LOJË ME PSEUDO-TURQIZMA

Një lojë gjuhësore, diçka midis gjëzës dhe shakasë, që kemi pasë luajtur vite më parë dhe që ka mbetur gjallë sot e kësaj dite, edhe pse asnjëherë në qendër të vëmendjes: krijimi i fjalëve të përbëra humoristike, me tema orientalizmash në shqipe.

Loja shkon pak a shumë kështu: si i thonë frigoriferit në turqisht? Dhe kur tjetri ngre supet, ose thotë se nuk e di, ose nuk di turqisht, ti i përgjigjesh: kallkan dollap. Natyrisht, kallkan dollap nuk është fjalë reale e turqishtes, por një sajesë brenda shqipes, që veç “duket” si kompozitë turqishte, meqë dy përbërësit, kallkan dhe dollap, janë fjalë që ka huazuar shqipja nga turqishtja.

Dhe kështu me radhë: sehir dollap, për televizorin; vatan avaz, për himnin e flamurit; surrat qitap, për Facebook-un; shyqyr llastik, për preservativin; dajak usta, për boksierin; hyxhym xhade, për autostradën; surrat defter, për pasaportën; surrat tapi, për letërnjoftimin; kolltuk pasha, për presidentin.

Për linguistin, dukuria është me interes të madh. Së pari, që të luhet kjo lojë, duhet që lojtarët të jenë në gjendje të dallojnë orientalizmat dhe turqizmat në shqipe; punë që, përndryshe, do t’i takonte etimologut.

Dhe, në fakt, në orën e gjuhës në shkollë nuk u mësohet gjë nxënësve si t’i dallojnë këto fjalë – qoftë edhe në emër të “luftës” kundër tyre. Prej shqipfolësve pritet që t’i dallojnë vetë, a thua se vetë kompetenca gjuhësore e shqipes i përmbaka tashmë antikorpet përkatëse.

Pas gjase, folësit i dallojnë “turqizmat” e shqipes në bazë të disa karakteristikave fonetike të shumë prej këtyre fjalëve – duke filluar nga struktura e tyre rrokjesore oksitone: ose me theksin që u bie në rrokjen e fundit; dhe me një farë bashkërendimi ose përsëritjeje zanoresh brenda fjalës, p.sh. vatan (dy a); pasha (dy a); bakllava (tre a); sagllam (dy a); kajmak (dy a); ulluk (dy u); kuturu (tre u) birinxhi (tre i); çengel (dy e); sherbet (dy e); bereqet (tre e); etj.

Se pse e kanë këtë strukturë tingullore fjalët e turqishtes, kjo nuk mund të shtjellohet këtu; dukuria ka një farë lidhjeje me rregullën e harmonisë vokalike – e cila përcakton cilësinë zanore të prapashtesave gramatikore në bazë të zanores tematike të një fjale (çka shpjegon pse në shqipe sot themi hoxhallarë, por ama shehlerë, edhe pse prapashtesa e shumësit është e njëjtë); por edhe me vokalizmin e arabishtes, si gjuhë semitike (meqë shumë orientalizma të shqipes janë, në fakt fjalë që turqishtja osmane i pat huazuar nga arabishtja).

Ky kriter kaq përafrues i ngatërron ndonjëherë lojtarët, sepse bën që të trajtohen si “turqizma” edhe fjalë që nuk janë të tilla (por që meritonin të ishin): kështu, dëgjon ndonjëherë hajvan doktor për “veteriner” (edhe pse doktor nuk është turqizëm, pavarësisht nga vokalizmi), ose bëlldum çengel për “spirancë” (edhe pse bëlldum duket të jetë fjalë onomatopeike).

Kushti i dytë, për ta luajtur këtë lojë, është që folësit të kenë njohuri elementare për rregullat e formimit të këtyre fjalëve të përbëra imagjinare, të cilat vijnë dhe i përshtaten një strukture dy-emërore, ku emri i parë shënjon një atribut (i përkthyeshëm me një gjinore në shqipe), ndërsa i dyti shënjon gjymtyrën kryesore të togfjalëshit.

Kështu, kallkan dollap do të ishte një dollap i të ftohtit; ndërsa surrat qitap një qitap i surrateve.

Në shqipe, këtë strukturë e ndesh në fjalë të përbëra të tipit barngrënës, rrobaqepës, flakëhedhëse, etj.; ku gjymtyra e dytë është një emër vepruesi (nomen agentis).

Shqipfolësit që zbaviten me këtë lojë, kanë parasysh edhe disa formime reale, të turqishtes, që e kanë gjetur rrugën drejt shqipes, të tilla si hazër xhevap, pasha qofte, imam bajalldi, milet kamkum, jallan shahit, demir oxhak etj.; grup ku duhen përfshirë edhe disa toponime si Çanakkala ose Fenerbahçe.

Edhe Kadareja ka luajtur me këtë përftesë në veprën e vet, duke sajuar pseudo-turqizma të tilla si qorrferman, bash-bakllava dhe Tabir Saraj, për të evokuar një atmosferë fantahistorike të caktuar.

E vetmja rregull gramatikore për t’u ndjekur, me këto formime, është që përcaktori (atributi) t’i paraprijë emrit të përcaktuar; përndryshe mjafton që dy emrat t’i afrosh me njëri-tjetrin, aq sa kufiri fjalëndarës mes tyre të mos ndihet më – çka e bën problematik edhe drejtshkrimin e tyre: kallkan dollap, kallkan-dollap apo kallkandollap?

Përndryshe, gjithçka mbetet në dorë të shijes së lojtarit – i cili pritet të sajojë diçka të papritur, që të përmbajë humor; por edhe që të tingëllojë bukur, ose me një farë ritmi jambik. Kështu, mysafir-oda për dhomën e pritjes do t’i plotësonte kriteret morfo-leksikore, por jo ato fonetike; meqë i mungon ritmi i duhur; ndërsa fener-direk për llambat e rrugëve do të dështonte, pse shumë folës nuk e perceptojnë direk si huazim nga turqishtja; ndërsa sakat-araba do të dështonte për karrige me rrota, edhe ngaqë araba (për “karrocë”) tashmë ka dalë pothuajse krejt nga gjuha.

Efekti humoristik ose zbavitës i lojës ka lidhje, në mjaft raste, me kontrastin që vendoset midis së resë – p.sh. një produkti teknologjik; dhe së vjetrës – e cila përfaqësohet nga turqizmat. Kështu, televizori dhe frigoriferi janë pajisje elektro-shtëpiake që hynë në përdorim dhe depërtuan në treg pasi shqipja i kish shkëputur marrëdhëniet me turqishten; prandaj ri-emërtimi i tyre lojcak, nëpërmjet turqizmave (sehir dollap dhe kallkan dollap), shkakton hilaritet.

Në fakt, gjuhët mund t’i përballojnë këto prurje të tregut me dy mënyra: duke i huazuar fjalët së bashku me sendet, siç bën zakonisht shqipja (frigorifer dhe televizor janë italianizma, kompjuter është anglicizëm); ose duke krijuar fjalë të reja, metafora ose kalke, sipas rastit. Kështu, gjermanishtja ka Fernseher për televizor; ndërsa hungarishtja tévékészülék. Po kështu, frigoriferin gjermanishtja e quan Kühlschrank, hungarishtja hűtőszekrény dhe turqishtja…  buzdolabı – çka na sjell shumë afër kallkan dollapit tonë, sidomos po të kemi parasysh se bus për i ftohtë përdoret ende në disa të folme të jugut.

Që prej Rilindjes dhe ideologjisë së saj gjuhësore, lëvruesve të shqipes së shkruar iu kërkua të synojnë shqipërimin, sidomos të termave të huaj; një imperativ që rezultoi i pamundur për t’u ndjekur, edhe pse jo për mungesë entuziazmi.

Shqipërimi duhet kuptuar, brenda kësaj dinamike, si shkalla e tretë, ose sipërore, e përballjes me huazimin – kulturor dhe gjuhësor. Në shkallën e parë, gjuha pritëse e quan objektin e panjohur me një metaforë, p.sh. peshk i hekurt, për nëndetësen (çka perceptohet si karakteristikë e gjuhëve “primitive”, ose qytetërimeve joteknologjike); në shkallën e dytë, gjuha huazon edhe emrin vetë, p.sh. *submarinë, *sotomarinë ose *somergjibël; në shkallën e tretë, që është njëfarësoj edhe kthim te shkalla e parë (mohim i mohimit), gjuha adopton një neologjizëm (ose një metaforë librore) për objektin e referuar, p.sh. nëndetëse.

Përkundrazi, më shumë sukses pati largimi i turqizmave nga shqipja e shkruar dhe nga ligjërimi publik më formal – aq më tepër që shumë turqizma lidheshin me sende, elemente të kulturës materiale dhe shpirtërore dhe dukuri të tjera të vjetruara.

Këtu duhet kërkuar edhe ironia aq dëfryese e lojës me pseudo-turqizma: nga njëra anë, folësve u kërkohet të zëvendësojnë, ose të sjellin alternativa për fjalë “kulturore”, shpesh huazime ose gjithsesi librore; nga ana tjetër, zëvendësimi bëhet duke shtënë në punë turqizma, ose pikërisht ato fjalë që duhej të ishin larguar të parat nga gjuha, po të kish vepruar “ushtarakisht” purizmi.

Veç kësaj, lojtarëve u kërkohet të thonë, të marrin me mend ose të sajojnë fjalën turqishte për këtë apo atë fjalë shqipe; a thua se shqipes i kanë mbijetuar aq turqizma, sa të mjaftojnë për të rindërtuar, brenda saj, nomenklatura rudimentare në atë gjuhë.

Në fakt, më shumë ka gjasa që fjalët turke të thirren në lojë si përfaqësuese të së vjetrës, arkaikes, të kapërcyerës; një bote që ka qenë por që nuk është më; dhe prandaj edhe me të mund të luhet, njëlloj siç mund të luhet me shpata, mbretër dhe princesha, magji dhe shtriga. Le ta quajmë edhe këtë tonën, pra, lojë ekzorcizmi, në kuptimin e ndarjes miqësore me të shkuarën.

Nuk ka komente

  1. Me kujtohet qe ne fillim te viteve ’80 nje shok i punes kishte shtuar poshte tabeles “Rrezik vdekje” me nje shkrim te bukur nje leter ku e kishte perseritur ne shume gjuhe te huaja. Ne gjuhen turke per shaka kishte shkruar : – Harram qyl damlla.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin