BULIMIA SEKSUALE E NJË SHEFI

Nuk kisha menduar se rruga ime do të kryqëzohej një ditë me atë të drejtorit të dikurshëm të FMI-së, Dominique Strauss-Kahn. Kjo ndodhi të premten e shkuar, në rrethana të një pakënaqësie të dyanshme.

Kisha lënë një bulevard periferik dhe në hyrje të pjesës historike të qytetit, rashë në një varg të gjatë makinash, që dukej se po prisnin aty mjaft kohë para meje. Një zënie e plotë e artereve hyrëse në atë anë të qytetit. Në kësi rastesh, askujt nuk i mungon një lloj prirjeje për ta marrë me qetësi atë bezdi të rastit, ke ende rezerva durimi të mos i dorëzohesh inatit, arsyeton se as ty vetë nuk do të pëlqente të dëgjoje tridhjetë të çmendur që u bien burive me vrull orgazmik, aty rrotull.

E vërteta vjen nga altoparlantët e radios. Atë ditë kishte filluar procesi gjyqësor ndaj DSK-së dhe i “bashkëpuntorve” të tij (gjithsej 13 vetë) për shfrytëzim prostitucioni dhe proksenetizëm, pra ushtrim e zhfrytëzim prostitucioni me qëllim përfitimi. Gjykata ndodhej pikërisht në atë anë të qytetit dhe një numër i madh makinash të televizioneve nga e gjithë bota kishin ardhur aty të na vinin nervat në provë. Thuhej se edhe DSK ishte mjaft i pakënaqur nga një gjë e tillë dhe forcat e policisë kishin mundur ta fusnin në sallën e gjyqit, duke shfrytëzuar një kalim në katet nëntokësorë të gjykatës.

Si të mos mjaftonte procesi i Nju Jorkut, kishte ardhur hera e një bombardimi të dytë mediatik te dera e shtëpisë, për një “histoire du cul” siç thonë njerëzit të mërzitur. Të nesërmen lashë makinën në punë dhe mora autobusin e linjës, por nuk pata më shumë shans. Megjithatë, në prani të një numri të madh njerzish, nervozizmi i pritjes ishte lehtësisht më i kapërdishëm.

E në këto raste nuk mungon dikush që do të nis e bën humor me një histori të tillë. Tamam kjo më shtiu në mendje të mbledh e vë anash frazat pikante të këtij procesi. Se në fakt, mund të priresh të shohësh edhe anën dramatike, duke e analizuar atë histori në vështrimin e një prostitute, (që shtypi i atribuoi germën M.) e cila që ditën e parë tha se i kishte hyrë asaj rruge sepse nuk e shihte dot frigoriferin bosh dhe fëmijën e saj duke qarë. Duket pak si histori e shek. 18-të, po ajo kështu tha.

Nga ana ime, mendova se do të kishte qenë fort impresionuese për trupin gjykues t’i drejtonte pyetje delikate, ish shefit te madh të FMI-së dhe atij që në një çast të caktuar Franca as që dyshonte se do të ishte presidenti i saj, sikur të mos kishte ndodhur “incidenti”i Sofitel-it në Nju York, me Nafissatou Diallo-n. E, pra, tani kishte ardhur çasti që ta dëgjonim DSK-në jo për projektin e tij për të pakësuar varfërinë në botë apo për ta nxjerrë vendin nga kriza, por për mendimin që kishte ai për seksualitetin e vetvetes.

– Pak më të ashpër se mesatarja, u përgjegj ai, duke dhënë të kuptojë se ndihej i acaruar nga pyetjet e shumta mbi atë anë të personalitetit të tij.

Më vonë, një nga avokatët mbrojtës të “viktimave”, tha se kur e pa të hynte në sallë në mendje i kishte ardhur imazhi i “Minotaurit” ashtu siç i kishte paraqitur Picasso në një nga tabllotë e tij, fuqia në shfaqjen e saj më të papërmbajtshme.

Duke lexuar diçka që kishte përpara Kryetari i trupit gjykues tha se në këmbimet e tij më “bashkëpunëtorët” e vet, të cilët organizonin mbrëmjet “libertine” për të, me saktë orgji, ai kur fliste për femra të ndryshme përdorte fjalë të tilla si “material”, “dhurata”.

DSK, përgjigjet:

 – Të gjithë e lëshojnë pak veten kur këmbejnë SMS. Nuk janë të destinuara të lexohen publikisht.

Kur Kryetari e pyet nëse ai vinte shpesh nga Nju York-u për të marrë pjesë në orgjitë që organizonin miqtë e tij në Paris, DSK përpiqet të minimizojë:

– Kështu krijohet përshtypja sikur është ndonjë veprimtari frenetike por në fakt janë nja tre-katër takime çdo vit, gjatë tre-katër viteve. Kjo ndodhte kur dikush nga miqtë e tij, i propozonte ndonjë: mbasdite festive dhe seksualisht zbavitëse, sipas fjalëve të tij.

Një personazh mjaft ekzotik në këtë histori është Dodo le Saumure, një belg, strehues dhe tutor prostitutash, furnizues ekskluziv i DSK-së. Ai nuk pranon se është i tillë dhe thotë se vajza të ndryshme i drejtoheshin atij, sepse “aderonin” në idetë e tij. Atë çast, në gjyq jepet teksti i një bisedë telefonike nga Franca, që ai ka me të shoqen që ndodhet në Belgjikë, të cilës i thotë:

 – A ka ndonjë negre aty, se është njëri që kërkon të “pallojë” një negre. Procesverbalet nuk shprehen qartë se cili ishte personi që kishte shfaqur një dëshirë të tillë.

Dodo pranon se në “vathën” e tij ka edhe nga ato që shtyhen nga arsye ekonomike të ofrojnë favoret e tyre seksuale, por ai, nuk ndihet fajtor dhe përgjegjës për varfërinë e njerëzve në botë.

Unë nuk jam drejtor i FMI-së, thotë ai!

Në sallë ftohet një grua me emrin Jade.Thuhet se emri i saj i vërtetë është Sandrinë. Eshtë një nga prostitutat e cituara më tepër. Trupi gjykues e pyet nëse e njihte aty në sallë se cili është personi te i cili e dërgonin për të pasur marrëdhënie seksuale. Ajo drejton gishtin nga DSK e thotë:

– Ky zotëria, por është i veshur.

Dukej se zakonisht atë e shihte vetëm lakuriq.

Avokati mbrojtës i ish drejtorit të FMI-së, bëhet gjithnjë e më aktiv. Ai kërkon të hedhë poshtë ekzistencën e orgjive seksuale dhe e organizon linjën e mbrojtjes duke thënë se pa dyshim që klienti i tij ka patur marrëdhënie dashurie më gra të ndryshme, por kjo vinte si rezultat i njohjes dhe tërheqjes reciproke. Ata, më përpara, bisedonin dhe kishin afeksion të ndërsjellë, shpjegon ai.

Ju bisedonit me njëri tjetrin? – pyet Jade-n trupi gjykues.

– Në të vërtetë jo, – thotë ajo, – unë e kisha gjithnjë në gojë.

DSK mban versionin e tij e thotë se ai kishte menduar se ajo ishte një “libertine” dhe jo një prostitutë.

Atëhere Kryetari i trupit gjykues pyet se sa shanse ka që të ndeshësh një prostitutë në një mbrëmje “libertine”, nënkupto orgji seksuale.

 – Eshtë si puna e peshqve fluturues, thotë DSK, ekzistojnë, por nuk janë të shpeshtë.

Më tej ai nis e i përshkruan orgjitë si të ishin thjesht mbrëmje “rekreative” dhe se ata që mblidheshin aty, kishin qëllim vetëm për t’u zbavitur.Dsk

Avokati mbrojtës pyet Jade-n nëse kishte praktika seksuale që ishin të rezervuara për prostitutat. Ajo i përgjigjet se shefi i FMI-së e përdorte si të deshte atë meqë ajo ishte prostitutë. Pastaj vajza flet fare hapur dhe tregon se ishte “sodomizuar “ nga ish-shefi i FMI-së, se kishte ndjerë dhimbje dhe kishte kërkuar duke qarë që ai të ndalonte menjëherë atë raport seksual. Nga ana e tij DSK flet për një “relacion afektiv” dhe shpreh habinë se:

– Skenat që kemi jetuar bashkë, nuk i kemi përjetuar në të njëjtën mënyrë.

Megjithëtë pranon se pak a shumë ato që thotë vajza janë të vërteta.

Vajza, tregon se i ka bërë edhe një vizitë në zyrën e tij në Uashington (ku e kanë dërguar miqtë e DSK-së nga Franca), por ndihet gjithnjë keq që ai ka bërë ç’të dojë me të dhe thotë , duke shpresuar se ka gjetur shpjegimin e duhur, se :

– Ai e ka refuzuar ekspertizën e Koeficientit Intelektual, por mendoj se e ka më të madhe se unë.

Asaj vetë i ka dalë 130. Më tej, Dodo le Saumur, thotë se ato që “punojnë” me të nuk e kanë me shumë se njëzet.

Më pas, Jade tregon se në Uashington nuk ka patur marrëdhënie seksuale me të, sepse, një nga vajzat me të cilën do të ishte në një shtrat me DSK-në e “prishi ambientin” duke mos pranuar të merrte pjesë në orgji.

Gjyqi kërkon të ndalojë pak në këtë pikë dhe Jade tregon se në shtratin e tij qëllonte që të ishin edhe tetë femra.

– Si mund të kishte tetë femra në shtrat? pyet DSK. – E shumta ishin tre.

Në skenë sillet F. Paszkovski, përgjegjës i një shoqërie të madhe materialesh mjekësore, i cili pranon se për DSK-në ka organizuar një mbrëmje “échangiste”, në Belgjikë (ku burrat ndërrojnë me njëri tjetrin femrat që i shoqërojnë, të cilat në asnjë mënyrë nuk lejohet të jenë prostituta të deklaruara). Ish shefi i FMI-së pranon që ka marrë pjesë në të, por hedh poshtë idenë se gjithçka ishte organizuar për të.

Treçerekun e atyre që ishin aty nuk i njihja, thotë ai.

Për gjykatën ky fakt hedh dritë në atë që këto orgji organizoheshin e financoheshin nga shoqëri të mëdha industriale, të cilat do ta nxirrnin fitimin e tyre më vonë, kur DSK të ishte në krye të shtetit francez.

Që në fillim, sikundër edhe ndodhi, shumë pak vetë besonin se DSK do të dënohej. Shumë gazetarë analizonin rastin e “sodomizimit” të Jade-s, duke shpresuar se ishte një rast i kryerjes së marrëdhënieve seksuale pa dëshirën e njërës nga palët. Shkurt, DSK mund të dënohej për “viol”, por me sa duket as ky rast nuk u interpretua në këtë mënyrë. Ishin vetë avokatët e “paditësve” ata që tërhoqën akuzat. Pyetjeve për sjelljen e ulët morale të të akuzuarve, prokurori u përgjegj: Në punën time drejtohem nga kodi penal dhe jo nga kodi moral.

Sot mbasdite, DSK u shkarkua nga akuzat e shfrytëzimit të prostitucionit dhe për proksenitizëm. Prokurori pranoi mbrojtjen e tij, pra se ai nuk kishte dijeni se nga vinin femat që i ofronin në orgjitë që organizoheshin për të.

Disa analistë folën për “omerta”, por janë të paktë ata që besojnë se edhe Jade do të ketë marrë ndonjë çek nga ana e DSK-dhe së shpejti do të hapë edhe ajo ndonjë restorant, sikundër Nafissatou Diallo në Nju York.

Atëhere ku është morali i kësaj “pjese”? Nuk ka moral, ai nuk intereson askujt, e tha edhe prokurori. Madje edhe ne as që e sollëm këtu këtë kronikë nën shenjën e ndonjë morali. Megjithatë, personalisht e gjithë kjo histori banale më solli ndërmend një fjalë të urtë spanjolle që thotë: Kush ka një grua ka të gjitha gratë. Kush ka të gjitha gratë, nuk ka asnjë grua.

Pak kohë më parë, Anne Sinclair, një gazetare e shkëlqyer, të cilës dikur i rrinte në këmbë e gjithë klasa politike (sot ajo punon për Huff Post), Anne Sinclair, pra, divorcoi burrin e saj, DSK. Askush nuk dyshon se ajo ka qenë një nga gratë më të bukura dhe më inteligjente të Francës, që bëri të gjitha përpjekjet për t’iu gjendur pranë të shoqit në çastet më kritike të jetës së tij. Ishin pjesë të trashëgimisë së saj familiare milionat që u paguan për të mbylluar historinë e Nju Yorkut.

Por duket se në një çast të caktuar do të ketë kuptuar se punët kishin shkuar shumë më larg se sa mendonte ajo.

Nuk ka komente

  1. Nuk ia njoh hollësitë procesit të DSK-së, por dalloj nga larg se ka një gabim thelbësor kur bëhet mishmash me problemet politike, morale e penale. Gjërat në sallën e gjyqit duhen mbajtur veçmas e duhen trajtuar sipas kodit civil e penal në fuqi. Pastaj në politikë, në shoqëri e në familje, ku kërkohet pëlqimi i zgjedhësve, i qytetarëve ose i bashkëshortes, është diçka tjetër. Gjykimi mund të ndryshojë, por bëhet në rrafsh tjetër.

    1. Pishak, nuk pata përshtypjen se ndërhyri ndonjë dimension politik në këtë proces. Por do të qe naive të besosh se të gjithë tv-të e botës vërshuan aty sepse po gjykohej një « qejfli prostitutash». Ata erdhën për ish Drejtorin e FMI-së dhe presidentin fort të mundshëm të Francës. Nga njerëzit e thjeshtë nuk pati ndonjë interesim të dukshëm, kolegët e mi të zyrës as që e morën vesh çfarë po ndodhte, po të mos u kisha treguar unë të nesërmen për pritjen e gjatë nga bllokimi i rrugës. Dhe janë po ato njerëz që kur ndodhi ngjarja e Sofitel-it u ndjenë të alarmuar kur menduan se për cilin e kishin rezervuar votën e tyre në zgjedhjet presidenciale! Veç kësaj, shock-u ishte më i madh tek u muar vesh se edhe kur ishte kryetar bashkie i një qyteti jo të vogël, apo edhe ministër ekonomie, mjaft gra kishin ngritur zërin dhe e kishin akuzuar DSK-ne për përdhunim, madje edhe një gazetare e akuzoi për një gjë të tillë, por nuk pati proces, deri sa doli skandali i Carlton-it.
      Pra, kështu me thikë nuk ndahet dot kjo punë. Mbase nuk e dinte ose bënte sikur nuk e dinte se prostitutat që i silleshin në tavë paguheshin nga ndërmarrje të fuqishme ekonomike, por do të qe naive të besosh se ai nuk do t’i shpërblente më vonë ato, kur të merrte mandatin e presidentit të vendit.
      Pra gjyqi nuk u shpreh për një politikan, por të gjithë ishin në kënaqur që nga skena politike ishte shporrur një politikan. Nuk e çante kush kryet për gjyqin e një individi që vuante nga adiksioni seksual.

    2. Pra ka një gjykim politik e ka një gjykim penal. Pastaj ka edhe një gjykim moral. Nga ana politike e kuptoj çlirimin e njerëzve që mund ta kishin votuar pa e njohur. Por mjafton që ai t’i thoshte të vërtetën elektoratit dhe pastaj ky vendoste vetë për votën. Po kështu kemi qëndrimet morale të secilit prej nesh. Por të gjitha këto nuk kanë të bëjnë me kodin penal. Nga ky aspekt ai mund të dalë i pafajshëm, sepse mund të thotë: “Se ç’bëj në dhomën e gjumit është punë për mua. Në qoftë se e tradhëtoj gruan është punë e çiftit”. Natyrisht kur nuk ka dhunë apo aspekte të tjera penale. Kurse ana politike e morale, e përsëris, është tjetër gjë.
      Gjyqi NUK mund të shprehet për një politikan, por vetëm për qytetarin e pandehur DSK për disa vepra penale për të cilat akuzohet. Në qoftë se del i pafajshëm, kjo tregon se prokuroria del e mundur nga debati në gjyq ngaqë teza e saj nuk u pranua nga gjykatësit.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: