NJË HISTORI ME MINË

naval mine - CopyDje, kur po mendoja se çfarë të thoshja në prezantimin e librit, m’u kujtua një rrëfenjë e vjetër e Ismail Kadaresë, botuar më parë si tregim më vete, dhe më pas e përfshirë në romanin Dimri i vetmisë së madhe.

Me sa mbaj mend, tregimi quhej “Mina”; ka qenë botuar në krye në revistën Ylli; ndërsa te “Dimri” është shndërruar në një histori të cilën e kallëzon një ushtar, në bazën ushtarake të Pasha Limanit.

Flet për një fshatar, dikur para Luftës II ose edhe në fillim të saj, që gjen buzë detit një minë detare, të cilën e pandeh për fuçi vaji, prandaj edhe, me ndihmën e familjes e zvarrit deri në fshat, duke kujtuar se do të nxirrte diçka me vlerë prej saj.

Mirëpo, sapo fillon ta zbërthejë, e kupton se çfarë kish futur në shtëpi: një minë të madhe.

Hapet fjala në fshat, dhe më pas paniku, për minën. Njerëzit në krye largohen prej shtëpive të tyre, nga frika se mos mina shpërthen; nuk dinë si të veprojnë. Më pas kthehen, por jeta tani u ka ndryshuar: janë të bërë heshtur, tregojnë kujdes deri edhe që të mos përplasin dyert e dritaret.

Një xhenier që thërresin për ndihmë, nuk arrin ta çarmatosë minën, por edhe u thotë se ajo është e paqëndrueshme tani, dhe se mund të shpërthejë befasisht, pa ndonjë shkak.

Ashtu fshatarët nisin ta organizojnë të përditshmen e tyre rreth minës:  “pas ca kohësh fshati u mbush me hendeqe. Ato po zëvendësonin rrugët. Njerëzit ecnin në to të përkulur, si ushtarët në llogore. Tani i gjithë vendi ngjante me një pikë të fortifikuar fronti.”

Siç pritej, tregimi përfundon me një happy end: në mbarim të Luftës, vjen një partizan në fshat, një nga ata “me yll në ballë”, dhe arrin t’ia presë kokën përbindëshit.

Leximi ksenofobik i kësaj rrëfenje është më i lehti dhe, për kohën kur u botua, politikisht më korrekti. E megjithatë, idenë, ose më mirë mitin e së keqes që vjen nga deti, nuk mund t’ia faturosh vetëm paranojës së regjimit të Hoxhës – sepse është më e vjetër se aq, shumë më e vjetër.

Prej detit vinte edhe bajlozi, më tha një shoqe dhe kolege, mbrëmë pas prezantimit.

E megjithatë, në vizionin tim, mina që gjetëm ne, të atëhershmit, buzë detit nuk kërcënonte njeri; përkundrazi, na u shfaq me hijeshinë e një sirene: të bukur, vallëzuese, mahnitëse, muzikore, magjistare.

E morëm edhe ne atë minë, të ardhur prej Perëndimit, dhe e çuam në “fshatin” tonë virtual; madje njëlloj si fshatarët e rrëfimit të Kadaresë, e organizuam jetën rreth saj; por jo ngaqë kishim frikë se mos shpërthente.

Përkundrazi – druheshim se mos pushteti e merrte vesh që e kishim, dhe vinte të na e merrte.

Librat e fshehur në biblioteka, disqet e rralla, shiritat dhe më pas kasetat e magnetofonëve, përkthimet e shaptilografuara, revistat e bëra fije-fije nga përdorimi, madje edhe “lakrat” që kishim në kokë – në fakt nuk ruanim aq minën e nxjerrë në rërë nga deti, sesa shpërthimin e saj.

E përfytyronim veten, pa e kuptuar mirë, si fragmente shrapneli, pas atij shpërthimi të ngadalshëm, që do ta transformonte, hap pas hapi, shoqërinë shqiptare, me gjithë terrorin psikologjik dhe policor të Enverit.

Te Dimri i madh, mina vjen e shndërrohet në kryemetaforë të bazës sovjetike në Pasha Liman; madje ushtari që e kallëzon historinë, si për t’u justifikuar, shpjegon se “në fillim ne kujtuam se baza ishte për mirë.”

Në fakt, konteksti i këtij rrëfimi janë muajt plot tension që i paraprinë mbylljes së bazës; dhe kur nuk përjashtohej deri edhe një ndërhyrje e armatosur e sovjetikëve, për të ruajtur kryeurën e tyre të vetme në Mesdhe.

Nga ana tjetër, nuk duhet shumë mund që partizanin me yll në ballë, i cili vjen ta çarmatosë kuçedrën dhe t’ia kthejë normalitetin fshatit, ta përfytyrosh si metaforë për komunizmin në Shqipëri, i cili më në fund i “çliroi” shqiptarët nga sendet që nxirrte deti – të mbarsura me rreziqe, masakra dhe kob.

Lexime tepër të lehta, të një historie me rrënjët në mit, në mos në vetëdijen kolektive të çdo populli që jeton buzë ujit.

E vërteta është se deti sjell gjithmonë dhurata misterioze në plazh, konfeksionime të së papriturës – të cilat premtojnë aventurë dhe ndonjëherë zbulesë; pa çka se mund të shpërthejnë së bashku me ty; pa çka se mund të jenë të tilla, që të të shndërrojnë edhe ty në një minë shëtitëse, të vështirë për t’u çarmatosur, plot “copëra dhe vegla të kuqe, blu, bojë portokalli, tela, vida, pjesë të ndritshme […].”

E megjithatë, sendet për të cilat flet titulli i librit tim ishin e vetmja armë që ne kishim, për t’iu kundërvënë çizmes së regjimit, thundrës së hekurt, flakëhedhëses që kërkonte të na digjte mendimet, shpresat dhe individualitetet.

Natyrisht i besonim edhe ne një miti tjetër: atij që prej përtej detit do të na vinte shpëtimi. Prandaj edhe, ndryshe nga fshatari qyqar i rrëfimit të Kadaresë, ne e morëm minën, e vendosëm në qendër të botës sonë gjysmë sekrete, dhe e shndërruam në idhull.

Çudia këtu është se mina jonë shpërtheu përnjëmend, pa çka se shumë vonë: në fillim të viteve 1990, kur gjysma e Shqipërisë, e dalldisur, u derdh në Adriatik, me mendje të riprogramuar për të ikur.

Refugjatët e anijeve që kapërcyen detin nuk ishin veçse shrapnelat e marrosur të atij shpërthimi, i cili hapi një gropë të frikshme mu në zemër të qenies shqiptare: gropën e ikjes, të braktisjes, të varrit të gatshëm për kë kish ngecur në dyllin, madje në qelibarin mes këtu-së dhe atje-së; jetës dhe vdekjes.

Nga ana e vet, deti vazhdon të na sjellë dhurata, herë të mirëpritura herë fatale, njëlloj si planeti-oqean, në romanin Solaris, të Stanislaw Lem-it; pasqyrë e shpresave tona prej fëmijësh, edhe deti niset për mirë, kërkon të na gëzojë me gjetjet e veta, të na plotësojë mungesat, të na përmbushë ëndrrat.

Flitet këto ditë për një dhuratë të fundit, të cilën kushedi nuk do ta dëshironim: fuçitë me armë kimike, të cilat na kanë ftuar t’i asgjësojmë në Shqipëri. Pas lektisjes subversive, të viteve 1960-1980, kjo dhuratë e padëshiruar, prej Perëndimit, na ka kthyer atje ku u nisëm – ose tek mina që gjeti në plazh fshatari i Kadaresë; a tek “pilula e sheqerosur” e zhargonit të Hoxhës.

Jetojmë kohë zbythjesh të mëdha, kur të gjithëve po na përzihet nga lëkundjet shalëgjata të lavjerrësit të historisë – njëlloj si ajo varka e çmendur te parku i lojërave, përbri Muzeut Kombëtar në Tiranë; kur i kaloj anash dhe dëgjoj ulërimat e atyre që i kanë hipur, gjithnjë kujtohem t’i them vetes se ato ulërima janë, në fakt, tonat.

Nuk ka komente

  1. Me kujtove ate barsaleten, qe degjoi plaku me plaken ne radio se bomba atomike kushtonte nje djall e gjysem dhe i tha plaka: “Ishallah o plak bie ne bahcen tone, se qenkan gjithe ato para!”

  2. Nga deti kane dale shume here ne Historine Boterore gjera te hatashme. Ironike eshte se Acteket fillimisht i priten te ardhurit nga deti krahehapur duke i marre si te riderguarit e Perendive te tyre. Se si perfundoi kjo (varianti i Vjeter i Demokratizimit me Bomba) te gjithe e dine.
    Por idhtaret e Leviathanit ne kushtet e Luftes se Ftohte gjeten arme te tjera.
    Me te drejte dikush propaganden e ka quajtur Arme te Shkaterrimit ne Mase te nje kategorie me vehte.
    Tani ne ate qe ishte RDGJ barcoleta e rradhes eshte “Na ringrini murin, po me te larte kesaj rradhe”
    Historia nuk kthehet mbrapsht, por te pakten ka pasoje pozitive anesore qe procesi i ngrenies se “Sapunit per djathe” behet me i veshtire per sapunshitesin.

  3. Them me vete, çfare dreqin paska ndodhur me shqiptaret qe nuk i duan me armet?! Per me teper qe jane edhe arme nder me disuazivet, fqinjet po hidhen te gjithe perpjete, ushtrise sone i jepen falas, dhe per me teper do te merren edhe para. Natyrisht pertej gjysemshakase; ideja e demontimit dhe akoma me keq, depozitimit te plehrave te shteteve te tjera ne Shqiperi, eshte vertete irrituese, aq me teper kur ato nuk pranohen te plota apo ne pjese nga askush tjeter, as nga vete te huajt mendjendritur qe vendosen ta zgjidhin konfliktin sirian duke i derguar armet kimike ne vende te tjera.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin