Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Udhëtime

NË RESTAURIM E SIPËR

FontanadiTrevi-RomeSkena e historisë

Më shumë se burim, shatërvan, çezmë, monument, skulpturë, Fontana di Trevi është skenë. E veçantë, e paparë, e pazakontë, sidoqoftë në thelb e në pamje mbetet skenë.

Ndryshe nga shatërvanët klasikë, që zakonisht vendosen në qendër të një sheshi, Fontana di Trevi në Romë sikur del nga faqja e Pallatit Poli për t’iu shfaqur spektatorëve me gjithë magjepsjen e vet. Por që nuk është shatërvan i thjeshtë e rrëfen historia e saj, që ia njohin të gjithë dashamirësit e kryeqytetit italian.

Fontana di Trevi, vepër e artit barok, është krijuar nga Nicola Salvi dhe autorë të tjerë rreth viteve 1735. E ndërtuar kryesisht me gur travertin e mermer kjo vepër arti nuk është gjë tjetër veçse pjesa e fundit e ujësjellësit Aqua Virgo, që u realizua në vitin 19 para erës sonë nga Marcus Vipsanius Agrippa, politikan e arkitekt i famshëm i Romës së lashtë.

fontana-di-treviThuhet se Fontana dhe sheshi përkatës kanë qenë projektuar fillimisht nga Bernini. Megjithatë vepra u realizua sipas porosisë së Papës Clemente XII, i cili zgjodhi midis disa projekteve atë të Nicola Salvit.

Aktori i padiskutueshëm i kësaj skene të mahnitshme është pa dyshim uji. I rrjedhshëm, i vrullshëm, gjithë jetë, uji e bën më spektakolare shfaqjen në shesh. Shkëmbinjtë që gjenden në bazë vetëm sa ia nxjerrin më në pah forcën e natyrshme. Në qendër të veprës është hyjnia Oqeani që drejton një karrocë në trajtë guaske, që tërhiqet nga dy kuaj me flatra, por me karaktere të ndryshme, që drejtohen nga tritonë.

Në dy krahët e Oqeanit vihen re dy statuja femrash, të vendosura në nicchia gjigante. Në të djathtë është statuja e Shëndetit, kurse në të majtë shikohet ajo e Begatisë. Uji nuk del vetëm nga sipër, por edhe nga pjesë të tjera poshtë shkëmbinjve, duke krijuar ujëvara të vogla shumë të këndshme. Fontana di Trevi ka plot detaje të bukura për kureshtarët, të cilëve nuk do t’u shpëtojë edhe stema heraldike e Papës Clemente XII, sikurse mbishkrimi latin për nder të tij.

Skena e skenave

Anita-Marcello-Nuk është vetëm forma e Fontanës që e shndërron atë në skenë. Në vite, Fontana di Trevi është bërë protagoniste në shumë filma të njohur, duke mbetur e pashlyeshme në kujtesën kolektive të shumë brezave. Dy janë filmat më të njohur që e kanë përjetësuar: i pari është pa dyshim La dolce vita (1960) e Federico Fellini-t. E kush mund ta harrojë skenën romantike kur Anita Ekberg hidhet në fontana dhe fton Marcello Mastroianni-n ta ndjekë në ujë?

Krejt i ndryshëm është filmi tjetër. Episodi tek filmi Tototruffa 62, i vitit 1961, me regjizor Camillo Mastrocinque, është i famshëm sepse tregon humoristin napolitan Totò që, duke u shtirur si pronar i saj, rreket t’ia shesë fontanën e të drejtat e fotografive një turisti çfarëdo. Përveç dialogëve dhe batutave të lezetshme, kemi edhe figurën e pandashme të turistit pa të cilin, në cilësinë e skenës, vetë Fontana nuk do të kishte kuptim.

fontana-trevi-e totòFontanën mund ta gjejmë edhe në vepra të tjera të kulturës pop, siç janë videoklipet muzikore. Thank You for Loving Me i Bon Jovi është filmuar i gjithi në sheshin e Fontanës, ku monedha e famshme që hidhet në ujë del shpeshherë në plan të parë. Fontana di Trevi është rrënjosur thellë në vetëdijen e spektatorit global.

Skena e famshme romane ka edhe një funksion postmodern. Është fjala për çka ndodhi në tetor 2007, kur një aktivist provokator hodhi ngjyrosës të kuq në ujërat e fontanës. Dashamirësit anembanë mbetën pa frymë. Për fat të mirë, përveç pamjes surreale me ngjyrë të kuqe të ndezur, akti nuk i shkaktoi dëme veprës artistike.

Skena me skela

Çfarë t’i thuash turistit që vjen nga Azia e largët, i pajisur me çantë të posaçme e me aparat fotografik modern, që vjen plot entuziazëm e dëshirë për të parë një nga sheshet më të bukuIMG-20140928-00710ra të botës? Çfarë t’i thuash turistit që vjen nga Europa për ta parë ujin që del nga shkëmbinjtë mur? Çfarë t’i thuash amerikanit që ka kapërcyer oqeanin për të parë fontanën e Fellinit? E pr,a çfarë t’u thuash turistëve në përgjithësi kur vijnë pas shumë orë fluturimi dhe shohin se Fontana di Trevi është në restaurim e sipër dhe se nuk ka asnjë pikë ujë?

Me siguri ka zhgënjim në sytë e tyre, ndoshta edhe inat që u ra për hise pamja plot skela e punëtorë, në vend të ikonës botërore me ujë. Në vend të kartolinës, gjejnë kantier. Nuk po dua ta vë veten në vendin e japonezit që vjen për herë të parë, e ndoshta të fundit (edhe pse nuk ia urojmë), dhe shikon Fontana di Trevi në të thatë. Më vjen shumë keq, megjithatë çdo të keqe e ka nga një të mirë siç thotë fjala…

IMG-20140928-00722Personalisht kaloj nga Fontana sa herë që kam mundësi. Ja për të shoqëruar miq turistë në Romë, ja për t’u freskuar në estetikën e Fontanës, ja kinse se të bie rruga andej… Kësaj radhe, kur e pashë fontanën me skela, me tuba, të rrethuar me xham, me mjete pune përreth, pata një farë refuzimi. Instinktivisht nuk m’u duk si Fontana di Trevi, ndoshta sepse shfaqej e përçudnuar, ndoshta sepse i mungonte esenca e saj, në pamje e në zhurmë. Gati u pendova që shkova. Por pendesa pati jetë të shkurtër.

Mbi fontanë restauruesit kanë ndërtuar një lloj ure me parmakë prej xhami, ku turistët mund të IMG-20140928-00730kalojnë e ta shohin veprën nga afër. Këndvështrimi është origjinal, i rrallë sikurse rasti i restaurimit, sepse u afrohet shumë figurave të fontanës, pothuajse përballë. Tubat e skelave janë të bezdisshëm, megjithatë ura e improvizuar të dëmshpërblen, ngaqë të mundëson atë që nuk do ta arrije në kushte normale. Ja skulptura e Oqeanit, kali nervoz, kali i qetë, tritonët, guri travertin… Të gjithë afër, si kurrë ndonjëherë. Të vjen të zgjasësh dorën, por nuk je aq afër sa t’i prekësh.

Turistët kalojnë mbi skelë si në shenjë nderimi. Fotografojnë pa pushim. Kanë të drejtë, janë pamje të papërsëritshme. Të njëjtën gjë bëj edhe unë. Para se t’i drejtohem daljes, më shkon mendja tek fontana. Ndërsa e di fare mirë se si e shohim ne kur jemi përballë – e dëshmojnë qindra fotografitë personale e mijëra të tjera në internet – nuk jam i sigurtë si na sheh ajo ne “turistëve”. I kthej shpinën duke i kërkuar falje dhe i bëj një foto turistëve përballë.

IMG-20140928-00727Ndërkohë, njerëzit nuk pushojnë së shkrepuri foto, për të fiksuar në pixel pamje të pazakonta. Por nuk do të ishte keq që të vinin përsëri në Romë e ta shihnin Fontana di Trevi të restauruar e plot ujë. Por për këtë nuk mjafton vetëm urimi im i brendshëm. Sipas traditës, duhet të hedhin një monedhë, edhe pse nuk do të dëgjohet melodia e zakonshme e ujit. Rëndësi ka rezultati.

[fotografitë e Fontana di Trevi në restaurim janë të autorit]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin