7 PRILLI I GJATË I SIMONE WEIL-IT

Për Alment Muhon

nga Orgest Azizaj

Një nga gjërat veçanërisht të arrira në librin jashtëzakonisht të arrirë (dhe po aq tronditës) të Alessandro Leograndes, Mbytja e anijes. Vdekje ne Mesdhe, është hapja e librit, kur trajektoren e Katërit të Radës përmes Otrantos ai e lidh me lashtësinë e së njëjtës trajektore, të bërë që dikur në lashtësi nga anijet e Pirros së Epirit, që shpinin për herë të parë elefantët në Itali, të shtyra nga rryma “natyrore” e ujërave lumore në grykëderdhjen e Vjosës. Gjestet e njerëzve të thjeshtë fitojnë kështu një lloj lavdie, një dritë tjetër, një lloj fisnikërie tejkohore, teksa radhiten në një vijimësi që vjen nga thellësitë e kohës. Analet e historisë së dikurshme e bëjnë edhe të ardhmen të paharruar.

Por jo vetëm. Raportimi i ndërsjellë i dy ngjarjeve, si shembëllim i njëra-tjetrës, e ripotencon të tashmen me tharmin e thellësisë historike, e nxjerr atë nga fataliteti provincial i rastësisë, për t’i dhënë – në çastin e rrezikut, në pragun e katastrofës – atë që Walter Benjamini e quante një lexueshmëri (Lesebarkeit) të re. Në kohën e vet të katastrofës, në të errëtat vitet ‘30, këtë takim të beftë që e bënte historinë të lexueshme (duke futur ne të parimin kinematografik të montazhit), dhe krijonte kështu kushtet për rifuqizimin e “të mundurve”, Benjamini e quante imazh dialektik: “Imazhi është ai vend i beftë ku e Dikurshmja takon të Tanishmen, dhe së bashku, në një shkëndijim, përbëjnë konstelacion”.

Në të njëjtat vite, përballë dhe kundër së njëjtës katastrofë, filozofja po aq atipike franceze Simone Weil (1909-1943), gjeni filozofike e ushqyer me antikitetin greko-latin dhe e përkushtuar ndaj çështjes punëtore (derisa shkon vullnetarisht të punojë në ferrin e uzinës), komuniste hebreje dhe mistike e krishterë, “agrégé de l’Université” dhe rezistente e orëve të para (vullnetarisht lë “rehatinë” e Nju Jorkut dhe bën çmos të shkojë në Londër në 42-shin, ku dhe vdes nga turberkulozi pak më pas), në të njëjtën kohë pra, Weil ndien të njëjtën nevojë: atë të montazhit historik. Qysh më 1937 nis të përgatisë për revistën Syndicats një cikël artikujsh ku ngjarje e sekuenca të lashtësisë mund të hyjnë në rezonancë më aktualitetin politik më urgjent, në kuadrin e një rubrike të rregullt që mendonte ta quante Antiquité et Actualité. Ndër to bën pjesë edhe një studim mbi Filozofinë e hitlerizmit që, bashkë me esenë e Emmanuel Lévinasit të 1934-ës, është një nga pararendësit e mëdhenj të konceptualizimit të katastrofës naziste, që do nisë të zhbirohet vetëm pas Luftës.

I tillë është konteksti i dy shkrimeve të mëposhtme; i tillë është preteksti i qytetarisë së 7 prillit 1939 si koordinatë themeltare e së tashmes për Weilin, në vigjilencën e saj historiko-politike. “Bëmat e gjeneralit të lavdishëm romak meritojnë të mos harrohen”, thotë ajo te Letra më poshtë, në një frazë paradoksale – ku lavdia, bëmat dhe harresa lexohen të gjitha me shenjë të përkundërt – frazë e cila, më duket, meriton të meditohet nga kushdo që kërkon të gjejë një pozicionim në histori.

Kështu syri i përskuqur i filozofit “në kohë të errëta” nis e tërheq fillin e gjatë të historisë së të mundurve, ndarjen e stërgjatë – e përherë të harruar – të të njëjtave role nga secila anë e llogores. Të njëjtin fill që do tërheqë Leogrande pas 28 marsit të 1997-ës, kur “pasardhësit” e epirotëve të dikurshëm, ata të Pirros dhe ata të Gentit, deri tek ata të 7 prillit e më tej, do të inaugurojnë serinë e gjatë të mbytjeve të “ekstrakomunitarëve” në Mesdhe.

Në një diskutim para disa kohësh këtu te Peizazhet, lidhur me fillesat e një letërsie post-koloniale në shqip, dikush shprehej me habi duke e gjetur pa vend këtë prirje, përderisa nuk i rezultonte të kishim qenë të kolonizuar nga ndokush. Qoftë edhe për kaq, m’u duk me vend t’i rikujtoja së bashku 7 prillin, Romën dhe dhe filozofinë përmes figurës së rrallë të Simone Weilit, së fundi të ardhur dhe në shqip (Rëndesa dhe Hiri, bot. Pika pa sipërfaqe, 2019). Dhe, për të perifrazuar një tjetër filozof me shqisë historiane, Michel Foucault, ndoshta nuk duhet harruar se “dielli që lind andej nga perëndon” është një shpikje e vonët, dhe pse jo, me bast, aspak afatgjatë.

Orgest Azizi

*          *          *

Roma dhe Shqipëria[1]

nga Simone Weil

Në fjalimin e tij lidhur me ekspeditën ushtarake në Shqipëri, ministri Ciano[2] deklaronte : « Zhvillimet e fundit janë rezultat i marrëdhënieve të lashta mes Italisë dhe Shqipërisë, ç’prej njëzet e dy shekujsh. » Ministi gabon me një shekull ; u bënë pothuaj saktësisht njëzet e një shekuj që kur Roma hyri, nëse mund të thuhet, në marrëdhënie me Shqipërinë, ku deri atëherë zotëronte vetëm disa sportele tregtare përgjatë bregdetit ; edhe pse termi Shqipëri, në këtë rast, s’mund të përdoret veçse i projektuar, fakti është që, në epokën në fjalë, njëfarë mbreti Gent[3], kishte nën autoritetin e tij jugun e Ilirisë dhe veriun e Epirit, çka përkon ndjeshëm më Shqipërinë e sotme. Por ministri ka plotësisht të drejtë kur bën lidhjen mes mënyrës si lindën « marrdhëniet » e hershme dhe “rezultateve” që kemi sot para syve. Sekush mund ta gjykojë lehtë, duke shfletuar Polibin, Tit-Livin, Plutarkun apo Apianin[4]. Ja si e tregon Apiani:

“Romakët ishin në luftë me Maqedoninë, dhe mbret i Maqedonisë asokohe, pas Filipit, ishte Perseu. Genti, që ishte mbret i një pjese të ilirëve, ishte lidhur me Perseun për parà, dhe kishte arritur të depërtonte në territorin e Ilirisë që gjendej nën kontrollin e romakëve. Kur këta i derguan ambasadorë, ai i lidhi me zinxhirë, duke deklaruar se s’kishin ardhur si ambasadorë, por si spiunë. Aniciusi, një gjeneral romak, i mori Gentit disa anije me flotën e tij dhe më pas e ndeshi në betejë tokësore, ku ngadhnjeu, duke e rrethuar kundërshtarin në një hapësirë të ngushtë e pa rrugëdalje. I thyer, Genti lypi paqe dhe, pas urdhrit për dorëzim pa kushte, kërkoi tri ditë për të dhënë vendimin, që iu akorduan. Mirëpo, që pa kaluar ende afati, i çoi shërbëtorët t’i luteshin Aniciusit ta priste në audiencë, dhe, i rënë në gjunjë, i drejtoi fitimtarit përgjërimet më të ulëta. Aniciusi e këshilloi të mbante kurajë, e ngriti nga qëndrimi i gjunjëzuar dhe e ftoi në tryezën e vet, dhe pasi hëngrën, urdhëroi shërbëtorët ta kishin nën ruajtje. Më vonë, Aniciusi e ekspozoi Gentin si triumf gjatë marshimit të kthimit në Romë, bashkë me gruan dhe fëmijët e tij. E gjithë lufta nuk kish zgjatur as njëzet ditë.

Pasi mundi Perseun, dhe ndërsa ishte rrugës për t’u kthyer në Romë, L. Aemilius Paullus kaloi enkas nëpër shtatëdhjetë qyteza që kishin qenë nën kontrollin e Gentit, dhe kjo në zbatim të një urdhëri të fshehtë të Senatit. Qyteteve të tmerruara nga kërcënimi i ushtrisë ai u premtoi se e kaluara do të falej nëse ato i dorëzonin tërë floririn dhe argjendin që kishin në zotërim. Ata u zotuan; një çetë e ushtrisë u dërgua në çdo qytet dhe, pasi caktoi një ditë të përbashkët, L. Aemilius Paullus urdhëroi kreun e secilës çetë që, ditën e lënë, që në agim, secili të shpallte në qytetin përkatës se florinjtë duhet të silleshin në sheshin publik brenda tri orëve; dhe pastaj, pasi t’i mblidhnin paratë, ta plaçkisnin tërë qytetin nga themelet, gjë e gjind, pa lënë gur mbi gur. Dhe kështu L. Aemilius Paullus plaçkiti me një të rënë shtatëdhjetë qytete brenda një ore[5].”

Polibi tregon se gjatë kësaj plaçkitjeje masive, “një qind e pesëdhjetë mijë njerëz u shitën si skllevër[6]”.

Kështu që, siç shihet,zhvillimet e fundit janë vërtet “rezultat” i këtij lloji marrëdhëniesh “reciproke” të nisura shekuj më parë.

*          *          *

Një sqarim i vogël historik

[Letër drejtuar gazetës Le Temps]

Zoti Drejtor,

Në një artikull të datës 9 nëntor me titull “Çështja e Epirit në raportet italo-greke”, bashkëpunëtori i gazetës suaj, Albert Mousset, shkruan se ushtarët italianë “kanë rizgjuar traditën e Romës dhe të L. Aemilius Paullus.”

Me gjasë, sa kuptohet nga konteksti, bashkëpunëtori juaj nuk është i vetëdijshëm për domethëniet që mvesh evokimi i kujtimit të gjeneralit të lavdishëm romak në situatën e mësipërme. Sepse bëmat e L. Aemilius Paullusit ne Epir – vend që shtrihej asokohe në atë që është sot jugu i Shqipërisë aktuale – meritojnë vërtet të mos lihen në harresë.

Në një nga fragmentet e Polibit (të cituar nga Straboni, VII, 322) lexojmë: “L. Aemilius Paullus, pas fitores mbi Perseun dhe Maqedoninë, rrafshoi në kthim shtatëdhjetë qytete të Epirit dhe një qind e pesëdhjetë mijë vetë i bëri skllevër.”

Tit-Livi, Plutarku, Apiani, na kanë lënë detajet e ngjarjes. Po citoj Apianin (III, IX[7]):

“Pasi e kapi Perseun rob, L. Aemilius Paullus, duke iu bindur një senatus-konsulte sekrete, kaloi enkas, rrugës së kthimit për në Romë, nëpër shtatëdhjetë qytete që më parë i kishte patur ai nën sundim [ai i referohet mbretit Gent, i cili, pasi i kishte shpallur luftë Romës, ishte mundur dhe zënë rob pas një fushate ushtarake rreth njëzetditore]. Banorët patën frikë, por L. Aemilius Paullus u premtoi se e kaluara do falej e harrohej po të dorëzonin gjithë çka kishin në flori e argjend. Qytetet pranuan. L. Aemilius Paullus dërgoi në çdo qytet nga një çetë të ushtrisë së tij, ujdisi me krerët e secilës çetë një datë të caktuar, të përbashkët, dhe u dha urdhër që ditën në fjalë, të shpallnin në secilin qytet, që në agim, urdhrin e beftë për t’i sjellë florinjtë në sheshin publik brenda tri orësh afat; pastaj, me të mbaruar afati, të plaçkisnin pa kufi gjthëçka mbetej. Dhe kështu L. Aemilius Paullus plaçkiti me një të rënë shtatëdhjetë qytete brenda një ore.”

Nuk duhet shumë mund për t’i përfytyruar konkretisht këto shtatëdhjetë qytete, me një popullsi prej afro dy mijë banorësh mesatarisht secili, në një zonë që sot që është aq e varfër; s’do shumë mund t’u qasesh në imagjinatë banorëve të paqëm të qytezave, jetës së tyre të përditshme, teksa mendonin të sigurt se, duke sakrifikuar pasurinë, kishin fituar të paktën sigurinë e plotë. Mund t’i shohësh se si, pa frikë, me mirëbesim te premtimi solemn i një gjenerali të madh romak, i hapin vetë dyert për ushtarët; dhe se si, brenda çastit, të gjitha familjet, nga më të thjeshtat te më të nderuarat, nga qytetarë e gjejnë veten të shndërruar në një kapicë trupash të destinuar të syrgjynosen në katër cepat e perandorisë për t’iu bindur urdhërave të ndonjë pronari. Sepse tamam për këtë bëhet fjalë. Grekët kishin një fjalë të caktuar për të shenjuar gjendjen e nënshtrimit politik të një vendi të sunduar përmes pushtimit, dhe një fjalë tjetër për të shprehur statusin e skllevërve të shitur si gjedhë në ankand. Dhe Polibi përdor pikërisht këtë të dytën. Një qind e pesëdhjetë mijë burra, gra, fëmijë, sekush me pozitë ku më të lartë e ku më të ulët në shoqëri, që gëzonin secili pak a shumë të drejta e nderime sipas rangut, të gjithë të bindur se e nesërmja do t’i gjente me të njëjtat pozita e të njëjtat të drejta, të njëjtat lidhje e të njëjtat krushqi, e gjetën veten brenda çastit të shndërruar në gjë të gjallë. Shtatëdhjetë qytete u rrafshuan në një çast, dhe gjithë kjo falë një marifeti aq të thjeshtë siç është pabesia, shkelja e fjalës së dhënë. E tillë është gjurma dhe kujtimi i pashlyer që ka lënë L. Aemilius Paullusi në krahinat e Epirit.

Duke shpresuar se ky sqarim i vogël historik do t’ju duket, sikundër dhe mua, i denjë të zgjojë sadopak interesin e lexuesve të gazetës suaj, ju lutem të besoni, Z. Drejtor, në sigurinë e konsideratës sime të lartë.

Simone Weil

agrégée de l’Université


[1] Shkrim i botuar në revistën Nouveaux Cahiers, n° 48, 1 korrik 1939. Sipas botuesit francez (në S. Weil, Œuvres complètes, tome II, vol 2, Ecrits historiques et politiques, bot. Gallimard, Paris, 1991, fq. 318, shën. 158), teksti i dorëshkrimit, ka vetëm disa dallime të vogla në raport me tekstin e botuar, që tregojnë kujdesin e imët të autores në hartimin e shkrimit në fjalë. Vlen të përmendet ndërkohë versioni i parë i mbylljes së artikullit në dorëshkrim : « Nga tërë ato pabesi dhe mizori të panumërta që ndyjnë historinë romake, asnjëra ndoshta nuk është kaq e dhimbshme dhe revoltuese sa kjo plaçkitje e shtatëdhjetë qyteteve brenda ditës, fryt i ulët i tradhëtisë, ku 150 mijë njerëz të lirë e të paqëm, që vetëm një orë më parë as e dyshonin diçka të tillë, e gjetën veten beftas të shndërruar në kafshë pune. Ironia e hidhur e historisë bëri që një vepër e tillë të kishte për skenë Shqipërinë. Por është akoma më ironike – dhe akoma më e hidhur – që ministri Ciano të radhitet në vijimin e një precedenti të tillë. »

[2] Konti Galeazzo Ciano (1904-1944), i njohur në Shqipëri si Konti Çiano, ishte dhëndrri i Mussolinit dhe Ministër i Punëve të Jashtme të qeverisë fashiste. Më 1943 votoi për rrëzimin e të vjehërrit. U pushkatua më 10 janar 1944.

[3] Versioni origjinal (fr.) thotë Gentiusi.

[4] Apiani i Aleksandrisë (lat. Appianus), historian grek i shek. II para erës sonë, ka shkruar kryesisht historinë e popujve te mundur nga Roma dhe atë të luftrave civile. Botimi më i mirë i veprës së tij, së paku për kohën, ishte ai anglez, Appian’s Roman History, përkthyer nga Horace White, The Loeb Classical Library, Cambridge, Harvard University Press, 1912, në katër vëllime. Sipas botuesit francez te tekstit të Weilit, ky ishte pa dyshim edhe botimi i përdorur prej saj. Versioni frëngjisht pra është përkthimi i S. Weilit, nga origjinali greqisht.

[5] Apiani, Appian’s Roman History, Illyrian Wars, IX.

[6] Fragment i Polibit, cituar nga Straboni, Gjeografia, VII, 322.

[7] III është për kapitullin e tretë ; IX, është për librin e nëntë të Historive romake të Apianit, i cili i kushtohet Luftrave ilire. Siç e përmendëm te shënimi më lart, Weil përdorte botimin dygjuhësh të Loeb Classical Library dhe e përkthen vetë në frëngjisht tekstin nga origjinali. Kjo shpjegon edhe dallimet në dy versionet e të njëjtit tekst të cituar të Apianit, këtu dhe te shkrimi i Nouveaux Cahiers më lart. Dallimet u përpoqa t’i ruaj edhe në shqip. Në veprën e vet, Simone Weil e përmend shpesh episodin e « plaçkitjes së 70 qytezave ».

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin