NË RREGULL

Sot të gjithë përdorim anglicizmin OK, kur duam të shprehim miratim ose marrëveshje ose mirëkuptim me tjetrin në bisedë, edhe nëpërmjet një pauze jo vetëm në të folur por edhe në argument; madje këtë e përdorin edhe ata që nuk dinë anglisht, sepse fjala tashmë ka hyrë në shqipe, në mënyrë sa virale aq edhe të pashpjeguar deri më sot. Një shpjegim i këtij huazimi do të vonë do të përqendrohej te çfarë sjell të re, kuptimisht, fjala OK në raport me rivalet e saj më të vjetra.

Përndryshe, shqipja për të shprehur këto kuptime do të përdorte ndajfoljen mirë (ndonjëherë edhe bukur) dhe sidomos togun në rregull, me funksione të ngjashme në mos të njëjta; pikërisht atje ku italishtja thotë va bene ose d’accordo dhe spanjishtja (europiane) vale dhe anglishtja vetë, para të tanishmes OK (ose okay), thoshte all right.

Do ta lëmë të takohemi në shtatë te Hotel Ballkani?
Në rregull, ashtu e lëmë.

Kjo në rregull e shqipes më duket më idiomatike se ndajfoljet e barasvlershme; dhe tërheq vëmendjen edhe për vetë përdorimin e fjalës rregull në këto kontekste.

Shqipen rregull e sjellin nga latinishtja rēgula ose ndonjë formë e ngjashme e italishtes mesjetare. Gjithsesi, vetë fjala latine para se të shënjonte një parim bazë ose normë, shënjonte një vegël të ndërtuesit dhe të gjeometrit: vizoren. Dhe, në fakt, brenda latinishtes, atë e mbajnë të prejardhur nga folja rego, regere, rexi, rectus që ka kuptimin “drejtoj, udhëheq”; dhe që lidhet edhe ajo me konceptin e vijës së drejtë.

Në veprën e vet madhore, Le vocabulaire des institutions indo-européennes, Émile Benveniste i kushton një seksion të veçantë fjalës indo-europiane për mbretin, duke trajtuar aty edhe latinishten rex, regis (e cila në shqipe ka dhënë regj). Për të shpjeguar si koncepti i vijës së drejtë ka dhënë bazën leksikore të fjalës latine për “mbret”, Benveniste-i përmend një shprehje të rëndësishme për ndërtuesit e qyteteve dhe themeluesit e autoritetit: regere fines, që do të thotë, literalisht, të heqësh vijat e drejta të kufijve – diçka që e bën kryeprifti, kur cakton vendin se ku do të ndërtohet një tempull ose themelohet një qytet, jo vetëm në kuptimin gjeometrik, por edhe duke e “shenjtëruar” (konsakruar) sipërfaqen. Benveniste-i vëren natyrën magjike të këtij veprimi:

është fjala për të përcaktuar një brendësi dhe një jashtësi, për të dalluar mbretërinë e sakrales nga ajo e profanes; dhe më tej, truallin kombëtar nga ai i huaji. Këtë heqje vizash e bën një personazh i ngarkuar me autoritetin më të lartë: rex-i.

Që këtej, ai arrin në përfundimin se rex-i indo-europian ishte shumë më fetar, sesa politik.

Misioni i tij nuk është të komandojë, të ushtrojë një pushtet, por të caktojë rregulla, ose të përcaktojë çfarë është, në kuptim të mirëfilltë, e drejtë.

Më shumë prift, sesa sovran, vëren Benveniste-i.

Çabej thotë – te Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes, Bleu VI – se, në shqipe, regj është huazim më i ri se mbret nga imperator;

Kjo e fundit pas gjithë gjasësh rrjedh nga koha e perandorisë romake, ajo nga latinishtja kishtare e mbarimit të antikitetit a e fillimit të mesjetës.

Nëpërmjet latinishtes, ka hyrë në kulturën shqiptare dhe në gjuhën shqipe edhe raporti metaforik midis vijës së drejtë, sundimit (angl. rule) dhe rendit juridik (e drejta), duke u shtrirë deri edhe në mënyrën si i qasemi realitetit: “thuaj të drejtën” (ku e drejtë këtu ka kuptimin “e vërtetë”).

Në fakt, directum që në latinishte rrjedh nga di-rigere (parashtesim i regere, që e përmendëm më lart), ka dhënë në shqipe drejt, dhe pastaj drejtoj, e më tej drejtues, drejtim dhe drejtor; por edhe ndreq. Për këtë arsye, sinonimet ndreq, rregulloj dhe korrigjoj në shqipen e sotme, e kanë në thelb prejardhjen nga e njëjta rrënjë e latinishtes (regere).

Gustav Meyer-i edhe shqipen ndërtoj e pat nxjerrë nga latinishtja *directare; në një kohë që Çabej (vep. cit.) anon nga mendimi i Kamardës dhe i Weigand-it, për një formim të brendshëm të shqipes, sipas temës drejt. Përndryshe, si refleks të latinishtes dirigere në shqipe kanë konsideruar dërgoj; por Çabej shpreh disa rezerva për këtë, sidomos në lidhje edhe me sqarimin e nevojshëm të raporteve kuptimore midis dërgoj dhe ndreq.

Prania e fjalës – dhe e konceptit – drejt brenda foljes ndërtoj është po aq ndriçuese sa edhe shpjegimi i rex-it latin dhe indo-europian, si një lloj gjeometri sakral i truallit; sepse, në thelb, kjo do të thotë se të ndërtuarit, për gjuhën shqipe, është një lloj përftimi vijash të drejta; çka edhe tingëllon logjike.

Në latinisht, krahas regula-s, ose vizores, edhe një vegël tjetër muratori (dhe gjeometri) pati fatin të pushtonte kuptimisht sferat e arsyes dhe të mendimit abstrakt: norma, një fjalë që shënjonte fillimisht “skuadrën”, ose atë instrument që përdoret për të matur këndet e drejta. Ernout dhe Meillet e sjellin këtë fjalë si huazim të latinishtes, nëpërmjet etruskishtes, nga greqishtja gnômôn ([γνῶμων] që shënon edhe ajo një instrument matës – që mund të jetë një orë diellore ose edhe një vizore.

Siç e vënë në dukje autorët e Dictionary of Untranslatables: A Philosophical Lexicon (kapitulli i shkruar nga Barbara Cassin), veglat matëse, që janë për t’u përdorur nga ndërtuesit, shërbejnë edhe ndërfaqja e mirëfilltë midis saktësisë (justness) dhe drejtësisë (justice); dhe, më tej,

dalja në skenë e ligjeve ‘urbanistike’ të urbs-it dhe ligjeve ‘civike’ të civitas-it, identifikohet kështu me një kuptim metaforik të instrumenteve që, në krye, përdoreshin për të kuptuar shkencërisht botën fizike, për të organizuar hapësirën dhe, më në fund, për të ndërtuar shtëpi dhe për të projektuar qytete.

Në këtë grup, sipas informacionit të ofruar nga vepra më lart, hyn edhe peshorja (libra), paraja (në greqishte nomisma [νόμισμα], e lidhur leksikisht me nomos); forma, që vjen edhe ajo nga greqishtja gnômôn ([γνῶμων], duke iu referuar formës ose kallëpit; dhe sidomos formula, ose “kallëpi i vogël”, që i dha formë ligjore marrëdhënieve mes njerëzve; dhe më tej akoma, gjithnjë sipas veprës së lartcituar, metri (gr. metron [μέτϱον],), që ishte një instrument matës i gjatësisë; kanôn-i [κανών], fillimisht me kuptimin “kallam”, dhe që i referohej në origjinë një listele druri të gjatë dhe të drejtë, që mund të vendosej në një mburojë ose në një barkë ose në armaturën e një shtëpie, dhe më vonë edhe diapazonit (tuning fork); para se të fillonte të përdorej për rregullat e gramatikës, të retorikës dhe më pas të organizimit të kishës.

Rregulli i shqipes i përket, kështu, një familjeje leksikore me prejardhje jashtëzakonisht të lashtë dhe fisnike; duke iu referuar jo vetëm një parimi ose ligjësie, por edhe drejtësisë si gjendje të natyrshme të sendeve, në botën fizike dhe në atë sociale. Megjithatë, fakti që kjo fjalë sot përkthen lirisht edhe italishten regola edhe italishten ordine (duke përjashtuar nga kjo e fundit kuptimin “porosi”), tregon, në mos tjetër, që fjala u ka dalë nga kontrolli “të diturve”; sidomos po të kemi parasysh se ordine përkthehet edhe me “urdhër”, edhe me “rend” (ordine publico/rendi publik); dhe nëse urdhër e shqipes është huazim i drejtpërdrejtë nga ordinem, rend është një huazim relativisht i vjetër nga sllavishtja kishtare. Takimi i tyre te ky kuptim i përbashkët duhet të ketë ardhur si rezultat i një konvergjence.

Përtej etimologjisë, asgjë nuk e lidh në shqipen e sotme, tematikisht, fjalën rregull me konceptin e së drejtës në gjeometri, moral, heuristikë dhe jurisprudencë (shih për këtë temë edhe esenë time Të them të drejtën, në këtë revistë). E megjithatë, edhe një lokucion i thjeshtë si vë rregull, ose ai kuptim i foljes rregulloj që shfaqet në shprehje të tipit rregulloj biçikletën, rregulloj dhomën dhe rregulloj volumin (e radios) i referohen një statusi të kënaqshëm ose optimal të sendeve, të cilin mund ta përkufizojmë edhe si disiplinë të natyrshme të botës; dhe që do të ishte e kundërta e entropisë.

Një dhomë e rregulluar, është një dhomë ku orenditë janë vënë në vendet e tyre dhe ku nuk ka rrëmujë (vëreni referencën te kaosi, ose entropia; të rregullosh dhomën, do të thotë edhe t’ia pakësosh kësaj entropinë); një biçikletë që ka nevojë të rregullohet është e prishur, nuk funksionon, ka një mospërputhje midis qenies së saj dhe funksionit; sërish, rregullimi ia pakëson biçikletës entropinë, duke ia shtuar kompleksitetin; e kështu me radhë. Ideja këtu është se rregulli ka të bëjë me një raport optimal midis formës dhe funksionit; i cili është edhe raporti i duhur (një biçikletë e rregulluar është një biçikletë që punon në rregull, ose ashtu siç është në vetë natyrën e biçikletës që të punojë). Në italishte, i duhur këtu do të përkthehej “giusto”; në anglishte “right”; të dyja gjuhët i referohen kështu “së drejtës”, edhe pse anglishtja më haptazi, meqë right ka edhe kuptimin gjeometrik.

Kështu, rregulli lidhet, nëpërmjet disiplinimit, edhe me rikthimin e vijave të drejta në një sistem: fizikisht dhe metaforikisht. Të rregullosh krevatin do të thotë, para së gjithash, të ndërtosh vija dhe kënde të drejta me batanijet, çarçafët dhe jastëqet – çka nuk është dhe aq e lehtë, sikurse e ka hequr në lëkurë çdo ushtar (dhe zborist). Të vësh rregull, në një klasë, do të thotë edhe t’i bësh nxënësit të rrinë drejt (mes të tjerash). Nëpërmjet metaforës së të drejtës, rregulli vjen e shënjon një sistem të harmonishëm (polici vë rregull në trafik, duke i imponuar trafikut jo vetëm disiplinë por edhe ritëm), ku disiplinën e imponon nevoja për rendiment optimal. Njeri i rregullt është jo vetëm dikush të cilit mund t’ia parashikojmë sjelljen, sepse kjo i ndjek një rregullsi ose pattern, ose i respekton një parim të caktuar (moral, etj.), ose i përgjigjet një pritmërie objektive; por edhe dikush që jeton sipas një ritmi; që ka të bëjë edhe me përsëritjen dhe, në analizë të fundit, me “metrin” ose masën e sendeve dhe të botës.

Në hyrje të Akademisë së Platonit, vëren Barbara Cassin (vep.cit.), ishte shkruar se “askush nuk lejohet të hyjë, në qoftë se nuk është gjeometrist,” çka dëshmon për marrëdhënien e ngushtë, në kulturën greke, midis matematikës dhe moralit. “Sinergjia latine, midis arkitekturës dhe ligjit, përfaqëson një nga triumfet e mundshme të kësaj marrëdhënieje greke,” përfundon ajo.

Shqipes (çdo gjë) në rregull i përgjigjet italishtja tutto a posto, çka lë të kuptohet se rregulli – në dhomë, në sirtar, në mendime, në veshje, në klasë, në bibliotekë dhe në rrugë i referohet edhe asaj gjendjeje ku sendet janë në “vendet e tyre”, ose të sistemuara sipas një ligji, ligjësie, norme, formule, rregullsie të caktuar (të paracaktuar). Kështu, vendet e ushtarëve janë në vijë të drejtë, në kolonë; vendet e librave në vijë të drejtë në raft etj.; por edhe në rend alfabetik (që është rregull i një lloji tjetër). Premisa e shprehjeve të tilla, jo dhe aq të pafajshme, është se sendet vendosen ose orientohen sipas një mënyre të caktuar, që është ajo e duhura, e drejta, logjikja, e natyrshmja, etj.; e cila mënyrë gjen shprehje në formulimin e rregullës përkatëse (shqipja bën ndonjëherë dallim midis rregullit si status dhe rregullës si formulim diskursiv të parimit përkatës).

Dhe nëse është kështu, atëherë të vësh rregull do të lidhet drejtpërdrejt me të zbatosh rregullat (le ta injorojmë ndryshimin në gjini, hë për hë) ose normat. Që këtej, edhe rregullat e drejtshkrimit, të cilat disiplinojnë mënyrën si e shkruajmë gjuhën, në emër edhe të riprodhimit të një autoriteti ndaj diskursit publik, edhe të injektimit të anti-entropisë në sistemin e komunikimit me shkrim.

Dhe ky arsyetim na sjell tani te kuptimi i shprehjes në rregull, të cilën e përdorim aq shpesh në dialog, për të shprehur miratim, marrëveshje, pëlqim, edhe nëpërmjet futjes së një pauze në shkëmbimet. Çfarë kuptimi ka rregulli të cilit i referohet kjo shprehje? A mos është kjo shprehje thjesht konstatimi se midis dy bashkëbiseduesve, ose në vetë diskutimin e tyre, është arritur rregulli, si harmoni ose gjendje optimale e raportit dy-palësh?

Meqë nuk vjen dot te Flora, e lëmë te Xhamia.
Në rregull, te Xhamia.

Për të ndriçuar këtë, mund të na ndihmojnë edhe disa shprehje e përdorime të tjera të fjalës rregull dhe të derivateve të saj; p.sh. jemi në rregull bashkë – në kuptimin që nuk i detyrohemi gjë pará njëri-tjetrit; i kemi shlyer llogaritë; ose rregullohemi pastaj – gjithnjë në këtë kuptim. Edhe këtu, rregullimi ka të bëjë me shkallën optimale të marrëveshjes; çka shpjegon edhe arsyen pse kësaj “në rregull” i përgjigjet italishtja d’accordo, meqë accordo këtu ka kuptimin “harmoni”. Me fjalë të tjera, kur dy vetë duan të merren vesh për diçka, qoftë edhe aspak kontroversiale, p.sh. se ku do të takohen në mbrëmje, atëherë marrëveshja përfytyrohet si pika e ekuilibrit të natyrshëm të sendeve. Gjithnjë për këtë arsye, në rregull specializohet edhe me funksione të tjera, si ai i rimarrjes ose rikapitullimit të argumentit, i cili tashmë është zgjidhur; dhe si një konfirmim që kanali i komunikimit ka funksionuar (kjo do t’i përgjigjej edhe formulës “marrje” në radio-transmetim, ose copy that, në anglishte; dhe, për ta thënë me klasifikimin e Jacobson-it të funksioneve të gjuhës, funksionit fatik).

Në rregull, si formulë e marrëveshjes në bisedat, do të shërbente kështu për të lajmëruar harmoninë, si përfundim sa logjik aq edhe i dëshiruar i negocimit midis palëve; dhe si mbyllje të butë të këtij negocimi, duke shmangur njëkohësisht edhe mundësinë e konfliktit, në bisedë dhe përndryshe mes palëve. Çfarë ka interes të veçantë, në këtë mes, është se shqipja ia ngarkon këtë funksion të rëndësishëm – nga pikëpamja pragmatike-gjuhësore – konceptit të “rregullit”, dhe jo, bie fjala, vlerës së diçkaje (si spanjishtja) duke iu afruar kështu drejtësisë logjike, morale ose heuristike të asaj çfarë është vendosur (si anglishtja right, në all right).

Nuk ka komente

  1. Nga prezantimi në FB dukej si ndonjë shtjellim masonik, ndaj dhe leximi i shkrimit, krejt tjetër gjë, qe një befasi e këndshme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin