NJË ÇMIM PËR LETËRSINË SHQIPE

Këto ditë u mbyll Salloni i librit të Ballkanit në Paris. Është një  veprimtari  që zhvillohet për të pestën herë në mjediset e INALCO-s (Instituti Kombëtar i Gjuhëve dhe Civilizimit Oriental), pjesë e sistemit të  Sorbonës. Në të  marrin pjesë rreth tridhjetë botues francezë, të cilët paraqesin një numër të madh autorësh të të gjitha vendeve të Ballkanit.

Veprimtaria ka mbështetjen e gazetës Le Monde dhe Courrier International. Ne ketë panair libri nuk janë autorët që paraqesin librat e tyre por janë botuesit francezë që konkurrojnë me autorët që kanë botuar në rrjedhë të kohës . Salloni ka krijuar një traditë të mirë dhe është pjesë e pandashme e veprimtarive të shumta kulturore të kryeqytetit francez.

Këtë vit, për herë të parë u organizua edhe ndarja e një çmimi për librin më të mirë. Për zgjedhjen e tij u ngrit një juri me studentë të INALCO-s. (Franca ka një përvojë interesante në organizimin e strukturave sa më pak të ndikuara nga faktorë jashtletrarë. Keshtu, një nga çmimet me të vlerësuara në vend është Le Prix Goncourt de lycéens, më të cilin së fundi u vlerësua një autor i përkthyer edhe në shqip, David Foenkinos).

Juria e organizoi punën në disa faza seleksionimi. Në seancën e parafundit u përzgjodhën njëzet libra nga autorë të pothuaj të gjitha vendeve ballkanike (bullgarë serbë, grekë, turq, rumunë, kroatë, sllovenë etj) dhe që janë aktualisht të pranishëm në rrjetin e shitjes së librarive franceze.

E ndodhur para një volumi të madh pune dhe një numri të konsiderueshëm veprash me cilësi të lartë, juria propozoi edhe dhënien e një çmimi special (coup de coeur), përveç çmimit kryesor të librit më të mirë të Sallonit, siç ishte menduar në fillim.

Ky çmim special iu dha poetit rumun Radu Bata për përmbledhjen me poezi « Le Philtre des nuages » (et autres ivresses) të botuar nga Éditions Galimatias.

Çmimi kryesor i Sallonit të Librit të Ballkanit në Paris, 2015 iu dha autorit shqiptar Dashnor Kokonozi për romain Terre brûlée (Edition Non lieu). Remise des prix du Salon du livre, Paris, 2015

Në paraqitjen dhe motivimin e vendimit të marrë prej saj në dokumentet e rastit juria thekson se :

Juria ishte e ndjeshme ndaj vlerave universale që sillen nëpërmjet historisë së një krize që preku një vend ballkanik dhe nga pikëvështrimet e ndryshme ndaj të njëjtës ngjarje.

Anëtarët e jurisë në fillim menduan se kishin të bënin me një vepër që trajtonte piramidat mashtruese financiare të sistemit « Ponzi », që ka të bëjë me nxjerrjen e fitimit për klientët që kanë depozituar paratë së pari nga fondet që ushqehen nëpërmjet depozituesve të rinj.

Ajo u josh nga ritmi i aksionit, pa asnjë kohë të vdekur dhe mbi të gjitha nga tre këndvështrime të detajuara në këtë vepër.

– versioni i një përkthyesi, Nikos, që shikon familjen e tij të shkatërrohet në të njëjtën kohë si edhe vendi i tij

– ai i një gazetari austriak, Charl Sanz, që ka mbuluar të gjitha luftërat e globit dhe do të kuptojë se çfarë po ndodh me të vërtetë në një vend në zgrip të shkatërrimit.

– ai i medieve ndërkombëtare që me çdo kusht kërkojnë ngjarje sensacionale edhe duke deformuar të vërtetën.

Ajo (juria) ka hyrë në thelbin e historisë dhe ka vlerësuar pikëpamjet e ndryshme që zhvillohen rreth të njëjtës ngjarje dhe mospërputhjen nëpërmjet asaj që kuptonin « ndërkombëtarët » dhe asaj që përjetonin « vendasit ».

Dokumentet përkatëse dhe proces verbalet e paraqitjeve të antarve të jurisë do të botohen në revistën Orient, që aktualisht del vetëm në letër, siç mësojmë.

Duke dëgjuar tek lexohej para sallës një analizë e tillë, mbeta i çuditur dhe madje i tronditur. Disa vjet më parë, kur u botua në Tiranë, libri u prit me disa recensione e paraqitje dashamirëse, por duke analizuar ngjarjen në vështrim historik, kritika i kalonte anash thelbit të rrëfimit romanesk, arsyes së ekzistencës së librit si vepër artistike dhe jo rrëfim historik, viheshin në dukje elementët e formës dhe jo impakti i brutalitetit të ngjarjeve në jetën e njerëzve të thjeshtë… Nuk e prisja që interpretimin më të mirë të atij libri ta dëgjoja nga disa studentë francezë.

Nejse, tha. Henri i IV-të u pat shprehur dikur se Parisi ia vlen një meshë (meqë duhej të konvertohej në katolik për tu bërë mbret), tani gjithkush e merr me mend se sa shumë e vlejnë një gjë të tillë, banorët e atij qyteti, parisianët. Me këtë mendim u nisa të takoj e të përshëndes antarët e jurisë, të gjithë vajza e djem të bukur e inteligjentë. Vizioni e projektet e tyre për jetën më la përshtypje të thellë. Mësova se ishin studentë në japonistikë, një i dytë për gjuhën dhe kulturën perse, një i tretë thellonte njohuritë e tij në gjuhën koreane… Duket se isha në prani të vazhdimësisë së orientalistikës së famëshme frënge, të atyre që kanë si parardhës gjigandë të tillë si J. F. Champollion, babait të egjiptologjisë moderne, të deshifruesit të gurit të Rozetës dhe hieroglifeve egjiptiane, të A. Dozon-që mblodhi rrëfenja maleve të Shqipërisë e hartoi një gramatikë të shqipes, të atyre misionarve jezuitë që  sollën rrefimet e para të gjuhës e kulturës japoneze…

Natyrisht, ne interesoheshim për njëri tjetrin, por përpiqesha t’u lija atyre pjesën më të madhe të kohës të flisnin. Qe kënaqësi t’i dëgjoje… sikundër kënaqësi është edhe ta ndaj edhe me ju këtë njoftim.

No Comments

  1. Juria dhe mënyra sesi është përzgjedhur tregojnë se është një çmim vërtetë me shumë vlerë. Urime Lyss!

  2. Faleminderit, të gjithëve, shumë të faleminderit. Dua t’ju siguroj se ruaj një vështrim realist të të gjithë kësaj pune, që nisi dikur kur unë as nuk e dija se dikush e kishte marrë librin në dorë dhe po e përkthente… Gjithçka është zhvilluar jashtë meje. Natyrisht, siç mund ta kuptoni, në panair pati menjëherë oferta botuesish për të paraqitur libra të tjerë dhe unë nuk e quaj të pamoralshme të nxjerr nga sirtarët ndonjë libër të shkruar e të harruar diku dhe ta paraqes për botim së shpejti. Por me gjithë dëshirën time, letërsia nuk mund të jetë veprimtaria ime kryesore, relacioni i njerëzve me angazhime si te miat mbetet i pjesshëm, intermitent, me dyshim reciprok….
    Unë duhet të ngrihem çdo ditë në mëngjes për të shkuar në punë. E kaloj ditën duke dëgjuar ankimet e problemet e rënda të të tjerëve dhe e mbyll atë duke shkruar raporte socialë, që më lodhin e e ma sjellin maje hundes te shkruarit sa kur kthehem në shtëpi, u kam dhënë porosi familjarëve që t’i palosin laptopët e t’i fshehin nën divan.Nganjeherë kam idene t’i marr me gjithë ato telat e rripat e tyre dhe t’i hedh te pemet e nje lulishteje qe kam para dritares, duke rrezikuar të marr mbi vete mërinë e nje këshilltari bashkiak (lista e ekologjistëve) qe kam komshi. Me ndodh (kjo diçka më rrallë) qe vetja më duket se mund te marr e bej shuk dhe hedh tej edhe vetë Protokollin e Kiotos! Diçka më rrallë siç thashë, por e përmenda sa për të kuptuar se një veprimtari e tille e përditëshme eshte e lodhëshme moralisht e mendërisht. Por për fat, jo fizikisht.
    E megjithatë pas kësaj, fillon jeta ime e dytë. Vrapi. Është ai për të cilin tani mendoj gjatë ditës dhe jo letërsia (dikur çështë e vërteta ishte letërsia). E filloj vrapin pa u nxehur shume dhe duke vuajtur diçka veçanërisht në orën e parë, fyti më përvëlon, mezi marr frymë, kulloj në djersë,ndihem i penduar qe iu futa asaj pune (kerkoj ndonje preteks, si zgjidhja e lidhseve qe te ndaloj pak) dhe megjithate vazhdoj edhe pse më duket sikur do të bie i vdekur në çdo çast. Përpiqem të mos jem shumë larg rrugëve të komunikacion (veçanërisht gjate sezoneve te gjuetisë), që të më gjejnë kollaj per ndihmen e pare, po qe se bie përtokë. Por kjo nuk ka më ndodhur, të paktën jo deri tani. Pastaj fillon një fazë tjetër, ajo e mrrekullisë, trurin sikur ma përshkon një ndjenjë e thellë rahati, optimizmi dhe kënaqësie. Ndihem i lehtë si një fjollë ajri dhe më duket se mund të vrapoj gjithë jetën. Zakonisht, kur vjen kjo fazë ka nisur të bjerë nata dhe mua më duhet të gjej ku kam lënë makinën e të kthehem në shtëpi, pa m’u tharë djersa në trup.
    Pak miq të afërt këtu e dinë se kam edhe një pasion tjetër, muzikën. Pas një dushi dhe një sallate, mbyllem në dhomë dhe të merrem me muzikën time. Sa është ora, atëherë? Natyrisht vonë, shumë vonë. Një orë mjaft e papërshtatshme për t’u hequr zinxhirët fantazmave të ndrydhura letrare. E vetmja gjë me të cilën e qetësoj veten është rituali i fundit para gjumit. Vështrimi i vëmendshëm që i hedh bibliotekës, caktimi i një libri që do ta marr të nesërmen për ta lexuar në metro. Vetëm kaq mund të bëj për të blerë mëkatet e mia letrare.