TË LUASH BISHTIN

Elvira Dones, e marrë nëpër gojë kot më kot nga gazeta MAPO, në lidhje me kandidaturën e saj për drejtoreshë të përgjithshme të RTSh-së dhe marrëdhëniet e saj me kryeministrin Rama, u përgjigjet sot kritikave.

Duke lexuar përgjigjen e saj, së bashku me shqetësimin që i nënvendoset, vura re që në përpjekjet e saj për t’u angazhuar publikisht në punët kulturore të Tiranës, e paskan quajtur mes të tjerash edhe “naive.”

Më tërhoqi vëmendjen ky cilësim, jo vetëm sepse është dylekësh, por edhe ngaqë ma kanë bërë edhe mua disa herë; në përgjigje të ndonjë shkrimi kritik dhe sidomos kur kam sugjeruar se si mund të bëhet diçka më mirë. Ka një takëm njerëzish në Tiranë, të cilët ta vënë rregullisht këtë në dukje, sa herë që shohin se ti kërkon, ose të paktën shpreson, që punët dhe problemet të zgjidhen në pajtim me rregullat, në mos me ligjet.

Kush të quan “naiv(e)”, lë të kuptohet se ty të mungon djallëzia e nevojshme, për t’u orientuar në kulisat e politikës dhe sidomos të shoqërisë së atjeshme; sepse ti kërkon të ecësh drejt, në një rrugë e cila konsiston e gjitha në kthesa të njëpasnjëshme.

E gjithë kjo më pat lënë përshtypje të hidhur, madje duke më bërë të dyshoj se mos vërtet më mungon instinkti i nevojshëm për t’u kuturisur në çështje të policies; mirëpo tani që e dëgjoj edhe nga Donesi, po më ngjall veç hidhërimit edhe revoltë.

M’u kujtua, sërish, një artikull i dikurshëm në revistën Harper’s, ku autori i ndante njerëzit në përgjithësi në dy grupe: në punëtorë dhe në lojtarë (“Crap Shoot: Everyone Loses When Politics Is a Game“, shkruar nga Garret Keizer). Ideja e artikullit ishte se punëtorët krijojnë pasurinë nëpërmjet punës së mirëfilltë ose transformimit të materies dhe të informacionit, ndërsa lojtarët pasuroheshin duke luajtur me pasurinë e krijuar prej punëtorëve. Dallimi mes të parëve dhe të dytëve, shpjegonte Keizer, është se lojtarët përnjimend kujtojnë se “jeta është lojë”.

Këta që të quajnë naiv, janë pikërisht lojtarët e artikullit, që jo vetëm dallohen prej punëtorëve për nga mënyra si u qasen sfidave; por edhe i përçmojnë ata të tjerët, ngaqë ata “nuk (e) luajnë.”

Një herë e një kohë, i njëjti koncept ekzistonte në trajtën e porosisë popullore: “duhet ta dredhësh”, në versione të ndryshme; edhe sot, njëlloj si atëherë, aftësia për të qenë dinak, i djallëzuar, dyfytyrësh, sipërfaqësor, gënjeshtar, servil me eprorët dhe bully me vartësit, bullshitter dhe miklues vjen e riderdhur në trajtat gënjyese të një virtyti social; pa çka se Shqipëria – sikurse e dimë – ka mbetur në bisht edhe falë këtyre zotësive të papara të klasave të saj drejtuese, që nga Pavarësia e deri më sot.

waggingtailKjo ndarje mes punëtorëve dhe lojtarëve të sjell ndërmend edhe një dallim të mirënjohur, mes pëllumbave dhe fajkonjve, që e ndesh në sociologji; ka ngjashmëri mes tyre, por edhe diferenca – dhe mes këtyre të fundit, ndoshta ngaqë ndryshe prej fajkonjve, të cilët e dinë që janë fajkonj dhe janë të vetëdijshëm për rolin e tyre në ekonominë e marrëdhënieve brenda komunitetit, lojtarët duan që natyrën e tyre intime ta shesin si epërsi morale ose virtyt; çfarë do të ishte e ngjashme me, të themi, një hijenë që të mburret se ushqehet me kërma.

Por këta lojtarë, me të cilët janë mbushur institucionet, OJQ-të dhe mediat në Tiranë, ndoshta meritojnë të quhen kështu vetëm ngaqë dinë “ta luajnë bishtin”; por jo ngaqë sjellja e tyre dhe qasja e tyre ndaj kompleksitetit social ka ndonjë gjë të përbashkët me lojën. Në fakt, edhe pse lojën nuk është e lehtë ta përkufizosh, disa nga lojërat më përfaqësuese, përfshi këtu jo vetëm shahun por edhe pokerin, janë të tilla, lojëra, dhe mund të luhen ngaqë bazohen në rregulla; në një kohë që lojtarët në Tiranë veç për rregulla nuk pyesin, me përjashtim të kodeve që rregullojnë marrëdhëniet intime brenda grupeve ku militojnë.

Prostitutë, do të ishte kushedi termi i përshtatshëm; por nuk po dua të fyej prostitutat e mirëfillta, të cilat – në raport me ndarjen e mësipërme në punëtorë dhe lojtarë – i përkasin pa dyshim grupit të parë.

Nuk ka komente

  1. Dallimi i prostitutave të mirëfillta me laviret e mejhaneve të pushtetit, në Shqipëri e gjetiu, është se të parat e deklarojnë që në fillim rolin e punën e tyre. Në këtë kuptim “chapeau!” sinqeritetit të tyre në shoqëri. Kurse lojtarët lavire, ata që e dredhin si të thuash për përfitime personale në kurriz të të tjerëve, luajnë me disa fytyra njëherësh, shpeshherë duke u shtirur si të virgjër. E kjo është e padurueshme, sidomos kur i gjen në pozicionin e atij që jep mësime e këshilla për jetën (ex cathedra), me një qëndrim të lehtë e mëshirues superioriteti.

  2. Ndersa une mendoj se epiteti “naiv” eshte i legjitimuar qe te hidhet ne treg per cilindo qe ka jetuar jashte Shqiperise per nje kohe te gjate dhe tani synon te marre nje post te rendesishem politik ne vend (sepse posti i drejtorit te pergjthshem te RTSH-se eshte post politik ne kuptimin me te gjere te fjales). Tjeter pune se kush e hedh dhe cfare qellimesh ka. Cdo kandidat i posteve te tilla nuk duhet te trembet dhe duhet te jete i afte te deshmoje te kunderten si per gojeliget si per publikun e gjere. Dhe ne fakt paragrafi i fundit i pergjigjes se Donesit nuk te bind madje duket sikur shpie uje ne mullirin e atyre qe e quajten naive (gjithmone nese ate mesazh e ka shkruar Donesi e vertete). Ja ku eshte:

    E kam dashur dhe do ta dua këtë vënd, në atë masë që ky vend e lejon veten të duhet.
    Ajo që unë kam patur për zemër deri më sot ishin vetëm interesat e një populli të vogël, të vuajtur, dhe pré e çdo çizmeje të huaj që ka kaluar këndejpari dhe të klasave politike në këtë çerekshekull të cilat kanë luajtur me fatet e tij.

    I uroj Radiotelevizionit shqiptar çdo të mbarësi. Dhe tani i kthehem punës sime”, shkruan Dones.

    1. “Ndersa une mendoj se epiteti “naiv” eshte i legjitimuar qe te hidhet ne treg per cilindo qe ka jetuar jashte Shqiperise per nje kohe te gjate dhe tani synon te marre nje post te rendesishem politik ne vend”

      Përse u dashka ta quash dikë “naiv” sepse synon një post të rëndësishëm në vendin e vet të origjinës?
      Nuk ka asgjë normale në mënyrën se si ambicies së drejtëpërdrejtë dhe të ndershme, të dikujt që aplikon hapur për një post pa i bërë elozhe dhe kacavjerrur pushtetit, ne i kundërvëm cmirën e skuthëve. Të atyre që jo vetëm nuk kanë by*hë t’i kundervihen pushtetit korruptiv, por ngaqë u vjen për shtat e mbrojnë atë: kush ua prish rehatin e quajnë “naiv”.

      Po a do ta quanit “naiv” të njëjtin person nësë ajo apo ai do të synonte një post të rëndësishëm tashmë jo në vëndin e origjinës por diku tjetër jashtë Shqipërisë? (Sidomos në perëndim ku është fare a mundur ta bësh dicka të tillë.) Them se jo. Ndoshta do t’ia përmendnim emrin për mirë, do t’i thurrnim lavde, dhe me siguri do t’ia lexonim bëmat, tashmë të shumëfishuara, edhe në faqet e MAPOS për atdhetarin inteligjent dhe ambicioz. Kjo sepse kështu e perceptojnë shqiptarët hierarkinë e pushtetit, por edhe sepse është i vetmi Zot që i falemi. Aftësia e individit as nuk na hyn fare në xhep.

      Ergo, “Rroftë provincialiteti!”

      Në një vend normal aplikimi i Dones nuk do përbënte lajm, aq më pak arsye për t’u përgojuar.
      Është e trishtueshme se krejt shkrimi i Dones, dhe paragrafi që ju citoni, ngre pikërisht problemin e përgojimit të pa përligjur. Duket qartë që ajo e do vendin e vet pa kushte. Por as nuk e fsheh dot se sa e vështirë është të kesh kësi ndjenjash kur po ky vënd dominohet nga psikologjia e skuthit, njerëzve që i falen pushtetit ditë e natë, pa kurrëfarë njërzillëkut.

      Që MAPO, Kryeministri apo kushdo tjetër mund të mos jenë dakort me Dones është normale.Por nëase duan t’i shprehin qëndrimet e kundërta në publik nuk është fare nomale t’i shprehin at ad hominem.

  3. Po a do ta quanit “naiv” të njëjtin person nësë ajo apo ai do të synonte një post të rëndësishëm tashmë jo në vëndin e origjinës por diku tjetër jashtë Shqipërisë?-Ujku

    Une personalisht epitetin “naiv” do ta kurseja per shume pak njerez qe synojne poste te larte dhe politike. Ne mos fare. Por per t’iu pergjigjur pyetjes sende varet se ku e synon. Se po te jetosh psh ne France e te pretendosh per post ne Tajvan, te jesh i sigurt qe jo vetem naiv po do te quajne dhe shume gjera te tjera. Ja psh si do te ndodhtte nese dikush me karriere ne Shqiperi te pretendonte nje post politik ne Gjermani? Dhe eshte mese logjike se ne momentin qe ke jetuar ne nje vend tjeter fauna dhe flora e vendit tend te jane bere dashje pa dashje te huaja dhe ne njefare menyre je nje specie e huaj. Ne kete prizem them se epiteti naiv eshte i perligjur. Provincialiteti nuk eshte faktori kryesor ketu. Te mos me keqkuptosh, ky ekziston me pashe por nuk eshte vendi t’i jepet spotlight-i ne kete rast.

    Sa per pergjigjen e Donesit. Me vjen keq po nje personalitet qe synon nje post te tille e qe perdor pa dogane terma te tille si “cizmja e huaj”, “popull i vuajtur” nuk me ngjall aspak simpati por thjesht me rrit nivelin e treguesit te patetizmit pa buke.

    1. Më fal se po të fik llullën, por “fauna dhe flora” që përmendni ju në të vërtet nuk janë veçse një kënetë korrupsioni. Dikur fisnim edhe për kopsht të lulëzuar në buzë të Adriatikut, por sot nuk ka njeri inteligjent që i beson këto prralla.

      Po ashtu llogjika ta do që nëse do duhet të thahet kjo lloj kënete, me siguri që nuk mund të bëhet nëpërmjet mushkonjave dhe parazitëve që rriten aty. Me siguri ka në Shqipëri njerëz që jetojnë aty për një kohë të gjatë të aftë t’i ndryshojnë gjërat nëse u jepet mundësia. Por këta mund të gjenden vetëm mes atyre që e mbajnë hundën me dorë ngase nuk ambientohen dot me erën e keqe të faunës shqiptare, dhe jo e kundërta. Kështu që argument yt i faunës nuk pi ujë fare.

      Sa për Elvirën, ajo arrin ta shohë atë vend për atë çfarë ai në të vërtet është kur thotë: “do ta dua këtë vënd, në atë masë që ky vend e lejon veten të duhet”. Këto nuk janë kurrësesi fjalët e një “naivi”, pot ë një njeriu të ndërgjegjshëm për realitetin. Patetikë janë ata që kujtojnë se po lulëzojnë aty ku janë dhe jo Elvira, e cila duket se e ka provuar dhe afirmuar veten.

      1. Po c’rendesi ka ca faune dhe flore eshte? Po kenete eshte qe c’ke me te dhe nuk ngela te ma fikesh ti llulen per ta kuptuar. Une nuk po mbroj keneten. Por kjo perqasja jote se duhet te vij nga jashte shpetimi eshte ku e ku me naive. Te thashe se une personalisht nuk besoj se Dones eshte naive. Kurrsesi. Dhe meqe nuk rrime dot pa kenetizuar cdo debat me lejo te them ate qe u permbajtja ne te gjithe mesazhet e mia sepse nuk eshte ne stilin tim; ate qe zerat ne kenete thone se Dones laujti me karten e Edi Rames. Ajo luajti bllofin duke perhapur lajmin se ishte e perzgjedhuar e tij, aq sa filluan te bejne gam gam edhe mediat tona. Kur ky i fundit e mori vesh kete ,me “finesen” qe e karakterizon e spostoi. Ja kaq banal tegohet realiteti dhe ne fakt nuk eshte cudi te jete e vertete sepse keneta pra… E pare ne kete prizem, Donesi del lojtare dhe jo prodhimtare. Dhe nje lojtare e dobet.

        Tani, thone qe Dones te kete reaguar. Une dyshoj te jete Donesi qe ka shkruar mesazhin. E para sepse niveli i shqipes ne ate mesazh eshte poshte standardit qe nje shkrimtare dhe intelektuale e statures se saj mendohet te kete. Po ky eshte problemi me i vogel, se ai nuk ishte artikull por mesazh dhe ne mesazhe te gjithe ne bejme gabime nga nxitimi e nga te tjere faktore. Se dyti, dhe qe eshte problemi kryesor per mua, mesazhi i Donesit eshte shume paradoksal. Nga nje ane ka doza patetizmi si “cizmja e huaj, etj qe tradhtojne nje populizem ose naivizem. Nga ana tjeter ka fjali si ato qe permend te tipit “ne ate mase qe e lejon veten te duhet”. Me vjen keq po ky eshte elitizem bosh. Me kujton fjalimin e gjate te kryeministrit me rastin e plehrave kimike ku theksimi ishte “ti o popull nuk me meriton”. Nga ky lloj elitizem nuk vjen kurrsesi shpetimi.

        Donesi eshte nje figure publike qe synon nje post publik. Aq me teper nje post politiko-komunikues, Nuk i falet te mos beje te qarte platformen e saj haptas para publikut edhe pas ikjes nga gara. Por nuk i falet as ky qendrim elitist paradoksal tani qe po e baltosin. Nese merr persiper te sqarosh publikun, sqaroje mire. Beje nga pozitat e njeriut qe vertet ka synuar ndryshimin dhe pastaj lejoje publikun te gjykoje nese te meriton apo jo.

        1. Nuk e kam fjalorin shqip përpara, por po citoj përkufizimin e fjalës “naïve” nga Webster Dictionary: “having or showing a lack of experience or knowledge : innocent or simple” përkthyer “të shfaqësh një lloj mungese eksperience dhe njohjeje: i pafajshëm ose i padijshëm (i pasofistikuar)”

          Po e marr si të vërtet faktin se të gjithë ne po i referohen përkufizimit të mësipërm – sigurisht duke ia bashkangjitur botëkuptimit individual.

          Me sa kuptoj unë, ju e quani “naïve” dikë që ka mungesë eksperience dhe njohje për Shqipërinë sepse ka qënë i shkëputur nga vendi për një kohë të gjatë. Kjo është e mbështetur saktë në përkufizimin e mësipërm, por vetëm pjesërisht.

          Them pjesërisht sepse sipas jush për të qënë një figurë publike që merr vendime në Shqipëri nuk ka rëndësi se sa dije professionale dhe sa të zhvilluar e ke botëkuptimin. Në momentin që nuk e “njeh” Shqipërinë në një kontekst të caktuar, që në këtë rast nuk artikulohet por supozohet, je i papërshtatshëm për këtë kontekst, ndaj edhe “naiv”. Si atribut i naivitetit, mosnjohja e Shqipërisë i zhvlerëson të gjitha njohjet/eksperiencat e tjera.

          E thënë thjeshtë, Elvira Dones mund të jetë figurë publike Shqiptare, madje edhe e admiruar. Por Elvira Dones kurrësesi nuk mund të jetë figurë publike që merr vendime në Shqipëri. Sepse Elvira Dones në kontekstin e vendimmarrjes në Shqipëri është “naïve”. Ajo është “naïve” jo sepse nuk është mjaftueshëm shqiptare, apo sepse nuk njeh shumë shqiptar, apo se e do Shqipërinë më pak se një figurë publike që vegjeton aty. Jo. Ajo është “naïve” sepse nuk i përshtatet dot kënetës së vendimarrjes. Me një fjalë “dështake”.

          Problemi është se kujt botkuptimi i referehemi për të interpretuar fjalën “naïve”.

          Dhe nëse i referohesh botëkuptimit të kënetës dhe korrupsionit për të vlerësuar një situatë, nuk akuzon dot të tjetrët për “kënetizim të debatit”, dhe aq më tepër për “elitizëm” dhe “patetizëm”. Thjesht sepse zbulon që nuk ke kuptuar asnjë gjë nga ato që thuhen, përfshi Elvirën, duke kërkuar ta zhveshësh atë me zor nga etika që i referohet edhe Xha Xhai më poshtë.

  4. Edhe nga përvoja personale, mund të them se epiteti “naiv” përdoret për çdo lloj qasjeje publike që nuk është thjesht pragmatike, por merr parasysh edhe përmasën etike.

    Në fakt, në afat të shkurtër, pragmatizmi dhe amoraliteti (nuk po flas për imoralitetin) gjithnjë fitojnë ndaj skrupujve dhe profilit të lartë etik; por në afat të gjatë dalin gjithnjë të humbur.

    Pa një (ri)kthim serioz dhe sistematik të etikes në preokupimet publike (me vepra), Shqipëria nuk do ta nxjerrë dot shekullin. Edhe korbi do të vdesë urie, kur të mos i mbeten më të vdekur që t’ua hajë sytë.

  5. Naiviteti ne raste te tilla lidhet me qellimin, jo me njohjen e realitetit. Ne kete kuptim sigurisht qe karakterizimi i ketille ka vlere. Dikush e njeh shume mire realitetin por qellimet e angazhimit dalin te jene naive. Mund t’i thuhet psh. naiv Rames ne lidhje me qellimet e angazhimit te tij, se nqs nuk jane naive atehere kemi te bejme me maskarallek te kulluar.
    Dallimi eshte i mirenjohur, realiteti eshte x, personi e njeh por gjykon se eshte i mundshem qellimi y. Ne te vertete shumica derrmuese e atyre qe marrin persiper te ndryshojne diçka ne themel, perplasen me murin, sepse qellimi i preteduar eshte naiv.
    Nuk eshte automatike qe njohja e realitetit ben te mundur qellime reale. Kur kesaj mungese automatike korrecionaliteti i shtohet deshira e pasioni (si elemente emotive) per ndryshime themelore, atehere sigurisht qe mund te flitet per naivitet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin