Kurioziteti më shtyu të klikoja mbi një lidhje ngashënjyese të Shekullit, për të parë një lajm që bënte fjalë për “Vajzën që gllabëroi Presidentin Putin.”
Lexova aty për gjimnasten më seksi në qendër të një stuhie shkurorëzimi, vajzën e medaljeve të arta; për presidentin e patundur dhe për mediat e huaja, që po e cilësojnë Putinin si “dashnorin më të madh rus.”
Asgjë për t’u shqetësuar deri këtu, nga ky lajm i rëndomtë tabloidi, i përkthyer shkeleshko, për një gazetë që dikur mbahej si krenaria e mediave shqip, por tani po bën të pamundurën që të shndërrohet edhe ajo në tabloid.
Pastaj vura re, jo pa habi, se kjo balerinë që ia ka marrë mendjen Putinit, “dyshohet se për një kohë të gjatë ka qenë bashkëshortja e Hardman Kremlinit dhe ka fëmijë sekret me të.”
Ç’të ishte vallë ky Hardman Kremlini, që ia kish marrë të dashurën të fortit të Rusisë si në epet e Kreshnikëve, madje kish bërë edhe fëmijë fshehurazi me të?
Një pyetje që, me sa duket, veç meje e patën bërë edhe të tjerë, meqë lajmin e parë, të orës 15:42, e pashë tashmë të redaktuar, dhe të ribotuar në orën 18:20.
I mistershmi Hardman Kremlini, personi që qëndronte pas kësaj stuhie kurorëzimi, si të ishte Poseidoni vetë, nuk paskej qenë tjetër, por “i fuqishmi Kremlint,” baba fertil i fëmijëve sekretë të gjimnastes, me të cilën ishte martuar fshehurazi.
Para këtij fakti tronditës, Putinin nuk e bën dot me faj: kush do të guxonte të ngrihej kundër vetë Kremlint-it, qoftë edhe për një bukuroshe si Alina, me dhambët si gurzat e lumit?
Gjithsesi, dashnori më i madh rus ka me çfarë të ngushëllohet: pas deklarimit nga ish-çifti presidencial për ndarje, ai tani pritet që t’ia rrëmbejë çikën Hardman Kremlinit, për t’u martuar më në fund me të (hallall!).
Korrigjimi ia kalon origjinalit, sa kohë që e ndjek.
P.S. Mos t’ju ngatërrojë fakti që gruaja në foto nuk është gjimnastja, por gruaja e parë e Putin-it.
P.P.S. Nuk di pse më kujtoi, kjo histori pyetjen ” “Ç’të jetë ky Hartmann, xhanëm” që bën personazhi i luajtur nga Robert Ndrenika, te filmi i vjetër i Kinostudios “Koncert në vitin 1936.”
Si duket gazeta Shekulli, (“që dikur mbahej si krenaria e mediave shqip”), nuk po t´i boton më shkrimet, prandaj gjithë ky acarim patetik.
Që Shekulli ka rënë, këtë nuk e kam zbuluar unë; edhe që ka qenë gazeta më e mirë e Tiranës dikur, këtë prapë nuk e kam zbuluar unë.
Unë fillova të botoj te Shekulli në fillim të viteve 2000, dhe e zgjodha atë gazetë pikërisht ngaqë ishte më e mira atëherë.
Me kalimin e kohës, edhe shkrimet e mia ndihmuan për t’ia rritur nivelin gazetës; sikurse tani, mungesa e shkrimeve të mia, ndihmon për t’ia ulur nivelin.
Unë nuk botoj më te Shekulli qëkur ajo gazetë e ndryshoi formatin, në mënyrë të tillë që unë nuk ndihesha më rehat aty.
Përndryshe, këto 5-6 vjetët e fundit, të gjitha demarshet e mia me mediat në Tiranë kanë qenë që të mos m’i botojnë shkrimet duke i marrë nga blogu, jo që t’i botojnë.
[Edhe sot ResPublica ka nxjerrë një shkrim timin duke e marrë të plotë nga blogu, megjithëse para një jave më kishin dhënë fjalën se nuk do të merrnin më shkrime.]
Për ta thënë ndryshe: pse duhet të botojë dikush te Shekulli, kur mund të botojë në Peizazhe të Fjalës?
Për fat të keq, botimet te një gazetë popullore si Shekulli më ekspozuan edhe ndaj lexuesve të takëmit tuaj, Ezani, me të cilët nuk do të doja të puqesha kurrë.
Qe Shekulli ka rene, kete une besoj se e ka kuptuar e ndoshta, po ndoshta them, e ka dashur edhe Shekulli. Problemi eshte se asnje nuk di te argumentoje pse Shekulli ka qene ashtu si thuhet, me e mira.
Ndoshta ngaqë të tjerat kanë qenë më të këqija.
Une shkruajta nje koment tek Respublica.al, 2 dite te shkuara. Bazuar ne kete qe z. A.V thote, dhe jo vetem kaq, pati dhe rastin me pare (duke ju referuar Mark M, kur thonte: ”si u morr shkrimi blogut”) nga nje gazete/njeri tjeter.
Respublica nuk e botoi, se pse e dine ato. Eshte postimi i I-re qe me kane censuruar, permbajtja ishte e thjeshte: ”nese i merrni shkrimin apo dhe kuotimin merrini leje xhaxhait dhe kujtdo,, nje link apo permendje emri nuk mjafton. Bejeni ose me ”ongoing consent” ose ”case-by-case,” por duhet bere.
Nuk u botua. Te vjen keq, se dhe disa media me profil normal nuk arrijne te jene korrekte ne raste te caktuara.
P.A.B
Me beri pershtypje pen name-i i ketij komentuesit ‘Ezani’ pasi edhe pse nuk kam patenten per kete emer e mbi te gjitha ‘Ezani’ eshte thirja nga minarja per faljen myslimane, ne blogosfere ‘Ezani’ si te thuash eshte ‘i xanun.’ Eshte njelloj si te filloje dikush te komentoje lart e poshte me emrin Xha Xhai per shembull kur i madh e i vogel lexues ne shqip e di se kush eshte Xha Xhai i vertete. Ndoshta po i bie ne qafe kot ketij qyqarit, po me mban era ligesi dy lekeshe ky perdorim emri.
Ky është një troll relativisht i padëmshëm, që ka komentuar edhe herë të tjera në blog, duke u pozicionuar si anti-mysliman. E lejova komentin, për t’u dhënë kolegëve një ide se çfarë barërash kanë mbirë në Internet.
Eh, te ishin kaq barerat e internetit ku ma gjen.
E mo mire, nje shkelje denotative e vogel eshte nga “strong” ne “hard”. Plus qe sjell me vete nje shkelje syri konotative, fiks per efekt tabloid.
Por kur e pershtati ne shqip u nxitua pakez se mund ta kish ruajtur efektin e shkeljes se syrit duke e bere “potenti i Kremlinit”, per shembull.
Në tekst, Hardman Kremlini trajtohet si të ishte emër i përveçëm, p.sh. Hasan Hasani.
Hahaha. Me kujtoi ca tip frazash ne shqip ku gjinorja trajtohet keshtu, si p.sh. “kale rrace”; ose, ne nje note me folklorike dhe ironike, “king stalle”. Jo po thuaj pastaj se shqipja nuk ka struktura te gatshme per akomodimin e barbarizmave te rradhes!
(p.s.: ndjese nese e kam gabim per gjinoren, por keshtu ma mori mendja)
artikulli duket si perkthim i kenges “rasputin” nga boney m 😀
“russia’s greatest love machine”
“Përndryshe, këto 5-6 vjetët e fundit, të gjitha demarshet e mia me mediat në Tiranë kanë qenë që të mos m’i botojnë shkrimet duke i marrë nga blogu, jo që t’i botojnë”.
Xhaxha, me kohen qe ka ardhur, mendoj se duhet hapur nje debat serioz per kete punen e ribotimeve te dhunshme.
Bathoret digjitale shqip, qe jo vetem vene dore pa leje ne shkrimet e tjetrit, po edhe e perdorin shkrimin kryesisht per ta ekspozuar autorin per qitje anonime, besoj se e meritojne nje organizem mbikeqyres, sigurisht privat, ndoshta sindikal, ndertuar mbi ligjet ne fuqi per te drejten e autorit. Nuk them se pengon dot kush forumet e listat e panumerta nga grabitja, po duhen vene para pergjegjesive te pakten faqe elektronike gazetash, qe edhe pse marrin para reklamash, mbeshtjetje insitucionesh, perkrahje partish, serish mbijetojne me mund te papaguar, e sikur te mos mjaftonte, nuk marrin asnje mase per te ruajtur nga sulmet anonime dinjitetin e autoreve qe u mundesojne mbijetesen.
Xhaxha, për sa të çmoj, duke qenë se je nga të parët, në mos i pari, intelektual i brezit tënd, që e ka kuptuar absurditetin e të shprehurit medoemos nëpër ato lëtyra, në të cilat janë katandisur gazetat shqiptare; duke qenë, gjithashtu, se lexohesh më shpejt, më rehatshëm e pa qenë nevoja të dalësh nga shtëpia nga ata që vërtet dinë të lexojnë, pra në internet; po aq më vjen keq kur të shoh tek ballafaqohesh a sajdis disa figura mediatike aq të dyshimta si Nano tek “Jamais vu”. Shfaqja jote aty ishte e patëmetë e fole mirë e bukur, veçse tërë kohës nuk më shqitej pyetja: pse? Pse ia bën Xhaxhai vetes këtë? E jo se kam ndonjë problem me Nanon vetë, por edhe atij zor se ia qëlloj motivet, po të heqim çapën e bukës që ndoshta e fiton me djersë me to.
Nga ana tjetër nuk është e ndershme t’u kërkosh të tjerëve të bëjnë të përkorin, të pavarurin, të bëjnë Pinchon-in me patjetër. Por jam gjithsesi i bindur, a më mirë do të dëshiroja, se nuk duhen bërë kompromise të asnjë forme me mediatizmin, aq më pak me atë shqiptar. Nuk ka asnjë arsye e asnjë ideal – qoftë edhe fisnikërimi i ekranit me prani të zgjedhur – që e justifikon për kohët që po kalojmë lënien e guvave të eremitëve ku na kanë hedhur e prej të cilave po bërtasim aq shurdhët prej kohësh.
me të mira,
mirazh
Me ndje dhe nje nderhyrje tjeter po tema me intereson per nje sere arsyesh. Para ca vitesh nje nga njerezit qe vleresoj shume hapi nje blog dhe nuk e mbajti as nje muaj se nuk i pelqeu ky rrembim i artikujve e vulgu i komenteve ne lagjet virtuale shqiptare. A ka mundesi teknike qe te ndaloje copy and paste -in? Une di ku ta gjej e ta lexoj Xha Xhain e nuk kam nevoje te me servirin gazetat shrimet e tij. Do ishte zgjidhje nese faqja e pamundeson kopimin. Ben te qarte gjithashtu nese autori zgjodhi gazeten e caktuar si mediumin per mesazhin e tij apo mesazhi u rrembye.