DREJTSHKRIMI FOR DUMMIES

Një koleg më dërgoi një link të një njoftimi të publikuar, në Facebook, nga një OJQ e Tiranës, Organizata RIAS, për një seminar njëditor kushtuar drejtshkrimit të shqipes.

Edhe pse nuk di nëse seminari është mbajtur apo jo dhe ka pasur apo jo sukses, teksti i njoftimit dhe posteri përkatës më dëshmojnë shumëçka që nuk shkon në marrëdhëniet e brezit të ri sot me gjuhën shqipe dhe standardin.

Tekstin e njoftimit po e sjell të plotë në vijim:

Mos i keqpërdorni, por mësoni drejtshkrimin e tyre.
Qorape, çertifikatë, proçes, ilaqe, vënde, mëndje etj. Janë vetëm disa nga shumë fjlalë të gjuhës sonë që mund t’i keni hasur të shkruara kështu. Në fakt, të gjithë e dimë që gjuha standarde shqipe nuk ka dy lloje c-sh, as dy lloje e-sh. Prandaj, që norma jonë letrare dhe drejtshkrimi i saj të mos mbeten alternativa e dhjetë, pas celularit, kompjuterit, makinës, club-eve etj., le të bëhemi bashkë për të mbrojtur shqipen e kulluar………………Që Çabeji të mos na shohë më vëngër.

Organizata RIAS në bashkëpunim me Rrjetin e Vullnetarëve Shqiptarë organizojnë trajnimin për drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Trajnimi do të jetë 1 ditor, ku do te ketë një ndërthurje mes teorisë dhe ushtrimeve praktike. Trajnere do te jetë Znjsh. Anila Sallo. Trajnimi do të bëhet në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Në përfundim të trajnimit të gjithë pjesëmarrësit do të pajisen me një certifikatë pjesëmarrjeje.

Kush mund të aplikojë:
Të gjithë ata që janë të interesuar mbi rregullat e përdorimit të ç-së dhe ë-së. Aplikantët do të paguajnë një tarifë prej 1000 lekësh të reja që do të mbulojë shpenzimet logjistike dhe pushimin e kafesë. Pagesa e trajnimit do të bëhet ditën që do të caktohet aktiviteti. Për të qenë pjesëmarrës ju lutem dërgoni të dhënat e mëposhtme në adresën e emailit: trajnimdrejtshkrim@hotmail.com

Duke lënë mënjanë çdo lloj rezerve në lidhje me qëllimet e mira të kësaj OJQ-je, të cilat nuk lidhen me temën (dhe as me gjuhën shqipe), le të përqendrohemi në konceptin që përçon kjo thirrje për drejtshkrimin e shqipes standard.

I cili, sikurse duhej ta kishim ditur, është një sistem rregullash arbitrare, por gjithnjë të arsyetuara, i cili kërkon kohë të gjatë për t’u përvetësuar.

Një ditë e vetme trajnim, si kjo që propozon RIAS-i, nuk do të mjaftonte as për t’u njohur me problematikën.

Më tej, nëse gabimet që bëhen në shkrimin e fjalëve të tilla si çorape, ilaçe, vende, mendje etj. janë vërtet me natyrë drejtshkrimore, vërejtja pasuese, se “, të gjithë e dimë që gjuha standarde shqipe nuk ka dy lloje c-sh, as dy lloje e-sh” duket sikur i referohet shqipes së cunguar, rezultat i përdorimit në shkrim të tastierave elektronike që nuk i përmbajnë të gjitha shkronjat e shqipes.

Këtë përshtypje e përforcon edhe një shpjegim në paragrafin e fundit, se kush mund të aplikojë: “të gjithë ata që janë të interesuar mbi rregullat e përdorimit të ë-së dhe të ç-së” – pohim ky që sërish na çon te problematika e shqipes së shkruar me tastiera elektronike, jo te drejtshkrimi si i tillë; meqë drejtshkrimi natyrisht nuk kufizohet vetëm me këto dy shkronja (do të thoja, siç e di edhe bufi, por pastaj u stepa, për respekt ndaj bufit, shpend i ditur).

Këtu veç duhet shpresuar që znjsh. Anila Sallo, si eksperte e fushës, do të ketë pasur mundësi t’ua sqarojë pjesëmarrësve në seminar se të shkruash eshte në vend të është nuk është gabim mirëfilli drejtshkrimor, por një zgjidhje e përafërt e një problemi teknik; dhe nuk mund të ndreqet duke përvetësuar rregullat e drejtshkrimit të shqipes.

Në thirrje thuhet edhe, mes të tjerash “le të bëhemi bashkë për të mbrojtur shqipen e kulluar”, edhe pse shqipja e kulluar – metaforë poetike – sërish nuk ka lidhje me drejtshkrimin, që nuk është veçse një sistem rregullash arbitrare. Kullimi, si përftesë gjuhësore, i referohet drejtpërdrejt pastrimit të gjuhës; dhe pastrimi ka të bëjë kryesisht me leksikun dhe gjithsesi jo me drejtshkrimin. Në këtë kuptim, fjalë si çorape dhe ilaçe mbeten po aq të pakulluara sa edhe qorape dhe ilaqe; sepse shkelja drejtshkrimore nuk ia ndryshon gjë prejardhjen e tyre, ose pikërisht atë veti që do t’i intereson “kullimit.”

I çuditshëm edhe motivimi moral që u ofrohet pjesëmarrësve, për nevojën e të shkruarit të shqipes sipas rregullave: “Që Çabeji të mos na shohë më vëngër.” Në fakt, të vjen keq kur e sheh të nderuarin prof. Çabej të pikturuar si shenjtin mbrojtës së drejtshkrimit të shqipes dhe të gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me rregullat; ose me petkat e një dhaskali pedant, a super-korrektori teknik të ë-ve dhe të ç-ve.

Dhe kjo keqardhje nuk lidhet vetëm me atë që Çabej fare pak është marrë me çështje të kulturës së gjuhës dhe të standardit; por edhe me atë tjetrën, që për RIAS-in dhe shumë të tjerë, gjuhësia – ose ajo degë e dijes ku shkëlqente Çabej – nuk është gjë tjetër, veçse disiplinim i përdorimit të gjuhës, ose një farë rreshtore e shkronjave dhe e gramatikës.

1606881_590673997727819_1429524320657669859_nNëse është e vërtetë që mësimi i drejtshkrimit dhe i gramatikës standard në shkollë ka efekt edhe në disiplinimin e mendjes ose të ushtruarit e raporteve të fëmijës me autoritetin, RIAS-i duhej ta kishte ditur se rregullat vetë, sado arbitrare për nga origjina, i shërbejnë komunikimit masiv ose në shkallë kombëtare, duke ofruar një standard të përbashkët për shqiptarët.

Njoftimin e shoqëron edhe një poster, që do të jetë përdorur për eventin. Për arsye të pashpjegueshme, autorët e posterit kanë zgjedhur për ilustrim kopertinën e Fjalorit të shqipes të vitit 1954 – vepër e respektuar dhe me vlera leksikografike e kulturore, por që i përket një kohe kur rregullat e sotme të drejtshkrimit të shqipes nuk ishin miratuar akoma.

Nuk po dua të përdor gjuhë diplomatike: organizatorët e këtij “trajnimi” nuk e kanë idenë as për drejtshkrimin e shqipes, as për standardin; dhe veprimtari të tilla – që shpresoj të mos financohen me paranë publike – nuk vlejnë për asgjë, përveçse për të turbulluar ujët dhe për të krijuar një ide të gënjeshtërt, se “po bëhet diçka.”

Drejtshkrimi i shqipes mësohet në shkollë dhe me përkushtim shumëvjeçar, jo me trajnime një-ditore dhe kafeterira. Duke gjykuar nga niveli i këtij njoftimi, e vetmja gjë që RIAS-i mund të bëjë, është të kërkojë, fort dhe publikisht, rritjen e cilësisë së mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkollat anembanë hapësirës shqiptare.

Nuk ka komente

  1. “disa nga shumë fjlalë”, prej shefave dhe znjsh-ave të çertifikatave. Jam me ty xha xha, por titulli e ka një difekt se në udhëzuesit per dummies vërtetë mëson, ndërsa ky trajnim është jo for, por BY DUMMIES. Ç’janë këto organizata, ç’ne që marrin këtë iniciativë?

    1. imagjinoj se si ai Cabej (apo Cabeu) – dhe mungesa e bishtit të C le t’i mbetet në ndërgjegje kompjuterit (apo ordinatorit) – do të shkulte leshtë e kokës kur të shihte në titull këta “dummies” me “for” bile edhe me “by” përpara!

        1. Mire e ka Georgies, me drejtshkrim duhet folur shqip. Pra titulli duhej: “Drejtshkrimi per budallenj”

        2. Në se do ta kishe bërë do të ishte “pour les nuls”. Por këtu s’bëhet fjalë për fëngjishten (bile as edhe për italishten) dhe aq më pak për ironinë. Bëhet fjalë për “Drejtshkrimin për kaqolët” apo jo?

          1. Xexo, para se të them ndonjë gjë tjetër, po dua të pyes: çfarë të shqetëson pikërisht te kjo punë, që po i rikthehesh?

          2. Georges, mendoj se(e konsideroj te mireqene qe) je njohes ndoshta “like a native” i frengjishtes, italishtes dhe anglishtes.

            Anglishtja(si cdo gjuhe tjeter) te jep mundesine te besh dallimin midis dritehijeve(nuancave) te ndryshme kuptimore te nje fjale. Eshte aftesia e secilit nga ne qe te perzgjedhe midis ketyre dritehijeve kuptimore konotacionin qe percjell tek lexuesi, degjuesi, sa me sakte, kuptimin qe duam te percojme, cfare kerkojme te themi.

            Ndodh qe konotacioni(connotation) i nje fjale te mos te ruaje lidhjen e ngushte kuptimore me domethenien literare origjinale, primare te fjales(denotation).

            Rasti ne fjale qe i ka fillimet qe ne fillimet e viteve 90te, (DOS For Dummies, Words for Dummies,etj.), konotacioni “for dummies” nuk ka te beje me te qenurit budalle, apo kaqol, i vonuar, etj. Perndryshe, asnjeri nuk do t’i afrohej rafteve te librave “for dummies” ne librari dhe bibloteka. Konotacioni, ashtu sic jam i bindur qe ju ia dini kuptimin shume mire, percjell idene qe libri eshte per dike qe eshte fillestar, “a starter, a beginner” ne fushen, subjektin e caktuar ne te cilin libri merr persiper te jete nje udherrefyes.

            Duket se kete, ndoshta ka patur parasysh 2xha kur na ka dhene paralajmerimin qe ne titull ne shkrimin e mesiperm: Njerezit qe kane marre persiper te bejne ate qe deklamojne jane “clueless”(2xha :… nuk e kanë idenë as për drejtshkrimin e shqipes, as për standardin…) 🙂

            1. Read Me, meqe jemi te precizioni i fjales, problem qe ju e ngrini drejt, me lejo, megjithate te bej nje nderhyrje. Do te qe me e sakte qe nuance ne shqip te perkthehej me ngjyresë dhe jo dritehije. Pra ne kontekste te ndryshme perzgjedhin nje ngjyrese te caktuar kuptimore te nje fjale, ose nje fjale merr ngjyresa te ndryshme, pa humbur kuptimin baze.
              Me tej mund te flasim per dritehijet e dikujt, te nje personaliteti (ne lidhje me parapelqimet, idete a te kaluaren e tij), mund te flasim edhe per dritehijet e nje vepre (jo pikturore ose fotografike, se aty kemi te bejme me kuptimin e pare te fjales), kur ajo evokon ide “te dyshimta” etj. Nuk kam patur rast te degjoj per dritehijet e nje fjale.

          3. Lyss faleminderit per observimin. Desha te theksoj qe ne fillim se verejtja qe bera ne lidhje me komentin e shkurter te Georges nuk eshte nje “châtiment virtuel”. Te gjithe ne, besoj se jemi mendje te ftilluara.

            Une po perpiqem te jap versionin tim, perse perdora shprehjen dritehije, duke vendosur ne paranteze fjalen nuance per tu siguruar qe nuk keqkuptohem. Nuance perdoret per te treguar ndryshimet “fine shades in meaning”; ne anglisht kjo e fundit eshte idiome(shprehje idiomatike).

            Dritehije, ne perdorimin tim te meparshem, tregon marredhien midis drites dhe hijes, chiaroscuro. Teknike e vjeter, por qe i njihet Leonardos si pionier i saj. Chiaroscuro, ne pikture, vizatim, perdoret per te nxjerre ne pah te gjitha dimensionet e objektit(in 3D).

            Edhe tek ngjyrat, kemi “hijet”, “different shades” te te njejtes ngjyre. Ka nje shpjegim shkencor te tere qe detajon shkencen ne fjale, marredhenien e drites me hijen, bazuar ne menyren se si reflektohet kjo nga objektet ne varesi te burimit te drites dhe rrethanave, faktoreve te tjere.

            Eshte nje teme interesante, por une bie plotesisht dakord me sugjerimin tend: ngjyrimet e ndryshme kuptimore te fjaleve, duke konsideruar se flitet per ngjyresat, ngjyrimet (hijet, different shades) e ndryshme te te njejtes ngjyre, si shprehje figurative qe ka zene rrenjet ne shqipen.

            Edhe une e perdor vazhdimisht ne shqip. 🙂

  2. “Aplikantët do të paguajnë një tarifë prej 1000 lekësh të reja…”

    Ja ku qenka koka e muhabetit!

    Meqe ra fjala Xha Xha, kam nje pyetje drejtshkrimore: si shkruhet Çabeji apo Çabej? 🙂

  3. Titulli eshte i rendesishem dhe thote shume para se te lexohet permbajtja. Titulli mendoj se eshte i gjetur. Duke lexuar shkrimin, pasi mesova se per cfare flitet, them qe fjala “for dummies”, i ka permbledhur te gjitha aspektet e prekura ne shkrim. Cabeu prej pertej, nuk mendoj se do te ishte habitur shume. Sigurisht do te habitej me te vetmen gje, te cilen e ka kapur mire 2xha: perse e perflasin emrin e tij (nje gjuhetar dhe aspak standartizues gjuhe), ne misionin fisnik dhe standartdashes te RIAS per t’i mesuar drejtshkrimin perdoruesve te kompjuterit. 🙂

    Une gjithmone mbetet habitor: perse nje liberth sic eshte “Drejtshkrimi i Gjuhes Standarde Shqipe”, nuk eshte mesuar akoma permendesh nga breza te tere nxenesish? Mire brezi im, qe kanonizimin e drejteshkrimit e perjetoi pasi kishte me shume se nje dekade qe mesonte pa nje kristalizim te standartit, po brezat e tjere pasardhes qe normat e te shkruarit i fillojne qe me mesimin e alfabetit?

    Habia shtohet duke menduar se shqipja ka nje korrespondence gati perfekte midis grafemava dhe fonemave, qe reciprokohen harmonishem si ne lexim ashtu edhe ne shkrim. S’ka asnje veshtirsi per te riprodhuar tingujt e te gjithe germave te alfabetit; bashketingelloret dhe zanoret nuk ndryshojne shqiptimin, tingellimin, pavarsisht se ku jane vendosur ne fjale te ndryshme.

    Duke e menduar keshtu: perse duhet per nxenesit qe mesojne te shkruajne germat dhe fjalet qe 5-se apo 6-shte vjec, nje trejnim kaq i gjate, qe kthehet ne nje lloj kalvari i mundimshem pergjate jetes shkollore dhe karrieres?

  4. Pasi ta mbarojë me sukses proçesin e qorapeve, mund t’i propozohet OJQ-së në fjalë që seminarin e dytë ta mbajë me shtypin e t’u mësojë se muajt në shqip shkruhen me të vogël, jo me të madhe, siç po bëhet së fundmi nën ndikimin e anglishtes së madhnueshme. Edhe ta rrisë pak çmimin, se 1 lek fringo në ditë s’është kushedi çfarë. Kam edhe një ide për një seminar të tretë, por s’po e ngas më tutje. Në vend të kësaj, vazhdoj të vërej me kënaqësi se edhe në një sajt ku diskutohet shpesh me zjarr për shkrimin drejt të gjuhës, shqipja vazhdon e shkruhet nga ndjekësit e zjarrtë të saj me 34 gërma, në një epokë kur edhe telefonat celularë tanimë janë pajisur me tastierë shqipeje, le më kompjuterët. Fenomen jashtëzakonisht interesant: njerëz që shqetësohen për shkrimin drejt të shqipes 34-karatëshe.

  5. E c’te hapa pune me avazin e titullit, o xha xha. Po ti ma kuptove mendimin kur propozove sans peine. Une doja te thoja pas shkoqitjes qe i bere paraqitjes se tyre se tek keto organizata i gjori njeri shkon per te vene vetulla e nxjerr sy.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin