Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shkencë

NJË PARADOKS PËR EKSPERTËT

Një mik që takova këto ditë, më përmendi librin tim Kundër purizmit, botuar në 2012, dhe pastaj shtoi se kot isha shqetësuar aq shumë atëherë, meqë zhurma për zëvendësimin e toponimeve dhe tundimet e tjera populiste, me të cilat polemizoja unë në libër, nuk po vepronin më, ose ishin shuar si flakë kashte.

I thashë se ndoshta edhe libri im kishte luajtur rolin e vet, për të shmangur pasojat negative të atyre tundimeve dhe politikave përkatëse; aq më tepër që disa teza dhe shtjellime të librit kisha pasur rast t’i botoja edhe në blog dhe pastaj në mediat, dhe ashtu ishin bërë të njohura për opinionin publik.

Më vështroi pak me qesëndi, kushedi iu duka megaloman, ose kujtoi se e kisha shkelur cakun që ndan modestinë nga vetëmburrja.

Që atë ditë të tjera polemika janë ndezur, përfshi edhe këto të tanishmet, në lidhje me rishikimin e drejtshkrimit dhe të vetë standardit. Unë vetë besoj se, sikur të aktualizohen përpjekjet e tanishme për reformë drejtshkrimore, do të krijohet kaos në shqipen e shkruar dhe rezultati praktik do të jetë copëtimi gjuhësor i standardit, ose ndarja sipas makrokrahinave.

Natyrisht, edhe pse e besoj këtë, po bëj çfarë mundem që ky “parashikim” të mos më realizohet; ose më mirë, që të tjerët t’i konsiderojnë arsyetimet e mia dhe të ndalojnë ato përpjekje që, për mua, në rastin më të mirë janë kundërprodhuese dhe, në rastin më të keq, shprehje e separatizmit geg dhe e një revanshizmi krahinarist.

Dhe kjo ka të bëjë me atë që do ta quaja paradoksi i Kasandrës. E bija e Priamit të Trojës, më pas skllave e Agamemnonit, ish dënuar nga zotat që të shihte të ardhmen, por edhe që askush të mos ia besonte profecitë, përfshi edhe vizionet e saj për Kalin e drunjtë dhe fundin tragjik të Agamemnonit vetë.

Prej ekspertëve të sotëm pritet të veprojnë si anti-Kasandra, ose të kenë sukses, në përpjekjet e tyre për të bindur opinionin se parashikimet që bëjnë, për fatkeqësi gjithfarëshe, do të realizoheshin, po të mos merren masa.

Për shembull, një ekspert që parashikon se rritja e ndotjes së ajrit do të shtojë rastet e astmës në fëmijët, e bën këtë jo që t’i dalë fjala dhe pastaj t’ia njohin ekspertizën, por që të tjerët të marrin masa të tilla, që të mos i dalë fjala.

Pikërisht për këtë arsye, eksperti del gjithnjë i humbur: në rast se të tjerët e mbajnë vesh dhe veprojnë për t’i parandaluar efektet e padëshiruara, për të cilat ai ka lajmëruar, atëherë e keqja nuk ndodh; dhe vështirë t’i njohësh dikujt meritë, për diçka që nuk ka ndodhur (vështirë të përfytyrojmë një prind, që t’ia dijë për nder ekspertit të mjedisit, pse fëmija e tij nuk u sëmur me astmë; ose policit të trafikut, pse një makinë u ndal te vijat e bardha, në vend që ta shtypte; ose edhe kapitenit të një Titaniku imagjinar, që iu shmang në kohë ajsbergut.)

Përkundrazi, në rast se i del fjala, mund të fitojë pikë profesionalisht, por jo të ndihet i kënaqur me veten; pse nuk pritet që dikush të gëzojë, pse i doli parashikimi për një fatkeqësi – p.sh. një mjek të gëzojë, pse është shtuar numri i fëmijëve me astmë për shkak të ndotjes së ajrit, sikurse e kishte parathënë në emisionin “Opinion”.

Të kthehemi te çështja e standardit – sikur të dështojë përpjekja e tanishme për reformë drejtshkrimore, askush nuk do të kujtohet për zërat që u ngritën me të madhe kundër saj; përkundrazi, sikur të kryhet reforma drejtshkrimore dhe standardi të çahet më dysh, siç e parashikuan kundërshtarët e reformës, askush nuk do të kujtohet t’ua dijë për nder atyre që e parashikuan këtë kob.

Natyrisht, mund të ndodhë edhe që ata që kundërshtojnë reformën ta kenë gabim dhe reforma të kryhet me sukses të plotë dhe shqipja e njësuar të njohë një lulëzim të paparë ndonjëherë; me ç’rast për ekspertët që parashikuan të kundërtën sërish askush nuk do të kujtohet.

Në një kuptim, mallkimi që ia bënë zotat Kasandrës vepron ende, si përkujtesë alegorike që të parandalimin e së keqes duhet ta bëjmë dhe ta hedhim në det, pa pritur kurrë shpërblim, veç atij moral.

Kjo ngaqë çfarë nuk ndodh, perceptohet njëlloj si çfarë nuk mund të kish ndodhur – kufijtë e mendjes së njeriut, të kyçur në kafkë; ose prirja jonë e pavetëdijshme panglossiane për ta interpretuar botën reale si më të mirën të mundshme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin