Koha.net dhe MAPO Online kanë botuar ekzaktësisht të njëjtin lajm, me të njëjtin titull, për tubimin albanologjik të Buçimasit, Pogradec, në të cilin vihet prof. Bardhyl Demiraj të thotë: Larg debatit vulgar mbi standardin!
Edhe një instancë tjetër e përtacisë, inkompetencës dhe mungesës së seriozitetit që ka kapluar sot mediat.
Në fakt, sikurse mund ta konfirmojë çdo lexues i blogut tonë, Demiraj, duke përshkruar synimet e këtij tubimi, ka thënë pikërisht:
Larg vatrave të debatit të sotëm publik mbi Standardin, i cili ka kapluar ndërkohë me vulgaritetet e rastit deri instancat më të larta të jetës intelektuale në trojet shqiptare, në këtë tubim debati albanologjik përvijon ballafaqimin e koncepteve tradicionale me ato moderne mbi gjuhën, kulturën dhe historinë e shqiptarëve.
Duke e kërkuar largësinë me “vatrat e debatit të sotëm publik mbi Standardin” dhe gjithnjë në ballafaqim me çfarë duhet të jetë dhe meriton të jetë debati i sotëm albanologjik anembanë botës. Këtë tekst MAPO-ja deri e ka cituar edhe në nëntitull, duke përgënjeshtruar flakë-për-flakë titullin e vet.
Është e mjerueshme, për të mos thënë më tepër, që një event si ky i Buçimasit të përcillet me kaq amatorizëm dhe shkujdesje.
I ideuar dhe i drejtuar nga prof. Demiraj me dinjitet dhe mjeshtëri të admirueshme – aq sa e bëri ndonjë nga të pranishmit, me përvojë dhjetëravjeçare ngjarjesh të tilla, të më pohonte mua që ky mund të kish qenë më i miri tubim albanologjik ku kish marrë ndonjëherë pjesë – eventi në fjalë mblodhi rreth një tryeze, për dy ditë me radhë, studiues të albanologjisë nga e gjithë bota, për të paraqitur rezultate të punëve të tyre, debatuar dhe biseduar së bashku. E konsideroj veten fatlum, që isha edhe unë pjesë aktive e kësaj ngjarjeje.
Ku edhe u fol, natyrisht, për standardin: unë isha një prej atyre që folën, madje duke e vënë fjalën “standard” edhe në titullin e materialit që lexova. U përpoqa, me sa munda, që ta mbaja kumtesën në nivelin që kërkohet prej tubimeve të tilla elitare, ku pjesëmarrësit i vë në lëvizje etja për të vërtetën, dashuria për kulturën dhe kurioziteti, jo zelli identitar dhe rreshtimet politike; pra ato vulgaritete të cilave u referohej Demiraj.
Këtë duhej të kishin përcjellë mediat – dhe pikërisht, që tubimi në Buçimas ishte një nga ato pak raste ku shqiptarë dhe të huaj ulen për të folur së bashku dhe debatuar për dijen; dhe jo ku shqiptarët mburren ose gënjejnë dhe të huajt japin mësime ose disiplinojnë, siç ndodh rëndom gjetiu, në mjediset tona publike, mu nën hundën e mediave të gjithëpranishme me mikrofonë, kamera dhe sigla, përveçse atje ku duhej vërtet të kishin bërë detyrën profesionale.
Por që ta bënin këtë, duhej të kishin hequr ndonjë nga dhjetëra e dhjetëra gazetarët që vënë në ndjekje të politikanëve, qeveritarëve e ministrave, e që vrapojnë me mikrofonë e kamera për t’i ndjekur këta në shkallët e kur futen në makina; pa përmendur pastaj ata të tjerët që angazhohen në punën fisnike të kopjimit çfarë thotë njëri ose tjetri personalitet publik në Facebook; dhe ata të tjerët që vrasin mendjen t’u vënë tituj sa bombastikë aq edhe manipulues dhe të pasinqertë materialeve të kopjuara.
Ta kishin larguar, pra, ndonjë prej gazetarëve prej oborrit mesjetar të politikës në Shqipëri e në Kosovë, për ta dërguar në Buçimas, për të dëgjuar se çfarë u tha aty – dhe çfarë nuk u tha; dhe për të takuar studiuesit, shqiptarë dhe të huaj – madje mes këtyre të fundit edhe ata që e marrin fjalën në podium për të folur shqip.
Për t’i takuar këta njerëz, për t’i intervistuar, për t’i filmuar në punë e sipër, për të marrë vesh se çfarë i ka bërë të apasionohen pas gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare; dhe për të kuptuar dhe bërë të tyren frymën e eventit.
Asgjë e tillë në raportet e tanishme, natyrisht. Madje këto raporte, deri edhe temën e kumtesës së prof. Altimarit e japin gabim – duke iu referuar programit të shpërndarë paraprakisht, dhe jo asaj çfarë ndodhi realisht në konferencë, ku Altimari vendosi të flasë për një temë tjetër: a thua se është fjala për ndonjë informacion “të rrjedhur” në Wikileaks; dhe, më tej akoma, përshkrimin e temave të rrahura në konferencë e ndalin përgjysmë te prurja e prof. Xhevat Lloshit, për trajtimin e huazimeve të shqipes nga turqishtja, prej Kristoforidhit.
Kushedi do t’u kenë rënë nga dora dhe humbur faqet e tjera të programit, nga ku i kanë kopjuar këto informacione!
Ka qenë një kohë, kur ngjarjet albanologjike kapnin faqet e para të gazetave. Askush nuk uron që ajo kohë të kthehet, pse vëmendja ndaj albanologjisë atëherë ishte politikisht e motivuar dhe e pilotuar; dhe vetë albanologjia mendohej, prej atyre në pushtet, si një lloj alltije e kombëtarizmit shqip.
Megjithatë, të gjithë jemi të vetëdijshëm se ç’vend qendror zënë argumentet (pseudo)albanologjike në mediat sot – sidomos ato me temë historike-diakronike, marrëdhëniet tona me popuj dhe gjuhë të tjera, formimi i identitetit kombëtar, dhe më së fundi edhe vetë mënyra si u qasemi problematikave të shqipes, në nivelin e debatit publik.
Ua, çfarë idiotësie! Këta nuk dijnë as të kopjojnë.. as të kuptojnë tekstin!
Dmth detyra e gazetarit është vetëm që të kopjojnë tekstin, sipas jush? Po atëherë për çfarë na duhet raportimi i gazetarit, kur fare mirë kemi ju që e merrni dijen dhe lajmin llokum tek mendja juaj jo-idiote? Pra, cila detyrë i mbetet këtij idiot-gazetarit.. vetëm të kopjuarit e tekstit?
Sepse, ndryshe nga llafet që ka shkruar xhaxhai më sipër, me informacionet e gjendjshme në rrjet, nuk shikoj asnjë gjë të “[…]mjerueshme, […]që një event si ky i Buçimasit të përcillet me kaq amatorizëm dhe shkujdesje.”.
Madje edhe ajo që ngre xha xhai në hyrje, është një kinse-kritikë, meqë çka raporton gazetari, kushdo qoftë, qëndron.
Të thuash se,(parafrazim) tubimi qëndron apo kërkon të qëndrojë larg vatrave të debatit të sotëm publik…i cili debat ka kapluar me vulgaritetet e rastit, do të thotë jo më pak se:,tubimi kërkon të qëndrojë larg debatit (mbi standardin), që është edhe vulgar, pse jo vetëm vulgar…
Pra duke thënë ashtu, ke thënë pikërisht çfarë ka shkruar gazetari, mendoj.
Meqenëse edhe ti e ke marrë informacionin nga mediat, po lejohem të të konsideroj thjesht viktimë të keq-informimit – meqë sa thua më lart nuk lidhet fare me problemin që trajtoj unë. Sikur tubimin ta kish përcjellë edhe një gazetar profesionist, jam i sigurt se nuk do të kishe reaguar kështu, meqë do të ishe në gjendje ta bëje krahasimin.
Mjaft të kujtoj që në mediat raportohet sikur prof. Altimari ka folur për mbishkrimet e këmbanave etj.; por kjo thjesht nuk është e vërtetë: mediat e kopjuan informacionin nga programi, por në fakt Altimari ndërroi mendje dhe foli për gjë tjetër. Pyetja ime: pse ta merrnin këtë të dhënë nga programi, kur mund të kishin dërguar një gazetar, qoftë edhe një student, në takim? Në FB, Hans-Joachim Lanksch njoftonte se një media në Kosovë njoftonte sikur tubimi ishte bërë në Mynih!
Dhe një sqarim: sa më lart, nuk ka fare lidhje me gjëra që kam thënë unë (dhe aq më pak me “llafe”, sepse llafet i bën ti nga galeria – unë, për mirë apo për keq, kam qenë mu në zemër të ngjarjeve); gjithsesi unë kisha sjellë në Peizazhet verbatim një material të prof. Demirajt. Do ta kisha tentuar me dëshirë një synopsis të takimit për kuriozët periferikë si puna jote, por nuk më doli koha. Mend për herë tjetër.
Nuk ka fare rëndësi nga e kam marrë unë informacionin, i nderuar zotëri i mendimit unik qëndror – si kundërpozicion me “kuriozët periferikë”.
Unë jam marr me atë që ke shkruar ti në paragrafët e parë, ku me fjalët e tua Peizazh-livadhitëse, tenton të na thuash se, meqë këta gazetarët kanë ekstrapoluar thelpin e një “paragrafi” të fjalimit të Demirajt atëhere qenkan “amatorë” – edhe pse funksioni i titullit ai është… (apo do nxjerrim një qarkore, gjithnjë qëndore, ku të ndalojmë titujt e shkurtër? …Që dihet botërisht se janë shkurtues, e kështu deformues, që dmth çfarë deshëm vërtetuam: titujt janë deformues!)
E përsëris, titulli i MAPOs më duket korrekt. Kaq; me këtë ka të bëjë ndërhyrja ime – e cila shpresoj të mos futet në qitapët e Peizazheve ku regjistrohen komentet, pra impulset e “kuriozëve periferikë”, me përmbajtje negative…
Po largohem tani, me nderime natyrisht, meqë më vjen erë fakti se ky komenti mësipërm është një skelet i tjetërsuar i atij të lënë mbrëm vonë (ora europiane). Mua më pëlqen më shumë ai i djeshmi.
Dhe, të lutem vi re, unë nuk ta hodha shkrimin poshtë, por të shkruajta mbi një fragment të caktuar. Por ty vazhdojnë të të pëlqejnë më shumë, ose të paktën nuk të shqetësojnë edhe aq, ata që gërthasin “idiotët”, me këtë rast duke krijuar një kope të re gërthitësish; kope që prej natyre zëvendëson atë të vjetrën, cilado qoftë kjo…
Te krahasojme per nje moment vemendjen mediatike kushtuar aktivitetit te organizates RIAS (Rinia per Integrim, Aktivizim, dhe Sensibilizim) per “Mbrojtjen e dialekteve të gjuhës shqipe në epokën e globalizmit” organizuar me mbeshtetjen e Ministrise se Kultures. Edhe pse ky aktivitet ka perfshire disa gjuhetare, kjo nisme nuk ka aspak profilin e konferences ne Bucimas. Nuk mund te flas per nivelin e gazetarise qe e paraqiti nismen e RIAS (per kuriozitet mund te lexoni kete reflektim mbi shkrimin e Alda Bardhylit) por ka patur te pakten 6-8 prezantime ne shtypin e shkruar dhe ate televiziv, pa llogaritur paraqitjen gjate edicioneve te lajmeve. Nje pjese e mire e vemendjes erdhi si rezultat i nje deklarate te Kolec Topallit qe u mundesua vetem nga fakti qe ne kete aktivitet pati gazetare qe te percillnin tek publiku cka u tha aty ne rradhe te pare. Mbase po te kishte ftuar te rinj pa pike kompetence dhe Bardh Demiraj ne konferencen e tij do te kishim pasur dhe vemendjen e mediave.
Gjithashtu, ministria e Kultures, e cila ka nje drejtori per Kulturen Jomateriale dhe Rijetezimin e Gjuhes Shqipe, duket se interesohet vec per ato aktivitete ku ka dhene mbeshtetje financiare dhe si rrjedhoje gazetaret po ate parim ndjekin. Per te krahasuar gjithashtu deklaratat vleresuese per potencialin e artisteve per te sherbyer si ambasadore te imazhit te shqiperise me lenien ne hije te akademikeve qe vetvetiu luajne po ate rol.
Problemi se si përcillen lajmet nga mediat shqiptare është i vjetër. Madje e kemi trajtuar sa e sa herë në blog. Ajo çka më shqetëson më shumë është kjo lloj skizofrenie në vëmendjen e mediave. Sepse nuk mund të themi se mediat nuk u kushtojnë vëmendje çështjeve të gjuhës shqipe e/o të identitetit. Problemi është se kjo vëmendje është gati e sëmurë. Gazetat rendin me vrap ndaj çdo lajmi apo studimi sensacional pseudoalbanologjik, ndërkohë që përtojnë ta dërgojnë një stazhist të ri për të ndjekur punimet e konferencës së Buçimasit. Më bën pak të dyshoj ky vrap i palodhur i mediave për të kapur çdo mufkë që del sa andej këndej, ndërsa kur bëhet fjalë për diçka serioze nuk begenisin as ta ngrenë telefonin. Ta bënin të paktën për par condicio. Por me sa duket po pretendojmë pak si shumë.
Ja dhe reagimi post-modern ndaj protestës sime: gazeta “Shqip” merr fjalët e prof. Bardh Demirajt, të cituara ekzaktësisht si të tilla këtu në blog, dhe i vë në gojën time:
Xha Xha, mos u merzit, se nuk je as i pari as i fundit qe bie viktime e citimeve te gabuara 🙂
Te pelqen ty apo jo, e ke thene, sepse e ka shkruar gazeta 🙂
Historia eshte e mbushur me pohime te paqena qe transmetohen goje me goje, citim pas citimi derisa nguliten dhe askush nuk i pergenjeshtron dot me. Shembuj ka me dhjetera, por po mjaftohem me nje qe lexova kohet e fundit ne shtyp:
Te gjithe kemi mesuar ne shkolle se Bismarku ne Kongresin e Berlinit ne vitin 1878 paskesh deklaruar se “Shqiperia eshte vetem nje shprehje gjeografike”. Ne fakt Bismarku nuk e ka thene kurre nje gje te tille.
Shume vite me pas, gjate konferences se Ambasadoreve ne Londer ne 1913 ishte serbi Gjorgjeviç i cili ne nje artikull banal gazete ia vuri ne goje keto fjale Bismarkut, qe nuk mund t’i pergenjeshtronte sepse nderkohe kishte vdekur. E nga ai artikull, citim pas citimi, kjo genjeshter mori dhene aq sa e gjen edhe sot neper tekste dhe monografi historike, fjalore enciklopedike etj.
Më lajmëron tani një kolege që e kish lexuar shkrimin e lartcituar në MAPO për një gafë të klasit të parë, që u ka shpëtuar atyre që kanë hartuar lajmin:
Këtu kanë ngatërruar kumtesën e Mandala-it arbëresh me atë të Steinke-s sllavist. Megjithëse, hiq emrat e autorëve, teksti i cituar mbetet “korrekt”.
Nje shembull tjeter i percjelljes se lajmit nga disa periodike si Mapo, Express, Zeri dhe Standard. Fakti qe kater periodike(duke lene jashte respublika.al) te ndryshem i kushtojne vemendje nje konference gjuhesore mund te kete shume shkaqe.
Linku: http://grid.al/read/news/158309108/7664130/gjuhetaret-rezolute-per-gegnishten-te-integrohet-zyrtarisht-ne-shqipe
Pak a shume, nje rol kane edhe vete organizuesit qe promovojne axhenden e tyre dhe mundet qe te furnizojne gazetaret apo gazetat me nje prospekt te shkurter cilesor te evenimentit ne fjale. Rasti ne fjale, konferenca e mbajtur ne Elbasan, “Gegenishtja sot dhe elbasanishtja”, mu duk me interes se lidhet me diskutimet tona te shpeshta rreth standardit ne raport me situaten gjuhesore ne Shqiperi, vecanerisht me gegerishten.
Cfare vura re qe mungonte ne kete rast, ishte nje liste perfaqesuese me emrat e pjesmarresve kryesore dhe tematiken e diskutimit(Morën pjesë studiues, filologë, pedagogë, njerëz të letërsisë dhe gjuhësisë, mësues dhe studentë, dashamirës të gjuhës e letërsisë shqipe, si dhe specialistë të disiplinave sociolinguistike, të cilët dhanë kontribut me kumtesa dhe diskutime, raporton Mapo).
Por disa fjale e fjali kyce te permendura ne njoftimin e periodikeve me bene pershtypje dhe mund t’i sherbejne diskutimeve tona:
….“shpëtimit” të gegnishtes, të mirëmbajtjes dhe të mbrojtjes së saj si kryedialekt konstitutiv i shqipes, që mbart një letërsi të pandërprerë prej rreth 500-600 vjetësh e që deri në ditët e sotme jep një produkt serioz me vlera të spikatura.
….duhet të trajtojnë më me kujdes ekuilibrat e brendshëm të gjuhës që kanë të bëjnë me shprehësinë, me ruajtjen e traditës, me imunitetin ndaj agresionit të barbarizmave, si dhe me promovimin e sa më shumë stileve të ligjërimit letrar dhe jo vetëm.
….të bëhen studime, sipas udhëzimeve shumë serioze të Çabejt, për studimin e gegërishten me perspektivën e përafrimit të dy kryedialekteve tona në një shtrat të përbashkët jopreskriptiv, por evolutiv.
….shprehu shqetësimin për fatin e papërcaktuar të gegërishtes si pjesë e madhe konstitutive e gjuhës shqipe, që flitet prej rreth katër milionë shqiptarësh dhe shkruhet prej një grupi përherë në rritje letrarësh cilësorë.
Qoftë për shkak të parimit fonetik të toskërishtes që u vu në bazë të standardit, qoftë për zhvillim të paparashikueshëm të një prirjeje autotelike të vetëmjaftueshmërisë, gegërishtja e famshme e boshtit vertikal dhe horizontal të kulturës mbarëshqiptare, e të folurit dhe e shkrimit letrar u “dëbua” faktikisht nga gostia gjuhësore e shqiptarëve. Për arsye që gjenden në instinktet e së shkuarës moniste, gegnishtja u rrëzua në prestigj dhe ajo iu lëshua një fati të papërcaktuar.
Një pjesë e madhe e debatit të ndezur kohët e fundit lidhet me faktin se disa gjuhëtarë të shkollës gjuhësore preskriptiviste të Tiranës e kanë kuptuar se standardi nuk mund të zhvillohet në asnjë drejtim tjetër përveç se atij të gegërishtes, me format e saj të reduktuara sociolinguistikisht ekonomike si dhe me morinë e nuancave që i mungojnë motrës së tij të vogël, toskërishtes
Edhe unë e pashë këtë lajm dhe u habita që nuk përmendej asnjë emër nga pjesëmarrësit: çfarë është fshehur kështu?
Ndoshta pikërisht autori i një pohimi si:
I cili më tingëllon idiotik në kuptimin më të mirë të fjalës. Por le të mos e bëjmë këtu këtë debat, qoftë edhe vetëm për hir të temës së shkrimit kryesor. Read Me, ti fare mirë mund të përgatitësh një shkrim më vete dhe atje e vazhdojmë muhabetin.
Artikulli dhe sidomos rezoluta e asaj biçim konference ishte aq kot sa per mendimin tim nuk ia vlen fare te diskutohet as ketu ne blog. Me mire te mos diskutohet fare, sepse perndryshe veshtire t’i shpetohet atij vulgariteti per te cilin fliste B. Demiraj.
Dakord me 2xha dhe Relapso-n; te mos e bejme ketu kete debat apo diskutim.