RRJETA E TJETRIT

kulleseDita e fundit e 2013-s u mbyll me një lajm, në pamje të parë, të rëndomtë. Mediat njoftuan se një qytetar shqiptar u ndalua nga policia italiane pasi rezultonte në listën e personave të rrezikshëm, pra të kërkuar nga forcat e rendit. Shqiptari u arrestua në aeroportin e Veronës (Itali).

Deri këtu, lajmi pothuajse nuk e meriton statusin e vet. Kjo ngjarje mund të kalonte pa iu sinjalizuar fare publikut. Rastet e arrestimeve nëpër botë janë të shumta, nuk mund të jepen të gjitha. Mirëpo ky rast është i rëndësishëm për çka qëndron pas tij.

Tre janë aspektet që e dallojnë këtë lajm nga të tjerët e kronikës së zezë, që na kanë shurdhuar ndër vite. I pari ka të bëjë me faktin se shqiptari i ndaluar akuzohej për dy vrasje. Pra bëhej fjalë për një person tejet të rrezikshëm për rendin social. I dyti lidhet me urdhërarrestin, me sa duket ndërkombëtar, i cili qenka lëshuar nga Prokuroria shqiptare. Personi në fjalë, njoftojnë mediat, kërkohej prej 12 vjetësh. I treti, më specifik, vihet re në itinerarin e të kërkuarit. 35 vjeçari shqiptar vërtet u ndalua në aeroportin italian të Veronës, por nuk vinte nga ShBA-të, Anglia, Rusia, apo Togo. Fluturimi i tij vinte nga Tirana.

Në një gazetë shqiptare thuhej se “ndoshta i nxitur nga atmosfera e festës dhe me shpresën se nuk do të kishte kontroll të imët, shqiptari ka tentuar të hyjë në Itali. Por e gjitha kjo ka rezultuar e pasuksesshme”. Sipas gjasës, shqiptari i kërkuar donte të shfrytëzonte edhe rrëmujën festive. Siç dihet, në këtë periudhë trafiku i pasagjerëve rritet ndjeshëm. Dakord, por merita i takon policisë italiane, e cila nuk u hutua nga fishekzjarrët, nga turmat, dhe as nga vera e festave të fundvitit, por e bëri kontrollin siç duhej.

Kjo ngjarje, normalisht, duhej të shkaktonte debat të ashpër publik. I shumëkërkuari ka kaluar nga aeroporti i Tiranës, çka do të thotë se forcat e rendit nuk e kanë pikasur. Mund të ndodhë që dikush të kalojë, nuk e mohoj, por rasti duhet t’i stimulojë autoritetet shqiptare që ta rishikojnë efektshmërinë e kontrollit dhe problemet eventuale.

Kush e njeh Italinë, e di fare mirë, që vendi fqinjë ka problemet e veta për sa i përket kontrollit të territorit. Ende sot, ka me dhjetëra mafiozë, që forcat e rendit i kërkojnë çdo ditë, por nuk arrijnë t’i kapin. Megjithëse, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se vitet e fundit janë kapur kriminelë tejet të rrezikshëm dhe i janë grushte të fuqishme kriminalitetit të organizuar edhe në zona historikisht të vështira.

Mirëpo, kalimi i kufirit, sidomos ai nëpër aeroporte dihet që është nga më të kontrolluarit në botë. Nuk është normale që policia kufitare e vendit mbërritës t’i kapë ata që kalojnë lirshëm nga vendi i nisjes. Kalimi nga një shtet në tjetrin nuk u bë nga kufiri tokësor ose detar. Problemi këtu është se krahasimi midis dy kontrolleve bëhet në mënyrë automatike. Dy pikat kufitare i lidh një orë e gjysmë fluturim. Ka ndodhur që në Shqipëri të jenë kapur kriminelë italianë, por pas hetimesh të ndërsjella e kërkimesh të pareshtura të palëve.

Pastaj, urdhrin për arrest e kishte dhënë drejtësia shqiptare, çka nuk bie në sy për mirë. Ti vetë e jep urdhrin e vetë nuk e zbaton? Ose nuk arrin ta zbatosh dot? Golin, pra figurën e mirë, e bënë të tjerët, edhe pse forcat e rendit janë të gjitha aleate kundër krimit.

Ajo për të cilin lajmi nuk flet, e nuk e kishte për detyrë, është efekti i këtyre lajmeve, që botohen edhe nga vendet ku ndodhin. Publiku merr kështu imazhin  e një vendi ku mbizotëron anarkia, si vend pa shtet, si han me shtatë porta. E kjo nuk i bën mirë imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.