ROMAN ME METRO

Këto ditë i dorëzova botueses Dudaj dorëshkrimin e një libri të ri – i cili mund por mund edhe të mos jetë roman; por gjithsesi, i përket zhanrit fiction, dhe unë, autori, e kam konceptuar si roman.

E kam titulluar “LOOP”, edhe pse titulli mund të ndryshojë deri sa të vijë koha për botim; ky i tanishmi i referohet strukturës së veprës dhe të narrativës; por edhe konceptit të rëndësishëm që shpreh anglishtja loop si term i programimit, i fizikës së kohës, telekomunikacionit dhe topologjisë, me konotacione që shqipes lak ende i mungojnë.

Ky roman – le ta quajmë kështu tash e tutje – vjen si vepra ime e parë, pas tetë vjetësh, që nuk ka lidhje me blogun; dhe që është krejtësisht e pabotuar, në kuptimin që asnjë pjesë e tij nuk ka dalë gjëkundi, madje as në linjë. Ndryshe nga prova ime e parë në fiction, rrëfimet e Maks Gjerazit, që u materializua si projekt hap pas hapi në Peizazhe të fjalës, LOOP i ka rrënjët te një periudhë më e hershme e jetës dhe e krijimtarisë sime; kur unë isha më shumë refleksiv dhe më pak “llafazan”; dhe kur ende negocioja me përpjekje titanike statusin tim prej qytetari metropolitan, me realitetin e përditshëm në New York.

Ideja më pat lindur, në fakt, në kapërcyell të mijëvjeçarit; kur ende e kisha një punë “zyre” dhe ngrihesha çdo ditë, herët në mëngjes, për të marrë metronë drejt qendrës; sikurse e merrja pastaj të njëjtën metro mbrëmjeve, për t’u kthyer në folenë time. Një ekzistencë pak e çuditshme kjo prej commuter-i (it. pendolare); aq më tepër që zhvendosjeve kaq masive nën dhé nuk u bashkëlidhet asnjë referencë vizuale – në kuptimin që zyra jote mund të jetë 10 km larg shtëpisë, por mund të jetë edhe 1000 km larg, me kusht që metroja të jetë vërtet e shpejtë. Ti nuk e ndien distancën – por vetëm e pranon si të pashmangshme.

stanley-kubrick-new-york-subway-3

Të gjitha këto elemente, udhëtimi i përditshëm prej sovajke, nëndheu, tunelet, vetë struktura labirintike e metrosë, kalimet nga errësira në dritë dhe vetë shoqëria e pashmangshme e të panjohurve, do të merrnin trajta mitologjike më parë në mendjen time dhe pastaj, hap pas hapi, në letër.

Në fakt disa pjesë të romanit kanë qenë shkruar anglisht; me titullin, edhe atëherë provizor, “Bolero.” Ai titull i referohej jo vallëzimit karakteristik, por Bolerosë së Ravelit, një pjesë e muzikës orkestrale mjaft e njohur, dhe me një strukturë që, sipas mendimit tim, i ngjante asaj të veprës që kisha unë në mendje: jo aq nga crescendo-ja, sesa nga rimarrja e temës ose iterativiteti. Disa nga veprat e mia të preferuara, Exercices de style, i Queneau-së dhe Se una notte d’inverno un viaggiatore dhe Le città invisibili të Calvino-s ndikuan në konceptimin e kësaj vepre; sikurse ndikoi Borges-i në frymën.

Pas një ndërprerjeje relativisht të gjatë, iu ktheva LOOP-it, duke i rishkruar disa nga pjesët ekzistuese në shqip dhe duke shtuar një numër kapitujsh. Një roman për New York-un, dhe jo vetëm atë të nëndheshmin, erdhi dhe u shndërrua dalë nga dalë në një roman për tekstet që më kanë shkruar, gjatë këtyre praktikisht njëzet vjetëve që jetoj në këtë mega-qytet; dhe një vepër që kish lindur si moderniste, së paku në koncept, erdhi gjithnjë duke iu afruar estetikës post-moderne; në kuptimin që unë e lejova këtë të ndodhte. Në këtë pikë, qasja unike e Umberto Eco-s semiolog dhe narratolog ndaj letërsisë pulp dhe asaj të zhanrit në përgjithësi më ka ngushëlluar dhe tërhequr për dore në mënyrë gati psikoterapeutike.

Gjithsesi, tani LOOP ka përfunduar; edhe pse në rastin e veprave me strukturë të hapur përfundimi ka gjithnjë natyrë relative dhe është më tepër një gjest i autorit që thotë “mjaft”; dhe tani që e mendoj këtë proces më qetë, më duket sikur gjithë ç’kam bërë, këto vite, ka qenë të largoj nga faqja e shkruar të gjitha ato histori dhe përsiatje që nuk i përkisnin veprës dhe që tani kanë mbetur në një limbo, për fatin e keq të tyre. Kujtoj këtu, fare incidentalisht, se disa pjesë të hershme të veprës i pata shkruar me dorë – me laps mbi një legal pad të verdhë; edhe pse kisha PC, ende nuk shkruaja dot drejtpërdrejt në tastierë.

Kësisoj, dorëshkrimi i tanishëm elektronik i romanit përmban, të paktën për mua autorin, edhe një version muzeal, ose arkeologjik të fillimeve; çfarë rimerr, në një rrafsh tjetër, obsesionin e veprës sime me teknologjinë dhe sidomos me mjetet e komunikimit masiv: telefonin, altoparlantin, mesazhet e informimit publik, tabelat dhe të tjera shenja udhëzuese të panumërta që i shndërrojnë korridoret e stacioneve të metrosë në struktura të ngjashme, njëfarësoj, me përshpejtuesit e grimcave subatomike.

Përndryshe, do ta përkufizoja tekstin tim si “aventurë rrëfimologjike”, njëlloj siç mund të quhen “aventurë muzikologjike” variacionet Goldberg të Bach-ut. Dhe meqë flasim për variacione muzikore, po më kujtohet tani se për Enigma Variations të Elgar-it kanë thënë se tema nuk ekziston, në kuptimin që nuk artikulohet gjëkundi; ndërsa tema fillestare e variacioneve të mia rrëfimologjike është fare banale – çka ndoshta i afron ato me Variacionet rreth një valsi të Antonio Diabelli-it, nga Beethoven-i. Doemos, këto krahasime më parë me Bach-un dhe tani me Beethoven-in nuk duan të thonë gjë për cilësinë e veprës; dhe nuk është gjë faj i ambicies sime, që për t’u shpjeguar më duhet të citoj majat e artit botëror.

Kam punuar intensivisht me romanin gjatë muajve gusht 2014-janar 2015, mes punëve të tjera, përfshi këtu edhe ato që më mbajnë me bukë. Sot, veçanërisht për kultura me publik detyrimisht të kufizuar si kjo e jona, të jesh shkrimtar po shndërrohet me të shpejtë në projekt detyrimisht vanitoz – meqë doemos nuk mjafton vetëm dëshira për të shkruar, që tjetri të të lexojë. E megjithatë, disa kontakte të rregullta që kam fatin të mbaj, në planin letrar dhe në planin njerëzor, me kolegë dhe miq të mi shkrimtarë si Bashkim Shehu, Elvira Dones, Ervin Hatibi, Ardian Kyçyku dhe Arben Dedja më bën të ndihem mirë, më qetëson, më bind se, së bashku edhe pse në distancë, mund t’i japim një kontekst letërsisë shqipe bashkëkohore.

Nuk është e rastit që të gjithë këta që përmenda më lart jetojnë jashtë Shqipërisë; jo sepse e jona është letërsi “e diasporës”; as sepse vetëm nga larg mund të krijohet letërsi e mirë; dhe as më në fund se nuk ka, brenda Shqipërisë, produkt letrar të tillë që ta admiroj. Asnjë nga këto. Arsyeja është tjetër: njeriu gjithnjë kërkon ta vendosë veten në një kontekst të caktuar, dhe emrat që përmenda më lart janë konteksti ku do të dëshiroja të më shihnin, sa i përket letërsisë shqipe sot; dhe doemos pas botimit të romanit të tanishëm, LOOP.

[Shënim: Fotoja më lart është e Stanley Kubrick, për më tepër: Quand le jeune Stanley Kubrick photographiait le métro de New York en 1946]

Nuk ka komente

  1. Te uroj suksese!
    Nje pyetje ne lidhje me kontekstin autorial. Pse mendon se “duhet” te shihesh mes autoreve qe permend ne fund te shkrimit. E bej kete pyetje sepse me aq sa ua kam lexuar veprat keta autore jane te ndryshem nga njeri-tjetri. Une psh do te sforcohesha shume ti shikoja ne nje “rreth”. Por me siguri e ke nje arsye te cilen do ta degjoja me shume interes.

    1. Falemnderit. Në fakt nuk i kam menduar si “rreth”, sepse rrethi nuk ekziston. Më tepër do t’i mendoja si autorë të kapur – shpesh jo me dëshirën e tyre – në ndërfaqen (interface) të shqiptarisë me botën; deri aty sa kontributet e tyre të shërbenin edhe si dërgesa (remittances) kulturore.

      Nga ana tjetër, të qenët “jashtë” është edhe surrogato e asaj vetmie, ose izolimi për të cilin ka nevojë dikush që shkruan. Ka qenë një kohë që edhe Tirana kishte kafetë e veta Rostand – por sot në kafe, e shumta faqen tënde në Facebook mund të mirëmbash.

      Ka edhe një aspekt tjetër përmendja e pak emrave – sot të bësh letërsi shqip është në kufi të marrëzisë ose të auto-lezionizmit. Publicistika ndoshta është më e lehtë, sepse autori lëviz si ai guri petashuq që kërcen nga kreshta e valës në kreshtë; por letërsia e mirëfilltë kërkon kushte të tjera. Në përgjithësi, konteksti kulturor në Tiranë është organizuar në mënyrë të tillë që ta mbytë letërsinë e re që në shpërgënj duke ia prerë ushqimin – edhe pse me paratë që jep shteti, bie fjala, për një feature film të cilin në Shqipëri e shohin 22 vetë gjithsej, mund t’u ofroheshin 10-15 shkrimtarëve në vit kushte optimale për rezidenca krijuese (mbase edhe më shumë).

      Ironike është pra që letërsia si ergon, ose si shtresëzim tekstesh të përfunduara kremtohet nga të katër anët (vëreni se ç’u bë me De Radën këtë vit), por për letërsinë si energeia ose veprimtari e gjallë prodhuese dhe përftuese tekstesh të reja askush nuk e çan kryet.

      Ndoshta prandaj ka kaq shumë autorë shqip që nuk jetojnë në Shqipëri: institucionet në Tiranë nuk duan letërsi të re, nuk u hyn në punë; u mjafton siguria e së vjetrës (edhe pse këtë, sa i përket letërsisë shqipe, e ka përftuar një model paternalist i subvencionimit afatgjatë të shkrimtarëve që tani të gjithë e përbuzin) sikurse u mjafton shtëpive botuese cilësia e garantuar e veprave të përkthyera. Edhe këtu, vendin kritikës letrare ia ka zënë financa; dhe financa nuk krijon vlera, përkundrazi – gjallon mbi vlera tashmë të konfirmuara.

      Më në fund, disa lista kanë vlerë edhe për emrat që lihen jashtë: sepse gjakimet kulturore kanë natyrë dialektike, procedojnë përmes kundërvëniesh. Nuk dua të hap polemika, por statu quo-ja zyrtare në letrat shqip më duket produkt krejt skarco faktorësh jashtëletrarë, e cila as më kushtëzon as më impresionon në ndonjë farë mënyre.

  2. Urime e suksese të mëtejshme Xha Xha! Të lutem na njofto sërish këtu në blog sapo romani të shohë dritën e botimit.

  3. Pergezime Xhaxha dhe suksese ! Jam kurioz si ke “luajtur” me loop, sepse eshte e superperdorur si teknike ne literature, kinematografi apo muzike, dhe mbart pak risk me vete 🙂

    1. Siç e kam menduar dhe përdorur unë, loop është vetëm një teknikë që i shërben më mirë konceptit tim; dhe që nuk mund të konsumohet – njëlloj siç nuk konsumohet ndonjëherë teknika që një roman të ndahet në kapituj ose të ketë personazhe që janë të njëjtët nga kapitulli në kapitull ose që dialogu të shquhet me anë shenjash grafike (thonjëza) nga teksti tjetër, etj. Në fakt, për të qenë në rregull me gjeometrinë, ajo që i referohem si LOOP në titull (një fjalë që ka në vetvete një farë virtyti vizual) është më shumë spiral sesa lak i mirëfilltë. Natyrisht, titulli është meta; por shpresoj që kur ta marrësh në dorë romanin ta shohësh se nuk kisha zgjidhje tjetër.

  4. Xhaxha,

    Po e filloj me pergezime per librin qe pret te shohe driten e botimit se shpejti.

    Permende Calvino-n, Borges-in, Queneau-n dhe muziken e Ravelit. Ndoshta jam gabim, por nese flitet per disa pjese ne anglisht “that percolated” A-Clubin e dikurshem, mendoj se i ke bere nje “tradheti” te madhe vetes, 🙂 qe nuk e ke kompletuar vepren ne anglisht dhe ta botoje po ne anglisht, kendejza. Mundi tend, me siguri, – do te kishte marre nje rruge, udhetim tjeter.

    New York-u subterranean – NY Metro, dhe te gjitha inspirimet e origjinuara atje, mendoj se duhet te kene anglishten si gjuhen e narracionit. Atje mund te degjohen edhe 150 gjuhe te tjera, por anglishtja do t’i jepte jete tjeter vepres, aq me teper duke menduar stilin, formen, permbajtjen jo-konvencionale te saj, aq me teper publikun qe do te mund ta shijonte. Per shume njerez qe nuk e kane kete eksperience, do t’i duket si bote aliene.

    Sa do ta stimulonte lexuesin shqiptar per t’i dhene vepres nje frymarrje nderkombetare? Nuk e di. Sa nga shqiptaret kane eksperienca metroshe newyork-eze dhe peisazhesh (nentokesore) fjalesh per te ndare emocionalisht me ty diapazonin e vepres?

    Nuk dua qe vepra jote te konsiderohet si nje pamflet per Ameriken, apo per NYC-it, sikur te ishte pamfleti i dikurshem i Ilia Eremburgut pas vizites se tij te pare ne Amerike. Ketu flitet per nje person qe perjeton kete jete subterranean jo si vizitor i perkohshem, por si nje newyork-ez per me shume se nje dekade. A mendon se publiku shqiptar do ta vleresonte dicka te tille?

    Urimet dhe shpresa shkojne bashkarisht. 🙂

    1. Falemnderit! Nuk kam nxjerrë gjë nga libri në Alb-Club. Ky i Bolerosë qenë gjithnjë një projekt tepër delikat, i fshehtë; një kafshëz që e kisha kapur, por që nuk dija nëse do të më kafshonte apo jo, kur ta liroja.

      Sa për lexuesin, shpresoj ta kem integruar në libër; sikurse shpresoj që libri të jetë të paktën i lexueshëm.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin