UNË FAL, TY TË FALET, ATIJ S’IA FALIN

Në diskursin e sotëm politik parazgjedhor, të ftosh tjetrin të kërkojë të falur është mënyra më e fundit për ta akuzuar, por në një mënyrë të tillë që në akuzë të përfshihen, të paktën emocionalisht, edhe viktimat.

Nga politikanët, Edi Rama është në shënjestër të këtyre ftesave retorike, të cilat nuk i bëhen zakonisht drejtpërdrejt, a thua se kontakti i hapur me “armikun” është vetvetiu ndotës, por zakonisht në vetë të tretë; meqë veta e dytë ruhet për audiencën partizane.

Ftoj Edi Ramën të kërkojë të falur… është kthyer kështu në klishe dhe fjalëshenjë përkatësie; dhe qëllimi këtu duket të jetë jo aq pendesa e Ramës, ose gjunjëzimi i fajtorit; sesa paraqitja e tij si mëkatar, njeri që fyen të tjerët, që mashtron, që përgojon deri edhe gjërat më të shtrenjta të shqiptarit.

Tipik, në këtë kontekst, edhe fakti që Rama akuzohet rregullisht për mëkate që ka kryer ndaj audiencës ose të tretëve, jo ndaj folësit vetë (folësi merr këtu mbi vete rolin e avokatit të viktimës) dhe njëkohësisht fryhet si kaposhi në gardhin e epërsisë morale.

Kështu, ftesa për të pranuar fajin dhe për të kërkuar falje nuk buron nga ndonjë dëshirë për shelbimin e mëkatarit, por vetëm nga zelli për ta poshtëruar atë, në sytë e publikut, duke ndezur flakë zemëratën.

Ka brenda doza të barabarta të hipokrizisë dhe të provokimit; edhe pse mbetet shembull i një oratorie nga më banalet; veçanërisht kur përsëritet dhe del jashtë kontrolli.

Kërkimi i ndjesës, që normalisht duhej të ishte hap i parë drejt zgjidhjes së konfliktit, ose pajtimit, ose ndreqjes së një padrejtësie të mëparshme, shndërrohet tani në pranim të thjeshtë të fajit; çfarë është, për mua, metamorfozë moralisht e kalbët, pse kështu nuk synohet më rehabilitimi i tjetrit, nëpërmjet pendesës; por asgjësimi i këtij Tjetri, ose konfirmimi i tërthortë i faktit që e drejta është dhe gjithnjë ka qenë në anën e folësit.

Ka diçka prej inkuizitori të ftohtë, në këtë thirrje; një sadizëm të lehtë prej parvenuje që po shijon pushtetin moral ndaj turmës; ose një lloj puritanizmi në thelb karnevalesk, po të kemi parasysh se nga ç’gojë vijnë këto thirrje për pendesë!

BERISHA: Unë sot shfrytëzoj këtë moment për t’i bërë thirrje zotit Edi Rama që ai t’i kërkojë të falur Shkodrës, sepse nuk pranon të dënojë krimet kundër njerëzimit që sistemi barbar komunist ka kryer në mbarë vendin në tërësi, por në Shkodër në veçanti.

BERISHA: [në Skrapar] Do t’i kërkoj Ilir Metës ta sjellë këtu Edi Ramën dhe të kërkojë të falur. Askush në botë nuk ka të drejtë t’ju fyejë ju, ju keni një histori me të cilën do të krenoheni gjithmonë. Të kërkojë të falur për origjinën skraparlije të aleatit të tij të sotëm.

BERISHA: [në Skrapar, versioni 2] Ai zotëria që shëtit me autobusin mavi të vijë këtu dhe të kërkojë të falur për ato sulme që ka bërë ndaj origjinës së aleatit të tij të sotëm (Metës).

BERISHA: [në Peshkopi] Mësues e mësuese, çfarëdo bindje që keni, jeni të lirë mbështesni partinë që ju besoni, ju nuk jeni qenie laboratorike. i kërkoj zotit Rama të marrë në telefon zonjën që ka kërcënuar dhe të kërkojë të falur.

BERISHA: [duke inspektuar një rrugë] Më tej kreu i qeverisë tha se askush nuk do të mund të pengojë tunelin e Arbrit, teksa i kërkoi Ramës t’u kërkojë të falur qytetarëve të Elbasanit.

BERISHA: Unë i bëj thirrje Zotit Rama të kërkojë të falur në emër të partisë së tij dhe të kthejë ikonat e marra nga kultet sepse janë trashëgimi kulturore.

M. BREGU: [Ramës] Ti me deklaratën e papërgjegjshme se ‘këto ishin tre ligje si gjithë të tjerat’, në vend që t’iu kërkoje falje qytetarëve shqiptarë iu deklaron atyre me cinizëm se këto ligje nuk kërkoheshin për statusin kandidat.

BERISHA: Unë duhet t’i kërkoj Ramës të tërheqë fjalët që ka thënë për infermieret. Unë dua të shpreh se në 100 ditë e para të punës sime unë jam frymëzuar nga përkushtimi i punës së tyre. Më të vështirë punën e ka infermierja dhe të lëshosh fjalë të pakontrolluara në adresë të infermiereve është shumë e papranueshme. Ndaj dhe unë i kërkoj në mënyrë të vendosur të kërkojë publikisht të falur.

BERISHA: Fjala pa vend për infermierët Rama duhet të kërkojë falje. Mjeku e ka të vështirë punën dhe të lëshosh fjalë të pakontrolluara në adresë të infermiereve është shumë e papranueshme. I kërkoj në mënyrë të vendosur të kërkojë publikisht të falur.

BASHA: Ish-Kryebashkiaku duhet të kërkojë ndjesë, që e la Tiranën 11 vjet, pa plan.

ARGITA: Sot, përpara ca pemëve fallco dhe në një skenë falsiteti, z. Rama vijoi me një sulm tjetër fals kundër meje. Siç duket, z. Rama ka nevojë të fshehë faktin që nuk ka asnjë ide, nuk ka asnjë zgjidhje dhe asnjë plan përveçse të sulmojë familjarët e kryeministrit. Atij duhet t’i vijë turp dhe të kërkojë ndjesë.

SHEREFEDIN SHEHU: Z. Rama duhet që të kërkojë ndjesë publike se ka detyruar deputetet e tij të votojnë kundër rrugës së Arbrit dhe kundër çdo rrugë tjetër dhe çdo investimi në këto 3 vite.

MINISTRIA E TRANSPORTEVE: Përfundimisht të gjitha deklaratat e Partisë Socialiste janë spekulime pa baza, ndaj e ftojmë z. Rama që si detyrim ndaj qytetarëve dhe jo ndaj ministrisë, të kërkojë ndjesë publike.

KADILLI: Rama duhet të kërkojë fillimisht ndjesë për krimet monstruoze të kryera ndaj shqiptarëve nga familja e tij politike gjatë viteve të diktaturës.

BERISHA: I bëj thirrje Ramës, të kërkojë ndjesë publike intelektualëve që kanë firmosur letrën kundër grevës së urisë…

LSI: [një vit më parë] kërkojmë si LSI që organizatorët e dhunës së 21 janarit duhet t’i kërkojnë ndjesë shqiptarëve që i mashtruan duke i konfrontuar me forcat e sigurisë kombëtare që i bënë mish për top.

ORA NEWS: Më të lumtur janë njerëzit që kurrë nuk kërkojnë falje.

Nuk ka komente

  1. Xha-xha, i forte je! Po kete Kadillin ku e gjete aman? lol
    Te jesh ne njezeshmeri me komandantin e vajzen e tij dhe kjo gje te te vihet ne dukje, besoj se nuk ka lumturi me te madhe per nje tip si ai . Me kenaqe!!

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: