MALE ME BARRË

Ky shkrim te Shekulli jepte të dhëna reth disa sugjerimeve për ndryshime në drejtshkrimin ekzistues të shqipes, prej Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.

Jam i bindur se të gjitha sugjerimet janë me vend, dhe të arsyetuara mirë; edhe pse për disa mund të gjenden lehtësisht kundërargumente. Gjithsesi, anëtarët e Këshillit janë profesionistë të padiskutueshëm të fushave të tyre dhe e dinë për çfarë flasin.

E megjithatë, duke lexuar edhe kritikën e Memushajt në krye të shkrimit, por në bazë edhe të disa konsideratave tona këtu në PTF që nuk kemi pse t’i rimarrim, të habit miopia e këtyre burrave të mençëm të shqipes.

Të cilët kanë muaj, në mos vite, që i rrahin këto çështje, krejtësisht irrelevante për fatet e shqipes publike, në momentin e tanishëm.

Këshilli Ndërakademik ka turp nga gjërat që ka qejf; ose, për ta thënë më seriozisht, ngurron t’i deklarojë qëllimet e veta, ose motivet e mirëfillta që e shtyjnë t’i qepet me kaq këmbëngulje drejtshkrimit të shqipes.

Pse u dashka shpenzuar kaq energji intelektuale, kulturore dhe sociale me reformën e drejtshkrimit në momentin e tanishëm?

Sikurse e cek edhe Memushaj në shkrimin e cituar, dhe sikurse e kemi thënë edhe ne këtu shpesh, reforma e drejtshkrimit nuk është problem gjuhësor, por problem social dhe kulturor; dhe këtë e provon – paradoksalisht – edhe konstatimi i tanishëm që ndryshimet e sugjeruara përligjen për bukuri, nga pikëpamja thjesht gjuhësore.

Promotorët e ndryshimeve të tilla, megjithatë, ndoshta duhej të kishin sqaruar, paraprakisht ose në udhë e sipër, nëse sugjerimet e tyre mëtojnë të zgjidhin vërtet ndonjë problem real të përdorimit të shqipes sot, dhe jo probleme thjesht teorike dhe formale të sistemit drejtshkrimor.

Më mirë akoma, para se të sugjeroheshin ndryshimet në drejtshkrim, duhej organizuar një studim i gjerë, sociolinguistik, anembanë hapësirës ku flitet dhe shkruhet sot shqipja, për të identifikuar ato zona të normës, ku përdoruesit ndeshin në vështirësitë më të mëdha me drejtshkrimin sot.

Gjasat janë që një studim i tillë hipotetik do t’i kish bindur anëtarët e nderuar të Këshillit Ndërakademik se sot ka urgjencë jo për reformë të drejtshkrimit, por për një fushatë serioze, kapilare dhe të përkushtuar për t’i bindur përdoruesit që të respektojnë rregullat drejtshkrimore dhe gramatikore të shqipes standard, dhe ashtu të mbrojë shqipen publike nga përpjekjet, ndonjëherë haptazi krahinore, për privatizim.

Ka një dallim parimor midis nevojës për të respektuar këtë apo atë rregull specifik, dhe nevojës tjetër, të një niveli më abstrakt, por shumë më kritike, për të respektuar një kod pak a shumë konvencional, por absolutisht të domosdoshëm, në komunikimin publik.

E para mund të vendoset në tryeza ndërakademike; por të dytën këto tryeza veç e konstatojnë dhe vënë alarmin, kur shohin se ka marrë të krisur e po shkërmoqet; pse përndryshe i takon shtetit, institucioneve arsimore e kulturore dhe shoqërisë civile që ta mirëmbajë.

Duke lexuar parashtresën e shkurtër të sugjerimeve për ndryshime, nuk pashë ndonjë lidhje midis ndreqjeve të propozuara në drejtshkrim dhe problemeve reale që ka sot shqipja publike; sepse ndryshimet janë thjesht teknike, ndërsa problemet reale kanë të bëjnë me marrëdhëniet shoqërore mes përdoruesve të gjuhës.

Vërtet, kalime si ky nga lajmëtarlajmtar e nga mjekësimjeksi, ose ky tjetri nga hasmhasëm mund të arsyetohen bindshëm; por çfarë efekti të përfillshëm mund të kenë stukime të tilla, në një kohë kur përdoruesit e shqipes, veçanërisht të brezave të rinj, janë duke humbur vetë disiplinën e brendshme gjuhësore, pse nuk po e ndiejnë më të vetvetishme shtysën për t’u shprehur në publik sipas rregullave që imponon qytetaria moderne?

Gjëja më e mirë, ose shërbimi më i vyer që mund t’i bëjë në këtë moment Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe gjuhës, kulturës, dhe shoqërisë shqiptare është të rishikojë përparësitë e veta dhe ta ndërpresë këtë përpjekje të kotë dhe të dëmshme për të suvatuar pallatin që po digjet.

Nuk ka komente

  1. Keshilli e degjoi thirrjen: eshte mbyllur ne nje hotel ne Sauk dhe po diskuton dhe ndoshta po merr vendime. Ramiu iku, dha doreheqjen nga grupi i punes, Instituti i Gjuhesise nuk ka marre pjese. Shume mire. Ra “ë” me nje vendim moteli.

  2. Ardi,

    ti ke shume te drejte kur thua se ketu ndertesa po digjet, ndersa nderakademiket qe ngjajne si te ardhur nga Ndervenasi, merren me suvane. Une kam pershtypjen se niveli i dijes se ketyre burrave qe mblidhen neper hotele periferike nuk e kapercen afshin romantik te atyre shqiptareve qe kerkonin ne fund te shek XIX qe ta identifikonin shqipen. Jemi ne fazen kur joshja nga perkatesia krahinore eshte bere nje ngulmues per t’u hakmarre me tjetrin qe eshte nga ana matane e lumit Shkumbin. Dhe ku ka vend me te begate se gjuha qe te identifikohesh se cili je.

    Te pershendes
    Ilir Yzeiri

    1. Iliri:<<>>

      Qellova te lexoj edhe dy intervista, te Jani Thomait dhe Seit Mansakut. Nuk eshte i paqellimshem dhe i pavlere prononcimi i tyre.

      C’ka ravijezohet nga informacioni i tyre eshte se si organ keshillues, Këshilli Ndërakademik, nepermjet grumbullimeve te tilla prej specialistesh gjuhe e te karakterit thjesht gjuhesor, nuk impon, po sugjeron cfare mund te shtohet e hiqet standartit, modifikohet si pasoje e ndryshimve social-kulturore ne Shqiperi(gjuha si fenomen social).

      E them jo thjesht si pershtypje personale, por “niveli dijes” se ketyre dy gjuhetareve deshmohet nepermjet punes se tyre mbi tridhjetvjecare si akademike kalibri(duke perfshire edhe fjalorin e 1980).

      Jane pikerisht keta te dy, qe kane dhene nje kontribut te matshem ne ngritjen e ngjizjen e standartit, e si te thuash jane “me te kompromentuarit” persa i perket ruajtjes apo konsolidimit te standartit. Prej tyre duhet te prisnim nje qendrim me “kal karroce”, te palevzshem nga istikami i standartit, ekstremiste, me te paarsyetueshem, sic bejne disa fanatike te standartit.

      Ne vitet shtetedhjete Jani Thomai(pavarsisht angazhimit te dikurshem politik) ka punuar si protégé i nje gjuhetari tjeter, Eqerem Cabejit.

      Kontributi i Seit Mansakut, nje njeri teper i kulturuar, si gjuhetar, ka hulumtuar nje tematike te larmishme aq sa do ta kishte zili gjithkush.

      Pavarsisht shqetesimit, ndertesa metaforike e gjuhes shqipe, nuk po digjet. Strukturat arkitektonike te saj te japin pershtypje se mungojne kurvaturat e nevojshme, rilievi i jashtem eshte “plain”, i rrafshet, pa variacione (pa te te hyra e te dala, pa ngritje e ulje), pa kthesa e surpriza te kendeshme arkitektonike.

      Duhet larguar formave gjeometrike baze, zymtesise te tullave standarte socialiste mund t’i hidhet nje shtrese e hareshme suvaje, dritaret e vogla ku hyn pak drite mund te zgjerohen, kubaturat brenda jane jo fort te gjera, zeri humbet e tulatet menjehere; nderteses mund t’i behet nje rikonstruksion ku te kete me shume drite e hapsira per te gjithe.

      1. Shkruan:

        Pavarsisht shqetesimit, ndertesa metaforike e gjuhes shqipe, nuk po digjet.

        E pasaktë. Unë i referohesha ndërtesës së standardit, që po digjet; jo asaj të shqipes. Gjuha shqipe nuk është ndërtesë, as e ka ndërtuar kush (madje ajo na ka ndërtuar ne, si shqiptarë). Standardi po – është krijim njerëzish, marrëveshje, konvencion; dhe mund të metaforizohet me një ndërtesë.

        Edhe ata burrat që janë mbledhur, nuk janë mbledhur të ligjërojnë për gjuhën shqipe, por për standardin. Le t’i mbajmë këto gjëra të ndara, të lutem; përndryshe kot që lodhemi me muhabete.

        Ilir Yzeiri që shkruan më lart, ka 30 vjet që jep mësim në universitete të ndryshme në Shqipëri; dhe është dëshmitari më i mirë i rrëgjimit të standardit, me gojë dhe me shkrim, në brezat që i vijnë dora-dorës. Më gëzon pjesëmarrja e tij në këtë debat, se i jep një ton dhe një vërtetësi tjetër.

        Edhe më, pa dashur ta shndërroj këtë koment në një ad hominem: Yzeiri është nga ata pak shqiptarë që e kanë jetuar Shqipërinë në lëkurë, duke e bredhur nga Veriu në Jug. Ndryshe nga disa të tjerë, që nuk shkulen dot nga mendësia lokale, Yzeiri është shqiptar D.O.C.; së bashku me fëmijët e martesave të përziera, Veri-Jug; dhe – unë do të shtoja – të gjithë ata që kanë lindur dhe janë rritur në Tiranë pavarësisht nga prejardhja e familjeve; të cilëve botëkuptimi nuk u kushtëzohet nga ndarjet etnografike ose gjeografike.

  3. Xha xha, u shpreha pasaktesisht si ndertesa e gjuhes shqipes, duhet te shkruaja ndertesa e standartit te gjuhes shqipe. Por, gjithshka qe shkruaja me lart fliste per standartin dhe jo per gjuhen shqipe qe eshte gjithperfshirese, shtepia e qenies tone, dhe qe i kapercen kornizat, sinoret e kufizimet e standartit.

    Ne komentet e mia, une nuk merrem me personat qe shkruajne, por me ate cfare shkruajne. Nuk i isha drejtuar I. Yzeirit (qe ndoshta e kam lexuar si autor shkrimesh, e nuk kam njohjen me te vogel pertej kesaj rrethane) si person, por shkruajta rreth komentit te tij.

    Njohja e shqipes nga ana ime, shkon pertej normes se standartit, sepse ne ambjentet ku kam lindur e jam rritur ne Tirane, ne Jug dhe Veri, kam pire ne dy sisa guhesore: te toskerise dhe gegerise. Jam produkt i nje martese gjuhesore te tille.

    I njoh mentalitetet gjuhesore e kulturore pertej te dy kraheve te Shkumbinit duke ruajtur nje balance te shkelqyer brenda vetes.

    Njerez si une jane me fat, sepse jane dyfish te pasur, shtepia jone gjuhesore eshte me e madhe, duke perdorur nje shprehjen tenden shtepia jone gjuhesore eshte “nje saraje (e vertete) e shqipes”.

  4. Desha te shtoja dicka, nje analogji nga anglishtja, qe mendoj se ndihmon sadopak te behet dallimin midis standartit dhe gjuhes shqipe ne teresi.

    Ne anglisht midis fjaleve “home” dhe “house”, ne dukje kuptohet e njejta gje(ka te njejtin afrim kuptimor si objekt), por ne te vertete ka dallime thelbesore ne menyren se si perdoren e cfare nenkuptojne te dy fjalet.

    Home eshte nje vend ku dikush jeton(njekohesisht mund te jete nje house -shtepi, ndertese, ngrehine). Por “home” per dike mund te jete edhe nje shpelle, nje fole, nje barke, nje cader, ca kuti kartonash, nje makine, etj.

    Pra, shtepia e konceptuar si “home”, pavarsisht nga forma apo permbajtja qe ka, mbetet me teper dicka jomateriale, jofizike, eshte nje vend qe ndjehesh teresisht e qenesisht rehat, konfort, krejtesisht i familjarizuar si ne nje territor shpirteror eskluzivisht tendi, etj.

    House eshte nje ndertese, ngrehine, e konceptuar me shume si objekt fizik ne strukture, ndoshta me funksione te organizuara mire, pra mund te kete konvencionet e domosdoshme si dhome gjumi, dhome ndenjtje, kuzhine, banjo, ballkon, etj.

    Kur permenda qe “gjuha shqipe” ne teresine e saj “eshte shtepia e qenies” e shqiptareve, shprehja duhet kuptuar sic kuptohet ne anglisht fjala “home”.

    Nderkaq standarti per shumicen e shqiptareve mbetet akoma nje ndertese, ngrehine e mirestrukturuar, konvencionale, por jo e rehateshme dhe familjare, pra duhet kuptuar sic kuptohet ne anglisht, si nje lloj “house”.

    Standarti fatkeqesisht nuk u be kurre “home” e shumices se shqiptareve, por mbeti ne kufijte e nje “house”.

    1. Read Me,
      Qe shqipja nuk eshte shtepia jote dhe nuk ndihesh rehat ne te, kjo kuptohet nga menyra sesi e shkruan ate. Por per kete nuk ta ka fajin standardi. Edhe po te nderroje standardi, ti po ashtu do ta shkruash. Fajin duhet ta kerkosh te vetja.

        1. Read Me, ti, sikurse edhe shume shqiptare te tjere, shqipen e shkruan gjithe gabime drejtshkrimore, çka tregon pikerisht se ky standard nuk eshte shtepia jote.
          Jam i bindur se, fjala vjen, frengjishten apo anglishten ti e shkruan pa gabime, sikurse jam i bindur se sikur te te shpetonte ndonje gabim drejtshkrimor ne frengjishte apo anglishte, do te ndiheshe keq, ne faj, i turperuar, nderkohe qe kur shkruan shqip as qe e çan kryet fare per rregulla drejtshkrimore a gramatikore.
          Te me kuptosh drejt, ketu nuk eshte fjala vetem per ty, por per pjesen derrmuese te intelektualeve shqiptare qe shkruajne ne kete menyre.
          Lexova se fundi nje artikull te shkruar nga nje prej anetareve te keshillit nderakademik, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, ku autori shtjellonte qendrimin e tij ndaj nderhyrjeve ne drejtshkrim. Me shume se ato çka thoshte Rrokaj me bene pershtypje gabimet e shumta drejtshkrimore dhe gramatikore te atij artikulli. E pra une Shezaiun e njoh dhe e di se frengjishten e shkruan ne menyre te persosur, pa asnje gabim drejtshkrimor.
          Ti vertet mendon se po te pranohen ndryshimet e propozuara, ti, Shezaiu dhe te tjeret do te filloni te shkruani drejt e pa gabime? Vertet mendon se fajin jua ka standardi?

          1. Relapso, më duhet të pranoj se bëj gabime ortografike, por që në rastin tim specifik janë më shumë të karakterit të një disleksie të lehtë në të shkruar.:) Askush nuk është i përkryer. E pranoj që Xhaxhait i takon të luajë edhe korrektorin ortografik, kur poston shkrimet e mija, e këtë e bën me shumë dashamirësi e unë i jam po aq mirënjohës.

            Por më duket pak e ekzagjeruar kur thua “qe shkruaj gjithë gabime drejtshkrimore”. Ngjan sikur flet nga ana tjetër e barrikades gjuhësore, e perfeksionit ortografik, duke e ekzagjeruar edhe une pak, ngjan sikur vjen “nga ana tjetër e padukshme e Hënës”. Nuk e di se si e ku shikon kaq shumë gabime drejshkrimore xhanëm?!

            Pyetjet që më drejton, mendoj se nuk lidhen me përmirsimin e të shkruarit tim apo me “pjesën de(r)rmuese të intelektualëve shqiptarë që shkruajnë” me shumë gabime si edhe unë.

            Më duket se nuk duhet t’i pergjigjem kësaj pyetje. Por konstatimi tënd po më bën që të mendoj e pyes: kjo mangësi kaq e perhapur si mund të klasifikohet?

            Neglizhencë, moskokëçarje, paaftësi, refuzim, pasiguri, revoltë, mungesë respekti, dyshim, kompleks psikologjik, lokalizëm…karshi ndërtesës të drejtshkrimit të shqipes ?

  5. Nuk shërohet dot dhimbja në gjoks e as na e ktheni dot ekuilibrin dhe shushatjen me retorikë cinike dhe metafora ideologjike. Shqipëria është gërmadhë moralisht, shpirtërisht, intelktualisht, politikisht. Kemi pasur përherë shpresën se njohim së paku gjuhën për të adresuar dramën tonë kombëtare përherë në prag të kapërcimit të zhanreve, ajo gjuhë ashtu siç e dimë se vepron dhe funksionon më mirë siç e kemi njohur dhe dashur dhe nderuar, që është shenjuesi dhe i shenjuari e diturisë dhe kritikës së pakët që ka ngelur, ajo gjuhë që gjejmë në këtë blog dhe na ngushëllon. Gjuha e Vehbiut, Devoles, Hatibit, Lubonjës, Klosit, Tufës bile dhe e juaja zotëri “read me”…është e vetmja gjë që akoma është Shqipëri, ajo Shqipëria ideale e përfytyrimit, e zemrës, e qenies që jemi dhe na jep fuqi të ecim dhe të marrim frymë. Vërtetë, unë e di, unë nuk kam asnjë argument këtu. Por nuk më duket se po pret dikush për ndonjë argument e as nuk dua të spekuloj për motive, mendësi dhe qëndrime. E duke mos patur fare turp për patetikën e ashiqartë me të cilën do mvishem, e them me zi e vaki në shpirt, mos na lini pa atdhe, ju lutem kini mëshirë. Kini të paktën mëshirë!

  6. Unë prisja që në Kosovë, sidomos pas largimit të pushtetit serb, të fillonte një fushatë nën drejtimin e specialistëve për pastrimin e gjuhës nga ndikimet e forta serbe (lidhoret e tipit të bën, pësoret vetëm me foljen jam etj. etj.) e ngjashme me atë që u bë në periudhën e Rilindjes. Të gjithëve na kujtohen shkrimet dhe përkthimet që bëheshin dikur në Kosovë dhe që nuk i kuptonim, sepse shpesh ishin kalkime të frazave serbe. Jam e sigurt që popullsia do të angazhohej me entuziazëm në këtë ndërmarrje.

    Por në vend të kësaj, ndoshta të frymëzuar dhe pa dyshim të mbështetur nga shumë kolegë në vendin amë, filloi puna për ndryshimin e standardit.

    Termi “maqedonisht” përdoret prej vitit 1943. Më përpara maqedonishtja ishte nje dialekt i bullgarishtes. Termi “bosniakisht” është përdorur zyrtarisht për herë të parë në vitin 1908 me rastin e botimit të “Die Grammatik der bosnischen Sprache” pas aneksimit të Bosnjës nga Austro-Hungaria.

    Raporti i individit me standardin varet nga individi, konkretisht nga gatishmëria e tij për ta pranuar. Nëse ai nuk do dhe nuk i pëlqen standardi, atëhere nuk e zbaton atë. Në sisteme totalitare ky raport imponohet nga sistemi në fuqi në favor të standardit. Sigurisht, standardi nuk mund të imponohet në të gjitha nivelet gjuhësore. Imponimi i standardit bëhet jo vetëm për nevoja sociale.

    Shkurt, standardi nuk është dashnor që mundohet të të joshë e të të bëjë për vete me hiret ose mashtrimet e tij.

  7. Meqenese keto vendime nuk mund te jene te formes se prere, por paskan vlere keshilluese, lind pyetja, kush mund t’i beje ekzekutive? Cili eshte ai organ apo institucion qe do t’i sanksionoje ato?
    E kush na siguron se shqiptaret e pakenaqur nga drejtshkrimi aktual do te kenaqen me keto ndryshime?

    Me keto propozime jo vetem qe nuk zgjidhet problemi i mangesive te theksuara ne kulturen gjuhesore te shqiptareve, por ushqehet anarkia dhe konfuzioni.
    Personalisht jam shume i zhgenjyer nga disa nga ata burra te mençur, te cileve perndryshe ua njoh dhe ua çmoj vepren. Kjo ‘kenge mjellme’ per shume syresh mua me tingellon si krokasje sorrash.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin