LARTËSI PA JETË

Nga rënia e regjimit totalitar deri më sot, lëvizjet demografike në Shqipëri kanë qenë të jashtëzakonshme. Emigracioni i brendshëm e i jashtëm ka qenë me karakter biblik, po të konsiderojmë faktin se, pa llogaritur migrantët e brendshëm, jashtë shtetit jeton aktualisht pothuajse një e treta e qytetarëve shqiptarë.  Tërmete demografike me përmasa të tilla rrallë herë verifikohen në historinë e një vendi. Në këto vite, edhe pse jo në mënyrë të njëtrajtshme, lëvizja kryesore e njerëzve ka qenë nga zonat rurale drejt zonave urbane.

Kjo dukuri mbështetet edhe nga të dhënat statistikore. Mirëpo, ajo çka fshihet pas perdeve të tabelave statistikore është se zonat malore po shkojnë drejt shpopullimit shqetësues. Në mungesë të të dhënave më të detajuara – të cilat japin vetëm numrin e përgjithshëm të banorëve të zonave rurale dhe jo sipas komunave – mund t’u drejtohemi vëzhgimeve tona dhe dëshmive të ndryshme. Sipas këtyre, zonat malore shqiptare po pësojnë erozion të dukshëm nga pikëpamja demografike.

Nuk ka dyshim që zonat malore ishin të mbipopulluara deri para rënies së regjimit, por kalimi drejt shpopullimit është pika tjetër e skajshme. Po të kishim pasur të dhëna serioze në kohë, mund t’i krahasonim komunë për komunë, bashki për bashki, vit pas viti, për të parë se si po ecën demografia e këtyre zonave, por edhe të komunave e bashkive ku mbaron migrimi i tyre. Natyrisht në kësi rastesh merren parasysh edhe ecuria ekonomike e tregues të tjerë të zhvillimit.

Është e vërtetë se zhvendosja më e madhe e popullsisë ka ndodhur deri në fillim të viteve dy mijë. Më pas migrimi ka vijuar, por me ritme më të ngadalta. Le të marrim shembullin e qarkut të Kukësit. Ja çfarë lexojmë në Strategjinë e Zhvillimit Rajonal 2012-2016 të Kukësit:

Që nga viti 1990, popullata përjetoi një rënie dramatike (rreth 30%), edhe pse kjo prirje negative është zvogëluar në periudhën 2006-2010. Dy tendencat të rëndësishme kanë qenë të pranishme në ketë qark: shpopullimi i përgjithshëm i ndjekur nga migrimet ndër-rajonale nga zonat rurale në qendrat urbane. Ndërmjet 2006 dhe 2010, popullsia e bashkive u rrit me 3.8 për qind, ndërsa në komuna ajo ka rënë me 2.5 për qind. Komunat që kanë përjetuar rënien më të madhe në 4 vjet janë; Kalis (42.8%), Kolsh 30.6%, Fierzë (13.5%) dhe Topojan (12.8%). Rritjet më të mëdha të popullsisë janë shfaqur në komunën Bytyc (48.4%), Bashkinë e Krumës (15.8%) dhe në komunën Lekbibaj (14.9). […] Në një perspektivë afatgjate, rajoni ka humbur pothuajse 1/3 e popullsisë së tij që nga viti 2000, ndërsa ne periudhën 2006-2010 situata është stabilizuar.

Nuk kam të dhëna për t’i kundërshtuar të mësipërmet, prandaj i marr si të mirëqena, edhe pse ka shumë dëshmi që mbështesin të kundërtën, sidomos për zona malore e shumë malore, të cilat vështirë të renditen tek ato që rrisin popullsinë. Strategjia e lartcituar i analizon më së miri arsyet e shpopullimit: migrimi i brendshëm nga zonat rurale në ato urbane; mospërdorimi i punës në bujqësi; kushte të pafavorshme natyrore; lidhja e vështirë me kryeqytetin; copëzimi i lartë tokës bujqësore; infrastruktura e pamjaftueshme; pabarazi të mëdha ekonomike ndërmjet pjesëve të ndryshme të rajonit; keqpërdorimi pyjeve, ekonomi e pazhvilluar; pabarazi të mëdha në shërbimet sociale; papunësi, etj.

Vështirë që tekstet e strategjive të ndryshme, sidomos kur përgatiten me ndihmën e specialistëve dhe teknikëve të huaj, të pohojnë gjëra të kontestueshme nga pikëpamja teorike. Janë teknikisht të larta, sepse zakonisht përkthehet literatura më e mirë bashkëkohore për problemet e trajtuara. Gjithsesi, rrallë herë gjenden fjali-tullë si kjo e mëposhtmja, kur flitet për mangësitë në vendet malore:

Ka mungese doktoresh dhe pajisjesh per te dhene ndihmen e shpejte apo nje trajtim te thjeshte. Spitali ne Bajram Curri nuk ka disa nga pajisjet baze dhe nuk ka nje pediater.

Pas këtij konstatimi është e vështirë të vazhdosh me analiza teorike, sepse shpopullimi është rezultat i luftës për mbijetesë, pra fenomen i kuptueshëm. E po flasim për qytetin e Bajram Currit e jo për komuna të thella malore. Gjithsesi, duhet thënë se simptomat nuk janë të vështira për t’u dalluar. Për hir të së vërtetës, duhen pranuar edhe përparimet që janë bërë këto vite, zhvillimin e përgjithshëm, duke filluar nga infrastruktura, që i ka afruar praktikisht ato zona midis tyre e me kryeqytetin.

Mirëpo çështja, për mendimin tim, është kulturore. Deri dje na bombardonin me filma propagandistikë si p.sh. “Në pyjet me borë ka jetë”, por edhe sot ideja se shpëtimi vjen nga braktisja e malit dhe vajtja drejt qytetit nuk më duket më pak ideologjike. Kam frikë se po harrojmë diçka elementare: malet kanë nevojë për njeriun, sikurse njeriu ka nevojë për malet. Nga ana tjetër, ekonomistët na kujtojnë se vendet malore, po të shikohen në sistem, kanё mundësi zhvillimi të jashtëzakonshme: turizmi, mjedisi, pylltaria prodhuese, bujqësia malore, zooteknia, mbrojtja e tokës, energjia, ujrat, etj. Kur mali ka shëndet të mirë, edhe fusha gëzohet.

Të gjitha këto mundësi zhvillimi nuk mund të zhfrytëzohen me braktisje, sepse ikja nga vendet malore është shpeshherë pa kthim. Prandaj edhe bashkësisë i bie “barra e investimit” në këto zona, për të ndalur shkretimin, për t’ia parë hajrin nesër e mbi të gjitha për të krijuar kushte dinjitoze jetese.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: