ZËRI I QYTETARIT

Në një shkrim të botuar te “Panorama”, më dt. 30 maj 2013, me titullin “Doktor Vehbiu dhe analiza filologjike e testit të prostatës”, Mark Marku ngre mes të tjerash çështjen e raportit mes diskursit ekspert (në këtë rast mjekësor) dhe atij qytetar, në kontekstin e debatit publik, duke marrë shkas nga një ndërhyrja ime polemike me një shkrim të mëparshëm të prof. Myftar Barbullushit, për çështje të testimit masiv të burrave për kancerin e prostatës.

Polemika e Markut është me interes, edhe pse ngrihet mbi një premisë të rreme: unë shkrimin në fjalë e pata nxjerrë thjesht në blogun “Peizazhe të Fjalës”, i cili ka edhe natyrë personale, meqë i ngjan një ditari; dhe ku unë ia lejoj vetes të shprehem për çështje nga më të ndryshmet, që më interesojnë jo vetëm si specialist i fushës sime, por edhe si qytetar dhe njeri.

Shoh se Marku i referohet shkrimit që ka dalë “në një të përditshme shqiptare”; për fat të keq, kjo e përditshme e ka marrë shkrimin tim pa leje nga blogu, dhe e ka botuar pa më pyetur mua; duke e nxjerrë nga konteksti dhe duke ia shtrembëruar efektin.

Përtej këtij keqkuptimi, dua të vërej se nuk pajtohem me pozicionin e Markut, sipas të cilit mendimin e një eksperti, të shprehur në publik dhe në një media që i drejtohet lexuesit të zakonshëm, mund ta kundërshtojë vetëm një ekspert tjetër i po asaj fushe.

Në shkrimin e vet, dr. Barbullushi u drejtohej qytetarëve; dhe besoj nuk do të habitej sikur qytetarët t’i përgjigjeshin; madje do të mirëpriste një dialog të tillë, që do të ishte në interes të përbashkët. Është konteksti i debatit që e përcakton pjesëmarrjen, jo ekspertiza e pjesëmarrësve.

Një nga aspektet themelore të marrëdhënies moderne të mjekut me pacientin, ka të bëjë me nevojën, madje domosdoshmërinë, që pacienti të jetë sa më i informuar për sëmundjen e vet, shqetësimin, mjekimin që merr, testet diagnostikuese, rreziqet e tyre dhe alternativat.

Qëlloi që në shkrimin e vet, dr. Barbullushi u rekomandonte lexuesve të vet t’i nënshtroheshin një procedure e cila, tani vonë, në ShBA, është kundërshtuar dhe zhvlerësuar nga shumë institucione mjekësore me autoritet në këtë fushë, të cilat e kanë lajmëruar këtë zhvlerësim në të gjitha mediat publike, përfshi gazetat e mëdha si The New York Times, dhe televizionet kombëtare; dhe pikërisht me synimin për të informuar publikun e interesuar.

Në ShBA, pra, ky diskutim për testin në fjalë është zhvilluar haptazi në media, dhe opinionet e organizatave dhe institucioneve në fjalë janë gjerësisht të konsultueshme në faqet e tyre përkatëse në Internet.

Me sa duket, ka të dhëna të mjaftueshme, që testi mund të shkaktojë më shumë probleme, sesa të shpëtojë jetë njerëzish. Këto të dhëna nuk i kam zbuluar gjë unë, as i kam mbledhur me rrugë anekdotike ose nga eksperienca ime personale, as i kam qëmtuar në revistat mjekësore; por i kam mësuar duke kryer detyrën time, si qytetar, për t’u informuar në lëmin mjekësor, nëpërmjet mediave me natyrë publike dhe të përgjithshme.

Është njëlloj e drejta ime, si qytetar dhe pacient i mundshëm, që të diskutoj për këto çështje me mjekun; sepse marrëdhënia mjek-pacient është gjithnjë e dyanshme – në kuptimin që, pa rolin aktiv të pacientit dhe të qytetarit në këtë marrëdhënie, mjeku do të përfundonte në veteriner.

Në shkrimin tim, e përsërit, të botuar në blog dhe pa bujë, unë në asnjë rast nuk merrja përsipër rolin e mjekut; përkundrazi, theksoja se, në pajtim edhe me opinionin e autoriteteve të fushës në ShBA (ku jetoj), çështje të tilla si testimi për kancerin e prostatës duhet të diskutohen individualisht me mjekun dhe jo të zgjidhen me fushata masive, si ajo që këshillonte dr. Barbullushi, i cili i ftonte qytetarët të shkonin të testoheshin në 23 qershor, në vend që të votonin.

botuar në Panorama, më 31 maj 2013.

Nuk ka komente

  1. “Në ShBA, pra, ky diskutim për testin në fjalë është zhvilluar haptazi në media, dhe opinionet e organizatave dhe institucioneve në fjalë janë gjerësisht të konsultueshme në faqet e tyre përkatëse në Internet.”

    nuk kam lexuar asnje nga shkrimet, dhe nuk kam per ti lexuar.
    dua vetem te ve ne dukje, edhe pse nuk jam i fushes, se disa çeshtje, edhe mjekesore, ndryshojne totalisht nga SHBA ne Europe… dhe jo me ne Shqiperi. kjo do te thote se cfare shba psh statistikisht e quan normale Europa mund ta quaje jonermale. psh niveli i kolesterolit.

    plus qe, “diskutim” nuk do te thote se eshte integruar apo ka ndryshuar praktika diagnostikuese (nese ka egsistuar me pare nje e tille), bie llafi ne kete rast. pra mbase keto diskutimet kane qene diskutime e debate dhe nuk kane sjelle ndonej ndryshim thelbesor ne praktiken mjekesore…

    mbase komenti im del jashte loje po te merren parasyhs shkrimet… s’ka gje, une po e le…

    1. Në fakt duhej t’i kishe lexuar shkrimet, se kështu vetëm po rreh ujë në havan.

  2. Njё koment pёr kёtё shkrim nga dr. Minella Aleksi, marrё nga Panorama:

    Doktor Marku kundёr Doktor Vehbiut pёr hatёr tё Doktor Barbullushit.

    Vlen tё pёrshёndetet iniciativa e Dr. Myftar Barbullushit pёr tё trajtuar nё shtyp nevojёn e rritjes tё kujdesit pёr kapjen herёt tё kancerit tё prostatёs te meshkujt.

    Autorin Barbullushi e vlerёsoj si njё mjek tё aftё nё detyrёn e tij profesionale dhe ia lexova opinionin me vёmёndje. Kur e pёrfundova sё lexuari kisha pёrshtypjen se qёllimi i mirё i autorit pёr sensibilizimin e njerёzve mbi kancerin e prostatёs zbehej nё tёrёsinё e tij nga njё dozё rezerve dyshuese pёr mёnyrёn sesi bёhej imponues interpretimi i njё testi si ai i PSA-sё.

    Ka 20 vjet qё ky test konsiderohej nga specialistёt si test bazё depistues pёr tё kapur nё fazё tё hershme kancerin e protatёs te meshkujt. Ka rreth 2 vjet qё polemikat mbi vlerёn dhe dobinё e kёtij testi kanё dalё jashtё mureve tё spitaleve dhe klinikave tё mjekut tё familjes duke iu bёrё tё njohura publikut tё gjerё.

    Me interes lexova mё pas njё mendim tё z. A Vehbiu mbi opinionet konfliktuale rreth kёtij testi. Tё dhёnat statistikore dhe opinionet mbizotёruese jepeshin nga z.Vehbiu nё mёnyrё shumё tё saktё. Duke mos qёnё i kёsaj fushe Vehbiu e kishte bёrё shumё tё qartё se ishte duke paraqitur disa tё dhёna shkencore tё njohura e tё relatuara nga autorё dhe instanca zyrtare serioze. Si edhe me modesti dalluese e linte tё hapur diskutimin pёr ato opinione konfliktuale nё nivel profesionistёsh. Mendoj se tё dhёnat e parashtruara dhe opinionet konfliktuale i kish paraqitur mjaft saktё. Edhe ai e kish konstatuar atё veshje komerçiale tё artikullit tё Barbullushit. Nuk dua tё mendoj se Dr. Barbullushi ka pasur si qёllim parёsor benefite qё lidhen me konflikte interesi. Mirёpo doktori nё mёnyrё diktuese, imponuese nga pozita e profesionistit tё mirёnjohur rekomandon kёtё test, me gjithё rezervat konfliktuale tё opinioneve pёr testin, gjёra qё ai vet i njeh shumё mirё. Pra ai ka zgjedhur tё japё nё mёnyrё selektive atё pjesё tё informacionit shkecor qё shkon nё favor tё qёllimit pozitiv tё sensibilitetit pёr vlerёn e testit. Kjo gjё tё bёn tё mendosh se ёshtё mbajtur me qёllim nё padije, e pa ekspozuar ana tjetёr e medaljes, opinionet konfliktuale mbi testin, Nga kjo mendoj se ka marrё shtysё A.Vehbiu pёr tё replikuar me Dr. Barbullushin, mbasi figura e pastёr e Barbullushit nuk ka pёrse tё marrё ndonjё njollё tё panevojshme. Serioziteti me tё cilin ёshtё trajtuar informacioni shkencor nga A. Vehbiu m’a pёrforcon bindjen e respektit qё ai ushqen pёr Dr. Barbullushin.

    Pёrpara tre javёsh u njoftua nё edicionin e lajmeve tё ABC-sё, USA, lidhur me njё auditim qё kish bёrё Ministria e Shёndetёsisё nё Amerikё ndaj mёnyrёs sesi bёhej shpёrblimi nga kompanitё farmaceutike i disa mjekve me tituj shkencor tё dalё nё pension ose jo, tё cilёt herё pas here mbanin ligjёrata specifike rekomanduese pёr njё ilaç tё caktuar apo pёr njё test tё caktuar egzaminues. Abuzimet nё kontekstin e konfliktit tё interest ishin tё atilla qё, marrja e masave ndёshkuese financiare e administrative pёrbёnte hapin e parё qё sipas tё dhёnave do tё pasohej me amendament pёrkatёs nga Kongresi. D.m.th, asgjёkundi nuk pёrjashtohet njё fenomen i tillё me shkelje tё konfliktit tё interesit, aq mё tepёr nё Shqipёri.

    Tё gjithё mjekёt, aq mё tepёr drejtues tё specialiteteve nё nivel katedrash duhet tё kenё mirё parasysh se niveli i dijes sё njerёzve sot nuk ёshtё ai i para 30-40 vjetёsh. Prandaj jo vetёm kur shpreh njё opinion nё gazetё, por edhe kur je pёrpara njё pacienti, duhet tё matesh mirё pёr ato qё shpreh pёrndyshe tё del kallaji shpejt.

    Mё dukej se deri kёtu arsyetimet e Barbullushit e tё Vehbiut ishin vёrtetё interesante dhe, me vete si mjek, brenda meje, po i vlerёsoja me seriozitet e dashamirёsi. Nё kёtё rast z. Vehbiu ishte korrekt nё mёnyrёn e trajtimit tё problemit.

    Kur papritur çfaqet z. Mark Marku me njё artikull tejet pёrçmues pёr z. A. Vehbiu.

    Them kёshtu mbasi autori Marku shprehte nё shkrim njё tendenc tё qartё dashakeqsie tallёse ndaj Vehbiut dhe njё admirim shijekeq ndaj Dr. Barbullushit. Mё duket me vёnd qё ti vё nё dukje z. Marku se opinionet e autoriteteve tё urokirugjisё amerikane dhe referencat statistikore tё paraqitura nga z. Vehbiu vёrtetё janё edhe nё internet e mund tё lexohen nga çdo njeri, por kjo nuk do tё thotё se ato janё tё pavёrteta, tё pa sakta apo edhe tё keqinterpretuara me qёllim tё keq. Z. Marku duhet tё ketё mirё tё qartё si i fushёs sё akademizmit qё ёshtё se janё shumica e mjekve sot nё vёndet e pёrparuara qё pёr efekt shpejtёsie kohore kur duan tё rikonfirmojnё njё tё dhёnё pёr njё problem tё caktuar mjekёsor, nxjerrin shpejt nga xhepi telefonin, iphone, ku kanё tё instaluar edhe vvebsite me informacion mjeksor dhe gugёllin (kёrkojnё) atё qё u duhet, pёrpara sesa tё hapin librin apo traktatin pёrkatёs. (Sidomos informacioni i vvebsiteve tё qёndrave tё mёdha studimore mjeksore ёshtё mjaft i flitruar dhe cilёsor).

    Z. Mark Marku nuk mungon qё tё cilёsoj para emrit tё tij se ёshtё Doktor nё Shkencat e komunikimit. Kjo duhet t’a bёj mё tё matur nё komunikimin e replikёs mospajtuese si opinion, tё jap argumentin pa pёrdorur ofeza, tё cilat nuk pёrputhen me statusin e njё Doktori shkencash komunikuese. Pёrndryshe kur e lexon fillon tё tё zvogёlohet e nё hierarkinё e njerёzve me titull Doktor tё zbresё nё “d”. Me keqardhje them se njё Doktori shkencave nuk duhet t’a zbresё arsyetimin e tij nё banalitete krahasuese tё tilla si ajo qё, na qёnka dikush komshi me njё mjek dhe shpesh ndeshen e bisedojnё nё ashensor e ky njeri na mendokёrka se di po aq nga mjeksia sa edhe mjeku komshi. Nuk gaboj kur them se tё tilla banalitete krahasuese gjёnden jo rrallё te ata njerёz me ndonjё titull (larg qoftё nga Kristal) qё e kanё merak, qё vuajnё pёr t’ua bёrё tё ditur tё tjerёve se e kanё njё titull shkencor, qё flenё dhe zgjohen tё pёrkundur nga titulli poshtё jastёkut. Ashtu sikurse ёshtё e zakonshme e kundёrta.

    Pёrse nuk i ёshtё ndenjur Markut dot?, mund tё bёhet pyetja.

    Kam pёrshtypjen se Marku duke qёnё nё moshё kur kontaktet me mjekёt shtohen, mund tё jetё pjesё e kontigjentit tё atyre qё bёjnё teste tё rregullta pёr probleme tё caktuara qё lidhen me moshёn. Natyrisht qё, njё njeri me pozicion tё lartё nё hierarkinё e akademizmit e nё politikё kontaktet me mjekёt do t’i ketё patjetёr nё kёto nivele. Detyrimi moral i pacientit nё tё tilla raste ёshtё i kёtyre niveleve prandaj edhe Marku ёshtё aktivizuar seriozisht ngaqё nuk mund tё lejoj tё ulet statusi i mjekut tё tij shef, sidomos nga njё njeri i jashtё fushёs.

    Besoj se Dr. Barbullushi ia ka bёrё tё ditur Dr. Markut se ka edhe mёnyrё tjetёr diagnostikuese pёr tё parё nёse ёshtё e zmadhuar prostata apo jo, ёshtё e butё apo e fortё, gjё qё tё jep mundёsinё orientuese pёr tё kapur shpejt çfaqjen e kancerit tё prostatёs.

    Arsyeja m’a donte dhe po prisja tё lexoja ndonjё reagim nga Dr. Barbullushi, mirёpo kёsaj here i ka dalё pёrpara Marku, ndoshta i lodhur nga debatet politike.

    1. “Kur papritur çfaqet z. Mark Marku me njё artikull tejet pёrçmues pёr z. A. Vehbiu.”

      Dr. Minella Aleksi, alias Sala-Din.
      Me duket se e ke lexuar keq shkrimin e Markut. Une nuk pashe aty tone perçmuese, dashakeqese a tallese ndaj Vehbiut.

      Te me fale Marku qe po flas ne emer te tij, po une e njoh mire, sikurse edhe vete Vehbiu besoj se e njeh, vleresimin e larte qe ka Mark Marku per Vehbiun si studiues, filolog e albanolog. Kete vleresim Marku e ka deshmuar me te gjitha menyrat dhe mjetet (me citime te shpeshta ne artikuj akademike, ne auditor para studenteve dhe te tjera qe nuk po i permend).

      Artikulli i Markut nuk sulmonte personalisht A. Vehbiun, por duke marre shkas prej nje shkrimi qe u shfaq “ne shtypin e perditshem”, rrihte te trajtonte nje problem tejet te mprehte te mediave tona, qe ka marre permasat e nje patologjie tashme:
      Eshte nje lloj sharlatanizmi qe shfaqet ne shkrime “intelektualesh te gjithedijshem” alla Enver Hoxha, qe e kane ne maje te hundes pergjigjen dhe zgjidhjen per te gjitha problemet: ne mengjes gdhihen sociologe, ne darke ngrysen historiane, te nesermen behen gjuhetare, ndersa te pasnesermen kuturisin te shpleksin lemshin e koklavitur geopolitik te Lindjes se Mesme.

      Une thelbin e artikullit te Markut e kuptova keshtu: secili te merret me zanatin e tij e te mos hapet kot se koti si vaji ne lakra.

      1. Relapso,

        natyrisht që Mark Marku e sulmon Vehbiun. Ti tani ose provokon, ose i kupton gjërat anapolla.

        E para, që ti dhe Marku nuk po doni ta kuptoni, profesori i prostatës e shkroi dhe botoi shkrimin e tij në një gazetë të përditshme shqiptare, pra për një publik të zakonshëm. Mbajeni mirë parasysh këtë, që në thelb do të thotë, që çdo lexues potencial është i ftuar të krijojë një mendim të vetin si dhe ta shprehë këtë. Ka ndonjë problem këtu?

        Profesori i prostatës i dhuroi bashkësisë së lexuesve të tij një buqetë me anekdota pa ndonjë shije të veçantë, sepse sinqerisht, se si i ka zgjidhur problemet e prostatës Nelson Mandela apo Sadam Huseini, chi se ne frega! Nëse një shkencëtar kërkon t’i ndërmjetësojë një mendim të tijin shkencor një publiku të gjerë, rruga më e keqe dhe banale është që ta mbështesë mendimin e tij tek eksperienca personale e figurave politike momentalisht politikisht korrekte, ngaqë kjo është diçka për njerëz të trashë. Me të drejtë unë si lexues mund t’i drejtohem profesorit të prostatës, Mark Markut dhe ty relapso, se për çfarë i kujtoni ju lexuesit; gjë për idiotë, kur ju sugjerohet që të kontrollojnë prostatën sipas një mënyrë të cilën e paskan ndjekur edhe burra shteti kaq me famë? Po për hatër të Zotit! Nëse u dashka detyrimisht të merret një figurë e shquar për të ilustruar një domosdoshmëri mënyre mjekimi, gjeni diçka më funksionale, shikoni se ç’mund të kenë thënë apo ndërmarrë hipokondriakë me vlerë të madhe për lexuesin e shikuesin e gjerë, personazhe filmash, romanesh, politikanë vërtetë gjuhëshpatë (Woody Allen, Zeno Cosini ose Winston Churchill), po jo senatori Bob Doll, gjenerali Colin Powell e ku e di unë se çfarë vdekatarësh të tjerë të rëndomtë.

        Shih se ç’shkuran Mark Marku akoma:

        “Fakti që një specialist i një fushe të caktuar pa asnjë lidhje me problemin nxjerr disa të dhëna nga interneti dhe rreket të ballafaqohet me një specialist të fushës shkencore që e studion këtë problem, përbën një gabim të rëndë metodik që vë në diskutim integritetin moral dhe intelektual të autorit të polemikës”

        Aha. Dhe ty relapso nuk të duket si sulm kjo gjë? Jo për gjë, po se po ngrehesh një çikë si shumë me këtë neutralitetin tënd artificial e hipokrit.

        Vehbiu citoi burime serioze lidhur me çështjen në diskutim dhe e kapi këtë për brirësh. Mark Marku, në rastin më të mirë, nuk është në gjendje të njohë thelbin e problemit dhe i turret Vehbiut, sikur ky t’i ketë shkelur prostatën.

        Shih relapso se ç’shkruan akoma Mark Marku:

        “Një qytetar i zakonshëm edhe mund të mendojë se nëse banon në një pallat me një mjek dhe nëse shkëmben çdo ditë biseda në ashensor me këtë mjek, mund të ketë njohje mjekësore po aq sa mjeku. I njëjti qytetar mund të mendojë se nëse vuan nga një sëmundje, mund të bëhet këshilltar i të tjerëve që kanë të njëjtën sëmundje. Por, një studiues, cilado qoftë fusha e tij studimore, nuk duhet ta bëjë kurrë një gabim të tillë. Madje do të konsiderohej një gabim i madh nga pikëpamja metodologjike nëse një mjek i zemrës do të shkruante për sëmundjet e syve, apo një mjek i lëkurës të fliste për sëmundjet e mëlçisë, përveçse në rastin kur sëmundjet e organeve të tjera lidhen me probleme të organit për të cilin janë specializuar.
        Ja pse polemika e zotit Vehbiu është e pakuptimtë, madje shumë e dëmshme për publikun. Sepse siç e thamë më sipër, kjo është një sëmundje shoqërore me rrënjë të thella në historinë e Shqipërisë.”

        Tani Vehbiu nuk e ndaloi gjë profesorin e prostatës në ashensor dhe e pyeti, por ishte ky i fundit që filloi t’i zërë njerëzit nga mënga vend e pavend e t’ju shpjegojë hallet që mund të kishin ata me hallatet e tyre. Pastaj Vehbiu nuk filloi fushatë elektorale kundër profesorit të prostatës duke treguar Vehbiu vetë për prostatën e tij. Vehbiu tha vetëm, mirë falemnderit për këshillën, por duket si e vjetruar, ngaqë të tjerë që kuptojnë mirë nga kjo punë këtu në majë të Amerikës, thonë gjëra të tjera. Tani Mark Marku e akuzon Vehbium, se për këtë po manifeston simptomat e “një sëmundjeje shoqërore me rrënjë të thella në historinë e Shqipërisë”. Si i thua ti kësaj relapso? Nuk të duket si sulm ty kjo?

        Sih se ç’shkruan akoma Mark Marku relapso:

        “Vehbiu me njohuri dhe kontribut jo të pakët në fushën e studimeve filologjike, të konkretizuar edhe në libra me nivel si “Shqipja totalitare”, shndërrohet papritur në mjek dhe konsulent i kancerit të prostatës.”

        Kjo është gënjeshtër. Është shpifje. Është trillim. Është baltë që hidhet ashiqare. Kush e lexoi Vehbiun me seriozitetin e zakonshëm të të bërurit të gjërave, mund ta evidentonte qartë në të gjithë ndërhyrjen e tij, se ai nuk po fliste si mjek por si qytetar. Tani ose ti e Mark Marku jeni katundarë e nuk e kuptoni dot këtë (në kuptimin që nuk keni mirëkuptim për reagimin e qytetarit Vehbiu), ose doni t’i bëni keq këtij.

        Po ka akoma. Mark Marku shkruan:

        “Një doktor filologjie si Vehbiu, apo një doktor i shkencave të komunikimit si autori i këtij shkrimi, mund të analizojë formën e një shkrimi të fushave të ndryshme shkencore, por kurrë përmbajtjen e tyre.”

        E para Vehbiu nuk është doktor i shkencave gjuhësore (ku e gjeti këtë katundari tjetër “doktor foilologjie”; dashakeqësia është ashiqare). Vehbiu është një person publik pa ambicie për hierarki akademike formale. Mark Marku, që e identifik si autor të “Shqipes Totalitare” e di këtë. Ti relapso gjithashtu e di, se hyn e del në këtë blog (përfiton prej tij për fatin tënd shumë të mirë, siç e bëj edhe unë). Në një farë mënyrë Vehbiut i vishen petkat e mëkatarit, për ta demaskuar publikisht. Ty mund të mos të të duket si sulm ky, por kjo nuk do të thotë asgjë më shumë, se që ti paske një problem me njohjen e realitetit (edhe kjo në rastin më të mirë).

        Kurse sa për doktorin e shkencave të komunikimit, i cili të paska impresionuar aq shumë relapso, ky i paska kuptuar gjërat “Roma per toma”. Këtij gjeti ti t’i bësh fresk?

        Dhe Mark Marku e mbyll:

        “Dhe si doktor i fjalës Vehbiu duhet të irritohet më së shumti për shpërdorimin publik të saj. Dhe polemika e tij është pikërisht një shpërdorim i tillë.”

        E po të paskan plasur sytë relapso, ose i paske patur diku tjetër, se Mark Marku po e akuzon Vehbium për “shpërdorim publik të fjalës”.

        Tani do të thuash ti, po ty ç’të gjeti që mu ktheve me kaq tërsëllëm.

        E para relapso, dikush duhet të ta thoshte, që i e dredh si kurva me ndërhyrjet e tua dhe mua kjo gjë më sëkëlldis një çikë midenë. O ti ke këllqe e i kthehesh Vehbiut e i thua fjalën e fundit të parën (do të ishte më e ndershme), o gjej e bëj ndonjë punë tjetër. E dyta, ky Mark Marku përveç se tregoi, se është një doktor mizerje i shkencave të komunikimit, e pështyu edhe në fytyrë Vehbiun. Tani del ti si i bukuri shejtan dhe thua, “hë mo se nuk tha gjë”.

        Mua kjo gjë më duket palo punë relapso, se Vehbiu nuk ka dalë në publik që gjithfarë mileti t’i pështyjnë në fytyrë e t’i hynë me dacka sipas qejfit, por që t’i tregojë sipas bindjes së tij rrugën e drejtë njerëzve. Nuk po thotë njeri që t’i thoni “aferim”, por ama nuk keni as edhe të drejtën MINIMALE t’i nëpërkëmbni dinjitetin. Dhe dinjiteti i nëpërkëmbur publikisht i një personi është edhe dinjiteti im edhe i yti i nëpërkëmbur relapso. Prandaj hë djalë, hapi më mirë sytë kur lexon e mos u shtir.

        1. Prifto,

          Qetesohu, merre shtruar, e mos merr flake si pushka e jevgut.

          Une e thashe me se nje here se per problemin specifik te testit te prostatit qe diskutoi Xha Xhai, mua si lexues i thjeshte argumentet e tij, por sidomos linqet qe na solli aty, ma mbushen mendjen. Mirepo une, po te kem probleme prostati, do te shkoj te Dr. Barbullushi, nuk do t’i kerkoj ndihme Xha Xhait.

          Problemi qe shtron Marku ne polemiken e tij nuk ka te beje me testin e prostatit. Ai flet per “një sëmundje shoqërore me rrënjë të thella në historinë e Shqipërisë.” E ka fjalen pikerisht per sharlatanizmin dhe lehtesine me te cilen ne shqiptaret marrim persiper te shprehemi publikisht per gjera mbi te cilat nuk jemi specialiste.

          Ndoshta te ka shpetuar, por une ne kete blog kam debatuar me Xha Xhain pikerisht per kete semundje. E Xha Xhai me eshte pergjigjur duke thene se ne kete blog nuk pi uje parimi i autoritetit shkencor. Me fjale te tjera, ne kete blog mund te behemi te gjithe demokratikisht si kembet e dhise. Ne kete blog, po e pranoj, sepse blogu eshte shtepia e Xha Xhait dhe ai i cakton rregullat si t’i doje qejfi. Po te duash rri, po s’te pelqeu ik. Vete Xha Xhai si gjuhetar ka qene i pari qe e ka zbatuar kete rregull blogu kur ka lejuar plot komentues e madje edhe autore te shkruajne marrezira mbi çeshtje gjuhesore. Veçse te siguroj une se, po te ishte kryeredaktor i nje reviste gjuhesore a qofte edhe nje gazete te peditshme, nuk do t’i kishte lejuar ato shkrime.

          Shkruan:

          “E para Vehbiu nuk është doktor i shkencave gjuhësore (ku e gjeti këtë katundari tjetër “doktor foilologjie”; dashakeqësia është ashiqare). Vehbiu është një person publik pa ambicie për hierarki akademike formale. Mark Marku, që e identifik si autor të “Shqipes Totalitare” e di këtë.”

          Vehbiu per nga formimi, pervoja e punes ne institucione shkencore dhe universitare, edhe si autor artikujsh shkencore ne revista te specializuara dhe monografish eshte gjuhetar. “Shqipja Totalitare”, eshte nje studim shkencor mbi gjuhen. Marku natyrisht qe e di kete. Per ate liber autori madje ka marre dhe nje çmim. A e di kush ishte kryetari i jurise qe e dha ate çmim? Pa vrite mendjen, se ndoshta e gjen vete.

          Shkruan:

          “Mua kjo gjë më duket palo punë relapso, se Vehbiu nuk ka dalë në publik që gjithfarë mileti t’i pështyjnë në fytyrë e t’i hynë me dacka sipas qejfit, por që t’i tregojë sipas bindjes së tij rrugën e drejtë njerëzve.”

          Prifto, mblidh mendjen! Vehbiu ka dale t’u tregoje rrugen e drejte njerezve? Pse ç’u be, Jezu Krishti?

          Vehbiu shkroi nje artikull ku shprehte mendimin e tij duke polemizuar me Dr. Barbullushin, nuk e peshtyu gje ne fytyre ate. Apo jo?
          Edhe Marku shkroi nje artikull ku tha mendimin e tij. U shprehen qendime dhe u diskutuan mendime, nuk u peshtyne ne fytyre!

          Se fundi, nuk te njoh e nuk me njeh. Po nuk te kam borxh te me fyhesh.
          Por per kete nuk ke faj ti, se aq ta pret. Fajin e ka moderatori.

          1. Relapso,

            Mos u sill si katundar. (Gjithnjë në kuptimin, që katundar nuk është ai qe vjen nga katundi, por që e bie katundin në qytet.)

            Shkruan: Vehbiu per nga formimi, pervoja e punes ne institucione shkencore dhe universitare, edhe si autor artikujsh shkencore ne revista te specializuara dhe monografish eshte gjuhetar. “Shqipja Totalitare”, eshte nje studim shkencor mbi gjuhen. Marku natyrisht qe e di kete. Per ate liber autori madje ka marre dhe nje çmim. A e di kush ishte kryetari i jurise qe e dha ate çmim? Pa vrite mendjen, se ndoshta e gjen vete.

            Po pse, “Shqipja Totalitare” e marka vlerën ngaqë paska ekzistuar dikur dhe diku një kryetar jurie që dhënka çmimet? ky është kriteri yt i vlerësimit të gjërave?

            Shkruan:

            “Vehbiu shkroi nje artikull ku shprehte mendimin e tij duke polemizuar me Dr. Barbullushin, nuk e peshtyu gje ne fytyre ate. Apo jo?”

            Jo mor zotni, nuk e pështyu. I tha vetëm, që shumë e mirë kjo ideja për të prurë në Tiranë autobusë të përdorur nga jashtë shtetit, por kur është fjala për kancerin e prostatës, ato nuk hyjnë në punë; duhen të reja!

            Shkruan akoma:

            “Edhe Marku shkroi nje artikull ku tha mendimin e tij. U shprehen qendime dhe u diskutuan mendime, nuk u peshtyne ne fytyre!”

            Dashakeqësia e Markut ishte më se evidente. Hap sytë e lexo.

            Nuk kisha aspak besim se mund të të bija dot në një pozicion të arsyeshëm, por ndërhyra thjeshtë, ngaqë mu duk se kupa e hipokrizisë u mbush (e kishe mbushur prej kohësh xhanëm).

    2. “Besoj se Dr. Barbullushi ia ka bёrё tё ditur Dr. Markut se ka edhe mёnyrё tjetёr diagnostikuese pёr tё parё nёse ёshtё e zmadhuar prostata apo jo, ёshtё e butё apo e fortё, gjё qё tё jep mundёsinё orientuese pёr tё kapur shpejt çfaqjen e kancerit tё prostatёs.”

      Meqe jemi tek mjekesia dhe sidomos tek informimi i qytetareve apo me mire i meshkujve te interesuar, cila eshte kjo menyra tjeter per te diagnostikuar presencen e prostatit dhe a eshte ndopak me pak e kushtueshme?

      1. Per menyren tjeter qe shkon paralel me testine PSA: kur e lexon dicka ne nje gjuhe te huaj nuk tingellon edhe kaq keq, keshtu qe po e citoj ne anglisht sic jepet ne Mayo Clinic.

        Ne meshkujt e dime me mire sepse e provojme ne trup, sidomos mbi 50 vjecaret

        “The PSA test is only one tool used to screen for early signs of prostate cancer. Another common screening test, usually done in addition to a PSA test, is a digital rectal exam. In this test, your doctor inserts a lubricated, gloved finger into your rectum to reach the prostate. By feeling or pressing on the prostate, the doctor may be able to judge whether it has abnormal lumps or hard areas.”

        1. Harrova te shtoi nje 🙂 se keshtu merret me dozen e duhur te shakase…

        2. Faleminderit Read Me per infon dhe testin alternative. Megjithate, mendoj se ka shume pak gjasa qe Z. 2M te mos e kete provuar testin ne fjale. Biles per here te pare ne menyre te sforcuar dhe figurative e ka vuajtur qe ne fillim te viteve 80-te nen regjimin e PPSH-se.

      2. Menyra tjeter nuk kushton shume, por mund te rezultoje e sikletshme ose e kendshme, varesisht nga orientimet seksuale te meshkujve.

        Eshte kjo qe pershkruhet ketu poshte:

        “Another common screening test, usually done in addition to a PSA test, is a digital rectal exam. In this test, your doctor inserts a lubricated, gloved finger into your rectum to reach the prostate. By feeling or pressing on the prostate, the doctor may be able to judge whether it has abnormal lumps or hard areas.”

        S’po e perkthej se ne shqip te hap barkun 🙂

  3. “…çështje të tilla si testimi për kancerin e prostatës duhet të diskutohen individualisht me mjekun dhe jo të zgjidhen me fushata masive, si ajo që këshillonte dr. Barbullushi, i cili i ftonte qytetarët të shkonin të testoheshin në 23 qershor, në vend që të votonin.”

    Kjo përmbledh edhe esencën e shkrimet në distancë të Xha Xhait (Vehbiut) dhe Dr. Barbullushit.

    Duke thënë këtë dhe i bërë edhe një lexim të dytë edhe të tretë shkrimeve te të dyve, mendoj se post scriptum-i i dr. Barbullushit është fajtori(il colpevole) që mendoj se ka shtyrë edhe Xha Xhain të reagojë.

    Nuk e di se çfarë ka synuar dr. Barbullushi me post scriptum-in e tij(ndoshta një ironi në lidhje me teatrin e zgjedhjeve, ku njerëzit angazhohen emocionalisht e mendërisht me shumë se për shëndetin e tyre), por fare mire mund të tingëllojë ashtu siç edhe thotë Xha Xhai, si ftesë masive që i behej meshkujve mbi 50 vjeç për tu testuar për PSA.

    Xha Xhai vjen me një reference të pasur për të dëshmuar që “…çështje të tilla si testimi për kancerin e prostatës duhet të diskutohen individualisht me mjekun dhe jo të zgjidhen me fushata masive”.

    Pavarësisht se si mund të tingëllojë ky shkëmbim mendoj se të gjithë mund te biem dakord për një gjë: të dyja palët i shërbyen çështjes për te sensibilizuar opinionin publik për nevojën e njohjes të një testi të tillë që i intereson si meshkujve ashtu edhe femrave shqiptare. 🙂

    Edhe diçka tjetër, ndoshta duke hasur në injorancën e klientelës, pacientëve dhe mjekëve në Shqipëri, ambient të cilën dr. Barbullushi e njeh më mirë, në shkrimin e tij, ka përdorur mjete më dramatike, për të shkundur publikun shqiptar nga padija, neglizhenca që çon shumë meshkuj në një vdekje të parakohshme dhe të panevojshme.

    Por sëbashku me dramaticitetin e shkrimit, ai i jep lexuesit informacionin bazë, se cfare duhet te dihet dhe si duhet të proçedohet.

    Ndërkohë që Xha Xhai e merr me shtruar, sepse është një qytetar i informuar, dhe si i tillë i ka përdorur mjetet e informacionit për të mbajtur një qëndrim më gjakftohtë.

    Përndryshe nuk shoh motive deviante nga të dyja krahët, si nga dr. Barbullushi ashtu edhe Xha Xhai. Kurse ndërhyrjen e Mark Markut e shoh të pavend, sepse dr. Barbullushi, di të përdorë pendën shume mirë jo vetëm si doktor, por edhe si komunikues për të sensibilizuar publikun.

    Për qëndrimin me informativ, pa vënë në dyshim autoritetin apo interesat, të rekomanduar nga specialistët mund të konsultohet Mayo Clinic në Minesota, SHBA, e cila është një nga institutet spitalorë më të besueshme, aq më shumë që është një organizatë jofitimprurëse.

    Ka detaje se si organizma të ndryshme dhe të rëndësishme mjekësore reagojnë ndaj testit të PSA

    Mund të gjënden informacione rilevante për testin e PSA. Keto jane per nje publik te gjere.

    http://www.mayoclinic.com/health/psa-test/MY00180

  4. Nderhyrja e Markut ishte fare e papershtatshme, duke pare premisen mbi te cilen bazohej, sipas se ciles vetem nje ekspert mund te japi mendimin e vete mbi nje fushe te caktuar. Eshte diskutuar shume rreth kesaj, madje edhe ketu ne blog mbaj mend nje shkrim mjaft te mire ( goxha kohe me pare, nuk me kujtohet titulli por dicka me teknokratet duhet te kete qene ). Do te mjaftonte vetem ajo si pergjigje.

    Deri ketu mbi argumentat e Markut. Sa i perket gjuhes te perdorur dhe frymes qe karakterizon ate replike pastaj, me duket se ka dicka personale qe shkon pertej ketij debati. Ndoshta ndonje qefmbetje e vjeter nga kohet ku diskutohej Kadareja, mohsat, etj etj. Por kjo eshte vetem nje pershtypje imja.

  5. Pertej faktit se mbi debatin ne fjale une mendoj se Xha Xhai ka te drejte, dua te shtoj edhe diçka:
    Nga pervoja personale mund te them se dikur u besoja mjekeve shqiptare gati verberisht aq sa u lija ne dore vendime te rendesishme mbi shendetin tim, derisa e pesova keq. Desh lash leshte.
    Meqe u dogja njehere nga qulli, tani i fryj kosit.
    Marku me duket se nuk eshte djegur ndonjehere.

    Ndersa skepticizmi i Xha Xhai besoj se buron nga fakti se ai eshte rritur mes mjekesh dhe e di mire se ç’mund te te punojne.
    Keshtu pra, sonte u bera edhe psikanalist! 🙂 🙂

    1. Mjekët janë njerëz si ti dhe unë, me të mirat dhe të këqiat e tyre.

      Nga përvoja ime, them se mjekët si kategori qëndrojnë më lart se mesatarja e profesioneve të lira – janë më interesantë, më fleksibël, më kuriozë, më të komunikueshëm.

      Unë vërtet jam lindur e rritur mes mjekëve, por dritëhijet dhe dilemat shpirtërore të mjekut m’i ka mësuar letërsia (Çehovi).

      Për fat të keq, në Perëndim sistemi shëndetësor privat kërkon t’i shndërrojë mjekët nga priftërinj të trupit në shitës shërbimesh shëndetësore – dhe kjo është shumë e ndyrë.

      Në ShBA mjekësia është e organizuar në këtë mënyrë, në raport dialektik me shoqëritë e sigurimit dhe juristët.

      Bashkëfajësia e përgjithshme e mjekëve, brenda këtij sistemi, shpërblehet me pagesën e lartë që i bëhet kategorisë.

      Është një sistem krejtësisht i orientuar ndaj mirëmbajtjes dhe administrimit të sëmundjes, si formë reale të ekzistencës.

      Koncepti i shëndetit, brenda këtij sistemi, ekziston vetëm në trajta algjebrike, ose abstrakte.

      Qëllimi final i sistemit është ta vërë të gjithë popullatën nën trajtim kronik.

      E pranoj se për sa më lart u referohem tezave të filozofit dhe antropologut Ivan Ilich.

      Në Shqipëri nuk jemi ende në këtë fazë; por tundimi i mjekëve për t’u pasuruar me shpejtësi është dukuri reale, që e vënë re të gjithë.

      Ndërkohë, Shqipëria importon format më të këqija të mjekësisë perëndimore, duke filluar që nga mjekësia elitare.

      Për mendimin tim, nëse vazhdohet kështu, mjekët do të vijnë duke u shndërruar, hap pas hapi, në varrëmihës, të ngadalshëm dhe shumë të shtrenjtë.

      1. si ne shumicen e rasteve, komenti i pare nga xhaxhai eshte me interesant nga tema vete 😀

        “Për fat të keq, në Perëndim sistemi shëndetësor privat kërkon t’i shndërrojë mjekët nga priftërinj të trupit në shitës shërbimesh shëndetësore – dhe kjo është shumë e ndyrë.

        Në ShBA mjekësia është e organizuar në këtë mënyrë, në raport dialektik me shoqëritë e sigurimit dhe juristët.

        Bashkëfajësia e përgjithshme e mjekëve, brenda këtij sistemi, shpërblehet me pagesën e lartë që i bëhet kategorisë.

        Është një sistem krejtësisht i orientuar ndaj mirëmbajtjes dhe administrimit të sëmundjes, si formë reale të ekzistencës.

        Koncepti i shëndetit, brenda këtij sistemi, ekziston vetëm në trajta algjebrike, ose abstrakte.

        Qëllimi final i sistemit është ta vërë të gjithë popullatën nën trajtim kronik.”

        njohuria ime mbi mjekesine perendimore ndalon tek seriali house md dhe se ketu po lexoj per here te pare per illich-in. ku mund te gjej me shume informacione mbi keto me lart?

          1. Ndoshta për plotësim do të rekomandoja për informim më të gjerë dhe STS http://en.wikipedia.org/wiki/Science,_technology_and_society si një përqasje jo edhe aq e re tashmë inter-disiplinore (nuk di si mund të përkthehet saktë në shqip) ku barrierat shkencore mes shkencave ekzakte dhe atyre sociale e humaniste janë të shkrira. Me interes është dhe puna e Bruno Latour në këtë fushë, si psh Latour, Bruno (2004). Politics of Nature: How to Bring the Sciences Into Democracy. Cambridge, MA: Harvard University Press.

  6. Shkruan xhaxhai dicka ne blog ku ve re se doktori nuk eshte transparent me publikun dhe po i con pacientet si cjapi te kasapi.
    Mediat, nga te cilat duhet te presim te luajne nje rol akoma me te madh per te informuar publikun per keto ceshtje, me pertaci marrin shkrimin nga blogu dhe “lajne” gojen per detyrimet qe kane. Se kush po pret me shume? Jo Mark Marku!
    Doktori i mediave ne vend qe te beje analize per pertacine e mediave per te luajtur nje rol serioz per ndergjegjesimin publik ben nje palo diagnoze dhe nxjerr te lare Barbullushin i cili sipas llogjikes te MM me mire duhet t’ua kishte lene gazetarine gazetareve.
    Dalin ca anonime e ca intelektuale (Znj. Kumbaro me habite!!) qe ankohen se xha xhai eshte negativ e i padrejte, idhtar me Barbullushin dhe hedhin hi syve duke na permendur persosmerine e tij si mjek a thua se nje e mire anullon nje te keqe.
    Doktor Barbullushi nuk ndihet. Nderkohe xhaxhai vazhdon dhe i sherben publikut me informacione qe as doktori e as mediat nuk ia serviren publikut.

    A ka ndonje sherim per kete semundje?

    “Vehbiu duhet të irritohet më së shumti për shpërdorimin publik të saj.” Une them qe nuk po irritohet mjaftueshem!

  7. Meqë nuk jam ekspert, kam një koment për një çështje teknike jashtë ekspertizës mjeksore që trajtohet në artikullin e Dr. Barbullushit dhe në mënyrë disi më të reformuar, në ate të Mark Markut. Dr. Barbullushi sugjeron si post scriptum të artikullit të tij se burrat në moshë mbi 50 vjeç, nëmos gaboj, ditën e 23 Qershorit ësthë mirë të mos votojnë për partitë politike por të bëjnë testin prostatës. Në anën tjetër Mark Marku, si qytetar i mirë dhe politikan profesionist, sugjeron që ditën e 23 Qershorit elektorati i gjinisë mashkullore mundësisht t’i bëjë të dyja, pra si testin e prostatës ashtu edhe votimin. Nqs do të ndiqnim një llogjikë të ngjashme me atë që Mark Marku shfaq ndaj shkrimit të XhaXhait, lind pyetja: Po sikur elektorati në mënyrë masive të ketë marrë seriozisht propozimin e Dr. Barbullushit dhe të Mark Markut? Mendoni sikur ditën e 23 qershorit 1.5 milionë burra shqiptarë të dynden për të bërë realisht testin e prostatës. A nuk do të kishte kjo pasoja të paparashikueshme për kryeqytetin dhe të gjithë vendit? Nqs duam t’a çojmë absurdin akoma më tej në trajta akoma më sureale, si rrjedhojë e mendimit të Markut mund të pyesim: A ka mundësi teknike klinika e Dr. Barbullushit apo e QSUT (pak rëndësi ka ku bëhet testi) të përballojë një fluks prej afërsisht 1.5 milionë vizitorësh në një ditë të vetme? Sa kohë do t’i duhej stafit mjeksor të Dr. Barbullushit, të mund të kryente këtë test për 1.5 milion njerëz, dhe për më tepër, çfarë është më e rëndësishmja, sa mund të përllogaritet afërsisht kohëzgjatja e daljes së rezultateve të testeve për të testuarit? Në rast se testi do të zgjste rreth 10 minuta do te duheshin rreth 3 vjet punë 24 orëshe e stafit të klinikës për ta kryer dhe nëse nxerrja e reyulateteve zgjat po 10 minuta edhe 3 vjet të tjera për daljen e tyre. Pra afërsisht i bie që për të bërë një test prostate, shqiptarët të mos votonin të paktën dy palë zgjedhje rrjesht.
    Problemi është se kam frikë se një pjesë e madhe e burrave do kishin vdekur duke pritur, bashkë me dr. Barbullushin që do t’i duhej të punonte me tre turne, e shumë vetmohim për 6-8 vjet pa pushim.
    U kërkoj ndjesë nëse i bëra një reductio ad absurdum mesazhit të dy figurave të nderuara, por në këtë debat dua të veçoj tani seriozisht dy fenomene në lidhje me kulturën e shoqërisë tonë.
    E para, në reagimin e tij, më vjen keq të konstatoj se M. Marku shfaq një turbulli serioze konceptuale mbi rregullat thelbësorë dhe përbërës të një shoqërie të hapur, siç është marrëdhënia mes ekspertit dhe jo ekspertit për çështje publike.
    E dyta, më karakteristikja e shfaqur në disa reagime komentuesish, është se njohja personale me dikë apo “njërën palë”, respekti profesional apo konsiderata private, shfaqen si kritere të mjaftueshme për gjykim ndaj argumentit apo mendimeve të parashtruara, edhe pse argumentat nuk kanë të bëjnë fare me çështje personale dhe private, por mbeten në plan konceptual e parimor në lidhje me të vërtetën, në një diskutim të hapur dhe debat, të cilit nuk ka përse t’i vihet kapak nga askush.
    Me pak fjalë, thënë më shqip, meqë dikush perceptohet dhe njihet si ‘burrë i mirë’, a priori, mendohet në mënyrë absolute se argumenti i tij qëndron. Kjo është shpesh herë baza e gjykimit racional tek ne. Problemi i kësaj forme gjykimi, edhe pse mund të jetë shumë funksional në strategjitë e mbijetesës se jetës së përditshme, ështe se kjo lejon edhe mundësinë e kundërt, pra se nqs argumenti i dikujt nuk qëndron, atëherë rrjedhimisht, tjetri të shihet si ‘burrë i keq’. Ok, e reduktova për hir të argumentit pasi nuk besoj vërtet se reduktimi i gjykimit ka arritur deri në këtë skaj naiv, por nga ana tjetër në vetvete, kjo përbën një problematikë emblematike të funksionimit të një shoqërie të lirë. Lidhet hollë hollë me legjitimitetin, marrëdhënien delikate të prestigjit me pushtetin, të privilegjit ndaj së drejtës e autoritetit ndaj së “vërtetës”, dhe thelbësisht e ontologjikisht me lirinë. Personalisht, shkrimi i Mark Markut më ndihmoi të mendoj në këto drejtime, dhe për këtë ishte mjaft i vlefshëm.

    1. Tjetër,
      mjeku tejet kompetent i sëmundjeve të prostatës Dr. Barbullushi papritur ka filluar të besojë, që është edhe mjeshtri i retorikës dhe bën një shaka publike më diçka që për të duhej të ishte e shenjtë. Në një farë mënyrë vë në lojë e rrezik atë, që për të duhej të ishte thelbësore: mbarëvajtja e prostatës. Prononcim publik i dobët, pothuajse gafë të sugjerosh që ditën e zgjedhjeve shko dhe kontrollo më mirë prostatën, sepse pse këtë dhe jo fjala vjen tek dentisti, apo bëj një stereoelektroencefalogram.
      Tani unë e kuptoj që ai ka dashur të thotë, që zgjedhjet nuk janë aq të rëndësishme, por në këtë kontekst, e vetmja gjë e mirë që mund të bëjnë njerëzit me trupin e tyre atë ditë për të sfiduar neverinë që ju ngjall politika është të bëjnë dashuri.

      Mos shkoni në zgjedhje por bëni dashuri.

      ose

      Mos shkoni në zgjedhje por shkoni në shtëpi e përkëdhelni fëmijët tuaj. (po e huazoj si ide nga ish Papa Gjoni i XXIII.

      Po ka një gjë tjetër këtu. Është e trishtueshme të shihet se si ka degraduar ndërgjegjja politike e mjekëve shqiptarë. Kujt i kujtohet Sali Berisha vs. Ramiz Alia në mbledhjen e intelektualëve të Tiranës, shkrimet e Prof. Ylli Popës tek Zëri i Popullit në periudhën e fillimit të ndryshimeve, mund t’i bjerë në sy humbja e cilësisë së ndërgjegjes qytetare të mjekëve. Ata ju kundërvunë një sistemi duke rrezikuar gjithçka. Mjeku i sotëm e përbuz sistemin por nuk ka kurajën qytetare ta bëjë haptas e fton t’i shkosh në klinikë që të të kontrollojë kundrejt pagesës.

  8. Po shfaqem dhe nje here, anipse kam kerkuar falje , nen presionin e ‘bubullimave per vesh te bute’.

    Dr Barbullushi ka bere nja artikull per konsum publik ne nje media goxha publike, te cilin une e perceptoj si hedhjen e nje medikamenti te ri farmaceutik per shpetimin nga kanceri prostates (tek ne sigurisht eshte i ri, se ne dynja ka shume kohe qe konsumohet) dhe nuk na thote ose sqaron ndikimet anesore te tij ne shendet. Publiku, individet kane te drejte te reagojne ne menyra te ndryshme varesisht kultures se pergjithshme a formimit mjekesor. Te reagojne a pozitivisht a negativisht a ne heshtje po publikisht. Dhe s’ka ‘doktor’ qe ua ndalon kete.

    Nese dr Barbullushi do e kishte botuar artikullin ne nje print shkencor,sigurisht publiku a qytetari nuk do te mirrte pjese ne diskutim por do t’a analizonin specialistet e fushes. Kete s’e ka bere… E ka bere per ata qe jane me ‘prostate’,qe jane mbi 50-te vjec. Ca i ka sensibilizuar, ca i ka acaruar, ca i ka bere indiferente…madje dhe vet autorin e ka mbuluar tisi i heshtjes si guacke per te mos e gricur me kete pune mos i plas ‘qelbi’

    Ne kuadrin e qytetareve me ‘prostate’ kam pare dhe reagimin e xhaxhait e te Markut:

    Xhaxhai me ka dhene pershtypjen e nje reagimi qytetar te nje njeriu civil qe i dhimbset jeta e kujtdo frymori me prostate ,qofte dhe e vetja, dhe e informon per gjera me te fresketa ‘popullore’ te shkences, mjete me te kohes per parandalimin e luftimin e kancerit, qofte dhe duke argumentuar kunderveprimin ne shendet te PSA-s.Ai ofron, pavaresisht se ku i ka gjetur, te dhena per t’u marre ne konsiderate ne parandalim e luftim

    Marku doktor komunikimi e devijoi debatin e hapur ne blog, sipas meje, nga ‘prostata’ apo shkaqe te tjera te natyres njerezore, por jo per te miren publike. E mira publike do qe t’i thuhet qytetarit troc: kjo eshte e bardhe,kjo eshte gri dhe kjo eshte e zeze, ti si hallexhi ke te drejte te zgjedhesh(duke i treguar dhe koston financiare sipas fuxhutit te tij ).Ndersa Marku e devijoi kontributin publik ne ‘perplasje’ doktoresh te fushave te ndryshme. E drejta e tij,vecse per mua eshte e padrejte.

    Ne nje reagim te meparshem, ndjesen e kerkova pak me vonese:Aresyet ishin keto:

    Peshperitesi perdori nje fjali timen por jo duke replikuar direkt me mua. Mirela e mbeshteti edhe ‘pse nuk eshte me prostate sic nuk jam dhe une’. (Madje duke kerkuar tek ‘Dita’ per ‘Moor-in qe perplasi koken ne mur’ shoh artikullin e xhaxhait te botuar dhe u hodha nje sy komenteve; dhe kur pashe qe Mirela kishte reaguar dhe atje, mos qofsha i gabuar se ishte pa mbiemer por nga formulimi i frazave jam nisur, mendova se ketu dicka calon) Reagime nuk pati as nga xhaxhai, dhe atehere vendosa te kerkoja falje per keqkuptimet per te qetesuar te irrituarit dhe per te mos prishur atmosferen e blogut; dhe kete e bera duke perdorur dhe nje ‘por’.

    Pse e perdora ate ‘por’ ? Sepse ndergjegjerisht nuk isha e bindur plotesisht qe nje mjek me spaleta shkencore ne QSUT-ne e perfolur nga i gjithe mileti per ‘miresite’ e saj , pas nje ‘anamneze’ te vjeteruar te prostates ,na bene dhe nje sqarim ne fund qe ‘burrat mbi 50 vjec te turren per PSA-n dhe jo ne kutite e votimit’…Ky m’u duk qark i shkurter qe me dha dhe mua nje shkundje dhe m’u faneps vetetimthi nje menaxher qe reklamonte teorine e doktor Adhamudhit dhe perkrah kishte Nikollaqin e Olimbise…Sinqerisht e kam.

    Xhaxha; E kuptoj qe nuk doje te ishe i perfshire ne nje vorbull te tille te stisur (kushedi nga c’faktore), por kjo nuk do te thote qe ju te stepeni ne blogun tuaj te amplifikoni zerin e qytetarit si zerin tuaj apo anasjelltas.

  9. Harrova dhe dicka me siper:

    Doktor Marku ne fund te replikes ka dhe kete thirrje : ” Kujdes per testin e prostates: jo te doktor Vehbiu “.

    Cfare te komentosh ketu ?!…Apo jemi ne fushate e bejme thirrje per vota ?!…

    He, lum’ e lum !!!

  10. Xha Xhai nuk ka kuptuar një gjë në këtë mesele: që në Tiranë ka tarafe.

    Kur ka prekur dr. Barbullushin, ai ka prekur tarafin e dr. Barbullushit, i cili ka përfaqësuesit e vet edhe në media.

    Ata që u hodhën përpjetë dhe i treguan vendin Xha Xhait, bënë ashtu jo sepse panë ndonjë gjë për skandal te artikulli i Xha Xhait, por ngaqë duhet të konfirmojnë besnikërinë ndaj tarafit.

    Është e gjitha ballo me maska, asgjë nuk duhet marrë seriozisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin