TË DREJTAT E PERSONAZHIT

Debati i tanishëm për disiplinimin e komenteve në linjë dhe kufizimin deri në bllokim të fyerjeve dhe sulmeve ad hominem nuk është shtruar mirë.

Po harrohet se zgjidhja ligjore nuk është më e mira, por vetëm një vegël ekstreme, që dëshmon se përpjekjet për ta rregulluar këtë punë me mjete të tjera, më pak brutale, kanë dështuar.

Të gjithë ata që shqetësohen se ndërhyrjet e një autoriteti në një hapësirë komentesh mund të shkelin të drejtat e komentuesve – pa çka se këta janë anonimë, pseudonime, personazhe dhe si të tillë nuk kanë të drejta të njeriut – nuk i shoh as i dëgjoj të kundërshtojnë kur kjo shkelje u hiqet si kompetencë autoriteteve të faqes, për t’u rregulluar në mënyrë abstrakte, ose me ligj. A thua se ligji nuk është produkt i ndonjë marrëveshjeje mes nesh, por diktat i dërguar nga qielli.

Në fakt, një zgjidhje më e mirë do të ishte që të vendoseshin rregulla jo për censurimin e komenteve pasi ato janë bërë publike, por për optimizimin e kushteve të komunikimit online – për shembull, duke e bërë të detyrueshëm regjistrimin në sajt, sikurse veprojnë tashmë shumë faqe të mëdha online në Perëndim.

Regjistrimi nuk është se e shndërron gjë komentuesin çfaredo në person juridik, me të drejtën e fjalës; por ndihmon për t’i dhënë këtij një farë konsistence në kohë, ose për t’i dhënë mundësinë që t’i qëndrojë besnik personazhit që ka krijuar.

Ata që shqetësohen për censurën, gjithashtu harrojnë se komentet agresive dhe sidomos reagimet agresive ndaj komentuesve të tjerë krijojnë ato vetë një atmosferë mbytëse në debat, duke censuruar praktikisht të gjithë ata që nuk mund të komunikojnë lirisht në këto rrethana. Praktika tregon se këta të fundit, që largohen nga debatet sapo këto zaptohen prej trollëve dhe provokatorëve, janë në fakt nga pjesëmarrësit me më shumë ide të frytshme.

Disa media online që parapëlqejnë të mos ushtrojnë censurë vertikale ndaj komentuesve, harrojnë të vënë re – besoj qëllimisht – se censura më e fortë sot për sot është ajo horizontale.

Si i vjetër që jam në këto meta-debate, gjithnjë kam shpresuar se mediat do të arrinin ta zgjidhnin vetë dilemën e kontrollit të komenteve fyese dhe agresive, duke përqafuar një lloj kodi etik të komunikimit online, i cili të mbështetej mbi pak rregulla të qarta që të disiplinonin marrëdhëniet e komentuesve me sajtin, njëri-tjetrin, lajmin e përcjellë, personat për të cilët flet lajmi dhe autorin e shkrimit, nëse shkrimi ka autor.

Kjo nuk ka ndodhur, sidomos ngaqë komentet e dala nga kontrolli shërbejnë edhe si josha klikimesh për faqet shqipe online, rregullisht të vdekura urie.

Përndryshe, argumenti i sjellë shpesh se çdo përpjekje për të rregulluar hapësirat e komenteve do të shkelte të drejtat e komentuesve është i rrejshëm: në atë masë që janë anonimë, komentuesit nuk kanë të drejta; ose kanë po aq të drejta sa edhe një personazh i një romani ose i një filmi. Dikush që shkruan me pseudonim, dhe aq më tepër kur e krijon këtë pseudonim rishtas sa herë që ndërhyn në një sajt, nuk është person – në kuptimin që i jepet këtij termi brenda një filozofie të së drejtave individuale.

Mjaft të kujtoj këtu, në vend të një argumenti rigoroz, mundësinë që sot ka kushdo që dëshiron, që të krijojë me dhjetëra personazhe të ndryshme që komentojnë, madje edhe t’i vërë në konflikt mes tyre; si dhe mundësinë tjetër që disa persona të merren vesh për të shkruar me të njëjtin pseudonim. Edhe pse skena e një komunikimi ose debati publik i ka disa tipare të përbashkëta me teatrin, megjithatë dallimet mes tyre nuk mund të shpërfillen; në atë masë që dallimet mes personazhit në skenë dhe aktorit që e luan atë janë gjithashtu themelore, për të kuptuar si funksionon teatri si formë edhe arti edhe komunikimi me publikun.

Natyrisht, të gjithë kemi një persona specifike kur dalim përballë publikut; por të qenit subjekt na detyron – qoftë edhe thjesht nga pikëpamja etike – për t’ia ruajtur integritetin dhe vijueshmërinë kësaj persona-s, të cilën nuk e heqim dot qafe lehtë, dhe as mund ta ndërrojmë sipas dëshirës; meqë edhe të tjerët nëpërmjet saj na identifikojnë dhe na i interpretojmë ato që themi. Kjo do të thotë dhe që persona jonë publike është një farë garancie etike e fjalës; ose vendi ku ankorohet përgjegjësia e subjektit.

Në këtë prizëm, e shumta që mund të pretendojnë mediat dhe faqet shqip të Internetit sot është t’u krijojnë komentuesve, në mënyrë konsistente, mundësinë për t’u shndërruar në personazhe me një farë historie – duke u kërkuar që të regjistrohen në sajt, qoftë edhe nëpërmjet llogarisë që kanë në FB. Kjo rregull ka treguar, kur është zbatuar gjetiu, se arrin të rikthejë lidhjen midis ligjëratës dhe subjektit të ligjërimit, ose një farë përgjegjësie sado elementare të thënësit ndaj asaj që thuhet.

Pavarësisht nga forma që do të ketë ligji i cili debatohet këto ditë në Kuvend, atmosfera e rënduar në debatet online nuk mund të rregullohet me ligj. Kur kanë natyrë thjesht politike, këto debate duken tani të kontrolluara tërësisht nga trollët e zyrave partiake të propagandës; ndërsa kur kanë natyrë kulturore, historike dhe kombëtariste, tonin e japin një grusht trollësh ekstremistë, kryesisht me banim jashtë Shqipërisë, madje edhe jashtë trojeve shqiptare në Ballkan.

Në të dy rastet, debatet priren të zbrazen nga përmbajtja intelektuale, për t’u shndërruar në shkëmbime bajate sharjesh dhe fyerjesh ose në riprodhime thashethemesh dhe shpifjesh; dhe si të tilla përdoren lehtësisht nga të gjithë ata që duan të turbullojnë ujërat, përfshi këtu edhe nga njerëz të paguar prej shërbimeve sekrete gjithfarësh.

Titullarët e mediave dhe administratorët e faqeve kanë përgjegjësi jo aq ndaj ligjit, sesa ndaj publikut të cilit i shërbejnë, që ta kufizojnë këtë sëmundje të lirisë së fjalës, e cila rrezikon seriozisht t’i tjetërsojë qytetarët nga debatet. Por zgjidhja nuk do të vijë dot, pa një përmirësim të profesionalizmit në vetë mediat.

Nuk ka komente

  1. “Ata që shqetësohen për censurën, gjithashtu harrojnë se komentet agresive dhe sidomos reagimet agresive ndaj komentuesve të tjerë krijojnë ato vetë një atmosferë mbytëse në debat…”

    Projektligji flet per mediat online, te cilat kryesisht publikojne lajme. Dhe pas lajmit nuk eshte qellim debati, sikurse ne blog p.sh, por komenti mbi lajmin, qe deformohet dukemj ndalur te protagonistet e lajmit. Pa harruar ketu se lajmi po perftohet ne dy fizionomi: nje eshte aspekti “formal”, pra informimi mbi ngjarjen qe e ben media. I dyti eshte komenti qe synon pasurimin e lajmit me “w” e munguara ne kushtet kur vete media ka deshtuar ne zbulimin e tyre, vetecensurohet per shkaqe interesash, ose per shkak te domosdoshmerise se konformimit me rregullat, sa kohe nuk disponohen fakte dhe prova. Per ceshtjen e fundit ta zeme, “Doshi”, me shume te dhena dolen nga komentet sesa nga informacionet-lajme. Dhe kjo edhe per nje arsye shume te rendesishme: institucionet nuk japin informacion dhe kur jane duke shkelur ligjin. Dje Afrim Krasniqi shkruante ne “shqiptarja.com” qe asnje institucion nuk po zbaton ligjin per informimin, miratuar ne nentor 2014. Si te procedosh penalisht keto institucione? Shkelja eshte ne driten me diell, asgje nuk ndodh, Kush po procedohet per daljen e shkreses sekrete te policise per ceshtjen “Frroku”, shkrese qe u pa se kishte vulen e njome te prokurorise? Asnje.
    Pertej kesaj: kur flasim per komente fyese, te pakten deputetja nismetare, e tille zyrtarisht, ka hapur vetiu nje debat te madh, qe nuk mund te kufizohet vetem te pergjegjesia e mediave. Shmanget media sociale. Nese eshte keshtu, atehere une si media, marr statuset e Sali Berishes, qe ngjajne si raporte operativesh, i publikoj bruto dhe me siguri aty do te kete fyerje, qe interpretohen si te tilla, akuza shume te renda etjj. Media eshte njera ane e medaljes, edhe e pusetes po te doni, por qe “misioni” i saj te kete njefare progresi, duhet qe edhe ana tjeter e pusetes, pra institucionet te veproje qe te mos dale kuterbimi. Nuk ka munguar zbulimi i ngjarjeve ne Shqiperi, se ato kane ndodhur ne mes te dites, por drejtesia. Po te kishte patur nje cike drejtesi, do pushonin edhe gjyqet popullore, apo letrat anonime. Sa per aspektin intelektual, une personalisht, njoh intelektuale firmetare peticionesh partiake. Dhe nuk besoj se kjo eshte fyerje. Mundet valle te fyhet nje politikan shqiptar? Eshte e vetmja larve absolutisht racionale qe gjallon ne keto ane.

    1. Unë shoh këtu – edhe në sa ke shkruar më lart – të përvijohet një problem serioz me mediat e shkruara: këto duket sikur janë shndërruar në botuese, në kuptimin etimologjik të fjalës, meqë thjesht i përcjellin botës materiale të cilat atyre vetë ua përcjellin palë të treta. Këto palë të treta mund të jenë zyrat e propagandës së partive ose të institucioneve, por sidomos janë televizionet. Ajo që mungon, është angazhimi i medias në prodhimin e lajmit, nëpërmjet gazetarit që vepron si shqisë e publikut. Nuk e kam fjalën për gazetarin që komenton, ose që përpunon opinionin e lexuesit; dhe as për gazetarin që e përzgjedh lajmin që do të japë, kur përzgjedh edhe lajmin që nuk do të japë; por për atë tjetrin, që bën pikërisht punën e gazetarit, e cila punë nuk mund t’u delegohet komentuesve, sepse këta të fundit janë, me përkufizim, personazhe, teatër me maska – komunikojnë edhe ata diçka, por jo në nivelin e medias, por në një nivel tjetër. Në fakt, ato që thonë komentuesit janë përtej së vërtetës dhe gënjeshtrës; ose më mirë e vërteta e tyre ka të bëjë me portretin që i bëhet atij që komenton. Dhe kjo turli informacioni, e mbetur pezull në hapësirën e paverifikueshmërisë, nuk i shërben asgjëje, veç propagandës; madje edhe sikur të përmbahen atje “të vërteta” që të tjerët i kanë fshehur. Madje një mënyrë për ta neutralizuar një fakt delikat ose të parehatshëm për palën e interesuar, është ta bësh atë publik në trajtë thashethemi, ose ta përfshish në bashkësinë e atyre gjërave që thjesht “thuhen”, por nuk e kapërcejnë dot kufirin midis fjalës dhe botës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin