VËSHTRIM PAS HEKURAVE

Behind BarsIndiferenca që e shoqëron botën e të burgosurve lidhet pa dyshim edhe me mënyrën se si e koncepton shoqëria burgun. Kur vendi gjeometrik i ndëshkimit konceptohet si landfill social, sa për të rimarrë një koncept jo të vjetër të Bauman-it, pra si një vend ku hidhen mbeturinat njerëzore, atëherë injorimi është reagimi më i natyrshëm; për sa kohë askush nuk ka qejf të bëjë një xhiro andej nga plehrat, ku kutërbojnë erëra të këqija e qarkullojnë rreziqe të papara ndonjëherë.

Në Shqipëri flitet pak për burgjet e më pak për të burgosurit, kur këta nuk janë vip-a që komandojnë ende me celularë inteligjentë. Por heshtja më e rëndë ka kapluar emigrantët shqiptarë që gjenden në burgjet e huaja. Ata janë dyfish larg. Pikërisht për këtë arsye, një vështrim nga kthinat e shoqërisë sonë do të ishte i domosdoshëm, qoftë sa për të kujtuar se edhe plehrat janë në të vërtetë pasqyra e shoqërisë ku jetojmë.

Italia është vendi i dytë për nga numri i emigrantëve shqiptarë. Por ndërsa numri i tyre në rritje kap herë pas here faqet e para të gazetave, shumë pak dihet për numrin e atyre që janë pas hekurave, të dënuar për arsye të ndryshme. Pak ditë më parë u prezantua studimi “Të burgosurit e huaj në Itali” (Detenuti stranieri in Italia, 2015), përgatitur nga Patrizio Gonnella dhe shoqata Antigone, ku jepen shifra e vlerësime interesante, të cilat po i japim të përmbledhura më poshtë *.

Prania mesatare e imigrantëve të huaj në burgjet evropiane është 21%. Në vendet e lindjes ka më pak të burgosur të huaj. Në Rumani për shembull të huajt në burg janë shumë pak, rreth 0,6% e totalit, kurse në Shqipëri ka 1,8% të huaj të burgosur kundrejt numrit të përgjithshëm. Në Itali, përkundrazi, shqiptarët përbëjnë 4,4% të të dënuarve me burg në Itali. Kjo është e shpjegueshme me numrin e emigrantëve shqiptarë në Itali dhe me numrin ende të ulët të të huajve në vendin tonë.

Imigrantët burgosen më shumë se sa qytetarët vendas, për të cilët jepen shpesh dënime me masa alternative. Gjykatësit, sidomos kur bëhet fjalë për të huaj pa lejeqëndrim, e motivojnë burgimin me mungesën e vendbanimit të qëndrueshëm. Në këtë kuadër është më e lehtë për një imigrant të parregullt me dokumente të bjerë në burg se sa një imigrant i pajisur me dokumente qëndrimi.

Po ta shikojmë sipas përqindjes, të burgosurit e huaj janë pak a shumë të njëjtët me ata të fillimviteve 1990, kur shqiptarët u larguan nga vendi me anijet e eksodit. Përqindja është baras me 16,58%. Në vitet 1994 – 1996 filloi të ndryshonte prirja e përgjithshme e të burgosurve. Ra numri i përgjithshëm por u rrit ai i të huajve (19,65%). Më 1998 të huajt në burgjet italiane kapën numrin 11.973 baras me 25,04%. Praktikisht një në katër të burgosur ishte i huaj. Andej nga vitet 2004 – 2006 përqindja arriti gati 32%, e numri i përgjithshëm i të burgosurve kapi sasinë 60 mijë. Në vitin 2006 amnistia pati efekt të përkohshëm, meqë të huajt përfituan më pak se vendasit nga ligji. Dy vjet më vonë numri u kthye sërish në nivelin e mëparshëm, por të huajt u rritën si përqindje: 37,09%. Më 2009 është viti kur u fut vepra penale e imigracionit klandestin nga qeveria Berluskoni.

Në fund të vitit 2014 të burgosurit e huaj zbritën në shifrën 17.462 (32,56% e totalit). Në pak vite prania e tyre në burg u reduktua me pesë pikë, çka i detyrohet më shumë rastësisë se sa ndonjë strategie të caktuar juridike.

Po cilat janë kombësitë më të mëdha nga numri në burgjet italiane? Po t’i shikojmë të dhënat në mënyrë të sipërfaqshme rrezikojmë lexime të gabuara me ndikime lombroziane, sepse del se disa kombësi kanë prirje për krime më shumë se të tjerat. Kështu p.sh. filipinasit janë gjithsej 50 baras me 0,3% të totalit të burgosurve të huaj, kurse shqiptarët janë 2.408 baras me 13,8% të totalit. Numri i rezidentëve filipinas e shqiptarëve në Itali nuk na ndihmon shumë, sepse po të kishte një farë përputhjeje atëherë filipinasit në burgje duhet të ishin shumë më tepër.

Kombësitë më të pranishme në burgjet italiane (31 dhjetor 2014).
Kombësia Numri i të burgosurve Përqindja mbi numrin e përgjithshëm të të huajve në burg
1. MAROKU 2.955 16,9
2. RUMANIA 2.835 16,2
3. SHQIPËRIA 2.437 14,0
4. TUNIZIA 1.950 11,2
5. NIGERIA 728 4,2
6. EGJIPTI 546 3,1
7. ALGJERIA 385 2,2
8. SENEGALI 291 1,7
9. KINA 236 1,4
10. PERU 185 1,1
11. EKUADORI 176 1,0
12. MOLDAVIA 178 1,0

Përqindja e të burgosurve filipinas në Itali është 35 të burgosur për çdo 100 mijë vetë, kurse ajo e shqiptarëve është 518 për çdo 100 mijë vetë. Italianët mbesin në kuotën 62. Këto dallime të mëdha në shifra nuk mund të shpjegohen me prejardhjen e të burgosurve por me faktorë të tjerë si integrimi, puna që bën personi, prania e femrave, përmasa komunitare, numri i fëmijëve në familje, historitë personale të punës, regjimet e vendeve të origjinës, etj. Në shembullin tonë komuniteti filipinas punon kryesisht në lëmin e shërbimeve shtëpiake e familjare, prandaj ka krijuar besimin e qytetarëve italianë. E nga besimi varen si denoncimet ashtu edhe burgimet. Në përgjithësi, thotë raporti, prania në burg e të huajve është pasqyrë e lëvizjeve migratore.

Gratë kryejnë më pak vepra penale, ndaj edhe numri i tyre është i ulët nëpër burgje. Në Itali vuajnë dënimin vetëm 27 femra shqiptare. Shqipëria zë vendin e shtatë sipas numrit të femrave të burgosura.

Numri i femrave të burgosura në Itali (31 dhjetor 2014)
1. RUMANIA 232
2. NIGERIA 90
3. BOSNJA 46
4 BULLGARIA 33
5 MAROKU 32
6 BRAZILI 32
7 SHQIPËRIA 27

Të dhënat më të fundit nga Ministria e Drejtësisë italiane tregojnë se numri i shqiptarëve në burgje është rritur: në fund të muajit janar 2015 ishin 2.471 (14,2% e numrit të përgjithshëm). Gjysma e të burgosurve të huaj janë beqarë. Niveli i alfabetizimit nuk është i lartë. Të huajt përfitojnë më pak se italianët nga dënimet alternative. Arsyet janë këto: më pak besim ndaj tyre, më pak besim nga ana e shërbimeve sociale, burime ekonomike e legale më të ulëta se të tjerët. Marokenët përbëjnë 5,5% të të burgosurve kanë 3,4% të njerëzve në masa alternative. Shqiptarët nga 4,4% e numrit të përgjithshëm të të burgosurve kanë vetëm 3,2% të dënimeve jashtë burgut.

Problemet e të burgosurve të huaj janë të shumta. Për këtë arsye kërkohet me ngulm nga raporti i cituar që të realizohet statuti për të drejtat e të burgosurve. Ky statut duhet të përmbajë për të huajt disa aspekte pozitive si: përmirësimi i kushteve të jetesës, heqja e dëbimit automatik në fund të dënimit, punësimi i përkthyesve, përgatitja e kurseve të formimit, njohja e kulturave të ndryshme, mundësia e blerjes së ushqimeve etnike, pajisja me fjalor të gjuhëve të të burgosurve, mundësia për disa telefonata pas burgosjes, përdorimi i internetit, njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore në vendlindje, organizimi i veprimtarive kulturore sipas traditave të ndryshme, krijimi I bibliotekës me libra në shumë gjuhë, etj.

Tani, shumë nga nevojat e të burgosurve shqiptarë – disa prej të cilave u rreshtuan më sipër – mund të plotësohen me një angazhim të vogël nga ana e institucioneve shqiptare. Siç dihet, mjetet teknike dhe financiare të konsullatave shqiptare janë modeste, sikurse është i pamjaftueshëm numri i personelit; megjithatë, disa masa edhe mund të merren, sidomos po të kemi parasysh se burgu është edhe vend që synon riedukimin e të dënuarit dhe integrimin e mëvonshëm të tij në shoqëri. Të burgosurit shqiptarë në Itali e gjetiu kanë një sërë problemesh si: njohja me vendimet e gjyqit, mungesa e kontakteve me familjen, mungesa e rrjetit për integrimin në shoqëri pas dënimit, vartësia ndaj drogave, konfliktet brenda burgut, pamundësia për ta vuajtur ndryshe dënimin, njohja e gjuhës, paragjykimet, racizmi, etj.

Bota e burgut është shumë e ndërlikuar. Po kështu problematikat rreth saj. Nga ana tjetër, burgu e të burgosurit tregojnë edhe nivelin e zhvillimit të shoqërisë. Për të burgosurit shqiptarë flitet shumë rrallë. E megjithatë, edhe ata janë bashkëqytetarë dhe meritojnë ta vuajnë me dinjitet dënimin e marrë nga drejtësia. Institucionet shqiptare mund të bëjnë shumë, duke filluar me njohjen e këtij realiteti të afërt e të largët njëkohësisht. Por edhe për ta ulur disi ndjenjën e vetmisë dhe të harresës që amplifikohet brenda mureve të burgut në vend të huaj.

 

* Raportin Detenuti stranieri in Italia (Romë, shkurt 2015), përgatitur nga shoqata Antigone, e të dhënat statistikore mund t’i konsultoni këtu.

** Të dhënat e përditësuara për praninë e të huajve në burgjet italiane mund t’i gjeni tek faqja ueb e Ministrisë italiane të Drejtësisë (giustizia.it)

Nuk ka komente

  1. keto shifra duhet te raportojne ambasadat tona, qe nuk dine as numrin e studenteve, te burgosurve e te emigranteve, por merren se kush do te zgjidhet ambasador, a thua se po u zgjodhen e bitisen punen e tyre me te vogel: te mbledhin statistika (c’ka mund ta benin edhe operativet e SHISH prane perfaqesive tona, se mbi 95% e informacionit eshte gjithsesi i hapur).

    po shihja ne Austri – edhe atje rumunet kryesojne, e me pas vijne serben e nigerianet. Nje statistike e vjeter e 2007 ne Gjermani jep rreth 2% nga Kosova, por kryesojne arabet, turqit e boshniaket (ne Gjermani nuk para publikojne te dhena mbi kombesite e etnite).

    Shume pak e ke cekur, se kjo teme eshte shume e ngarkuar politikisht, e mbart pasoja per politikat e emigrimit.

    1. Nuk e kemi prekur asnjëherë problemin e të burgosurve. Mendova fillimisht të ndezim projektorët, pastaj të fokusohemi në tema të veçanta. Që tema është e ngarkuar politikisht nuk ka dyshim, por nuk përbën argument – të paktën për mua – që të mos trajtohet si çështje.

      Meqë jemi në diskutim po të jap një shembull. Edhe pse përdoret shumë në propagandë kundër emigrantëve, numri i madh i tyre në burgje në vetvete nuk do të thotë shumë. Një arsye mund të jetë pamundësia për të gjetur avokatë të mirë, ose vetë njohja e kufizuar e ligjeve. Thënia se të kamurit nuk shkojnë në burg sepse kanë mbrojtje të mirë në gjyq nuk është gënjeshtër. Ligji mund të jetë i barabartë për të gjithë, por kur zbatohet ka disa dallime dhe dallimin për shembull mund ta bëjë studioja e shkëlqyer dhe e kushtueshme e avokatëve që pajton. Një arsye tjetër mund të jetë vepra penale. Vështirë që një gjerman ose italian të dënohet për qëndrim të paligjshëm në territor, pra për imigracion klandestin, sepse nuk lidhet me gjendjen e tyre. Këto kategori veprash penale, kur janë në fuqi, shkaktojnë rritjen e të burgosurve. Si rrjedhim numri në vetvete nuk do të thotë shumë. Por kjo nuk vlen kur krahasohen etni të ndryshme mes imigrantësh. Këtu puna ndryshon. Nuk e kam trajtuar gjatë, por diçka kam thënë kur preka çështjen e integrimit.

      Nejse, rëndësi ka që të fillojmë të diskutojmë për tema që janë kyçur prej kohësh e nuk dalin në sheshin e ligjërimit publik.

      1. Nese me lejohet, dua ti shtoj ketij diskutimi edhe nje shtrese tjeter: Shqiperia aktualisht ka nje nga instancat me te larta te burgimit ne rajon, ku me shume se 50% e tyre jane ne fazen e para-burgimit. Vetem 1.5 % e kesaj popullesie jane te huaj. Krahaso kete e me Zvicren ku 73% e te burgosurve jane te huaj.

        Problemet e para-burgimit dhe mbipopullesise (120%) kane filluar te terheqin vemendjen e medias por jo aq sa duhet.
        Avokati i Popullit kritikon qeverinë, ka mbipopulluar burgjet me politikë të gabuar- http://www.reporter.al/avokati-popullit-kritikon-qeverine-ka-mbipopulluar-burgjet-politike-te-gabuar/
        Famëkeqë dhe fatkeqë : Jeta pas hekurave në burgun e Fushë-Krujës – http://www.reporter.al/famekeqe-dhe-fatkeqe-jeta-pas-hekurave-ne-burgun-e-fushe-krujes/
        Dyshekë në dysheme dhe gjumë me turne: standardi i ri çnjerëzor i burgjeve – http://www.reporter.al/dysheke-ne-dysheme-gjume-me-turne-dhe-dush-1-here-ne-jave-standardi-i-ri-cnjerezor-i-burgjeve/

        Ne nje artikull ne anglisht, Vincent W.J. van Gerven Oei ve alarmin per rritjen e denimeve me 1-5 vjet burg dhe planet per privatizimin dhe ndertimin e burgjeve sipas pervojes angleze. E sjell kete per te thene qe jo vetem qe nuk ka ndonje interes politik per fatin e qytetareve shqiptar ne burgjet europiane por nuk eshte larg mendsh qe keto burgje te reja qe po projektohen te mbushen me shqiptaret qe deri tani dergjeshin burgjeve te Europes. Europa i denon, ne i burgosim. Perfitime marramendese per te dy palet.

        1. Shqetësimi është me vend. Jeta në burgje është vërtet çnjerëzore. Pa dashur ta devijoj diskutimin, thjesht për koincidencë, pashë sot në shtypin italian një skandal për disa shkëmbime komentesh absurde online mes punonjësve të burgut tek flisnin për vetëvrasjen e një të burgosuri rumun i dënuar me burgim të përjetshëm. “Një më pak” e komente të tjeta për ekstrakomunitarët në burgje. Dua të nënvizoj se problemet e të burgosurve janë të shumta, ndërsa vëmendja e pakët.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin