REHABILITIMI I KLISHESË

Çfarë ka të përbashkët drejtshkrimi, ashtu si mësohet në shkollë, me stërvitjen rreshtore?

Ndoshta kanë shumëçka të përbashkët, por unë do të veçoja të mësuarit jo aq rregullave, sesa me rregullat, si parim i organizimit të jetës kolektive.

Edhe lapsi i kuq i mësueses së gjuhës, edhe bilbili i mësuesit të fizkulturës shërbenin si instrumente disiplinimi; meqë ideja ishte që fëmija të arrinte te rregulla nëpërmjet disiplinimit nga jashtë.

Ndoshta prandaj ka gjithnjë diçka fëminore, në protestat e sotme kundër drejtshkrimit, dhe aq më tepër në përpjekjet njëlloj të keq-konceptuara, për ta mbajtur gjuhën e shkruar afër gjuhës së folur.

Përndryshe, edhe ai më rrebeli mes shkruesve, e ndien se sa herë që ulet të rendisë shkronjat në letër, është duke u përleshur me një sistem supra-individual.

Lapsi i kuq i përket tashmë muzeut të teknologjive; meqë ia ka zënë vendin, së paku në praktikën drejtshkrimore, kontrolli automatik i formave.

Ka një të tillë edhe për shqipen, që mund ta shkarkohet falas nga sajti i Microsoft Office; ky i 2013-ës duket disi më i pranueshëm, në krahasim me paraardhësit.

Në parim, kontrolli drejtshkrimor automatik punon duke krahasuar fjalët e shkruara prej teje me një databazë fjalësh dhe formash pjesërisht të gjenerueshme. Një fjalë është e shkruar keq, nëse mungon te kjo databazë, ose kjo nuk arrin që ta gjenerojë.

Sistemet e reja të shkrimit, si tabletat dhe telefonat celularë, e kanë çuar këtë teknologji më tej, nëpërmjet të ashtuquajturit “tekst parashikues”: një program ndihmës, që të sugjeron fjalë, teksa ti shkruan.

Kështu, kur ti fillon të shkruash, në anglishte, fjalën tomo… atëherë teksti të sugjeron një fjalë si tomorrow, duke ta kursyer mundimin e plotësimit të fjalëve të gjata. Funksionalitete më të vjetra të kontrollit drejtshkrimor, si korrigjimi automatik (auto correct), janë integruar në softuerin e ri; meqë softueri gjithnjë do të ta korrigjojë dont duke ia shtuar menjëherë apostrofin: don’t.

Por ka edhe më: programet më të reja mund të “mësojnë” stilin e të shkruarit të përdoruesit dhe t’i përshtaten, sipas algoritmeve të ndryshme, jo gjithnjë probabilistike.

Risi të tilla teknologjike synojnë jo vetëm të ndihmojnë persona ende të padisiplinuar plotësisht në drejtshkrim, por edhe të rritin shpejtësinë e të shkruarit.

Një vështrim në mënyrën si e manipulon gjuhën Google na jep një ide për orientimin e tanishëm të përpunimit gjuhësor nga kompjuteri.

Po të shtypësh në shiritin e kërkimit në Google fjalën shqipe “takohemi,” motori i kërkimit do të sugjerojë: takohemi në gjyq, takohemi pas shiut, takohemi atje posht yjeve. Në të tre rastet bëhet fjalë për fraza të gatshme ose të ngrira: versionin e titullit të një programi televiziv, të një libri dhe të një memi në FB. Po ashtu, kur unë shtyp teknologjia e…, Google më sugjeron: teknologjia e informacionit, teknologjia e informacionit dhe e komunikimit, teknologjia e së ardhmes, teknologjia e fundit.

Se nga vijnë këto sugjerime, pak a shumë dihet: ato kanë natyrë statistikore dhe suksesi i tyre, në raport me togfjalësha (sintagma) të tjerë varet thjesht nga fakti që ato ndeshen më shpesh, në tekstet që ka “lexuar” Google.

Teknologjia këtu nuk është dhe aq e ndryshme nga ajo e kontrollit automatik të drejtshkrimit dhe sidomos e tekstit parashikues; me përjashtim të një dallimi që do ta quaja kritik: kalimin nga fjala te togfjalëshi.

Edhe shkronjat në fjalë, edhe fjalët në togfjalësh, renditen në mënyrë drejtvizore, ose njëra pas tjetrës; vetëm se renditja e shkronjave në fjalë, në parim, është sa arbitrare aq edhe e pandryshueshme; ndërsa renditja e fjalëve në togfjalësh gëzon një farë lirie.

Disiplina që sjell me vete drejtshkrimi ndalet në kufijtë e fjalës; përtej fjalës, drejtshkrimi duhet t’ia lërë vendin gramatikës.

Do të shtoja: të shumtën gramatikës. Kur unë, që e kam shqipen gjuhë amtare, nis të shkruaj teknologjia e… për ta vazhduar fjalinë më duhet të zgjedh, bie fjala, midis një gjinoreje njëjës dhe një gjinoreje shumës ose një mbiemri ose një foljeje – në rastin e fundit, nëse e-ja është trajtë e shkurtër e kallzores (teknologjia e informacionit/teknologjia e mjeteve të komunikimit masiv/teknologjia e importuar/teknologjia e ka dhënë përgjigjen e vet etj.; dhe jo midis gjinores dhe, ta zëmë, kallzores.

Kompetenca ime gjuhësore, si përdorues i shqipes, nuk më lejon që teknologjia e… ta plotësoj me një kallzore; ose që të bëj një gabim gramatikor elementar.

Që këtej, dilemat sintagmatike që ofron Google-i kanë gjithnjë natyrë statistikore.

Mirëpo, kur një motor kërkimi – ose, fundja, edhe një softuer teksti prediktiv – na sugjeron se si t’i vazhdojmë fjalitë, duke na treguar se ç’fjalë kanë gjasë të pasojnë ato që kemi shkruar, atëherë fillojmë të dalim nga hapësira e lirisë gjuhësore (ose kombinatorikës leksikore), për t’iu afruar një hapësire tjetër, ku ligjërata qeveriset, në masë të madhe, nga klishetë.

(Le të imagjinojmë – sa e pamundur do të ishte? – një funksion futuristik të korrigjimit automatik, që nuk na lë t’i kombinojmë fjalët sipas dëshirës, por na imponon kombinime të disiplinuara, bie fjala, nga një ideologji e korrektesës politike.)

Me përkufizim, klisheja është një frazë e tejpërdorur, e konsumuar nga përdorimet e mëparshme, aq sa kuptimi që përçon të mos i bëjë dot ballë peshës së referimeve të mëparshme, intertekstuale.

Mënyra statistikore bruto, me të cilën i qaset modeli i Google-it ligjëratës së shkruar, detyrimisht do të çojë te klisheja; idealisht, një robot që do të mësonte të komunikonte nëpërmjet teksteve që ka lexuar Google, do ta ndërtonte ligjërimin e vet ekskluzivisht me parafabrikate (sikurse krejt UI e një aplikacioni, p.sh. MS Office, konsiston në mesazhe të gatshme ose modulare).

Tani, në nivelin e togfjalëshave me 2-3 fjalë, statistika edhe mund të pranohet si kriter përzgjedhës, veçanërisht për gjuhë analitike, si anglishtja. Mirëpo ky nivel sot për sot është i kufizuar nga aftësitë e motorëve për të përpunuar të dhënat bruto; dhe me gjasë, në të ardhmen, këta motorë do të rafinohen deri në atë shkallë, sa të ndërtojnë fraza të tilla që, të paktën për ne përdoruesit, të tingëllojnë si përsosmërisht të përdorura më parë (duke u bërë praktikisht gati për funksionin auto correct në nivel fjalie ose paragrafi).

Kjo që po ndodh me gjuhët, në përballje me motorët e kërkimit, ka shumë pika takimi me stërvitjen rreshtore: disiplinimi tashmë i ka kapërcyer caqet e fjalës, për t’u shtrirë edhe në kombinatorikën leksikore; çka do të thotë se, dashur pa dashur, rregullsitë statistikore ose denduritë e përdorimit po fillojnë të funksionojnë si “rregulla” tekstuale.

Nuk është e vështirë të përfytyrosh një ditë kur sugjerimet prej telefonit ose tabletës do të mjaftojnë, për të ndërtuar tekste të thjeshta komunikimi; e cila do të jetë edhe dita kur do t’i jemi ofruar gjuhës tërësisht, që të na flasë.

Capture

Klishetë, të cilat janë të rëndomta në të gjitha ato mjedise ligjëratore ku disiplinimi i mendimit ka përparësi ndaj kreativitetit (p.sh. në shkencën e aplikuar, në teknologji dhe në ideologji), nuk kanë pritur erën kompjuterike, për të na qeverisur mendimin.

Studiuesit e ligjërimit publik në regjimet totalitare (Yurchak për rusishten në Bashkimin Sovjetik, Klemperer për gjermanishten e Reich-ut të tretë, unë për shqipen gjatë regjimit të Hoxhës) e kanë vënë re se përvetësimi i përdorimit të klisheve ka qenë kusht i domosdoshëm për ta folur drejt totalitarishten.

Çka do të thotë se “gramatika” e ligjërimit totalitar është një gramatikë e klisheve.

Ka megjithatë diçka thellësisht demokratike, te mënyra si motorët e kërkimit e përdorin statistikën, për të krijuar iluzionin se po e “kuptojnë” gjuhën; sepse klishetë e filtruara nga Google nuk janë veçse ato kombinime leksikore që kanë marrë më shumë vota (ose likes, nëse dëshironi) nga përdoruesit përndryshe anonimë.

Vendet e nderit mes këtyre do t’i zënë, pa dyshim, të ashtuquajtura meme, të cilat përhapen në ueb me rrugë virale.

Përndryshe, klishetë në epokën e Google-it funksionojnë si anti-proverba; sepse ndryshe nga këto të fundit, të cilat kanë efekt në atë masë që sjellin me vete autoritetin e traditës, klishetë sugjerohen thjesht në bazë të statistikës.

Në fakt, proverbi (fjala e urtë) sillet në ligjërim nga përdoruesi, por vetëm sa kohë që perceptohet, prej të tjerëve, si “citim”, ose si një copëz urtësie a mençurie, që e ka merituar të mbijetojë. Çka edhe nënkupton që gjuha në përdorim, cilado gjuhë natyrore, nuk synon gjë t’i ruajë kombinimet leksikore, ashtu siç ruan – bie fjala – strukturën fonologjike të fjalëve.

Që këto kombinime ruhen tani në arkivat e teksteve të shkruara, ky është efekt anësor krejt aksidental i shkrimit si teknologji; pa çka se u jep motorëve të kërkimit dhe, në përgjithësi, studimit bruto të databazave gjuhësore, arsye për të na shndërruar të gjithëve, si përdorues të gjuhës, në skllevër të produktit gjuhësor (Werk ose ergon, në terminologjinë e Humboldt-it).

Kjo do të thotë, mes të tjerash, se së shpejti – sooner rather than later dhe me bashkëfajësinë flagrante të teknologjisë – nuk do të mund të çlirohemi dot më nga trysnia ose forca induktive e çfarë është shkruar tashmë; dhe se e vetmja mënyrë për t’iu qasur gjuhës kreativisht do të jetë ironia.

Në një kuptim, edhe proverbi, fjala e urtë ose frazeologjia (p.sh. si kofini pas të vjeli, ose i bie maces me lugë) shprehin këtë trysni të produktit gjuhësor ndaj produksionit rishtas, edhe pse në nivelin e folur. Nuk është e rastit që këto fosile ligjërimore i ndesh më shpesh në të folurit e pleqve, të cilët nuk i çlirohen dot më dhe aq lehtë traditës ose kompetencës ligjëratore (diskursive) të grupit.

Klisheja, përkundrazi, e nxitur edhe nga mjedisi i komunikimit masiv, u përket të gjitha niveleve dhe formave të gjuhës dhe nuk sjell me vete urtësi as citon urtësinë e Tjetrit; por thjesht shënjon disiplinimin e folësit ndaj kanonit të momentit. Teknologjitë kompjuterike veç sa e sanksionojnë këtë prirje të papërballueshme për t’u konformuar, karakteristikë për shoqëritë që riprodhohen nëpërmjet ligjërimit publik.

Nuk ka komente

  1. Megjithate, algoritmet jane lehtesisht te zevendesueshme dhe te personalizueshme. Psh. aktualisht Google nuk lejon te personalizosh algoritmin statistikor qe perdor per sugjerimet. Por nuk ka asnje arsye teknike dhe tjetersoj qe kjo mos te jete e mundur. Personalizimi i algoritmeve mund te shkoje deri ne atefare pike sa te lejohet ta nderrosh komplet algoritmin kundrejt nje tjetri ashtu sic mund te nderrosh tastieren ne nje telefon celular. Fare mire mund te nderrosh nje algoritem statistikor qe eshte i bazuar ne meme-s me nje algoritem gjenerativ qe krijon gjuhe te re dhe i permbahet disa rregullave te caktuara per te evituar te krijoje shume skarcitete.

    Le te imagjinojme nje skenar ku softwar-i i kerkimit lejon te personalizosh algoritmin e sugjerimeve. Le te themi 0.5% e perdoruesve dalin nga rrjeshti e fillojne perdorin nje algoritem gjenerativ dhe perdorin fraza nga ky algoritem. Nga ana tjeter 95.5 perqindeshi tjeter mund ti gjeje keto fraza krijuese e zbavitese dhe fillon e i perdor gjithnje e me shume deri sa ato fillojne e behen meme-s qe sugjerohen nga vete algoritmi mainstream statistikor. Ketu aftesia per te qene ne gjendje te zedhesh algoritmin eshte shume e rendesishme dhe aktualisht tejet e kufizuar mbase nga mungesa e shkollimit informatik.

    Ka nje perceptim jo dhe aq te bazuar qe makinat nuk jane krijuese dhe njerezit jane te paperballueshem pikerisht ne kete aspekt. Ne fakt krijimi eshte vendi ku makinat mund te dallojne. Dhe kjo per aresyen e thjeshte sepse kompjuterat kane ne arsenalin e mjeteve te tyre aftesi per paralelizem dhe rastesi (randomness) ne shkalle masive. Me vijne ndermend dy gjera te lidhura me kete nga perdorimi i fundit i Watson per te gjeneruar receta gatimesh. Se pari aftesia per te kombinuar ingrediente qe askujt nuk i bien ndermend qe ekzistojne e jo me ti perdorin dhe e dyta aftesia per te perdorur kombinime jokonvencionale ingredientesh te njohura te cilat nuk mund te perfytyrohen lehte nga njerezi nga limitet e natyrshme te tradites dhe kultures. Rastesia eshte e bardhe, nuk pyet per tradite apo kulture, pra mund te perdoret per krijim me diapazon me te gjere. Ja nje avantazh i madh ne krijim qe makinat kane apriori, pervec asaj tjetres qe jane jashtezakonisht te mire ne manipulim simbolesh. Ironikja eshte qe kompjuterat brenda jo shume kohe fare mire mund te jene te afta te marrin shume nga rolet intelektuale e krijuese ndersa nuk do te dine se si te shohin apo te kapin nje gote me uje qe kane perpara turinjve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin