SANTIAGO DE COMPOSTELA

Kopertina fotokopjeLibri Santiago de Compostela është një vepër unike në letrat shqipe: ai është frut shënimesh mbajtur prej autorit gjatë pelegrinazhit të tij në Santiago të Kompostelës në pranverë të vitit 2011. Udhëtimi i jashtëzakonshëm më këmbë, që nga Vezelay në krahinën e Burgundit në Francë e deri në Santiago të Kompostelës në Spanjë ishte gati 2000 kilometra dhe zgjati me shumë se dy muaj. Që prej më se njëmijë vjetësh njerëz nga të katër anët e botës nisen më këmbë drejt “Fushës së  yjeve”, siç është edhe kuptimi në latinisht i Kompostelës, vendi ku u ngrit qyteti i Santiagos dhe katedralja e tij e famshme.

As shqiptarët nuk kanë munguar në këtë aventurë europiane. Shembulli i peshkopit Pjetër Budi është njëri prej tyre. Historia mbase do të flasë edhe për të tjerë, por autori i këtij libri, Dashnor Kokonozi, renditet si i pari deri më sot që shkruan një dëshmi të këtij udhëtimi kaq të pazakonshëm, i cili është ecje në hapësirë e në kohë, nëpër botë e brenda vetes njëherësh.

Lexuesit e këtij blogu kanë qenë të parët, të cilët autori i vuri në dijeni të këtij projekti më shumë se një vit më parë.  Në përforcim të kësaj lidhjeje dhe intimiteti intelektual për të dhe për Botimet Çabej, prania juaj është më se e mirëpritur në paraqitjen e parë publike të këtij libri ditën e premte, më 15 nëntor, ora 17 00 në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Nuk ka komente

  1. Lyss,
    udhëtimi, qysh nga libri i Coelhos e pas publikimit të sivëllezërve ezoterikë, apo homoseksualë qofshin, të të gjithë kombeve (përmend këtu Shirley MacLaine në Amerikë me “The Camino”, apo Happe Kerkeling në Gjermani me “Ich bin dann mal weg”, tituj këta të para një dekade, kur pelegrinazhi u bë modë) jo vetëm që nuk është i jashtëzakonshëm, por është bërë aq i zakontë, saqë vjet pati një propozim në Perëndim, në mungesë të vëndeve kronikisht të rënduara në burgje, që ordinerëve t’u sugjerohej një i tillë, në këmbim të dënimit me heqje lirie. Dy-tre herë në javë më ndodh të takoj këtyre anëve pleq me shkopinj nëpër duar fushave që stërviten kësisoj për “Udhën e Jakobit”.
    Kjo nuk ka të bëjë me cilësinë e librit të Kokonozit që, natyrisht, nuk e kam lexuar e që paskësh meritën e shqiptarit të parë, i cili jo vetëm e përshkon shtegun, por edhe shkruan për të. Veçse ka nisur të më nervozojë aq menjëherë e padurimshëm patetika e mbingarkuar shqiptare në përshkrimin e fryrë të prodhimeve vendase, normalisht mjeruese, (që në rastin tënd, ndoshta nuk është e tillë), saqë hidhem përpjetë sapo më injektohet edhe vaksina e nevojshme ndaj saj.
    Sidoqoftë me të mira e la e më la Kokonozit!

  2. Menyra me e mire per te pare, njohur e shijuar boten eshte te ecurit ne kembe. Ndoshta nuk ka qene ky qellimi i DK, dhe as i mijera njerezve qe bejne Rrugetimin e Jakovit. Une kam pasur gjithnje qejf ta kryej, se me pelqen te eci per sh. ore pa pushim, dhe sepse ajo zone eshte nga me te bukurat ne bote. Nje mik i imi e ben cdo vit. Pa dyshim qe ka arsye te tjera shpirterore, ndoshta edhe fetare. Per mua do ishte thjesht kenaqesi fizike dhe emocionale, ndaj pa dyshim qe nuk do beja te njejten rruge cdo vit, edhe sikur t’ia kisha takatin. Por eshte bukur te ecesh per muaj rresht. Ndoshta ne zonen mes Frances se Jugut dhe Galicise edhe ka nje infrastrukture perfekte per te mirepritur e zbutur kallot e malesuara te rrugetareve te Jakovit. Miku im thote qe mikpritja dhe njerezilleku ne rruge e siper eshte fenomenal dhe rrugetaret ecin me nje siguri e drite udheheqese qe edhe jo-fetareve u duket vertet si Ylli i Fushes qe te ndricon e drejton ne udhe. Do ta lexoj librin ne vere kur te jem ne Tr. Urime!

  3. Mirazh, nuk jam i prirur te kundershtoj ne te tilla gjera, jo vetem per faktin se pasthenia eshte e botuesit dhe jo e autorit, por edhe sepse kam dijeni per nje informacion teper te pasakte qe qarkullon midis njerzish, qe e kane ndeshur ne ndonje ecran dhe qe per ta eshte dicka qe nuk u ka interesuar direkt. (sapo pashe filmin The way, me Martin Sheen qe doli ne SHBA para ca kohesh dhe vetem se me bente te qesh)
    Kur flet per gjesendi te jashtezakoneshme, mbase botuesja ka patur parasysh dicka tjeter. Ne te vertete ky udhetim kryhet ne disa vjet, sikunder e permend pak Presja. Njerzit udhetojne dy jave deri ne nje pike dhe vitin tjeter e vazhdojne aty ku e kane lene.Pune turistesh ose te tjeresh qe duan te ulin kilet e teperta.
    Qellojne qe e bejne nje copet, por duke u nisur nga Pirenejte e duke ecur rreth teteqind kilometra deri ne fasaden e Atlantikut spanjoll. Kjo shume, shume radhe.
    Ne rastin tone eshte tjeter gje. Autori ka lene menjane menyrat bahkekohore, gudat, hartat, busullat, gps (se kishte edhe te tille) dhe eshte nisur nga afersia e Parisit, duke bere keshtu mbi 1.800 km pa asnje nderprerje, pa u shkeputur asnje dite nga rruga, duke fjetur ne hane e duke trokitur neper dyert e shtepive ku e zinte nata.
    Duke qene se kam njohje ne kete pune, me lejo te them, se sipas te gjitha statistikave dhe specialisteve te kesaj fushe, kjo nuk eshte gjesendi e zakoneshme, ne te gjitha kuptimet. Shansi i autorit ishte se njohu njerez qe refuzojne prej kohesh te pranojne logjiken komerciale te disa operatorve dhe kene perterire traditen gati mijevjecare te ketij udhetimi, ashtu sic e pershkruan nje murg ne vitin 1150.
    Une nuk besoj se ne jeten tende te njohesh qofte edhe se largu dike qe e ka bere rrugen pa nderprerje, duke ruajtur thelbin e saj tradicional (merite per te cilen kane ata qe ai pati rast te njohe dhe qe i treguan se cfare duhet te shmangte).
    Ne ata liber do te gjesh edhe mendimin e autorit tone per Coehion (qu u vu te kerkonte nje shpate) ,Shirley MacLaine dhe endrrat qe shihte sikur bente dashuri me Sharlemanjin , si edhe Kerkeling-un qe shkonte e flinte hoteleve dhe u thoshte grave mos keni frike se jam homo etj. I ke aty te gjithe ata qe permend. E pra, ata kane bere itinerarin e zakonshem prej 800 km, duke pushuar kur te donin, edhe pse mendoj se ne librat e tyre ka shume gjera interesante per te treguar, por nuk eshte e njejta gje me librin qe boton Çabej, pa perjashtuar faktin se jane pershkrimet e nje shqiptari qe i futet kesaj rruge katerqind vjet pas atij te parit, Budit.
    Shpesh e nenvleftesojme njeri tjetrin sepse themi se para tij ate e ka bere nje amerikan apo nje gjerman, e megjithate, kur zbret ta besh vete, nuk eshte se veshtiresite jane me te vogla, tha.

    1. Falemnderit për sqarimin Lyss!

      Kritika ime kishte të bënte jo me librin, të cilin, siç shkrova, nuk e kam lexuar (e për të cilin, pas përshkrimit tënd, u bëra kurioz tani), por me patetikën e rënduar e rëndom të paraqitjes së shumicës së botuesve, të cilët ende kujtojnë se mund ta shesin sapunin për djathë.
      Është bërë e udhës në Sh. që për librin të flasin botuesit e jo autorët. Kam parë deri në neveri të shfaqen në ekran zonjat Toçi, Dudaj, Berhami etj. dhe zotërinjtë Ymeri, Çili, Misha, Balliu e co., por shumë rrallë krijues e përkthyes, nga kontributi i të cilëve shitësit e sipërpërmendur përfitojnë.
      Komenti yt këtu më sipër ish ku e ku më informues e më ndjellës se reklama patetike dhe kundërproduktive që i bëhet zakonisht librit në mëmëdhe. Për fat të keq kjo ndodh veçse nahive të paangazhuara si ky blog dhe shumë pak, për të mos thënë aspak, në mediat kryesore. Por kjo është tjetër temë…

      me të mira

  4. Mirazh, e tunde edhe ti nje here: vertet s’kemi kritike per librat qe dalin, por te pakten kemi kritike dhe te ashper bile, per paraqitjen qe u behet librave.
    Ndryshe nga libri, paraqitja ka avantazhin qe eshte e shkurter dhe mund te lexohet edhe gjate nje udhetimi me ashensor nga kati 1 ne katin e 7 te nje ndertese.
    Ne fakt, kritika jote ishte pothuajse po aq e gjate sa edhe paraqitja e librit.
    Pastaj, edhe kritika qe ke bere ti le per te deshiruar (me lejo ta bej une kritiken e saj). Udhetimi ka qene i jashtezakonshem per autorin dhe mund te jete i jashtezakonshem per lexuesin. Kete dikush qe nuk e ka lexuar librin nuk ka si ta dije.
    Nje autor i mire shquhet per perjetime te thella te cilat ia percjell te tjereve me mjeshteri. Ai mund te pershkruaje edhe nje mize ne nje menyre te tille qe te mbetet ne mend per gjithe jeten.
    Libri i Kokonozit eshte i nje zhanri qe ne letersine shqipe nuk eshte praktikuar shume. Nuk eshte vrojtim i kerthizes, por kthim i syve dhe i vemendjes ndaj botes perreth: kete ta them si dikush qe ka filluar ta lexoje.

  5. Lyss,
    per fat te keq, une nuk e kam lexuar librin, ku autori besoj se ka shpjeguar edhe arsyet qe e shtyne t’ia hynte nje ndermarrjeje te tille.
    Pertej aspekteve sportivo-salutiste, kersherise turistike, pasionit per natyren etj., te gjitha keto shtysa te mjaftueshme ne raste te tjera, por disi abuzive a se paku te dores se dyte ne nje pelegrinazh fetar, besoj se shtysa kryesore per kete udhetim duhet te jete nje pershpirtshmeri e thelle dhe e sinqerte ne fene e Krishtit. Çudia ime ne rastin konkret eshte se autori vjen nga nje familje tradicionalisht myslimane, çka medoj se duhet t’ia rrise edhe me teper vlerat librit, pavaresisht nga shtysat.
    Sapo te me jepet rasti, do ta lexoj.

    1. “tradicionalisht myslimane”??? Relapso: kete s’e kuptoj. Ka nje kuptim qe une ndoshta s’e di, sepse ai qe di une s’mund te ish aspak pengese per te bere kete rrugetim. “Tradicionalisht mysliman” – eshte slogan ne shqip dhe nuk ka referent real ne Shqiperi. Po: nga ana tjeter, kemi myslimane te rinj qe jane shume tradicionaliste. Une besoj se jam nje nder ato tradicionalisht myslimanet, por gjyshi im shkrihej ne raki, e babai im bente veren e vet. Dhe asnjeri nuk shkon ne xhami vecse per respekt ndaj botes, e te gjithe ata qe une njoh vizitojnw me po aq pasion cdo kishe te bukur. Dhe me vjen ne mend edhe nje mysliman i vjeter i lagjes sime tani qe mendonte se rrobat e banjes me trup s’duhen mbajtuar nga vajzat sepse atyre u zbukurohen vec pjeset e trupit qe ua sheh dielli. Lidhet vec terthorazi me temen, por i yti ishte argument per temen dhe nuk ka baze reale.

      Ka plot njerez qe pikerisht kete pelegrinazh e bejne per arsye aspak fetare. Besoj eshte nje sfide. Pse s’bejne nje rruge tjeter? Nuk e di; njerezit i kane qejf shtigjet e hapura nga te tjere para tyre. Nje lloj vetembrojtjeje ndoshta. 🙂

      1. “Ka plot njerez qe pikerisht kete pelegrinazh e bejne per arsye aspak fetare. Besoj eshte nje sfide. Pse s’bejne nje rruge tjeter? Nuk e di”

        Presje, pikerisht kjo ishte edhe pyetja qe i bera une vetes. Per nje çast e vura veten ne vendin e autorit. Edhe une sikurse edhe ti apo ai, rrjedh nga nje famijle tradicionalisht myslimane, ndonese vete nuk jam mysliman. E pyeta veten: a do t’ia hyja une nje shtegtimi te tille? Ç’mund te ishte ajo force e brendshme qe te me shtynte te beja 1800 km me kembe? Ki pasasysh qe kjo do te thote te ecesh se paku per dy muaj rresht pa pushim gjithe diten. Pergjigjia qe i dhashe vetes ishte: vetem nje besim i madh fetar do te me shtynte! Por, kuptohet, une jam une. Çdo njeri ka shtysat e veta.
        Te njejten pyetje ia bera autorit, por ne vend te tij u pergjigje ti 🙂

        Gjithsesi, e perseris, pavaresisht nga shtysat, mbetet nje ndermarrje e admirueshme.

        1. Te njejten pyetje ia bera autorit, por ne vend te tij u pergjigje ti 🙂

          Te kerkoj ndjese Relapso, juve dhe te tjerve qe ju intereson kjo teme, por sapo u ktheva ne shtepi. Pas vitesh te gjata mungese, kisha detyrim te shihja disa njerëz ne Tirane dhe atje me mbetej pak kohe per t’iu afruar ndonje pike interneti.
          Ne te vertete ky udhetim ka nje dimension te thelle shpirteror, por sikunder une, takova edhe dhjetra te tjere ku motivet e drejtpërdrejta fetare nuk ishin fort te dukeshme. Nuk dua te them se i perkas nje brezi ku ateizmi ishte i imponuar, sepse edhe pse me emrin e familjes sime ne mes te Tiranes ka nje xhami me te vjeter se ajo e Et’hem Beut, une nuk mbaj mend jo vetem tim ate, por as gjyshin te me kete folur per pune feje. Dhe as qe behet fjale per fe te tjera.
          Une u përgatita me nje shoqate te cilen e drejton nje bankier, qe me ka bere edhe parathënien, te tjeret jane pedagoge, ushtarake ne pension, mësues etj., nga te cilet nuk degjova asnjëherë te flitet per motive fetare por as edhe kunder motiveve fetare.
          Pse ndërmerret nje rruge e tille, atehere ? Ne te vertete eshte nje teme te ciles i kushtohen referate e mbrohen doktorata. Ka studiues universitare me emer te madh, nxirren buletine speciale,ka shoqata qe merren posaçerisht me nje gje te tille, pa përjashtuar faktin se gjate rruges pashe mjaft Qendra te Interpretimit te El Camino-s.
          Nuk di te them gjësendi te sakte. Ne liber kam disa interpretime, por kam dhene edhe fjalet qe me thane te tjere per motivet e tyre, qe m’i thane pa i pyetur sepse ne te vertete mund te ecesh edhe jave te tera ne krah te dikujt por nuk këshillohet kurre te pyesesh, pelegrinët nuk e pyesin njeri tjetrin, motivet mbeten brenda secilit. Po atëherë a do te thote kjo se secili e ditka motivin e tij? Nuk është e thëne. Ndjen si te thuash (po flas kot tani) ate shtysen qe po shpërndan materien nje sekonde pas big bang-ut, por arsyen e vertete te shpërthimit nuk e di, nganjëherë te duket sikur e di, por me pas shume vete thone se ishin gabuar, vetem sa i ishte dukur sikur e dinin.Nje shkrimtar dhe akademik mjaft i njohur frances, Jean-Christophe Rufin qe sapo eshte kthyer dhe ka nxjerre nje liber te bukur, thote se nuk u nisa per gjesendi, por atje e gjeta perse isha nisur. Natyrisht nuk e tregon se çfarë ishte.
          Kam njohur edhe njerëz qe kane arsye primare, te thuash. Degjova per nje oficer nazist qe e bente rrugen cdo vit ne shenje pendimi, njoha nje kanadeze qe ishte nisur te vdiste rruges, me nje kancer te gjeneralizuar ne trup, te tjere te luteshin per te afërmit a per nje hall te madh, te tjere per nje pause ne jeten e tyre.
          Vetja te duket nganjëherë si puna e atij piktorit, qe pasi ka punuar shume gjate me hunden te ngjeshur pas telajos, ka nevoja te largohet pak qe te shohe me mire se çfare ka katranosur, here si per te bere nje bilanc te jetes, nje menyre per t’u pajtuar me deshtimet, por edhe per t’u njohur me veten (kësaj une i kushtoj rendesi sepse shpesh veten e leme ta njohim te fundit, nisur nga ideja se aty e kemi) etj.
          Megjithatë ka diçka te veçante e magjike, qe nuk e di nga vjen. Shirley MacLaine eshte e bindur se kjo ndodh sepse ne tetëqind kilometrat e fundit Rruga e Santiagos ka te njëjtin drejtim me Udhen e Qumeshtit. Personalisht nuk besoj ne kesi gjerash. Nuk e kuptoj se si mund te ndryshoje n epune kilometrash intensiteti i nje fluksi te caktuar pasi ka bere miliona vjet drite rruge.
          Ajo qe di është se megjithe lodhjen tejet te madhe, tani kam filluat t’i kujtoj me nostalgji ato muaj ecjeje neper atë Rruge.
          Nuk e di a do te me kishte munguar po te mos e kisha bere, por ndjej se kam bere diçka qe duhej ta beja.

          1. Lyss, faleminderit per pergjigjen.

            Ke bere diçka qe shumekush, perfshire mua, do te donte ta bente, sikur te kishte iniciativen, fuqine fizike dhe shpirterore, sikur te mos kaplohej nga kotesia dhe amullia e perditshmerise, sikur…
            Me pelegrinazhin ke bere nje gje te mire per veten, ndersa me librin ke bere nje gje te mire per te tjeret. Pergezime!

  6. Me pelqen qe keni filluar te na informoni per libra te rinj. Ju lutem vazhdojeni, te pakten per libra qe t’i keni lexuar. Keshtu mbase krijohet ketu ne kete blog nje fidanishte e besueshme, e perseris, e besueshme e kritikes qe mungon

  7. Me sa kuptoj une disa prej lexuesve te bllogut i duket cudi se pse autori, nje shqiptar, ka eksploruar nje teme te tille, nje lloj peligrinazhi historik me motive fetare deri diku.

    Dhe si argument perdoret origjina familjare e perkatesise fetare te autorit, ku me sa dihet autori ka vite qe jeton ne perendim. Do te ishte me e udhez qe pyetjet drejtuar autorit te ishin te nje natyre me perfshirese, perderisa dihet. merret me mend, se autoret shkruajne te cytyr nga shume shtysa te brendeshme e te jashtme.

    Pelegrinazhe te tilla nga autore te ndryshem jane nje praktike e njohur, projektohen dhe behen, momente kthese ne jeten e tyre dhe te cdo pelegrini tjeter. Per nje tjeter, mund te kete qene ta zeme vizita ne Asizi, vendlindja e Shen Franceskut, apo ne Meka, e lidhur perjetesisht me emrin e Muhametit, etj.

    Autori ne ndryshim nga mijra te tjere, po e ndan eksperiencen e tij me lexuesin dhe nuk eshte e thene qe gjithshka te jete lidhur me motive striktisht fetare, por ka ne thelb ate qe quhet “human condition”, te qenurit njeri, me nje botekuptim dhe filozofi gjitheperfshirese si busull ne jete.

    Jam i sigurte qe kurioziteti dhe pikpyetjet do te zhdavariteshin ne se lexuesit e bllogut, kujt mund t’i jepet mundesia, te kishin miresine te merrnin librin ne dore e ta lexonin ate, duke menduar se autori ka nje tradite si kontributor ne publicistike.

    Duke lexuar librin do te mesonin edhe per motivet e autorit dhe ne se nje autor shqiptar mund te merret edhe me realitete jo “ngushtesisht” shqiptare.

    Eksperiencat, cfaredo, qofshin edhe jo shqiptare, ne se ke njohjen dhe talentin, mund t’i universalizosh.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin