PARADOKSET E MBIEMRIT

Leternjoftimi_biometrik_shqiptarNë Shqipëri nuk ka pasur debate publike për përdorimin e mbiemrit, pas martesës, lindjes, ose birësimit. Sikurse e kundërta, edhe kjo tregon diçka nga kultura e vendit. Fakti është se në vende të tjera ka pasur diskutime të ndryshme, që kanë përfunduar në zgjidhje juridike, por jo përfundimtare. Siç mund të merrej me mend, fare kollaj.

Neni 51 i Kodit të Familjes (2010) për mbiemrin e bashkëshortit, thotë shprehimisht:

Bashkëshortët, kur lidhin martesën, kanë të drejtë të zgjedhin për të mbajtur si mbiemër të përbashkët njërin nga mbiemrat e tyre ose të mbajnë secili mbiemrin e vet.

Në pamje të parë duket normë e logjikshme dhe moderne. Megjithatë, ka nga ata që do të donin të mbanin dy mbiemra. Për shembull, gruaja e porsamartuar dëshiron të mbajë mbiemrin e vajzërisë dhe të shtojë mbiemrin e bashkëshortit. Ka vende që e kanë këtë sistem. Kurse zgjedhja e mbiemrit të përbashkët e ngatërron disi lidhjen. Gruaja praktikisht merr mbiemrin e motrës së burrit. Janë mish e thua, apo vëlla e motër?

Marrja e dy mbiemrave do ta lehtësonte situatën në rast se çifti ndahet. Ja ç’lexohet në nenin 146 për përdorimin e mbiemrit:

Bashkëshorti që me lidhjen e martesës ka ndryshuar mbiemrin e tij, pas zgjidhjes së martesës merr mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës.

Po të kishte pasur dy mbiemra, pas zgjidhjes së martesës, nuk do të hiqej mbiemri për ta zëvendësuar me të mëparshmin, por do të kishte vetëm një heqje: mbiemrin e burrit, çka mund të sillte edhe kënaqësi fizike duke i mëshuar me laps të zi.

Mirëpo dymbiemërsia nuk i qëndron provës mashkullore. Si t’ia bëjë burri kur martohet? Të marrë mbiemrin e gruas. Kjo do të ishte e papranueshme për “një lloj kulture” në Shqipëri, sipas gjasës në minorancë. Burri që është burrë, as heq, as ndryshon, as zëvendëson mbiemra. Me atë që lind, me atë vdes. Po hyri në histori edhe më mirë.

Po fëmija, cilin mbiemër merr? Neni 52 i Kodit të Familjes për mbiemrin e fëmijëve është mëse i qartë:

Fëmija merr mbiemrin e përbashkët të prindërve. Kur prindërit kanë mbiemra të ndryshëm, të gjithë fëmijët mbajnë një mbiemër, atë që do të vendosin prindërit me marrëveshje. Kur marrëveshja nuk arrihet, fëmijët mbajnë mbiemrin e të atit.

Nuk jam jurist, as ekspert i së drejtës së familjes, por nga kërkimet në internet mësova se ligji nr. 8950, datë 10.10.2002 “Për gjendjen civile”, në pikën gjashtë të nenit 36, thoshte:

Mbiemri është ai i prindërve. Kur secili nga prindërit ka mbiemër të veçantë, vendoset mbiemri i babait dhe, kur e kërkon nëna, të dy mbiemrat. Kur nuk ka atësi të njohur, fëmijës i vendoset mbiemri i nënës. Fëmija jashtë martese merr mbiemrin e vajzërisë së nënës.

Pra mundësia e dy mbiemrave paska ekzistuar disa vite më parë, por vetëm me kërkesën e nënës. Ndoshta ligjet shqiptare e parashikojnë ende. Gjithsesi, praktika është tjetër gjë. Për amatorët e ligjeve mund të shtojmë se ligji nr. 10129, datë 11.05.2009, “Për gjendjen civile”, e pret nyjën gordiane me nenin 56, ku thuhet se mbiemri i fëmijës përcaktohet në bazë të procedurave të parashikuara në Kodin e Familjes.

Le t’i kthehemi pra Kodit të Familjes, që duket sikur belbëzon kur flet për mbiemrin e fëmijës së lindur jashtë martese (neni 171):

Fëmija i lindur jashtë martese merr mbiemrin e prindit, amësia ose atësia e të cilit është vendosur më përpara. Në qoftë se amësia dhe atësia vendosen në të njëjtën kohë, prindërit vendosin me marrëveshje se cilin mbiemër do të mbajë fëmija. Në rast mosmarrëveshjeje, fëmijës i vendoset mbiemri i të atit.

Duket pak i ngatërruar por thelbi është po ai. Pa mbiemër askush nuk mbetet dhe në fund fare, nuk ke nga shkon: të vënë mbiemrin e babait.

Këtu hyn çështja e famshme e “mater semper certa est“, që përmendet edhe nga Umberto Eco në shkrimin e tij “Herran Herran Herran Herran” (Espresso, 30 maj 2013). Për ata që nuk e dinë latinishten, mjafton t’i referohen praktikës e njohjeve të përgjithshme, shpresojmë jo përvojës personale. Fakti është se atësia është koncept juridik, psikologjik, shoqëror e biologjik, megjithëse ky aspekti i fundit kërkon testin e Adn-së për ta vërtetuar. Të tjerat jo. Babai i vërtetë vështirë se e kërkon testin e prejardhjes biologjike. Nejse, nëna dihet se kush është, kurse i ati mund të jetë i panjohur, ndonjëherë edhe për nënën vetë. Përse atëherë duhet marrë mbiemri i babait? Nuk do të ishte më logjike që fëmijët të merrnin mbiemrin e nënës?

Në artikullin e lartcituar Eco mendon se vendosja e dy mbiemrave krijon ngatërresa. Kush do të vihet i pari? Ai i nënës apo i babait? Në shembullin spanjoll del në shesh e gjithë rrëmuja e supozuar. Sa mbiemra do të vihen rresht? Po sikur prindërit të kenë të njëjtin mbiemër? Po ta kishte njohur rastin shqiptar shkrimtari italian do ta kishte pasur të thjeshtë ta shtonte dozën e kaosit me shembuj të shumtë, sepse një pjesë e madhe e bashkëshortëve kanë mbiemër të përbashkët. Ka edhe më: nëse Hasim Hasimi martohet me Hasime Hasimen, në gjendje civile shënohen 4H? Tek e fundit dashuria një lloj kimie është.

Po në rast divorci si i bëhet? Si do të vendosen mbiemrat? Kush mendon se demokracia në çështjen e mbiemrave do ta ndihmonte zgjidhjen e ka gabim. Eco thotë se, në rast se u jepet prindërve liria e plotë të zgjedhin një mbiemër çfarëdo për fëmijën, ata mund të vendosin mbiemra të diskutueshëm, marrë nga personazhe që historia i ka dënuar përfundimisht. Ky opsion për në Shqipëri nuk duket tejet i dëmshëm, sepse mbiemri Hoxha, për shembull, është shumë i përhapur; askujt nuk i shkon ndërmend se është i diktatorit mizor, pa e përjashtuar mundësinë që pas disa vitesh nuk do të kujtohet kush për të. Të mos harrojmë se rreziku i harresës është gjithnjë në pritë.

Përveç kësaj, ka ndërlikime të tjera; imagjinoni një çast diskutimet e mundshme të çiftit X: “E dashur, si thua, të vëmë mbiemrin e babait tim filozof?”. “Në asnjë mënyrë. Gjyshi im ishte atdhetar”. “Po sikur të gjejmë një mbiemër tjetër? Si të duket ky?”. “Më mirë rri pa mbiemër. Ajo familje nuk ka luftuar kundër pushtuesit, janë tradhëtarë”. “Le të kërkojmë një mbiemër të huaj”. “Dakord, por brenda Bashkimit Europian”.

Ndërrimi i mbiemrit bëhet në gjykatë. Kjo është fitore e madhe për njerëzimin e për shoqërinë shqiptare. Mendoni pak për ata që kanë mbiemra të çuditshëm si Qorri, Sakati, Shurdhi, Qypi. Disa fjali nuk do të tingëllonin bukur: “E pa Qorri me sytë e vet”,  “Sakati erdhi me vrap”, “E dëgjova prapa derës, tha Shurdhi”, “Ma shpjegoi qartë ai djali. Kush, ai Qypi mo?”. Po i shmangim me mirësjellje mbiemrat më të guximshëm…

Shumëkush e di se në disa zona në veri të Shqipërisë mbiemri nuk përdoret. Tradicionalisht. Kur thonë ta zëmë Xhemal Bajrami, nuk do të thotë se Bajrami është mbiemri, dhe Xhemal është emri, por që Xhemali është djali i Bajramit. Edhe ky sistem i ka të panjohurat e veta, sepse ata që nuk janë të fshatit, e kanë të vështirë të orientohen se për kë po flitet.

Përveç vënies ose marrjes së mbiemrit, ka edhe një problem tjetër: rendi midis emrit e mbiemrit. Shokët të thërrasin gjithnjë me emër, mësuesit ndonjëherë përdorin mbiemrin. Në shkollë përdoren të dyja, në ushtri vetëm mbiemri. Akademikët të citojnë me emër me pikë e mbiemër të plotë, policia të vë vetëm inicialet në komunikata shtypi. Kur përdoret “z.”, ose “znj.” shkojnë të dy, emri e mbiemri, por kur ka shumë formalitet, sidomos kur shkruhet, vihet mbiemri. “Shoku” në totalitarizëm donte emrin nga pas, sepse ishte “shok”.

Mos vallë koncepti i mbiemrit tashmë ka perënduar? Përse në burg përdorin numra? Sepse janë më të saktë? Po djali i James Bond-it, merr mbiemrin 007?

Ndërkohë, ligjet ende nuk e kanë disiplinuar përdorimin e pseudonimit. E merr edhe gruaja pas celebrimit? I kalon fëmijëve si mbiemri? Cili pseudonim vihet në fillim, ai i nënës, apo i të atit? Po ata që përdorin disa të tillë? Përdorin atë me profil më të civilizuar? Së shpejti moderniteti mund të na vërë përballë alternativave më të vështira: mendoni për një çast në rast martese midis dy personave homoseksualë, që mund të jenë natyrisht edhe femra. Cilin mbiemër? Të kujt? Të dyve?

Puna e mbiemrave qenka vërtet e koklavitur. Arsyetimet nuk çojnë në krizë identiteti, por kokën lëmsh ta bëjnë.

Nuk ka komente

  1. Bashkimi i mbiemrave me nje vize (psh. Schwarz-Bendit) kur nje cift martohet eshte goxha ne rritje si fenomen social ne Europen veriore, sidomos ne cifte me nivel te larte arsimi si shenje emancipimi/barazie e gruas tek ky cift.

    Mirepo ka nje te mete te madhe, pervecse behet me i veshtire shqiptimi i mbiemrave lind pyetja cfare behet me femijet e ketij cifti. A marrin ata mbiemrin e bashkuar martesor, apo prinderve ju duhet te zgjedhin njerin nga mbiemrat e tyre fillestar. Shume vende kane filluar ta ndalojne shprehimisht trashegimine e mbiemrave te bashkuar tek femijet pasi nese ata martohen mund te kemi mbiemra zinxhir me 4 ose 5 pjese. Mbiemri i bashkuar nuk ben se fundmi asgje tjeter pervecse shtyn vendimin se kush eshte “burri” tek familja deri sa lindin femijet. Me c’kam vene re jane pikerisht vendet me emancipim ekonomik te ulet te grave (si Gjermania) ku bashkimi i mbiemrave eshte ne mode, a thua gjeste simbolike si keto permiresojne ndopak arsyet e thella te mosbarazise ekonomike burre/grua ne ato vende e kultura. Ne Amerike fjala vjen, grate jane shume me te pavarura ekonomikisht dhe eshte fare e natyrshme te marrin mbiemrin e burrit ne martese. Pra burrneshat amerikane shohin me shume dollaret 🙂 dhe nuk pyesin per simbolizma dhe ndjesi pa bereqet ashtu si ne disa vende ne Europe.

  2. Gjëja më e mirë është që secili të mbajë mbiemrin e vet, dhe fëmija atë të të atit kur i dihet, dhe të nënës nëse nuk e njeh i ati. Në rastin kur shqiptari ndodhet në emigracion për shembull, personi që ndryshon mbiemër (gruaja në 99% të rasteve) has gjithnjë probleme pasi deri para martesës ka pasur dhe është njohur më një mbiemër, ndërsa pas saj ka atë të burrit. Kjo nënkupton që duhen ribërë nga e para një sërë dokumentash, dhe shpesh herë të meren deklarata konsullore që pohojnë se bëhet fjalë për të njëjtin njeri. Imagjino kur ti kërkojnë një kopie të diplomës së gjimnazit për një arsye çfarëdo.Automatikisht duhet ta shoqërojë me çertifikatën që bëhet fjalë për të njëjtin person. Për mos të thënë pastaj që shoqëria e vjetër qe nuk e di më kë dhe sa herë je martuar, mund mos të të gjejë dot kollaj as në Facebook 

  3. U shkriva. Nje praktike ne ShBA qe mua me ka bere pershtypje, eshte qe grate e sapodivorcuara (asnjehere s’e kam hasur per rastin e burrave), sido qe gjate marteses nuk e kane mbajtur kurre mbiemrin e burrit, marrin zyrtarisht mbiemrin e tij sapo divorcohen. Pa dyshim qe duhet te kete ndonje rregull gjekundi qe e lejon kete, por qe une nuk e di. Ndoshta thjesht cdo njeri ka te drejte te nderroje mbiemrin e vet, ashtu si edhe emrin, ne cfaredo momenti te jetes… kur i mbushet mendja. Une kam hasur tri raste te tilla ne vitet e fundit. Sa per interpretimet e kesaj dukurie, ato lene fushe te lire per gjithefaresoj shpjegimesh humoristike… ose ndoshta se nena zgjedh te njesoje mbiemrin me ate te femijeve, vec pas divorcit.

    1. Nje ritual i tille me shume ka te bej me faktin, se kur divorcohen dhe pas divorcit e kuptojne se cfare i kane bere vetes. 🙂

      Por mund te jete fare mire se duan qe te deshmojne se kane qene ne gjendje te martohen, qe tregon edhe kjo per nje fare statusi, duke shtuar ketu edhe faktin qe ex-i mund te jete reputable ne jeten profesionale, ne gjendje te mire financiare, etj. 🙂

      No bias, intended as a joke 🙂

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin