KUR TË IKËN SHKRIMI NGA BLOGU

E shpjegova edhe në përgjigjen që dërgova te Panorama: reagimi i Mark Markut bazohej mbi një premisë të keqe, sa kohë që unë shkrimin nuk e kisha botuar në të përditshmen ku e kish gjetur ai (Gazeta Dita), por në blog.

A mund t’i vë faj Markut se nuk bëri verifikimet e duhura për të gjetur burimin e shkrimit?

Te faqja online e Ditës thuhet (në fund të shkrimit) se ky është marrë nga Peizazhe të Fjalës. Nuk di nëse Marku e ka parë shkrimin atje, apo në versionin e shtypur të gazetës; dhe këtë të fundit nuk kam ku ta gjej.

Megjithatë, në parim, nuk i vë dot faj.

Unë gjithnjë i dalloj shkrimet në blog nga ato për në shtyp; edhe pse qëllon ndonjëherë që të botoj në blog një shkrim të destinuar për shtyp; ose edhe të shkruaj diçka në blog dhe pastaj të bindem se do ta kish vendin më mirë në gazetë.

Ka shumë arsye për këtë; blogu është më intim nga natyra, dhe presupozohet që njerëzit vijnë aty rregullisht, më njohin mua dhe kanë një lloj familiariteti me autorin.

Përkundrazi, gazeta e largon autorin nga shkrimi; duke ia dhënë tekstin një publiku me përkufizim të panjohur, të përtejmë, që as e njeh as të njeh, ose që të njeh vetëm nga çfarë thua, jo nga ato që ke thënë më parë. Nga pikëpamja e semiotikës së komunikimit, dinamika ndryshon krejt.

Prandaj, shkrimi për gazetë duhet të marrë parasysh këtë efekt alienues; gjë që unë si autor përpiqem ta bëj. Disave kjo do t’u duket gabimisht si rrumbullakosje ose neutralizim i stilit dhe i etosit; por në fakt është kërkesë elementare të respektosh dallimin midis mediumeve dhe ta pasqyrosh atë dallim në stil, në qasje, në formë, madje edhe në argument.

Në blog unë ia lejoj vetes rregullisht të flas në vetë të parë (si në këtë fjali); në shtyp shumë më pak; meqë gazeta nuk e pranon shumë intimitetin, ose rrëfimin – qoftë edhe për çështje me interes të përgjithshëm; përveçse kur është fjala për intervista.

Më tej akoma, blogu parakupton një kontinuitet nga shkrimi në shkrim, ose vazhdimin e një filli, në mos arsyetimi ose tematik, të paktën i një gjendjeje shpirtërore, një atmosfere ose një humori të caktuar (mood). Kjo e lejon autorin që të materializohet në tekste përtej përemrave vetorë dhe rrëfimeve me natyrë personale ose kujtimeve.

Kur del në gazetë, nga ana tjetër, shkrimi është më autonom dhe kompakt; i vetëmjaftueshëm – në kuptimin që lexuesi duhet ta nisë dhe ta mbarojë pa qenë nevoja të dijë, doemos, se ç’kam shkruar unë më parë për temën, ose ç’përfaqësoj, etj.

Shkrimi në gazetë përfaqëson gazetën po aq sa edhe mua; sikurse shkrimi në blog përfaqëson blogun po aq sa edhe mua.

Në fakt, më ka ndodhur disa herë që, kur kam ribotuar në blog një shkrim timin që e kam nxjerrë më parë në gazetë, shkrimi më është pritur, nga lexuesi i blogut, me indiferencë ndonjëherë të pamerituar; sepse, në të vërtetë, shkrimi në gazetë, ose më mirë për gazetë, është i vetëmjaftueshëm, nuk ka nevojë për feedback nga lexuesi, që ta kryejë misionin që ka; ndërsa blogu ka edhe hapësirë për komentet, të cilat idealisht duhet t’ia rritin vlerën shkrimit vetë, përtej raportit dhe rolit autorial.

Tani, kur një shkrim merret nga blogu tale quale dhe riprodhohet në gazetë, ai nuk përfaqëson më as blogun as gazetën, por vetëm autorin; peshë të cilën unë, sidomos për lexuesit e Ditës, nuk e mbaj dot.

Sikurse e thoja edhe në përgjigje, shkrimin Dita ma kish marrë pa leje. Po të më kishin pyetur, do t’u thoja që të mos e merrnin; sepse ai shkrim, pa çka se unë nuk i lëviz asnjë presje, nuk ishte i përshtatshëm për një të përditshme si Dita.

Do ta kisha ripunuar kushedi; duke shtuar kontekst, duke ia zbutur cepat; duke ia shtuar referencat edhe si citate, jo vetëm si lidhje; me fjalë të tjera do ta kisha rishkruar; për respekt ndaj vetes, ndaj gazetës Dita, ndaj lexuesit të saj dhe ndaj dr. Barbullushit.

Tani, unë s’them dot as edhe nëse Mark Marku e di që unë shkruaj në blogun Peizazhe të fjalës dhe që Dita merr shkrime nga ky blog dhe i merr ndonjëherë pa leje (full disclosure: drejtorin e asaj gazete unë e njoh mirë dhe kam miqësi të vjetër me të.)

Njëlloj vlen kjo edhe për dr. Barbullushin, që e ka parë shkrimin në gazetë dhe kushedi është habitur.

Gjithsesi, mbase kanë biseduar edhe me njëri-tjetrin, dhe Marku ka vendosur të më japë një përgjigje, ose më mirë një shpullë.

Shkrimi i Markut është i ekzagjeruar në ton, sidomos për një specialist të komunikimit; i cili duhet ta dijë se asgjë e hajrit nuk vjen nga pozicionimi ex cathedra. Por nuk e gjykoj dot, as e dënoj dot, as ia kthej dot shpullën, meqë gjithnjë më mundon dyshimi se ai mund ta ketë kujtuar shkrimin si të dërguar prej meje te Dita.

Do ta marr, pra, me mirëbesim, si fryt të një keqkuptimi.

Thashë që Marku është specialist i komunikimit; dhe kush më mirë se ai, mund të trajtojë, në analizën e tij të ardhshme, problemin e kalimit të shkrimeve, si shkopi i stafetës, nga një medium në tjetrin, madje deri në atë shkallë sa të nxirret diçka nga konteksti dhe të denatyrohet krejt?

Unë nuk e njoh këtë koleg, përveçse si emër; por besoj se ai do të ketë aq integritet sa të kërkojë të falur, për çfarë ndodhi, sikurse edhe unë do t’ia pranoj apologjinë menjëherë. Kushedi edhe Dita do të më kërkojë të falur, që më futi në këtë “sherr”; ose të paktën do t’i dalë zot publikisht “sekuestrimit” që ia bëri tekstit tim.

Këto janë gjëra të vogla; e rëndësishme është, përkundrazi, etika gazetareske, ose marrëdhënia e mediave me burimet e tyre.

Blogu është një medium me mundësi materiale fare të kufizuara – meqë nuk ka buxhet. Por të paktën ne këtë e lajmërojmë haptazi, dhe u kërkojmë lexuesve mirëkuptim.

Nga ana tjetër, ka shumë media në Tiranë, të cilat emrin e kanë “gazeta”, por në fakt janë larg funksionimit normal të një gazete, e cila i nxjerr më të shumtën e materialeve që boton nga burimet e veta, jo duke komentuar çfarë shkruajnë të tjerët gjetiu, dhe sidomos çfarë është thënë një ditë më parë në televizion; dhe sidomos, jo duke marrë shkrime nga gazeta të tjera, ose faqe në ueb, ose blogje.

Ky është konteksti ku duhet kuptuar edhe akti i marrjes së një shkrimi nga blogu dhe riprodhimit të tij në një gazetë – si mungesë ndjeshmërie dhe kujdesi për etikën e komunikimit, profilin e autorit, personalitetin e autorit dhe integritetin e gazetës vetë.

Ata që kanë arritur deri në këtë pikë të këtij posti tani, dhe po mendojnë ndërkohë se “ç’dërdëllit ky, në një kohë që Shqipëria zien para zgjedhjeve” do t’u thoja se ka një lidhje midis kësaj Shqipërie që “valon” dhe mënyrës si ia përcjellin mediat informacionin publikut; dhe se një puçërr mund të jetë shenjë e aknes, por mund të jetë edhe puçërr lije – dhe rasti i dytë do të përbënte alarm të nivelit global.

Një specialist të komunikimit, si Mark Marku, unë do ta shihja në vijë të parë të betejës, ditë për ditë dhe dhëmb për dhëmb, për forcimin e integritetit të mediave në Shqipëri; dhe jo vetëm do ta shihja, por edhe do t’i jepja mbështetjen time të plotë.

Sa për dr. Barbullushin, veç shpresoj që ai të gjejë kohë dhe ta lexojë ndonjëherë blogun tonë; se përndryshe jam i sigurt se është në gjendje t’i dalë zot vetes, jo vetëm në profesion, por edhe në podiumet e fjalës publike.

Nuk ka komente

  1. Problemi eshte se ti nuk ke kuptu se edhe blogu eshte vend publik dhe nuk mund te shahen njerzit si te pelqen. Nje ofendim mund te thuhet privatisht, por ti kritikon cdo gje qe nuk i pershtatet kutit tand. Ti ngjan ne gazete bulevardeske, zoti te udhezofte…

    1. O Blero se me kuriozove: ku e pe ti qe ne kete blog, autori ka share qofte edhe nje person qe nuk e pelqen? E di ti qe shpifja si gjest eshte me e keqe se sharrja? nejse, zoti te udhezofte…………

    2. Ky komenti me ngjan fiks me stilin e Markut, ne te shprehur.
      Shpesh ndodh qe pushteti i medias shkon ne persona qe nuk kane mundesi ta perballojne si pergjegjesi. Marku te me fale, por une tashme e paragjykoj, dhe shkas eshte nje debat i hershem televiziv ku Marku, pasi u pyet per pergjegjesine e qeverise per shperthimin katastrofik ne Gerdec, u pergjigj – po ne Gerdec na votuan prape…
      Te kuptohemi qe nuk e perfaqeson thjeshte ky moment figuren, por nuk eshte rastesi pa domethenie.
      Nuk e mbaj dot, o xha, po me ka dhene ndjesi te lezetshme ky debat i fundit me larmine e madhe te ngjyrave, dhe ky shkrim i fundit ku “autokritika” embelsonte pa i hequr asgje prirjes tende pikante.
      Dhe dicka mbi origjinen e debatit; besoj se pjesemarrja dhe oponenca me kriter produktin ne shoqeri te cdo disipline shkencore, nuk demton, perkundrazi. Per me teper qe profesionistet e mirefillte nuk i humbasin keto debate, dhe ne pergjithesi nuk jane armiq te debatit.

  2. Jo vetem nga blogu ne gazete qe jane dy mediume te ndryshme ne shume aspekte te komunikimit me lexuesin, por edhe nga nje gazete ne tjetren, autori duhet te rishikoje tekstin qe te sigurihet nese eshte i prekshem per lexuesin tjeter,

    Debati per testimin e kancerin te prostatit (dhe jo vetem per kete lloj) ne SHBA, ka kaluar me kohe kufijte profesioniste. Jo me kot ka rreshqitur ne median e pergjithshme. Nderkohe qe mjeket kane mes tyre debatin nese duhet ta ofrojne e keshillojne kete testim, pacientet kane debatin tjeter nese duhet ta pranojne.
    Ky eshte edhe nje stad evoluimi i pacienti amerikan, qe gezon te drejta te sanksionuara me ligj dhe qe ka te drejte te informohet gjeresisht perpara se t’i nenshtrohet nje procedure.
    Kjo synon te pengoje trajtimin e pacienteve si kavie eksperimentale dhe perkundrazi nxit ne edukimin e metjeshem te publiku per mjekesine dhe temat shendetesore. Per trupin tim, vendimin nuk mund ta marre vetem doktori.

    Ndersa kjo tema e te shkruarit per dicka qe nuk je kompetent eshte teper e lehte. Eshte si e quajne amerikanet “te tregosh ate qe duket”. Eshte nje argument qe mund ta beje kushdo pa qene nevoja per te pasur nje grade apo titull shkencor,.Prandaj nje doktor shkencash ne SHBA nuk do te kishte marre mundimin kurre per te shkruar nje shkrim si ky te “Panorama”.

  3. “Prandaj nje doktor shkencash ne SHBA nuk do te kishte marre mundimin kurre per te shkruar nje shkrim si ky te “Panorama”.”

    Sa gabim! Ke profesore te famshem qe divulgojne, i bejne te pertypshem me anekdota e episode private apo te perjetuara te hyrat e te dalat e shkence se mjekesise duke sqaruar rolin e doktorit dhe te pacientit, dhe kete e bejne nepermjet medias e shtypit qe nuk kapercejne nivelin e tetevjecares. Si duhet t’i flasesh mesatares te pacienteve, me cfare gjuhe?

    Kujt do t’i mbushe mendjen dr. Barbullushi ne periodiket e specializuar, qe as edhe ekzistojne ne Shqiperi?

    Mendoj se Xha Xhai e sqaroi veten dhe pozicionin e tij.Dhe kaq mjafton! Mos ta tjerrim me tej kete muhabet…sic e mbyll me shkrimin me siper Xhaxhai….

    “Sa për dr. Barbullushin….jam i sigurt se është në gjendje t’i dalë zot vetes, jo vetëm në profesion, por edhe në podiumet e fjalës publike.”

  4. Perkundrazi mua shkrimi i blogut qe i referohet xhaxhai mu duku tejet korrekt, kishte bile dhe nje shenim poshte qe kur e lexova mu duk gati i tepruar per nje blog ku sqarohej se autori nuk ishte mjek por nje qytetar qe shqetesohej per x teme.

    Tani, nuk paska te drejte nje qytetar te shprehe shqetesimin e vet publikisht per nje teme qe prek kaq shume njerez? Aq me teper kur kete e ben te argumentuar shume mire me linqet dhe shenimet e nevojshme, krejt ndryshe nga artikulli i mjekut? E cfare ben ana tjeter? Fillon e fshikullin me kredenciale (dekorata praktikisht) pa u angazhuar ne temen e pa ju pergjigjur seriozisht shqetesimit shume te drejte qe testi ne fjale mund te kete efekte negative me shume se pozitive.

    Edhe dicka tjeter, nese dikush (ekspert, mjek apo tjeter) shkruan ne nje foltore publike per nje teme publike nuk mund te prese vetem pergjigje nga eksperte. Nese do pergjigje vetem nga eksperte atehere duhet ti thote gjerat qe ka ne publikime shkencore sic i takon. Nje ekspert qe fillon e te hedh kredenciale ne fytyre ne momentin qe ti i ve ne dyshim dicka ka shume gjasa te kete marre fund profesionalisht me kohe. Kjo jo vetem pse ne industrine ku punoj roli me i mire i krendencialeve eshte si mbulese e tasave te qumeshtit per qente e macet qe marrim me vete ne zyra. Prandaj nese mjeku ne fjale fillon e pergjigjet (dhe duhet te pergjigjet e jo te le te tjere te pergjigjen) jo po dr. prof. asoc. verini vizen si profesionist.

    Mjeket sot jane per mua soji me i problematik i profesionisteve. Jo prej profesionit ne vetevete apo mjekeve te vecante qe ne perendim jane shpesh here te thjeshte por fale nje sistemi te lobizuar ne maksimum, fale insulimit nga konkurenca prej mbirregullimit dhe si bashkepjesemarres te heshtur si ne US ne nje industri praktikisht zhvatese. Leri ata shqiptaret pastaj me ate qendrimin “jam une pa eshte bota” dhe auren qe te kerkojne ti trajtosh ne cdo moment. I kemi ne familje dhe ju a njohim huqet. Nese ka ndonje liste prioritetesh se c’duhen automatizuar e robotizuar te parat, mjekesia duhet te jete shume lart ne liste per mendimin tim. Aftesia per tu informuar paraprakisht dhe per te diskutuar me mjekun sy me sy eshte nje nga (jo shume) te mirat qe Interneti na ka dhene keto vite te fundit.

    I bashkangjitem se fundmi ketu nje komenti te nje kolegu tjeter qe kjo duhet pare si shenje e vegjetimit te profesionisteve shqiptare, shoqerise civile dhe intelektualeve dobesia profesionale dhe e integritetit e te cileve eshte parakusht per katrahuren politike e sociale ku Shqiperia noton prej dy dekadash. Nje derdimen dhe palaco si Berisha dhe nje opozite kaq e paafte nuk do te rezistonin as nje jave ne shume vende te tjera ku elitat profesioniste kane integritet dhe pavaresi.

  5. Eni: “jam une pa eshte bota” dhe auren qe te kerkojne ti trajtosh ne cdo moment. I kemi ne familje dhe ju a njohim huqet…

    Xha Xhai eshte lindur dhe rritur ne nje familje doktoresh, po e ka perjetuar se profesioni i doktorit, “aura” qe i rrethon, i ben me njerezore, me te afte per te kuptuar njeriun ( natyren njerezore), njekohesisht me te perulur, ne sherbim te drejtperdrejte te njerezve; e kuptojne boten dhe misionin e tyre parasegjithash duke u bazuar ne betimin e Hipokratit.

    Kane nje sere avantazhesh qe nuk i kane te tjere. Nje doktor pergjate jetes mund te behet edhe nje politikan, udheheqes, shkrimtar e poet(te kujtojme Cehovin dhe tregimet e tij te shkurtera qe te mbajne pezull), shkencetar e ku ta di une(ka shume shembuj te tille historia).

    Por anasjelltas, te gjithe profesionet qe permenda, nuk mund te behen kollaj doktore, pa kaluar nje “triazh” te pakten prej nje dekade, neper auditore te universiteteve dhe ne boten jo fort te kendeshme te sallave te operacioneve, pavioneve e korridoreve spitalore qe vine ere anestezikesh dhe kloroformi, ku dhimbja, mjerimi, lutja njerezore eshte shpesh here nje bashkeudhetare kaq e pamundur, e padurueshme.

    Respekte per doktoret….

  6. Read, qe te mos dalim shume nga tema. Ashtu sic i pershkruan mund te kene qene mjeket e brezit te vjeter. Keta te rinjte sado te mrekullueshem te jene une i shoh gjithnje e me shume si pjese te nje industrie jo fort te paster dhe te fosilizuar ne kredenciale e hierarki. Reagimi natyror i tyre ndaj kujtdo qe ju fut hunden ne te palarat, dhe nga ato kane shume fatkeqesisht, eshte tundja e kredencialeve, pergjigja me e ulet qe nje ekspert mund te te jape. Mjeket kane lobin me te fuqishem profesional ne shume vende cka me kohe eshte bere destruktiv per vete ata dhe akoma me keq per pacientet. Ne Shqiperi keto probleme, qe i gjen ne te gjitha vendet, i ke te shumefishuara plus harroje perulshmerine dhe ndjenjen e sherbimit. Pra asnje respekt apriori per mjeket sot, jo me shume se fjala vjen per nje profesionist te shtrenjte.

  7. Sa dallohen menjehere komentuesit qe nuk jetojne ne Shqiperi e qe nuk kane pasur te bejne me mjeket shqiptare ne keto vitet e demokracise!

    Uroj te mos kene te bejne kurre, se nuk ia kane idene belase qe mund t’i gjeje.

    1. Per Enin dhe Relapson:

      Kushedi se si iu dukem une, i ardhur nga nje planet tjeter. Or miq te PTF, une Shqiperine e njoh me dhemb e dhemballe, e njoh edhe situaten mjekesore po aq mire. Biles kur shkruaja ne Shqiperi dikur, investigoja posacerisht spitalet dhe mizerabilitetin e tyre(kur diskutoheshin ideja e mjekesise private) pas shembjes te komunizmit, mizerabititet qe akoma ekziston ne spitalet shteterore.

      Nuk e di se si keni krijuar keto pershtypje, duke e pergjithesuar situaten, Po pse nuk merrni shembuj pozitive?

      Une kam shok e miq, te njohur, te aferm, ne fushen e mjekesise, ne praktike private (e shteterore) qe jane bere me makina, shtepia verimi e dimrimi, udhetojne jashte shtetit sa here te duan, shkollojne femite jashte shtetit, etj.

      Perse nuk duhet te beheshin te kamur? Ti i kerkon sherbimin, ata ta bejne duke te treguar edhe opsionet edhe cmimin…. Ti zgjedh, zgjedhja eshte ne doren tende. Ke opsionin te shkosh te shetisesh edhe ne vendet e tjera rrotull…

      Ato qe duan te mbeten te zote e te mire, studiojne, specializohen, perparojne e demostrojne kete dhe pastaj fitojne, behen te kamur.

      Ka edhe sharlatane, mjer te biesh ne duart e tyre…por kjo eshte kudo. Edhe sharlatanet njihen, ata jane me shume alkimiste te parase…

      Me teper ne mjeket e hershem eshte paaftesia pervazive, se sa perkushtimi, sic e thoni, jane kalcifikuar, nuk lexojne, nuk njihen me te rejat, sepse te tille kane mbetur edhe mentalitetet e tyre.

      Ka shembuj sa te duash mjekesh te mire e te perkushtuar, po sjell shembullin e Jera Krujes, qe eshte bere s’ka shume edhe rektore universitetit te mjekesise, specializuar gjate ne qendra te tilla Huston, Texas, etj. Besoj se nuk po e merrni se bej per reklame 🙂

      Eshte reformatore, inovative, eshte e zonja ne profilin e vet, humane, e keshtu me rradhe. Si ajo ka edhe te tjere…

  8. “Kete e deshmoi qendrimi i tij kritik me Berishen. Deri me sot ne historine e PD-se nuk kisha pare deputet qe te dilte e te kritikonte partine e Berishen nga brenda. Per mua eshte nje nga intelektualet e pakte me integritet moral aq kemi”
    Nuk jam dhe aq dakort me pohimin tuaj. Ke pasur bie fjala Petrit Kalakulen qe e kritikon nga brenda PD dhe lidershipin e saj jo ne perfundim mandati parlamentar.
    Sa per integritetin e tij moral, si intelektual i pakte qe na ka mbetur, po te sjell ne vemendje nje nga daljet e tij te fundit ne ekran me statusin e “historianit te shtypit shqiptar”, ku rrezatonte paaftesi perballe specialistesh te fushes ne nje teme si ajo e raporteve te Perandorine Osmane me shqiptaret. Te njejtin kut qe perdor Marku ne kritiken e tij jo te drejte ndaj Vehbiut per perzirje dijesh dhe zanatesh, e keqperdor publikisht, si ne rastin ne fjale, nisur siç dukej qarte vetem nga mllefe fetare e krahinore.

  9. “Gjithsesi, ti njeh personalisht Mark Markun, apo jo?”

    Markun e kam pasur student dhe njoh personalisht aq sa njoh edhe qindra studente te tjere qe kam pasur. Heren e fundit qe kam pire nje kafe me te ka qene ne Paris ne vitin 1996, fill pas zgjedhjeve te atehershme. Mbaj mend qe ndame shqetesimin e perbashket per manipulimin masiv te atyre zgjedhjeve.
    Qysh atehere nuk e kam takuar me. Por e kam ndjekur si autor.

    E keqja jote dhe e ndonje tjetri ketu eshte qe nuk jeni mesuar me kulturen e debatit. Nuk jeni mesuar te lexoni idete, pertej pershtypjes personale qe keni per autorin. Keni mbetur partizane.

  10. “Mjekësia dikur ishte mision, sot është biznes”, më tha para pak vjetësh një mjek me emër në Tiranë.
    Dhe mjerisht kjo është e vërtetë e vlen sot edhe për vende të qytetëruara e me traditë të gjatë. Jo më në Shqipëri, ku me shpejtësi të pabesueshme shkërbehen të këqijat e kësaj bote. Edhe ajo traditë e shkurtër qytetarie, e përftuar gjatë shekullit që shkoi, me brezin e shkolluar qysh prej viteve ’30, u shkërmoq brenda dy dekadash “demokraci”. E kjo në gjithë fushat, po sidomos në mjekësi, ku paraja është sheshit. Mjekët shqiptarë sot janë në konflikt të hapur interesi, thuajse të gjithë e shohin pacientin si burim fitimi. Dhe janë shtresa më e pasur e profesionistëve shqiptarë, mbase edhe më të pasur se vetë bossët e drejtësisë. Sa për të dhënë një shembull: Njihen raste kur mjete diagnostikimi të spitaleve publike nuk vihen në punë a dëmtohen me dashje, thjesht që pacientët të drejtohen në klinikat private, për të njëjtin shërbim që mungon pastaj, si rrjedhim i kësaj, në spitalin publik. Nuk besoj se ka NJË të vetëm mjek me emër në Shqipëri që paguan nga xhepi NJë të vetme biletë avioni. Ua paguajnë të gjitha të tjerët, avione e hotele, me gjithë gratë a burrat, firmat farmaceutike e ku di unë se kush tjetër. E këto janë natyrisht favore që do të kthehen prej tyre në një mënyrë. Si p. sh. me rekomandime për barna, për analiza etj. etj. Dhe fund të zinxhirit paratë dalin gjithnjë prej xhepit të pacientit.
    Të merresh me reagimin e Markut në këtë rast është kohë e humbur, sepse në të nuk gjen e nuk ka si të gjesh asnjë arsye parimore. Thjesht i ka dalë krah mikut të shtëpisë, duke nxjerrë para publikut emrin e vet, ngarkuar me “kredenciale”, si ka bërë sado herë kam pasur rastin ta shoh në TV. Dhe në gazeta e televizione mund t’i ecë e mund të impresionojë ndokënd.
    Por nuk besoj se e merr seriozisht njeri në PTF, Xha Xha.
    Ndërsa kjo temë ka aq shumë për të diskutuar, sa mund të thuhet se në shkrimin tuaj vetëm sa është prekur pak fare, sa ka filluar të hapet.
    Mund të hapej si duhet pra, në vend që të mbyllej, si kërkon të bëjë M.M.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin