GJON APO IVAN? (II)

Më në fund më mbërriti libri “Skënderbeu” i Oliver Jens Schmitt-it, dhe i gjeta arsyet, ndoshta “arsyet”, pse Gjon Kastriotit i është sllavizuar emri në Ivan.

Përkthyesi A. Klosi, në hyrje të indeksit alfabetik, sqaron se

paraqet vështirësi të veçanta shkrimi i emrave të përveçëm arbër… [por] Në rastet kur s’ka dyshim si ka tingëlluar emri përkatës në mesjetë, i jemi përmbajtur gjykimit të autorit, b.fj. Ivan Kastrioti (i ati e i biri i Gjergj Kastriotit).

Për këtë, Klosi i referohet shënimit 297, në f. 350 të librit.

Shënimi 297 thotë:

Trajta sllave e emrit [Ivan, këtu është fjala për të birin e Gjergj Kastriotit, shënimi im, Xh2], dëshmohet qartë në dokumentin i cili i akordon djalit të Skënderbeut dinjitetin e patricit (Radonic Nr. 253): “Juannus” = Ivanus (“u” ja, ashtu si shpesh në dokumente mesjetare, duhet lexuar si “v”; vërejtja që dëgjohet shpesh se fjala është për trajtën “Juan” nuk është e saktë; sepse në një dokument latinisht do të ishte përdorur në çdo rast trajta “Johannes”; edhe në vetë venetishten vulgare trajta e emrit është “Zan(e)” dhe jo “Juan”. Venedikasit thjesht kanë latinizuar formën e emrit, siç e dëgjuan nga goja e të dërguarve të Skënderbeut: Ivan, që u bë Ivanus.

Ky është i vetmi pasazh në krejt studimin ku diskutohet forma e emrit të të jatit të Skënderbeut.

Mund të bëhen, me këtë rast, vërejtjet e mëposhtme.

Prova që sjell Schmitt në shënim ka të bëjë me emrin e të birit të Skënderbeut, jo të jatit; dihet se i biri mori emrin e të jatit, por prova mbetet gjithsesi e tërthortë, sa kohë që gjenden dokumente latine ku Gjon Kastrioti (i ati) quhet ndryshe.

Klosi thotë se s’ka dyshim si ka tingëlluar në Mesjetë emri i të jatit të Gjergjit; në një kohë që vetë Schmitt flet për një “vërejtje që dëgjohet shpesh”, çka do të thotë se dyshime edhe ka edhe dëgjohen shpesh, por Schmitt thjesht mendon se këto dyshime nuk kanë baza. Prandaj Klosi ndoshta duhej të kishte precizuar se “Autori Oliver Schmitt nuk ka dyshim si ka tingëlluar emri i Gjon Kastriotit në Mesjetë”; dhe jo të thoshte “s’ka dyshim”, meqë në këtë rastin e dytë duket sikur askush nuk dyshon, çka bie ndesh me realitetin.

Nga ana filologjike, interpretimi i Schmitt-it nuk ka të sharë; të njëjtin interpretim solli këtu në blog kolegu Tannhauser. Por kam frikë se Schmitt nuk merr parasysh, në këtë interpretim, që kancelaria e Gjon Kastriotit përdorte kryesisht sllavishten si gjuhë zyrtare, prandaj edhe të tjerët do t’i referohen natyrshëm Gjonit me emrin (sllavisht) që gjejnë të përdorur në dokumentet e nënshkruara prej tij, sidomos kur nuk e përkthejnë dot atë emër aty për aty (kalimi nga IvanZan(e) s’po më duket aq intuitiv). 

Për ta vendosur këtë në perspektivë, mjaft të përmend për krahasim se raporti i famshëm i diplomatëve Sceva de Curte dhe Jacobo Tribulzio në 1954, pikërisht ai dokument që e detyroi Schmitt-in ta rishkruajë krejt librin, e quan Skënderbeun Signor Xandrebech dhe të pafe (“infidele”) – edhe pse ky karakterizim i fundit më vonë do të korrigjohet prej letërshkruesve.

Me këtë dua të them vetëm se arsyet që janë sjellë në libër për ndërrimin e emrit Gjon Kastrioti në Ivan Kastrioti në përkthimin shqip të veprës më duken të pamjaftueshme; sidomos në rrethanat kur versioni Gjon Kastrioti është përdorur prej kohësh në kulturën shqiptare, dhe i përgjigjet, nga pikëpamja gjuhësore, trajtës së emrit në gjuhën shqipe.

Ja si e arsyeton vetë Schmitt parapëlqimin, prej tij, të emrit Ivan, në intervistën dhënë sot suplementit “Milosao”:

Emri Gjon u përdor nga intelektualët e Rilindjes shqiptare. Në shumicën e shoqërive europiane emrat e princave përkthehen në gjuhën përkatëse: Henri IV në librat gjermanë shfaqet si Heinrich IV. Në këtë pikëpamje studimet shqiptare ndjekin një praktikë të zakonshme. Por unë, ngaqë librin e kam shkruar në radhë të parë për lexuesin gjerman dhe jo atë shqiptar, kam ruajtur atë formë që gjendet në burimet dokumentare të kohës së tij; e këto si latinishte ashtu edhe greqishte japin trajtën Ivan, ndërsa në burimet osmane Jovan. Kështu babai i Skënderbeut shfaqet në gjuhë të ndryshme nën këtë emër, kurse forma Gjon nuk dëshmohet. Ndaj duhet menduar që ai kështu e ka quajtur vetveten, prandaj edhe u njoh si në Ballkan ashtu, edhe në Itali nën këtë emër. Një kancelar që shkruante latinisht nuk kishte ndonjë arsye të përdorte një trajtë sllave të emrit, një historiograf bizantin si Halkokondili do mund ta kishte quajtur edhe “Ioanis”: mirëpo ai nuk e bëri këtë gjë, por përdori atë trajtë emri me të cilën njihej përgjithësisht Ivan Kastrioti. E pra këtu ndjek thjesht gjuhët burimore. Kjo zgjidhje sigurisht që ka më pak ngarkesë ideologjike sesa emërkrijimi i ri “Gjon”. Më tej dua të theksoj sërish se një emër nuk të jep çelësin për gjuhën e aq më pak për identitetin.

Pikësëpari, kam përshtypjen se Schmitt kërkon ta kapërcejë këtë situatë delikate duke ia përcjellë topin përkthyesit Klosi – meqë thotë se “studimet shqiptare ndjekin një praktikë të zakonshme”, kur përdorin emrin Gjon, dhe se librin e ka shkruar “në radhë të parë për lexuesin gjerman” jo shqiptar.

Më tej, Schmitt thotë se burimet dokumentare të kohës, si latinishte dhe greqishte, japin trajtat Ivan (dhe Jovan) – por kjo në libër vetë nuk thuhet, as argumentohet – meqë aty unë gjej vetëm një shënim që shpjegon trajtën e emrit të të birit të Skënderbeut. Dokumentet latine që sjell, ndër të tjera, K. Frashëri (por që njihen mirë), përdorin një trajtë tjetër; ndërsa nga një historiograf bizantin si Halkokondili pritet që, midis trajtës sllave dhe trajtës latine, të parapëlqente të parën; por kjo nuk provon gjë në vetvete.

Prandaj më duket i pasaktë pohimi i Schmitt se “ndjek thjesht gjuhët burimore”, meqë për emrin e Gjon Kastriotit gjuhë burimore duhej të ishte shqipja, sa kohë që, siç e thotë edhe ai vetë, nuk e vë në dyshim përkatësinë etnike të të jatit të Skënderbeut. Më në fund, nuk e kuptoj pse Schmitt flet për “emërkrijim”, në një kohë që emri Gjon nuk është i krijuar as nga historianët e tanishëm, as nga ata të Rilindjes, por dokumentohet, që nga mesjeta, si një nga versionet në shqipe të emrit të njohur të krishterë.

Pavarësisht nga post-interpretimet e tanishme të Schmitt-it dhe të Klosit, duke ndërruar emrin e të jatit të Skënderbeut nga Gjon në Ivan në versionin shqip të veprës (i vetmi i botuar deri më sot) Schmitt dhe Klosi objektivisht vënë në dyshim përkatësinë etnike të Gjon Kastriotit – që nuk është ndonjë hata, as gjest antikombëtar, por kërkon kurajë intelektuale për t’u pohuar haptazi. 

 

4 Komente

  1. Stereotipet sipefaqesore jane bere ne mode tashme.Ata kane nje te perbashket shifer aritmetike 0.0005.
    Gjtihncka ne fund vete tek zberthimi gjuhesor.
    I ati i Gjergjit:
    Ne italisht:Giovanni Castriota.Pasi heqim me kujdes “G” e pare te fjales dhe “O” pas “I”-se,na del nje emer serb “Ivanni”.nese vazhdojme duke zeven “G” me “J” dhe “V” me “H” ne na del Johann.
    Dhe me ne fund nje arsyetim i thjeshte.Nga del emri shqip nje rrokesh “Gjon”?
    Atehere jemi te detyruar te shfletojme dokumentet zyrtare te kohes se Gjergjit.
    Do te ishte e rendesishme te hetohej per origjinen e vertete te Gjergj Kastriotit ne menyre analitike.?Kjo rendesi merr per jo shqiptaret,sepse shqiptaret tashme e kane percaktuar se cili eshte heroi i tyre.Gjergji gezon famen qe dihet dhe origjinen qe dihet,origjinen shqiptare.Synohet te merret njekohesisht fama e tij duke perdorur karten e origjines.Institutet serbe kane punuar intesivisht per kete.
    Qe “zbulimi me i madh”,kur Europa zbuloi ekzistencen e nje populli midis sllaveve e grekeve,qe nuk ishte grek dhe as sllav.Dhe ky “zbulim” akoma nuk ka mbaruar,nuk eshte bere i qarte e vihet shpesh ne dyshim.Kjo vjen sepse ka Shmidra e Klosera(edhe pse pak),te cilet futen per mua ne kategorine “STERIOTIPA SIPERFAQESORE”
    Marim burimet kryesore te shkruara pak kohe pas vdekjes se Skenderbeut.

    HISTORIA SCANDERBEGI, EDITA PER QUENDAM ALBANENSEM.
    E publikuar ne Vencia per here te pare me 2 prilli 1480 prej nje Anonimi.Origjinali ne latinisht ka humbur.Ne vend te saj kemi perkthimin ne italisht te Gianmaria Biemmi,botuar per here te pare ne Breshia me 1742.Gianmaria ishte nje prift.Gianmaria bazuar ne librin e 1480,shkruan me 1756,HISTORINE E GJERGJ KASTRIOTIT,TE QUAJTUR:SKANDER-BEGH.Biemmi shkruan qe autori I librit te vitit 1480 ishte nga Antivari dhe prandaj e quan ‘antivarino’ kur e citon.Biemmi thote qe “antivarino” sjell edhe detaje te betejave sepse pershkrimet e tyre i bente i vellai i tij i cili ishte oficer ne rojet e Skenderbeut.
    “Antivarino” ridhte prej nje familje te vjeter me mbiemrin Angeli(Ëngjëlli) qe njehere e nje kohe drejtonte qytetin e Antivarit.Biemmi shkruan qe keshtu e percakton veten e tij i panjohuri “antivarino”(Libri II,faqja 126,shenimi 1).Me 1866 Jakob Philipp Fallmerayer ne lirin e tij ‘DAS ALBANESISCHE ELEMENT IN GRIECH ENLAND’,Mynih, percakton ne anonimin “antivarino” Pal Ëngjëllin(Paolo Angelo,italianet nuk mund ta shqiptojne dot).Pal Ëngjëll ishte I biri I Kontit Andrea Ëngjëlli,i cili kishte mbreteruar ne Antivari dhe kishte nje oficer ne garden e Gjergj Kastrioitit.Ai ishte nje person shume I rendesishem,ne kuptimin qe kemi ne sot per “sekretarin persona” si dhe “ministri I puneve te jashteme”.Ai ka qene krahu I djathte I Gjergj Kastrioitit.Ne fund te shekullit te XIX Julius Ernst Pisko (Scanderbeg, HISTORISCHE STUDIE, vien, 1894) zbulon “antivarinon” te permendur nga Biemmi.
    Duke ndjekur linjen e burimeve me te vjetra kemi:
    “GLI ILLUSTRI E GLORIOSI GESTI E VITTORIOSE IMPRESE,
    FATTE CONTRA TURCHI, DAL SIGNOR DON GIORGIO CASTRIOTO,
    DETTO SCANDERBEG, PRENCIPIE D’EPIRRO”.
    Pra,”Princi i Epirit”.Kujtoni qe kemi nje fjalor te gjuhes se Epirit afer ketyre viteve.Fjalori eshte EPIRIOT-LATIN,d.m.th SHQIP-LATINISHT.
    Sa per origjinen e Gjon kastriotit,nuk ke mundesi te livadhisesh gjere e gjate.Ne vitin 1407 eshte permendur ne arkivat e Venecias si “dominus satis potens in partibus Albaniae”.
    Kemi nje “histori te vogel kishash” qe del nga arkivat e venecias.Deri ne kohen e Gjonit 12 kishat shqiptare qe prej 800 vjetesh I perkisnin peshkopatit te Albanise.Ne arkovat e venecias kemi te shkruar:”Occupare duodecim de ecclesiis episcopatus Albaniae et illas nititur se movere ab ipsu episcopatu Albaniae et unire atque educere sub episcopatu suo”.

  2. Biemmi apo Tivarasi mbahet si falsifikator nga disa historiografë.
    Frashëri në veprën e tij Skënderbeu përdor një metodë interesante të kërkimit shkencor: Ai le menjanë me qëllim edhe Barlettin, edhe Biemmin/Tivarasin, dhe përdor vetëm dokumentet e shumta që ka patur në dorë për Skënderbeun.
    Vlen të përmendet se, pavarësisht nga Barletti dhe Biemmi, Frashëri nxjerr përfundime që nuk janë larg prej veprës së tyre.
    Schmitt-i nga ana tjetër, si historian dhe shkencëtar i dorës së parë sikurse mbahet – ose e mbajnë të tjerët – na habit me interpretimet e tij në fushën e gjuhësisë shqipe e krahasimore.
    Dobësinë e argumentit të tij gjuhêsor e nxjerr në pah me elegancë Xha Xhai.
    Nëse besojmë çka thotë Schmitt-in se e paska shkruar librin për lexuesin gjerman, atëhere dihet se gjermanishtja e ka një trajtë të vetën të emrit Gjon, që kurrsesi nuk është Ivan.
    Pse ngul këmbë Schmitt-i për Ivanin, atëhere?
    Schmitt-i në intervistën e vet na del tejet qibar edhe sa i takon Kadaresë, që ia paska ngatërruar kombësinë…
    Një lapsus i Kadaresë qenka i papranueshëm për Schmittin, kurse gafat e Ivanit të tij jo?

  3. Shtëpia Botuese “Onufri” sapo ka dalë me librin e parë polemik ndaj “Skënderbeut” të Schmitt-it.
    Fjala është për punimin e studiuesit Ardian Ndreca “Kur ‘Skënderbeu’ nuk asht historia e Skënderbeut”.
    Pjesë nga libri i studiuesit dhe lëvruesit të guxmshëm – dhe të këndshëm njëkohësisht – të gegërishtes jepen sot tek Milosao, shtojca letrare e Gazetës Shqiptare:
    http://www.balkanweb.com/pdf/milosao.pdf
    Aty ka edhe një kritikë të shkurtër të A. Putos lidhur me marrëdhëniet e vasalitetit të Kastriotit.
    Ndreca dhe Puto duket se janë të parët studiues të mirëfilltë që sjellin në shtyp një analizë kritike tê librit tê Schmitt-it mbështetur në leximin e veprës së tij.
    Një kritikë të vyer të trajtesave emërore Gjon apo Ivan, etj., e përgjithësisht në lëmin e gjuhëtarisë, e ka sjellë në këtë blog Xha Xhai, por që ende nuk ka dalë në shtypin e shkruar.
    Ardian Ndreca është shpesh aq therrës në kritikën e tij, sa na bën të presim me padurim përgjigjen -nëse vërtetë do të vijë – të Schmitt-it.
    Gjithsesi, analiza kritike e Ndrecës është vështirë të kategorizohet dhe të hidhet poshtë si “kombëtariste”. Mbetet gjithaq me interes botimi i Skënderbeut të Schmitt-it në Austri dhe komentet dhe kritika që botimi në gjermanisht do të nxisë tek studiuesit evropianë të lëndës.
    Sikurse presim më në fund edhe reagimet e shkruara të studiuesve shqiptarë të Skënderbeut, si Prof. Kristo Frashëri, etj.
    Polemika sapo ka filluar, tha…

  4. Vlora shkruan: ..”Schmitt-i në intervistën e vet na del tejet qibar edhe sa i takon Kadaresë, që ia paska ngatërruar kombësinë…
    Një lapsus i Kadaresë qenka i papranueshëm për Schmittin, kurse gafat e Ivanit të tij jo?”

    Nuk eshte lapsus, eshte injorim. Eshte i qellimshem.
    Kush eshte Schmitt qe Kadareja u dashka te dije nese eshte prej Bugjejovice apo prej Canakalaje?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin