NINULLA KOMBËTARISTE

Këto ditë, gazetat përcollën lajmin se Koço Danaj ka lajmëruar, që nga Mynihu, se do të mbledhë 1 milion firma për një peticion për “Shqipërinë natyrale.”

Sipas agjencisë Die Presse, Danaj ka deklaruar këto firma do të mblidhen ndër shqiptarët që jetojnë “në vende të tjera të Europës.”

Do të ketë qenë një koincidencë, që deklarata e Danajt u bë e ditur pikërisht kur Grid Rroji, nga faqet e Panoramës, dhe duke iu referuar një debati që bëhet në blogun Rrethi i Ferrit (të drejtuar nga Shinasi Rama), lajmëronte domosdoshmërinë e ndërtimit të një shteti komb për shqiptarët.

Shkrimi i Rrojit ka interes jo vetëm për pikëpamjet që shpreh autori aty, por edhe për të marrë një ide për memet që po përpunohen në blogun e Sh. Ramës.

Mes këtyre, spikat denoncimi dhe kundërshtimi i vendosur që i bëhet “parisë së Tiranës”, e cila ka mishëruar rregullisht, “nga Ahmet Zogu tek Edi Rama” pushtetin klanor, “duke e shpërfillur tërësisht interesin kombëtar.”

Autorësia për memin e “parisë së Tiranës” si mishërim dhe shembëllim i së keqes kombëtare i takon Sh. Ramës; i cili, tani së bashku edhe me kolegun Rroji, ka argumentuar se kjo pari ka përqafuar, sipas rastit ideologji kundërshtare të kombëtarizmit, të tilla si “kozmopolitanizmi, feudalizmi, komunizmi, europianizmi dhe pseudoteoria e ‘bashkimit në Europën e Bashkuar.’” [citati nga Rroji.]

Më duhet të shpjegoj se unë asnjëherë s’e kam kuptuar pse paritë politike të Shqipërisë quhen “të Tiranës” – meqë Tirana është kryeqyteti i vendit dhe vendi gjeometrik i ushtrimit të pushteteve; prandaj çdo pari politike atje do ta gjejë shprehjen – madje edhe kur të jetë me origjinë nga Burgajeti, Palortoja a Viçidoli.

Një tjetër pohim i Rrojit në artikull tërheq vëmendjen, dhe pikërisht se “boshti i kombëtarizmit shqiptar po zhvendoset nga Tirana drejt Prishtinës.”

(Gjeometrikisht, i bie të ndodhet sot diku afër Bulqizës.)

Përtej hilaritetit, që lind natyrshëm, ku mund të mbështetet një pohim i tillë?

Nuk shoh arsye për këtë zhvendosje të boshtit; vërtet AK-ja, si forcë politike në Shqipëri, pësoi një fiasko të paparë në përpjekjet e veta për të kapitalizuar atdhedashurinë e shqiptarëve; por edhe kombëtarizmi në Prishtinë nuk është se i ka punët më mirë – sa kohë që edhe Vetëvendosjes i duhet të merret me pasojat afatshkurtra dhe sidomos afatgjata e krizave politike, të shkaktuara nga konflikti i paradokohshëm me ShBA (mjaft serioz) dhe akuzave që i janë bërë për flirt me fondamentalizmin islam.

Dhe aq më tepër, nëse ky kombëtarizëm po zhvendoset nga Tirana në Prishtinë, cilët janë ideologët e tij sot?

Nëse është fjala për Albin Kurtin, pse nuk thuhet kjo haptazi? Dhe nëse jo Albin Kurti, atëherë kush tjetër?

Para ca kohësh, Agon Hamza pat shkruar se Kosova po funksiononte si nënvetëdija e Shqipërisë; por, po të gjykosh nga arsyetimet e Rrojit, duket sikur rolet janë kristalizuar tashmë, dhe Kosova është shndërruar në superego të kombëtarizmit shqiptar (edhe pse jo të Shqipërisë).

Kur formulon përfundime të pjesshme për sa  ka thënë, Rroji shpjegon se “Rilindja e popullit shqiptar nuk mund të kalojë nëpër kanalet e llumit të rotacionit të parisë së Tiranës.” [këtu dhe më poshtë, theksimi im, 2Xh]

Duhet një fillim i ri, thotë autori, i cili “kalon nga pozicionimi pa kompromis kundër bandave të parisë së Tiranës.” Qëndrim tipik për blogun “Rrethi i ferrit”; edhe pse në kontekstin e një artikulli ku praktikisht thuhet se Prishtina po gatitet të bëhet kryeqyteti i kombëtarizmit shqiptar, ai merr tingëllim tjetër.

Kjo edhe ngaqë në artikull anatemohet ashpër dhe rëndë paria e Tiranës, por fare pak ajo e Prishtinës; kritika ndaj së cilës mjaftohet me një “me gjithë korruptimin e elitave politike në Kosovë dhe në Maqedoni.”

Vëreni edhe se këto të Kosovës dhe të Maqedonisë quhen “elita”, për t’u dalluar nga “Paria e Tiranës.”

Përshtypja që të krijohet, nga ky artikull që synon të përfaqësojë së paku pozicionet kombëtariste të blogut “Rrethi i ferrit”, është se për autorin, nëmos për autorët e blogut vetë, kombëtarizmit shqiptar shpëtimi nga paria e Tiranës do t’i vika nga Prishtina.

Dhe se shpresat për shtetin komb të shqiptarëve u dashkan mbajtur më shumë te Prishtina, sesa te Tirana; dhe se “kryeqyteti ideologjik” i shtetit-komb që do të dalë nga kjo neo-rilindje, kushedi nuk do të jetë më Tirana, por Prishtina.

Se cilët ideologë dhe politikanë, në Prishtinë, do t’i prijnë këtij procesi gati mesianik, Rroji nuk e thotë; por të paktën nuk thotë as edhe se radiopërhapja e ideologjisë përkatëse i është besuar blogut “Rrethi i ferrit.”

Në fakt, Sh. Rama, që e drejton këtë blog, gjithë duke qenë edhe profesor i shkencave politike në NYU, e ka sqaruar më se një herë se nuk ka ambicie politike.

Nga ana tjetër, ideja se qendra e kombëtarizmit shqiptar gjendet jashtë Shqipërisë nuk është dhe aq e re; pse e gjen të shprehur pothuajse sa herë që ndonjë grup, shoqatë a individ nga diaspora merr mundimin të shqiptohet politikisht.

Edhe Koço Danaj firmat për Shqipërinë natyrale kërkon t’i mbledhë ndër shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë.

E megjithatë, fakti që Aleanca Kuqezi pati fatin e flluskës së sapunit dhe u zhduk nga skena politike shqiptare pas zgjedhjeve të fundit, tregon që, së paku në Shqipëri, nevoja për “shtetin komb” nuk po ndihet dhe aq; sidomos në krahasim me nevoja të tjera (p.sh. për mirëqenie dhe qytetërim), pa çka se, sipas Rrojit, “kombëtarizmi e ka burimin e fuqisë së vet ideologjike thellë në ndërgjegjen e popullit.”

Rroji nuk ka ndonjë shpresë tek Europa, as te bashkëpunimi në Europë, as te perspektiva e bashkimit të shqiptarëve në Europë – madje europeizmin e sheh si pjesë të ideologjive anti-kombëtare, ose më keq akoma, si pseudo-ideologji.

Përkundrazi, “ruajtjen dhe forcimin e aleancave strategjike të popullit shqiptar, sidomos me ShBA-të,” e paraqet si një nga objektivat themelorë të kombëtarizmit shqiptar “të shekullit të njëzetë” (lapsus – duhet të ishte, kushedi, njëzet e një).

Një Shqipëri e bashkuar me qendër në Prishtinë dhe e ftohur me Europën, në emër të një “aleance strategjike me ShBA” – ky farë realiteti kombëtarist nuk më duket se ka shanse të përqafohet gjëkundi në Shqipëri.

Ndërkohë, të mos harrojmë se blogu “Rrethi i ferrit” u angazhua seriozisht, para zgjedhjeve të 23 qershorit, për t’i bindur lexuesit e vet ta hidhnin votën të bardhë; një nismë taktikisht e pastudiuar dhe që nuk mund të mos dështonte, së bashku me nisma simotra, nga palë të tjera të shoqërisë civile brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Gjasat janë që edhe angazhimi i tanishëm, për shtetin komb me kryeqendër në Prishtinë, të jetë produkt i të njëjtit keqlexim të perspektivave shqiptare, për shkak të distancës gjeografike dhe ideologjike nga realiteti politik, ekonomik, sociologjik dhe kulturor, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë.

Jashtë proceseve të integrimit europian, Kosova institucionalisht ende e cunguar rrezikon të përfundojë sërish nën ombrellën e Serbisë – pse Shqipëria sot nuk ka këllqe, e kushedi as dëshirë, për ta marrë motrën e vogël nën sqetullën e vet të palarë.

Së bashku me nismat “natyrale” të Koço Danajt, përpjekje të tilla, sikur të mos ishin të vetëkufizueshme (self-limiting) dhe pa peshë politike e ideologjike të mirëfilltë, do ta rrezikonin fatin dhe mbrothësinë e shqiptarëve si komb më tepër se ç’po e rrezikojnë paritë e korruptuara – në Tiranë, në Prishtinë, madje dhe në vetë diasporë.

Shënim: lexuesi është i lutur të komentojë për sa më lart, por t’u ruhet sulmeve ad hominem ndaj G. Rrojit dhe Sh. Ramës. Sulme të tilla në blogun tonë përgjithësisht nuk mirëpriten; por në këtë rast bëhet fjalë edhe për dy kolegë që unë i njoh personalisht dhe me të cilët kam marrëdhënie miqësore.

Nuk ka komente

  1. XhXh: “…asnjëherë s’e kam kuptuar pse paritë politike të Shqipërisë quhen “të Tiranës”…”

    Një thellim ndoshta do të ishte i dobishëm, për të kuptuar mekanizmin dhe pasojat, kur qendra e pushtetit, kryeqyteti, Tirana, i nënshtrohet vullnetit politik, të këtyre të ardhurve nga periferitë.

    E vërteta është që duam apo nuk duam, me hir apo me pahir, pavarsisht nga kane zbritur, ata bëhen paria e Tiranës, dhe si të tillë, së fundi, edhe e Shqipërisë.

    Shkrimi ka pulsin dhe drejtimin që duhet, i bën jehonë disa të vërtetave të thjeshta.

    Kombëtarizmi në ditët e sotme, është një tjetërsim në shqip, pavarësisht konotacionit, i termit nacionalizëm. Nga njëra anë, mbijeton sot nga mbeturinat e djegieve të karburëve të autoritetit moral të ditëve të lavdishme dhe heroike të Rilindjes Kombëtare. Sot çka kërkohet të ngjallet është vetëm patosi i një kohe dhe udhëheqje të kallur në varr, që dikur e transformoi dhe krijoi një komb të tërë.

    Dikur një gjë e tillë ishte e mundur, sepse lëvizja që ngjalli e nxori në skenën ballkanike dhe evropiane kombin shqiptar kishte një qartësi morale të thellë, të pa korruptuar. Arriti madhështinë dhe lavdinë, se në fund të fundit arriti të krijojë Shqipërinë, pavarësisht se të cunguar.

    Kombëtarizmi i sotem shqiptar nuk mund të bëjë të njëjtën thirrje, të shkruajë të njëjtën letër, si një shekull më parë, sepse ndryshe kthehet në një parodi të suksesit të nacionalizmit të dikurshëm.

    Nacionalistët e sotëm duhet të shohin se realiteti nuk është i njëjtë, tani flitet për dy shtete, Kosovë e Shqipëri, ku Evropa dhe fuqitë e tjera të mëdha, si SHBA, përpiqen t’ia kthejnë sovranitetin në diçka që ka peshë, relevante, larg zjarrmisë dhe patosit nacionalist pa këllqe.

  2. Për mua, zhvendosja e boshtit kombëtarist nga Tirana në Prishtinë

    1. nuk krijon hilaritet të natyrshëm,
    2. nuk dëshmon se ideologët gjenden në Prishtinë, por dëshmon se ata nuk gjenden në Tiranë,
    3. dëshmon që kombëtaristët nuk janë stabilizuar (bile jo gjeografikisht), dhe
    4. dëshmon që shumëkush nuk është i përgatitur për zhvendosje boshtesh në botën shqiptare, qoftë edhe për një temë margjinale si kombëtarizmi.

    Këtë e kam theksuar edhe më herët, por duket që nuk has në mirëkuptim. Që nga ajo kohë, kosovarët e kanë bërë shtetin – sado i gjymtë, i mjerë dhe i palakmueshëm që është, kurse shqipëritarët e dhien në të edhe atë që e trashëguan, duke arritur ta shndërrojnë nga një aspiratë në një objekt për tallje.

    1. Prishtina mund të jetë kryeqyteti i shtetit të Kosovës, por sa i përket hapësirës mbarëshqiptare, nuk vlen gjë më shumë se Shkodra, Vlora ose Korça. Nuk ka asnjë arsye, madje as gjeometrike, pse qendra të zhvendoset nga qendra drejt periferisë; dhe aq më pak në rrethanat kur në Prishtinë as po ndodh, as mund të ndodhë ai takim, ndërveprim dhe shkëmbim shqiptarish të shumëllojshme si në Tiranë. Prandaj vlera kryesore e Prishtinës, në fanta-gjeometritë tona kombëtariste, është se ajo ndodhet larg Tiranës, ose larg, tout court.

      1. Me falni,Xha Xha,por me duket i nxituar ky konstatim?Diku ne Peizazhe te Fjales,kam lexuar se problemet e gegerishtes do te mund te zgjidhen ne mes te Tiranes dhe Prishtines? Te kuptohemi,Prishtina nuk mund ta zevendesoje Tiranen,por nuk mund te barazohet me Vloren e Shkodren e aq me pak Korçes.
        Perderisa ju vete konstatoni se Prishtina e ka fjalen e vet edhe ne planifikimet gjuhesore,ju e hudhni tutje peshen e saj politike ne hapesiren shqiptare.
        Mbase gabohem…

        1. Janë gjëra të ndryshme. Diskutimin për problemet gjuhësore le ta bëjmë në vendin përkatës, në kontekstin përkatës. Nëse do të më citonit saktë, do të më ndihmonit t’ju përgjigjesha më mirë.

          Zakonisht, kam mbrojtur tezën se Prishtina rrezikon ta shkurorëzojë Shkodrën, si kryeqendër të Gegnisë. Kjo ngre peshë në ekuilibrat gjuhësorë, edhe pse problemet gjuhësore zakonisht zgjidhen nëpërmjet arsimit, jo negociatave.

          Kosova ka qenë plagë e dhimbshme, për kombin shqiptar – por kjo nuk e bën Prishtinën gjë qendër të kombëtarizmit shqiptar dhe të projektit për shtetin-komb.

          Shqiptarët iknin dikur nga Kosova nën sundimin serb, por po ikin edhe sot nga Kosova e lirë. Sapo lexova një thirrje të presidentes Jahjaga, drejtuar të rinjve që të mos largohen nga vendi.

          Se ç’peshë do të luajë Prishtina në fatet e ardhshme të shqiptarëve, kjo varet kryesisht nga elita në pushtet. Për fat të keq, megjithë retorikën dhe bombastikën që nuk mungon, elita e sotme që drejton Kosovën më duket e kolonizuar shpirtërisht nga serbofilia, e cila, herë-herë, merr trajtat e serbofobisë.

          Kombëtarizmin, si ideologji, nuk e ndan dot nga kultura kombëtare – dhe roli i Prishtinës, në themelimin, mirëmbajtjen, pasurimin dhe kultivimin e kulturës kombëtare ka qenë margjinal, për arsye kryesisht të sundimit serb.

          1. Nese nuk gaboj kam lexuar nje interviste tuajen me Shkelzen Gashin per çeshtjen e gegnishtes.
            Une nuk thashe se Prishtina eshte apo do te jete qender e kombetarizmit shqiptar,por se ka nje peshe ne zgjimin kombetar,e ka.Ta marrim periudhen 1878-1912,pothuajse te gjitha vlimet e kryengitjet e medha kane ndodhur ne truallin e Kosoves dhe rreth saj.Gjate kesaj periudhe ne Jug ndodhte vetedijesimi kulturor i shqiptareve,ndersa ne Veri,vetedijesimi politik.
            Edhe sot,pavaresisht problemeve,fjala e Prishtines do ta kete peshen e vet.
            Ndoshta ju kujtohen para disa viteve deklaratat e zyrtareve serbe se per ta zgjidhur nje here e mire problemin shqiptaro-serb,duhet te bisedojme me Tiranen.Me kujtohet se ish-presidenti Topi pati thene se Kosova ka institucionet e saja dhe adresa e kesaj çeshtjeje eshte Prishtina.
            Nuk mendoj se kombetarizmi ushqehet vetem me kulturen,por po ju jap dy -tre emra qe ju i njihni mire e qe kane dhene kontribut ne kulturen tone:Rexhep Qosja,Muslim Mulliqi,Ali Podrimja etj.

            1. E drejtë – intervista gjendet edhe këtu në PTF.

              Ka disa kohë që e kam dhënë – dhe pozicionet e mia kanë ndryshuar pak. Në përgjithësi, jam zhgënjyer me shumë promovues të rishikimit të standardit.

              Shkruan:

              Une nuk thashe se Prishtina eshte apo do te jete qender e kombetarizmit shqiptar,por se ka nje peshe ne zgjimin kombetar, e ka.

              Nuk ta kundërshtoj; por ki parasysh, të lutem, se debati në shkrimin tim po bëhet me një tezë, sipas së cilës Prishtina po bëhet një qendër e tillë (ose ndonjë vend tjetër në Kosovë, xhanëm – mbase autori ka pasur parasysh Ferizajn).

      2. Nuk ka arsye pse të zhvendoset qendra, prandaj është i pakuptueshëm delegimi i kësaj çështjeje nga Tirana në Bruksel.

        Tirana e ka humbur një shans të mrekullueshëm për t’u bërë strumbullar i shqiptarizmës. Kosovarëve nuk ju deshën më shumë se njëzet vjet të bëjnë një universitet të vetin duke i pasur themelet në Beograd. Kurse Tirana, për kaq kohë nuk ka arritur të prodhojë as edhe një kuadër të vlefshëm për Kosovën apo nga Kosova. Ndërkohë, e theksoj se jam rritur nga Normalistë të Elbasanit. Tirana eklipsohet nga të gjitha ato qytete që i përmende. Harta e shqiptarizmës që lexohet në emra fëmijësh e regjistron Shkodranin, Tomorrin, Vlorën, Labinotin, Elbasanin, Beratin, Janinën, Sarandën, por jo Tiranën. Natyrisht, s’e regjistron as Prishtinën, se edhe kjo është motër e Tiranës.

        Tirana ka mbetur qendër vetëm për tifozët, edhe atë më duket se nga zori, e jo nga dashja.

  3. Se ekziston nje fryme e theksuar kozmopolitanizmi ne Tirane,kjo eshte e vertete.Une mendoj se shanset per nje bashkim kombetar jane humbur gjate Luftes se Dyte Boterore dhe besoj se askush nuk kerkon nga elita e Tiranes qe tashme te luftoje kunder mullinjve te eres,por kerkohet nje kujdes me i shtuar per shqiptaret jashte kufijve shteterore,gje qe mund ta beje pa rreshqitur ne nacionalizem.Per fat te keq,kjo nuk po ndodh,(te mos llogarisim rastet sporadike si Pandeli Majko ,Ramiz Alia etj).Elita e Tiranes te prokupuara me konsolidimin e pushtetit ne Tirane,gjate 100 viteve te shkuara e kane heshtur problemin shqiptar jashte kufijve te shtetit shqiptar (A.Zogu, E.Hoxha).
    Ndersa,Prishtina duke qene gjithnje ne zgripc te ekzistences ka perqafuar nacionalizmin si e vetmja strehe mbijetese,por duke mos harruar as shqiptaret jashte kufijve te Kosoves.Bash sot,kryeministri Thaçi ka nje deklarate goxha te forte per shqiptaret e Maqedonise:http://www.koha.net/?page=1,13,153096

  4. Shpesh, diskutimet per bashkim kombetar apo per ceshtje te perbashketa te kombit, me kane lene me teper shijen e ndarjes, sesa te bashkimit.
    Ne konceptin bashkues tek blogu, apo shkrimi, qe citon Xhai, duket sikur flitet per bashkim territoresh, e jo shoqerish; duket sikur keto territore mbahen te “rrethuara” ilegalisht me nje gardh provizor, prej “parise” se Tiranes, e qe me tu shmangur ajo (prej kujt, duhet pyetur) situata merr per mbare… Kam bindjen se, te pakten per situaten e shqiperitareve (po te huaj termin, xha), paria eshte nje pjese me te cilen perfaqesohen (edhe pse duket sikur jo). Gjithashtu, pjekuria politike, apo perceptimi per shtetin, eshte ne nivele te tilla sa nuk shoh shume hapesira, qe nje burre shteti, apo ndonje baba kombi, te vendose per ta…sapo e zune me shkelma nje qe bente “babain” (edhe ne rrolin e babait te ashper patriarkal).
    Ne syte e mi, bashkimi i shoqerive te tilla, qe nuk kane ndare bashkejetese e standarte te njejta, ka pengesa te tjera. Individet ne shoqeri kane kufizime ne lirite e ne te drejtat e tyre, ne saje te bashkejeteses dhe bashkeperkatesise ne nje shtet; kur shoqerite tona ta pranojne kete prej njera tjetres, kur shqiperitaret ta pranojne qe kosovaret te vendosin edhe per ta (dhe anasjelltas), jemi aty. Gjithashtu standartet e ngjashme me duken kriter i konsiderueshem, per me teper qe nuk kapacitete te ngjashme me RFGJ (dicka te tille e kam lexuar edhe ne nje shkrim te meparshem te xha xhait).
    Strategjia qe sjell kohezionin mbase ngelet harmonizim ne standart, informimi dhe familjarizimi mes shoqerive, krijimi i nderlidhjes se natyrshme te fushave te interesit dhe kultures. Dicka e tille mendoj se duhet mbeshtetur, nese degjohet ndonje qe e thote.

  5. Shpesh here vitet e fundit kam konstatuar se nqs nderron thjeshte me nje cut/copy termat ‘shqiptar’, Shqiperi etj me ‘serb’ dhe Serbi, cuditerisht fare lehte mund te zbulosh se ligjerimet e Vetevendosjes apo te tjeresh kombetariste vendosur majtas apo djathats, jane pothuaj plotesisht simetrike me ato te Milloshevicit. Duket ndonjehere sikur keta thjeshte kane marre e perkthyer fjalimet e Sllobodanit duke zevendesuar dy termat me lart. Ngjashmeria eshte akoma me e dukshme nqs fokusohemi tek ‘kritika’ dhe qendrimet ndaj ‘perendimit’. Me te njejten optike dhe te njejtin ligjerim, pushteti dhe propaganda e Milloshevicit u “mbrojt” ndaj “sulmeve” te botes se qyteteruar. Nuk po bej aludime konspirative, sepse jane plotesisht jashte botekuptimit tim, por ngjashmeria eshte e plote. Kjo thjeshte, dhe mund te them edhe ne forme banale, thekson mungese tragjike idesh ndoshta teresisht ne hapesiren ballkanase e vecanerisht ne “boten” shqiptare. Dihet se si perfundoi “filozofia politike” e nacionalizmit serb. Jane thjeshte sindroma te Jugosllavise qe tashme me 20 vjet vonese kane zbritur dhe zene vend ne mendimin politik te disa “elitave” shqiptare.
    Padashje komplekset tona karakteristike ballkanase, rishfaqen vazhdimesisht ne qendrime vete-viktimizuese qe na drejtojne drejt ciklesh te pafunda veteshkaterrimi.
    Mendoj se ketu qendron problemi kryesor, tek vete-viktimizimi shpesh here i kthyer ne vete-percmim, si rezistence e brendshme ndaj QYTETERIMIT. Cfare eshte interesante te shohesh eshte dhe pozicioni totalisht injorues i shqiptareve ndaj deshmive te qyteterimeve antike ne territorin tone. Mbetet gjithnje brenda preferancave primare te nacionalisteve evokimi primodial i nje shkuare mitike etnogjenezash te supozuara pellazgo-ilire ne kohen kur shkelet mbeshtyhet dhe shkaterrohet cdo deshmi qyteterimi si prodhim i kreativitetit njerezor, pse jo heterogjen te dymije e me shume vjeteve me pare.
    Mbetem i habitur sesi keta njerez qe realisht jetojne brenda Shteteve te Bashkuara, ne kete rast, mbeten po kaq te verber ndaj themeleve te qyteterimit te vendit prites. Ka nje ngjashmeri mes injorimit te trashegimnise te qytetrimeve antike brenda territorit shqiptar me verberine ndaj koncepteve baze te qyteterimit ku sot keta burra jetojne.
    Ne raport me hapesiren shqiptare, mendoj se ka nje mungese te theksuar idesh per te mos folur per kreativitet intelektual, i cili ne rastin me te mire krijon nje lloj ‘bricolage’ projektesh dhe politikash te nxjerra boje populiste ballkanike. Jane politika te cilat andej nga fundi i viteve 80 u nxoren nga sendyqet serbe, vetem e vetem qe te justifikohej vazhdimesia ne pushtet e nje njeriu te vetem: Sllobodan Milloshevic. Kaq.
    Eshte e veshtire te flasesh dhe te diskutosh “idete” e ketyre njerezve, pasi ato jo vetem qe nuk sjellin ndonje te re, por pikerisht vazhdojne te ekzistojne ne hapesira virtuale fantazish mitike sepse nuk kane me asnje mendim, por vetem komplekse te pazgjidhura te nje katundarie totalisht periferike post-koloniale qe nuk kupton se ka shansin te behet pjese e nje qytetrimi pa qene nevoja te zihet me cunat e lagjes per te vene ne vend dinjitetin e humbur nga halabaket e lagjes tjeter.

  6. Z. Vehbiu,
    me sa di z. G. Rroji ka qenen pergjegjes per marrdheniet me mediat e Parise se Tiranes per mbi tre vite dhe kjo me çudit per akrobacite e tij ideologjike. Nderkohe ne shkrimet e tij te fundit perdor shpesh termin “parì” mesa duket e ngulitur ne mendjen e tij nga ideologu Sh. Rama.
    Sh. Rama, une nuk e di si eshte e mundur qe nje pedgog ne USA te perqafoje idene e “shtet-kombeve” e papranuar kjo tashme nga asnje institucion nderkombetar. Pastaj, nuk arrij te kuptoj sesi mund te jete Prishtina qendra e kombit me ate varferi te tmerrshme kulturore qe e karakterizon nese e krahasojme me Tiranen. Jo se ne Tirane ka pasuri intelektuale, por sepse me te vertete ne Prishtine gjendja eshte mjerane.
    Sa i perket Z. Kurti, i vetevevdnosjes, ai eshte i paafte te jete ideolog per shkak te pergatitjes kulturore. Ai eshte nje lloj Ce Gevare ne miniature por qe nuk ka shanse ne Kosove dhe per kete kerkon te behet “islamik” dhe ndjek me shume shembullin e Mullah Omarit ne Afganistan.
    Sefundi, kam nje verejtje edhe per Ju Z. Vehbiu: kur ke vene shenimin, ai duhet te jete principial, pra parimet te vlejne per te gjithe jo sepse Rrojin dhe Ramen i “i ke shoke”.
    Andrea Nikaj

    1. Shkruan:

      kam nje verejtje edhe per Ju Z. Vehbiu: kur ke vene shenimin, ai duhet te jete principial, pra parimet te vlejne per te gjithe jo sepse Rrojin dhe Ramen i “i ke shoke”.

      Vërejtja qëndron. Megjithatë, po ta kesh ndjekur blogun, do ta kesh vënë re sa kujdes tregohet këtu për të ruajtur dinjitetin e personave që përmenden në debatet.

      1. Jo, Z. Vehbiu. E kam vene rè se siti juaj eshte shume korrekt. U nisa thjeshte nga shenimi juaj ne fund. p.s: libr juaj “shqipja totalitare” eshte nje nder veprat me te mira mbi komunizmit.
        gjithe te mirat,
        andrea nikaj

        1. Falemnderit!

          Në fakt, përpjekjet e mia për të ruajtur nivelin e debatit bëhen jo aq kundër debatuesve vetë, sesa modelit jashtëzakonisht të molepsur që ofrojnë mediat shqip, anembanë Internetit.

  7. XhaXha, e ula pak steken e shkrimit tuaj me komentin e mesiperm, duke patur ne rmend se ne blog ose kudo tjeter mund te kete dhe ka edhe lexues disi naive, te cileve mendoj edhe me privilegjin qe kam si shkrues anonim i duhet dale perpara. Shpresoj te mos kem fyer njeri me lart sepse nuk ishte qellimi im.
    Sot ne blogun Rrethi i Ferrit lexova nje shkrim te titulluar: Mbi Konceptin e Berthames se Kombit Shqiptar.
    Po vazhdoj komentin ketu, duke marre shtyse nga shkrimi juaj, pasi tema e ketij shkrimi dhe asaj qe ju trajtoni lidhen me njera tjetren.
    Personalisht kur lexoj shkrime te tilla si ai i Ferrit qe permend me lart, me lindin dy pyetje: A i kane shkruesit seriozisht ato qe thone, apo cfare thuhet eshte pjese e kushedi se cfare taktike.
    Natyrisht jane pyetje te brendshme dhe kane shume pak rendesi per ju, pasi ne fund te fundit rendesi ka ajo qe thuhet dhe une mbetem idhtar i ketij qendrimi. Megjithate po vijoj te ndaj nje mendim:
    Ndoshta, ne kushtet e nje mjerimi te plote, e varferie historike dhe ekstreme ku ndodhet populli shqiptar, nacionalizmi ekstrem i stilit primordial qe keta autore propagandojne, mund te jete i menduar si mburoje ndaj rrezikut te rreshkitjes se fragmenteve gjithnje e me te medha te popullit shqiptar, sidomos jashte kufijve administrative te Shqiperise, drejt fundamentalizmave fetare. Pra, nacionalizmi, apo kombetarizmi, mund te kete nje lloj kuptimi vetem nese eshte i dizajnuar politikisht ne menyre instrumentale per t’i qendruar si dige rrezikut te rreshkitjes ne fundamentalizem fetar te pjeseve te caktuara te popullit dhe fragmenteve me te margjinalizuara te tij.
    Ne kete aspekt mund te jete i kuptueshem. Por ky mendim nuk eshte se te jep ndonje qetesi, perkundrazi te trazon akoma me shume.
    Sido qe ta kthesh, edhe ne rast se ky nacionalizem ka nje vokacion te tille, kjo serish deshmon anen tragjike te nje populli te mjeruar, i cili si antidot ndaj nje fenomeni, perdor nje iracionalitet tjeter, per te neutralizuar nje pjese te madhe njerezish te mbetur ne periferi dhe jashte mundesive per te qene pjese e nje “feste” globale pse jo edhe elitiste, ku vete autoret ndodhen. Per ta shpjeguar me sakte, dihet tashme se fenomenet e fundamentalizmave fetare, apo qofte edhe nacionalizmave ekstreme, jane pjella situatash ku popullsi apo fragmente te tera shoqerore ndjehen te margjinalizuar dhe jashte loje ne garen e madhe globale per perfshirje ne “parajsen” neoliberale. Grupe dhe individe te margjinalizuar dhe pa aksesin e lakmueshem prej tyre ne qendrat e pushteteve, gjenerojne ideologji ku njerez dhe popullsi te margjinalizuara, te gjendur ne kriza te thella varferie dhe indentiteti ne nje bote gjithnje e me te perceptuar si te larget, amorale dhe te korruptuar prej tyre.
    Nderkohe ka nje perdorim pateklif dhe pa dogane te metaforave, si ne rastin e titullit te shkrimit qe permend me lart.
    Edhe ne kete pike te lind pyetja: keto metafora keta i kane seriozisht apo eshte nje loje? Por kjo ka pak rendesi.
    Ka nje problem te hapur me metaforat, qe ia vlen ketu ta evokoj. Problemi i metafores, sidomos ne perdorimin e saj politik eshte se ajo shume shpejt kthehet ne simbol; simbol te cilin ne perdorimin e saj politik nis t’a besoje dhe vete perdoruesi i saj. Pra ti thua psh ‘dashuria ime eshte trendafil’ dhe me vone dikush nis dhe adhuron trendafilin si simbol i dashurise. Ne vend te portretit te dsahnores psh mban trendafilin, mund te shkoje edhe ta puthe apo ta ktheje ne ikone.
    Shembulli me klasik eshte adhurimi biblik i viçit te arte si antidote ndaj te cilit zoti i dha Moisiut dhjete urdheresat. Pra ligjin. Nuk po zgjatem me ketu…
    Duke kerkuar “berthamen” pra ne sensin metafore, artikul shkruesi dhe kam bindjen, te tjeret pas tij, fillojne vertet te besojne se na paska nje berthame. Pra nga metafora kalojne ne kerkim real dhe argumentim se kjo berthame na qenka nje territor i caktuar.
    E para, nuk po i hyj aspektit absurd te ligjerimit te ketyre autoreve dhe te ngre pyetjen legjitime se pse keta kane vendosur te zgjedhin sot Kosoven si berthamen e kombetarizmit shqiptar, e jo te themi Myzeqene, Mirditen, apo fushen e Domosdoves. Kjo do ishte tjeter teme edhe pse perplaset serish me ligjerimin serb qe gjithashtu e vendos Kosoven si djepin pao berthamen e Serbise.
    Problemi thelbesor ketu qendron tek ideja ne vetvete; se shqiptaria na u dashka patjeter te kete nje ‘berthame’. Pra me keq akoma, na ekzistoka nje berthame, dhe kjo duhet te gjendet dhe sanksionohet nga dikush kushdo qofte ky njeri apo keta njerez. Pak a shume nje konfuzion i tille klasik ka ndodhur dhe me ‘The Holy Grail’. Nje metafore ezoterike qe ne nje moment te caktuar kthehet ne pretekst apo qofte edhe besim real kaloresish te armatosur der ne dhembe qe nisen ta kerkojne rruges per ne token e premtuar duke plackitur te tjeret..
    Dicka tjeter qe me kujton ky ligjerim kombetarist shqiptar, jane studiuesit e famshem antropometriste gjermane qe u nisen neper malet e kaukazit me vizore neper duar per te gjetur kafken perfekte ariane; nje histori qe perfundoi fare pa lavdi ne industrine e rreshtave te njerezve skelet ne kampet e perqendrimit.
    Sot, esencializmi eshte dhe mbetet nje koncept i cili edhe ne trajtat e tij me te liberale, i perket konservatorizmit politik dhe mbetet ne vetvete nje koncept totalisht kunder ndryshimit social; pra armiku me i madh i cdo ndryshimi shoqeror dhe kryekeput ndesh ontologjikisht koke e kembe me ligjerimin “revolucionar” te idhtareve kombetariste shqiptare. Pra edhe brenda diskutimit te tyre, esencializmi eshte nje paroksizem ndaj asaj qe keta autore kerkojne te arrijne.
    Duhet thene se kemi te bejme me nje diskurs esencialist, i cili, te pakten qe prej fillimit te shekullit te kaluar, eshte rrezuar nje here e pergjithmone nga shkencat humane dhe shoqerore qysh atehere e deri me sot.
    Shpresoj qe shqiptareve t’ia themi dhe shpjegojme kete gje sa te mundemi, pasi ketu eshte dhe sekreti, ne bindjen time, i perparimit dhe ecjes perpara te nje populli te mjeruar si i yni.
    Eshte jetike mendoj, jo vetem per shqiptaret por per gjithe njerezit e kesaj bote, te dalin pertej fantazive dhe ngaterresave me metaforat e shpikura nga mendja e tyre dhe te orientohen drejt ndertimit te nje qyteterimi te ngritur mbi konstruktivizem social, jo konservatorizem.
    Kaq kisha, ndjese qe e zgjata pak por besoj sinqerisht se metaforat dhe figurat letrare duhet ti mbeten letersise, jo politikes. Ne lidhje me esencializmin, fytyra me e paster e tij ne historine politke eshte dhe mbetet Holokausti, asgje tjeter.

  8. Besoj se me shkrimin e fundit te tijin tek “Rrethi i Ferrit”, Shinasi Rama na e hoqi te gjitheve kureshtjen ndersa deklaron dallimin midis “parise te Tiranes” dhe “elitave te tjera”. Ne shkrimin me titull “Mbi konceptin e berthames se kombit shqiptar“, ai shkruan, nder te tjera:

    A Ekziston një Bërthamë Kombëtariste Ndër Shqiptarët?

    Përgjgija e shkurtër është se ekziston. Mirëpo ajo ekziston në Kosovë e Iliridë. Pse? Po ja, përgjigja duke u mbështetur tek ky përkufizimi që ofrova është se në Kosovë e Maqedoni ekziston një sintezë sigurie e cila mbështetet fuqimisht tek sinteza e sigurisë së një shtet-kombi shqiptar.

    Eshte hera e pare qe verej se nje alternative kombetariste, (vete)kufizohet gjeografikisht, brenda nje territori te caktuar, te gjithe hapesires qe permbledh kombi – apo qe deklaron se permbledh, meqenese cdo kombetarizem qe ka respekt per veten, ka dhe pjese te kombit qe ndodhen jashte perkufizimit gjeografik shteteror.

    Tani, nje pohim i tille si i Shinasiut, implikon shume gjera. Se pari, behet e qarte se kujt i drejtohet, dhe ke akoma perjashton. Por gjithashtu shpreh, natyren e kombetarizmit shqiptar, apo potencialet e veta dhe menyren sesi mund te shprehen keto.

     

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin