GJUHË DHE KULTURË NË POGRADEC

Tubimi i 5-të Kulturor-Shkencor Shqiptaro-Gjerman me temë „Gjuhë dhe kulturë e shqiptarëve në dimensionet kohë dhe hapësirë“ ka filluar tashmë, në mjediset e ambientet e Nehemiah Gateway University (Buçimas/Pogradec). Më poshtë po përcjell një ekspoze të shkurtër të punimit, të përgatitur nga Prof. Dr. Bardhyl Demiraj (Ludwig-maximilians-Universität, Munih/RFGJ).

Më dt. 5 qershor hapi siparet e tij me një ceremoni zyrtare Tubimi i 5-të Kulturor-Shkencor Shqiptaro-Gjerman. Është ky një aktivitet albanologjik me konture ndërkombëtare, që e organizon në një ritëm trevjeçar Dega e Albanologjisë pranë Universitetit elitar Ludwig-Maximilian të Munihut në bashkëpunim dhe për të dytën herë radhazi në bashkëpunim me fondacionin Nehemiah Gateway dhe me shoqatën International Network of Albanology (Potsdam/RFGJ).

posterNdryshe nga katër tubimet e mëparshme këtë herë u përzgjodhën ambientet e Nehemiah Gateway University (Buçimas/Pogradec), i njohur ndërkohë jo vetëm për programin cilësor universitar, por dhe për infrastrukturën teknike të patëmetë, sikurse edhe mundësitë optimale të akomodimit. Në tubim marrin pjesë aktive me ligjërata shkencore 32 studiues albanologë, sllavistë, grecistë, romanistë, indoeuropianistë e arkeologë nga 27 qendra të ndryshme universitare e shkencore të shpërndara në 10 vende të Europës dhe SHBA-ve.

Duke qenë pjesë e një tradite të konsoliduar tashmë si rrjedhë e zakonshme në programin shkencor-universitar të kësaj dege, ky tubim, siç përcjell vetë emërtimi i tij, syzon të shestojë në debatin shkencor albanologjik perspektiva të reja në studimin e faktorëve themelorë, qofshin këta historikë apo bashkëkohorë, të cilët formëzojnë së bashku matriksin e kulturës etnike të popullit shqiptar. Larg vatrave të debatit të sotëm publik mbi Standardin, i cili ka kapluar ndërkohë me vulgaritetet e rastit deri instancat më të larta të jetës intelektuale në trojet shqiptare, në këtë tubim debati albanologjik përvijon ballafaqimin i koncepteve tradicionale me ato moderne mbi gjuhën, kulturën dhe historinë e shqiptarëve.

Tubimi synon të përcjellë në debat bash këtë përvojë të fituar me kohë e të thelluar ndërkohë në fushat e gjuhësisë, filologjisë, etnologjisë dhe historisë së popullit shqiptar, sikurse edhe të arkeologjisë në trevat e Ballkanit Perëndimor, ku këto koncepte qarkullojnë e kryqëzohen shpesh e që me to mund të përsiaten pas gjase kategori të ndryshme. Në këtë mënyrë synohet të trajtohen në tubim edhe çështje me karakter ndërdisiplinor në hulumtimin historik e bashkëkohor, të cilët në kohën tonë mëngojnë me vënë theksin gjithnjë e më shumë në (ri)dimensionimin e të ashtuquajturit “faktor nacional”, duke kërkuar kështu perspektiva të reja dhe premisa metodologjike të përbashkëta në kërkimin albanologjik në plan kombëtar dhe ndërkombëtar.

Për një atmosferë të këndshme në ambientet, ku do të zhvillohet tubimi, premton  ekspozita grafike “Via Egnatia” si pjesë e një projekti afatgjatë të drejtuar nga prof. dr. Mario de Matteis (Uni Bochum / Uni Elbasan), sikurse edhe prezantimi i programit universitar të Albanologjisë në Universitetin elitar të Munihut nga studentët e kësaj dege.

[Programin e tubimit mund ta shihni këtu.]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin