BIRËSIME RACISTE

Ishte e pashmangshme, sidomos për ata që nuk besojnë tek rastësia. Lajmi për të huajt e shumtë, që duan të birësojnë fëmijë shqiptarë, shkoi e u përplas virtualisht me lajmin e huaj se dëshirat e çifteve, që duan të birësojnë fëmijë me etni të caktuar, konsiderohen diskriminuese.

Përplasja ndodhi në datën 1 qershor 2010. Përballë syve të mi, teksa shfletoja virtualisht shtypin e ditës, shqiptar e të huaj. Shekulli në rubrikën “Arti i te jetuarit“ botonte shkrimin me titull “Kur të huajt duan fëmijë me gjak shqiptari”. Shkrimi përmban edhe një intervistë të shkurtër me një avokat të specializuar në lëmin e birësimeve. Mirëpo, ndërsa intervista është e ekuilibruar, komentet e gazetarit lënë vend për diskutime. Ja ç’thotë që në fillim:

E pabesueshme kur e tregon, por është më se e vërtetë. Çiftet nga Kanadaja, Amerika dhe jo vetëm kërkojnë të birësojnë fëmijë shqiptar. Janë të shumtë ata që marrin rrugën dhe interesohen se si mund të birësojnë një fëmijë në vendin tonë dhe më pas bëjnë gati dokumentacionin për të pasur një trashëgimtar me gjak shqiptar në familjen e tyre, dhe nuk janë të pakta rastet.

Nga këto fjalë duket sikur radha e birësimeve fillon që në aeroportin e Rinasit. Prindër aspirantë me pasaportë të huaj, që presin me padurim në varg për një fëmijë shqiptarë. Imazhi përgënjeshtrohet fill nga fjalët vijuese, me shifra modeste, me ca fjalë të rëndomta për çiftet e dëshiruara, për të përfunduar në fund me një gati-reklamë për birësimet në Shqipëri:

Në gjykatën e Tiranës, aktualisht, gjenden katër kërkesa të tilla dhe dy prej tyre janë prindër shqiptar dhe dy të huaj. […] Dëshira për të pasur një trashëgimtar nuk i pengon ata që të në familjen e tyre të vijë një fëmijë qoftë edhe i huaj i cili ka pasur një fat ndryshe, është braktisur i sapo lindur nga prindërit e tij biologjike. Të kesh një fëmijë tashmë është e thjeshtë, mjafton të plotësosh kushtet e vendosura.

Shkrimi vazhdon me një analizë të cekët, kryesisht me një përshkrim sipërfaqësor, të problemeve birësimore. Për fat të keq, anashkalohet fakti se çiftet shqiptare shfaqin preferenca lidhur me seksin e fëmijës, kurse të huajt jo. Gjithsesi, nuk dëftohet se cili është seksi i parapëlqyer i çifteve shqiptare, edhe pse lexuesi mund ta marrë me mend. Me interes për t’u hulumtuar më tej mbetet edhe fakti se çiftet shqiptare anojnë të birësojnë kryesisht të afërmit e tyre, pra fëmijë që kanë lidhje gjaku me ta.

Deri këtu artikulli shqiptar. Meqë përplasja (edhe virtuale) ka nevojë të paktën për dy aktorë, duhet të përmend artikullin e medias së huaj. Bëhet fjalë për lajmin e gazetës italiane Corrire della Sera me titull “Gjykata e Kasacionit: jo diskriminimeve raciale në birësimet ndërkombëtare”, dhe me nëntitull “Gjykata e lartë: asnjë birësim atyre prindërve aspirantë që duan fëmijë të një etnie të caktuar”. Ç’do të thotë kjo? Me pak fjalë, kjo do të thotë se një çift italian që dëshiron të adoptojë ekskluzivisht fëmijë me origjinë shqiptare, nuk mund ta bëjë sepse i mohohet e drejta e birësimit, për arsye se ka një qëndrim diskriminues e racist kundrejt fëmijëve të tjerë.

Vendimi i Gjykatës italiane mund të jetë i diskutueshëm, anipse mua më duket tejet normal, meqë çiftet që duan të birësojnë nuk mund të sillen në zgjedhjen e fëmijëve si të ishin para rafteve të supermarketit: sy të kaltër, flokë të verdha, kaçurrel, topolak, etj., ose i bardhë nga Lindja evropiane, i verdhë nga Azia qendrore, zezak nga Afrika Perëndimore, ose duke u fokusuar në etnitë specifike.

Përplasja mediatike që vura re, qëndron në ngazëllimin e titullit shqiptar (të huajt parapëlqejnë fëmijë me gjak shqiptari!) dhe në zemëratën e vendimit të gjykatës italiane (nuk mund të birësohet në bazë të etnisë!). I pari i bazuar në gëzimin infantil ushqyer sipas gjasës nga sofra e retorikës kombëtariste, i dyti i frymëzuar nga historia e një çifti sicilian, që dëshironte të adoptonte fëmijë të racës evropiane (sic!). Në absurditetin e tyre më linear duket i dyti, të paktën në planin e utilitarizmit. Thënë harbutçe mund të ishte kështu: “Duam të birësojmë vetëm fëmijë evropianë, se të tjerët nuk na pëlqejnë”. Arsyetim racist që e sheh veten në pasqyrën e viktimës, e cila mendon: “Jam më i mirë se të tjerët, ndaj edhe më përzgjedh mua”. Përballë një çifti perëndimor superegoist, që e kontrollon fëmijën si artikullin me kod bar, viktima që mburret se po zgjidhet i ngjan cjapit që shkon drejt kasapit.

Në qoftë se nuk gabohem, ka nuanca mburrjeje në titullin “Kur të huajt duan fëmijë me gjak shqiptari”. Zhurma e rrahjes së gjoksit do të ishte dëgjuar më pak sikur titulli të kishte qenë “Kur të huajt duan fëmijë shqiptarë”, d.m.th. pa gjak përpara; sepse varianti i dytë nënkupton alternativa të tjera: p.sh. emigrantë prej kohësh, nuk kanë fëmijë e kërkojnë të birësojnë fëmijë nga atdheu i tyre. Pak më pranueshëm, sikurse historia e shumë prindërve që duan të birësojnë fëmijë të racës së tyre në mënyrë që të trajtohen edhe nga të tjerët natyrshëm; gjithsesi mbetet çështje e diskutueshme, në mos brenda çiftit, sigurisht brenda shoqërisë.

Problemi është se këtë arsyetim nuk e bën vogëlushi jetim, që nuk e ka idenë fare të arsyetimeve tona mjerane: fëmija kërkon vetëm DASHURI PRINDËRORE, përtej gjakut e përtej pasaportës.

Nuk ka komente

  1. ””I pari i bazuar në gëzimin infantil ushqyer sipas gjasës nga sofra e retorikës kombëtariste””

    Retorika kombetariste nuk ka gjasa te ushqeje gezim per nje bir shqiptari qe adoptohet nga nje i huaj dhe behet i huaj.
    Biles ne jam me te, teorikisht eshte kunder adoptimit nga nje i huaj. Femijet shqiptare duhet te adoptohen nga shqiptare dhe anasjelltas shqiptaret s’duhet te adoptojne femije te huaj.

    ”” Problemi është se këtë arsyetim nuk e bën vogëlushi jetim, që nuk e ka idenë fare të arsyetimeve tona mjerane: fëmija kërkon vetëm DASHURI PRINDËRORE, përtej gjakut e përtej pasaportës.””

    Ve bast qe je pro abortit te padiskriminuar.

    1. Në sofrën kombëtariste gjen lloj lloj sallatrash, ndonjëherë të përkundërta në shije. Ka plot nga ata që mburren me trurin shqiptar që prodhon dituri nëpër botë, pavarësisht se kombëtarizmi klasik do të kërkonte që truri të mbetej vetëm në Shqipëri, të punonte për kombin.

      Sa për bastin tënd për pro-abortin, nuk di ç’të them. Më vjen ndër mend një batutë e Woody Allen-it, i cili thoshte: “Kur e fejuara ime mbeti shtatzënë, babai i saj ishte kundër abortit, pastaj më pa mua dhe ndërroi mendim”. Gjithsesi, jemi jashtë teme.

  2. Hyllin, për fat të keq, retorika kombëtariste gjatë njëzet vjetëve të fundit, nëse është shquar për një gjë, kjo gjë ka qenë budallallëku.

    Për shembull, disa prej këtyre retoricienëve, i janë vënë punës për t’ua shitur të tjerëve vlerat tona kombëtare; jo siç shitet malli, por siç shitet ideja ose koncepti.

    Ky gëzimi për birësime sipas gjakut “shqiptar” i ngjan entuziazmit për kanunin (të lexuar në mënyrë krejtësisht ekzotike), virgjineshat, gjakmarrjen, Ann Boleyn-ën me origjinë shqiptare dhe të tjera thagma.

    Entuziastët përkatës hidhen përpjetë me hare, sa herë që një ngjarje çfarëdo vërteton se edhe ne, shqiptarët, i përkasim familjes së madhe të njerëzimit (nuk kemi bisht).

    Sa për gjakun, ideja pas entuziazmit është, besoj unë, se ne shqiptarët jemi të mirë “nga gjaku”, por na prishin të tjerët, armiqtë, ose ata që u shërbejnë armiqve sepse paguhen prej tyre.

    Është një vizion kaq primitiv i gjërave, se nuk e kundërshton dot. Në të njëjtën mënyrë, dikur, njerëzit besonin se për çdo gjë të keqe që ndodhte, ishte përgjegjës djalli, drejtpërdrejt ose tërthorazi (kur provokonte zemërimin hyjnor).

    Sipas kësaj ideje, të huajt e dinë dhe e njohin vlerën e gjakut (gjenit) shqiptar madje më shumë e më mirë se edhe ne vetë.

  3. Edhe në shtypin gjerman kam parë tituj ” me gjak” por për të gjithë është e qartë se ka kuptim figurativ. Shkruhet p.sh. se Filoni ka “gjak të kaltër”, sepse ka origjinë fisnike, origjinë princore,etj. Ndoshta ndryshimin e bëjnë lexuesit.

    Dihet që në shëndetin mental të një individi rol të rëndësishëm luan suksesi, më saktë, sukseset e tij. Kur një person për një kohë të gjatë “korrë” vetëm mossuksese, i rrezikohet shëndeti mental. Ndoshta kështu ndodh edhe me shoqëritë njerëzore. Pjesëtarët e një shoqërie me shumë probleme edhe nga të jashtmit shikohet me më pak respekt. Shoqëria me imazh të keq krijon komplekse te pjesëtarët e saj. Anëtarët e saj i pranojnë edhe pseudosukseset për ta ruajtur vetërespektin. Kështu edhe ky gazetari jonë shkruan “e pabesueshme por e vërtetë” për diçka tejet të rëndomtë.
    Shqiptarët kanë nevojë tepër të madhe për suksese. Sukseset gjithashtu duhet të popullarizohen, por me një gjuhë korrekte, e kurrsesi me gjuhë raciste.

  4. ””Në sofrën kombëtariste gjen lloj lloj sallatrash, ndonjëherë të përkundërta në shije. ””

    E vertete, meqe gjithcka eshte kaotike dhe s’jane vene pikat mbi ë, po aq sa eshte e vertete kjo qe thote xha xhai:

    -Sipas kësaj ideje, të huajt e dinë dhe e njohin vlerën e gjakut (gjenit) shqiptar madje më shumë e më mirë se edhe ne vetë.

    Megjithate karakterin sofres ja jep mishi jo sallata.

    Qemtimi i qendrimeve kontradiktore qe burojne nga interpretime ad hoc te atij qe ti e quajte kombetarizmi klasik jep nje ide te gabuar mbi kete te fundit.

    Pastaj kjo legjitimoi shpullen morale ne fund te artikullit.

    Interpretimet e posacme, ku perfshihen edhe shitblerjet e figurave historike, nuk kane bosht, nuk respektojne dikotomine baze, nuk mbeshteten mbi parime te njohura, prandaj jane edhe te dobeta nga ana argumentuese, s’jane as mish as peshk.

    Nga ana tjeter ato kane funksion integrues, ku integrimi duhet te kete permasa dinjitoze.
    Kadarene e terhoqi ky funksion dhe beri me te famshmin interpretim ad hoc te ketyre 20 vjeteve.
    Meqe u mungon rigoroziteti apo koherenca, keto lene kohen qe gjejne (edhe pse mund te jene jetegjata).

    Mua nuk me pelqeu (sh)perdorimi qe iu be (me prapavije morale), pres me shume ndershmeri nga nje kozmopolit filantrop, po mbase kjo eshte e meta ime.

  5. ””Ka plot nga ata që mburren me trurin shqiptar që prodhon dituri nëpër botë, pavarësisht se kombëtarizmi klasik do të kërkonte që truri të mbetej vetëm në Shqipëri, të punonte për kombin.””’

    Do shtoja dicka rreth kesaj pike, meqe njefaresoj kemi ‘biresim truri’.
    Njerezit e mendjes jane shperndare ne Perendim si zogjte e qyqes, problem qe e ka edhe Italia, meqe italianet ja mbathin kryesisht ne Amerike.

    Sistemi arsimor ne nje shtet nuk udhehiqet nga parime universaliste, bashkesia investon per njerezit e vet nepermjet shtetit. Pastaj per interesat e veta, kryesisht per te shtrire ndikimin kulturor investon edhe per te huaj (paresisht studente).
    Po per interesat e veta, paguan edhe ‘trurin e gatshem te huaj’.

    Qe truri te rrije ne Shqiperi eshte parim i natyrshem, i vetvetishem (interesi i bashkesise), te cilin nacionalizmi e ben te vetin vetem sepse ne teorine e qarkullimit te lire te mallrave dhe njerezve, del te jete normale qe truri te shkoje aty ku paguhet me mire dhe te punoje per ate qe e paguan me shume.

    Keshtu shtetet e varfra bastisen nga truri dhe shtetet e pasura thellojne perhere e me teper diferencen me ato te varferat ne pune truri.

    Ky qarkullim i lire vetem sa perjeteson e thellon epersine e shteteve te pasura.

    Keshtu qe nuk shoh cmund te kete per tu mburrur me trurin qe prodhon per bashkesite e tjera. Ai tru nuk i sherben ngritjes se bashkesise shqiptare.

    Argumenti biologjik sherben vetem si mbrojtje ndaj akuzave biologjike, per asgje me teper. Kur dikush thote shqiptaret jane gjenetikisht keshtu e ashtu, mund te perdoret nje shqiptar i suksesshem ne vend te huaj.
    Vleren si kunderargument ne kete kontest e ka, s’i duhet mohuar.

    Tani qe te mos kete me biresime truri, pengesa nuk eshte as Sala as Bala, por teoria e qarkullimit te lire.
    Kesaj teorie mund ti kundervihesh vetem me subvencione shteterore, por subvencionet kushtojne shume sepse eshte logjike qe s’mund te hahesh dot me Ameriken, nuk eshte ”sostenibile”.
    Me pak i kushtueshem per bashkesine eshte aspekti spiritual, i lidhjeve spirituale te trurit me bashkesine, ketij i duhet meshuar. Por edhe ky i vetem nuk mjafton se s’rron njeri duke ngrene spiritualitet.

    Prandaj nevojitet nje ekuiliber apo raporti optimal midis subvencioneve shteterore dhe aspektit spiritual.

    Ne kohen e sotme kemi nje ngerc sepse nuk mund te pajtohet aspekti spiritual me teorine e qarkullimit te lire e cila e katapulton vetvetiu trurin jashte.

    Duhet kapercyer ky ngerc qe te fillojne edhe subvencionet shteterore.
    Po ky ngerc fillon tek ‘mendja’ e vete trurit prandaj ndodhemi ne nje rreth vicioz.
    Politika mund te beje aq sa cpo ben Sala, po jepen leke shtese per masterat e doktoraturat. Kaq s’mjafton, kjo eshte politike e permbajtjes, e emergjences, nuk eshte reforme strukturore. Po kjo e fundit fillon ne mendjet tona, jo ne ate te politikanit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin