inkoshiente.

    keshtu shikohet qe ne jeten e perditeshme vlerat morale kane tendence te zevendesohen nga vlerat utilitare.

    “Kjo qe di ti a te sjell para ?”
    “Jo? Atehere ajo s’vlen”

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: