ARTI I VËSHTIRË I LESHPUNIMIT

Para disa ditësh, shkrova në blog për arkivat e faqeve të institucioneve, duke marrë disa shembuj nga faqja e Këshillit të Ministrave dhe nga faqja e Presidencës.

Vëreja se materialet e vjetra, ose të administratave të mëparshme ishin zhdukur nga këto faqe.

M’u tha të nesërmen, në komentet, se arkivat në faqen e re të Këshillit të Ministrave mund të hapeshin përmes një lidhjeje të vendosur në fund të faqes – gjë për të cilën shkrova edhe vetë në komentet.

Të gjitha këto ndodhën në datat 25-26 shtator; që atëherë shumëçka ka ndërruar – përfshi edhe faktin që adresa e mëparshme http://www.km.gov.al/ tani të çon te http://www.kryeministria.al/.

Një javë më pas, shkrimin tim kujtohet ta marrë ResPublica dhe ta botojë – pa marrë parasysh çfarë kish ndodhur më pas.

Mirëpo çfarë ishte aktuale në 25 shtator, nuk është më më 2 tetor; dhe efekti kryesor i shkrimit, të ribotuar tashmë te ResPublica, është që të më nxjerrë mua, autorin, në dritë të keqe.

Menjëherë disa komentues atje vunë në dukje se arkivat në faqen e kryeministrisë mund të hapen tashmë; të tjerë u shtynë edhe më tej, duke shpjeguar se unë e dija këtë, por “më duhej një shkas për artikull (honorar)” etj.

Një përpjekje e imja për të vendosur pak perspektivë kaloi me indiferencë totale.

Çfarë dreq gazetarie është kjo?

Me ResPublica-n unë kam bashkëpunuar dikur; kur atë e drejtonte M. Nano. Më pas, kur Nanoja ua ka besuar të tjerëve, bashkëpunimi nuk ka vazhduar më, përveçse si leje, prej meje, që ajo faqe të përmendë çfarë shkruhet në PTF, nëse e gjen interesante.

Natyrisht as që flitet për honorare.

Ka qëlluar që nga ResPublica shkrimet e mia e kanë gjetur pastaj rrugën te Dita ose te ndonjë gazetë tjetër; pa lejen dhe miratimin tim.

Të nxjerra nga konteksti, këto shkrime, së bashku me autorin e tyre, kanë përfunduar si të hedhura qenve.

E njëjta gjë ndodhi edhe me këtë të tanishmin; pa çka se unë kam dëshirë të mendoj që arsyeja pse u shtua arkivi në faqen e Këshillit të Ministrave kish të bënte edhe me shkrimin tim në PTF; meqë mes qindra vetëve që e lexojnë blogun çdo ditë, kushedi mund të ketë qenë edhe personi që ka qenë duke punuar me faqen, ose shefi i tij.

Ta përmbledhim: unë vë në dukje diçka që nuk shkon, e cila më pas ndreqet (nëse ka ndonjë lidhje shkakësore këtu, këtë vetëm mund ta supozoj); pas një jave, shkrimin tim e nxjerr një faqe tjetër, dhe tani raporti i vërtetësisë përmbyset.

Deri në atë shkallë sa unë të akuzohem, në komentet, për “dizinformim” të lexuesit.

Gjithsesi, dhe përtej mënyrës kaba me të cilën e trajtoi ResPublica shkrimin tim, duke e nxjerrë nga konteksti kohor, është vendi për disa saktësime të mëtejshme.

Vërtet, tani arkivat e Këshillit të Ministrave mund të hapen që nga faqja kryesore e Kryeministrisë, duke klikuar mbi http://arkiva.km.gov.al.

Por duke i zhvendosur materialet e mëparshme në një adresë tjetër, administrata e re e faqes i ka zeruar të gjitha lidhjet, drejt atyre materialeve, që mund të kenë ekzistuar në faqe të tjera në ueb.

Në thelb, uebi është i tëri i ndërtuar rreth hiperlidhjeve; nëse këto nuk funksionojnë, atëherë faqet shndërrohen në revista ose fletushka propagandistike.

Askush nuk shkon në faqen e Këshillit të Ministrave për të parë fotografinë e Tony Blair-it ose të kryeministrit të tanishëm Edi Rama; por mund të ketë plot internautë që të shkojnë aty për t’u informuar rreth punës së qeverisë shqiptare në vite.

Këtë desha të bëj edhe unë para ca ditësh; dhe pikërisht të verifikoja një fjalim të kish mbajtur Kryetari i Këshillit të Ministrave, Sali Berisha, para komisionit hetimor parlamentar të 21 janarit.

Këtë fjalim unë e kisha lidhur, në një shkrim timin të vjetër në blog, me këtë faqe, e cila sot nuk hapet më. Kushdo që do të lexojë shkrimin tim të para dy vjetëve, dhe do të klikojë mbi lidhjen në fjalë, do të përjetojë versionin internetas të zeros.

I padorëzuar, unë u përpoqa ta gjej fjalimin e Berishës edhe te faqja e re e arkivave, për të cilën paskësha “dizinformuar” – duke kërkuar për fjalëkyçe te dritarja përkatëse.

Ky fjalim nuk gjendet atje, as në ndonjë faqe tjetër institucionale. Është zhdukur nga Interneti institucional shqip, duke mbijetuar vetëm në faqe dytësore, si Gazeta 55.

Këtë kisha parasysh në shkrimin tim të parë; këtë kam parasysh edhe tani.

Nga njëra anë, informacioni institucional online nuk funksionon; nga ana tjetër, mediat shqipe online e kanë mendjen t’u krehin bishtin komentuesve (të cilët u shtojnë klikimet dhe kushedi financimin), jo të mbrojnë autorët prej të cilëve ushqehen.

Dhe tani që e sqaruam këtë, le të fillojmë debatin për gabimet drejtshkrimore dhe fjalët e huaja që më kanë shpëtuar mua në shkrimin më lart.

Nuk ka komente

  1. është lajm i mirë q komentuesit e kanë ditur o kanë verifikuar menjëherë ekzistencën e arkivës. Ndërkohë m duket thjesht bazike q nëse dikush rimerr nj fragment nga shkrimi juaj, t vërë n fund linkun e shkrimit t plotë. Përveç kësaj, edhe ju nganjëherë nxitoheni. Mgjthse ka pasur precedentë, nuk mund t denonconi mangësinë e materialeve t vjetra javët e para t rikrijimit t nj faqeje. S’ju kushton gj t prisni ose t shprehni dyshimin se këto materiale do mungojnë

    1. Patjetër, edhe unë nxitohem (por besoj se kam pasur gjithnjë aq kurajo sa ta pranoj haptazi, kur kam gabuar). Megjithatë, nxitimi është në natyrën e blogut – sepse disa shkrime dalin aty flakë për flakë, dhe mund të përgënjeshtrohen pak më vonë.

      Duhet të jetë njeriu i trashë shumë, që të mos e marrë parasysh kronologjinë.

      Ndonjëherë gabimi ka të bëjë me mosnjohjen; ndonjëherë tjetër gabimi është vetëm iluzor, sepse në fakt edhe blogu është pjesë e realitetit; çka do të thotë se, të paktën në teori, nuk është për t’u përjashtuar se blogu ndikon në mënyrën si zhvillohen disa ngjarje.

      Sikur unë të mos e shpresoja këtë, ose që shkrimet e mia ndikojnë tek ata që i lexojnë, unë nuk do të shkruaja dot asgjë, por do të merresha drejtpërdrejt me politikë (ose me fotografi).

      Nga ana tjetër, gabimi i ResPublica-s nuk ka të bëjë me vendosjen ose me mosvendosjen e lidhjes; por me nxjerrjen e shkrimit tim nga konteksti kohor. Nëse u pëlqeu shkrimi, duhej ta kishin nxjerrë menjëherë – jo një javë më vonë. Kjo është ose tallje me autorin, ose inkompetencë.

      Zgjidhni dhe merrni.

      Se përndryshe, nëse i zuri kaq shumë meraku me shkrimin tim, pse nuk verifikuan nëse faqja e Arkivit ishte hapur në sajtin e Kryeministrisë para, apo pas shkrimit tim? Këtë duhej të bënte kush vajti dhe e këputi shkrimin tim nga dega – por nuk e bëri; dhe kjo më shqetëson mua. Sa për gabimet e mia, atyre u dal zot vetë.

  2. Une kam pershtypjen se thelbi i problemit qendron te platforma apo suporti botues qe ne kete rast eshte interneti. Ndryshe nga shtypi i shkruar, botimet ne internet mund te zhduken papritmas, lidhjet mund te fshihen, referencat behen te paverifikueshme etj. Vete natyra dinamike e internetit krijon kushtet per keqkuptime te tilla.
    Pikerisht sot po lexoja nje liber te sapobotuar nga Shaban Sinani ku citohej nje shkrim gjuhesor i Xha Xhait, botuar ne PTF. Ne perpjekje per ta thelluar çeshtjen, kerkova shkrimin e Xha xhait, por nuk e gjeta dot. Ndoshta ishte paaftesia ime teknike per ta gjetur apo ndonje rifreskim i faqes e ka fshire ate shkrim. Gjithsesi mbetet fakti qe informacionet dhe botimet ne internet jane teper efemere.

    1. Duhet të jetë këtu – unë nuk mbaj mend të kem hequr ndonjë shkrim timin, ndonjëherë (por mund të kem hequr komente). Kushedi duhet kërkuar si faqe, jo si post?

      1. Ne librin “Ndajfoljet peremerore ne gjuhen shqipe” te Shaban Sinanit, ne nje fusnote autori shkruan:

        “A. Vehbiu (alias “Xha-Xhai”), disa funksione mbiemërore, emërore dhe foljore të foljes ashtu dhe kështu i ka cilësuar “shmangëse”: “Shih nga ky autor, në blogun “Peizazhe të fjalës”: “‟Ashtu‟ në funksione shmangëse”, përditësuar më 14 janar 2010.”

        Une e kerkova ne blog dhe nuk munda ta gjej ndoshta se referimi nuk te ndihmon shume. Blogu nuk ka nje indeks te strukturuar me lidhje, numra faqeje etj. si librat e shtypur. Gjithsesi Kete rast e solla si shembull per te thene se problemi qendron te natyra e internetit si platforme botimi.

  3. Une do te keshilloja qe sikunder keni shkruar nje shenim ne ane (me te cilin paraqisni menyren e kontributit te autoreve ne kete faqe) ku te shkruani se per cdo botim te ketyre shkrimeve duhet kerkuar leja e autorit.

  4. Xhaxha. Ne ungjill shkruhet: “mo ua hidhni perlat tuaja derrave dhe qenve se ata i shkelin dhe me pas ju kafshojne”. mendoj se ju duhet te gjeni nje forme ligjore qe te mos botohen shkrimet tuaja, e nese botohen te merrni honorare, pasi mendoj se per shkrime te tilla cilesore shpenzoni kohe shume. Andrea Nikaj

  5. tani, në këto kohë ndryshimesh të vrrullshme, kur të rinjtë po ngjiten, si skiftera… uups po katapultohen si gjyle në kolltukët e posteve më të larta shtetërore, ka shpresë edhe për arkivat digjitale të përmendura këtu, ngase këto të reja medoemos kanë eksperienca internetore, e kështu që janë, apo të paktën shpresohet, edhe më të ndjeshme ndaj temës.

  6. Ne kushtet aktuale eshte e pamundur te mos “mos ua hidhni perlat tuaja derrave dhe qenve” (epoka e Internetit).
    Autorit i mbetet vetem te denoncoje faktin (botimin pas 10 ditesh) post-mortem.
    Perdora kete fjale se ashtu si shitja e mishit (pasi ka ndenjur ne treg 15 dite dhe ka ndruar ngjyre) ashtu dhe botimi i nje atikulli tashme jashte references kohore, eshte te pakten dashakeqesi, dhe ne rastin me te mire budallallek.
    Personalisht (megjithesre kurkujt nuk i interson kjo) mendoj se eshte e para.
    Sa eshte mundesia qe pikerisht ai atrikull te kete influencuar ne rishfaqjen e “Arkives”?

  7. XhaXha, ka një mënyrë që shkrimet në blog të bëhen të pakopjueshme, pak a shumë si PDF.
    Ma do mendja se kjo do të thjeshtonte shumë bigëzime të tilla.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin